|
01.02.2012.
Kryeministri i Malit të Zi Igor Llukshiq në mbledhjen e sotme të këshillit socio-ekonomik deklaroi se beson në forcën dhe rolin e këtij këshilli në zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme. Ai insiston në rishqyrtimin e punëve të ndërmarrjeve të privatizuara por edhe në vendimet e agjencisë regullatore.
Llukshiq paralajmëroi se të premten, për këtë qëllim do ta vizitojë Hekuranën dhe Nikshiqin. Ai poashtu theksoi se shlyerja eventuale e borxhit të Kombinatit të Aluminit nuk do të ndikojë në shlyerjen e obligimeve tjera, duke paralajmëruar pagesat e rregullta të të ardhurave dhe pensioneve.
Unioni i sindikatave të lira theksoi se nuk janë forcë shkatërruese dhe as kundër dialogut social, por duan rezultate konkrete e jo vetëm premtime. Janko Vuçiniq theksoi se ata duan të mbetën vetëm sindikalist, prandaj vendi i tyre nuk është në politikë. Në këtë takim poashtu tha se zgjidhja për dalje nga kriza është domosdoshmeria e lirimit nga partnerët e dobët. Në këtë takim gjithashtu u diskutua edhe për çmimet e reja të energjisë elektrike, kurse punëdhënësit theksuan se nevojitet një raport më i mirë i bankave ndaj afaristëve në mënyrë që të ruhen likuiditeti dhe vendet e punës.
Problemet e banorëve nuk mund të zgjidhen me demagogji
Aktivistët e rrjetit për afirmimin e sektorit joqeveritarë- MANS dhe të Unionit të Studentëve, rekomanduan sot se problemet e qytetarëve nuk mund të zgjidhen me demagogji por me aksione konkrete në ç'gjë siç theksuan nuk është i gatshëm kryeministri Igor Llukshiq.
Ata sot organizuan një përformans para ndërtesës së qeverisë ku u mbajt mbledhja e Këshillit Social, për të tërhequr vërejtjen ndaj situatës së rëndë socio-ekonomike në Mal të Zi.
Pjesëmarrësit në përformans kishin transparentin në të cilin shkruante se për lukun e tyre, ndonëse ishin të veshur në rroba të leckosura, është kujdesur Qeveria e Malit të Zi.
Nuk ka shkaqe për zgjedhje të jashtëzakonshme
Në Mal të Zi nuk ka as edhe një shkak për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, konsideron deputeti i PDS-së Miodrag Vukoviq.
Udhëheqësit e koalicionit në pushtet mendojnë që zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale të mbahen njëkohësisht në shtator ose në tetor të këtij viti njofton "Vjesti". Vukoviq theksoi se situata në Mal të Zi nuk provokon nevojën për zgjedhjet e jashtëzakonshme.
"Qeveria është stabile, ekziston shumica stabile parlamentare dhe shumë mirë lufton kundër vështirësive me të cilat nuk ballafaqohemi vetëm ne por edhe shtetet tjera. Qeveria e udhëheq Malin e Zi me sukses edhe në integrimet ndërkombëtare", theksoi Vukoviq. Në veçanti nuk është koha për zgjedhje mbase në qershor pritet fillimi i bisedimeve paraprake me UE.
Është akoma herët për vlerësimin e iniciativës
Kryetari i Këshillit për Sistemin Politikë, Legjislaturë dhe Administratë Ervin Spahiq vlerësoi se është herët që të debatohet për iniciativën e PSP për seancën kontrolluese dëgjimore të ministrit të drejtësisë Dushko Markoviq dhe të drejtorit të Entit për vuajtjen e sanksioneve penale Millan Radoviq.
PSP ka paralajmëruar se do të kërkojë seancën kontrolluese dëgjimore për shkak të, siç theksohet, faktit se i burgosur Lubo Bigoviq, pa leje paraprake të gjyqit të lartë kompetent, u ka dhënë intervistë mediave nga burgu.
Për strukturën negociatore do të debatohet nesër
Qeveria duhet të miratojë nesër vendimin me të cilin do të vendoset struktura për zhvillimin e bisedimeve dhe nënshkrimin e kontratave për anëtarësimin e Malit të Zi në UE dhe të caktohet përbërja dhe kompetencat e saj.
Me projekt vendim është paraparë që strukturën për bisedime ta përbëjnë kolegiumi dhe delegacioni shtetëror për bisedime për asocimin e Malit të Zi në UE, grupi negociator për zhvillimin e bisedimeve, grupet punuese për përgatitjen e bisedimeve sipas kapitujve, zyra e kryenegociatorit dhe sekretariati i grupit për bisedime.
Kolegiumi do të jetë trup punues i qeverisë në të cilin do të debatohet për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me bisedime. Koleguiumin e përbëjnë kryetari dhe nënkryetarët qeverisë, ministri për punë të jashtme dhe integrimet evropiane si dhe kryenegociatori.
Të definohet më mirë vendimi për strukturën bashkëbiseduese
Disa pjesë të vendimit për vendosjen e strukturës për bisedime për anëtarësimin e Malit të Zi në UE të cilën Qeveria duhet ta miratojë nesër, duhet të ridefinohen ose të definohen më mirë, konsideron Qendra për Tranzicionin Demokratikë. Kjo OJQ i ka dorëzuar kryenegociatorit Aleksandër Pejoviq komentet dhe sugjerimet në propozim vendimin të cilat do të kontribuonin në strukturën më kualitative bashkëbiseduese si dhe efikasitetit të modelit bashkëbisedues në përgjithësi.
Misioni i BB për vizitë në Mal të Zi
Misioni i Bankës Botërore i udhëhequr nga ekonomisti kryesor për Malin e Zi, Maqedoninë dhe Serbinë, Zhelko Bogetiq prej nesër deri me 10 shkurt do të qëndrojë në Mal të Zi.
Siç është kumtuar nga ministria e financave, qëllimi kryesor i vizitës është njohja e mëtejme e ekspertëve të Bankës Botërore me strukturën e të dhënave të cilat i disponon Mali i Zi, me politikën dhe institucionet si dhe me dokumentacionin relevant.
Mali i Zi i ka plotësuar kushtet për tërheqjen e aranzhmanit kreditues në vlerë prej 80 milion dollarë i cili në shtator të vitit të kaluar u nënshkrua me Bankën Botërore. Kredia siç është kumtuar është lejuar me kushte të volitshme dhe paraqet mbështetje buxhetore për zhvillim.
Diskriminimi i pranishëm në çdo hap
Diskriminimi i popullatës, pakicës seksuale (LGBT), në Mal të Zi ende është i pranueshëm në çdo hap, ka vlerësuar avokati i popullit Shuqko Bakoviq dhe shtoi se është kyçe që pjesëtarët e kësaj popullate të krijojnë besim te institucionet kompetente.
Bakoviq në konferencën për pozitën e kësaj popullate, të cilën e ka organizuar ministria për të drejtat e njeriut dhe të pakicave në bashkëpunim me misionin e Këshillit të Evropës në Mal të Zi, ka theksuar se nuk mendon se Mali i Zi ngec nga anëtaret tjera të kësaj organizate kur është fjala për mbrojtjen e të drejtave të popullatës LGBT.
Prishtina dhe Beogradi me qëndrime të largëta
Qëndrimet e Prishtinës dhe të Beogradit sa i takon çështjes së bashkëpunimit rajonal janë shumë larg njëra tjetrës, ka deklaruar shefja e delegacionit kosovar në bisedime, Edita Tahiri, pas takimit që ka zhvilluar me ndërmjetësin e Bashkimit Evropian, Robert Kuper, në dialogun me Beogradin. "Sa i takon bashkëpunimit rajonal, qëndrimet janë shumë larg.
Pozicioni ynë është i qartë; Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe duhet të përfaqësohet si shtet i pavarur, si edhe shtetet tjera të rajonit me autoritetin e saj, me simbolet shtetërore ", ka deklaruar mbrëmë Tahiri në konferencën për media, që ka mbajtur pas takimit me ndërmjetësin evropian në bisedime. Edita Tahiri tha se qëndrimi i palës serbe mbetet i njëjtë, duke insistuar në rezolutën 1244. "Për ne vijë e kuqe është që nuk pranojmë asnjë referencë bazuar në rezolutën 1244", ka thënë ajo, duke i replikuar kështu shefit të diplomacisë serbe Vuk Jeremiq ndaj një deklarate të tij një ditë më herët. Diplomatët evropianë kanë deklaruar se vazhdimi i dialogut dhe zgjidhja për përfaqësimin rajonal të Kosovës janë çështje të rëndësishme për euro integrimin e Serbisë.
Edhe Kosova të marrë pjesë në takimet rajonale
Në takimin e djeshëm ministror të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore në Beograd, zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Selim Belortaja, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimin dhe forumet rajonale, u angazhua që në to të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e Kosovës.
"Parimi gjithëpërfshirës ka qenë dhe do të jetë "sine qua non" për një bashkëpunim të drejtë dhe të suksesshëm rajonal. Konform rekomandimeve të partnerëve kryesorë, vazhdojmë të mbështesim pjesëmarrjen e Kosovës në të gjitha nismat, organizatat dhe qendrat rajonale, duke konsideruar thelbësore për sfidat tona të përbashkëta", ka thënë Belortaja në takimin e SEECP në Beograd.
Sipas mediave serbe, diplomati shqiptar ka theksuar se vendet e rajonit duhet të udhëhiqen nga interesat afatgjata dhe përshëndeti politikën e dyerve të hapura të NAT0-s drejt rajonit si "më të drejtë". Belortaja rikujtoi se Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia dhe Kosova kanë arritur një marrëveshje që qytetarët e tyre mund të udhëtojnë nga një vend në tjetrin vetëm me letërnjoftim, por ai u angazhua që ky proces të zgjerohet në gjithë rajonin.
Kujdes me strukturat paralele
Nënkryetari i Delegacionit të Parlamentit Evropian Jelko Kacin ka porositur që me kujdes të shqyrtohen ato struktura në veri të Kosovës, të cilat financohen nga ana e Beogradit jashtë asaj që parasheh Plani i Ahtisarit.
Kacin gjatë këmbimit të mendimeve me përfaqësuesin e posaemëruar të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, në Këshillin për politikë të jashtme, ka theksuar ndërlikueshmërinë e problemit të strukturave paralele në veri të Kosovës, duke thënë se "strukturat të tjera në veri të Kosovës nuk ka", njoftohet nga kabineti i Kacinit. Ai në një takim të veçantë me Zhbogarin ka thënë se nga ai pritet ndihmë që të dyja palët "me kohë të arrijnë marrëveshje për emrin e përkohshëm me të cilin Kosova përfundimisht do të mund që aktivisht të marrë pjesë në takimet ndërkombëtare".
Nga ana e tij Zhbogar ka theksuar qëndrimin pozitiv ndaj integrimit evropian të Kosovës në dritën e hapjes së dialogut për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Kacin dhe Zbogar janë dakorduar se është i domosdoshëm "rehablitimi i thellë ekologjik dhe social i veriut të Kosovës".
Beogradi për zgjedhjet serbe në Kosovë vendos para 11 marsit
Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, ka thënë se "ekzekutivi serb nuk ka sjellë ende vendim për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në territorin e Kosovës, përderisa ato parlamentare dhe presidenciale do të mbahen me siguri".
"Qeveria do ta sjellë vendimin për zgjedhjet lokale para 11 marsit, kur është afati i fundit për shpalljen e zgjedhjeve", ka thënë Bogdanoviq për mediat serbe. "Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale do të mbahen 100%. Këtu nuk ka dilemë. Kjo është në përputhje me Rezolutën 1244", ka shtuar ai.
Bogdanoviq ka thënë se Serbia do ta ketë parasysh qëndrimin e partnerëve të Bashkimit Evropian, porse "kjo nuk do të ndikojë në vendimin për zgjedhjet lokale në Kosovë". Deri më tani, zgjedhjet e Serbisë janë mbajtur disa herë edhe në Republikën e Kosovës, por rezultati i tyre nuk është njohur si legjitim as nga autoritetet kosovare, as nga ato ndërkombëtare.
Zyrtarët dhe liderët fetarë dënojnë incidentet në Strugë
Cilido qoftë incident i izoluar, ku do që të ketë ndodhur, duhet të dënohet nga ana e të gjithëve, thanë presidenti maqedonas Gjorge Ivanov dhe kryetarët e Bashkësisë Fetare Islame dhe Kishës Ortodokse të Maqedonisë, Arqipeshkvi i Ohrit dhe i Maqedonisë, Reis ul Ulema haxhi Sulejman efendi Rexhepi dhe Stefan në takimin e sotëm me rastin e ngjarjeve në komunat Strugë dhe Vevçan.
Ivanov pret që kryerësit e incidenteve të përgjigjen konform ligjeve. Me kryetarët e bashkësive më të mëdha fetare kanë shprehur bindje se tradita e jetës së përbashkët, e cila ekziston me shekuj mbetet vlerë dhe përfitim i të gjithë qytetarëve. Bashkarisht dërgojnë mesazh për përgjegjësi në kultivimin e marrëdhënieve tradicionalisht të mira ndërfetare dhe të kulturës dhe tolerancës. Edhe Kryeministri Nikolla Gruevski bëri thirrje për qetësimin e situatës në Strugë, dhe që ajo të mos keqpërdoret në qëllimet politike, pasi kjo është në dëm të të gjithë qytetarëve pa marrë parasysh përkatësinë etnike dhe fetare. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme thuhet se po i ndërmerr të gjitha masat e domosdoshme për zbardhjen e incidentit në Strugë, zbulimin e personave të cilët qëndrojnë pas tyre dhe nxjerrjen e tyre para gjykatës kompetente.
Ministrja Gordana Jankullovska në deklaratën me shkrim apeloi që qytetarët nga Struga dhe rrethina të mos u nënshtrohen provokimeve dhe qartë të tregojnë se ardhmëria është në respektimin ndëretnik dhe ndërfetar. Ekipet e MPB së kanë kryer hetim dhe kanë ngritur lëndë për ekspertizë në interes të hetimit nga hapësirat ndihmëse në kishën "Shën Nikolla" në fshatin Labunishtë. Ndërkohë, siç njofton televizioni Alsat- M, mbrëmë banorët lokalë të fshatitë Reçicë të Tetovës kanë shpëtuar nga zjarri kishën në këtë fshat. Zjarri është vërejtur në hyrje të manastirit Shën Gjorgjija, dhe falë intervenimit të shpejtë të banorëve shqiptarë të këtij fshati është penguar që objekti të përfshihet nga zjarri.
BDI dhe VMRO DPMNE bashkarisht dënojnë incidentet
Partnerët e koalicionit në takimin e përbashkët, analizuan ndodhitë e fundit në vend, veçanërisht ato rrethinën e Strugë dhe bashkërisht i dënuan të gjitha veprimet të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejt mbi një nga vlerat më të larta të shoqërisë - marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërkonfesionale. Me këtë rast, u theksua rëndësia e ndërtimit dhe avancimit të mirëkuptimit dhe respektit ndëretnik dhe ndërkonfesional mes qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. "Respekti ndëretnik e sidomos ndërkonfesional ka një traditë të gjatë në Republikën e Maqedonisë, për këtë shkak nuk guxojmë të lejojmë provokimet që ndodhin në ndeshje sportive, manifestime kulturore por dhe aktet vandale mbi objektet fetare, t'i dëmtojnë ato si dhe të jenë shkas për mosbesim shtesë dhe mos respektim të simboleve shtetërore Prandaj, partnerët e koalicionit në mënyre kategorike distancohen dhe i dënojnë këto provokime", thuhet në kumtesën e përbashkët të partnerëve në koalicion në Maqedoni.
Merkel do të diskutojë në Kinë edhe për të drejtat e njeriut
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të bisedojë gjatë vizitës së saj në Kinë edhe për çështjen e të drejtave të njeriut dhe për disidentët. Ajo dëshiron t'i paraqesë partnerëve të saj në Pekin pikëpamjet e saj "me përzemërsi dhe qartësi", tha Merkel për gazetën "Die Welt". Në qendër të vizitës së saj katërditore në Kinë, që Merkel do ta nisë sot do të jenë, megjithatë, çështjet ekonomike." "Natyrisht duam që kompanitë gjermane, përfaqësuesit e sektorit të ekonomisë, që më shoqërojnë mua në këtë udhëtim, të investojnë në Kinë. Ashtu sikurse ne jemi të hapur për sipërmarrjet kineze që të investojnë në gjithë Bashkimin Europian, dhe, po ashtu, në Gjermani". Të planifikuara janë edhe takimet me kryeministrin Ven Xhiabao dhe presidentin Hu Xhintao. Merkel shoqërohet nga një delegacion ekonomik i rangut të lartë dhe nga deputetë të gjitha grupeve parlamentare. Kjo është tashmë vizita e pestë e kancelares në Republikën Popullore që prej fillimit të mandatit të saj në 2005.
Vestervelle bisedon me Natanjahun dhe Abazin
Në përfundim të udhëtimit pesëditor në Lindjen e Mesme, ministri i jashtëm gjerman, Guido Vestervelle do të zhvillojë bisedime me presidentin e palestinezëve Mahmud Abaz dhe kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu.
Vestervelle do të përpiqet sot në Rramallah dhe Jerusalem të peshojë mundësitë për një ringjallje të procesit të paqes. Zyrtarisht, negociatat mes Izraelit dhe palestinezëve tashmë janë ngrirë që prej shtatorit të 2010. Ministri i jashtëm izraelit, Avigdor Lieberman, vuri në pah rolin e rëndësishëm të Gjermanisë në procesin e paqes. Pozicioni i Republikës Federale është vendimtar për të ardhmen e rajonit të Lindjes së Mesme, tha Lieberman, gjatë një takimi me homologun e tij gjerman të djeshëm në mbrëmje në Tel Aviv.
Rusia kundërshton rezolutën e OKB për Sirinë
Pavarësisht kërkesave të ndërkombëtarëve, Rusia i mbetet besnike kundërshtimit kundër një rezolute të Këshillit të Sigurimit për Sirinë, e cila kërkon dorëheqjen e presidentit Bashar al-Asad.
Kombet e Bashkuara nuk duhet të ndërhyjnë në një konflikt "të brendshëm", deklaroi ambasadori rus, Vitali Çurkin, gjatë një seance të posaçme të forumit më të lartë të OKB-s në Nju Jork. Edhe sanksionet nuk janë mjetet e duhura për të ndalur spiralen e dhunës, tha më tej Çurkin. Pa përmendur emrin e Rusisë, ministrja e jashtme amerikane, Hilari Klinton, kritikoi dështimin e detyruar të Kombeve të Bashkuara. Kush voton kundër një rezolute, bëhet "bashkëfajtor i dhunës në vazhdim", theksoi Klinton.
Në emër të Ligës Arabe, kryeministri i Katarit, Hamed ben Kasem al-Thani, i kërkoi Këshillit të Sigurimit që të ndalojë "makinerinë e vrasjeve" të Asadit. Liga kishte ndërprerë kohët e fundit një mision vëzhguesish në Siri për shkak të suksesit të mangët. Sipas vlerësimeve më të fundit të OKB-së, gjatë kryengritjes kundër Asadit prej muajit mars 2011 kanë humbur jetën më shumë se 5400 njerëz.
Nga sulmet ajrore në Pakistan, 31 talibanë të vrarë
Ushtria e Pakistanit ka bërë të ditur se nga sulmet ajrore në pjesën veriperëndimore të këtij vendi, janë vrarë afro 31 luftëtarë talibanë.
Administratorët lokalë politikë, Vaxhid Kan dhe Amir Gula, thanë se sot herët në mëngjes ka pasur sulme me bomba në rajonet fisnore Orakzai dhe Kurram. Një zyrtar ushtarak, duke folur në kushte të anonimitetit, tha se bazat në qarkun Orakzai, që përdoreshin nga mbështetësit e komandantëve talibanë, Mullah Tufan dhe Mohexhudin, janë shkatërruar.
Sipas këtij zyrtari, është e mundshme, që komandant Mohexhudini është vrarë. Këto sulme u bënë pas luftimeve të ashpra në rrethin Kurram, ku trupat qeveritare të Pakistanit dhe militantët luftuan për një kodër strategjike, nga e cila shihen rrugët në Afganistan. Gjatë kësaj përleshjeje janë vrarë afro 60 luftëtarë.
Përleshje mes këshilltarëve në parlamentin e Ulqinit
Mollë e sherrit për këshilltarët e parlamentit vendor të Ulqinit u bënë dje planet detaje urbanistike aq të nevojshme për këtë komunë.
Për më se 5 orë e gjysmë parlamenti i Ulqinit është shndërruar në një arenë debatesh të ashpra të cilat kulmuan me konfrontime verbale në mes të kryetarit të UDSH-s Met Zenga dhe nënkryetarit të forcës së re demokratike Genci Nimanbegu, deputet në parlamentin republikanë të cilat në opinion dërguan një mesazh negativ.
Situata poashtu eskaloi edhe gjatë akuzave të ndërsjella në mes te këshilltares Hatixhe Gjoni nga UDSH dhe Xhaudet Cakuli nënkryetar i komunës së Ulqinit. Gjoni edhe njëherë i përmendi Cakulit objektin e tij që gjendet në qendër të qytetit duke e akuzuar se objektin e ka ndërtuar mbi një pjesë të kanalizimit dhe ujësjellësit të qytetit. Ajo poashtu tha se Cakuli ka zënë 800m2 tokë të huaj dhe se ka dyshime për vlefshmërinë e lejes së ndërtimit për objektin në fjalë.
Cungu triumfon në Split
Tenisti tashmë i njohur ulqinak Rrezart Cungu triumfoi në turneun e klubit të tenisit "Solit" për grup moshën deri në 14 vjeç i cili u mbajt nga data 28 deri në 30 janar në Split të Kroacisë .
Në garën finale mjaft emocionuese dhe të vështirë Cungu mundi në tri sete tenistin Filip Gagula nga Mostari me rezultat 7-5 , 5-7 dhe 6-3, me ç rast u shpërblye me kupë dhe diplomë.
Cungu në xhiron e parë bindshëm mundi tenistin Medin Ante me rezultat 6-0, 6-0. Në xhiron e dytë me të njëjtin rezultat triumfoi ndaj tenistit Stipan Maxhar, në çerekfinale fitoi tenistin nga Zara Krneta Nino me rezultat 6-1.6-3, kurse në gjysmëfinale shkëlqeu me tenistin nga Spliti Rodin Sllavko të cilit nuk i lejoj asnjë gem.
Reshjet e borës, të ftohtit, na kufizojnë në aktivitete
Të ftohtit e këtyre ditëve dhe temperaturat e ulëta pothuaj se na kanë mbyllur në shtëpi. Duket se kemi harruar se si duket të ftohtit e vërtetë. Mirëpo të ftohtit në pjesët jugore dhe qendrore të vendit tonë mund të përballohet për dallim nga pjesa veriore e cila ditë të tëra është veshur me petk të bardhë. Në disa pjesë veriore të vendit bora ka rënë disa ditë me radhë dhe ka arritur edhe deri në një metër .
Situata ekzistuese e vështirëson shumë lëvizjen e qytetarëve në ato pjesë. Në këtë rast më së vështiri është për ata njerëz që merren me blektori dhe obligimet e përditshme që kanë. Kryesisht stinën e dimrit dhe të ftohtit e kalojmë në ambiente të mbyllura siç janë shtëpia, pranë televizionit apo kompjuterit, pastaj nëpër kafiteri të ndryshme .
Pra gjatë të ftohtit jemi shumë të kufizuar për sa u përket lëvizjeve. Sipas paralajmërimeve të meteorologëve reshje të borës priten edhe në pjesët jugore dhe qendrore. Kjo dukuri është shumë e radhë në këto pjesë të vendit. Por sidoqoftë borës më së shumti do ti gëzohen fëmijët të cilët pjesën më të madhe të ditës do ta kalojnë jashtë.
Kompetentët të gatshëm të intervenojnë
Paralajmërimet e meteorologëve për përkeqësimin e motit ditëve te ardhshme, kane alarmuar kompetentet, ne radhe te pare për mirëmbajtjen e rrugëve, pasi që të reshurat dhe ngricat e paralajmëruara ne stinën e dimrit e vështirësojnë ne radhe te pare, qarkullimin e automjeteve dhe lëvizjen e njerëzve, ne drejtimet me re rrezikuara, ne veçanti ne zonat malore ku stina e dimrit paraqitet ne mënyrën me te egër.
Ngjashëm është ne drejtimin rrugor drejt bashkësisë lokale te Trieshit, e cila ndodhet ne lartësinë mbidetare te mjaftueshme, për dimra mjaft te ashpër, rëndom me bore te dendur dhe me trashësi mjaft te larte te pengoj rrjedhën normale te jetës ne këto drejtime. Andaj, nevoja e mirëmbajtjes se rrugës ne këtë drejtim është me e nevojshme, pasi që ajo është e vetmja lidhje e banoreve te këtushëm me boten. Sidomos ne disa nga pikat me kritike te saj, te cilat nëse nuk mirëmbahen me kohe, paraqesin rrezik potencial për te gjithë ata qe kanë nevoje te lëvizin ne këtë drejtim.
Mirëmbajtja e këtij drejtimi rrugor nga Podgorica është me se e nevojshme pasi që e njëjta lidhe disa fshatra te banuara, duke filluar nga Fundnat, pastaj Koja dhe deri ne fshatrat e Trieshit, ne Poprat, afër bjeshkës se Korites. Kompetentet kane paralajmëruar se janë te gatshëm te intervenojnë kudo qe te jetë nevoja, andaj te shpresojmë se banoret e fshatrave me te rrezikuara nuk do te kenë problem ne qarkullimin dhe lëvizjen e tyre drejt qendrave urbane.
|