Žabljak
Pretežno vedro
15.1 °C
Pljevlja
Vedro
23.2 °C
Herceg Novi
Vedro
26.5 °C
Nikšić
Vedro
21.9 °C
Cetinje
Vedro
31.4 °C
Bar
Vedro
25.2 °C
Podgorica
Vedro
28.3 °C
Ulcinj
Vedro
26.7 °C
Kolašin
Vedro
14.8 °C

Ditari

17. 07. 2019.   >>  18:16 0

Ditari 17.07.2019

17.07.2019

Bilancet demantojnë se sezoni turistik është në kolaps

Kryeministri Dushko Markoviq është përgjigjur sot në pyetjet e deputetëve në Parlamentin e Malit të Zi në kuadër të orës së kryeministrit. Për kryeministrin deputetët kishin përgatitur 7 pyetje. Markoviq ka kumtuar se shteti nuk ka ndaluar dhe as nuk ka penguar dhënien e nderimeve shtetërore ish presidentit të Malit të Zi Momir Bullatoviq. Ai duke u përgjigjur në pyetjen e deputetit të Frontit Demokratik (FD), Andria Mandiq, ka theksuar se nuk ka ekzistuar baza ligjore për dhënien e nderimeve dhe as iniciativa për sjelljen e vendimit të veçantë në këtë drejtim. Ai ka theksuar se FD ka pasur mundësinë të iniciojë procedurën gjegjëse për varrimin e Bullatoviqit me nderime shtetërore në vend se ta politizojë këtë temë. Markoviq ka theksuar se bilancet i demantojnë prognozat dështimin e sezonit turistik në Mal të Zi, duke shtuar se të dhënat e fundit preliminare për 4 muajt e parë tregojnë se kemi arritur që për herë të parë në histori të regjistrojmë mbi një milion bujtje gjatë kësaj periudhe. Ai duke u përgjigjur në pyetjen e Millosh Nikoliq nga PDS se si e vlerëson sezonin aktual turistik ka theksuar se ekzistojnë informata të pa vërtetuara dhe fushata të cilat plasohen nga burime të ndryshme. “Nga njëra anë flitet për dështimin e sezonit turistik, mirëpo bilanci i demanton prognozat e tilla, gjegjësisht fushatën e tillë e bënë të pa kuptimtë”, ka theksuar Markoviq. Duke folur për planet në të ardhmen ka theksuar se faktet flasin vetë dhe se prej vitit 2016 në projekte të mëdha zhvillimore në bregdet  janë investuar mbi 500 milion euro.  Në pyetjen e deputetit  Rashko Konjeviq se sa do të ndikojë në borxhin e përgjithshëm publik, huazimi i ri prej 500 milion euro, të paraparë me rebalancin, Markoviq ka theksuar se me ndryshimet e propozuara të ligjit për buxhetin e këtij viti nuk bëhet fjalë për huazime të reja të cilat do ta rrisin borxhin publik të Malit të në vitet e ardhshme. Kuvendi vazhdon punën, ku në rend të ditës të seancës, përveç orës së kryeministrit, do të jenë edhe pyetjet e deputetëve.

Darmanoviq në konferencën ministrore në Uashington

Ministri i punëve të jashtme të Malit të Zi Srgjan Darmanoviq do të marrë pjesë në Konferencën ministrore për avancimin e lirive fetare në Uashington. Siç është kumtuar nga Ministria e punëve të jashtme, Konferenca  ministrore për avancimin e lirive fetare organizohet në Uashington prej me 16 deri me 18 korrik me iniciativën e sekretarit të shtetërorë të SHBA Majkëll Pompeo. Pompeo, siç theksohet, do të jetë mikpritës i Konferencës së dytë me radhë për avancimin e të drejtave fetare.  “Në Konferencë, e cila mbahet në departamentin e shtetit të SHBA, përveç funksionarëve të lartë të shtetit mikpritës marrin pjesë edhe numër i madh i ministrave të punëve të jashtme dhe përfaqësues të qeverive të shteteve, udhëheqës fetarë, anëtarë të Organizatave të Shoqërisë civile dhe të Organizatave ndërkombëtare nga e tërë bota”, thuhet në kumtesë. Siç theksohet, në margjinat e Konferencë do të organizohen takimet e Darmanoviqit me përfaqësuesit më të lartë të Administratës dhe të Kongresit amerikan me qëllim të vazhdimit të dialogut politik për të gjitha çështjet me rëndësi për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Malit të Zi dhe SHBA.

 

Aksionet e realizuara tregojnë se nuk ka të pa prekur

“Aksionet e realizuara në luftën kundër kriminalitetit të rëndë dhe të organizuar janë dëshmi më të mira dhe konkrete se askush nuk është më i fortë se shteti dhe se nuk ka të pa prekshëm dhe të mbrojtur”, ka vlerësuar Ministri i punëve të brendshme Mevludin Nuhoxhiq. Ai sot, duke kryesuar mbledhjen e Zyrës për koordinimin operative të aktiviteteve të organeve të cilin e përbëjnë sektori i sigurisë dhe informimit, ka vlerësuar se situata e sigurisë në Mal të Zi është stabile, është kumtuar nga Ministria e punëve të brendshme. Nuhoxhiq ka theksuar se duhet intensifikuar punën operative dhe informative në terren si dhe aktivitetet në grumbullimin e të dhënave për grupet e organizuara kriminale, identifikimi e pjesëtare të ri, transaksionet financiare dhe lokalitetet  në të cilat tubohen anëtarët e këtyre grupeve.

 

Zgjidhja për MA të gjendet deri në fund të vitit

Kryetari i Këshillit të Agjencisë për mbrojtjen e konkurrencës, Miodrag Vujoviq, ka kumtuar se me përfaqësuesit e Komisionit Evropian është arritur marrëveshja që të bëhen përpjekje për gjetjen e zgjidhjes për Montengro Airlines deri në fund të dhjetorit të këtij viti. Ai në Këshillin parlamentarë për ekonomi, në të cilin është debatuar për ndarjen e ndihmës shtetërore për vitin e kaluar ka kumtuar se në takimin, në të cilin është diskutuar për MA, përveç përfaqësuesve të Komisionit evropian, kanë marrë pjesë edhe ministrat për financa, komunikacion  dhe ekonomi, shkruan gazeta “Pobjeda”. “Është arritur marrëveshja që të bëhen përpjekje në dialog me Komisionin evropianë që eventualisht të gjendet zgjidhje e caktuar dhe kjo nuk duhet të zgjasë më tepër se deri në fund të këtij viti”, ka theksuar Vujoviq, duke u përgjigjur në pyetjen e deputetit të Partisë Socialdemokratike, Rashko Konjeviq, duke shtuar se këto propozime kanë arritur nga Qeveria. Siç ka sqaruar, falimentimi dhe likuidimi, por edhe partneri strategjik janë opsione të cilat do ti trajtojë strategjia e cila duhet të sillet në nivelin e Qeverisë. Në Këshill kanë përkujtuar se në vitin e kaluar Kompanisë ajrore nacionale i janë ndarë 7.2 milion euro ndihmë shtetërore, kurse me rebalancin e buxhetit për vitin rrjedhës janë paraparë deri në 5.5 milion të cilat do të ndahet përmes ministrisë së infrastrukturës, me kusht që ato të jenë të përputhura me ligjin.

Nënshkruhen protokolle për liberalizimin e tregtisë

Dy protokolle për tregti dhe shërbime me të cilat  ndryshohet dhe zgjerohet marrëveshja aktuale për tregtinë e lirë ndërmjet Malit të Zi dhe republikës së Turqisë, i kanë nënshkruar sot në Ministrinë e tregtisë në Ankara, Ministrja e ekonomisë të Malit të Zi  Dragica Sekuliq dhe Ruhsar Pekçan, Ministre e tregtisë së Turqisë. Siç thuhet në kumtesën e ministrisë se ekonomisë, temë e protokollit është liberalizimi shtesë i tregtisë reciproke të prodhimeve bujqësore dhe qasje në tregun e shërbimeve.

 

Propozohen 5 anëtarë të Këshillit të Agjencisë për pengimin e korrupsionit

Këshilli parlamentarë për antikorrupsion ka propozuar sot pesë anëtarë të Këshillit të Agjencisë për pengimin e korrupsionit. Për këtë funksion janë propozuar Gavrillo Çabarkapa, Zllatko Vujoviq,  Momçillo Radulloviq, Goranka Vuçiniq dhe Rifat Hadroviq. Anëtarët e Këshillit i zgjedh Kuvendi i Malit të Zi për mandatin 4 vjeçar me propozimin e Këshillit për antikorrupsion. Në ftesën publike për zgjedhjen e pesë anëtarëve të Këshillit kanë arritur 19 fletëparaqitje kurse komisioni ka vërtetuar listën prej 13 kandidatëve të cilët i kanë plotësuar kushtetutë.

 

Nesër duhet të zgjedhën kryetari dhe nënkryetari i Këshillit të RTMZ

Këshilli i Radio Televizionit të Malit të Zi (RT i MZ), duhet të zgjedh nesër kryetarin dhe nënkryetarin e këtij trupi dhe anëtarët e Komisionit për vërejtjet dhe sugjerimet e dëgjuesve dhe të shikuesve. Mbledhja konstituive e Këshillit të Servisit Nacional Publik, është mbajtur me 2 korrik në Parlamentin e Malit të Zi. Mbledhjen konstituive e ka udhëhequr anëtari më i vjetër, Ilija Despotoviq. Anëtarë të Këshillit, përveç Despotoviqit, janë edhe, Ivan Jovetiq, David Delibashiq, Pavle Radovanoviq, Millan Radoviq, Goran Sekulloviq, Nikolla Tatar dhe Predrag Marseniq. Këshilli administrativ, me 14 korrik ka shpallur ftesën publike për OJQ-të, nga fusha e mbrojtjes të lirive dhe të drejtave njerëzore për zgjedhjen edhe të një anëtari të Këshillit. Konkursi është i hapur 45 ditë. Të theksojmë se përbërjes së mëparshme të Këshillit të RTMZ, i ka skaduar mandati më 19 qershor.

 

Vuçiq takohet me gjeneralin Volters, flasin për sitatën në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka pritur komandantin madhor të forcave të NATO-së për Evropë dhe komandantin e forcave amerikane, gjeneralin Tod Volters. Vuçiq dhe Volters kanë potencuar bashkëpunimin e mirë ndërmjet Aleancës së NATO-së dhe Serbisë që po zhvillohet duke respektuar neutralitetin e Ushtrisë së Serbisë. Vuçiq ka theksuar se forcat paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë nën udhëheqjen e NATO-së janë garant i sigurisë së popullit serb në Kosovë, andaj ka kërkuar nga kryeshefi i Ushtrisë së Serbisë që të jetë në kontakt të vazhdueshëm me komandantin e KFOR-it. Gjenerali amerikan Volters ka konfirmuar se KFOR edhe më tutje me përgjegjësi do kryej obligimet e saj në Kosovë dhe ka lavdëruar Vuçiqin në reagime të mençura dhe gjakftohta në situata të krizës në Kosovë. Gjenerali Volters ka mbështetur përpjekjet që Serbia po bënë në ruajtjen e stabilitetit dhe zgjerimin e bashkëpunimit në rajon. Vuçiq ka theksuar se bashkëpunimi i Ushtrisë së Serbisë me NATO në kuadër të programit të Partneritetit për Paqe është në interes të përbashkët dhe shprehu bindjen se ajo do të avancohet në ndërtimin e kapaciteteve me qëllim kontributit në paqen ndërkombëtare.

Engel i bën thirrje BE-së të liberalizojë vizat me Kosovën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, ka takuar kongresistin, njëherësh kryesues i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë, Eliot Engel. Sipas një komunikate nga zyra e kryetarit të Kuvendit, gjatë takimit, kongresisti Engel ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë përkrah Kosovës në të gjitha proceset që ajo ka para vetes. “Bashkimi Evropian duhet të ndërmarrë hapa të shpejtë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe të punojë bashkë me Kosovën në proceset euro-integruese”, ka thënë Engel. Në këtë takim, Veseli dhe kongresisti, Engel diskutuan edhe për nismën e kryeparlamentarit për dënimin e krimeve që Serbia ka kryer në Kosovë. Kongresisti Engel, ka thënë se “kriminelët duhet të përgjigjen para drejtësisë për të gjitha krimet që kanë kryer ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë”. Gjatë vizitës në SHBA, kryetari i Kuvendit ka takuar disa senatorë dhe kongresistë. Në forumin e liderëve parlamentarë të organizuar dje nga Kongresi Amerikan, në Washington, Veseli ka theksuar rëndësinë e njohjes së Kosovës nga vendet që ende nuk e kanë njohur.

 

Zhgënjyese nëse ndërlidhet liberalizimi me vazhdimin e dialogut

Ministrja për Integrime Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, thotë se ndërlidhja e mundshme e procesit të liberalizmit të vizave për Kosovën me dialogun politik me Serbinë, do të ishte zhgënjyese. Ajo në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thekson se ka tendenca të tilla, përkundër faktit se duhet të pranojmë se ka pasur kërkesa, qoftë për suspendimin e taksës, qoftë për vazhdimin e dialogut. “Liberalizimi i vizave është në hapin e fundit, pra në shqyrtimin e Këshillit të Ministrave. Po them se është në hapin e fundit sepse pas vendimit që do të merret - pra një vendim konsensual nevojitet, e kam thënë që duhet të ketë një shumicë të kualifikuar1, u shpreh ajo. Ajo shpreson që procesi i dialogut dhe ai i vizave të mos ndërlidhet, sepse ne qysh në start Kosova e ka paguar dyfishin e çmimit që vendet e rajonit e kanë paguar për këtë proces, “pra ne kemi 95 kritere, kurse vendet e tjera i kanë pasur 40-45 kritere”. Hoxha thotë po ashtu se liberalizimi i vizave është në hapin e fundit në shqyrtimin e Këshillit të Ministrave.

 

Nuk ka bisedime me Serbinë pa një kornizë me marrëveshje për njohje reciproke

Kryeministri Ramush Haradinaj, deklaroi se Kosova nuk do të ulet më në tryezën e bisedimeve me Serbinë pa një kornizë marrëveshje për njohje të ndërsjellë në kufijtë ekzistues. Ai kritikoi Serbinë dhe një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare, për hezitim për ta përfshirë këtë parim në një kuadër të marrëveshjes së mundshme. Haradinaj ka mirëpritur votimin e Ursula von der Leyen, Ministre aktuale e Mbrojtjes së Gjermanisë, për pozitën e kryetares së Komisionit Evropian dhe ka shprehur besimin se KE nën udhëheqjen e saj, do të kthejë Kosovën në dinamikat e plota integruese evropiane. Ai ka theksuar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të rifillojë pa kushte deri në arritjen e marrëveshjes për njohjen reciproke në kufijtë ekzistues. “Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të rifillojë pa kushte deri në arritjen e marrëveshjes për njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe besoj se Komisioni Evropian do të intensifikojë përpjekjet si pjesë të politikës së zgjerimit. Jemi të bindur që zonja Ursula von der Leyen do t’i qëndrojë besnike qëndrimit, për një Evropë unike dhe të fuqishme”, u shpreh kryeministri kosovar. Bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë mbeten të pezulluara, ndërsa presidenti francez Emanuel Macron gjatë qëndrimit në Beograd tha se do të organizojë një takim në Paris ndërmjet palëve bashkë me kancelaren gjermane Angela Merkel.

Meta këmbëngulë në mbajtjen e zgjedhjeve të trefishta më 13 tetor

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta vazhdon të këmbëngulë në nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të trefishta më 13 tetor të këtij viti në Shqipëri, për të garantuar sipas tij hapjen e negociatave të anëtarësimit mes Shqipërisë dhe BE-së. “30 qershori iku si një datë e përbashkët vetëm kalendarike. Përpara kemi një datë tepër të rëndësishme, për ne dhe të ardhmen e vendit tonë, 17-18 tetor 2019, kur Këshilli i Bashkimit Evropian do të marrë një vendim për çeljen ose jo të negociatave me Shqipërinë” shkruan Meta në një status në Facebook. “Nuk mund të vazhdohet më të ecet në dy rrugë të kundërta, që nuk takohen me njëra-tjetrën. Të dy palët duhet t’u krijojnë mundësinë të gjithë qytetarëve shqiptarë, që në mënyrë të qetë, civile dhe demokratike të shprehin sovranitetin e tyre për të gjitha institucionet, vendore dhe qendrore, përfshi dhe Presidentin”, paralajmëron presidenti Ilir Meta. Reagimi i Metës vjen ndërsa mazhoranca e majtë ka nisur me vendosmëri procesin e shkarkimit të kreut të shtetit pasi e ka akuzuar se ka shkelur kushtetutën duke miratuar dekretin fillimisht për shtyrjen e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, e më pas mbajtjen e tyre më 13 tetor. Mazhoranca e majtë është shprehur kategorikisht kundër.

 

PE miraton emërimin e Ursula von der Leyen si presidente të KE-së

Ursula von der Leyen u emërua zyrtarisht si kryetare e Komisionit Evropian. Pro emërimit të saj votuan 383 ligjvënës evropianë, 327 e kundërshtuan dhe 22 abstenuan. Von der Leyen, e cila ka shërbyer si ministre e Mbrojtjes e Gjermanisë,  iu drejtua dje Parlamentit Evropian, për të bindur deputetët që e meriton këtë funksion. Ajo u kritikua për mënyrën se si u propozua emri i saj për këtë post, pasi që nuk ishte e pranishme në fushatën evropiane parazgjedhore, dhe as në mesin e kandidatëve që u janë paraqitur votuesve evropianë për të kryesuar Komisionin Evropian. Komisioni Evropian është organi kryesor ekzekutiv i BE-së. Ky institucion ka 28 komisionerë, numër ky i barabartë me vendet anëtare të BE-së. Secili vend propozon një komisioner. Deri më tani pozitën e kryetarit të Komisionit Evropian e ka mbajtur, Jean Claud-Juncker.

 

Sistemi rus në Turqi, Trump fajëson Obamën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shprehu keqardhje për pamundësinë që SHBA-ja t’i shiste Turqisë aeroplanët luftarakë F-35, pasi Ankaraja ka zgjedhur të blejë sistemin më të ri të mbrojtjes ajrore S-400 të Rusisë. Duke folur për gazetarët, Trump nuk përmendi sanksionet që kërkohen ligjërisht të zbatohen, pasi Turqia filloi pranimin e dërgesave të pajisjeve ruse. Presidenti Trump tha se ishte "jo e drejtë" që SHBA-ja anuloi shitjen e mbi 100 aeroplanëve në Turqi duke nënkuptuar se paraardhësi i tij, Barack Obama, duhet fajësuar, sepse SHBA-ja nuk arriti të shiste raketat Patriot. Megjithëse, SHBA-ja filloi procesin e shitjes në Turqi, të një sistemi raketash “Patriot” më 2013, kjo marrëveshje kurrë nuk përfundoi, pasi Turqia filloi të kërkonte më shumë specifika të transferimit të teknologjisë, raporton CNN. Administrata e presidentit amerikan kërcënoi se do të përjashtojë Turqinë nga programi i avionit luftarak F-35 pasi u furnizua me sistemin S-400 nga Rusia, duke paralajmëruar se sistemi për mbrojtje ajrore mund të përdoret nga Moska për të zbuluar fshehurazi informata sekrete rreth avionit luftarak. Turqia ka pranuar tri dërgesat e para të komponentëve të sistemit S-400 më 12 korrik dhe dërgesën e katërt një ditë më pas. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët konsiderojnë se sistemi S-400 nuk është në përputhje me sistemet e NATO-s dhe paraqet kërcënim për avionët luftarakë të tipit F-35.

Prezantohet zgjidhja ideore për Mavrian

Sot në Zyrën e kryetarit të Komunës së Ulqinit Loro Nrekiq u prezentua zgjidhja ideore për ndërtimin e kompleksit turistik në malin Mavrian. Sipas këtij projekti ideor, të cilin e ka punuar, kompania e njohur Ing - Invest nga Podgorica, me kërkesë të kryetarit Nrekiq. Parashihet të ndërtohen tri hotele me 5 yje, një hotel kazino poashtu me 5 yje, dhe 105 vila. Kapaciteti i përgjithshëm i këtij kompleksi turistik është prej 4-5 mijë shtretër. Të pranishëm në këtë prezantim ishin kryetari i Kuvendit të Komunës, dr. Ilir Çapuni, dy nënkryetarët e komunës dhe sekretarët e sekretariateve komunale. Ishte vlerësim i përgjithshëm se realizimi i këtij projekti është i rëndësishëm jo vetëm për Ulqinin, por edhe për Malin e Zi.

Përgatiti, Gjekë Gjonaj

 

Kuvendi i Tuzit nesër për buxhet

Nesër në Tuz, do të mbahet mbledhja e Kuvendit të kësaj komune, në të cilën këshilltarët do të shqyrtojnë disa pika të parapara me rendin e  ditës. Mbledhja e nesërme e VII –të  me radhë, siç është paralajmëruar nga  Kuvendi, do të fillojë në orën 10 kurse këshilltarët do të fillojnë seancën me pikën e parë, respektivisht  propozim- vendimin mbi buxhetin e komunës për vitin rrjedhës, 2019. Të rikujtojmë se kohë më parë është zhvilluar debati publik lidhur me propozim buxhetin e komunës dhe, siç kanë paralajmëruar, i njëjti,  me sugjerimet  dhe plotësimet e propozuara do të  shqyrtohet nga këshilltarët në Parlamentin lokal. Më pas, mbledhja do të vazhdoj me shqyrtimin e 36 pikave tjera të parapara me rendin e  ditës,  siç janë: propozim vendimi mbi taksat lokale administrative, pastaj propozim vendimi mbi taksat lokale komunale, propozim vendimi mbi kompensimin e  këshilltarëve në kuvendin e komunës së Tuzit.

Përveç këtyre, këshilltarët do të shqyrtojnë edhe propozim vendimin mbi mbrojtjen sociale dhe të fëmijëve, pastaj propozim vendimin mbi themelimin e ndërmarrjes së shërbimeve publike “Komunaljet”, kështu me radhë. Ndërkaq, me themelimin e  komunës së plotë, pushteti vendor vazhdon procesin e  formimit të  institucioneve  dhe ndërmarrjeve publike përkatëse,  për funksionimin e mirëfilltë të pushtetit vendor. Andaj, në  Seancat e Kuvendit vendor,  këshilltarët debatojnë për pika dhe propozim vendime të shumta të rëndësishme në funksionimin e pushtetit për të mirën e qytetarëve në territorin e komunës.

përgatiti, Gjokë Dukaj

 

Sot fillon pagesa e kompensimeve materiale

Pagesa e kompensimeve materiale nga mbrojtja shëndetësore dhe fëmijëve ka filluar sot, është kumtuar nga Ministria për punë dhe çështjeve sociale. Ministria për këtë qëllim ka siguruar rreth 6.7 milion euro.                                                                                                                         

Nesër mot me diell

Në Mal të Zi sot po mban mot kryesisht i kthjellët, në veri me vranësira të pakta. Frynë erë mesatare nga drejtime të ndryshme.  Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Podgoricë e Budvë 31 gradë, Herceg Novi 30, Tivar e Ulqin 29, Cetinë 26, Nikshiq 25, Plavë 24, Plevle 23, Rozhaj 22, Kollashin 21 dhe në Zhablak 18 gradë.

Për nesër parashihet të mbajë mot kryesisht me diell. Në orët e pas ditës në viset e larta malore janë të mundshme edhe reshje të dobëta të shiut dhe bubullimë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare jug perëndimore. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 6 deri në 20, kurse më e larta e ditës prej 21 deri në 33 gradë celsius.  

ditarin e përgatiti, Senad Gilaj

Komentari 0

ostavi komentar

Ostavi komentar

Pravila komentarisanja sadržaja Portala RTCG
Poštujući načelo demokratičnosti, kao i pravo građana da slobodno i kritički iznose mišljenje o pojavama, procesima, događajima i ličnostima, u cilju razvijanja kulture javnog dijaloga, na Portalu nijesu dozvoljeni komentari koji vrijeđaju dostojanstvo ličnosti ili sadrže prijetnje, govor mržnje, neprovjerene optužbe, kao i rasističke poruke. Nijesu dozvoljeni ni komentari kojima se narušava nacionalna, vjerska i rodna ravnopravnost ili podstiče mržnja prema LGBT populaciji. Neće biti objavljeni ni komentari pisani velikim slovima i obimni "copy/paste" sadrzaji knjiga i publikacija.Zadržavamo pravo kraćenja komentara.

Da biste komentarisali vijesti pod vašim imenom

Ulogujte se