Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

05. 02. 2020. 17:14   >>  17:24

Ditari 05.02.2020

05.02.2020

Gjukanoviq: shteti nuk do ti pranoj shantazhet

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq beson se do të zhvillohet dialog ndërmjet kryeministrit Dushko Markoviq dhe Mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe, Amfillohije, për Ligjin mbi lirinë e feve, dhe nuk mund të ketë zgjidhje tjetër, sepse shteti nuk do ti pranojë shantazhet. Në intervistën për RTMZ në emisionin “Teleskopia”, presidenti ka theksuar se e ka gabim çdo njëri që mendon se me këmbëngulje në organizimin e procesioneve, do ta detyrojë shtetin të kapitullojë. Ai ka shtuar se në këtë moment Mali i Zi është shtet stabil, të cilin e mbrojnë institucionet kompetente. Gjukanoviq ka shtuar se Kisha Ortodokse Serbe me faktin se nuk dëshiron të regjistrohet, donë të paraqitet si dikush që është mbi shtetin dhe të dërgojë mesazhe se Mali i Zi është shtet teokratik. Në pyetjen që të komentojë se si sot, pas protestave për shkak të Ligjit mbi lirinë e feve, duket Mali i Zi nëse është shtet qytetar, evropian dhe sekular ose shtet teokratik, Gjukanoviq është përgjigjur se është e qartë se lufta politike në të gjitha shoqëritë ballkanike është e gjallë. “Në debatet të cilat mund të dëgjohen këtyre ditëve me rastin e ligjit në fjalë, kam paraqitur tezën se fjala nuk është për ligjin, fjala nuk është për pronën, por fjala është për vet shtetin. Përsëri krijohet dilema për të cilën kemi besuar se me rivendosjen e pavarësisë e kemi tejkaluar, se është e qartë që Mali i ZI përparon drejtë miratimit të sistemit evropian të vlerave”, ka theksuar Gjukanoviq. Ai ka shtuar se paqja dhe siguria në Mal të Zi nuk janë të rrezikuara, edhe pse jetojmë në kushtet e një stabiliteti të përkeqësuar në Evropë dhe në rajon. Gjukanoviq po ashtu ka theksuar se ka shumë individë të cilët nga adresa të ndryshme përpiqen ti keqpërdorin procesionet, duke shtuar se të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësinë për atë që e veprojnë. Ai ka shtuar se në esencë Mali i Zi është shtet demokratik.

Qëllimi është ndryshimi i ligjit e jo i shtetit

Rektori i fakultetit të teologjisë në Cetinë, Gojko Peroviq, ka deklaruar se Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi, duke luftuar kundër Ligjit kontestues për lirinë e feve, lufton për një Mal të Zi më të mirë dhe se qëllimi nuk është që ta ndryshojmë shtetin, por aktin kontestues juridik, shkruan gazeta “Dan”. Të përkujtojmë se presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq në emisionin e mbrëmshëm të TVMZ “Teleskopia”, ka vlerësuar se Kisha Ortodokse Serbe është instrument për realizimin e interesave nacionale serbomëdha. Duke luftuar, siç ka theksuar ai, kundër një ligji të tillë, “ne si qytetarë të Malit të Zi, njëkohësisht edhe si besimtarë të Kishës ortodokse, luftojmë për një Mal të Zi më të mirë”, ka theksuar Peroviq. “Të gjitha të tjerat janë biseda të devijuara dhe të pabaza. Pra, temë e bisedimeve është ligji i dobët”. Sipas fjalëve të tij, “me miratimin e ligjit të ri Kishës Ortodokse Serbe i janë suspenduar të drejtat për të faktuar pronën të cilën e disponojnë të gjithë personat tjerë fizik dhe juridik në Mal të Zi në bazë të ligjeve dhe të kushtetutës”.

Dialogu do ta çojë Malin e Zi drejtë BE

Shefi i delegacionit të BE në Mal të Zi, Aivo Orav e ka komentuar temën më aktuale në Mal të Zi, Ligjin për liritë fetare. Duke u përgjigjur në pyetjen se si e komenton fenomenin që Kisha, selia e të cilës është në një shtet tjetër, ia mohon të drejtën Malit të Zi miratimin e ligjeve, Orav është përgjigjur se BE me 19 dhjetor ka paraqitur qartë qëndrimin e vetë lidhur me Ligjin për liritë fetare. “Unë vetëm mund tu bëjë ftesë të gjitha palëve të interesuara që të hyjnë në dialog dhe kjo do tu çojë në BE”, ka deklaruar ai në Podgoricë pas prezantimit të rezultateve të sondazhit me titull, “Qëndrimet e qytetarëve për integrimet evropiane dhe procesin e asocimit të Malit të Zi dhe anëtarësimin në BE”, transmeton “Antena M”.

Anëtarësimin në BE e përkrahin 66.4% të qytetarëve

Anëtarësimin e Malit të Zi në BE e përkrahin 66.4% të qytetarëve, kurse 26.7% konsiderojnë se Mali i Zi nuk duhet të anëtarësohet në BE, tregojnë rezultatet e hulumtimit të opinionit publik, të cilët janë prezantuar sot në Podgoricë. Hulumtimin me titull, “Qëndrimet e qytetarëve për integrimet evropiane dhe për procesin e asocialit të Malit të Zi për anëtarësim në BE” e ka realizuar Agjencia, “De facto consultanci”, për nevojat e delegacionit të BE në Mal të Zi në periudhën prej 15 deri me 29 dhjetor të vitit të kaluar. Përfaqësuesja e kësaj Agjencie, Olivera Komar, ka theksuar se 82% të anketuarave kanë deklaruar se do të merrnin pjesë në referendumin për anëtarësimin e Malit të Zi në BE. Ajo ka theksuar se në përgjithësi qëndrim pozitiv ndaj BE kanë 66.1% të anketuarve, kurse 24.3% kanë qëndrim negativ. Sipas fjalëve të saj, kur është fjala për deklarimin e qytetarëve nëse e përkrahin anëtarësimin e Malit të Zi në BE, situata kryesisht është stabile krahasuar me vitin e kaluar. Në pyetjen se cilat janë pengesat më të mëdha në rrugën e Malit të Zi drejtë BE, një e treta e të anketuarve konsideron se problemet kryesore janë kriminaliteti dhe korrupsioni, pastaj situata ekonomike dhe borxhi shtetëror.

 

SHBA përkrah Malin e Zi në luftën kundër dezinformatave dhe propagandës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të përkrahin Malin e Zi në luftën kundër dezinformimit dhe propagandës, është kumtuar pas takimit të kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi Ivan Brajoviq me përfaqësuesit e administratës amerikane. Brajoviq në fillimin e vizitës në Uashington, me rastin e pjesëmarrjes në mëngjesin e lutjeve, ka biseduar me përfaqësuesin special për Ballkanin Perëndimor, Metju Pallmer. Brajoviq, është shprehur i kënaqur me raportet dhe bashkëpunimin gjithëpërfshirës ndërmjet Malit të Zi dhe SHBA, si partner strategjik në plotësimin e synimeve më të rëndësishme të politikës së jashtme të Malit të Zi. Ai ka folur edhe për ngjarjet në Mal të Zi pas miratimit të Ligjit për liritë fetare. Gjatë bisedimeve, bashkëbiseduesit janë pajtuar për rendësin e dialogut në uljen e tensioneve dhe në luftën kundër fushatës së dezinformimit dhe të propagandës. “Pallmer ka theksuar se Mali i Zi është shtet shumënacional dhe shumëkonfesional, historia më e suksesshme në rajon dhe shembuj për fqinjët tjerë duke ofruar çdo ndihmë në promovimin e mëtejmë të vlerave demokratike”, thuhet në kumtesë. Për situatën në Mal të Zi, pas miratimit të ligjit, Brajoviq ka biseduar edhe me Ambasadorin për liritë ndërkombëtare dhe fetare, Semjuell Braunbeg. Brajoviq ka sqaruar se qëllimi i shtetit ka qenë që në mënyrë demokratike të rregullohet kjo fushë, që të implementohen parimet themelore kushtetuese për liritë fetare dhe barazinë e të gjitha bashkësive para ligjit dhe të vërtetohet karakteri qytetarë i shoqërisë dhe shtetit malazeze. Brajoviq në Kongresin amerikan ka biseduar edhe me kryetarin e Këshillit për punë të jashtme të Dhomës përfaqësuese, kongresistin, Eliot Engell dhe me kryetarin e nën këshillit të senatit për Evropën dhe sigurinë rajonale, Ron Xhonson.

Prioritet i NATO-s është politika e dyerve të hapura

Politika e NATO-s e dyerve të hapura dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor duhet të mbesin prioriteti i Aleancës në periudhën e ardhshme, kanë vlerësuar Ministri i mbrojtjes, Predrag Boshkoviq dhe këshilltari ushtarak në largim i ambasadës së Sllovenisë në Podgoricë, Primozh Shavc. Gjatë takimit është theksuar se marrëdhëniet në fushën e mbrojtjes, por edhe marrëdhëniet e përgjithshme bilaterale ndërmjet Malit të Zi dhe Sllovenisë do të zhvillohen me sukses si edhe në periudhën e kaluar. Nga Ministria e mbrojtjes është kumtuar se Boshkoviq dhe Shavc kanë deklaruar se politika e NATO-s e dyerve të hapura dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor duhet të mbetën prioritet i Aleancës edhe në periudhën e ardhshme, duke theksuar rëndësinë e punës dhe bashkëpunimit të përbashkët të anëtarëve të NATO-s drejtë këtij objektivi. Siç është kumtuar, me këtë rast është folur edhe për kontributin e madh të cilin ia ofron Sllovenia Malit të Zi në rrugën drejtë anëtarësimit në BE. Shavc ka vlerësuar lartë rezultatet e Malit të Zi në rrugën e integrimeve evropiane, duke apostrofuar rolin e Malit të Zi në kontekstin e stabilitetit dhe të sigurisë rajonale me rëndësi kyçe.

Kërkohet mbledhje urgjente e Këshillit të prokurorisë

Fronti Demokratik ka kërkuar nga ushtruesi i detyrës të prokurorit kryesor të shtetit, Ivica Stankoviq, që të thërras mbledhjen urgjente të Këshillit të prokurorisë dhe të kërkojë informatat lidhur me dokumentin i cili para do kohe i është dorëzuar Prokurorisë speciale të shtetit. Njëri nga liderët e FD-së, Millan Knezheviq, në konferencën për gazetarët ka theksuar se janë në njohuri se para disa javësh, në emër të Prokurorit special kryesor, Milivoje Katiniq, në Prokurorinë special të shtetit ka arritur një dokument zyrtar i cili e shfuqizon aktvendimin gjyqësor për grusht shtetin. Siç ka theksuar, Stankoviq në mbledhjen e Këshillit të prokurorisë duhet të ftojë edhe Prokurorin special, Katniq, në mënyrë që para kësaj organizate të prokurorisë dhe tërë opinionit malazez të bëjë me dije se cili është ky dokument të cilin e ka marr nga organet zyrtare të Serbisë. Në pyetjen se nëse e kanë të njohur se për çfarë dokumenti është fjala, Knezheviq është përgjigjur se disponojnë me informata jozyrtare, dhe nga këto arsye i bëjmë ftesë prokurorit Katniq që ta publikojë këtë dokument. Në pyetjen se nëse konsideron se mund ta mbahet dialogu me Kishën Ortodokse Serbe lidhur me Ligjin për lirinë e feve, Knezheviq është përgjigjur se Kisha Ortodokse Serbe është përgjigjur qartë në ftesën e kryeministrit Markoviq që së pari kërkohet tërheqja e ligjit dhe pastaj mund të fillojë dialogu për këtë akt juridik dhe për kontratën bazë.

Miratohet metodologjia e re e zgjerimit të BE-së

Kolegji i Komisionit Evropian miratoi sot metodologjinë e re të procesit të anëtarësimit në BE, qëllim i së cilës është rivendosja e perspektivës së besueshme evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor, tha komisionari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi. Në konferencën për gazetarë në Bruksel, Varhelyi tha se vendet anëtare të Bashkimit Evropian duhet ta miratojnë metodologjinë e re para Samitit BE-Ballkani Perëndimor - që do të mbahet në muajin maj në Zagreb, dhe paralelisht me fillimin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Varhelyi tha se metodologjia e re bazohet në katër parime themelore të besueshmërisë, udhëheqjes më të fortë politike, dinamikës dhe parashikueshmërisë. "Këto janë parimet me të cilat duam të sigurojmë se procesi do të jetë më i besueshëm, më dinamik dhe i udhëhequr më shumë nga politika", tha Varhelyi. Më herët, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Komisioni ka propozuar "plan të besueshëm dhe dinamik, i cili ia hap rrugën nisjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut". "Lajm i mirë për miqtë tanë të Ballkanit Perëndimor në lidhje me procesin e zgjerimit të BE-së", shkroi von der Layen në Twitter. Sipas dokumentit që ka parë Radio Evropa e Lirë, metodologjia e re e bën të mundur pezullimin ose kthimin në fillim të bisedimeve të pranimit, në rastet kur vendet kandidate nuk përparojnë në asnjë fushë. Me këtë metodologji, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të kenë më shumë fuqi për të iniciuar pezullimin e negociatave të pranimit. Kjo metodologji nuk do të zbatohet për Serbinë dhe Malin e Zi, dy vende që tashmë i kanë nisur negociatat e anëtarësimit, por mbetet e hapur mundësia që edhe ato të përfshihen në qasjen e re nëse pranojnë.

 

Me Serbinë reciprocitet, me këtë pajtohet edhe opozita

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë pas takimit me Shefen e BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova se ky Union do ta ndihmojë Kosovën drejt proceseve që ndodhet vendi. “Kur të jemi anëtar të BE-së ne nuk do të shkojmë në BE, por BE-në do ta kemi këtu si pjesë të jetesës. Shoqëria jonë është avancuar në aspektin e drejtësisë dhe ekonomisë”, ka thënë Kurti. Në konferencë për media ai ka folur edhe për taksën 100% e cila ka thënë se do të zëvendësohet me reciprocitet. “Ne nuk i vendosim Serbinë dhe Bosnjën në të njëjtën fjali. Edhe për shkaqe historike dhe arsye aktuale. Konsiderojmë që jemi këtu ku jemi si qeveri e re edhe për shkak të zotimit tonë se me Serbinë do të kemi reciprocitet si zëvendësim për tarifën 100%. Nuk kthehemi në marrëdhënie asimetrike me Serbinë. Do të avancojmë. Edhe LDK edhe LVV, Osmani dhe unë mbi 60 përqind të votave në Kosovë, në mesin e shqiptarëve kanë qenë më parimin e reciprocitetit. Për reciprocitetin janë dakord edhe opozita”, ka thënë Kurti.

Taksa 100% do të hiqet, po ka një kusht

Kryeparlamentarja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin gjerman, Christian Heldt, me të cilin kanë diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet dy parlamenteve. Mirëpo, pjesë e këtij diskutimi qe edhe tarifa e vendosur nga ish-qeveria Haradinaj, për të cilën u pyet nga gazetarët se çfarë do të ndodhë sa i përket kësaj çështje, për të cilën Osmani tha se do të zëvendësohet me masat e reciprocitetit. “Siç e dini programi i përbashkët i koalicionit është prezantuar nga kryeministri Albin Kurti në kuvend më 3 shkurt dhe aty është bërë e qartë se siç e kemi thënë se tarifa të zëvendësohet me masat e reciprocitetit. Relacionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të bazohen në këtë parim, të cilin e aplikon çdo shtet demokratik”, ka thënë Osmani. Ajo shtoi se për t’u larguar kjo taksë, Serbia duhet të ndërpresë fushatën e çnjohjeve, të cilën sipas Osmanit, po e bën përmes metodave ilegale, duke e minuar rëndësinë e dialogut. “Për t’u larguar kjo tarifë, siç edhe e ka thënë ambasadori amerikan, Grenell, Serbia duhet ta ndërpresë fushatën e çnjohjeve, që po bën përmes metodave ilegale, që e ka minuar rëndësinë e dialogut. Ne s’kemi qenë pengesë për dialogun, pra do të punojmë me deputetë të opozitës që të kenë transparencë të plotë në këtë proces, atëherë mund të presimin që të kemi sukses në proces”, ka përfunduar Osmani. Kryetarja e Parlamentit të Kosovës, në këtë takim ka njoftuar se i është mirënjohëse Heldtit për përkrahjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë vendit tonë.

Tërmeti në Shqipëri shkaktoi afro 1 miliard euro dëme

Tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri shkaktoi dëme në vlerë prej 985 milionë eurosh, ndërsa ndikoi edhe në ngadalësimin e rritjes ekonomike, thanë zyrtarë të këtij vendi. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, tha se shifrat janë hartuar në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, Bankës Botërore dhe Kombeve të Bashkuara për fatkeqësitë natyrore në të gjithë botën. Tërmeti me fuqi prej 6.4 shkallësh të Richterit la 51 njerëz të vdekur dhe qindra të plagosur. Në total, 202,291 njerëz në 11 komuna janë prekur nga katastrofa, tha Çuçi në një konferencë në Tiranë, raporton agjencia e lajmeve DPA. Sipas tij, autoritetet kanë kontrolluar rreth 50,000 ndërtesa të dëmtuara. Menaxherja e Bankës Botërore në Shqipëri, Evis Sulko, tha se tërmeti ka shkaktuar dëme që kapin vlerën e gjithsej 7.5 për qind të bruto prodhimit të brendshëm të Shqipërisë dhe se ka bërë që ekonomia të ngadalësohet. "Shkalla e rritjes ekonomike në fund të vitit të kaluar ka qenë në rënie dhe kjo trajektore është parashikuar edhe për këtë vit", tha Sulko. Parashikimi i rritjes ekonomike për 3.5 për qind ka rënë tani në 3.2 për qind. Bashkimi Evropian planifikon të mbajë një konferencë donatorësh më 17 shkurt për ta ndihmuar Shqipërinë në trajtimin e pasojave të tërmetit.

Trump përsërit synimin për t'i dhënë fund luftës në Afganistan

Presidenti amerikan, Donald Trump ka përsëritur synimin e tij për t’i dhënë fund luftës 18-vjeçare në Afganistan dhe për të zvogëluar numrin e trupave në këtë shtet. Trump i ka thënë Kongresit gjatë fjalimit të tij drejtuar kombit se nuk është punë e Shteteve të Bashkuara të “shërbejnë” si agjenci e zbatimit të ligjit për shtetet tjera. “Ne jemi duke punuar për t’i dhënë fund luftës më të gjatë të Amerikës, ashtu që të kthejmë në shtëpi trupat tanë”, ka thënë Trump në fjalimin e tij gati 1 orë e 20 minuta. Trupat amerikane kanë luftuar në Afganistan nga viti 2001. Aktualisht rreth 14,000 trupa kanë bazën në Afganistan. Administrata e Trumpit po synon të zvogëlojë numrin e trupave ushtarake në këtë shtet në 8,000. Trump ka thënë sërish se Shtetet e Bashkuara do të mund të fitonin shumë lehtë luftën në këtë shtet, mirëpo kjo do të rezultonte me numër të madh të viktimave. Shtetet e Bashkuara janë në proces të zhvillimit të negociatave me talibanët dhe qeverinë afgane për të arritur marrëveshje për paqe.

Arrin në 490 numri i të vdekurve nga koronavirusi i ri

Rreth 500 persona kanë vdekur në Kinë si pasojë e shpërthimit të koronavirusit të ri, derisa është raportuar për 24,324 raste të prekura nga ky virus deri më 4 shkurt. Të gjitha 65 vdekjet e reja janë raportuar në provincën Hubei, duke rritur numrin e viktimave në 490. Kjo ditë ka shënuar shifrën më të lartë të vdekjeve prej kur ka shpërthyer virusi në Vuhan të Kinës në muajin dhjetor. Miliona kinezë janë urdhëruar që të mos largohen nga shtëpitë e tyre, derisa pjesa më e madhe e provincës Hubei, që ka 50 milionë banorë, tashmë është izoluar. Përveç Kinës, për të prekur me koronavirusin e ri është raportuar në dhjetëra shtete tjera në botë. Ky shpërthim ka shtyrë shumë qeveri, përfshirë atë të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, që të prezantojnë kufuizime të udhëtimit dhe pezullim të fluturimeve prej dhe nga Kina. Ambasada ruse në Pekin ka thënë më 5 shkurt se 128 shtetas rusë janë evakuuar nga provinca Hubei. Kjo epidemi, e cila është shpallur emergjencë globale nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, besohet se është rezultat i shitjeve ilegale të kafshëve të egra në disa tregje të Vuhanit. 

Dhjetëra të vdekur nga orteku i borës në Turqi

Një ortek bore ra në një autostradë malore në provincën Van të Turqisë, duke shkaktuar vdekjen e së paku 28 personave. Në autostradë ndodheshin rreth 300 pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit, që po merreshin me pasojat e një orteku tjetër që ra mbrëmjen e së martës dhe la së paku pesë njerëz të vrarë.

Ministria e Brendshme e Turqisë tha se së paku 30 punonjës të emergjencës ose kanë ikur, ose janë shpëtuar dhe se tashmë janë shtruar në spital. Autoritetet nuk kanë ende informacione se sa persona mbeten të bllokuar nën borë. Sipas gazetës turke Hurriyet, guvernatori i provincës Van, Mehmet Emin Bilmez, tha se policë, roje të sigurisë, zjarrfikës dhe civilë janë në mesin e viktimave. Kërkimet dhe përpjekjet e shpëtimit janë duke vazhduar, por raportohet se ato po pengohen nga mjegulla, bora dhe era e fortë.

Nesër mot kryesisht i kthjellët

Sot në viset jugore dhe qendrore të Malit të Zi ka mbajtur mot me vranësira të ndryshueshme dhe i thatë, kurse në veri kryesisht i vranët dhe vende vende me reshje të dobëta të borës. Frynë erë mesatare, vende vende deri e fortë nga drejtimet e veriut.

Temperaturat: në Ulqin 12 gradë, Podgoricë, Tivar, H. Novi e Budvë 11, Cetinë 5, Nikshiq 4, B. Pole e Shavnik 2, Beranë 1, Plavë, Plevle , Kollashin Plluzhinë e Rozhajë 0 dhe në Zhablak -4 gradë.

Edhe për nesër parashihet të mbajë mot me vranësira të ndryshueshme, por kryesisht i thatë. Do të fryjë erë mesatare deri e fortë , vende vende shumë e fortë veriore dhe veri lindore. Temperatura e mëngjesit prej -14 deri në 2, kurse më e larta e ditës prej -8 deri në 10 g. C .

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се