Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

06. 09. 2013. 18:55   >>  19:09

LAJMET 06.09.2013

06.09.2013

Deklaratat e Danajt shkojnë në favor të pushtetit

Deklaratat e politikanit nga Shqipëria, Koço Danaj, për projektin e Shqipërisë Natyrale i shkojnë në favor koalicionit në pushtet, i cili nuk dëshiron referendumin në të cilin banorët e Malësisë do të deklaroheshin nëse e duan komunën apo jo, konsideron deputeti i Malit të Zi Pozitiv, Dritan Abazoviq.

Danaj, bartësi i listës “Shqipëria Natyrale”, thotë se dëshira është  për të shfuqizuar vendimin e Konferencës së Londrës dhe të njohin aktin ligjor të 28 nëntorit 1912 kur është shpallur e pavarësisë së Shqipërisë në kufijtë e saj natyrore. Ai tha se ai është i sigurt mënjanimi i një padrejtësie të madhe historike që i është shkaktuar popullit shqiptar do ta stabilizojë dhe qetësojë rajonin si dhe ka shtuar se lëvizja e tij është paqësore. “Është e çuditshme se sa hapësirë po i jepet një njeriu i cili ka të drejtë të mendojë me kokë të vetë dhe të paraqes disa qëndrime, por qëndrimet e tij nuk kanë ndonjë përkrahje as në shtetin e tij amë, por as në shtetet tjera ku jeton populli shqiptar”, thotë Abazoviq.

 

Kaleziq është propozuar për kryetar, mbledhja me 20 shtator

Ivan Kalleziq është propozuar për kryetar, Millisav Qoriq për sekretar të Komisionit Zgjedhor Komunal të Petnjicës, që do të duhej të emërohen në seancën e jashtëzakonshme të parlamentit malazez, që do të mbahet me 20 shtator. Propozim vendim i për emërimin e Komisionit Zgjedhor Komunal të Petnjicës, me datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale, e propozuan 39 deputetë të PDS, PSD dhe Partisë Boshnjake. Për anëtarë të Komisionit Zgjedhor komunal janë propozuar edhe Radmilla Shturanoviq, Lilana Radoviq, Branka Llakoçeviq,, Borisllav Gllobareviq, Hakija Leshlanin, Safet Adroviq, Velo Çagjenoviq, Millovan Radulloviq dhe Hajrullah Hajdari. Zgjedhjet në komunën e sapoformuar të Petnjicës, sipas vendimit të  presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviq, do të mbahen me 16 nëntor. Të njëjtën ditë do të mbahen edhe zgjedhjet lokale për komunën e Mojkovacit.

 

Vendimin përfundimtar do ta sjellin organet partiake

PSP dhe Fronti Demokratik në parim janë pajtuar që së bashku të dalin në zgjedhjet lokale në Mojkovac, kurse detajet e marrëveshjes dhe vendimin përfundimtar do ta definojnë organet partiake, deklaroi deputeti i PSP, Aleksandër Damjanoviq.

“Për detajet  lidhur me paraqitjen e përbashkët dhe vendimin përfundimtar do të vendosin organet e PSP dhe FD, me ç’gjë do të formalizohet edhe marrëveshja e arritur në parim, me qëllim të ndryshimit të pushtetit në Mojkovac e cila nuk është përgjigjur në kërkesat e qytetarëve”, deklaroi Damjanoviq. Ai përkujtoi se PSP si parti më e fortë opozitare në këtë qytet me 13 këshilltarë, në fund të muajit maj i ka ftuar partitë në opozitë për të biseduar për paraqitjen e përbashkët në zgjedhjet lokale.

 

Shpallja e ftesës publike është dhunë juridike

Shpallja e ftesës publike për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjyqit Kushtetues, në mungesë të vërtetimit të mëparshëm të shkakut kushtetues për ndërprerjen e funksionit apo shkarkimit të gjyqtarëve dhe për këtë të njoftohet Kuvendi, do të paraqiste dhunë juridike, vlerëson gjyqtari i Gjyqit Kushtetues, Miodrag Llatkoviq. Qeveria e Malit të Zi në mbledhjen e djeshme i ka vërtetua propozimligjet për prokurori shtetërore, gjykatat, Këshillin gjyqësor dhe Gjykatën kushtetuese që janë harmonizuar me ndryshimet e kushtetutës, të cilat i ka miratuar Parlamenti. Llatkoviq tërheq vërejtjen se me ligjin kushtetues për realizimin e amendamenteve kushtetuese rregullohet se ftesa publike për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjyqit Kushtetues do të shpallet 30 ditë nga harmonizimi i Ligjit Kushtetues me amendamentet e propozuara.

 

Policia theu bllokadën, fillon deponimi i mbeturinave

Polica e theu bllokadën e banorëve të Beransellës dhe u mundësuan punëtorëve të ndërmarrjes komunale të Beranës që të fillojnë me bartjen e mbeturinave nga ky qytet në deponinë në Vasove Vode.

Përfaqësuesi i banorëve të këtij lokaliteti Gojko Cimbaleviq tha se policia e largoi banorët nga bllokada, të cilit ishin në rrugë, por nuk ka përdorur dhunë.  Banorët e Beransellës kishin bllokuar komunën e Beranës që Vasove Vode ta përdorin për deponi të mbeturinave të këtij qyteti. Policia disa herë kishte tentuar dhe ndihmuar punëtorët e ndërmarrjes komunale të Beranës që të deponojnë mbeturinat e qytetit në këtë deponi. Përfaqësuesit e lëvizjes ekologjike “Ozon”, paditën në polici shërbimin komunal të Beranës për ngjarjet e sotme në Vasove Vode, për siç theksuan, deponimit joligjor të mbeturinave në këtë deponi.

 

Në 24 orët e fundit diçka më pak pacientë

Mjekëve në Beranë prej fillimit të epidemisë deri sot në ora 7 të mëngjesit u janë paraqitur 1 mijë e 429 pacientë me dhimbje barku, prej të cilëve 34 gjatë 24 orëve të fundit. Siç theksohet në ueb faqen e shtëpisë së shëndetit të Beranës, në repartin e fëmijëve janë të hospitalizuar 14 fëmijë, prej të cilëve në 2 në 24 orët e fundit,  kurse në atë infektive 1 person me probleme dhe dhimbje në bark. Shërbimi epidemiologjiko-higjienik i shtëpisë së shëndetit në Beranë në bashkëpunim me institutin për shëndetin publik të Malit të Zi edhe sot ka vazhduar me realizimin e anketimit epidemiologjik të banorëve me dhimbje barku si dhe me marrjen e mostrave nga pacientët për diagnostifikimin mikrobiologjik. Banorëve të Beranës u është rekomanduar që për pije ende të shfrytëzojnë ujin e blerë në shishe përmes masave të shtuara higjienike.

 

Ndërprerja e bllokadës nëse u paguhen nga 500 euro

Grupi i punëtorëve të pakënaqur i Minierës së Boksitëve në Nikshiq do ta ndërpresin bllokimin e transportit të mineralit, nëse para fillimit të dërgesës do tu paguhen nga 500 euro, kurse mjetet tjera, edhe nga 1 mijë, në dy këste 15 ditë pas pagesës së parë. Përfaqësuesi i punëtorëve, Illija Gjillas, tha se kjo nënkupton që deri me 13 shtator të marrin edhe nga 500 euro, e po aq edhe 7 ditë më vonë. “Kemi pranuar propozimin e kryetarit të sindikatës komunale, Branisllav Gardasheviq, për dinamikën e pagesës dhe tani jemi në pritje. Jemi të gatshëm që menjëherë pas pagesës së parë, nga 500 euro, të lejojmë transportin e boksitit”, tha Gjillas në konferencën për gazetarët që u mbajt para sektorit të transportit të kësaj kompanie. Ai tërhoqi vërejtjen se punëtorët përsëri do të tubohen nëse nuk respektohen afatet e propozuara, dhe në rast të tillë nuk do të lejojnë transportin e mineralit, derisa të mos paguhen të gjitha obligimet ndaj të punësuarve.

Zgjedhjet e nëntorit, vendimtare për të ardhmen e Kosovës

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Ketrin Eshton, ka përshëndetur progresin e arritur në përgatitjet për zgjedhjet lokale në Kosovë. “Përfaqësuesja e lartë përshëndet progresin që kanë bërë javën e kaluar Beogradi dhe Prishtina në lidhje me përgatitjet për zgjedhjet lokale, të caktuara për datën 3 nëntor, veçanërisht vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe regjistrimin e një numri të madh të partive dhe entiteteve në Kosovë”, thuhet në deklaratën e kabinetit të Eshton.

Eshton i ka cilësuar zgjedhjet lokale të nëntorit si moment vendimtar për të ardhmen e Kosovës dhe për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit e Prishtinës dhe u ka bërë thirrje të dyja palëve që të shprehin vullnet të mirë e të vazhdojnë të punojnë në përgatitjen e zgjedhjeve. Të dielën pasdite, përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme e siguri do të presë në kabinetin e saj kryeministrat e Serbisë dhe Kosovës, Ivica Daçiqin e Hashim Thaçin, të cilët do të kërkojnë zgjidhje për çështjet që kanë mbetur të hapura në marrëveshjet për telekomunikacionin dhe energjetikën. Fokusi kryesor i takimit të së dielës në mes të kryeministrave kosovar e serb, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq do të jenë sërish zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Këtë ju ka thënë gazetarëve në Bruksel, Maja Kocijançiq, zëdhënësja e ndërmjetësueses së këtij dialogu, Ketrin Eshton.  Zëdhënësja e shefes për politikë të jashtme megjithatë ka thënë se zgjedhjet nuk do të jetë e vetmja temë që do të diskutohet, ndërsa nuk ka mundur të jap asnjë detaj ku kanë ngecur punët rreth Telekomit dhe Energjisë.

                                                                                                                                 

Kroacia mbështet normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi

Kroacia e mbështet dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar sot në Prishtinë presidenti kroat, Ivo Josipoviq. Këto komente, Josipoviq i ka bërë gjatë një konference të përbashkët me presidenten Atifete Jahjaga me ftesë të së cilës, presidenti kroat po qëndron në Kosovë në një vizitë tre ditëshe. Me këtë rast, presidenti Josipoviq ka folur për marrëdhëniet e mira që kanë Kroacia dhe Kosova, duke falënderuar shumë shqiptarë të Kosovës që kontribuuan si për pavarësimin e këtij vendi e deri te ditët e sotme kur këta qytetarë që sot gëzojnë shtetësinë kroate japin kontributin e tyre por zhvillimin e shtetit kroat.

Josipoviq tha se e mbështet plotësisht edhe normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si një proces i domosdoshëm për integrimin e tyre në Bashkimin Evropian. Jahjaga ka kërkuar nga Josipoviq mbështetjen e Zagrebit zyrtar në çështjet që kanë të bëjnë me përfaqësimin dhe anëtarësimin e Kosovës në nismat dhe konferencat rajonale. Pas takimit me presidenten Jahjaga, Josipoviq është pritur edhe nga kryeministri Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi si dhe do të realizojë një vizitë në qytezën e Janjevës ku jeton një numër i pjesëtarëve të komunitetit kroat në Kosovë.

 

Sot u zhvillua ceremonia e pranim-dorëzimit të komandës së KF0R-it

Sot u zhvillua ceremonia e pranim-dorëzimit të komandës së KF0R-it. Në krye të forcës paqeruajtëse në Kosovë gjatë një viti do të jetë gjenerali italian Salvatore Farina, të cilit komandën ia dorëzojë gjenerali gjerman Volker Halbauer. Farina, i lindur në vitin 1957, karrierën e tij e ka filluar në vitin 1980, pas përfundimit të akademisë ushtarake. Në periudhën 1996 – 1999 ai ishte i ngarkuar për planifikim dhe udhëzim të ushtarëve italianë, të cilët kishin dhënë kontribut në operacione të ndryshme paqësore në Bosnjë Hercegovinë, Kosovë, Shqipëri, Timorin Lindor dhe në Kongo. Gjatë operacioneve në Ballkan ai ishte planifikuesi kryesor për vendosjen e njësive të specializuara shumëkombëshe.

                                                                                                                                 

Nishani gati të firmosë qeverinë e re

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, deklaroi se është i gatshëm ta dekretojë pa vonesë qeverinë e koalicionit fitues të zgjedhjeve të qershorit, sapo propozimet të mbërrijnë në zyrën e tij nga parlamenti me shumicë të re. Nishani i bëri këto komente gjatë një interviste në mbrëmje për televizionin Klan, ku theksoi se nuk kishte arsye të humbte kohë me procedura formale, kur zhvillimet ishin të qarta për të gjithë.

Presidenti Nishani tha se zgjedhjet ishin të lira e demokratike, se situata para e pas zgjedhjeve është nga më të mirat që vendi ka patur ndonjëherë dhe se partitë në fushatë u morën me çështjet e ekonomisë dhe çështje të tjera që lidhen me jetën e qytetarëve. Nishani tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me institucionet dhe drejtuesit e rinj për mbarëvajtjen e punëve në dobi të qytetarëve, për zhvillimin e vendit dhe integrimin europian. Parlamenti i ri mblidhet ditën e hënë për të verifikuar mandatet dhe për të zgjedhur kryetarin e vet dhe, sipas deklaratave të presidentit Nishani, kryeministri i ri mund të dekretohet qysh të nesërmen, sapo të propozohet zyrtarisht nga ligjvënësit.

 

Asnjë përafrim qëndrimesh për Sirinë në samitin e G20-ës

Çështjet ekonomike janë lënë në hije nga kriza në Siri gjatë takimit të grupit të 20 shteteve më të industrializuara në qytetin verior rus të Shën Petersburgut. Samiti po mbahet në një kohë tensionesh në mes të presidentit amerikan, Barak Obama, i cili ka bërë thirrje për një aksion ushtarak kundër Damaskut si përgjigje ndaj dyshimeve për sulm kimik dhe presidentit rus, Vladimir Putin, kritiku më i zëshëm i planit për intervenim ushtarak. Diskutimet mbrëmë vonë kanë dështuar që të përafrojë liderët e 20 shteteve më të industrializuara drejt një marrëveshjeje se si të reagohet ndaj dyshimeve për sulm kimik në Siri.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, iu ka thënë reporterëve se takimi i liderëve të 20 ekonomive më të fuqishme në botë në Shën Petersburg, mbetet “gati njëjtë” i ndarë në këtë çështje. Presidenti amerikan, Barak Obama, po kërkon intervenim ushtarak për ta dënuar qeverinë siriane pasi amerikanët e bëjnë atë fajtor për sulmin kimik të 21 gushtit. Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se çfarëdo përdorimi i forcës pa aprovimin e OKB-së do të ishte “një akt i agresionit”.Sidoqoftë, kryeministri britanik ka thënë se dëshmitë që regjimi i presidentit Bashar al Assad ka kryer sulm kimik kundër popullatës së vet po shtohet çdo herë e më shumë."Ne kemi kontrolluar disa mostra që i kemi marrë nga Damasku në laboratorin “Porton Doën” në Britani dhe aty verifikohet edhe më shumë përdorimi i armëve kimike në periferi të Damaskut”, i ka thënë Cameron televizionit publik, BBC-së.

                                                                                                                                 

SHBA akuzon Rusinë për bllokim të Këshillit të Sigurimit

Ambasadorja amerikane në OKB, Samantha Power, e ka akuzuar Rusinë se po e mbanë Këshillin e Sigurimit “peng” rreth krizës në Siri. Power iu ka thënë gazetarëve në Nju Jork të enjten se Rusia rregullisht e ka përdorur veton e saj ose për të bllokuar veprimet e Këshillit të Sigurimit kundër Sirisë që prej se ka shpërthyer kriza në këtë vend para dy vjetësh apo për të bllokuar Këshillin thjeshtë për të lëshuar komunikata. Power ka thënë se ajo nuk ka asnjë arsye për të besuar se kjo sjellje do të ndryshojë. Power ka shprehur skepticizmin rreth deklaratave të fundit të presidentit rus, Vladimir Putin, se Rusia, “nuk përjashton” përkrahjen e intervenimit ushtarak kundër Sirisë nëse verifikohet se regjimi i presidentit sirian, Bashar al Asad ka kryer sulm kimik më 21 gusht.

 

Planet e ushtrisë amerikane për Sirinë

Destrojerët dhe mjetet e tjera ushtarake amerikane janë tashmë të pozicionuara për të sulmuar Sirinë, ndërkohë që udhëheqësit ushtarakë të Shteteve të Bashkuara kanë përgatitur planet e veprimit në qoftë se jepet urdhri për një sulm ushtarak. Por, zyrtarët po shqyrtojnë skenarët që mund të ndiqen pas sulmit të parë. Shtetet e Bashkuara synojnë dobësimin e mbrojtjes së Sirisë deri në atë masë saqë kjo të çojë më në fund në një largim me negociata të Bashar al-Asadit. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane, Gjenerali Martin Dempsey, u tha senatorëve se sulmet proporcionale dhe të kufizuara do të ishin hapi i parë që do të ndërmerrej nën drejtimin e tij. Për ta realizuar këtë, Shtetet e Bashkuara kanë në gatishmëri raketat Tomahawk që mund të godasin objektivat e qeverisë siriane. Sekretari i Shtetit John Kerry u tha senatorëve se nëse armët kimike të Sirisë bien në duart e militantëve ose nëse Siria përfshihet nga një kaos i plotë, ai do të dëshironte që Presidenti të ketë mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në terren, por shtoi se kjo ishte thjesht një deklaratë hipotetike. Presidenti amerikan Barak Obama thotë se nëse vendos të sulmojë Sirinë, operacioni ushtarak do të jetë “i kufizuar”. Ai thotë se objektivi do të jetë dobësimi i aftësisë së Sirisë për të përdorur armë kimike tani dhe në të ardhmen.

 

Qeveria egjiptiane vendos të shpërbëjë Vëllazërinë Myslimane

Qeveria egjiptiane ka vendosur që ta shpërbëjë Vëllazërinë Myslimane, të regjistruar si organizatë jo qeveritare, njofton sot gazeta shtetërore Al Akhbar, duke shtuar se vendimi do të bëhet i ditur javën e ardhshme.

Vendimi ka të bëjë me OJQ-në që ishte regjistruar formalisht nga Vëllazëria në mars si përgjigje ndaj një procesi që thotë se lëvizja nuk ka status ligjor. Vëllazëria është krijuar në vitin 1928, ndërsa formalisht është shpërbërë nga udhëheqësit ushtarak egjiptian në vitin 1954.

 

Edhe nesër mot me diell

Në Mal të Zi sot po mban mot i kthjellët. Fryn erë e dobët deri mesatare, nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat në orën 14 u shënuan:  në Podgoricë 30 gradë, Herceg Novi e Budvë 29, Ulqin e Tivar 28, Nikshiq 27, Cetinë e Bijello Pole 26, Rozhajë, Plevle, Mojkovac e Beranë 24, në Kollashin 23, Plavë 22 dhe në Zhablak 20 gradë.

Edhe për nesër paralajmërohet mot pa ndryshime. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e ndryshme. Temperatura e mëngjesit prej 7 deri në 19, kurse më e larta e ditës prej 21 deri në 32 g.c.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се