Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

18. 09. 2013. 18:30 >> 18:35

LAJMET 18.09.2013

18.09.2013

Nismë e “forcimit të bashkëpunimit ballkanik”

Me nismën e “forcimit të bashkëpunimit rajonal të shteteve të Ballkanit Perëndimor” liderët rajonalë duhet të diskutojnë nga fundi i këtij muaji në Nju Jork, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Formimi i asamblesë parlamentare të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, e cila do të përbëhej nga pesë përfaqësues nga çdo vend anëtar, parashihet me nismën për formimin e bashkëpunimit rajonal, të cilën e ka hartuar shefi i diplomacisë malazeze Igor Llukshiq, transmeton shërbimi serb i “Zërit të Amerikës“.

Llukshiq në marrëveshje me kryeministrin Millo Gjukanoviq në pranverë të këtij viti kishte nisur një koncept të ri të bashkëpunimit rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor: Malit të Zi, Serbisë, Kosovës, Maqedonisë, Shqipërisë dhe Bosnjës e Hercegovinës. Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Integrimeve Evropiane të Malit të Zi u ka propozuar vendeve me të cilat ka të bëjë nisma, që përveç formimit të asamblesë parlamentare të veprohet në drejtim të formimit të policisë së përbashkët ballkanike. Kjo, siç thuhet, ka mbështetjen e edhe të ekspertëve nga kabineti i komisarit evropian për zgjerim Shtefan Fyle. Po ashtu theksohet se përpjekje të veçanta do të bëhen në formimin e asamblesë parlamentare të “Gjashtës së Ballkanit Perëndimor”, e cila do të përbëhet me nga 10 përfaqësues nga vendet anëtare. 

 

Përkrahet propozim ligji për Kolegjin Gjyqësor dhe Gjyqet

Këshilli parlamentarë për sistemin politik legjislaturë dhe administratë me shumicë votash ka përkrahur propozim ligjin për Kolegjin Gjyqësor dhe Gjyqet. Me këtë rast opozita ishte e përmbajtur dhe më së tepërmi vërejtje kishte në dispozitat për zgjedhjen e anëtarëve të Kolegjit gjyqësor. Nga PSP kanë vërejtje për arsyen e rregullores që gjyqtari i gjyqit themelor duhet të ketë së paku 5 vjet përvojë pune që të konkurrojë për anëtarë të Kolegjit Gjyqësorë.  Kurse nga PDS theksojnë se jurist eminent duhet të jetë i definuar qartë, sepse edhe ata kanë të drejtë të jenë anëtarë të Kolegjit. Nga Ministria e Drejtësisë u kumtua se mbledhja e përgjithshme e Gjyqit Suprem është mënyra më e mirë që të propozohen emrat e kandidatëve për kryetar të këtij Gjyqi.

 

Mendime të ndryshme për përbërjen e KSHZ-së

Anëtarët e PDS në grupin punues për ndërtimin e besimit në procesin zgjedhor kanë vlerësuar se Komisioni Shtetëror Zgjedhor duhet ta forcojë profesionalitetin në punë, kurse nga Fronti Demokratik është theksuar se në krye ë KSHZ-së duhet të gjendet një profesionalist. Anëtarët e grupit punues kanë debatuar sot për Ligjin Zgjedhor, kurse Goran Danilloviq nga Fronti ka thënë se pjesërisht  pranon profesionalizimin e këtij Komisioni, me një pjesëmarrje të dukshme të subjekteve politike, duke shtuar se është i gatshëm të pranojë edhe zvogëlimin eventual të numrit të përfaqësuesve partiak në KSHZ. Ndërkaq nga PDS konsiderojnë se Komisioni Shtetërorë Zgjedhor duhet ta rris profesionalitetin në punë, por struktura e këtij trupi duhet të pasqyrojë vullnetin zgjedhor të qytetarëve.

 

Një pjesë e gjykatësve kushtetues nuk e mbron Kushtetutën

Një pjesë e gjykatësve të gjyqit kushtetues nuk e mbrojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë duke mbështetur amendamentet e propozuara në Kushtetutë dhe Ligjin kushtetues, me ç’gjë seriozisht është rrezikuar sistemi juridik dhe sundimi i të drejtës, ka vlerësuar gjykatësi i këtij gjyqi, Miodrag Llatkoviq. Ai më parë kishte vlerësuar se me ndryshimet kushtetuese, të cilat parashohin që gjyqtarët e gjyqit kushtetues të zgjedhen në parlament me shumicën prej dy të tretave, humbet pavarësia e këtij gjyqi dhe kështu vendoset nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Kuvendit. Ai konsideron se shpallja e ftesës publike për zgjedhjen e gjyqtarëve të gjyqit kushtetues pa vërtetimin paraprak të shkaqeve kushtetuese për ndërprerjen e këtij funksioni ose shkarkimin e gjykatësve do të ishte dhunë juridike e drejtpërdrejtë.

 

Imunitet për senatorët e IRSH-së

Kuvendi i Malit të Zi në kuadër të reformave kushtetuese, në pajtim me rekomandimet e UE dhe të Komisionit të Venecias, anëtarëve të Senatit të Institucionit Revizor të Shtetit, me kushtetutë u ka garantuar imunitet funksional, shkruan gazeta “Dnevne Novine”. Kjo formë e imunitetit do ti mbrojë anëtarët e Senatit vetëm nga procedurat të cilat ndërmerren në emër të shtetit. Imuniteti funksional mbron një rreth të gjerë të njerëzve, respektivisht të gjithë ata që ushtrojnë veprimtari të caktuara zyrtare.

 

Gjukanoviq përgëzon Edi Ramën

Kryeministri i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq e ka përgëzuar kryeministrin e republikës së Shqipërisë, Edi Rama, me rastin e zgjedhjes së tij në këtë detyrë.

“Jam i bindur se përmes bashkëpunimit të ardhshëm do ti japim impuls plotësues marrëdhënieve tradicionalisht të mira të Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe se në kohën që është para nesh, do ti valorizojmë synimet e përbashkëta strategjike që vendet tona të bëhen pjesë e Evropës së Bashkuar”, thuhet mes tjerash në telegram e kryeministrit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, dërguar kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

 

Daçiq vjen të premten për vizitë zyrtare në Mal të Zi

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq do të qëndrojë të premten për vizitë zyrtare në Mal të Zi. Kjo do të jetë vizita e parë e tij zyrtare prej ndryshimit të pushtetit në serbi. Daçiq disa herë joformalisht ka qëndruar në Mal të Zi, kurse hera e fundit ishte në fillim të muajit gusht me rastin e shënimit të tetë shekujve të manastirit, Gjurgjevi Stupovi në Beranë.

Atëherë kryeministri i Serbisë ka rekomanduar se Podgorica dhe Beogradi duhet të kenë marrëdhënie të mira, sepse nuk ka shtete dhe as popuj më të afërt. Siç i është vërtetuar agjencisë Beta, nga qeveria e Malit të Zi, Daçiq do të takohet në Podgoricë me zyrtarët më të lartë të shtetit. Kryeministri i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq më parë ka paralajmëruar se pas vizitës së Daçiqit në Mal të Zi, do ta vizitojë Serbinë dhe kjo do të ishte vizita e parë e tij në Serbi pas 10 vitesh. 

 

Tuzi realizon të ardhura më të larta vjetore se ato që i parasheh elaborati

Funksionari i PDS, Nikollë Gegaj, ka deklaruar për portalin Analitika, se firma “Investment & Consulting” e cila e ka hartuar studimin e qëndrueshmërisë për komunën e Tuzit është “firmë serioze”, mirëpo Tuzi disponon me të ardhura më të larta vjetore se sa është paraqitur në versionin final të këtij studimi. Gegaj ka theksuar se në Tuz do të mbahet referendumi dhe se Malësisë askush nuk ja merr të drejtën në komunë. Ai ka shtuar se me kujdes dhe me përgjegjësi duhet hyrë në ato projekte të cilat do të ndikojnë përgjithmonë në jetën e qytetarëve të Malësisë. “Mendoj se komuna urbane e Tuzit disponon me të ardhura më të larta vjetore se sa është paraqitur në versionin final të projektit të firmës së përmendur. Poashtu nuk duhet anashkaluar fakti e që është bazë e çdo gjeje, se qytetarëve të Tuzit u duhet një komunë stabile financiare dhe ekonomikisht e qëndrueshme”, thotë Gegaj. Ai shtoi se Tuzi duhet të jetë komunë nga shkaqet ekonomike e jo politike. Gegaj ka thënë se PDS do të respektojë çdo gjë që ua ka premtuar banorëve të Tuzit dhe se Malësisë askush nuk ja ka marrë të drejtën në komunë.

 

Kërkohet dëgjimi kontrollues i ministrit për deponimin e mbeturinave

Përfaqësuesit e banorëve të Beranës dhe të disa OJQ-ve, kanë kërkuar nga këshilli kompetent kuvendor caktimin e mbledhjes në të cilën do të bëhet dëgjimi kontrollues i ministrave të shëndetësisë dhe të zhvillimit të qëndrueshëm, Miodrag Radunoviq dhe Branimir Gvozdenoviq, me rastin e deponimit joligjor të mbeturinave. Iniciativën, siç ka sqaruar përfaqësuesi i banorëve të Beran Sellos, Gojko Cimbaleviq, e kanë paraqitur për të vërtetuar përgjegjësinë lidhur me rrezikimin disavjeçar të mjedisit dhe shëndetit të njerëzve në Beran Sello, përmes deponimit të mbeturinave në lokalitetin Vasove Vode në Beranë.

 

Zgjedhjet lokale në Kosovë, një test kyç

Raportuesi I Parlamentit Evropian për Serbinë Jelko Kacin, ka deklaruar se zgjedhjet lokale në Kosovë do të jetë një test kyç për procesin e normalizimit të marrëdhënieve të Beogradit dhe Prishtinës, që do të mundësojë mbajtjen e konferencës ndërqeveritare Serbi - BE. Kacin prêt që raporti I Komisionit Evropian për Serbinë në tetor do të jetë më pozitiv sesa dy raportet paraprake, sepse është arritur marrëveshja me Prishtinën, dhe thekson se negociatat me BE-në shikuar formalisht tashmë janë çelur.
“Negociatat tashmë janë çelur , shikuar nga aspekti formal. Kushtet gati janë përmbushur, sepse marrëveshja me Prishtinën është arritur, kurse zbatimi i marrëveshjes për momentin po ecën mirë, edhe pse nganjëherë ngadalë. Marrëveshja e arritur për telekomunikacionin dhe energjetikën është një hap I madh praktik përpara”, ka thënë Kacin për gazetën “Danas” të Beogradit. Përveç normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, ka rendësi të madhe edhe reforma e gjyqësorit, ka thënë Kacin, i cili nesër nis një vizitë disaditëshe në Beograd. 

 

Çertifikohen të gjitha subjektet politike për zgjedhjet e 3 nëntorit

Janë çertifikuar të gjitha subjektet politike që kanë aplikuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë, përfshirë edhe nismat serbe të veriut. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në mbledhjen e saj të 52-të, të kryesuar nga Valdete Daka, është përmbyllur procesi për çertifikimin e subjekteve politike që pretendojnë pushtetin lokal më 3 nëntor. Subjektet e veriut pasi e kanë ndryshuar emrin, janë çertifikuar me rekomandim të Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike. Iniciativa që thuhet se e ka përkrahjen e qeverisë në Beograd, kishte aplikuar me emrin Iniciativa “Srbija”, është çertifikuar vetëm pasi e ka ndërruar emrin ne Iniciativa e Qytetarëve Serbe- "Gragjanska Iniciativa Srpska". Edhe subjekti politik i ish deputetit të Kuvendit të Kosovës, Oliver Ivanoviq e ka ndryshuar emrin në “Iniciativa Qytetare – Partia Social Demokrate – Oliver Ivanoviq”. Ky i fundit kishte aplikuar me emrin “Serbia, Demokracia, Drejtësia”.

 

Të shqetësuar, respektoni të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni

Zbatim dhe implementim rigoroz të marrëveshjeve ndërkombëtare për bashkëjetesën harmonike mes pjesës maqedonase dhe shqiptare në Maqedoni. Ishte ky thelbi i takimit në kryeministri mes kreut të qeverisë shqiptare Edi Rama dhe presidentit të Maqedonisë, George Ivanov.  Rama shprehu shqetësimin për shqiptarët të cilët jetojnë në Maqedoni, teksa bëri publike dhe kërkesën e presidentit Ivanov që pakicat maqedonase në vendin tonë të kenë më shumë vëmendje. “Ne kemi qenë dhe mbetemi të shqetësuar për implementimin e marrëveshjeve dhe mekanizmave të dakortësuar lidhur me mbarëvajtjen e bashkëjetesës së shqiptarëve në Maqedoni. Dua të shpresoj e të besoj se së bashku si fqinj dhe si miq ne do çojmë para një proces bashkëpunimi, ku implementimi me rigorozitet i marrëveshjeve dhe mekanizmave ndërkombëtare për të dakortësuar bashkëjetesën mes pjesës maqedonase dhe shqiptare të Maqedonisë do jetë i padiskutueshëm”, u shpreh Rama.  Kryeministri i Shqipërisë vlerësoi rolin e Maqedonisë për ruajtjen e ekuilibrave në rajon, teksa theksoi faktin se Shqipëria mbetet e interesuar për forcimin e bashkëpunimit mes dy shteteve. 

 

SHBA-Shqipëri, marrëveshje për arsimimin e ushtarakëve

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria nënshkruan një marrëveshje për arsimimin dhe kualifikimin e ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Shqipërisë në SHBA. Marrëveshja u nënshkrua mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Gardës së Nju Xhersit. Marrëveshja u firmos sot nga ministrja e re e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Kodheli tha se përgatitja e të rinjve shqiptarë do të bëhet në bazë të standardeve si në SHBA. Ajo shtoi se do të përzgjidhen kandidatët më të mirë. Takimi për marrëveshjen u mbajt në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes.

 

Kroacia nuk do ta ndryshojë Ligjin për ekstradim

Kryeministri kroat, Zoran Millanoviq, ka thënë se Qeveria e tij nuk do t'i shpejtojë ndryshimet rreth ligjit që e ndalon ekstradimin e personave të dyshuar si kriminelë të luftës, me gjithë kërcënimin e bërë nga Bashkimi Evropian për sanksione, raporton Reuters. Zoran Millanoviq ka thënë të martën se amendamentet nuk do të hyjnë në fuqi para korrikut të vitit të ardhshëm. “Nuk do të toleroj që dikush të fshijë dyshemenë me ne”, dhe as që Kroacia është “rezervat shpezësh”, ka thënë kryeministri kroat. Ligji ishte miratuar një ditë para se Kroacia të bëhet anëtari i 28 i BE-së më 1 korrik. Sanksionet mund të përfshijnë suspendimin e fondeve të BE-së për kontrollimin e kufirit nga Kroacia, dhe ndër të tjera do të vinte në siklet anëtarin e ri te BE-së. Ligji zyrtarisht e ka për qëllim mbrojtjen e veteranëve të luftës kroate për pavarësi nga viti 1991 deri më 1995 nga përndjekja jashtë vendit. Kritikët, megjithatë, thonë se ligji, në fakt e ka për qëllim mbrojtjen e një ish-shefit të Inteligjencës kroate që kërkohet nga Gjermania për vrasjen e një disidenti kroat.

 

Ukraina e aprovon marrëveshjen me BE-në

Qeveria ukrainase e ka aprovuar draftin e marrëveshjes për Asocim me Bashkimin Evropian. Zyra për informim e kësaj qeverie thotë se dokumenti është aprovuar sot nga kabineti në mënyrë unanime. Udhëheqësi i delegacionit të BE-së në këtë shtet, Jan Tombinski, iu ka thënë gazetarëve në Kiev se aprovimi i marrëveshjes prezanton një “hap të rëndësishëm” nga qeveria ukrainase dhe se nënshkrimi i saj në samitin që do të mbahen në nëntor në Vilnius, “do të jetë një sukses i përbashkët i të gjithë qytetarëve, atyre të Ukrainës por edhe të BE-së”. Moska po i bënë presion Ukrainës që të heqë dorë nga marrëveshja me BE dhe t’i bashkohet unionit doganor, ku bëjnë pjesë edhe Bjellorusia dhe Kazakistani.

 

Siria i dorëzon Rusisë dëshmi se kryengritësit përdoren armë kimike

Zëvendësministri i jashtëm rus, Sergei Ryabkov, ka thënë se regjimi sirian ia ka dorëzuar Rusisë një material të ri, ku dëshmohet përfshirja e forcave kryengritëse në sulmin me armë kimike në periferi të Damaskut, më 21 gusht. Ryabkov ka bërë këtë deklaratë pas bisedimeve në Damask me ministrin e jashtëm sirian, Walid al Muallem, duke shtuar se Rusia është e dëshpëruar me raportin e OKB-së për sulmin kimi, duke e quajtur “të politizuar, të njëanshëm”.Shtetet e perëndimit thonë se regjimi sirian është fajtor për sulmin. Ndërkaq, diplomatët thonë se Britania, Kina, Franca, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë pak progres gjatë bisedimeve të djeshme për rezolutën e re për Sirinë dhe ata do të takohen edhe sot. Londra, Parisi dhe Uashingtoni kërkojnë një rezolutë që lë derën hapur për përdorimin e forcës nëse Siria nuk i përmbahet planin për çarmatim, derisa Rusia e kundërshton këtë.

 

Në një seri sulmesh në Irak janë vrarë së paku 29 njerëz

Një seri sulmesh në Irak janë vrarë së paku 29 njerëz. Sulmi më i rëndë është realizuar mbrëmë në kryeqytetin Bagdad. Zyrtarët e sigurisë në këtë vend kanë thënë se sulmet me bomba e kanë pasur si cak një treg dhe lagjet në qendër dhe verilindje, duke vrarë së paku 20 veta dhe lënduar 87 të tjerë. Një tjetër sulm, i bërë nga tre sulmues vetëvrasës, e kanë goditur një stacion policor në Falluxha, në perëndim të Bagdadit. Në qytetin verior të Mosulit, persona të armatosur e kanë sulmuar një veturë, ku ishin disa policë të paarmatosur. Së paku gjashtë policë janë vrarë dhe dy të tjerë janë lënduar. Rritja e dhunës në Irak ka shtuar frikën se vendi po rikthehet në dhunën e ashpër sektare, që e kishte dërmuar këtë vend, sidomos në vitin 2006 dhe 2007. Më shumë se 4 mijë njerëz janë vrarë vetëm sivjet në Irak.

 

Obama dëshiron të testojë dëshirën e Iranit për bisedime

Presidenti amerikan, Barak Obama, ka thënë se presidenti i ri iranian, Hasan Rohani duket se dëshiron “që të hapë dialogun me perëndimin”, ndërsa ai ka premtuar se do ta “testojë” nëse kjo është e vërtetë. Obama ka thënë se “ekziston një mundësi për diplomaci”. “Unë shpresoj që iranianët ta shfrytëzojnë këtë mundësi”, ka shtuar ai. Deklarata ka nxitur raportimet për një takim të mundshëm Obama – Rohani gjatë këtij muaji në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Para dy ditësh ministri i jashtëm iranian, Mohamed Javad Zarif, ka thënë se Teherani është i gatshëm për të “ndërtuar besueshmëri” me SHBA-të sa i përket programit bërthamor të Iranit.

 

Nesër mot më stabil

Sot në Mal të Zi mban mot kryesisht i kthjellët. Fryn erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Tivat 27 gradë, Budvë 25,  Ulqin, Tivar e Herceg Novi 24, Podgoricë 23, Nikshiq, Cetinë e Bijello Pole 20, në Kollashin e Beranë 19, Plavë, Rozhajë e Plevle 18 dhe në Zhablak 16 gradë. Për nesër parashihet të mbajë mot me vranësira të ndryshueshme dhe intervale të gjata me diell. Vende vende mund të priten edhe reshje kalimtare të shiut. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e ndryshme. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 5 deri në 16, kurse më e larta e ditës prej 15 deri në 26 gradë celsius.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се