Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

19. 06. 2019. 18:44   >>  18:48

Ditari 19.06.2019

19.06.2019

Të fuqizohen reformat në Kapitujt 23 dhe 24

Shefat e diplomacive të Bashkimit Evropian (BE) në mbledhjen e Këshillit, miratuan sot konkluzionet për Malin e Zi dhe disa vende tjera për procesin e zgjerimit.  Këshilli përshëndet përparimin e arritur në negociatat për bashkangjitje me Malin e Zi. Në shumicën e lëmive, siç theksojnë, ekziston harmonizim i kornizave ligjdhënëse. Konkretisht, siç thuhet në kumtesë, Këshilli thekson se përparimi në kapitujt për sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore janë ende kryesore dhe se do të përcaktojnë tempon e negociatave për hyrjen e Malit të Zi në Bashkimin Evropian. “Për këtë arsye, Mali i Zi tani duhet të fuqizojë përpjekjet reformuese, e në veçanti në lëmitë kritike të lirisë së mediave, luftës kundër korrupsionit dhe tregtisë me njerëz, në mënyrë që të plotësohen masat e përkohshme për kapitujt 23 dhe 24. Vetëm atëherë kur ti plotësojë kriteret, BE do të jetë në gjendje të vendosë masa për mbylljen e tyre, të cilat Mali i Zi do të duhej ti plotësojë para mbylljes të këtyre kapitujve”, theksohet në dokument.

Të flitet për modelin e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të RT të MZ

Kuvendi i Malit të Zi ka përfunduar debatin mbi emërimin e anëtarëve të Këshillit të Radiotelevizionit të Malit të Zi (RT të MZ), të cilët i ka propozuar Këshilli Administrativ. Kryetari i këtij trupi kuvendor e deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Socialistëve, Luigj Shkreli, ka thënë se ky trup ka respektuar të gjitha procedurat e parapara me ligj dhe se kandidatët për anëtarë të Këshillit të Radiotelevizionit të Malit të Zi nuk i kanë propozuar deputetët. Deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve, Nikolla Rakoçeviq ka ftuar opozitën që në Këshillin për avancimin e legjislacionit zgjedhor të diskutojnë edhe mbi modelin e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Radiotelevizionit të Malit të Zi. “Nëse dikush ka koncept më të mirë për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të RT të MZ edhe mbi këtë mund të bisedohet”, ka thënë Rakoçeviq, duke shtuar se në transmetues publik duhet të mbrohen interesat e qytetarëve e jo të politikës. Ai ka ftuar opozitën të bisedojnë mbi modelin e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit, i cili u përgjigjet të gjithëve dhe i cili, siç ka shtuar, do të jetë me standarde evropiane. Duhet të zgjedhën tetë anëtarë, ka thënë Rakoçeviq duke shtuar se kandidatet e propozuar janë të mirë.  Deputetja nga radhët e Lëvizjes për Ndryshime, Branka Boshnjak, ka kumtuar se duhet të ndryshohet modeli i zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Radiotelevizionit. “Ne duhet ta ndryshojmë këtë. Organizatat joqeveritare të që formohen çdo ditë nuk munden ta përkrahin dikën nëse nuk kanë referenca nga një fushë e caktuar”, ka deklaruar Boshnjak dhe ka shtuar se modeli i tanishëm i zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit nuk është i mirë. Nuk është mirë që një shoqëri të ketë transmetues publik të këtillë, ka thënë Boshnjak. Deputeti i Frontit Demokratik Jovan Vuçuroviq ka thënë se Komisioni Evropian përkrah diktaturën e fundit në Mal të Zi. “Edhe këtu bëhet fjalë mbi instalimin e kuadrove që janë të përkrahur nga regjimi. Nuk janë të gjithë, por shumica”, ka thënë Vuçuroviq. Ai ka thënë se Radiotelevizioni i Malit të Zi promovon përmbajtje antiserbe.

Përparim impresiv i Malit të Zi drejt BE

Përparim i deritashëm i Malit të Zi në procesin e integrimeve evropiane është impresiv, kanë vlerësuar zyrtarët lituanez, gjatë takimit me grupin e deputetëve të Parlamentit malazez, i cili qëndron për vizitë zyrtare në Lituani. Në fakt, një delegacioni i Kuvendit të Malit të Zi, të cilin e kryeson nënkryetari Genc Nimanbegu, i cili është edhe kryetar i grupit të miqësisë të Kuvendit të Malit të Zi me Parlamentin e Lituanisë, dhe anëtarët e grupit e deputetë, Andrija Nikoliq, Alekdandra Vukoviq dhe Boris Mugosha po qëndrojnë në vizitë zyrtare në këtë vend. Gjatë vizitës dyditore janë takuar me kryetarin e Kuvendit lituanez, Viktoras Pranckietis si dhe me dy nënkryetarët e Kuvendit, me përfaqësuesit e grupit parlamentarë të këtij vendi për marrëdhëniet ndërparlamentare me Malin e Zi, pastaj me anëtarët e Këshillit për punë të jashtme dhe të Këshillit për punët Evropiane, me ministrin për punë të jashtme, Linas Linkeviçius si dhe me disa përfaqësues parlamentar dhe qeveritar të këtij vendi. Bashkëbiseduesit, siç theksohet, kanë shqyrtuar rezultatet e zgjedhjeve të fundit për Parlamentin Evropian dhe shprehen besimin se përbërja e re e Parlamentit Evropian dhe të Komisionit Evropian, do ta ruaj lartë në agjendën e vet, politikën e zgjerimit të UE.

 

Projektet e suksesshme do ta lehtësojnë procesin e bisedimeve me BE

Aktivitetet intensive të strukturës me udhëheqjen e Fondeve të UE në Mal të Zi, gjatë gjysmë vjetorit të kaluar, kanë i kontribuar dukshëm në suksesin e shfrytëzimit të mjeteve  në dispozicion, përmes programeve dhe projekteve të reja, të cilat financohen nga UE, por të cilat edhe i obligojnë institucionet e sistemit që të vazhdojnë me punën e përkushtuar në periudhën e ardhshme. Kjo është vlerësuar sot në takimin e Këshillit të sektorit mbikëqyrës për programin IPA II, të cilin e kanë kryesuar zëvendësja e kryenegociatorit dhe koordinatore nacionale për programet IPA, Ivana Gllisheviq- Gjuroviq dhe shefi i sektorit për bashkëpunim në delegacionin e UE në Mal të Zi, Herman Shpic.  Koordinatorja nacionale për programet IPA, Ivana Gllisheviq- Gjuroviq, ka theksuar se periudha nga takimi i Këshillit të mëparshëm, i mbajtur në muajin nëntor të vitit të kaluar, ka shënuar aktivitete në realizimin e programit IPA 2014 dhe IPA 2015, përgatitjet për kontraktimin e programit IPA 2016- 2018 dhe planifikimin e programit të IPA 2019 dhe 2020. Shefi i sektorit për bashkëpunim me Delegacionin e UE në Mal të Zi, Herman Shpic ka theksuar se Unioni Evropian vlerëson përparimin e realizuar në periudhën e kaluar, duke shtuar se edhe në atë që vjen nevojitet punë e përkushtuar, në veçanti në kontraktimin dhe realizimin e programeve të lejuara. Takimet e Këshillit të sektorit për mbikëqyrje organizohen dy herë në vit, në mënyrë që të shqyrtohet përparimi  në realizimin e projekteve dhe programeve të cilat i financon UE, si dhe planet për periudhën e ardhshme.  Në takim morën pjesë përfaqësuesit e ministrive gjegjëse, organizatave joqeveritare dhe të delegacionit të UE në Mal të Zi.

 

Për nxënësit e talentuar, përkrahje e Qeverisë

“Qeveria e Malit të Zi do të tentojë të sigurojë kushte më të mira për nxënësit e talentuar dhe mësimdhënësit e tyre, për të zhvilluar kreativitet dhe që idetë e tyre inovative ti realizojnë në vepra, por edhe që sistemi i arsimit të jetë kompatibil me nevojat ekonomike të shekullit XXI”, ka deklaruar kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq në takimin me ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar, Allisa Kemp dhe me drejtoreshën e Këshillit britanik, Vanja Maxhgal. Në takim është biseduar për projektin e Këshillit britanik, “Shkollat për shekullin XXI”, në kuadër të të cilit të gjitha shkollave fillore në Mal të Zi do tu dhurohen 4 mijë mini kompjuter, përmes të cilëve mësohet programimi por edhe zhvillimi i mendimit kritik dhe zgjidhja e problemeve  dhe nxit kreativitet tek nxënësit.  Projekti është me karakter rajonal dhe përfshin gjashtë shtete te Ballkanit perëndimorë dhe është me vlerë prej 10 milion funta britanike. “Nuk ka përparim dhe perspektivë nëse sistemin e arsimit nuk ua përshtasim nevojave të zhvillimit. Duhet tu japim shans talenteve që ti kontribuojnë zhvillimit të vendit dhe të ndihmojnë që ekonomia jonë të transformohet drejt asaj digjitale, ekonomisë së shekullit XXI”, ka thënë kryeministri Markoviq. Ai ka falënderuar Qeverinë britanike në përkrahje përmes këtij dhe projekteve të shumta dhe ka vlerësuar se ky është edhe një vërtetim i partneritetit dhe miqësisë të dy vendeve.

Singjeliq në Qendrën për azilkërkues

Dëshmitari bashkëpunues lidhur me çështjen e tentim terrorizmit në ditën e zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi, në tetor të vitit 2016, Aleksandar-Sasha Singjeliq, prej dje gjendet në Qendër për azilkërkues, me regjim mbikëqyrjeje të veçantë. Ditëve të ardhshme do të dihet se cili është statusi i tij dhe nëse ka baza ligjore që të kërkojë azil, bën me dije Pobjeda. Prokurori special kryesor Milivoje Katniq ka thënë dje se Singjeliqi ka arritur në Mal të Zi dhe nga Ministria e punëve të jashtme ka kërkuar azil politik. Katniq ka thënë se Singjeliq ka dhënë deklaratë në Qendrën e Sigurisë në Rozhajë ku ka kërkuar azil politik për shkak të përndjekjes serioze të strukturave të caktuara në Serbi. Mendoj që ky vend do të japë përgjigje për këtë çështje dhe do ta zgjidhë këtë problem në pajtim me ligjin, ka deklaruar Katniq.

 

Shporta shpenzuese 648 euro

Vlera minimale e shportës shpenzuese në muajin maj, sipas të dhënave të MONSTAT-it, ka qenë 647,9 euro, gjë që është dukshëm me e ultë krahasuar me muajin e kaluar. “Nga vlera e përgjithshme minimale e shportës shpenzuese, shpenzimet për ushqim dhe pijet joalkoholike janë 273,4 euro, gjë që është 0,2% më e ultë krahasuar me muajin prill”, thuhet në kumtesë. Statistikat kanë treguar se shpenzimet për prodhimet tjera joushqimore dhe shërbime, kanë qenë 374,5 euro, gjë që është 0,1% më shumë se në muajin e kaluar. Shporta minimale shpenzuese përfshin shpenzimet e amvisërisë për ushqim, prodhime joushqimore dhe shërbime, me të cilat mundësohet mbijetesa dhe aftësia punuese e anëtarëve të një familjeje.  Për llogaritjen e shpenzimeve minimale, që kanë të bëjnë me këto të dhëna, krahasohen çmimet mesatare në muajin rrjedhës dhe sasitë mujore të shprehura në kilogram për familjen katër anëtarëshe. Për llogaritjet e këtyre vlerave, shporta e prodhimeve joushqimore dhe të shërbimeve përdoren indekset e çmimeve shpenzuese.

 

Taksa më të ulëta, 500 mijë euro më pak

Me miratimin e vendimeve për taksat administrative dhe lokale komunale, me të cilat është paraparë ulja e tyre, Kryeqyteti në nivelin vjetor do të ketë të ardhura më të vogla për afro 500 mijë euro, ka njoftuar Miomir Jakshiq, sekretar për financa në debatin qendrorë publik. Debati qendrorë publik ka tërhequr vëmendjen e vetëm një pronari të hotelerisë, shkruan gazeta “Dan”. Ulja më e madhe, siç ka sqaruar Jakshiq,  është bërë për hapësirat e bahçeve të mbyllura, kështu që 1m2 i kësaj hapësire që ishte 27 euro është zvogëluar në 15. “Kur është në pyetje vendosja e bahçeve në të hapur, 1m2 në vend të 17 eurove tani do të kushtojë 14 euro. Të gjitha taksat nga fusha e uzurpimit të hapësirave publike janë zvogëluar”, ka thënë Jakshiq. Sekretari për financa i kryeqytetit ka theksuar se janë zvogëluar të gjitha taksat administrative.

Hapja e bisedimeve me UE, vendimi për Tiranën dhe Shkupin në tetor

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian e shtynë për në muajin Tetor marrjen e një vendimi për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke rënë dakord për tekstin që i propozohet kryetarëve të shteteve që do të takohen në mbledhjen e Këshillit nesër dhe pasnesër. Shtyrja për në vjeshtë ishte e pritshme, duke qenë se Gjermania është në pritje të vlerësimit të parlamentit të saj, ndërsa dhe disa vende skeptike si Franca e Hollanda nuk ishin të gatshme për një vendim të shpejtë. Teksti i akorduar nga ministrat e Jashtëm mund të konsiderohet shpresëdhënës, nëse do të mbahet parasysh konteksti i zhvillimeve të brendshme dhe në vendet anëtare si dhe fakti që Këshilli angazhohet që të dalë me një vendim të qartë brenda muajit tetor. Megjithatë, diplomatët thanë se Maqedonia e Veriut ende ka shansin më të mirë për të marrë hapjen e negociatave më vonë këtë vit, ndërsa mundësitë e Shqipërisë duken më të pakta, thanë diplomatët. Në përfundim të takimit, Komisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn, tha se ndjehej "i keqardhur që një pakicë vendesh anëtare nuk e mbështetën propozimin e qartë të Komisionit", sepse sipas tij Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të ishin shpërblyer pasi ato kishin përmbushur çfarë u ishte kërkuar vitin e kaluar.

Mogherini dhe Pompeo diskutojnë për Ballkanin Perëndimor

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka biseduar me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo për situatën në Ballkanin Perëndimor. “Përfaqësuesja e Lartë dhe sekretari Pompeo riafirmuan angazhimin e tyre për një partneritet të fortë strategjik - transatlantik. Ata diskutuan fushat kryesore të bashkëpunimit dypalësh si dhe një numër zhvillimesh të rëndësishme ndërkombëtare dhe rajonale, duke përfshirë Ballkanin Perëndimor dhe disa vende tjera”, thuhet në një njoftim nga zyra e Mogherinit. Bisedimet e nivelit të lartë mes SHBA-së dhe BE-së, për situatën në Ballkanin Perëndimor, vijnë në kohën kur bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të lehtësuara nga BE-ja janë ndërprerë që nga nëntori i vitit të kaluar. Mogherini gjithashtu u takua me Jared Kushner, këshilltarin e Lartë të Presidentit të SHBA, Donald Trump, me te cilin diskutoi situatën në Lindjen e Mesme. Ajo nënvizoi interesin themelor të Bashkimit Evropian për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon. Kjo është vizita e fundit e Federica Mogherinit në SHBA, si përfaqësuese e Lartë e BE-së, pasi blloku evropian, pas zgjedhjeve të majit, është duke kërkuar një emër tjetër për të pasuar Mogherinin.

Po njolloset reputacioni ndërkombëtar i vendit

Ka reaguar prezenca e OSBE-së pas situatave tensionuara dhe konfliktuale që janë krijuar në disa bashki të Shqipërisë sa u përket lirimit të ambienteve që shërbejnë si Komisione Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve- KZAZ.  Në njoftim theksohet se OSBE i dënon me forcë sulmet e dhunshme kundër organeve përgjegjëse pasi kjo pengon përparimin e vendit dhe njollos reputacionin e tij ndërkombëtar. “Gjithashtu, u bëjmë thirrje organizuesve të protestës së të premtes të sigurojnë një protestë paqësore. Në përputhje me mandatin e saj, Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme të mbështetë shtetin ligjor dhe demokracinë në Shqipëri”, thuhet ndër të tjera në njoftim. Nga ana tjetër, presidenti Ilir Meta ka ndërmarrë hapin e radhës për dekretin e tij për anulimin e zgjedhjeve, duke njoftuar drejtuesit e lartë të OSBE- ODHIR për zhdekretimin e datës zgjedhore të 30 qershorit. Në letrën që mban datën 19 qershor 2019 dërguar përfaqësuesve të OSBE – ODHIR, presidenti Meta i njofton zyrtarët se nëse zgjedhjet do të mbahen në kundërshtim me dekretin do të jenë nul dhe të pavlefshme.

 

E turpshme, po bëjnë përpjekje të dëshpëruara

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e ka konsideruar të turpshme ngjarjen e ndodhur dje në Shkodër, me djegien e materialeve zgjedhore brenda një shkolle në këtë qytet. Gjatë një takimi me banorë të Tiranës, ku i pranishëm ishte edhe kandidati për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, Rama tha se opozita po bën përpjekje të dëshpëruara, por do të dështojnë sepse nuk e kanë popullin me vete.  “Ajo e Shkodrës dje ishte e turpshme. Është e gjitha një përpjekje e dëshpëruar sepse nuk kanë mundësi të bëjnë më shumë sepse nuk kanë popullin me vete. Është e qëllimshme e gjitha, për televizion, për ta çuar jashtë dhe për të krijuar idenë se ky vend nuk meriton të respektohet dhe të hapen negociatat”, tha Rama. Kryeministri shqiptar paralajmëroi edhe ashpërsimin e Kodit Penal për personat që do të tentojnë të dëmtojnë qendrat e votimit më 30 qershor, kur mazhoranca ka vendosur të hyjë në zgjedhjet lokale, pavarësisht shfuqizimit nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Ndryshe, siç raportojnë mediat në Shqipëri, mbështetës të opozitës janë duke u përpjekur, që prej mëngjesit, për të marrë nën kontroll ambientet e Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ) edhe në disa qytete tjera, si në Burrel, Kamëz, Pogradec dhe Gjirokastër. Tension të forta u regjistruan dje dhe në Tropojë, ku mbështetësit e opozitës hynë brenda KZAZ-ës në qendër të qytetit. Përplasjet midis protestuesve dhe policisë janë përqendruar vetëm në ato bashki që drejtohen nga kryebashkiakët e PD dhe LSI, pas urdhrit të tyre për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të lirojnë ambientet. Këto bashki kanë njohur dekretin e Presidentit për shfuqizimin e 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale. Ndërkohë në Tiranë, mazhoranca qeverisëse është e vendosur në rrugën që ka nisur për të shkarkuar presidentin e republikës Ilir Meta. Komisioni i Ligjeve diskutoi për kërkesën e depozituar nga 55 deputetë të Partisë Socialiste, për të shkarkuar Presidentin, pas dekretit të tij për të anuluar datën e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Lulzim Basha, më në fund ka pranuar t’i “dorëzohet” Prokurorisë së Tiranës

Kreu i opozitës, në Shqipëri, Lulzim Basha, më në fund ka pranuar t’ i “dorëzohet” Prokurorisë së Tiranës, për t u marrë në pyetje lidhur me “dosjen ruse”, mbi çështjen e kontratave të lobimit. Dy ditë më parë, Basha e konsideroi të jashtëligjshme kërkesën e Prokurorisë për t’u marrë në pyetje dhe refuzoi të paraqitej. Por organi i akuzës iu kundërpërgjigj duke urdhëruar shoqërimin e tij me forcë. Dje, Arben Ristani, ish-Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, gjithashtu i akuzuar në këtë çështje, që u paraqit para prokurorëve. Atij iu komunikuan dy akuza, falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash. Çështja e pagesave për lobim të kryera nga ana e PD-së u hap në nëntorin e dy viteve të shkuara kur firma amerikane “Muzin Capitol Partners”, ku sipas deklarimeve të kësaj Kompanie, ajo kishte marrë tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017. Nga deklarimet e firmës “Muzin”, vetëm ajo prej 25 mijë dollarësh, është pranuar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha që është paguar nga PD-ja. Dy të tjerat mbetën të paqarta.

 

Thaçi thotë se turbulencat e brendshme në BE e ka turbulluar vizionin e saj për Kosovën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar ndaj konkluzioneve të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian për Kosovën. Përmes rrjetit social ai thotë se turbulencat e brendshme në BE, e ka turbulluar vizionin e saj për Kosovën. E për këtë, Thaçi thotë se ne nuk jemi fajtor dhe nuk paraqesim asnjë rrezik për BE-në. Kryetari thotë se BE-ja po e trajton Kosovën ndryshe nga vendet e tjera, duke e quajtur padrejtësi. “Shihet qartë që turbulencat e brendshme e kanë turbulluar vizionin e BE-së, e cila nuk po arrin të tejkalojë instinktin proteksionist dhe neglizhencës ndaj tërë rajonit, e posaçërisht Kosovës. Ne nuk jemi fajtorë për problemet e brendshme të BE-së, dhe as që paraqesim asnjë rrezik për BE-në. Prandaj, ne nuk do të mund të cilësohemi si fajtorë për zvogëlimin e rolit të BE-së në rajon dhe në Kosovë për shkak të dështimeve të vazhdueshme të saj”, thotë Thaçi.  Qytetarët e  Kosovës e meritojnë zhvillimin dhe integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike, pohon presidenti kosovar.

Rusia mbështet Serbinë kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, tha të mërkurën në Rusi, se aplikimi i sërishëm i Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, është në kundërshtim me rregullat themelore të Organizatës Ndërkombëtare të Policisë. Sekretari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Nikollai Patrushev, me të cilin u takua Stefanoviq, konfirmoi se vendi i tij do t’i ofrojë mbështetje Serbisë në takimin e ardhshëm të Asamblesë së Përgjithshme të INTEPOL-it, për të parandaluar pranimin e Kosovës. Siç bëhet e ditur në një komunikatë të ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, të cilën e transmetojnë mediat serbe, Stefanoviq tha se “sulmi i fundit i Forcave të Sigurisë së Kosovës, në veri të Kosovës është edhe një provë se nga Prishtina nuk mund të pritet që të respektojë të drejtën ndërkombëtare, e as rregullat e funksionimit të INTERPOL-it". Stefanoviq, duket se i është referuar aksionit të Policisë së Kosovës në veri më 28 maj. Ai po ashtu e ka falënderuar Patrushevin, për siç tha, mbështetjen parimore të Rusisë për Serbinë, në lidhje me “statusin e Kosovës”.

 

Izraeli mirëpret organizimin e konferencës për Lindjen e Mesme

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, mirëpriti mbajtjen e konferencës së paqes për Lindjen e Mesme, javën e ardhshme në Bahrein. Në konferencë, do të shpaloset pjesa e parë e planit për paqen, që e ka përgatitur Shtëpia e Bardhë. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump e ka quajtur këtë plan si “marrëveshje të shekullit”. Duke folur në një konferencë qeveritare, Netanyahu vlerësoi se konferenca “është një përpjekje e SHBA-së, për të sjellë një të ardhme më të mirë dhe për të zgjidhur problemet e rajonit”. Shtëpia e Bardhë thotë se takimi do të përqendrohet në përfitimet ekonomike që mund të dalin për rajonin, nga një përfundim i konfliktit mes Izraelit dhe palestinezëve. Derisa palestinezët e kanë hedhur poshtë planin e paqes së SHBA, Shtëpia e Bardhë njoftoi javën e kaluar se Egjipti, Jordania dhe Maroku kanë rënë dakord të marrin pjesë në konferencë.  Më parë, këshilltari i lartë i Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner, tha se propozimi për paqen në Lindjen e Mesme të cilin pritet ta paraqesë presidenti i SHBA-së, Donald Trump do të ishte një "pikënisje e mirë" për të adresuar konfliktin izraelito- palestinez dhe një plan për t'i ndihmuar të dyja palët të kenë një jetë më të mirë.  Kushner iu bëri thirrje izraelitëve dhe palestinezëve të mos bëjnë lëvizje të njëanshme përpara se ta shohin planin.

 

Ekspozita fotografike “Colours of Albania” në Tuz

Ambasada e Shqipërisë në Mal të Zi, do të organizojnë Ekspozitë fotografike “Colours of Albania” në Tuz. Qëllimi i kësaj ekspozitë është promovimi i Shqipërisë, nëpërmjet publikimit të imazheve. Lidhur me këtë ekspozitë Ambasadori i Shqipërisë në Mal të Zi, Ridi Kurtezi, për portalin “malësia.org”, shprehet se ekspozita “Colours of Albania” është një ekspozite e cila përmes fotografive pasqyron copëza nga Shqipëria, që tregojnë se ne kemi vlera, tradita, natyrë e gjeografi, të cilat ja vlen t’ia rrëfesh tjetrit. “Fotografitë janë në vetvete rrëfenja të ngrira në kohë dhe një kujtesë nga kapja e një çasti të ikur përgjithmonë, diçka që kurrë nuk mund të përsëritet dhe kjo është pikërisht ajo çka e bën fotografinë, një formë unike arti. Veçantia e kësaj ekspozite qëndron te dëshira për të arritur jo vetëm një audiencë te gjerë, por për të treguar edhe një anë tjetër të Shqipërinë mikpritëse me natyrën e saj të mrekullueshme”, theksoi Kurtezi. Ekspozita do të mbahet ditën e hënë më 24 qershor, me fillim në ora 20, në QKI “Malësia” në Tuz.

 

Edhe nesër mot jo i qendrueshëm

Në viset jugore dhe qendrore sot mban mot kryesisht i kthjellët, kurse në veri me vranësira të pakta deri mesatare. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Podgoricë 32 gradë, Budvë 31, Herceg Novi 30, Ulqin, Tivar e Cetinë 29, Nikshiq 28, Bijello Pole, Beranë e Plavë 27, Plevle 26, Rozhajë 25, Kollashin 22 dhe në Zhablak 18 gradë. Për nesër paradite në viset jugore dhe qendrore parashihet mot i kthjellët, kurse gjatë ditës me zhvillim të vranësirave të dobëta deri mesatare, ndërkaq në veri vende-vende edhe me reshje të mundshme të shiut. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 9 deri në 21, kurse më e larta e ditës prej 22 deri në 33 gradë celsius.

 

ditarin e përgatiti, Senad Gilaj

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се