Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

23. 12. 2019. 18:07 >> 18:18

Ditari 23.12.2019

23.12.2019

Deputetët e parlamentit të Malit të Zi sot e përfunduan seancën e 7-të të rregullt

Deputetët e parlamentit të Malit të Zi sot e përfunduan seancën e 7-të të rregullt dhe përfunduan me pyetjet drejtuar ministrave në qeverinë e Malit të Zi. Në pyetjet e deputetëve sot u përgjigjen ministri për punë dhe përkujdesjen sociale , Kemall Purishiq si dhe ministri  për punë të jashtme Srgjan Darmanoviq.

Pytja që kishte të bënte me ministrin e punëve të jashtme ishte nëse qeveria mendon për tërheqjen eventuale të njohjes së Kosovës si shtet por edhe për iniciativën e tre liderëve nga Ballkani Jug Perëndimor  të quajtur  “Mini Shengen”. Darmanoviq,  duke u përgjigjur në interesimin e deputetëve theksoi se marrëdhëniet e Malit të Zi me republikën e Kosovës janë të mira dhe se qeveria e Malit të Zi nuk ka për qëllim të tërheq njohjen e këtij shteti fqinjë.

 

Përkrahen ligjet e propozuara zgjedhore

Këshilli për sistemin politikë, legjislacion dhe administratë e ka përkrahur sot paketën e ligjeve zgjedhore të cilat i kanë propozuar deputetet e koalicionit në pushtet. Janë përkrahur propozimet e ligjeve për ndryshimin e ligjit për zgjedhjen e këshilltarëve dhe të deputetëve, propozim ligji për nënshtetësinë malazeze pastaj për regjistrin zgjedhor, për organizimin territorial të Malit të Zi dhe propozim ligji për plotësimin e kodit penal të Malit të Zi. Këto ligje i kanë propozuar deputetët e koalicionit në pushtet në Kuvendin e Malit të Zi . Për ndryshe parlamenti i shtetit këtë pako të ligjeve duhet ta shqyrtojë deri në fund të këtij viti.

 

Fiton përkrahje propozim ligji për lirinë e feve

Këshilli për të drejtat dhe liritë e njeriut ka përkrahur sot propozim ligjin për lirinë e feve ose të bindjeve dhe për pozitën juridike të Bashkësive fetare. Propozimi i ligjit për lirinë e feve është i harmonizuar me standardet më të larta ndërkombëtare nga fusha e të drejtave njerëzore dhe i harmonizuar në tërësi me rekomandimet e komisionit të Venecias, ka deklaruar ministri për të drejtat e njeriut dhe të pakicave Mehmet Zenka.

Ai ka shtuar se fjala është për një tekst tejet liberal ligjor, i cili të gjithëve në Mal të Zi , besimtarëve por edhe atyre që nuk janë besimtarë , u garanton shkallë të lartë të drejtave dhe lirive. Sipas fjalëve të tij nuk ka asnjë bashkësi fetare dhe palë tjetër e interesuar e cila nuk e ka komentuar këtë projekt ligj. Nënkryetari i qeverisë Zoran Pazhin ka theksuar në mbledhjen e sotme se qeveria në vazhdimësi e ka ftuar kishën ortodokse serbe për dialog , për të cilin është e gatshme edhe tani, por do të jetë e gatshme për dialog edhe kur ky ligj të miratohet. Ai ka shtuar se gjithandej në botë , personat juridikë arrijnë të drejtën e subjektivitetit përmes regjistrimit në regjistrin adekuat publikë, andaj, ka theksuar ai nuk e kuptoj pse kisha ortodokse serbe nuk dëshiron të jetë e regjistruar publikisht. Në mbledhje kanë marrë pjesë nënkryetari i qeverisë Zoran Pazhin , ministri i kulturës Bogdanoviq , avokati i pupullit Bjekoviq si dhe përfaqësuesit e kishës ortodokse serbe në Mal të Zi, të Kishës ortodokse malazeze, përfaqësuesit e Bashkësisë islame si dhe përfaqësuesit e kishës katolike në Mal të Zi.

 

Ushtarët  e kanë përfaqësuar me dinjitet Malin e Zi në Letoni dhe në Afrikë

Pjesëtarët e ushtrisë së Malit të Zi në misionet në Letoni dhe në Afrikë e kanë përfaqësuar me dinjitet shtetin e vetë dhe uniformat të cilat i mbajnë , ka theksuar zëvendësi i kryeshefit të shtabit të përgjithshëm Svetozar Brajkoviq. Nga Ministria e Mbrojtjes kanë sqaruar se fjala është për praninë e përforcuar në NATO në Letoni , në misionin e Kombeve të Bashkuara, për referendumin në Saharanë Perëndimore dhe në operacionin EU - NAVFOR në Somali .Brajkoviq ka vlerësuar se ushtarët nga Mali i Zi kanë fituar përvojë të rëndësishme përmes sfidave karakteristike për çdo vend veç e veç. Ai ka shtuar se aktivitetet e ushtarëve në këto vend janë përcjell me vëmendje dhe se gjatë qëndrimit të tyre atje nuk ka pasur probleme. Majori Novak Komatina i cili është kthyer nga misioni në Saharanë Perëndimore, misionin në këtë vend e ka krahasuar me përvojën nga qëndrimi i mëparshëm i tij në Afganistan.

 

Në këshillin për marrëdhëniet ndërkombëtare është dëgjuar ministri i jashtëm Darmanoviq

Anëtarët e Këshillit për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe mërgimtarët kanë dëgjuar sot ministrin e punëve të jashtme Srgjan Darmanoviq.

Iniciativën për mbajtjen e seancës dëgjimore e kanë paraqitur deputetët e FD,  pas rastit me nëpunësen e kësaj ministrie Mirna Nikçeviq dhe qëndrimit të tre ambasadorëve të cilat ia kanë paguar dënimin në të holla për shkak të gjuhës së urrejtjes. Darmanoviq ka theksuar se qëndrimi i tre ambasadorëve të cilët e kanë paguar dënimin prej 600 euro ka qenë i pa shembullt . Shefi i diplomacisë ka theksuar se ministria e punëve të jashtme lidhur me këtë çështje ka respektuar procedurën ligjore, ka iniciuar procedurë disiplinore dhe  rastin  ia ka dorëzuar komisionit të qeverisë i cili duhet të deklarohet për të.

 

Mali i Zi  i dërgon ndihmë Shqipërisë

Mali i Zi i ka dërguar qeverisë së Shqipërisë një konvoj me ndihmë, ilaçe dhe pajisje  medicinale në vlerë prej 45 mijë euro është kumtuar nga Ministria e Shëndetësisë së Malit të Zi . Ndihmën për në Shqipëri e kanë përcjell ministri i shëndetësisë Kenan Hrapoviq dhe ambasadori i Shqipërisë në Mal të Zi Ridi Kurtezi. Hrapoviq ka theksuar se përmes kanaleve diplomatike nga Ministria e shëndetësisë së Shqipërisë kanë marrë lutje për ndihmë në sigurimin e disa mjeteve dhe pajisjeve  medicinale. Ai ka shtuar se shteti edhe në të ardhmen do të ndihmojë në sanimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit duke shtuar se vlera e donacionit është më e lartë se 45 mijë euro. Ambasadori i Shqipërisë në Mal të Zi Ridi Kurtezi e ka falënderuar Ministrinë e shëndetësisë dhe ministrin Hrapoviq për reagimin e tyre të shpejtë dhe për ndihmën e siguruar. Kurtezi e ka falënderuar presidentin Gjukanoviq, kryeministrin Markoviq , kryetarin e parlamentit Brajoviq si dhe të gjithë qytetarët e Malit të Zi për solidaritetin e treguar.

 

Tri ditë me rastin e Krishtlindjes

Për të punësuarit e konfesionit katolik , me rastin e kremtimit të Krishtlindjes ditë pushimi do të jenë e marta  e mërkura dhe entja, kanë kumtuar nga ministria për punë dhe çështje sociale. Nga kjo ministri është sqaruar se në bazë të ligjit për kremtim e festave fetare, pjesëtarët e fesë katolike kanë të drejtë në pushim të paguar ditën e buzmit dhe për Krishtlindje , me 24, 25, dhe 26 dhjetor.  “Organet shtetërore dhe organet e administratës lokale, institucionet publike dhe ndërmarrjet si dhe subjektet tjera të cilat ushtrojnë veprimtari me interes publikë janë të detyruara që gjatë ditëve të festës të sigurojnë kryerjen e punëve , me ndërprerje e të cilave mund të kishte pasoja të dëmshme për qytetarët dhe shtetin “ thuhet në kumtesë.

 

EDHE PAK DITË NGA SEANCA KONSTITUIVE, VV-LDK ENDE PA MARRËVESHJE

Edhe pse lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti kishte deklaruar se koalicioni në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës do bëhet 72 orë pas çertifikimit të rezultateve, ende nuk kanë arritur një marrëveshje për krijimin e qeverisë së ardhshme të Kosovës. Posti i presidentit si duket është pika e cila po i ndan Lëvizjen Vetëvendosje dhe LDK-në. Kjo e fundit po insiston që presidenti të jetë pjesë e marrëveshjes LVV-LDK, në mënyrë që të ketë baraspeshë qeverisëse, si dhe mos ketë mospajtime e zgjedhje në momentin që përfundon mandati i presidentit aktual. Kurse, VV po kërkon emrin e kandidatit për president, madje kanë kërkuar që ai të jetë konsensual. U bënë dy muaj e gjysmë nga dita e zgjedhjeve të 6 tetorit, por marrëveshje ende nuk ka. Ndërsa, kryesia e Kuvendit të Kosovës është dakorduar që seanca konstitutive të mbahet ditën kur është thirrur nga presidenti Hashim Thaçi. Ajo do të mbahet më 26 dhjetor në orën 15:00.

 

Një listë çështjesh të papërfunduara e presin qeverinë e re

Qeveria e re e Kosovës do të trashëgojë një listë të tërë çështjesh të pazgjidhura, thuhet në raportin e Grupit Ballkanik për Politika, ku pasqyrohen punët që i presin institucionet e reja, me theks të veçantë qeverinë. Raporti shqyrton nevojat kryesore për reforma në fushën e Administratës Publike, përmbushjen e Agjendës për Reforma Evropiane (ERA) reformave të cilat dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit (MSA), çështjen e dialogut me Serbinë, politikën e jashtme, sistemin e drejtësisë, edukimin, shëndetësinë, mjedisin dhe zhvillimin ekonomik. Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë, se qeveria e re, e cila me gjasë do të formohet mbi bazën e koalicionit ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të trashëgojë shumë çështje të pazgjidhura.Një nga çështjet të cilat përmenden në raport është edhe ajo e ligjeve dhe reformave të cilat janë kërkuar nga Bashkimi Evropian (BE). Rashiti thotë se janë dy-tre instrumente të fuqishme të cilat përmes bashkëpunimit me BE-në dhe proceseve, siç është përmbushja e Agjendës për Reformave Evropiane (ERA) dhe Marrëveshja e Stabilizim Asocimit (MSA), mund të bëjnë ndryshime thelbësore në funksionimin e institucioneve të Kosovës drejt përmbushjes së agjendës evropiane. "Qeveria e re duhet të vazhdojë me reforma, të luftojë korrupsionin, krimin e organizuar, paralelisht të lobojë te të gjitha vendet anëtare që më në fund të merret vendimi për liberalizim të vizave. Pra, ka ende shumë punë në raport me BE-në dhe përmbushjën e reformave ,theksoi Rashiti.

 

BBC: Shteti Islamik në Irak po riorganizohet sërish

Ekzistojnë indikacione në rritje se grupi militant, Shteti Islamik (IS)po riorganizohet në Irak, dy vjet pasi humbi territorin e fundit që mbante nën kontroll. Kurdët dhe agjencitë perëndimore të inteligjencës i thanë BBC-së se prezenca e IS-it në Irak është një kryengritje e sofistikuar dhe se sulmet e militantëve të këtij grupi po shënojnë rritje. Tash, militantët janë më të aftë dhe më të rrezikshëm se sa grupi tjetër militant Al-Kaida, ka thënë Lahur Talabany, një zyrtar i lartë kurd kundër terrorizmit. “Ata posedojnë teknika më të avancuara, taktika më të mira dhe shuma të mëdha parash në dispozicion”, tha ai, duke shtuar se grupi militant ka mundësi të blerjes së automjeteve, armatimit, pajisjeve tjera dhe ushqimit. "Ne shohim që aktivitetet po rriten tani, dhe ne mendojmë se faza e rindërtimit ka mbaruar", tha Talabany, i cili kryeson agjencinë Zanyari, një nga dy agjencitë e inteligjencës në rajonin e Kurdistanit në Irak.Ai thotë se tashmë një lloj tjetër i IS-it është shfaqur, i cili nuk dëshiron më të kontrollojë asnjë territor për të mos qenë një objektiv i mundshëm. Përkundrazi - si paraardhësit e tyre në al-Kaeda - ekstremistët po fshihen nën tokë, në Malet Hamrin të Irakut. "Kjo është një qendër për IS-in tani", tha Talabany. "Është një varg i gjatë malesh dhe është shumë e vështirë për ushtrinë e Irakut për ta kontrolluar. Ka shumë strehë dhe shpella", tha ai. Ai paralajmëroi se IS-i do të ushqehej nga trazirat e tanishme në kryeqytetin irakian, Bagdad.

 

Demokratët kërkojnë dëshmitarë të rinj në gjyqin kundër Trumpit

Demokrati, Chuck Schumer, ka thënë se publikimi i një emaili të ri që tregon pezullimin e ndihmës ushtarake të Shteteve të Bashkuara për Ukrainën, tregon nevojën për dëshmitarë të ri në hetimet për shkarkim të presidentit amerikan, Donald Trump. Dhoma e Përfaqësuesve e drejtuar nga demokratët ka miratuar javën e kaluar dy akuza për shkarkim të Trumpit, duke i hapur rrugën gjyqit në Senat. Trump akuzohet për ndalje të ndihmës ushtarake të SHBA-së për Ukrainën, për t’i bërë presion Kievit që të hetojë për një rival politik. Demokratët duan që dëshmitarët të paraqiten në gjyqin e Senatit, mirëpo republikanët janë duke rezistuar. Schumer ka thënë se një email i ri për detajet e ndihmës ushtarake tregon nevojën e dëshmitarëve të rinj. Ndihma ushtarake dhe një bisedë telefonike në mes të Trumpit dhe homologut të tij ukrainas, Volodomyr Zelenskiy janë në qendër të rastit për shkarkim të Trumpit, proces i nisur nga demokratët.

Në një dëshmi të dhënë në Kongres muajin e kaluar, ambasadori amerikan në Bashkimin Evropian, Gordon Sondland, ka thënë se ai është informuar më 18 korrik që Shtëpia e Bardhë ka ndalur ndihmën ushtarake për Ukrainën. “Nuk kam arritur të siguroj asnjëherë një përgjigje të qartë për arsyen specifike të mbajtjes (së ndihmës), ka thënë ai. Trump ka shumë pak mundësi të shpallet fajtor dhe të largohet nga zyra, pasi Senati kontrollohet nga Partia Republikane, të cilës i përket presidenti.

 

Gjykata saudite dënon me vdekje pesë persona për rastin e gazetarit Khashoggi

Prokurori publik i Arabisë Saudite thotë se pesë persona janë dënuar me vdekje, për rastin e vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, vitin e kaluar.

Prokurori publik njoftoi gjithashtu se tre persona tjerë janë dënuar me gjithsej 24 vjet burgim, në lidhje me rastin, që kishte shkaktuar zemërim ndërkombëtar. Khashoggi, një banor amerikan dhe kolumnist i gazetës amerikane Washington Post, u vra në konsullatën Saudite në Stamboll, në tetor të vitit 2018. Shërbimet e inteligjencës amerikane arritën në përfundimin, se Princi i Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, sundimtari de fakto i mbretërisë, urdhëroi vrasjen. Por, për vdekjen e gazetarit, Riadi i shpalli fajtor zyrtarët e inteligjencës saudite. Prokurori njoftoi se ish-këshilltari i lartë i princit të kurorës, Saud al-Qahtani, nuk ishte përfshirë në vrasje. Sidoqoftë, Al-Qahtani është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për rolin e tij të supozuar në operacion. Të dyshuarit u gjykuan në bazë të procedurave sekrete suadite. Khashoggi u pa për herë të fundit më 2 tetor të vitit 2018 duke hyrë në konsullatën saudite në Stamboll, ku ai kishte shkruar për të marrë dokumente personale. Trupi i tij u raportua të jetë copëtuar brenda ndërtesës. Eshtrat e tij nuk janë gjetur.

 

Kina do të zvogëlojë tarifat në qindra produkte

Kina do të heqë apo zvogëlojë tarifat për qindra produkte vitin e ardhshëm, duke ulur numrin e kufizimeve tregtare ashtu që të mbështesë ekonominë. Përmes një deklarate, autoritetet kineze kanë thënë se tarifat në importe të 859 produkteve do të ulen ose largohen fare nga 1 janari.Ekonomia e dytë më e madhe në botë zakonisht ka praktikuar tarifa të larta për të mbrojtur industritë lokale. Kina është përfshirë në luftë tregtare me Shtetet e Bashkuara dhe përballet me një varg sfidash të brendshme. Ministria e Financave ka thënë se ndryshimet e tarifave do të bëhen për “rritje të importit të produkteve për të cilat ka mungesë të produktit të brendshëm, si dhe për mallrat që janë për konsum të përditshëm”. Në mesin e produkteve që do t’iu ulen tarifat e importit janë: mishi i ngrirë i derrit, avokado, disa produkte të letrës, drurit si dhe disa produkte mjekësore për diabet.

Nga ulja e tarifave do të përfitojnë disa partnerë të Kinës duke përfshirë, Zelandën e Re, Perunë, Singaporin dhe Pakistanin.

 

Putin inauguron linjën hekurudhore Rusi-Krime

Presidenti rus, Vladimir Putin ka marrë pjesë sot në ceremoninë e hapjes zyrtare të urës që lidh Rusinë me Gadishullin e Krimesë, të pushtuar nga Rusia.

Kievi, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ndërtimet e nisura nga Rusia, duke i konsideruar si shkelje të sovranitetit të Ukrainës, andaj fuqitë botërore kanë vënë sanksione në kompanitë e lidhura me ndërtimin e urës 19-kilometërshe. Putin në anën tjetër ka falënderuar punëtorët për përpjekjet e tyre për të ndërtuar “këtë projekt gjigant”, në një ceremoni të transmetuar drejtpërdrejt në televizionin shtetëror rus. Në muajin nëntor, kompania private hekurudhore, Grand Service Express ka njoftuar se treni i parë do të nisej nga Shën Petersburgu për në Sevastopol më 23 dhjetor dhe do të udhëtojë, 2,741 kilometra për 43 orë e gjysmë. Kjo urë ka kushtuar 3.7 miliardë dollarë dhe është ura më e gjatë në Evropë, duke tejkaluar urën Vasco de Gama të Portugalisë.

 

Të paktën nëntë viktima nga moti i keq në Evropë

Ka shkuar në nëntë numri i personave që kanë vdekur nga moti i keq që ka goditur Spanjën, Portugalinë dhe Francën, teksa këto shtete po përgatiten që të goditen nga erëra më të fuqishme dhe stuhi shiu. Stuhitë Elsa dhe Fabien kanë shkaktuar vërshimin e lumenjve dhe kanë dëmtuar shtyllat elektrike si dhe dëme të tjera materiale. Të paktën dy persona kanë vdekur në Portugali, ndërkaq shtatë në Spanjë, që njëherësh është shteti më i prekur nga moti i keq, raporton AFP.

Autoritetet spanjolle thanë se tre zyrtarë policorë dhe një peshkatar janë shpëtuar në qytetin Sant Geliu de Guixols, që gjendet rreth 100 kilometra në verilindje të Barcelonës. Teksa fuqia e stuhisë Elsa është dobësuar të shtunën, stuhia Fabien ka goditur Spanjën me erëra deri në 170 kilometra në orë, duke detyruar që dhjetëra fluturime të anulohen në aeroportin e Galicias. Edhe Franca është goditur nga erëra të fuqishme, që kanë lënë mbi 110 mijë shtëpi pa energji elektrike. Autoritetet franceze në ishullin e Korsikës kanë mbyllur aeroportin për shkak të motit të keq, ndërkaq transporti detar po ashtu është pezulluar.

 

Dje ka filluar stina e dimrit

Stina e dimrit sivjet ka filluar të dielën që shkoi , me 21 dhjetor, në orën 5 e 19 minuta (sipas kohës lokale). Dimri do të zgjas 89 ditë . Kjo stinë do të përfundojë me 20 mars të vitit 2020 , në orën 17 e 15 minuta, kur fillon stina e pranverës për hemisferën veriore. Në momentin e arritjes së dimrit , sivjet Dielli ishte në Bregun perëndimorë të Amerikës Jugore, kurse Hëna mbi   Atlantik. Dita e diel ishte dita më e shkurtër e vitit, ndërsa nata më e gjatë. Mirëpo, fillimi i dimrit në vendin tonë ka sjell reshje të dendura të shiut e që kanë shkaktuar probleme në qarkullimin e automjeteve dhe të banorëve të Malësisë . Situata më problematike ishte në rrugën Milesh-Dinoshë, e cila ishte mbuluar me ujë, pasi  që lumi Cem në këtë pjesë kishte dalë nga shtrati. Moti i lig , reshje të dendura të shiut të përcjellë me erë të fortë , në trevën e Malësisë dhe në disa vende të tjera të Malit të Zi ka shkaktuar ndërprerje disa orësh të rrymës elektrike. Deri para pak ditësh kishim një mot me temperatura mjaftë të larta për këtë periudhë të vitit, prandaj gjatë stinës së dimrit të ftohtit, era e stuhishme, reshje të shiut  dhe bora janë të zakonshme.

 

Për nesër parashihet të mbajë mot me vransira të ndryshueshme

 

            Sot në mal të Zi ka mbajtur mot kryesisht i vranët dhe vende vende me reshje të shiut në jug dhe të skllotës në veri të vendit. Frynë erë mesatare deri e fortë veriore dhe perëndimore.

             Temperaturat: Tivar 16, Podgoricë e Ulqin 15, H. Novi e Budvë 14, Cetinë 9, Nikshiq , B. Pole e Beranë 8, Shavnik 7, Plavë, Plluzhinë e Kollashin 6, Plevle 5 Rozhaj 3 dhe në Zhablak 0 g.

              Për nesër në viset jugore dhe qëndrore parashihet të mbajëmot kryesisht i kthejllët , kurse në veri i vranët dhe vende vende me reshje të dobëta të shiut, të skllotit dhe në viset e larta me borë. Do të fryjë erë mesatare deri e fortë nga drejtimet veriore. Temperatura e mëngjesit prej -3 deri në 11, kurse më e larta e ditës prej -1 deri në 16 g. c.

 

 

 

Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се