Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

13. 06. 2019. 17:54   >>  18:04

Ditari 13.06.2019

13.06.2019

Në Kuvend debatohet për Raportin e Këshillit Gjyqësorë

Në Parlamentin e Malit të Zi deputetet sot po shqyrtojnë Raportin vjetorë për punën e Këshillit Gjyqësorë, të cilin e ka arsyetuar kryetari i Këshillit, Mlladen Vukçeviq. Ai në fjalën e vet ka vlerësuar se ka vazhduar gjithnjë trendi i rritjes së kualitetit të punës së Gjyqeve dhe ka theksuar se Gjyqet vitin e kaluar e kanë filluar me rreth 40,77 mijë lëndë, ndërkohë kanë pranuar 98 mijë lënde të reja, kurse në fund kanë mbetur të pazgjidhura 28,52% të tyre. Ai poashtu ka thënë se Gjyqi suprem vitin e kaluar kishte numrin më të madh të lendeve në historinë e vet, respektivisht mbi 8 mijë e që është 70% më shumë më shumë se në vitin 2017. Vukçeviq ka njoftuar poashtu se janë vazhduar aktivitetet e shumta ndërkombëtare, siç janë bashkëpunimi në kuadër të rrjetit evropian të Këshillave gjyqësorë, por edhe bashkëpunimi në projekte tjera. Duke marrë pjesë në debatin e sotëm, nga PDS vlerësojnë se raporti për punën e Këshillit Gjyqësorë dëshmon gatishmërinë për tu përgjigjur standardeve ndërkombëtare dhe punës më efikase, kurse nga opozita rekomandojnë se kryetari i këtij Këshilli, Vukçeviq, nuk ka legjitimitetin që të mbrojë këtë dokument.

Është hapur konsullata e Malit të Zi në Trieste

Ministri i punëve të jashtme të Malit të Zi, Sërgjan Dramanoviq e ka hapur mbrëmë solemnisht konsullatën e Malit të Zi në Trieste, në krye me konsullin e nderit, Sven Bihller. Darmanoviq me këtë rast ka theksuar se hapja e konsullatës në vitin kur Mali i Zi dhe Italia shënojnë 140 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike, paraqet hap të rëndësishëm në zgjerimin e rrjetit diplomatik. Ai, poashtu ka rikujtuar se Mali i Zi dhe Italia kanë marrëdhënie shumë të mira dhe përmbajtësore, sidomos në fushën e ekonomisë, turizmit dhe energjetikës, e që e dëshmon prania gjithnjë e më e madhe e ekonomisë italiane në tregun malazez. Ndërkaq, konsulli i nderit Bihller ka theksuar se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve mund të avancohet më tej dhe është e nevojshme informimi me kohë dhe i qëlluar i opinionit italian për karakteristikat e shoqërisë dhe tregut malazez.

Zbatimi i rregullave të BE, faza më sfiduese

Zbatimi i legjislaturës juridike paraqet fazën më sfiduese të negociatave, duke pasur parasysh kompleksitetin e kapitujve në kuptimin administrativ dhe financiar, është vlerësuar në mbledhjen e Nënkëshillit për komunikacion, mjedisin jetësorë, energjetikën dhe zhvillimin rajonal. Në mbledhjen e këtij Nënkëshilli ndërmjet Malit të Zi dhe Komisionit Evropian, është kumtuar se Mali i Zi që nga fillimi i negociatave e ka ndryshuar dukshëm kornizën ligjdhënëse dhe institucionale në fushën e komunikacionit, mjedisit jetësorë, energjetikës dhe zhvillimit rajonal, duke i harmonizuar me ato evropiane. Zëvendësi i kryenegociatorit, Marko Mërdak, ka vlerësuar se Mali i Zi në të gjithë kapitujt është i mbuluar me nënkëshilla dhe ka arritur rezultate të rëndësishme e që e dëshmon edhe Raporti i sivjetshëm i Komisionit Evropian. Zëvendësja e shefit të njësisë për Malin e Zi në drejtorinë e përgjithshme për zgjerim, Barbara Jesus- Gimeno, ka theksuar se Mali i Zi ka kryer punë të madhe në fushat nga veprimtaria e këtij Nënkëshilli. Ajo, duke folur për politikën në komunikacion, ka theksuar se gjatë vitit të kaluar është arritur përparim i dukshëm në këtë fushë dhe ka shtuar se aktualisht fokusi duhet të jetë në ndërtimin e infrastrukturës moderne në rajon për të arritur rritjen afatgjate ekonomike dhe integrimet e mëtejshme.

Vizita e Erdoganit në Mal të Zi kontribut për marrëdhënie më kualitative

Ministri për punë të jashtme të Turqisë, Mevllud Çavushogllu në takimin e zhvilluar me kryetarin e Këshillit për marrëdhënie ndërkombëtare dhe mërgimtarët, Andrija Nikolliq, ka vlerësuar se vizita e tij, e sidomos e presidentit Rexhep Taip Erdogan në Mal të Zi, do të sjellin kualitet të ri në marrëdhënie mes dy vendeve. Marrëdhëniet e mira ndërmjet Turqisë dhe Malit të Zi duhet të sigurojnë të arritura të reja në fushën e bashkëpunimit ekonomik, është vlerësuar bashkërisht në mbledhjen e kryetarit të Kuvendit të madh popullorë të republikës së Turqisë, Mustafa Shentok dhe të Nikoliq. Nikoliq poashtu ka përsëritur se Mali i Zi e konsideron Turqinë si vend mik dhe ka shtuar se bashkëpunimi i ndërsjellët pothuajse në të gjitha fushat është në nivelin shumë të lartë. Ndërkaq anëtarët e këtij Këshilli, Dragutin Papoviq dhe Ervin Ibrahimoviq kanë konstatuar se Mali i Zi dhe Turqia ndajnë historinë, kulturën, traditën dhe doket e përbashkëta dhe, njëkohësisht, kanë ftuar afaristët nga Turqia të investojnë në veri të Malit të Zi. Deputetet Nikolliq, Papoviq dhe Ibrahimoviq do të mbajnë nesër takime në Stamboll me përfaqësuesit e shoqatave dhe organizatave të diasporës nga Mali i Zi. 

Përforcimi i bashkëpunimit rajonal, shumë i rëndësishëm

Përforcimi i bashkëpunimit dhe miratimi i praktikës pozitive në nivelin rajonal, në veçanti duke pasur parasysh kontekstin e ngjashëm historik dhe pritjet nga Bashkësia ndërkombëtare, është shumë i rëndësishëm, ka vlerësuar drejtori në Drejtorinë tatimore, Miomir M. Mugosha. Ai në takimin me përfaqësuesit e drejtorive tatimore të Kroacisë dhe Bosnjë Hercegovinës, të organizuar me qëllim të vazhdimit të bashkëpunimit në fushën e fiskalizimit elektronik dhe shkëmbimin e përvojave, ka theksuar se në veçanti janë të vlefshme përvojat e Kroacisë dhe Sllovenisë, të cilat janë pjesë e rajonit të Ballkanit, por edhe anëtarë të Bashkimit Evropian. Përfaqësuesit e Drejtorisë tatimore të Kroacisë gjatë këtij takimi kanë theksuar përfitimet nga fiskalizimi elektronik lidhur me analizën më kualitative të rrisqeve, mënjanimin më efikas të ekonomisë informale si dhe rritjen e pagesës së tatimeve, në veçanti të tatimit në vlerën shtesë (TVSH).

Lus Malin e Zi të mos rrezikojë pronën e KOS

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka paralajmëruar sot se Serbia përmes Komisionit të Venecias do të lusë që të mos miratohet Propozim ligji për lirinë e besimit në Mal të Zi, sepse ky akt nuk është i mirë për popullin serb dhe ka shtuar se miratimi i tij do të rrezikonte marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve. Vuçiq ka shtuar se miratimi eventual i këtij Ligji në masë të madhe do të përkeqësonte marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve dhe ka vlerësuar se çdo kërcënim ndaj pronës të Kishës serbe në Mal të Zi, me siguri do të rrezikojë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, e që ai nuk e dëshiron, ka pohuar Vuçiq. “Ne respektojmë Malin e Zi si shtet dhe dëshirojmë marrëdhënie të mira me Malin e Zi dhe të gjithë qytetarët e tij”, ka thënë Vuçiq. Ai ka theksuar se bashkëpunëtori i tij, Nikolla Sellakoviq, nuk ka folur për Malin e Zi të tashëm, duke thënë se “ai është shtet serb”, por ka thënë se kështu ka qenë në histori.

Deklarata qëllim këqija për detabilizimin e Malit të Zi

Amëza malazeze i ka dënuar ashpër, siç kanë thënë, sulmet gjithnjë e më të shpeshta shoviniste të përfaqësuesve të lartë politik të Serbisë dhe udhëheqësve fetare të Kishës ortodokse serbe (KOS) në shtetësinë dhe popullin malazez, duke vlerësuar se fjala është për qëllime të këqija dhe destabilizimin e Malit të Zi. Ata kanë vlerësuar se nënçmimet dhe fyerjet e hapura nga shovinistët serb të cilët janë në pushtet në Beograd, janë çdo ditë e më të shpeshta, duke marrë formën gjithnjë e më brutale. “Pas, gjoja brengosjes për pozitën e rrezikuar të popullit serb dhe Kishës ortodokse serbe, fshihet qëllimi i keq i destabilizimit të shtetit të Malit të Zi dhe tentativa që të rrezikohet harmonia shumënacionale dhe shumëfetare në vend”, thuhet në kumtesë. Në Mal të Zi, siç thuhet, nuk ekzistojnë popuj “të rendit të parë dhe të rendit të dytë”, dhe askush nuk zbaton çfarëdo diskriminimi nacional apo fetarë ndaj qytetarëve.

Nuk duam që të marrim pjesë këtë farsë

Klubi i këshilltarëve të Lëvizjes qytetare URA në Kuvendin e kryeqytetit, ngjashëm sikur kolegët nga opozita tjetër, kanë braktisur sot mbledhjen e Kuvendit të Podgoricës, sepse siç kanë thënë, nuk dëshirojnë të marrin pjesë në farsën në regjinë e PDS, dhe ti japin legjitimitetin Kuvendit të zgjedhur sipas principeve nga afera, “Koverta”, kanë kumtuar nga Këshilli i kësaj Lëvizje për Podgoricën. Ata kanë vleësuar se në kundërshtim me parimet demokratike dhe praktikës së mirë, por edhe sipas logjikës së shëndoshë, për këtë mbledhje janë propozuar 54 pika të rendit të ditës dhe që mbledhja të zgjasë një ditë. “Kjo është dëshmia më e mirë se pushteti nuk dëshiron debat adekuat për punën e vet, por në mënyrë perfide tenton të imponon çështje të shumta në shpejtësi”, thuhet mes tjerash në kumtesë nga URA.

Gjashtë muaj shtëpiak për Gjurgjiq

Gjyqi i lartë në Podgoricë ka pranuar marrëveshjen për pranimin e fajit e që ish drejtori i Atllas bankës, Gjorgje Gjurgjiq, e ka nënshkruar me Prokurorinë speciale shtetërore, në rastin, “Kaspia”. Me marrëveshjen e nënshkruar është paraparë që për shkak të keqpërdorimit të pozitës në afarizëm Gjurgjiq të dënohet me gjashtë muaj burg shtëpiak. “Për mua janë meritor vetëm organet gjyqësore të Malit të Zi dhe Institucionet e sistemit dhe gjithçka që kam mbi këto baza, e kam thënë dhe do ta them në Gjykatë, dhe kjo është shprehje e vullnetit tim të lirë”, ka porositur Gjurgjiq. Kundër Gjurgjiq dhe biznesmenit në arrati Dushko Knezheviq në rastin, “Kaspia” më parë është ngritur aktakuza e të cilën Gjyqi i lartë e ka vërtetuar me 20 maj për shkak të dyshimit se i kanë dhënë garanci të jashtëligjshme Atllas bankës në shumë prej 12, 5 milion euro.

Data e Zgjedhjeve, Meta takon liderët e partive të vogla

Ndërsa Kuvendi i Shqipërisë ka nisur proceduar për shkarkimin e Presidentit, vetë Ilir Meta ka njoftuar pasditen e sotme një konferencë për shtyp. Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës në Parlament ka ironizuar me pretendimet e presidentit se vendi rrezikon të kthehej si në ngjarjet e ’97, në rast se nuk do të shtyhej data e zgjedhjeve, duke shtuar se socialistët nuk do të tërhiqen nga 30 qershori.Kryetarja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari në Kuvende ka cilësuar si të pa vlefshëm juridikisht projekt- rezolutën e PS. “Sot kemi një rezolutë që s’ka vlerë juridike, që ngre shantazhin ndaj presidentit. Vendimin mbi aktin e presidentit e merr vetëm gjykata Kushtetuese”, tha Hajdari. Hajdari tha se vetë mazhoranca e zgjodhi Metën president, dhe kjo sipas saj u bë thjesht për t’i zgjatur atij pushtetin, LSI-së si dhe vetë atyre. Kurse sot presidenti i Shqipërisë ka vijuar takimet me krerët e partive të vogla opozitare pas dekretit që anulonte zgjedhjet e 30 qershorit. Kreu i Shtetit është takuar edhe me të ngarkuarën me punë e SHBA-ve, Leyla Moses-Ones. Kriza politike në Shqipëri ka detyruar diplomaten e Shteteve të Bashkuara, t’i drejtohet presidencës. Pikërisht informimi mbi dekretin e kreut të shtetit, për anulimin e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në 30 qershor, mendohet të jetë edhe thelbi i këtij takimi. Po sot pas dite presidenti Meta ka njoftuar një konferencë për shtyp. Ndërkohë një ditë më parë Kreu i Shtetit zhvilloi takim me pesë aleatët e Partisë Demokratikë të Lulëzim Bashës, krerët e partive të Grupimit të Qendrës së Djathtë, si edhe kreun e PDS, Paskal Milo.

Vendi në situatë të jashtëzakonshme

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka dalë sot në një bashkëbisedim për mediet, ku foli në lidhje me situatën politike. Ai e ka cilësuar situatën në vend si të jashtëzakonshme, duke thënë se Edi Rama ka ardhur në pushtet me votat e vjedhura. “Votat e zgjedhjeve të 2017, u diktuan nga krimi i organizuar, nga kërcënimi masiv i votuesve dhe përkrahësve të opozitës. Këto rrejte kriminale dy vite me parë, përmes një skeme të mirëmenduar dhe ekzekutuar në terren me urdhër të Edi Ramës, asgjësuan procesin zgjedhor”, tha Basha. Më tej shefi i selisë blu tha se lidhjet e Edi Ramës me krimin e organizuar janë të hershme dhe se ato kanë nisur në kohën kur ai ka qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës. “Këtë bashkëbisedim, po e organizojmë në kushte të jashtëzakonshme, ndërkohë që Shqipëria po shkon drejt situatës së grushtit të shtetit, të organizuar nga mafia e drogës në bashkëpunim me Edi Ramën dhe kupolën e tij tashmë të faktuar të ardhur në pushtet jo përmes votës së qytetarëve por përmes ndihmës së pikërisht narko- mafies”, tha Basha.

SHBA-ja nuk është e gatshme që të vulosë çfarëdo marrëveshje

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Metthew Palmer. Duke iu referuar nismës së kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, Palmer tha se beson që ajo është nismë në mbështetje të dialogut të Brukselit. “Ne i kuptojmë takimet në Berlin e Paris si të dizajnuara që të mbështesin dialogun gjithëpërfshirës për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, theksoi ai. Palmer, po ashtu tha se pret që Prishtina zyrtare të suspendojë tarifën doganore ndaj importeve nga Serbia, në mënyrë që dialogu të vazhdojë sa më shpejt.

Alex Whiting emërohet shef i hetimeve në Prokurorinë e Posaçme për Kosovën

Prokurori me shtetësi franceze dhe amerikane, Alex Whiting, është emëruar shef i hetimeve në zyrën e Prokurorit të Posaçëm për krimet e luftës në Kosovë. Whiting, 54 vjeçar, është i familjarizuar me rajonin e Ballkanit Perëndimor, pasi ai kishte punuar në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë dhe ishte prokuror kryesor në procesin kundër ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por edhe të disa rastve të luftës në Kroaci dhe Bosnje. Në fillim të këtij viti, Prokuroria e Posaçme për krime lufte në Kosovë, filloi në Hagë intervistimin e një numri të ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, që me emrat dhomat e specializuara, do të veprojë në Hagë, nën ligjet e Kosovës dhe me prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë. Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës. Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

 Limaj takon drejtoreshën e BE-së për Ballkan, flasin për dialogun dhe vizat

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, njëherësh bashkëkryesues i delegacionit shtetëror për bisedime me Serbinë ka pritur në takim drejtoreshën e BE-së për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, Angelina Eichhorst. Limaj ka njoftuar se me zyrtaren e lartë të BE-së kanë biseduar për zhvillimet aktuale politike në vend, dialogun Kosovë- Serbi dhe proceset integruese të Kosovës. “Ishte konstatim i përbashkët që dialogu mes dy vendeve është i paalternativë dhe duhet të gjejmë rrugë për të rifilluar dialogu, në mënyre që të arrijmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse obligative për njohje reciproke”, ka shkruar Limaj në llogarinë e tij në ‘Facebook’. Ndërsa, Sekretarja e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu, ka realizuar një intervistë në të cilën ka folur edhe për situatën politike në Shqipëri dhe Kosovë. Duke folur për Kosovën, Bregu, ka thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën duhet të ndodhë një orë e më parë. Madje, ajo ka shtuar se lëvizja e lirë për qytetarët e Ballkanit nuk është më një luks por një e drejtë të cilën e kanë merituar qysh moti.

Jemi të bindur se do t’i fillojmë negociatat me BE-në gjatë këtij vit

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, pas takimit me kancelaren gjermane Angela Merkel, ka thënë se është informuar se Bundestagu do të sjell vendim në shtator për miratimin e fillimit të negociatave të BE-së me Maqedoninë Veriore, në pajtim me procedurat e Gjermanisë për çështjen e zgjerimit të Unionit. “Kancelarja Angela Merkel na informoi se Bundestagu do të sjell vendim në shtator për miratimin e fillimit të negociatave të BE-së me Maqedoninë Veriore, në pajtim me procedurat e Gjermanisë për çështjen e zgjerimit të Unionit. Në takim kancelarja Merkel ka potencuar se Maqedonia Veriore i ka plotësuar pritshmëritë dhe se ajo dhe Berlini këtë e shohin si shumë pozitive. Në Gjermani dhe vendet tjera anëtare pakontestueshëm janë pranuar rezultatet nga reformat, të cilat janë nënvizuar edhe në raportin e Komisionit Evropian dhe se me pozitivitet shihet në rekomandimin e KE-së për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, shkruan Zaev.

 Jo të gjithë mbështesin hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Kryetari i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha se mbështetë hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por paralajmëroi se jo të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian pajtohen me këtë vlerësim. Në një konferencë të përbashkët me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, Tusk tha se të dyja shtetet kanë bërë “gjithçka që është pritur” për të vazhduar rrugën drejt anëtarësimit, mirëpo, nënvizoi ai, “jo të gjitha shtetet anëtare janë të përgatitura për të marrë vendimin për hapjen e negociatave në ditët në vijim”. Ai shfaqi bindjen se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria në fund do të anëtarësohen, duke theksur se “çështja sot nuk është nëse, por kur?” Muajin e kaluar, Komisioni Evropian propozoi hapjen e bisedimeve për të dyja këto vende dhe çështje pritet të diskutohet në një takim të ministrave të BE-së gjatë javës së ardhshme në Luksemburg. Më parë, kryeministri shqiptar, Edi Rama, gjatë një takimi me kryetarin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, i bëri thirrje Bashkimit Evropian të hapë negociatat. Juncker, tha se një gjë e tillë nuk është “mision i pamundur”, mirëpo sipas tij, kjo duket se nuk ka mundësi të ndodhë këtë muaj”.

 Trump planifikon të takojë Putinin në G20

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se do të takojë presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, gjatë takimit të G20-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, që do të mbahet këtë muaj, në Japoni. "Do të takoj Putinin në G20", u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, Kremlini tha se nuk ka marrë konfirmim nga Uashingtoni për takimin e mundshëm. "Pala amerikane nuk e ka iniciuar mbajtjen e një takimi të veçantë", tha zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov. Trump ka takuar Putinin për herë të fundit sy më sy në korrik të vitit 2018, në Helsinki. Trump e ka bërë të qartë se po përpiqet për marrëdhënie më të mira me Rusinë dhe me Putinin në mënyrë specifike. Pas samitit në Helsinki, ai është përballur me kritika të ashpra nga ligjvënësit amerikanë - përfshirë edhe disa republikanë - të cilët kanë thënë se presidenti nuk e ka mbajtur përgjegjës Putin për veprimet ruse, të tilla si ndërhyrja në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016. G20-ta do të mblidhet më 28 dhe 29 qershor në Osaka.

Edhe nesër mot i nxehtë

Në Mal të Zi sot po mban mot me diell dhe shumë i nxehtë. Fryn erë e dobët e drejtimeve të ndryshme. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Podgoricë e Plevle 34 gradë, Beranë, Bijello Pole e Rozhajë 32, Ulqin e Budvë 31, Tivar, Herceg Novi, Kollashin e Plavë 30, Cetinë 29, Nikshiq 28 dhe në Zhablak 26 gradë.

Për nesër parashihet të mbajë mot me diell dhe shumë i nxehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare e drejtimeve të ndryshme. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 11 deri në 23, kurse më e larta e ditës prej 26 deri në 37 gradë celsius.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се