Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

13. 05. 2020. 17:17 >> 17:27

Ditari 13.05.2020

13.05.2020

Shteti nuk do të lejojë që të rrezikohet shëndeti i qytetarëve

“Shteti i Malit të Zi nuk do të lejojë, me asnjë kusht, që të rrezikohet shëndeti i qytetarëve”, ka theksuar kryetari i Parlamentit Ivan Brajoviq në prag të mbledhjes së Kolegiumit. Mbledhjen e Kolegiumit të kryetarit të Kuvendit e ka kërkuar lideri i Demokracisë së re serbe e deputet i Frontit Demokratik, Andrija Mandiq me rastin e shqiptimit të masës së paraburgimit për klerikët në Nikshiq. “Në këtë shtet do të respektohet ligji dhe rregullta dhe secili do të bëjë punën e vetë dhe askënd nuk do ta pengojë që të kujdeset për ruajtjen e të arriturave tona të përbashkëta, që do të thotë se ne, nëse do të kemi fat, brenda disa ditësh do dalim nga kjo krizë dhe të mos kemi të infektuar të tjerë”, ka theksuar Brajoviq. Shteti, siç ka theksuar ai, nuk do të lejojë me asnjë kusht që të rrezikohet shëndeti i qytetarëve. Brajoviq ka përkujtuar se dje nën Ostrog masat janë respektuar gjë që nuk ishte rast edhe në Nikshiq.

Mbledhja e Kolegiumit me kërkesën e Mandiqit

Në Parlamentin e Malit të Zi është mbajtur mbledhja e Kolegiumit të kryetarit të Kuvendit, mbajtjen e të cilës e ka kërkuar deputeti i Frontit Demokratik, Andria Mandiq, për të diskutuar mbi situatën e krijuar pas arrestimit të priftërinjve në Nikshiq. Mandiq në fillimin e seancës së sotme parlamentare ka theksuar se e kërkon mbledhjen e Kolegiumit, ”duke pasur para sysh se në këtë moment në Mal të Z po ndodhin pasoja shumë dramatike të krijuar nga ngjarjet e djeshme në Nikshiq”. “I tërë Mali i Zi e ka të ditur se në paraburgim gjendet Vlladika Joanikije dhe disa priftërinj të tjerë nga Nikshiqi. Nuk është i pa njohur fakti se si është reagimi i Nikshiqit dhe i të gjithë qytetarëve të Malit të Zi ndaj këtij akti”, ka theksuar Mandiq. Siç ka theksuar ai, as Joanikije dhe as Mitropoliti i kishës malazeze bregdetare, Amfillohije, nuk kanë dëshiruar dhe as që kanë planifikuar të organizojnë proçesion në Nikshiq. Ai ka theksuar se “si njëri i cili së bashku me gjithë deputetët është përgjigjes për gjithçka që ka ndodhur”, konsideron se duhet të mbahet Kolegiumi dhe të përpiqen të gjejnë zgjidhje e cila do të jetë në favor për të gjithë qytetarët e Malit të Zi.

 

Klerikët e Kishës serbe shpërfillin vendimin e Qeverisë së Malit të Zi

Klerikët e Dioqezës së Malit të Zi, që mbështesin qëndrimet e Kishës Ortodokse Serbe kanë shpërfillur vendimet e Qeverisë së Malit të Zi për ndalimin e tubimeve dhe organizimit të manifestimeve fetare, me qëllim parandalimin e Pandemisë së COVID-19. Si pasoj e shkeljes së vendimeve të Qeverisë së Malit të Zi, policia e Nikshiqit mbrëmë ka ndaluar Episkopin e Nikshiqit, Joanikije dhe shtatë priftërinj tjerë për organizim të tubimit para kishës në Nikshiq dhe shëtitjeve në rrugët e qytetit. Episkopit dhe priftërinjve u është caktuar masa e ndalimit prej 72 orëve. Si pasoj e kësaj, mbrëmë gjatë natës në rrugët e Nikshiqit nën organizimin e Kishës serbe kishte tubime të qytetarëve. Dje gjatë ditës, pos në Nikshiq, Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi kishte organizuar tubim edhe në Manastirin e Ostrogut, ku Mitropoliti Amfillohije dhe priftërinjtë tjerë që mbështesin qëndrimet e Kishës Ortodokse Serbe kishin kryer ceremoni fetare për nderë të shenjtorit të manastirit, Shën Vasilijes së Ostrogu. Edhe në Manastirin e Ostrogut ishin shkelur vendimet e Qeverisë malazeze, pasi që kishte numër të madh të besimtarëve dhe nuk respektohej distanca. Në ceremoni ishin prezent edhe politikanët proserb të Frontit Demokratik, si dhe ambasadori i Serbisë në Podgoricë, Vladimir Bozhoviq, i cili me qëllim provokimi si maskë kishte zgjedhur ngjyrat e flamurit të Serbisë. Kisha ortodokse serbe që nga fund i vitit të kaluar e deri para dy muajve pothuajse për çdo ditë kishte organizuar “shëtitje fetare”, që përmes tyre të protestohet kundër ligjit për bashkësitë fetare, ligj i cili pritet të rregulloj funksionimin e të gjitha bashkësive fetare të regjistruara në Malin e Zi.

 

Provokim politikë në formën e tubimit kishtarë

Organizatorët e ngjarjes së djeshme në Nikshiq dhe politikanët të cilët kanë bërë ftesë për tubime masive në kundërshtim me masat e Trupit Koordinues Nacional, kanë treguar jopërgjegjësi dhe përfitim politik, çmimin e të cilave duhet ti paguajnë qytetarët, konsiderojnë në PDS. “Ngjarja e djeshme në Nikshiq paraqet provokim të paramenduar politikë të kamufluar nën formën e tubimit kishtarë”, ka vlerësuar deputeti i PDS, Millosh Nikoliq. Siç ka theksuar ai ky është vetëm njëri nga ngjarjet e shumta të ngjashme me qëllim definitiv të nxitjes së destabilizimit politikë dhe ekonomik të vendit, i cili drejtëpërdrejtë rrezikon shëndetin dhe jetën e qytetarëve të Nikshiqit, por edhe të tërë Malit të Zi. Peshkopit Joanikije i është caktuar masa e paraburgimit deri në 72 orë pas marrjes në pyetjen në prokurorinë themelore të shtetit në Nikshiq për shkak të proçesionit të brendshëm në këtë qytet në të ciilin ishin tubuar disa mijëra qytetarë dhe që ishte mbajtur edhe përkundër ndalimit të tubimeve publike. Në ndërkohë, Këshilli për kontrollin qytetarë të punës së policisë ka kumtuar se me iniciativën personale po përcjell veprimin e nëpunësve policorë dhe respektimin e të drejtave të personave të mbajtur në Qendrën e sigurisë në Nikshiq. Nga Këshilli kanë theksuar se deri tani nuk kanë marrë asnjë ankesë lidhur me qëndrimin e policisë dhe se janë në lidhje të vazhdueshme me shefin e Qendrës së sigurisë të Nikshiqit, Tihomir Goranoviq. Nga ana tjetër përfaqësuesit e DEMOS-it kanë kërkuar sot që urgjentisht të lirohen peshkopi Joanikije dhe 7 klerikë të tjerë. Edhe Partia popullore socialiste e ka ftuar pushtetin që të heq paraburgimin e peshkopit dhe të klerikëve nga Nikshiqi dhe, siç kanë theksuar nga kjo parti, të mos shkaktojnë përçarjen e popullit. Mali i Zi Demokratik ka kërkuar nga organet kompetente që menjëherë të lirohen nga paraburgimi Joanikije dhe u ka bërë ftesë deputetëve të opozitës që të dalin nga Parlamenti derisa të mos krijohen kushtet për respektimin e Kushtetutës, të ligjit dhe respektimi i të drejtave të garantuara njerëzore.

 

Tubimi në Nikshiq ishte sulm brutal kundër Malit të Zi

Tubimi në Nikshiq me rastin e ditës së Shën Vasilit është pa dyshim sulm brutal, direkt dhe frontal kundër shtetit pas të cilit qëndron kisha serbe, si grusht sulmues i nacionalizmit serbomadh kundër Malit të Zi, është kumtuar nga Lëvizja malazeze. “Siç duket, priftërinjtë kanë arritur imunitetin nga shteti të bëjnë ç’të duan dhe, bile edhe në kushtet e epidemisë me veprimet e veta të kërcënojnë shëndetin e banorëve gjë që shteti e toleron sikur të jetonim në një teokrati të errët të shekullit të mesëm”, thuhet në kumtesën e Lëvizjes malazeze. Sipas fjalëve të tyre, nën presionin dhe dirigjimin e priftërinjve, situata ka eskaluar me organizimin e tubimeve masive fetare me qëllim që ato të vazhdojnë ti organizojnë edhe në të ardhmen.

  

Vuçiq dhe Irinej të shqetësuar për shkak të arrestimit të klerikëve

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe patriarku i Kishës ortodokse serbe Irinej kanë theksuar se janë tejet të shqetësuar me paraburgimin e vlladikës Joanikije dhe të disa klerikëve në Mal të Zi. Ata, në kumtesën e përbashkët kanë theksuar se shpresojnë se populli serb do të veprojë në mënyrë të qetë, në momentet kur asnjë njëri i arsyeshëm nuk dëshiron trazira dhe konflikte”. Vuçiq, siç transmeton agjencia Tanjug, ka theksuar se është i bindur se Joanikije dhe klerikët e tjerë të arrestuar do të lirohen brenda afatit më të shkurtër të mundshëm. Në kumtesë theksohet se Vuçiq i ka ofruar përkrahje të plotë patrikut serb Irinej si dhe peshkopëve të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi në përpjekjet e tyre që të gjitha problemet me të cilat ballafaqohen të zgjidhen përmes dialogut, në mënyrë të qetë dhe përmes respektimit të plotë të drejtave dhe lirive të besimtarëve të kishës ortodokse serbe.

U bëhet apel punëdhënësve të mos i largojnë punëtorët

Punëdhënësve në Mal të Zi duhet dërguar apeli që në momentet e krizës, të cilën e ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, të mos përjashtojnë punëtorë, është theksuar në mbledhjen e djeshme të Parlamentit. Gjatë debatit mbi propozimin e ligjit për shoqëritë afariste, është dëgjuar se gjatë një muajit të kaluar rreth 3 mijë qytetarë kanë mbetur pa punë. Deputeti i PDS, Nikolla Rakoçeviq konsideron se shteti duhet të gjejë mënyrën që ti dekurajojë punëdhënësit të cilët i largojnë punëtorët e vetë në mënyrë që në periudhën e ardhshme këto ndërmarrje të mos kenë mundësi të bashkëpunojnë me shtetin. Ministrja e ekonomisë, Dragica Sekuliq, ka theksuar se Mali i Zi në kohën e epidemisë ka treguar, jo vetëm nga aspekti i ruajtjes së shëndetit të njerëzve, por edhe nga aspekti i funksionimit të ekonomisë, reagim me kohë dhe të përgjegjshëm.“Asnjë artikull nuk ka munguar nëpër shitoret tona. Jemi dëshmitarë se nuk ka pas ngecje në qarkullimin e mallrave sepse kemi reaguar në kohë si me paketën e parë të masave ashtu edhe me paketën e dytë”, ka theksuar Sekuliq gjatë diskutimit i cili do të duhej të vazhdoj edhe sot në Parlament. Metodologjia e re në procesin e bashkangjitjes në Unioni Europian (UE) pozitivisht do të ndikojë në vazhdimin e proceseve integruese dhe zbatimin e reformave të domosdoshme, u tha në mbledhjen e 24-të të Kolegiumit për bisedime me UE që mbajt sot në Qeveri. Siç u kumtua, në takim u shqyrtua Informata për metodologjinë e re.

 

Kërkesë jo e arsyetuar e kinezëve për pagesë shtesë

Kompania kineze, “China Road and Bridge Corporation”– CRBC, nuk ka asnjë argument që të kërkojë të holla shtesë për vonesën aktuale ose vazhdimin e afateve për punimet në pjesën e autostradës, ka vlerësuar Ministri i komunikacionit, transportit dhe detarisë, Osman Nurkoviq. Ai për Radion e Malit të Zi ka theksuar se deri tani ka pasur kërkesa nga kompania kineze, mirëpo pas shkëmbimit të argumenteve është vërtetuar se ato janë të pabaza, kështu që janë tërhequr nga procedura. Nurkoviq ka theksuar se një epilog të tillë e pret edhe tani, kur kërkohet vazhdimi i afateve të ndërtimit si dhe pagesë shtesë, transmeton Portali i RTMZ.

 

Edukimi mediatik është përgjigje afatgjate ndaj dezinformatave

Edukimi mediatik i qytetarëve do të mundësonte që ata të verifikojnë saktësinë e informatave dhe në këtë mënyrë do të zvogëlohej përhapja e dezinformatave, thuhet në hulumtimin të cilin e ka realizuar agjencia IPSOS, me përkrahjen e UNICEF-it gjatë pandemisë së koronavirusit. Siç theksohet, sondazhi është realizuar në mostrën reprezentative prej 810 qytetarëve të moshës mbi 18 vjeçare. Nga UNICEF-i kanë theksuar se gjatë pandemisë të virusit korona ka pasur shumë paqartësi gjë që ka rezultuar me përhapjen e dezinformatave të shumta, të lajmeve të rreme dhe të teorisë së komplotit dhe kjo në opinion ka shtruar pyetjen lidhur me mënyrën më efikase të luftës kundër deizinformatave. Siç theksohet, si përgjigje afatgjate në paraqitjen e dezinformatave, 7 nga 10 qytetarë të Malit të Zi e ka identifikuar edukimin mediatik.

 

EBA i dhurojnë Malit të Zi 7 tonë pajisje mbrojtëse

Në Mal të Zi arriti sot kontingjenti me 7 tonë pajisje mbrojtëse medicinale, donacion ky i Emirateve të Bashkuara Arabe- EBA. “Kjo është vendosur pas bisedës së paradokohshme telefonike të presidentit të Malit të Zi Millo Gjukanoviq me princin e Abu Dabit e zëvendës i komandantit suprem të forcave të armatosura të Emirateve të Bashkuara, sheikun Mohamed Bin Zajed All Nahian”, është kumtuar nga kabineti i presidentit. Theksohet se ndihma arriti me aeroplanin e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe në pritje ishin përfaqësuesit e kabinetit të presidentit, të Trupit Koordinues Nacional dhe përfaqësuesit e ambasadës së Emirateve të Bashkuara Arabe.

 

Serbia rihap kufijtë për shtetasit e rajonit nga 1 qershori

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se Serbia, nga 1 qershori, do t’i rihapë kufijtë për shtetasit e Bosnje dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kufijtë në rajon janë mbyllur qysh në mes të muajit mars, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Daçiq tha se kufizimet për qytetarët e vendeve të Bashkimit Evropian do të mbeten në fuqi së paku deri më 15 qershor. Duke folur për mediat serbe, Daçiq tha se këto janë qëndrimet e Serbisë dhe se hyrja e qytetarëve serbë në vendet e tjera do të varet nga rregullat që i kanë ato vende. Serbia është vendi më i prekur nga koronavirusi në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Mbi 10,000 njerëz janë infektuar atje, ndërsa kanë vdekur 220. Javën e kaluar, Kuvendi i Serbisë ka votuar për heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme në këtë vend, e cila është vendosur më 15 mars, si masë për frenimin e koronavirusit. Kroacia pret të hapë kufijtë e saj për turistët sllovenë, brenda pak ditëve, si edhe për shtetasit gjermanë jo më vonë se 15 qershori, deklaroi ministri kroat i Shëndetësisë, Gari Cappelli.

 

Do të kemi sezon turistik veror, premton BE-ja

Komisioni Evropian tha se do të propozojë hapjen graduale të kufijve të BE-së, për t’i dhënë shtytje industrisë së turizmit, e cila është goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit. Në përpjekje për të frenuar përhapjen e sëmundjes, Bashkimi Evropian i ka mbyllur kufijtë në muajin mars, përfshirë edhe zonën e lëvizjes së lirë, Schengen. “Mesazh i yni është se ne do të kemi sezon turistik këtë verë, qoftë me kufizime apo me masa të sigurisë”, tha komisionari për Ekonomi i BE-së, Paolo Gentiloni. Duke folur në një intervistë për gjashtë gazeta evropiane, Gentiloni tha se industria e turizmit në Evropë përballet me një humbje prej 40% të aktivitetit të saj.Shtetet veç e veç kanë nisur të rihapin kufijtë. Austria dhe Gjermania janë dy vendet e fundit të BE-së që janë pajtuar për heqjen e kufizimeve në udhëtim. Nga e premtja, në vendkalimet e tyre kufitare do të ketë kontrolle, ndërsa nga 15 qershori do të rinisë lëvizja e lirë. “Duam t’ua lehtësojmë jetën e përditshme qytetarëve tanë dhe të ndërmarrim një hap tjetër drejt normalizimit”, tha kancelari austriak, Sebastian Kurz. Teksa vendet po lehtësojnë masat shtrënguese kundër pandemisë Covid-19, në Evropë ekziston frika e një vale të dytë infektimi përgjatë verës.

 

Shqipëria me rënien më të madhe ekonomike në Ballkan

Vendet e Ballkanit do të bien në recesion gjatë vitit 2020, për shkak të krizës së koronavirusit. Shqipëria, sipas parashikimeve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), do të pësojë tkurrjen më të madhe, ndërsa rritja e saj ekonomike do të zbresë në -9 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sipas raportit të publikuar sot, “ekonomia shqiptare do të preket ndjeshëm nga epidemia, si pasojë e varësisë së saj të lartë nga turizmi dhe fasoneria". "Një reduktim i pritshëm i dërgesave nga emigrantët do të ndikojë gjithashtu në rënie”, vlerëson raporti, sipas të cilit, “rimëkëmbja do të varet nga lehtësimi gradual i masave në vend për ndalimin e përhapjes së virusit dhe kthimi në normalitet në gjysmën e dytë të vitit”. Sipas parashikimeve të BERZH-it, ekonomia shqiptare mund të ketë një rimëkëmbje të shpejtë, duke u rritur me 12 për qind në vitin e ardhshëm.

Dy pacientë me COVID-19 në Kosovë, në gjendje më të rënduar

Dymbëdhjetë pacientë të prekur nga sëmundja COVID-19, të cilën e shkakton koronavirusi, janë të shtrirë në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Në njoftimin e QKUK-së thuhet se tetë pacientë janë në gjendje stabile, ndërsa katër janë në trajtim me okisgjenoterapi dhe përkujdesje intensive. Sipas të dhënave të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në Kosovë deri më tani janë regjistruar 919 raste me koronavirus. Prej tyre, 671 pacientë janë shëruar dhe 29 kanë vdekur. Në Shqipëri janë shënuar sërish katër raste të reja me koronavirus në vend, ku në total numri i të prekurve ka arritur në 880. Pavarësisht situatës së përmirësuar, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale thekson se është shumë e rëndësishme që qytetarët të ruajnë distancimin fizik dhe higjienën personale. Në Serbi numri i rasteve është mbi 10 mijë e 200, kurse betejën me këtë sëmundje deri tani e kanë humbur 220 persona, të shëruar rezultojnë mbi 3 mijë e 600. Gjatë ditës së sotme Instituti për Shëndet Publik në Shkup regjistroi 24 pacientë të shëruar. Sipas të dhënave të fundit në Maqedoninë e Veriut që nga fillimi i epidemisë numri i të diagnostikuar është 1.694, numri i të shëruarave është 1.229, numri i të vdekurve është 95, kurse momentalisht në vend ka 370 raste aktive me koronavirus. Kroacia ka regjistruar edhe gjashtë persona me sëmundjen COVID-19. Numri i përgjithshëm i të infektuarve në këtë vend ka arritur në 2. 213, ka njoftuar ministri i Shëndetësisë së Kroacisë, Vili Berosh.

 

Franca tejkalon Spanjën me numër të viktimave nga COVID-19

Franca ka tejkaluar Spanjën sa u përket vdekjeve të regjistruara si pasojë e koronavirusit, duke u kthyer në shtetin e pestë të prekur më keq në botë, pas Shteteve të Bashkuara, Rusisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Italisë. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 248 vdekje, duke e rritur shifrën totale të viktimave në 26,991. Në Spanjë arrin në 27.104 numri i të vdekurve nga COVID-19, me 184 viktima të regjistruara në 24 orët e fundit. Rusia tashmë është vendi i dytë më i prekur në botë nga Covid-19 pas SHBA-ve, sipas statistikave nga universiteti John Hopkins. Deri më tani në vend janë regjistruar 232,243 raste të konfirmuara dhe 2,116 viktima. Shtetet e Bashkuara shënuan në 24 orët e fundit edhe 1,894 viktima nga Covid-19, të cilat e çojnë në 82,387 numrin e përgjithshëm të vdekjeve. Sipas faqes së internetit "Worldometer", e cila përpilon informacionet më të fundit mbi pandeminë, deri më tani ndaj koronavirusit kanë arritur të fitojnë betejën 1.602.539 persona. Nga COVID-19 kanë humbur jetën 292.893 persona, ndërkohë shifra e rasteve ka arritur në 4.342.685.

 

Shifra e viktimave të Covid-19 “pothuajse me siguri më e lartë” se ajo që është raportuar

Dr. Anthony Fauci, eksperti kryesor i sëmundjeve infektive në Shtetet e Bashkuara tha dje se numri i vdekjeve të shkaktuara nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara është"pothuajse me siguri më i lartë" sesa shifra e raportuar prej 80,000 viktimash dhe paralajmëroi për pasoja të rënda nëse qytete dhe shtetet rihapen shumë shpejt. Ai i tha një paneli të Senatit që po heton reagimin e Shteteve të Bashkuara ndaj pandemisë se një numër i pa llogaritur i viktimave të koronavirusit, veçanërisht në qytetin e Nju Jorkut, kanë vdekur në shtëpi pa u përfshirë zyrtarisht në numrin total të vdekjeve në nivel kombëtar, por nuk pranoi të spekulonte se deri ku mund të ketë arritur kjo shifër. Dr. Fauci paralajmëroi se është "tërësisht e mundur" që pandemia "të mund të përkeqësohet" në Shtetet e Bashkuara në muajt e vjeshtës nga shtatori deri në nëntor, por tha se shpresonte që deri në atë kohë vendi do të"mund të merrej me të" më mirë se deri më tani. Fauci tha se tetë vaksina kundër koronavirusit po zhvillohen në Shtetet e Bashkuara.

 

Lajçak telefonon Osmanin, flasin për rinisjen e dialogut Prishtinë- Beograd

Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, sot ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanin, me të cilën ka diskutuar për situatën politike në vend dhe për përgatitjet për rinisjen e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Një gjë të tillë e ka konfirmuar vetë Lajçak përmes llogarisë së tij në Twitter. “Kemi diskutuar për situatën politike në Kosovë dhe përgatitjet për rinisjen e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, ka shkruar Lajçak. Emisari i BE- së thotë se janë pajtuar për rëndësinë e ofrimit të perspektivës së BE- së për popujt në Kosovë dhe Serbi. “U pajtuam për rëndësinë e sjelljes së perspektivës së BE- së më afër njerëzve në Kosovë dhe Serbi”, ka shtuar tutje Lajçak.

 

Qeveria Kurti sot ka mbledhje, raporton për 100 ditshin

Kosovës iu deshën katër muaj për t’u bërë me institucione, derisa për herë të parë besimin e popullit e mori Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin. Pas një sërë takimesh, mospajtimesh në ndarje të pushtetit, Kurti dhe Isa Mustafa nga LDK arritën një marrëveshje që u quajt “Koalicioni i Shpresës”. Por, as 50 ditë të plota, madje në mes të pandemisë COVID-19, ky koalicion u thye, që rezultoi me një mocion mosbesimi nga ana e LDK-së për rrëzimin e qeverisë Kurti, i cili u mbështet nga opozita. Por, qeveria në detyrë, po e vazhdon punën e saj, e cila dje rrumbullaksoi 100 ditshin e saj. E, pikërisht për këto 100 ditë, Qeveria e Kosovës mban mbledhje, ku raportohet për atë se çfarë kanë bërë gjatë këtyre ditëve. Kurti në mbledhjen e Qeverisë ku po diskutohet për qeverisjen 100 ditor të tij, ka thënë se Qeveria e përfaqëson popullin në tërësinë e tij. “Duhet ta kuptojmë që kurrë nuk do të bëhemi shtet prosperues nëse modeli i njerëzve që promovojmë është mbi bazën e afërsisë familjare dhe jo profesionale”, tha ai. Ai ka thënë se në 100 ditët e qeverisë së tij janë ndalur keqpërdorimet dhe se nga zvogëlimi i kabinetit kursehen 1.4 milionë euro në vit. Qeveria kosovare ndërkohë e ka shqyrtuar dhe miratuar vendimin për racionalizimin e shpenzimeve gjatë përdorimit të automjeteve zyrtare të Qeverisë së Republikës së Kosovës si dhe kthimin e të gjitha targave civile në targa zyrtare.

 

Maqedoni e Veriut nuk ka ende një datë për zgjedhjet e parakohshme

Në Maqedoninë e Veriut nuk ka ende një datë për zgjedhjet e parakohshme. Liderët e partive politike u mblodhën dje nga presidenti i vendit, por në përfundim të takimit, u tha se nuk kishte ende një datë për zgjedhjet. Kryetari i Aleancës për shqiptarët, Zijadin Çela, tha se nuk është rënë ende dakord për një datë përfundimtare për zgjedhjet dhe se në takimin e djeshëm u informuan për gjendjen e krijuar në vend nga koronavirusi dhe hapat që do të ndërmerren në ditët në vijim. Javën e ardhshme sipas Çelës, do të ketë një tjetër takim mes liderëve dhe do të vendoset për datën e zgjedhjeve. Pavarësisht nëse ka apo jo një datë për zgjedhjet e parakohshme, ekspertët thonë se afatet për organizimin e tyre nisin të rrjedhin një ditë pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme në vend. Partitë politike në vend deri më tani kanë shprehur qëndrime të ndryshme mbi datën e mundshme të zgjedhjeve, ndërsa kryetari i Kuvendit ka deklaruar se nuk do të nënshkruajë një dekret të ri për zgjedhjet. Kryetari i mazhorancës qeveritare të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev pas takimit me liderët dhe presidentin Stevo Pendarovski, tha se zgjedhjet duhet të mbahen 22 ditë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme.

 

Nesër mot me temperaturë deri në 30 gradë

Në Mal të Zi sot po mban mot kryesisht i kthjellët. Fryn erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Podgoricë, Ulqin, Budvë e Bijello Pole 27 gradë, Beranë 26, Tivar, Herceg Novi, Plevle e Rozhajë 25, Plavë 24, Cetinë 23, Nikshiq e Kollashin 22 dhe në Zhablak 18 gradë.

Për nesër meteorologët parashohin të mbajë mot me vranësira të ndryshueshme, me intervale me diell dhe të thatë. Do të fryjë erë mesatare deri e fortë nga drejtimet e jugut. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 8 deri në 18, kurse më e larta e ditës prej 23 deri në 30 gradë celsius.

 

ditarin e përgatiti, Senad Gilaj

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се