Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

11. 07. 2019. 18:49 >> 19:06

Ditari 11.07.2019

11.07.2019

Sonte pritje në Cetinë me rastin e ditës së shtetësisë

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, organizon sonte në Cetinë pritje me rastin e 13 korrikut, ditës së shtetësisë, në rezidencën e presidentit duke filluar nga ora 20. Në pritje janë ftuar përfaqësuesit e jetës politike, shkencore, kulturore afariste dhe sportive të Malit të Zi, pastaj heronjtë e popullit, ish funksionarët dhe funksionarët më të lartë të shtetit si dhe përfaqësuesit e Korit diplomatike dhe përfaqësues të lartë të Organizatave dhe Institucioneve ndërkombëtare, është kumtuar nga Kabineti i presidentit Gjukanoviq.

Urime me rastin e 13 korrikut

Presidentët e dy shteteve më të fuqishme të botës, i Federatës ruse, Vlladimir Putin dhe i SHBA, Donalld Tramp i kanë dërguar presidentit të Malit të Zi Millo Gjukanoviq telegram urimi me rastin e ditës së shtetësisë. “Me rastin e festës nacionale të shtetit tuaj, Ditës së shtetësisë pranoni urimet tona më të sinqerta. Popullit të Malit të Zi i uroj paqë, fat dhe mirëqenie”, thuhet në urimin e presidentit rus Putin. “I nderuari president, në emër të qytetarëve të SHBA, ju dhe qytetarët e Malit të Zi, pranoni urimet e mia me rastin e 13 korrikut, Ditës së shtetësisë. Gjatë 13 viteve të pavarësisë, Mali i Zi ka shënuar progres të rëndësishëm në integrimet euro atlantike. Pranimi juaj historik në NATO ka përforcuar dukshëm partneritetin ndërmjet Malit të Zi dhe SHBA dhe përzemërsisht përshëndes kontributin tuaj të vazhdueshëm në sigurinë globale dhe rajonale”, thuhet në telegramin e presidentit Tramp. Sot paradite presidentin Gjukanoviq me rastin e ditës së shtetësisë e kanë përgëzuar edhe Papa Françesku dhe presidenti i Gjermanisë Frank Vallter Shtajnmajer.

Nesër dorëzimi i çmimeve “13 korriku”

Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi Ivan Brajoviq do të dorëzojë nesër çmimet, “13 korriku”, si mirënjohja më e lartë shtetërore. Laureatë të sivjetmë të këtij çmimi janë historiani i letërsisë, Dragan B. Peroviq, profesori Bozhidar Shekullarac dhe shkrimtari Pavle Goranoviq. Vendimin për ndarjen e çmimeve e ka sjell juria në krye të cilës ishte Rajko Todoroviq, kurse anëtarë Miomir Voinoviq, Igor Llakiq Ranko Milloviq dhe Jadranka Sellhanoviq.

 

Qeveria i ka realizuar 80.6% të detyrimeve

Qeveria e Malit të Zi ka vërtetuar propozim ligjin për ndryshimet e ligjit për buxhetin për vitin 2019, ka kumtuar ministri i financave Darko Radunoviq pas mbledhjes së sotme të qeverisë. Qeveria gjatë këtij viti ka realizuar 80.6 % të detyrimeve nga programi i vetë i punës. Përmes realizimit në shkallë të lartë të programeve dhe në veçanti të konkluzioneve të cilat i kemi sjell , kemi treguar raport me përgjegjësi ka theksuar nënkryetari i qeverisë Millutin Simoviq. Për vazhdimin me titull “Përparimi i konkurrencës të ekonomisë të Malit të Zi të cilin e realizojnë ministria e ekonomisë dhe programi i Kombeve të Bashkuara për zhvillim, për këtë vit janë ndarë 112 mijë euro . Nga Ministria e ekonomisë kanë theksuar se përkrahja për zhvillimin e sektorit të ekonomisë , pastaj në procesin e planeve të zhvillimit strategjik për njësitë e administratave lokale, edhe këtë vit do të jenë në fokusin e projektit të përbashkët të kësaj ministrie dhe programit të Kombeve të Bashkuara për zhvillim.

Rezultate konkrete në aksionet ndërkombëtare

Bashkëpunimi i policisë malazeze me përfaqësuesit diplomatikë dhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare është përmbajtës ore dhe cilësore , me rezultate konkrete në aktivitetet e projektuara dhe në organizatat ndërkombëtare. Kjo është vlerësuar gjatë punues të drejtorit të drejtorisë së policisë Veselin Veloviq me ambasadorët e shteteve të BE dhe të SHBA. Veloviq ka theksuar se është i kënaqur me rezultatet në vitin e kaluar duke shtuar se pret që ato të jenë akoma më të mira , me angazhimin e strukturave të reja të policisë , të cilat janë aftësuar për nevojat e kohës dhe në luftën kundër sfidave aktuale të sigurisë , sidomos kriminalitetit të organizuar, korrupsionit, kriminalitetit financiar dhe të kriminalitetit tejkufitarë ndërkombëtarë. Shefi i delegacionit të BE në Mal të Zi Aivo Orav ka theksuar se ekziston bashkëpunim i mirë dhe cilësorë me policinë e Malit të Zi duke vlerësuar se nevojitet qasje më aktive në luftën kundër larjes së parave dhe tregtisë me qenjet njerëzore. Shefja e misionit të OSBE në Mal të Zi Mariz Davie ka theksuar se do të vazhdojë të përkrah policinë malazeze në forcimin e kapaciteteve në luftën kundër të gjitha formave të kriminalitetit . Ambasadorja e SHBA në Mal të ZI Xhudi Rajzing Rainke ka theksuar rëndësinë e çështjes së integritetit të nëpunësve policorë në kuptimin e qëndrimeve profesionale dhe ligjore të tyre. Siç theksohet ambasadorët dhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare në Mal të ZI e kanë falendëruar drejtorin Veloviq për organizimin e këtij takimi të cilin e kanëvlerësuar si shumë të frytshëm.

Asgjësohen armë dhe pjesë për armë në ditën ndërkombëtare të asgjësimit të armëve

Ministria e punëve të brendshme të Malit të Zi ka asgjësuar sot 990 copë armë dhe 269 pjesë për armë në institutin për metalurgjinë e zezë në Nikshiq. Nga ministria e brendshme kanë kumtuar se në këtë mënyrë kontribuojnë në shënimin e ditës ndërkombëtare të asgjësimit të armëve. Me shënimin e ditës ndërkombëtare të asgjësimit të armëve opinioni përkujtohet ndaj rrezikut të cilin e paraqesin teprica e armëve si dhe armët jo legale, për banorët dhe sigurinë e tyre. Me asgjësimin e organizuar të armëve në këtë ditë, Mali i ZI merr pjesë në përpjekjet e koordinuara rajonale që të avancohet ndërgjegjja e problemit të zgjerimit të armëve të lehta jo legale në vendet e Ballkanit Perëndimor. Theksohet se në këtë mënyrë do të asgjësohen armët e konfiskuara gjatë fushatës me titull “respekto jetën, ktheje armën” të cilën e realizon Ministria e Punëve të brendshme së bashku me UNDP , misionin e OSBE në Mal të Zi dhe CDT-në me përkrahjen financiare të BE.

 

Haradinaj insiston në gjithëpërfshirje për dialog

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është vënë në thumb të kritikave të opozitës dhe analistëve politikë, për shkak të, siç thuhet, hezitimit të tij për të marrë rolin prijës në përfaqësimin e Kosovës në fazën e ardhshme të dialogut me Serbinë. Sipas opozitës, por edhe njohësve të zhvillimeve politike në Kosovë, që nga aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese për të shpallur jokushtetues Ligjin për delegacionin e Kosovënë bisedimet me Serbinë, është qartësuar se kompetencën dhe përgjegjësinë ligjore për ta udhëhequr dialogun e ka kryeministri i Kosovës, në konsultim me presidentin. Në kabinetin e kryeministrit Haradinaj, thonë se nuk ka hezitim për të marrë përsipër udhëheqjen e dialogut, por rikujtohet se Haradinaj po kërkon një konsensus të gjerë në lidhje me këtë proces. Këshilltarja për media e kryeministrit, Ramush Haradinaj, njëherësh edhe zëdhënëse e Qeverisë së Kosovë, Donjeta Gashi, tha për Radion Evropa e Lirë se kryeministri Haradinaj asnjëherë nuk i ka ikur përgjegjësisë për dialogun. Ajo tha se kryeministri konsideron se Kosova nuk ka kohë për të humbur, por nga ky proces duhet të ketë rezultate konkrete. “Nuk është hezitim sa i takon anës së kryeministrit, por është insistim që për çështjet madhore që kanë të bëjnë me definimin e të gjitha aspekteve me shtetin serb, të ketë gjithëpërfshirje dhe të ketë një dialog përmbajtjesor, një dialog të kornizuar që çon në njohje reciproke, në një marrëveshje finale ligjërisht të obligueshme në kufijtë ekzistues”, tha Gashi. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar disa herë se për çështje të mëdha e të rëndësishme siç është dialogut me Serbinë, duhet të ketë një angazhim të të gjitha partive politike. Haradinaj ka thënë se një marrëveshje kornizë për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është më se e domosdoshme. Në anën tjetër, Jeta Krasniqi, njohëse e procesit të dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se udhëheqësit e institucioneve nuk duhet të ikin nga përgjegjësia. Krasniqi tha se të gjitha obligimet kushtetuese duhet të kryhen nga krerët e institucioneve të cilat kanë marr përsipër udhëheqjen e vendit."Dialogu Kosovë Serbi nuk është çështja apo tema më atraktive, është një çështje e vështirë dhe mund të ketë edhe një kosto politike, por derisa kemi institucione, derisa ka përfaqësues të institucioneve, ata duhet të kenë përgjegjësinë për të marrë edhe koston politike”, tha Krasniqi.

Thaçi thotë se Zaev i kërkoi falje për deklaratat për shkëmbim territoresh

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i ka kërkuar falje në lidhje me deklaratat në të cilat ai përmend presidentin e Kosovës dhe atë të Serbisë, të përfshirë në negociata për ndarje e shkëmbim territoresh. Thaçi tha se Zaev ka rënë pre e mashtrimit nga humoristët rusë, të cilët janë prezantuar si ish-presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, e që kanë folur edhe për ndarjen e Kosovës. Edhe Zaev, në një konferencë për media në Shkup, e pranoi se ka rënë pre e këtij mashtrimi.“Unë mbrëmë kam zhvilluar një bisedë telefonike, rreth 20 minuta, me kryeministrin Zaev. Ai më ka telefonuar për t’u sqaruar për atë që ai ka biseduar me njerëzit që e kanë thirrur. Më ka thënë shumë qartë se kjo ka qenë një rrethanë, në të cilën ka rënë pre e mashtrimit”, tha Thaçi. Këto komente, ai i bëri në Prishtinë, pas takimit lamtumirës me shefen e misionit evropian për sundimin e ligjit EULEX, Alexandra Papadopoulou. Në këtë bisedë telefonike me humoristët rusë, të publikuar në Youtube, Zaev flet se si Thaçi është pajtuar që komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, t’i takojnë Serbisë. “Për ato që ka thënë se gjoja dhjetë komuna do t’i jepen Serbisë, ai ka treguar se i ka folur duke u bazuar në thashetheme, në dezinformata dhe në të dhënat apo lansimet e gazetës Sputnik dhe thashethemet ruse. Këto janë fjalët që mua mi ka thënë Zaev. Më ka kërkuar falje mua personalisht dhe Kosovës. Në të njëjtën kohë nuk ka asnjë fakt, asnjë evidencë, as informacion zyrtar për atë që ka deklaruar, por të gjitha janë të bazuara në thashetheme”, tha Thaçi.

Njëzetekatër vjet nga Masakra e Srebrenicës

Sot shënohet 24-vjetori i Masakrës së Srebrenicës, në të cilën forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë. Në qendrën përkujtimore Potoçari në Srebrenicë do të varrosen mbetjet e 33 viktimave të masakrës, të gjetura në disa varre masive gjatë vitit të fundit. Viktima më e re që do të varroset është Osman Cvrka. Ai ka qenë 16 vjeç kur është vrarë. Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë hyrë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara. Në ditët që kanë pasuar, ato kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i kanë hedhur në gropa në pyjet përreth. Derisa vrasjet kanë ndodhur për pak ditë, procesi i gjetjes së trupave ka marrë vite dhe identifikimi dhe varrimi i tyre vazhdonë ende.Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është njohur si gjenocid.Ish-udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Ndërkombëtare në Hagë, për masakrën në Srebrenicë dhe mizoritë e tjera gjatë luftës në Bosnje. Edhe ish-komandanti i forcave serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, është dënuar me burgim të përjetshëm për krime të luftës, përfshirë gjenocid.

Mogherini dhe Hahn: Përpjekjet për të rishkruar historinë janë të papranueshme

Dy zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, të cilëve u ka kaluar mandati, Federica Mogherini, përfaqësuese e Lartë e BE-së dhe Johanes Hahn, komisionar për Zgjerim, thanë se është detyrë e përbashkët, që të kujtojmë gjithmonë Srebrenicën si një nga “momentet më të errëta të njerëzimit në historinë moderne evropiane." “Nuk ka vend për retorikë nxitëse, mohim, revizionizëm apo madhështimin e kriminelëve të luftës. Përpjekjet për të rishkruar historinë, në Bosnjë dhe Hercegovinë apo gjetiu janë të papranueshme", porositën Mogherini dhe Hahn përmes një deklarate të përbashkët, në përkujtim të masakrës së Srebrenicës. Dy përfaqësuesit evropianë, të cilët në pesë vitet e kaluar kanë pasur punë drejtëpërdrejtë me vendet e Ballkanit, nënvizuan nevojën për t'i dhënë fund mosndëshkimit dhe për të kapërcyer trashëgiminë e kaluar. Sot, shënohet 24-vjetori i Masakrës së Srebrenicës, në të cilën forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë. Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është njohur si gjenocid.

 

PE-së "i vjen keq" që disa politikanë në Serbi e mohojnë gjenocidin në Srebrenicë

Presidenti i sapozgjedhur i Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian (PE), David McAllister, tha se PE-së i vjen keq që në disa qarqe politike në Serbi mohohet gjenocidi në Srebrenicë."Parlamenti Evropian është i qartë për këtë çështje. Neve na vjen keq që disa politikanë në Serbi vazhdojnë të mohojnë se masakra në Srebrenicë ka qenë gjenocid. Ky është qëndrimi zyrtar i PE-së", tha Mc Allister. Ai u zgjodh të mërkurën në krye të Komitetit për Politikë të Jashtme në përbërjen e re të Parlamentit Evropian, i cili gjithashtu përfshin marrëdhëniet me vendet në rajonin e Ballkanit. McAllister, në mandatin e kaluar, ka shërbyer si raportues për Serbinë i PE-së. Ai ka thënë dje se i vlerëson të gjithë politikanët e Ballkanit Perëndimor, të cilët janë në favor të pajtimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

 

Trump kërcënon se do të shtojë sanksionet kundër Iranit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kërcënoi se do të shtojë sanksionet kundër Iranit, ndërsa kritikoi sërish marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, midis Iranit dhe fuqive botërore. "Sanksionet do të shtohen së shpejti", tha Trump në një postim në Twitter.Vitin e kaluar, Trump i ka tërhequr SHBA-në nga marrëveshja bërthamore, me të cilën Irani ka kufizuar programin bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare. Irani ka vepruar në përputhje me marrëveshjen, por, gjatë fundjavës së kaluar, ai ka rritur pasurimin e uraniumit përtej kufijve që parasheh marrëveshja, në përpjekje për t'iu bërë presion vendeve evropiane që të gjejnë zgjidhje për sanksionet amerikane. Trump po ashtu tha se Irani, fshehurazi, ka pasuruar uranium, por nuk solli ndonjë provë për këtë.

"Irani, për kohë të gjatë, ka pasuaruar fshehurazi (uranium), në shkelje të plotë të marrëveshjes 150 miliardë dollarëshe", tha mes tjerash Trump. Me uranium të pasuruar, Irani potencialisht mund të krijojë armën bërthamore. Trump vazhdimisht ka thënë se kushtet e marrëveshjes bërthamore nuk kanë qenë mjaftueshëm të ashpra për ta penguar Iranin nga krijimi i armës bërthamore.

Së paku 11 të vdekur në një aksident hekurudhor në Pakistan

Së paku 16 njerëz vdiqën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën kur një tren pasagjerësh u përplas me një vagon mallrash në lindje të Pakistanit, thanë zyrtarët. Oficeri i policisë, Hafeez Bugti, tha se numri i viktimave mund të rritet, pasi së paku tre të plagosur janë në gjendje kritike, ndërsa pasagjerë të tjerë mund të jenë ende të bllokuar brenda trenit. Shefi i policisë, Umer Salamat, tha se treni ka qenë duke udhëtuar nga qyteti Lahore për në provincën Baluçistan, kur ka ndodhur aksidenti pranë qytetit Rahim Jar Khan. Shkaku i aksidentit nuk dihet ende. Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, tha se është "i trishtuar nga lajmi" dhe urdhëroi autoritetet që të sigurojnë kujdesin më të mirë mjekësor për të plagosurit. Aksidentet me trena nuk janë të pazakonshme në Pakistan, kryesisht për shkak të infrastrukturës së dobët hekurudhore.

Gjashtë turistë humbin jetën nga stuhia në Greqi

Gjashtë turistë humbën jetën dhe së paku 30 njerëz të tjerë u plagosën nga një stuhi e fuqishme që përfshiu një rajon në veri të Greqisë. Erërat e rrëmbyeshme dhe shirat e furishëm përfshinë Halkidikin, pranë qytetit të Selanikut, të mërkurën vonë, thanë zyrtarët. Sipas tyre, dy çekë, dy rumunë dhe dy rusë humbën jetën. Fotografi dhe video të postuara në mediat sociale treguan pemë të rrëzuara, makina të përmbysura dhe ndërtesa të dëmtuara. Autoritetet shpallen gjendje të jashtëzakonshme, ndërsa shpërndanë mbi 100 punonjës të shpëtimit. Charalambos Steriadis, udhëheqës i mbrojtjes civile në Greqinë veriore, e përshkroi stuhinë si një "fenomen të pashembullt". Stuhia pasoi një mot të nxehtë në Greqi, me temperatura prej 37 gradësh Celsius, gjatë dy ditëve të fundit.

E nominuara për presidente të KE-së shpreson të mos ndodhë Brexit-i

Ursula von der Leyen, e nominuar për presidente të Komisionit Evropian, tha se shpreson se Mbretëria e Bashkuar i braktis planet e saj për dalje nga Bashkimi Evropian, apo Brexit."Vazhdoj të shpresoj se ju do të mbeteni", tha von der Leyen. Ajo foli të mërkurën në një seancë të Paralmentit Evropian, përpara votimit të saj javën e ardhshme. Von der Leyen po ashtu tha se marrëveshja për Brexit, e negociuar nga kryeministrja në largim e Britanisë, Theresa May, dhe udhëheqësit e BE-së, është "e mirë". Kjo marrëveshje, megjithatë, është refuzuar tri herë nga Parlamenti britanik - gjë që ka çuar kryeministren May të tërhiqet.Von der Leyen u zotua se do ta bëjë BE-në më ambicioze për ndryshimet klimatike dhe se do të përpiqet për më shumë balancë gjinore brenda bllokut. Von der Leyen, e cila aktualisht është ministre e Mbrojtjes e Gjermanisë, do të marrë detyrën nga Jean-Claude Juncker, më 1 nëntor, nëse miratohet nga Parlamenti Evropian. Nëse kjo ndodh, ajo do të bëhet gruaja e parë në këtë post të BE-së.

Irani përpiqet të kapë një anije britanike

Britania tha se tri anije iraniane "bënë përpjekje të ndalojnë" një cisternë britanike të naftës në Ngushticën e Hormuzit."Në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, tri anije iraniane u përpoqën të pengonin kalimin e anijes tregtare, Trashëgimia Britanike, përmes Ngushticës së Hormuzit", tha përmes një deklarate Qeveria britanike. Luftanija britanike, HMS Montrose, "u detyrua të pozicionojë veten midis anijeve iraniane dhe cisternës britanike dhe të lëshojë paralajmërime verbale për anijet iraniane, të cilat më pas janë larguar", thuhet në deklaratë. "Ne jemi të shqetësuar me këtë veprim dhe vazhdojmë t'iu bëjmë thirrje autoriteteve iraniane që të shtensionojnë situatën në rajon", u tha po ashtu në deklaratë. Garda Revolucionare e Iranit mohoi se ka bërë përpjekje të ndalojë cisternën britanike, raporton agjencia iraniane e lajmeve Fars. Irani, më herët, është kërcënuar se do të kapë një anije britanike, pasi marinsat britanikë, javën e kaluar, u ndihmuan zyrtarëve në Gjibraltar të kapin një cisternë iraniane, pasi dyshohej se ajo bartte naftë nga Irani në Siri, në kundërshtim me sanksionet e Bashkimit Evropian. Të mërkurën, presidenti i Iranit, Hassan Rohani, tha se Britania do të përballet me "pasoja" për shkak të kapjes së cisternës iraniane.

 

Edhe nesër mot kryesisht me diell

Sot në Mal të Zi mban mot kryesisht i kthjellët. Frynë erë e dobët deri mesatare, vende vende deri e fortë veriore dhe veri lindore.

Temperaturat: Podgoricë, Budvë e H. Novi 28, Ulqin 27, Tivar 26, Cetinë 24, Nikshiq e B. Pole 22, Plavë , Plevle e Beranë 20, Plluzhinë 19, Kollashin e Rozhaj 18 dhe në Zhablak 14 g.

Për nesër në viset jugore dhe qendrore parashihet të mbajë mot kryesisht me diell, kurse në veri gjatë orëve të pas ditës relativisht i vranët dhe me reshje të dobëta e bubullimë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshme. Temperatura e mëngjesit prej 5 deri në 20, kurse më e larta e ditës prej 19 deri në 31 g. c.

 

ditarin e përgatiti, Marash Dedvukaj

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се