Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

10. 06. 2019. 18:46 >> 18:51

Ditari 10.06.2019

10.06.2019

Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi po ruan infrastrukturën e Serbisë së madhe

Presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviq e ka akuzuar Kishën Ortodokse Serbe se po përpiqet ta ruajë infrastrukturën e Serbisë së madhe në Mal të Zi dhe ka theksuar se do ta ripërtërijë Kishën Ortodokse të Malit të Zi pa marrë para sysh nëse i pëlqen dikujt kjo ose jo. “Kisha ortodokse Serbe në Mal të Zi po përpiqet ta ruajë infrastrukturën e Serbisë së madhe në të cilën ajo beson” dhe ka theksuar se “qëndrimi i saj për argjipeshkvitë përtej kufijve është në kundërshtim me parimet bazë të organizatës ortodokse kudo nëpër botë”. “Kisha Ortodokse Serbe mendon se Mali i Zi gabimisht është bërë i pavarur dhe se me kohë do të ndreqet gabimi e do të kuptohet nevoja për të nisur ndërtimin e Serbisë së madhe. Ne duhet, natyrisht me ekzistencën tonë, vendosmërinë dhe vizionin t’i themi se nga ajo nuk ka asgjë”, ka thënë Gjukanoviq. Ai ka bërë të ditur se Mali i Zi është i pagjunjëzuar për ndërtimin e një shoqërie shumetnike, por ka theksuar se ka mbetur edhe një hap i rëndësishëm me të cilin do të ndreqet padrejtësia e madhe që i është bërë Malit të Zi në fillim të shekullit 20-të, e ajo është përtëritja e Kishës autoqefale ortodokse të Malit të Zi. Analistët malazezë në vazhdimësi kanë theksuar se definimi përfundimtar dhe rrumbullakësimi i shtetësisë dhe qenies kombëtare është kisha autoqefale malazeze. Autoqefalia e kishës malazeze do të ndërpresë aktivitetet shkatërruese të Kishës Ortodokse Serbe.

Evropa nuk do të largohet nga politika e zgjërimit

“Qëndrueshmëria e politikës kridibile të zgjerimit dhe forcimi i perspektivës evropiane të rajonit është me rëndësi të veçantë për siguri, stabiliteti dhe zhvillimin e përgjithshëm të Ballkanit Perëndimorë”, deklaroi sot Ministri i jashtëm i Malit të Zi Sërgjan Darmanoviq. Darmanoviq theksoi se është i sigurt se Evropa nuk do të largohet nga politika e zgjerimit. Ai poashtu tha se është i kënaqur që sot qeveritë e Malit të Zi dhe Çekisë nënshkruan marrëveshjen për bashkëpunimin shkencoro- teknologjik e cila, siç vlerësoi, do të ndihmojë në shkëmbimin e ndërsjelle të njohurive dhe përvojave nga kjo lëmi. Darmanoviq, pas takimit me ministrin e jashtëm të Çekisë, Tomash Petriçek, tha se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve edhe më shumë është forcuar me aleancën e Malit të Zi dhe Çekisë në NATO. “Bashkarisht kemi konstatuar se është me rëndësi të veçantë ruajtja e kohezionit të brendshëm dhe vazhdimi i forcimit të dialogut transantlantik, në mënyrë që NATO të vazhdojë të  garantojë sigurinë në mënyrë të përgjithshme edhe efikase dhe prosperitetin e familjes euroatlantike”, theksoi Darmanoviq. Ministri i jashtëm i Çekisë Tomash Petriçek tha se marrëdhëniet e vendit të tij dhe të Malit të Zi janë tradicionalisht të shkëlqyera, pa probleme dhe shumë miqësore, duke shtuar se edhe krahas ruajtjes së marrëdhënieve të shkëlqyera politike, tentojmë të zgjerojmë edhe bashkëpunimin ekonomik. Duke komentuar marrëveshjen për bashkëpunim shkencoro- teknologjik, Petriçek theksoi se beson se ajo do të paraqes nxitje shtesë për bashkëpunimin e Malit të Zi dhe Çekisë në lëmitë e shkencës dhe teknologjisë dhe të internacionalizimit të saj. Sipas fjalëve të tij, Çekia tradicionalisht përkrah zgjerimin e UE dhe është gjë pozitive që Mali i Zi është kryesues kur janë në pyetje integrimet, tha Petriçek. Përndryshe Ministri çek për punë të jashtme qëndron sot për vizitë zyrtare në Mal të Zi dhe krahas takimit me homologun e tij malazezë, ai është takuar edhe me kryeministrin Dushko Markoviq, kurse takohet edhe me ministren e shkencës, Sanja Damjanoviq dhe me presidentin Millo Gjukanoviq.

Për ballafaqim me sfidat e sigurisë nevojitet bashkëpunim i afërt

Për ballafaqim të suksesshëm të sfidave të sigurisë është i nevojshëm bashkëpunim shumë i afërt dhe shkëmbim në vazhdim i informatave ndërmjet policive të Malit të Zi dhe Sllovenisë, vlerësuan sot Ministrat për punë të brendshme të këtyre dy vendeve, Mevludin Nuhoxhiq dhe Boshtjan Pokllukar. Ata poashtu u pajtuan për intensifikimin e bashkëpunimit në këtë plan. Siç u kumtua nga Ministria malazeze për punë të brendshme, lufta kundër kriminalitetit të organizuar, terrorizmit dhe migrimeve ilegale ishin temat kryesore të takimit të sotëm bilateral të mbajtur mes këtyre dy ministrave në Lubjanë. Bashkëbiseduesit u pajtuan se Mali i Zi dhe Sllovenia janë dy vende mike dhe se bashkëpunimi mes dy resorëve është tradicionalisht i mirë dhe partner. Pokllukar në këtë takim e vërtetoi edhe njëherë përkrahjen e fuqishme të Sllovenisë për integrimet evropiane të Malit të Zi dhe paralajmëroi vazhdimin e bashkëpunimit dhe ndihmën e vendit të tij përmes projekteve të reja të përbashkëta. Duke folur me temën e kriminalitetit të organizuar dhe terrorizmit ai theksoi se organet malazeze të sigurisë janë partner të fuqishëm të policisë sllovene.

Mali i Zi duhet të shpejtojë reformat

Profesori i Institutit për politikë të jashtme në Universitetin “Xhon Hopkins” në Uashington, Majkëll Hallcen thotë se Malin e Zi e sheh si vend i cili është duke lëvizur në drejtim të duhur por i cili në këtë rrugë duhet të ecë me shpejt. Aktualisht, siç theksoi Hallcell, Gjermania nuk ka ndonjë interes të veçantë të shtyjë përpara procesin e zgjerimit por gjithsesi, ky është interes i tyre dhe inicim pozitiv nga aspekti i liderëve. “Sigurisht se ekzistojnë kushtet të cilat janë të domosdoshme të cilat si vend kandidat duhet ti plotësoni. Tani për tani nuk i keni plotësuar të gjitha kushtet dhe mendoj se askush në Mal të Zi këtë nuk e pohon, mirëpo mendoj se jeni  në rrugë të duhur”, vlerësoi ai. Hallcell thotë se Malin e Zi e sheh si vend i cili lëviz në drejtim të duhur por i cili do të duhej të lëviz më shpejt në drejtim të mirë.

 

Gjoba me të holla për mosrespektimin e stemës, flamurit dhe himnit shtetëror

Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar plotësimet dhe ndryshimet e ligjit për simbolet shtetërore dhe ditën e shtetësisë me të cilat janë paraparë gjoba në të holla për mosrespektimin e stemës, flamurit dhe himnit të Malit të Zi. Ky propozim ligj është miratuar me votat e 43  deputetëve e po ashtu nuk pati kundër ose të përmbajtur. Me këtë propozim ligj janë paraparë dënimet në të holla prej 1 mijë deri në 20 mijë euro për personat juridik që do të përdorë stemën dhe flamurin në krijimtarinë artistike, në punën arsimore në mënyrë që të njollos moralin publik dhe dinjitetin e Malit të Zi. Me ndryshimet e miratuara ligjore janë paraparë edhe dënimet nëse në tekstin apo melodinë e himnit ndërmerren çfarëdo ndryshimesh ose të interpretohet në ato raste që fyejnë dinjitetin e Malit të Zi. Dënimet për personat përgjegjës janë prej 300 deri në 2 mijë euro, për  personat fizikë prej 300 deri në 2 mijë euro, kurse për ndërmarrësit prej 300 deri në 6 mijë euro. Me ligjin e miratuar po ashtu është paraparë vendosja e përhershme e flamurit në ndërtesat e organeve të vetëqeverisjes lokale dhe institucionet publike, themelues i të cilave është shteti. Deputetët nuk e kanë miratuar amendamentin e deputetit të Partisë Liberale, Andria Popoviq, me të cilin ishte paraparë që partitë politike të cilat veprojnë në parlamentin shtetëror apo atë lokal në ambientet e veta partiake të vendosin flamurin shtetëror.

Dialogu, e vetmja qasje reale

Dialogu në Këshillin për legjislaturë zgjedhore është e vetmja qasje konstruktive në këtë moment ndërsa çdo gjë tjetër është tentim i zgjatur i obstruksionit, deklaroi deputeti i PDS, Andria Nikolliq, i cili përndryshe është edhe kryetari i Këshillit për marrëdhënie ndërkombëtare dhe mërgimtarët. “PDS konsideron se Mali i Zi do të duhej të aktivizojë të gjitha resurset që i ka në disponim në mënyrë që të avancojë më shpejt, duke përfshirë këtu edhe potencialet në opozitë. Por jo që tua lëshojë një pjesë të pushtetit dhe ti bëjnë më të rëndësishëm nga ajo që qytetarët ua kanë besuar dhe caktuar në zgjedhje”, deklaroi Nikolliq. Duke u përgjigjur në pyetjen nëse beson se do të vijë deri te dialogu i PDS dhe opozitës, Nikolliq rekomandon se nëse dëshirojmë që të jemi pjesë e shoqërisë se popujve dhe vendeve evropiane, duhet të mësojmë demokracinë edhe në dialog.

 

Valorizimi i aeroporteve kyçe për zhvillimin e turizmit

Mali i Zi është destinacion atraktiv turistik dhe ka potencial shumë të madh për zhvillimin dhe rritjen e mëtejshme, që është një shans i madh për kompaninë ajrore siç është EeasyJet, u kumtua pas takimit të kryeministrit Dushko Markoviq dhe përfaqësuesve të kompanive EeasyJet, EasyJet Holidays dhe Karisma Hotells&Resorts. “Qeveria është shumë e përkushtuar për zhvillimin e turizmit por edhe në përmirësimin e infrastrukturës së përgjithshme si parakusht të rëndësishëm për avancimin e mëtejmë  të kësaj lëmije të ekonomisë”, deklaroi kryeministri Markoviq. Ai përkujtoi në planet për valorizimin e aeroporteve në Podgoricë dhe Tivat që është me rëndësi kyçe për vazhdimin e zhvillimit të turizmit, duke pasur parasysh  faktin se Mali i Zi është kryesisht destinacion ajror. Kryeministri Markoviq theksoi se Qeveria është e hapur për partneritet strategjik me kompaninë EasyJet, e cila, sipas fjalëve të drejtorit të përgjithshëm të kësaj kompanie ajrore, Johan Llundgren, është e interesuar për investime afatgjate.

 

Pritet edhe një  sezon i mirë turistik

Sezoni i sivjetmë verorë turistik, sipas pritjeve të Ministrit të zhvillimit të qëndrueshëm dhe turizmit, Pavle Radulloviq do të jetë edhe një sezon i mirë në vazhdimësi me një rritje të theksuar të numrit të turistëve në parasezon por edhe në të ardhurat e përgjithshme. “Kemi një rritje konstante nga viti në vit. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se sezoni turistik është më i gjatë seç ka qenë më parë,  pa marrë para sysh në kushtet jo të mira hidrometeorologjike“, tha Radulloviq gjatë mëngjesit punues me gazetarët. Ai tha se vizita në para sezon në hotele në tre muajt e parë është 44% më e lartë se sa në periudhën e njëjtë në vitin e kaluar. “Numri i përgjithshëm i turistëve në Mal të Zi është 38% më i lartë. Këta janë numra serioz me parasezon, ndërsa në sezonin kryesor nuk do të jetë i njëjtë, sepse këtë nuk na e lejon as infrastruktura”, tha Radulloviq. Të ardhurat, siç theksoi ai, po ashtu janë në rritje. Nga taksa e qëndrimit të ardhurat nga fillimi i vitit e deri tani janë rritur për 25% ndërsa të ardhurat tjera po ashtu janë rritur dhe janë më të larta nga kjo përqindje.

 

Nga viti 2006 borxhi publik është rritur për 2.5 miliard euroatlantik

Borxhi publik i Malit të Zi për 13 vite, qe nga ripërtëritja e pavarësisë është rritur për gati 2,5 miliardë euro dhe tani shteti gjendet në zonën e borxhit të lartë, kumtoi analisti ekonomik Zarija Pejoviq.  Një nga kushtet e hyrjes në UE është zvogëlimi i borxhit nën 60% nga Bruto Prodhimtaria e Përgjithshme, ndërsa plani i shtetit i Malit të Zi është që tek ky numër të vihet deri në vitin 2022, thonë nga Ministria e financave. Në Podgoricë është mbajtur sot panel diskutimi me temën, “Borxhi publik i Malit të Zi nga 2006 -2018, struktura, problemet dhe zgjidhja e mundshme”, që u organizua nga Qendra për gazetarinë hulumtuese të Malit të Zi. Pjesëmarrësit e panelit vlerësuan se borxhi publik i shtetit paraqet shkak të mirë për shqetësim.

 

Projekti për zhvillim ekonomik dhe punësim

Projekti, “Norvegjia për ju – Mali i Zi” ka për qëllim zhvillimin e barabartë socio- ekonomik të Malit të Zi, përmes rritjes së mundësive për punësim, përkrahjes së kohezionit social dhe avancimit të infrastrukturës lokale në 16 komunat më pak të zhvilluara deri në vitin 2020. Kjo është kumtuar sot gjatë prezantimit të projektit të mbretërisë norvegjeze të financuar me 1.4 milion euro për zhvillimin e komunave në Mal të Zi. Projektin në fjalë e realizon zyra e Kombeve të Bashkuara për shërbimet projektuese- UNOPS. Projekti, “Norvegjia për ju – Mali i Zi”, është harmonizuar me strategjitë relevante nacionale të Malit të Zi në fushën e punësimit dhe të zhvillimit të barabartë rajonal. Aktivitetet nga ky projekt janë orientuar në komunat me nivelin e ulët të zhvillimit.

SHBA e mbështet dialogun, duam që taksa të hiqet

Shtetet e Bashkuara e mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian midis Serbisë dhe Kosovës, tha zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Mathew Pallmer, pas një takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd. "Shohim se taksa është pengesë e tij. Duam që ajo të hiqet dhe në këtë mënyrë të dyja palët t'i kthehen tryezës së bisedimeve", tha Pallmer, duke folur për tarifën 100% që Kosova u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia, në nëntor të vitit të kaluar. Që nga ky vendim, Serbia është tërhequr nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, duke thënë se negociatat nuk do të vazhdojnë pa heqjen e taksës. Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Haradinaj, ka thënë se taksa nuk do të hiqet derisa Serbia nuk e njeh Kosovën. I pyetur se çfarë pret nga takimi i përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, i cili pritet të mbahet më 1 korrik në Paris, nën organizimin e Gjermanisë dhe Francës, Pallmer tha se Uashingtoni e mbështet plotësisht atë që bëjnë partnerët evropianë për zgjidhjen e problemit. Vuçiq, në anën tjetër, tha se nuk është i sigurt nëse takimi në Paris do të mbahet. "Jemi gati për këtë takim, por nuk mendoj se dikush dëshiron të dëgjojë edhe një herë se si dikush nuk do ta anulojë taksën", tha Vuçiq. Na nevojitet guxim dhe vendosmëri, por është detyra dhe obligimi ynë të kërkojmë zgjidhje për problemin e Kosovës, të mos vendosim gjërat nën qilim dhe ta lëmë atë për gjeneratat e ardhshme për ta zgjidhur, tha presidenti serb.

“Kompromisi për Kosovën, i rëndësishëm për paqen”

Ministrja serbe e Infrastrukturës Zorana Mihajlloviq deklaroi sot për të ardhmen e Serbisë është e rëndësishme arritja e një kompromisi për Kosovën. Me rastin e 20-vjetorit të Marrëveshjes së Kumanovës, Mihajlloviq tha se një zgjidhje kompromisi mund të sigurojë vetëm paqe, stabilitet dhe zhvillim. “Se si do të zgjidhet çështja e Kosovës është po ashtu e rëndësishme për gjithë rajonin, pasi nëse dëshirojmë që kjo pjesë e Evropës të zë hapin me vendet e zhvilluara, nuk duhet bërë asnjë hap më shumë që do të na kthejë ekonomikisht dhe politikisht prapa”, ka thënë ajo. "Është e rëndësishme që Prishtina të shfuqizojë tarifat dhe të kthehet në dialog", shtoi Mihajlloviq, thuhet në një deklaratë për media nga kabineti i saj.

 

KS i OKB-së diskuton për Kosovën

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në Nju Jork do të diskutojë sot raportin e sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për punën e UNMIK-ut për periudhën nga 16 janari deri më 15 maj të këtij viti. Në këtë takim ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq ka paralajmëruar se do të kërkojë shqyrtimin në vazhdimësi të çështjes së Kosovës në KS të OKB-së dhe nevojën e UNMIK-ut që të mbetet i angazhuar në zbatimin konsekuent të objektivave të përcaktuara, pa ndryshuar mandatin. Aksioni i policisë së Kosovës kundër krimit dhe korrupsionit në veri, përfshirë arrestimin e një pjesëtari të UNMIK-ut, që kishte dalë në rrugë me makinën e tij për të penguar policinë e Kosovës të kryejë aksionin e saj, do të jetë në fokusin e seancës. Ndryshe, SHBA dhe Britania e Madhe kanë kërkuar disa herë që seancat e KS të OKB-së të reduktohen, duke marrë parasysh realitetin e ri të krijuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndërkohë që është kërkuar edhe reduktimi i stafit dhe buxhetit për misionin e UNMIK-ut. Ndryshe, ambasadori i Finlandës në OKB, Kai Sauer mendon se prezenca e OKB në Kosovë nuk është më e nevojshme, ndërsa për rolin që duhet të luajë OKB në të ardhmen, ai thotë se OKB duhet të fokusohet në rajone të tjera dhe jo në Ballkanin Perëndimor. Sauer thotë se aspirata e Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit është të futen me BE dhe se BE është partneri më i mirë për të ndihmuar këto vende që të pranohen. “Kosovës i duhet zhvillimi ekonomik, dhe për këtë ka organizata të tjera të afta për ta shoqëruar atë në këtë rrugë,” u shpreh ai.

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton viziton Kosovën

Këshilli Organizativ për shënimin e 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë, ka njoftuar se më 12 qershor, ish-presidenti amerikan, Bill Clinton dhe ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, do të qëndrojnë në Kosovë për të shënuar hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë 20 vjet më parë. Përmes një postimi në rrjetin social, Facebok, është bërë e ditur se Clinton do të mbajë një fjalim në ceremoninë qendrore, që do të mbahet më 12 qershor në Prishtinë. Bill Clinton ka drejtuar Shtëpinë e Bardhë kur më 24 mars të vitit 1999, kanë nisur sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pati shpallur muaj më parë, vitin 2019, si vit të NATO-s.

 

Nisim procedurat për shkarkimin e Metës

Partia Socialiste e Shqipërisë njoftoi sot se ka vendosur të nisë procedurat për shkarkimin e Presidentit Iir Meta. Është hera e parë që në Shqipëri, parlamenti do të ndërmarrë një hap të tillë ekstrem, i cili pason vendimin e Kreut të Shtetit për të anulluar datën e zgjedhjeve vendore të parashikuara për më 30 Qershor. Në përfundim të mbledhjes së kryesisë së Partisë, ministrja për Marrëdhëniet me parlamentin Elisa Spiropali deklaroi se me vendimin e tij Presidenti ka kryer “një akt brutal ndaj Republikës”. Sipas saj, “ne si Kryesi mendojmë se Meta ka humbur të drejtën për të qëndruar në atë pozicion”.  Spiropali shpjegoi se procedurat për shkarkimin e Presidentit të Republikës “do nisin menjëherë në seancën parlamentare të së enjtes. Është detyra jonë politike për të mbrojtur Kushtetutën, Rendin kushtetues dhe Republikën”. Procedurat për shkarkimin e Presidentit nisin me kërkesën e një të katërtës së deputetëve, ose 36 prej tyre, ndërsa vendimi duhet të merret me të paktën dy të tretat ose 93 vota, të cilat shumica e vetme nuk i ka. Sidoqoftë, edhe nëse parlamenti e aprovon, fjalën e fundit do të duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese, e cila për momentin është jashtë funksionit, me vetëm 1 nga 9 anëtarët e saj. “Pavarësisht kësaj, kjo nuk na heq të drejtën për të nisur procedurat”, deklaroi Spiropali.

Arsyet e anulimit të datës së zgjedhjeve

Në Shqipëri presidenti Ilir Meta bëri një shpjegim të gjatë të arsyeve kushtetuese dhe ligjore që sipas tij e çuan në vendimin për të anuluar datën e zgjedhjeve të 30 Qershorit, akt të cilin ai e paralajmëroi dhe e firmosi publikisht gjatë një transmetimi televiziv direkt në përfundim të një deklarate të gjatë. Që në fillim  Meta saktësoi se “sipas Kushtetutës, pa patur një datë të caktuar nga Presidenti i Republikës, zgjedhjet e përgjithshme apo zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, nuk mund të zhvillohen”. Duke folur për situatën e krijuar pas vendimit të opozitës për të dalë nga parlamenti e më vonë për të mos marrë pjesë në zgjedhjet vendore, si dhe për mungesën e Gjykatës Kushtetuese, Meta u shpreh se “e gjithë kjo gjendje, është shumë shqetësuese dhe rrezikon seriozisht stabilitetin demokratik të Shqipërisë”.  Ndërsa, kryeministri Edi Rama përsëriti se sipas tij zgjedhjet vendore do të mbahen më 30 Qershor, pavarësisht vendimit të Presidentit Ilir Meta për të shfuqizuar dekretin e lëshuar më parë prej tij lidhur me datën e këtyre zgjedhjeve. Vendimi i papritur i Kreut të Shtetit për të anuluar 30 qershorin si datën e mbajtjes së zgjedhjeve, nuk çoi në asnjë hapësirë të re që palët të mund të rishikojnë qëndrimet e tyre. Përkundrazi, situata tanimë duket edhe më e komplikuar.  Derisa Rama deklaroi se “Ilir Meta e ka shkuar fatin e tij si një president që e ka humbur të drejtën të qëndrojë në këtë zyrë”, nga opozita thonë se kjo është fitore e parë, në një betejë që do të vazhdojë.

Hunt thotë se BE-ja “është e gatshme” ta rinegociojë marrëveshjen e Brexitit

Sekretari i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt, i cili është edhe kandidat për ta zëvendësuar Theresa May në postin e kryeministrit, tha sot se kancelarja gjermane, Angela Merkel kishte lënë të kuptohet se Bashkimi Evropian është i gatshëm të rinegociojë marrëveshjen e Brexitit. Hunt tha se ka biseduar me Merkel gjatë përkujtimit të Betejës së Normandisë dhe tha se ndryshimi i marrëveshjes së arritur nga May për daljen e Britanisë nga BE-ja, është i mundshëm. “Merkel tha se natyrisht se me një kryeministër të ri të Britanisë, ne do ta shikojmë edhe njëherë çështjen dhe zgjidhjet që kryeministri do të ofrojë”, tha Hunt për Sky News. Britania vitin e kaluar ka arritur një marrëveshje për daljen nga BE-ja, por Parlamenti britanik vazhdimisht e ka refuzuar atë. Ky shtet duhet të largohet nga BE-ja më 31 tetor të këtij viti, mirëpo paraprakisht Parlamenti duhet të miratojë kushtet e largimit. Vendimi për Brexit ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundrejt 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.

Gjermania mbështet zgjidhjen me dy shtete për konfliktin izraelito- palestinez

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas deklaroi sot se shteti i tij mbështet zgjidhjen me dy shteteve për dhënien fund të konfliktit izraelito- palestinez, teksa Shtetet e Bashkuara pritet që të publikojnë një plan për paqe për këtë çështje. “Ne ende mbështesim zgjidhjen me dy shtete përmes negociatave, si e vetmja zgjidhje”, tha Maas, gjatë konferencës për media në Aman të Jordanisë, ku po qëndron në vizitë zyrtare, raporton AFP. Uashingtoni po përgatit një plan, të cilin pritet ta prezantojë në një konferencë në Bahrejn më vonë gjatë këtij muaji. Në këtë konferencë thuhet se do të prezantohen aspektet ekonomike, megjithatë ende nuk janë të qartë se kur do të publikohen detajet politike të kësaj marrëveshjeje për paqe. Palestinezët tashmë e kanë refuzuar këtë plan, duke theksuar se me veprimet e tij, presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka treguar se nuk është i paanshëm lidhur me konfliktin izraelito- palestinez.

 

Takimi i G-20 dhe shqetësimet ekonomike

Ministrat e Financave të vendeve të Grupit i 20-s thanë se tensionet tregtare dhe ato gjeopolitike kanë "intensifikuar" po kërcënojnë rritjen ekonomike botërore. Por ata i shmangën thirrjet për zgjidhje të konfliktit të thelluar tregtar mes SHBA-së dhe Kinës. Pas diskutimesh të ndezura që pothuaj çuan në mos nxjerrjen e një komunikate të përbashkët, ministrat e Financave dhe guvernatorët e Bankave Qendrore të mbledhur dje në Japoni, dhanë një mbështetje të vakët për një sistem tregtar multilateral, bazuar në rregulla. Ministrat e Financave ranë dakord të përpilojnë rregulla të përbashkëta brenda vitit 2020 për të mbyllur të çarat në kode fiskale që po shfrytëzohen nga gjigantët e teknologjisë, për të shmangur taksat për korporatat. Komunikata përmban gjithashtu angazhimin për rritur transparencën lidhur me e borxhin si nga ana e huamarrësve ashtu edhe kreditorëve.

 

Prej sonte në mesnatë ulje e çmimeve të derivateve

Të gjitha çmimet e derivateve në Mal të Zi prej sonte në mesnatë  do të jenë më të ulëta për 3 deri në 5 cent, u kumtua nga Ministria e ekonomisë. Çmimet e euro super 95 dhe 98 do të jenë më të ulëta për 5 cent dhe në dy javët e ardhshme do të kushtojë 1,32, respektivisht 1,36 euro. Një litër euro dizel nga mesnata do të lirohet për 4 cent dhe do të kushtojë 1,21 euro. Ndryshimet e fundit të çmimeve të derivateve kanë qenë me 16 prill kur çmimet e benzinës janë rritur për 3 cent. Sipas rregullores për formimin  e çmimeve për shitjen e derivateve të naftës korrigjimi i ri do të bëhet me 24 qershor, kurse ndryshimet eventuale do të vlejnë nga 25 qershori. 

SHF “Mahmut Lekiq”, ndanë diplomat “Pishtari” për laureatët e sivjetshëm

Siç ndodh rëndom, në përfundim të vitit shkollor, bëhet zgjedhja e nxënësve më të mirë dhe ndarja e diplomave, sidomos për përfituesit e diplomës “Pishtari”,(Lluça), e që tradicionalisht u takon nxënësve të dalluar, respektivisht gjysmëmaturantëve dhe maturantëve, të cilët kanë arritur rezultatin maksimal në të gjitha fazat e shkollimit. Kështu ishte sot në njërën ndër shkollat më të mëdha nëntëvjeçare, “Mahmut Lekiq”, e cila solemnisht u dorëzoi diplomën Pishtari- Lluça, laureatëve të sivjetshëm. Zëvendësdrejtori mr. Marjan Lulgjuraj, duke u dorëzuar këto mirënjohje 19 nxënësve gjysmëmaturantë, i përgëzoi ata për suksesin e arritur dhe i uroi që të vazhdojnë me të njëjtin sukses edhe në shkollimin e mëtejmë. Ai, pohoi se diplomat e fituara janë dëshmi e përkushtimit të këtyre nxënësve për mësim dhe që nxënësit e tillë janë krenaria e çdo shkolle. Andaj, porositi ai, “këta nxënës e kanë obligim që një gjë të tillë ta dëshmojnë edhe në të ardhmen, të punojnë me përkushtim dhe suksesi nuk do të mungojë”. S'do mend se suksesi i nxënësve është njëkohësisht edhe suksesi i punës së mësimdhënësve dhe i shkollës në përgjithësi, prandaj, edhe ata duhet që në të ardhmen të punojnë me përkushtimin maksimal për rezultate edhe më të mira për nxënësit tonë. Të rikujtojmë se, siç kanë njoftuar nga drejtoria e kësaj shkolle, më 12 të këtij muajit, të njëjtit nxënës do të jenë të pranishëm në ceremoninë që do të zhvillohet në hotelin “Hillton” në Podgoricë, në orën 18. Të shpresojmë se aktivitetet të ngjashme, do të zhvillohen në të ardhmen e edhe në komunën e Tuzit, në shenjë vlerësimi për më të mirët në mësime.

përgatiti, Gjokë Dukaj

 

Me arsimim kundër radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm

Qendra për arsimimin qytetarë në kuadër të projektit, “Rrjeti i sigurt” dhe “Përmes arsimimit për multikulturalizëm dhe inerkulturalizëm”, të përkrahur nga Ambasada amerikane dhe Ministria për të drejtat e njeriut dhe pakicave të Malit të Zi, sot organizoi debatin publik në shkollën e mesme “25 maji” në Tuz, debat publik me temën “Dialogu në bashkësi – parandalimi i radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”. Siç thuhet në kumtesën e Qendrës për arsimimin qytetar, debate të tilla organizohen edhe në disa qytete tjera ndërsa qëllimi është kontributi i forcimit të rolit dhe qëndrueshmëria e Bashkësive lokale ndaj kërcënimeve të dukurive të tilla. Në këtë debat sot morën pjesë përfaqësuesit e Ministrisë së pakicave dhe të dy bashkësive fetare në Komunën e Tuzit si dhe përfaqësuesi i shoqërisë civile. Nga Ministria e të drejtave të njeriut dhe popujve pakicë në panel diskutim mori pjesë përfaqësuesi i kësaj ministrie, Fikret Lulanaj ndërsa nga përfaqësuesit e bashkësive fetare, patër Fran Dushaj dhe Omer Kajoshaj. Përfaqësuesi i shoqërisë civile nuk ishte nga kjo komunë por ishte i ftuar Ballsha Brkoviq. Të gjithë folësit u ndalen tek dukuria e ekstremizmit fetar dhe nacionalizmit mirëpo, të gjithë u shprehen se shkaktari kryesor është mos përafrimi tek arsimimi dhe njohurit e përgjithshme ndërsa naiviteti dhe pa dituria çojnë në dukurit negative të shoqërisë. Sfidat e shumta të shoqërisë çojnë drejtë dukurisë së diskriminimit dhe shkeljeve të drejtave të njeriut, ndërkohë që sistemi i arsimimit dhe i shoqërive lokale kanë një potencial të fuqishëm që ti kundërshtojnë këto dukuri dhe ti shfrytëzojnë resurset e veta për promovimin e vlerave dhe principeve të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe zhvillimit të qëndrueshëm për t'iu kundërvu trendit të radikalizimit. Debati i ardhshëm do të organizohet nesër në Plavë, ndërsa siç na njoftuan organizatorët më parë u mbajt edhe edhe në Tivar.

përgatiti, Senad Gilaj

 

Loer Kume shpallet fitues i “Çmimit Kadare 2019”

Loer Kume është përfaqësuesi i një gjenerate të re shkrimtarësh i cili eksperimenton me letërsinë, në kërkim të formave të reja letrare larg komercializmit dhe të zakonshmes në letërsi duke sjellë kështu një përmbledhje me tregime e duke rrëmbyer trofenë. Shkrimtarët që garuan me veprat e veta për çmimin e madh të letërsisë ishin: Fate Veliaj, Mimoza Hysa, Roland Gjoza, Ylljet Aliçka dhe Loer Kume i cili u shpall fitues i “Çmimit Kadare”. Juria e “Çmimit Kadare”, kryesuar nga Bashkim Hoxha në përbërje të së cilës kanë qenë shkrimtarët Mehmet Kraja, Genciana Abazi, Alda Bardhyli dhe Diana Kastrati ishin mbledhur në Razëm ku mbajtën edhe mbledhjen finale për të vendosur fituesin e ketij viti. Ky është viti i pestë i krijimit të “Çmimit Kadare”. Gjatë këtyre viteve më shumë se 100 autorë kanë qenë pjesë e këtij konkursi, ndërsa janë botuar 4 vepra të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore shqipe, vepra që kanë qenë fituese të këtij çmimi. I gjithë projekti i çmimit “Kadare” ka një vlerë prej 10 000 eurosh, ku përfshihen: Kontrata individuale me autorin, botimi i veprës, promovimi, e drejta e autorit dhe Ditët Letrare të Razmës. Kështu bashkë me jurinë në Razëm kanë nisur dhe “Ditët Letrare të Razmës“, që organizohën nga Instituti Europian Pashko.

përgatiti, Marash Dedvukaj

 

Edhe nesër mot pa ndryshimet

Në Mal të Zi sot po mban mot me diell dhe shumë i nxehtë. Frynë erë e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshme. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Herceg Novi 34 gradë, Podgoricë e Ulqin 33, Budvë 31, Cetinë e Beranë 20, Tivar e Nikshiq 29, Plevle 28, Kollashin 27, Plavë 26, Rozhaj 25 dhe në Zhablak 22 gradë.

Edhe për nesër meteorologët paralajmërojnë mot kryesisht të kthjellët dhe të nxehtë. Pasdite në viset malore janë të mundshme reshje dhe bubullimë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshme. Temperatura e mëngjesit prej 10 deri në 21, kurse më e larta e ditës prej 24 deri në 34 gradë celsius.

ditarin e përgatiti, Senad Gilaj

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се