Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

24. 09. 2019. 17:12 >> 17:20

Ditari 24.09.2019

24.09.2019

Mali i Zi dhe Serbia të gatshme për anëtarësim në BE

Zëdhënësi i Qeverisë së Hungarisë, Zolltan Kovaç ka vlerësuar në Vjenë se Mali i Zi dhe Serbia, sipas mendimit të Budapestës, janë të gatshme për tu pranuar në Bashkimin Evropian. Në konferencën për gazetarët, Kovaç ja ka tërhequr vërejtjen BE-së nga heqja dorë e mëtejme nga strategjia për Ballkanin Perëndimorë, duke theksuar se edhe Kina e ka një strategji të vetën për këtë rajon.

“Nga e kaluara e kemi të njohur se gjithmonë ka pasur probleme nëse Ballkanit nuk i është kushtuar vëmendje e duhur”, ka theksuar ai, duke shtuar se problemet më të mëdha të sigurisë në këtë rajon i sheh në ekstremizmin fetarë në Bosnjë Hercegovinë. Për këtë arsye, thotë Kovaç, BE duhet ti kushtojë më tepër vëmendje rajonit. Ai është pajtuar edhe për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë Veriore.

 

Pa një Qeveri teknike, nuk mund të ketë zgjedhje të lira

Pa një Qeveri teknike, nuk mund të ketë zbatim efikas të legjislacionit të reformuar zgjedhorë dhe as kushte për zgjedhje të lira, u kanë deklaruar përfaqësuesit e opozitës, Shefit të delegacionit të BE në Mal të Zi, Aivo Orav dhe ambasadorëve të shteteve anëtare të BE. Takimi me Orav dhe me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, është mbajtur sot në Podgoricë.

Pas takimit, deputeti i Partisë Socialdemokratike, Rashko Konjeviq, ka deklaruar se gjatë takimit e kanë afirmuar dialogun dhe konsensusin duke paralajmëruar komunikim të ngjashëm edhe në të ardhmen. Konjeviq ka theksuar se për Malin e Zi është e rëndësishme që të arrihet zgjidhje ligjore, kurse pastaj edhe zbatimi i ligjit. “Të gjitha partitë pjesëmarrëse në takim kanë theksuar se nuk kanë besim në zbatimin e ligjit nëse kjo nuk realizohet përmes një modeli të caktuar të Qeverisë teknike”, ka deklaruar Konjeviq. Lideri i Demokratëve, Aleksa Beçiq ka shtuar se gjithnjë ekziston obstruksion i vazhdueshëm i marrëveshjes së Brukselit, si nga Partia demokratike e Socialistëve, ashtu edhe nga opozita. Edhe nga URA kanë theksuar se Qeveria teknike është e vetmja garanci për zbatimin e legjislacionit zgjedhorë, ku edhe deputeti i pavarur, Aleksandër Damjanoviq thotë se nuk mund të ketë kompromis, kur është fjala për respektimin e dispozitave ligjore.

 

Është e qartë se demokratët nuk duan marrëveshje

Pas më tepër se katër orë e gjysmë të punës në Grupin punues për legjislacionin zgjedhorë, është bërë më tepër se e qartë se kolegët tonë Demokrat, nuk dëshirojnë marrëveshje, ka deklaruar deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve në Kuvendin e Malit të Zi, e anëtar i Këshillit për reformën zgjedhore dhe legjislacionin tjetër, Predrag Sekuliq.

“Nuk është ky vetëm raport ndaj PDS, por edhe ndaj partive tjera të koalicionit në pushtet, por njëkohësisht edhe ndaj sektorit joqeveritar dhe kolegëve nga bashkësia akademike, të cilët gjatë një viti e gjysmë të fundit, kanë punuar në zgjidhjet më të mira demokratike kur është fjala për Ligjet zgjedhore”, ka theksuar Sekuliq.  Ai ka vlerësuar se Demokratët në këtë mënyrë i bëjnë shantazh PDS-së. Sekuliq beson se në një periudhë të ardhshme, do të përpiqen edhe një herë që me kolegët nga opozita të kërkojnë dhe të gjejnë zgjidhje të mira.

 

Diaspora, potencial për një të ardhme më të mirë

Diaspora është potencial i rëndësishëm i Malit të Zi për një të ardhme më të mirë, ka vlerësuar presidenti Millo Gjukanoviq, gjatë takimit me përfaqësuesit e diasporës në Nju Jork. Ai, pas shkuarjes në Nju Jork, ku merr pjesë në mbledhjen e 74-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, është takuar me përfaqësuesit e diasporës nën organizimin e Konsullatës së përgjithshme të Malit të Zi në Nju Jork.

Gjukanoviq, siç thuhet në kumtesën nga kabineti i tij, i ka falënderuar të pranishmit dhe tërë diasporën për lojalitetin ndaj Malit të Zi dhe për kontributin dhënë objektivave shtetërore përmes konstatimit se edhe diaspora paraqet potencial të rëndësishëm të Malit të Zi për një të ardhme të afërt më të mirë. “Është biseduar edhe për proceset aktuale në Mal të Zi dhe rajon, në kontekstin e aspiratave integruese, arritjen e vlerave dhe standardeve evropiane dhe ngritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve”, thuhet në kumtesë. Gjukanoviq, siç është paralajmëruar, do të takohet me përfaqësuesit e shoqatave të diasporës malazeze, të enjten, pas fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Përndryshe, presidenti do të marrë sot pjesë në hapjen zyrtare të debatit të përgjithëm në seancën e 74-të të Asamblesë së Përgjithshme. Ai do të jetë edhe mysafir i pritjes të presidentit amerikan Donald Trump dhe të kryetarit të Këshillit Evropian, Donald Tusk.

 

Raste për investime në energjetikë dhe në bujqësi

Mali i Zi dhe Sllovenia zhvillojnë marrëdhënie të mira politike dhe bilaterale, por edhe bashkëpunim të mirë ekonomik, i cili mund të përparohet në fushën e turizmit, energjetikës dhe bujqësisë, është vlerësuar gjatë takimit të kryeministrit Dushko Markoviq me ambasadorin e sapoemëruar të Sllovenisë në Mal të Zi, Gregor Presker. Markoviq ka përkujtuar rritjen e fortë ekonomike prej gati 5% gjatë dy viteve të kaluara, uljen e papunësisë dhe përmirësimin e infrastrukturës si parakusht kryesorë për zhvillim. “Rastet për investimet në Mal të Zi janë të shumta. E kemi konsoliduar sektorin energjetik, i jemi kthyer burimeve të ripërsëritëshme të energjisë dhe kjo fushë është rast serioz dhe i madh për ekonominë malazeze, por edhe për investimet e huaja2, ka thënë Markoviq, duke përmendur dhjetëra miliona euro investime në bujqësi, si përmes agrobuxhetit, poashtu edhe përmes përkrahjeve të ndryshme programore nga BE. Ambasadori Presker ka theksuar se Mali i Zi është faktor stabilizues në rajon dhe se Sllovenia përkrah fuqishëm zgjerimin e BE në Ballkanin Perëndimorë.  Gjatë takimit është biseduar edhe për situatën në rajon, duke konstatuar rëndësinë e dyerve të hapura të BE për vendet e Ballkanit Perëndimorë dhe intensifikimin e procesit të integrimeve.

 

Qeveria është kundër uljes së ngarkesave për punëdhënësit

Partia Demokratike e Socialistëve, Social demokratët dhe FORCA në mbledhjen e Këshillit për ekonomi, financa dhe buxhet, kanë votuar kundër propozimit të Partisë Socialdemokratike që të ulen ngarkesat tatimore të cilat i paguajnë punëdhënësit malazez nga 67%, sa është aktualisht, në 55% duke treguar në këtë mënyrë se preferojnë reformat dhe progresin, konsiderojnë në Partinë Socialdemokratike. Në këtë Parti kanë theksuar se me miratimin e këtij propozimi do të shkarkohej dukshëm ekonomia malazeze, do të rritej konkurrenca e do të krijoheshin kushtet për investime por edhe për  rritjen e të ardhurave për të punësuarit në sektorin real në të cilat ngecin tash 8 vjet me radhë. Edhe përkundër këtij refuzimi, ata do të vazhdojnë së bashku me shoqatat e punëdhënësve që të luftojnë për uljen e tatimeve në të ardhura dhe në këtë mënyrë të mundësojnë kushte më të mira dhe konkurruese për ekonominë malazeze dhe për rroga më të larta të punësuarve.

 

IRSH jep mendim të përmbajtur

Institucioni Revizor i Shtetit (IRSH) ka dhënë mendim të përmbajtur për rividimin e evidentimit të llogaritjes dhe pagesës së kontributeve për sigurimin social. IRSH, siç theksohet në kumtesë ka bërë revizionin e rregullsive edhe të sistemit informativ të evidentimit të llogaritjeve dhe pagesës së kontributeve për sigurimin social. Revizioni ka të bëjë me evidentimin e llogaritjeve dhe të pagesës së kontributeve për sigurimin social në sistemin informativ të drejtorisë së tatim pagimeve, si dhe transferimin e të dhënave në Fondin pensionistë dhe të Sigurimit invalidor dhe në Fondin për sigurimin shëndetësor, thuhet në kumtesë. Institucioni Revizor i Shtetit në raport ka konstatuar se Ministria e financave nuk i ka dorëzuar disa dokumentacione të kërkuara.

 

Policia e vendosur që të luftojë të gjitha format e kriminalitetit

“Policia ka treguar vendosmëri që tu kundërvihet të gjitha formave të kriminalitetit”, ka vlerësuar Ministri për punë të brendshme Mevludin Nuhoxhiq, gjatë bisedimeve me shefin e Qendrës së sigurisë në Podgoricë, Millovan Paviqeviq. Nuhoxhiq ka theksuar se policia sekuestron sasira të mëdha të lëndëve narkotike dhe shoqërojnë shumë të dyshuar për shkak të posedimit ilegal të armëve. “Në luftën kundër dhunës në familje duhet bërë përpjekje plotësuese”, ka theksuar Nuhoxhiq. Ai, siç është kumtuar nga ministria e punëve të brendshme, ka theksuar rëndësinë e respektimit të drejtave njerëzore dhe të sjelljeve humane të nëpunësve policor të cilët qëndrojnë në lokalet e burgjeve. Paviqeviq ka kumtuar se është zvogëluar numri i autorëve të veprave penale dhe njëkohësisht është rritur përqindja e zbardhjes së këtyre veprave.

 

Qëllimi i qeverisë është zhvillimi më dinamik i Veriut    

“Në Veri të Malit të Zi ekzistojnë shumë sfida, por qëllimi i Qeverisë është zhvillimi më dinamik i këtij rajoni, kurse përmirësimi i rrjetit rrugor  është parakusht për zhvillimin e bujqësisë, por edhe për një jetë më cilësore të banorëve të këtij rajoni”, ka vlerësuar Ministri i  komunikacionit dhe detarisë, Osman Nurkoviq. Ai ka vizituar sot zhvillimin e punimeve në disa lokalitete në kuadër të vizitës punuese në komunën Beranë. Në fillim të vizitës është mbajtur takimi me kryetarin e komunës Beranë, Dragosllav Shqekiq, në të cilin kanë marrë pjesë edhe drejtori i përgjithshëm i drejtorisë për rrugët shtetërore, Mirsad Ibrahimoviq dhe drejtori i drejtorisë për komunikacion, Savo Paraça. Takimi, siç është kumtuar nga kjo Ministri, ishte rast i mirë të bisedohet edhe për projektet rrjedhëse në territorin e kësaj komune.

 

Mbi 400 filloristë kanë treguar njohuri nga gjuhët evropiane

Nxënësit e shkollave fillore të Malit të Zi, rreth 435 prej tyre, kanë marrë pjesë në garën e njohjes së gjuheve evropiane, kurse 15 më të mirët do të vizitojnë ambasadat e Mbretërisë së Bashkua, Francës, Italisë, Gjermanisë dhe të Rusisë në Podgoricë ku do të marrin shpërblime me vlerë. Sekretariati i përgjithshëm i Qeverisë – sektori për informimin e opinionit për BE dhe për asocimin e Malit të Zi në Union, me rastin e 26 shtatorit, Ditës Evropiane të gjuhës, ka organizuar garën online për nxënësit e klasave të 8-ta dhe të 9-ta të shkollave fillore të Malit të Zi nga njohja e gjuhës angleze, frënge, italiane, ruse dhe gjermane. Nga sekretariati i përgjithshëm i Qeverisë kanë theksuar se nxënësit e shkollave fillore kanë treguar interesim të madh për këtë garë dhe nga tre më të mirët nga çdo kategori do të shpërblehen.

 

Vuçiq kërkon nga Greqia të mos e njohë Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërkoi nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, që Greqia të mos e ndryshojë qëndrimin për mosnjohjen e Kosovës, duke thënë se një gjë e tillë është jashtëzakonisht e rëndësishme për Serbinë.

Dy liderët u takuan në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, bëri të ditur shërbimi për media i Presidencës serbe. Sipas komunikatës së lëshuar, Vuçiq tha se popullin serb dhe atë grek i lidh një miqësi e sinqertë dhe se është e nevojshme të punohet për forcimin e bashkëpunimit ekonomik. Vuçiq tha se e falënderon Greqinë për mbështetjen që i jep dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve. Në komunikatë thuhet se Vuçiq e njoftoi kryeministrin grek edhe me, siç u shpreh, problemet që kanë lindur pas vendimit të autoriteteve në Kosovë për t'iu vënë taksë prodhimeve të importuara nga Serbia. Mitsotakis, në anën tjetër, tha se Greqia e mbështet dialogun, por konsideron se "veprimet e njëanshme nuk kontribuojnë në të". Mitsotakis po ashtu tha se Greqia nuk ndryshon qëndrim kur është në pyetje njohja e Kosovës. Greqia, së bashku me Spanjën, Sllovakinë, Qipron dhe Rumaninë, janë pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njohin ende pavarësinë e Kosovës, të shpallur në shkurt të vitit 2008.

 

Ideale është vazhdimi i bisedimeve para zgjedhjeve në Serbi

Prishtina duhet ta anulojë taksën ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja, ndërsa Beogradi duhet të bëjë hapa përpara drejt një kompromisi për vazhdimin e dialogut dhe normalizimin e raporteve, ka thënë ambasadori në largim i SHBA-së në Serbi. “Është e qartë se ekziston një problem në Serbi rreth asaj se çka mund të nxjerrin nga një kompromis, por jam i sigurt se Qeveria dhe presidenti Vuçiq janë të gatshëm të kërkojmë një kompromis”, tha Scott. Ai shtoi se politika e Kosovës ishte më pak fleksibile. “Isha optimist se procesi i negociatave po shkonte në drejtimin e duhur por nga vjeshta e shkuar ka marrë kahjen e gabuar.  Është koha për qetësim dhe përqendrim tek interesat afatgjate të Serbisë dhe Kosovës”, tha ambasadori. “Nëse ndodh kjo, në skenarin më optimist, ne mund të presim vazhdimin e dialogut para fillimit të fushatës zgjedhore në Serbi”, shtoi ai. Duke komentuar emërimin e Matthew Palmer si të dërguar special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Scott tha se ishte pasojë e synimeve të Washingtonit për të qëndruar në rajon dhe për të luajtur rol edhe më të rëndësishëm.

 

Shkëmbimi i territoreve ide e rrezikshme

Shkëmbimi i territoreve mes Kosovës e Serbisë do ta hapte “Kutinë e Pandorës”. Kështu është shprehur presidentja kroate, Kolinda Grabar Kitaroviq, gjatë vizitës në SHBA në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“E kam përmendur se shkëmbimi i territoreve mes Kosovës e Serbsië do të ishte një ide e keqe që do të hapte Kutinë e Pandorës, dhe do të adresonte ndryshimet tjera territoriale në vendet e ish-Jugosllavisë”, ka thënë ajo. Në takimin që Kitaroviq pati me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres ajo tha se ka kundërshtuar dhe kritikuar ashpër këtë ide. Në SHBA aktualisht janë duke qëndruar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Behxhet Pacolli si dhe presidenti Hashim Thaçi. Thaçi para pak ditësh madje pati një takim me homologen e tij kroate, nga ku diskutuan për bashkëpunimin mes dy vendeve.

 

Qeveria e re e Kosovës të garantojë një ekonomi të tregut me konkurrencë të lirë

Vazhdimi i reformës në mjedisin e të bërit biznes, i cili do të mundësonte fuqizimin e sektorit privat dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte, duhet të jetë prioritet i Qeverisë së re të Kosovës, thuhet në një komunikatë të Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës (OEAK). “Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të demonstrojë me veprime konkrete angazhimin e saj për një zhvillim më të hovshëm të Kosovës, duke garantuar një ekonomi të tregut me konkurrencë të lirë, si bazë e rregullimit ekonomik të Republikës së Kosovës, dhe rrjedhimisht duke bërë të mundshme angazhimin e të gjitha kapaciteteve të ndërmarrjeve brendshme dhe atyre të jashtme për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, thuhet në komunikatë. Sipas anëtarëve të OEAK-së, strategjia nacionale e zhvillimit ekonomik do të duhej të ishte ndër dokumentet e para të prodhuara nga Qeveria e re. Zgjedhjet parlamentare në Kosovë, do të mbahen më 6 tetor.

 

Subjektet politike të respektojnë Kodin e mirësjelljes

BE bën thirrje që procesi zgjedhor në Kosovë të mbahet në mënyrë të qetë, transparente dhe gjithëpërfshirëse, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe sundimin e së drejtës. Të gjitha partitë politike dhe udhëheqësit e tyre duhet të sigurojnë fushatë respektuese të përqendruar në programe konkrete në interes të popullit të Kosovës. “Zgjedhjet janë një prej komponentëve themelorë të demokracisë. Ato janë një mundësi për popullin e Kosovës për ta ushtruar të drejtën e tyre demokratike për të votuar dhe zgjedhur udhëheqësit e vet”, thuhet në komunikatë. Në prag të fillimit të fushatës zyrtare zgjedhore për Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit, koalicioni i OJQ-ve vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, ka mobilizuar 72 vëzhgues afatgjatë për të përcjellë aktivitetet e subjekteve politike, përfshirë shpenzimet e tyre gjatë fushatës zgjedhore 10 ditëshe në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Paneli Zgjedhore për Ankesa dhe Parashtresa ka mbajtur konferencë për medie në lidhje me fushatën zgjedhore e cila fillon zyrtarisht nesër. Ata u ka bërë thirrje që partitë politike të bëjnë fushatë në përputhje me ligjin, pasi në të kundërtën do të shqiptojë gjoba. “Të gjitha subjektet politike kanë të drejtë të mbajnë tubime të bëjnë fushatë të drejtë në përputhje me ligjin. Por janë kornizat ligjore për fushat zgjedhore, vendet e lejuara dhe të gabuara të fushatës zgjedhore”, u tha sot në Prishtinë nga ana e Panelit Zgjedhor kosovar. Ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka bërë apel partive politike të dorëzojnë raportet për financimet gjatë fushatës elektorale. Zëdhënësja e Komisionit Drilona Hoxha tha se vetëm 5 nga 36 parti pjesëmarrëse i kanë dorëzuar raportet. Ajo tha se afati i fundit është data 26 Shtator dhe do merren masa administrative për partitë që do të shkelin ligjin.

 

Pezullimi i parlamentit ishte veprim i paligjshëm

Vendimi i kryeministrit britanik, Boris Johnson, për të pezulluar punën e parlamentit, ishte veprim i paligjshëm. Kështu ka vendosur Gjykata Supreme e Britanisë së Madhe. Kryeministri Johnson e pezulloi punën e parlamentit për pesë javë në fillim të këtij muaji. Por, Gjykata tha se është e paligjshme të ndalosh parlamentin të kryejë detyrat e tij. Kryetarja e Gjykatës, Brenda Hale tha se “efektet në themelet e demokracisë së vendit ishin ekstreme”. Ajo tha se 11 gjyqtarët vendosën njëzëri se vendimi për pezullimin e parlamentit ishte i pavlefshëm dhe pa asnjë efekt. Sipas saj, i takon kryesuesit të parlamentit të vendos për hapat e mëtejshëm. Kryesuesi, John Bercow, përshëndeti vendimin dhe tha se parlamenti "duhet të mblidhet pa vonesë", duke shtuar se ai tani do të konsultohej me liderët e partive. Kritikët kanë thënë se ky veprim i kryeministrit Johnson, kishte për qëllim të kufizonte mbikëqyrjen e planeve të tij lidhur me procesin e daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja. Por, Johnson, i cili po merr pjesë në konferencën e Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike në New York, nuk e ka përjashtuar mundësinë e një shpërbërjeje të re të Parlamentit nëse aktvendimi shkon kundër tij. Britania e Madhe duhet të largohet nga Bashkimi Evropian deri më 31 tetor.

 

Trump i drejtohet AP të OKB-së, në fokus Irani

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se mosmarrëveshja e tij me Iranin do të jetë çështja kryesore në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Trump do t'i drejtohet sot këtij tubimi. "Shumë gjëra po ndodhin në lidhje me Iranin, shumë më tepër sesa dini ju, shumë më tepër sesa dinë mediat", u tha Trump gazetarëve në Nju Jork.

Trump, prejse ka marrë detyrën në janar të vitit 2017, ka marrë një qëndrim të ashpër ndaj Iranit. Në maj të vitit 2018, ai është tërhequr nga një marrëveshje bërthamore, që Irani e ka nënshkruar me fuqitë botërore, dhe ka rikthyer sanksione të ashpra mbi ekonominë iraniane. Ka pasur spekulime në rritje për një takim të mundshëm të Trumpit me presidentin e Iranit, Hassan Rohani, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, por Trump tha se asgjë nuk është planifikuar. Trump po ashtu tha se do t'i thotë Asamblesë se "Shtetet e Bashkuara janë vendi më i madh në botë - kurrë nuk kanë qenë më të fuqishme, kurrë nuk kanë qenë më mirë".

 

Rritet bindja se Irani qëndron prapa sulmeve në Arabinë Saudite

Udhëheqësit e Britanisë, Francës dhe Gjermanisë i mbështetën Shtetet e Bashkuara në vlerësimin e tyre se Irani është fajtor për sulmet në rafineritë e naftës në Arabinë Saudite dhe i bënë thirrje Teheranit që të zgjedhë dialogun në vend të "provokimeve". "Është e qartë për ne se Irani mban përgjegjësinë për sulmet me dronë dhe raketa në dy objekte të naftës", thanë përmes një deklarate të përbashkët kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel. "Nuk ka asnjë shpjegim tjetër të arsyeshëm", thanë ata në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, i hodhi poshtë akuzat, duke thënë se tre liderët evropianë "po i përsërisin pretendimet absurde të SHBA-së". Irani e ka mohuar përfshirjen në sulmet e 14 shtatorit në Arabinë Saudite. Përgjegjësinë për to e kanë marrë rebelët Huthi në Jemen, të cilët janë të lidhur me Iranin dhe luftojnë një koalicion të udhëhequr nga Arabia Saudite në luftën e Jemenit. Uashingtoni ka thënë se nuk do konflikt të armatosur me Iranin, porse të gjitha opsionet mbeten në tavolinë për t'iu përgjigjur përfshirjes së dyshuar të Teheranit në sulme. Irani e ka paralajmëruar SHBA-në se çdo sulm mund të çojë në luftë të gjerë.

 

Gjeloshaj priti sot Reisin e Bashkësisë Islame në Mal të Zi

Kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, kryetari i Kuvendit të komunës së Tuzit, Fadil Kajoshaj si dhe nënkryetarët e komunës, Ivan Ivanaj dhe Haris Ramoviq, pritën sot në takim reisin e Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Rifat Fejziq me bashkëpunëtorët e tij. Kryetari i komunës së Tuzit, duke veçuar rëndësinë e harmonisë fetare, dhe multikonfesionalizmin në këtë vend, falënderoi reisin e Bashkësisë Islame për vizitë si dhe shprehi gatishmërinë e tij për bashkëpunim institucional në ruajtjen dhe afirmimin e vlerave shoqërore të trashëguara me shekuj. Reisi i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Rifat efendi Fejziq, falënderoi udhëheqësin e komunës për mikpritje si dhe u uroi punë të mbarë në të mirë të të gjithë qytetarëve.

 

Ylber Hysa, ambasadori kosovar në Mal të Zi, vizitoi dje Tuzin e sot Ulqinin

Sot kryetari i Forcës së Re Demokratike Nazif Cungu me bashkëpunëtorët  Ilir Çapunin dhe Fatime Truma, priti ambasadorin e ri të Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Ylber Hysa me bashkëpunëtorët e vet. Në këtë takim njohjeje, u diskutua lidhur me pozitën dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi. Gjatë takimit u theksua rëndësia e pakicave për bashkëpunim në mes të Malit të Zi dhe Kosovës si në fushën e ekonomisë, arsimit, infrastrukturës dhe kulturës. Gjithashtu u shpalosën edhe projektet dhe synimet e interesat konkrete që përkojnë me shqiptarët në këto treva. Ambasadori kosovar dje vizitoi Tuzin ku u prit nga krereët e kësaj komune, kryetari Nikë Gjeloshaj, kryetari i Kuvendit, Fadil Kajoshaj dhe nënkryetarët e Komunës, Ivan Ivanaj e Haris Ramoviq. Gjatë bisedës miqësore në mes dy palëve, ata u shprehën të kënaqur për bashkëpunim të deritashëm si dhe potencuan gatishmërinë e ndërsjellë për avancimin e marrëdhënieve të përgjithshme mes dy vendeve mike.  Përfaqësuesit e qeverisjes lokale të Tuzit e falënderuan Ambasadorin për vizitën, ku kryefjala ishte bashkëpunimi si dhe shkëmbimi i përvojave administruese.

 

“Delegacioni” nga Bujar Alimani merr çmimin kryesor në edicionin e pestë të festivalit SEANEMA

Juria e edicionit të 5-të të Filmit Ndërkombëtar të Filmit SEANEMA, që u mbajt nga data 18 deri më 22 shtator në Ulqin, me anëtarë Ilir Butka, ish-Kryetari i Qendrës Kinematografike të Shqipërisë, Velisha Popoviq, producent nga Mali i Zi dhe Jovana Bojoviq, dramaturge po nga Mali i Zi, vendosën që çmimi si filmi më i mirë t’i shkonte filmit “Delegacioni” me regji nga Bujar Alimani. ”Bëhet fjalë për një histori komplekse dhe universale, ngjarja e së cilës është e vendosur në periudhën e rënies së sistemit komunist, dhe fillimin e demokracisë. Filmin e karakterizon një gjuhë e theksuar filmike, shoqëruar me fotografi, regji, skenar dhe përzgjedhje aktorësh të shkëlqyer”, ishte shpjegimi i jurisë për vendimin. Çmimi i regjisë i shkoi filmit “E punësuara” nga regjisori grek Nikos Labot. Slogani i festivalit këtë vit ishte IN/EXCLUSION, i cili organizohet tashmë tradicionalisht nga OJQ Unë veproj (iACT). Filmat e përzgjedhur janë produkt i bashkëpunimeve ndërmjet Shqipërisë, Serbisë, Greqisë, Kosovës, Italisë, Maqedonisë së Veriut, Francës, Kroacisë dhe Malit të Zi. Disa prej tyre janë mbështetur prej Euroimage dhe SEE Cinema network, dhe përbëjnë një shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit rajonal dhe rajonit me Evropën. Gjatë pesë ditëve u shfaqën 50 filma në disa vende në Ulqin, duke ndërthurur cilësinë artistike me qasjen aktive ndaj temave të angazhuara shoqërore.

 

Nesër mot me vranësira të ndryshueshme

Sot në Mal të Zi mban mot me vranësira të ndryshueshme dhe me intervale me diell. Frynë erë e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshme.  Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Podgoricë e Budvë 26 gradë, Tivar e Herceg Novi 25, Ulqin 24, Beranë 23, Cetinë e Nikshiq 21, Plavë 20, Plevle, Kollashin dhe Bjello Pole 19, Rozhaj 17 dhe në Zhablak 15 gradë.

Për nesër parashihet të mbajë mot me vranësira të ndryshueshme dhe me intervale të gjata me diell. Do të fryjë erë mesatare, vende vende deri e fortë jugore dhe jug perëndimore. Temperatura e mëngjesit prej 4 deri në 16, kurse më e larta e ditës prej 17 deri në 25 gradë celsius.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се