Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

08. 04. 2020. 17:47   >>  17:58

Ditari 08.04.2020

08.04.2020

Raste të reja me COVID-19, por gjendja shumë më stabile se ditëve të kaluara

Në Mal të Zi janë regjistruar edhe 8 raste të reja të infektimit me virusin e ri Corona duke e çuar kështu numrin e të prekurve në 249. Nga Instituti për Shëndetin Publik kanë deklaruar se prej dje në orën 17 e 45 minuta deri sot në të njëjtën kohë, janë analizuar mbi 300 mostra prej të cilëve 8 kanë rezultuar pozitiv në koronavirus. Theksohet se të sapo prekurit janë; 5 në Podgoricë dhe në Nikshiq, Tivar e Tuz nga një dhe se të gjitha këto raste kanë pasur kontaktet me rastet e konfirmuara më parë. Përndryshe në Mal të Zi më së tepërmi të prekur ka në Podgoricë 124, në Tuz 36, në Nikshiq 31, në Tivar 21 dhe në Ulqin 9. Në Andrijevicë janë regjistruar 7 presona të infektuar, në Bjello Pole e Herceg Novi nga 6, në Budvë 4, në Danillovgrad 3 dhe në Tivat 2 persona. Ndërsa, gjendja e përgjithshme shëndetësore e të gjithë punëtorëve të shëndetësisë të cilët gjenden në izolim është e mirë, ka deklaruar ministri i shëndetësisë Kenan Hrapoviq. Ai për të TVMZ ka kumtuar se të gjitha institucionet shëndetësore funksionojnë pa pengesë, por qytetarët duhet të bashkëpunojnë me mjekët dhe ti respektojnë masat e trupit koordinues nacional. Në institucionet e mbrojtjes sociale dhe të fëmijëve në të cilat qëndrojnë disa qindra shfrytëzues, asnjë individ nuk është i prekur me virusin Covid 19, ka kumtuar kryetari i Këshillit për shëndetësi, punë dhe përkujdesje sociale Suad Numanoviq. Strategjitë në luftën kundër pandemisë së koronavirusit janë të ndryshme, dhe njëra prej tyre është edhe testimi masiv. Në Ballkan, Mali i Zi dhe Kroacia kryesojnë në mesin e vendeve të cilat kanë bërë më së tepërmi testime menjëherë pas Sllovenisë. Mali i Zi dhe Kroacia e zënë vendin e 57 në botë, kurse Sllovenia gjendet në vendin e 17. Serbia është në vendin e 82 në botë dhe për momentin është vendi i fundit në mesin e shteteve të ish Jugosllavisë për nga numri i personave të testuar.

 

Në QK të MZ janë instaluar tre respiratorë të ri

Në Qendrën Klinike të Malit të Zi (QK e MZ) janë instaluar tre respirator të ri, duke falënderuar donacioneve të Lidhjes futbollistike të Malit të Zi, Sigurimit, “Llovqen” dhe kompanisë, “Urion”. Drejtori i QK të MZ, Jevto Erakoviq falënderoi për këtë donacion, duke theksuar se respiratorët janë instaluar dhe janë gati për përdorim. “Tani kemi një numër reskpektabil të respiratorëve në Qendrën klinike”, tha Erakoviq. Sipas fajeve të tij, dëshira e të gjithë të punësuarve në Qendrën tonë klinike është ë qytetarët të respektojnë masat, që të kemi sa më pak pacientë të sëmurë me COVID-19, për të cilët respiratorët do të ishin të domosdoshëm. “Falënderoj donatorët, sepse me këtë kemi fituar fuqi më të madhe për mbështetje respiratore për pacientët tanë”, theksoi Erakoviq. Në ndërkohë sot në Podgoricë arriti edhe kontigjenti me ndihmë medicinale si donacion i presidentit të Turqisë Rexhep Tapip Erdogan. Ky vendim, siç është kumtuar, ka pasuar pas bisedës së paradokohshme telefonike të presidentit të Malit të Zi Millo Gjukanoviq me kolegun turk, Erdogan. Nga kabineti i presidentit Gjukanoviq kanë precizuar se fjala është për 50 mijë maska medicinale, 1 mijë kostume mbrojtëse dhe 1 mijë teste.

 

Ndalimin e daljeve nga banesa mbrëmë e kanë shkelur 38 persona

Për shkak të shkeljes së masës të daljes nga objektet banesore prej orës 19 të mbrëmjes deri në ora 5 të mëngjesit policia ka penalizuar mbrëmë gjithsejtë 38 individë. Më së tepërmi shkelje kanë bërë qytetarët e Nikshiqit.“Qytetarët masën e ndalim daljes nga banesat e veta prej orës 19 deri në ora 5 të mëngjesit më së tepërmit e kanë shkelur qytetarët e Nikshiqit. Policia në këtë qytet ka bërë procesuimin e 9 personave të cilët nuk e kanë respektuar dispozitën dhe masat për pengimin e përhapjes së virusit Covid-19”, thuhet në Twiterin e Drejtorisë së policisë. Policia ka penalizuar gjithsejtë 38 persona. Siç theksohet, policia në Podgoricë ka kapur 4 individë të cilët kanë shkelur masën e ndalim daljes nga objektet banesore të cilët edhe janë penalizuar. Përndryshe, në njoftimin e fundit nga Trupi Koordinues Nacional thuhet se fëmijët me autizëm dhe personat të cilët shfrytëzojnë karrocat e invaliditetit edhe në kohën e ndalim daljes nga objektet banesore mund të qëndrojnë në hapësirat publike, por më së tepërmi një orë në ditë, ka vendosur sot Trupi Koordinues Nacional për sëmundjet ngjitëse.

 

 

Të denoncohen rastet e dhunës në familje

Pasi që SOS linja nacionale shënon 27% më tepër telefonata për shkak të dhunës në familje, ushtruesi i detyrës të Prokurorit suprem shtetëror, Ivica Stankoviq ka kërkuar nga udhëheqësit e prokurorive kompetente shtetërore urgjencë në procesuimin e këtyre lëndëve. Ushtruesi i detyrës të prokurorit suprem të shtetit u ka rekomanduar prokurorëve shtetëror që edhe në lëndët nga dhuna familjare pret efikasitet në procedurë, kur është fjala për shkeljen e rekomandimeve të Trupit Koordinues Nacional dhe të urdhëresës së Ministrisë së shëndetësisë dhe në këtë mënyrë u është falënderuar.

 

 

Vetëm BE mund tu ndihmojë shteteve të Ballkanit Perëndimor

Ekonomia botërore do të përjetojë recesionin, kurse zgjatja e tij do të varet se sa me efikasitet do të mposhtet pandemia e koronavirusit. Ballkani mund të pres një rënie të madhe ekonomike gjatë muajve të ardhshëm, kështu që BE do të jetë shumë i rëndësishëm në ofrimin e ndihmës për shërimin ekonomik të këtyre vendeve. “Asnjë fuqi tjetër nuk ka resurse që ta ndihmojë në mënyrë të konsiderueshme këtë rajon, pa marrë parasysh dezinformatat të cilat i përhapin Kina dhe Rusia”, ka theksuar në intervistën për gazetën “Pobjeda”, eksperti për Ballkanin, analisti amerikan, Janush Bugajski. Ai ka theksuar se Mali i Zi duhet të bashkëpunojë ngushtë me fqinjët dhe me BE, me qëllim që të përgatit sa më mirë për kërcënimet e ardhshme të epidemive. “Mali i Zi është duke iu adoptuar kërcënimeve dhe ndërmerr masa të rëndësishme drejtë përkufizimit të infektimeve të mëtejme, siç është rasti në Komunën e Tuzit. Mirëpo, në shumicën e shteteve pandemia nuk është kuptuar seriozisht me qëllim të reagimit të hershëm dhe me qëllim të pengimit të përhapjes së infektimit dhe ndalimit të viktimave. Mali i Zi duhet të bashkëpunojë ngushtë me fqinjët e vetë dhe me BE me qëllim që sa më mirë të përgatitet për kërcënimet e ardhshme virusale“, ka theksuar Bugajski.

 

 

#Mëso nga shtëpia, edhe përmes aplikimit mobil

Përmbajtjet,#Mëso nga shtëpia, prej sot gjenden edhe ne aplikimin mobil për të gjitha sistemet operative. Në këtë mënyrë do të lehtësohet dukshëm qasja e mësimit në distancë. Edhe të dhënat më të reja aktuale tregojnë interesimin e madh për sistemin, #Mëso nga shtëpia, kështu që sipas sondazhit reprezentativ të IPSOS-it, mbi dy të tretat e qytetarëve së paku një herë i ka shikuar përmbajtjet në fjalë: mbi 80% të tyre janë të kënaqur, kurse kanali i YOUTUBE #Mëso nga shtëpia, brenda dy javëve ka shënuar 800 mijë shikime. Këtë e ka kumtuar sot ministri i arsimit Damir Shehoviq gjatë prezantimit të këtij aplikimi dhe të planeve për zhvillimin e konceptit të mësimit në distancë,#Mëso nga shtëpia. “Ministria e arsimit është në procesin e hartimit të projektit të iniciativës së Evropës Qendrore. Qëllimi është që në sajtin, #Mëso nga shtëpia, të integrohen zgjidhjet të cilat nënkuptojnë interaksionin e mësimdhënësve me nxënësit e tyre. Nëse ky projekt do të aprovohet, në ditët e ardhshme do të kemi një platformë krejtësisht të inovuar dhe është hap i madh përpara, krahasuar me zgjidhjet aktuale”, ka theksuar Shehoviq. Duke u bazuar në situatën aktuale dhe ndryshimin e kalendarit shkollor, Ministria e Arsimit e Malit të Zi ka sjellur vendim që të shtyhen testimet e nxënësve për fundin e ciklit të dytë të shkollës fillore, testimi ekstern si dhe ai i maturës. Po ashtu shtyhen edhe testimet paraprake për testet PISA. Ky vendim do të jetë në fuqi deri në përfundimin e masave të sjellura për të parandaluar përhapjes e sëmundjes Covid 19. Për çdo ndryshim, opinioni publik do të njoftohet me kohë, thonë nga kjo ministri.

 

Donacionet vazhdojnë si për Tuz, ashtu edhe për Ulqin e vendet tjera

Kemi hyrë në javën e tretë nga paraqitja e parë e koronavirusit në Malësi dhe izolimit total nga çdo lëvizje jashtë shtëpive dhe oborreve, për banorët e Malësisë. Ndërkaq, janë rreth 80 vullnetarë të cilët po përkujdesën në furnizimin me ushqime, medikamente dhe produkte tjera themelore për funksionimin, në këto rrethana, për çdo familje në Malësi. Ndërkohë, Shoqata “Jetimët e Ballkanit” - Halil Kastratit nga Kosova, duke u solidarizuar me banorët në nevojë, në komunën e Tuzit, kanë dhuruar 100 pako me artikuj ushqimor me vlerë prej 3000 euro. Edhe grupi i afaristeve nga Luksemburgu, bashkëqytetarët tonë nga viset veriore të Malit të Zi, me vetë iniciativë, kanë grumbulluar 11.150 euro për të ndihmuar qytetarët në komunën e Tuzit. Duke u solidarizuar me banorët në situatën e krijuar, individë dhe kompani të shumta dhuruan donacione të ndryshme. Që kur Komuna e Tuzi është karantinuar, donacionet nga ata që duan të ndihmojnë popullin e Malësisë kanë qenë të mëdha. Deri pasditen e djeshme situata sa i përket donacioneve ka qenë; 171,258 euro, 91,500 dollarë, dhe 50,000 dhuruar në kryeqyteti. Mjete kanë dhuruar kompani, individë si dhe diaspora. Kryetari i komunës, Nik Gjeloshaj tha se 75 përqind e totalit, duke mos llogaritur donacionin nga kryeqyteti, janë nga diaspora. Gjeloshaj falënderoi të gjithë ata që dhuruan dhe kështu ndihmuan qytetarët e Malësisë në një situatë ku ata po luftojnë me koronavirusin. Solidariteti ndaj banorëve të komunës së Tuzit vazhdon gjithnjë nga individë të shumtë. “Pandemia nuk ka kursyer as vendlindjen tonë dhe të shumta janë ato familje që përveç të shqetësuar nga virusi mbi supe po ju rëndon edhe varfëria duke ju shtuar hallin të cilin si komunitet kemi mundësi t’a zbusim”, thuhet në një postim nga Shoqata Ane e Malit në Nju Jork, transmeton Ulqini Online. Shoqata Ana e Malit tashmë ka filluar aksionin për të ndihmuar financiarisht familjet me vështirësi financiare në vendlindje.

 

 

Seanca e Kuvendit të MZ deri në fund të prillit

Seanca e radhës e Kuvendit të Malit të Zi do të duhej të mbahet deri në fund të muajit prill, por janë krijuar edhe kushtet teknike që trupat punues të mbajnë mbledhje edhe përmes sistemit të video konferencave, është kumtuar pas mbledhjes së Kolegjiumit të kryetarit të Parlamentit të Malit të Zi, të cilën e ka kryesuar Ivan Brajoviq. Siç është kumtuar nga kabineti i kryetarit, “në mbledhjen të cilën e ka kryesuar ai është bërë fjalë për aktivitetet e Parlamentit të Malit të Zi dhe të institucioneve tjera në rrethanat ekzistuese. Është theksuar rëndësia e vazhdimit të bisedimeve për qëndrueshmërinë ekonomike dhe sociale dhe është arritur marrëveshja që në mbledhjen e ardhshme të Kolegjiumit të kryetarit e cila do të mbahet të martën me 14 prill, të ftohen për pjesëmarrje edhe Drejtori për punë dhe çështje sociale, Drejtori i drejtorisë për punët inspektive si dhe Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes së sindikatave të Malit të Zi dhe Sekretari i përgjithshëm i Unionit të sindikatave të lira”, thuhet në kumtesë.

 

 

Shqipëri, 17 raste të reja me COVID 19, ulet numri i të shtruarve

Në Shqipëri, autoritetet njoftuan sot se në 24 orët e fundit janë zbuluar 17 raste të reja me koronavirus, pas kryerjes së 236 testeve, numri më i lartë i realizuar deri tani.  Në total numri i të prekurve ka shkuar në 400 raste. Tirana vijon të mbetet epiqendra e epidemisë me 190 raste, gati gjysmën e numrit të përgjithshëm. Në vend të dytë është Shkodra, ku pati një shpërthim të rasteve në fundjavë. Autoritetet bënë të ditur gjithashtu se në 24 orët e fundit, 23 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 154, gati 40 përqind e totalit të të prekurve. Në Kosovë, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus është 184, pesë pacientë kanë vdekur, ndërsa 30 janë shëruar. Nga radhët e komunitetit serb në Kosovë janë infektuar 33 persona, ndërsa një ka vdekur. Komuniteti serb i raporton rastet në Serbi. Serbia ka vënë masat më të rrepta në të gjithë Evropën. Ora policore po mbahet tërë kohën, ndërsa personat më të moshuar se 65 vjet e kanë të ndaluar të dalin jashtë. Vuçiqi po përpiqet qëllimisht të frikësojë popullin, me qëllim që të respektojnë masat. Numri i të infektuarve në këtë vend ka shkuar st në 2447, ndërsa kanë vdekur 61 person. Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë Veriore, Venko Filipçe tha se në Kliniken Infektive në Shkup janë të shtruar gjithsej 67 pacientë, 6 në makina respiratore, në total 12 në gjendje shëndetësore të rëndë. Nga MSH në Shkup informojnë se në 24 orët e fundit janë regjistruar 29 rastet të reja me Covid-19, kështu që numri i përgjithshëm i të infektuarve ka shkuar në 599 persona.

 

 

Mbi 12 mijë viktima nga COVID-19 në Shtetet e Bashkuara

Sipas të dhënave të Universitetit “Xhons Hopkins”, numri i të infektuarve me koronavirus në mbarë botën ka shkuar në 1 milion e 431 mijë persona, ndërsa numri i viktimave në 82 mijë e 145. Deri më tani janë shëruar 301 mijë njerëz. Në Shtetet e Bashkuara, numri i të vdekurve nga koronavirusi ka arritur në rreth 12 mijë e 800, ndërsa numri i të infektuarve është rreth 400 mijë. Në Nju Jork deri sot nga pasojat e infektimit me koronavirus kanë humbur jetën 3 mijë e 202 njerëz, kanë kumtuar zyrtarët nga ky qytet. Nju Jorku është epiqendra e sëmundjes në tërë SHBA, kurse numri i viktimave nga koronavirusi është më i madh se numri i të vdekurve në sulmin në Qendrën tregtare botërore me 11 shtator, shkruan AP. Më shumë se 750 000 raste të kontaminuar nga koronavirusi i ri janë diagnostikuar zyrtarisht në Europë, më shumë se gjysma e totalit botëror, sipas të dhënave zyrtare. Me të paktën 750 276 raste dhe 58 627 të vdekur, Evropa është kontinenti më i prekur nga pandemia. Në Francë sot kanë humbur jetën 1 mijë e 417 njerëz duke e çuar numrin e të vdekurve në këtë vend mbi 10 mijë. Gjatë 24 orëve të fundit në Itali kanë vdekur 604 duke e çuar kështu numrin e të vdekurve në 17 mijë e 127 njerëz, ka kumtuar agjencia për mbrojtjen civile. Numri i të vdekurve nga koronavirusi në Spanjë përsëri është në rritje, kështu që gjatë 24 orëve të fundit luftën në betejën me këtë infektim e kanë humbur 757 njerëz, ka kumtuar Ministria e shëndetësisë së këtij vendi. Nga fillimi i epidemisë në Spanjë kanë vdekur 14 mijë e 555 njerëz, transmeton agjencia Rojters. Në këtë shtet janë konfirmuar rreth 6 mijë raste të reja kështu që numri total i të prekurve nga ky virus është rritur në 146 mijë e 690 vetë. Përndryshe, pas 76 ditësh, qyteti Vuhan i Kinës, ku janë shfaqur rastet e para me koronavirus në fund të vitit të kaluar, ka dalë nga izolimi. Izolimi i Vuhanit, i paparë deri më tash, është bërë model për vendet që po përpiqen të frenojnë përhapjen e koronavirusit.

 

Anulohet takimi i majit midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor

Samiti i Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, që është dashur të mbahet më 7 maj në Zagreb, është shtyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit. Presidenca e BE-së, që aktualisht udhëhiqet nga Kroacia, kumtoi sot se data e re dhe mënyra e mbajtjes së samitit do të dakordohen më vonë, varësisht situatës. “Në marrëveshje me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, do të bëhen përpjekje për të gjetur një termin të ri në qershor, nëse këtë e lejon situata me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi”, thuhet në njoftim. “Përndryshe, nëse nuk do të jetë e mundur mbajtja e takimit fizik, do të sugjerohet zhvillimi i takimit me video-lidhje para përfundimit të presidencës kroate të BE-së, më 30 qershor”, thekson po ashtu njoftimi. Shumë vende të Evropës, tash e sa javë, janë izoluar, në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

 

Ministrat e BE-së nuk pajtohen për planin ekonomik të ndihmës

Ministrat e Financave të Bashkimit Evropian nuk arritën të pajtohen për një plan ekonomik të ndihmës për vendet e goditura nga pandemia e koronavirusit. “Pas 16 orësh bisedime, kemi ardhur pranë një marrëveshjeje, por nuk e kemi arritur”, tha përmes një postimi në Twitter presidenti i Eurogrupit, Mario Centano. Eurogrupi do t’i vazhdojë bisedimet më 9 prill, shtoi ai. Ministrat i kanë nisur bisedimet më 7 prill, përmes video-konferencës. Synimi është pajtimi për masa të mëtejshme fiskale, që do të luftonin ndikimin e pandemisë në rrafshin socio-ekonomik. Në tryezë është një shumë me vlerë gjysmë trilioni euro, tha Centeno. Mosmarrëveshja kryesore është nëse kjo shumë duhet emëruar si borxh i përbashkët, apo “korona-bono”. Disa vende me borxhe të larta, sidomos Italia dhe Spanja, kërkojnë solidaritet nga Evropa dhe ndarje të barrës përmes borxhit të përbashkët. Por, vendet e pasura, si Gjermania, Holanda, Austria dhe Finlanda, refuzojnë ndarjen e borxheve sovrane. Banka Qendrore Evropiane ka ndarë tashmë 750 miliardë euro për të blerë borxhet e qeverive dhe të korporatave në Eurozonë dhe për të lehtësuar ndikimin e shpërthimit të koronavirusit.

 

 

Raportuesja e PE-së: liberalizimi mund të ndodhë në korrik

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon po thotë se çështja e liberalizimit të vizave për kosovarët tashmë është vonuar. Eurodeputetja gjermane ka dhënë sinjale se një gjë e tillë mund të ndodhë në muajin korrik kur Gjermania merr presidencën e BE-së. Ajo ka shkruar në “Twitter” se mbetet në dorë të Këshillit Evropian që të japë dritën e gjelbër për Qeverinë e Kosovës lidhur me këtë temë. Sipas saj, një gjë e tillë duhet që të ndodhë sa më shpejt. “Njerëzit në Kosovë e meritojnë këtë”, ka shkruar eurodeputetja gjermane. Vendimi i fundit i Qeverisë në detyrë të Kosovës për të hequr plotësisht tarifën ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja është mirëpritur nga anëtarët e parlamentit evropian. Pas vendimit të qeverisë së Kosovës për të hequr tërësisht taksën ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe nga Bosnja e Hercegovina nga 1 prilli, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon dhe Kryesuesi i Delegacionit për marrëdhëniet Bosnje- Kosovë, Romeo Franz, thanë se shpresojnë që me këtë hap do të rinis dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Po ashtu, ata shpresojnë që me këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, edhe BE-ja do ta mbajë premtimin e dhënë për heqje të vizave për qytetarët e Kosovës. 

 

 

Edhe nesër mot kryesisht me diell

Në Mal të Zi mban mot i kthjellët. Frynë erë mesatare deri e fortë nga drejtimet e lindjes dhe verilindjes. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Podgoricë e Ulqin 22 gradë, Herceg Novi 21, Tivar e Nikshiq 18, Cetinë 17, Plevle 16, Kollashin 15 dhe në Zhablak 11 gradë.

Në Mal të Zi edhe për nesër parashihet të mbajë mot kryesisht me diell. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e veriut. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej -3 deri në 9, kurse më e larta e ditës prej 12 deri në 24 gradë celsius.

 

 

ditarin e redaktoi, Violetë Gjokaj

 

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се