Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

07. 07. 2020. 18:11   >>  18:27

Ditari 07.07.2020

07.07.2020

Në Beranë vdesin dy pacientë si pasojë e Covid-19

Në spitalin e përgjithshëm në Beranë vdesin dy pacientë nga pasojat e infektimit me koronavirus, transmeton portali i Radio Televizionit të Malit të Zi.Nga spitali i përgjithshëm në Beranë kanë kumtuar se dy pacientë janë në rrezik për jetë. Siç theksohet, në këtë spital gjenden për shërim 26 pacientë. Përndryshe dje në Mal të Zi janë regjistruar edhe 60 raste të reja të infektuar me Covid-19, është kumtuar nga Instituti për Shëndetin Publik. Nga ky institut kanë theksuar se gjatë 24 orëve të fundit janë analizuar 511 mostra në virusin e ri korona. Nga Covid-19 aktualisht janë të prekur 517 persona. Nga fillimi i muajit qershor nga pasojat e Covid-19, kanë vdekur 7 individë. Policia e Malit të Zi ka dorëzuar fletëpadi penale kundër 5 personave për shkak të shkeljes së masave për pengimin e zgjerimit të korona virusit. Nga policia kanë theksuar se penalisht do të përgjigjen dy persona në Plavë dhe nga një në Beranë, Tivar dhe Ulqin.

Mbyllen kopshtet dhe të gjithë që vijnë nga Serbia do të shkojnë në karantinë

Të gjitha institucionet publike dhe private parashkollore në Mal të Zi do të mbyllen për shkak të rrezikut të lartë epidemiologjik, kurse të gjithë personat të cilët do të arrijnë nga Serbia do të dërgohen në karantinë, ka vendosur Trupi Koordinues Nacional. Nga Qeveria kanë kumtuar se orari i punës i të gjitha objekteve hoteliere në Mal të Zi është kufizuar deri në ora 24. Nga Qeveria po ashtu kanë kumtuar se Trupi Koordinues Nacional ka vendosur që, duke pasur parasysh zhvillimin e situatës epidemiologjike, në Serbi sidomos atë në rajonin kufitarë me Malin e Zi, urdhëron mbikëqyrjen më të rreptë epidemiologjike. Theksohet se për shkak të situatës së ndërlikuar epidemiologjike në rajonin verior, është vendosur që në Plevle, Bjello Pole, Beranë, Petnicë, Andrievicë, Rozhajë, Plavë dhe Guci, puna e objekteve hotelierike të ndërpritet gjatë 7 ditëve të ardhshme.

Izolimi i Podgoricës varet nga qytetarët

Izolimi dhe mbyllja e Podgoricës me qëllim të pengimit të përhapjes së korona virusit do të varet nga sjellja e qytetarëve, ka deklaruar ndihmës ministrja e shëndetësisë, Vesna Miranoviq dhe ka paralajmëruar se çdo gjë është e mundur nëse aktivitetet e inspeksioneve nuk do të kenë sukses. Ajo ka deklaruar se të gjitha mundësit janë duke u shqyrtuar, qytetarëve u jepet rasti të kuptojnë seriozitetin e situatës dhe të kuptojnë se duhet jetuar me virusin. “Shërbimet inspektive do të veprojnë aktivisht në terren por nëse e shohim se aktivitetet nuk japin përgjigje, çdo gjë është e mundur, ka theksuar Miranoviq në programin e mëngjesit të RTMZ.

Parlamenti i Malit të Zi i vazhdon sot punimet

Parlamenti i Malit të Zi e ka vazhduar sot seancën e cila ka filluar me 23 qershor dhe deputetët diskutojnë për 20 tema të ndryshme. Në rend të ditës së seancës janë propozimet e ligjeve për zgjidhjen alternative të kontesteve si dhe ndryshimet e ligjit për gjyqet dhe prokurorinë shtetërore. Deputetet debatojnë edhe për ligjet që kanë të bëjnë me punët informative dhe të sigurisë ushtarake dhe për fshehtësinë e të dhënave. Ministri i mbrojtjes Predrag Boshkoviq ka deklaruar se propozimi i ligjit për punët e shërbimit ushtarak informativ, për të cilin debaton sot Parlamenti, është rezultat i reformës së sektorit të mbrojtjes dhe sigurisë dhe është pjesë e kornizës së gjerë normative e cila është avancuar në periudhën e kaluar dhe përfshin strategjinë e sigurisë nacionale, strategjinë mbrojtëse të Malit të Zi, planin afat gjatë të zhvillimit të mbrojtjes, ligjin për ushtrinë e Malit të Zi si dhe propozim ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për mbrojtjen e të dhënave, i cili po ashtu sot është në rend të ditës të seancës parlamentare. Deputetet duhet të deklarohen për propozimin e vendimit për dërgimin e pjesëtarëve të Ushtrisë të Malit të Zi në përbërjen e forcave të Aleancës Atlantiko-veriore për reagime të shpejta – Response Force. Në rend të ditës gjenden edhe ndryshimet e ligjit për mbrojtjen shëndetësore dhe ndihmën urgjente mjekësore. Janë propozuar edhe ligjet për servisin publik nacional, Radio dhe Televizioni i Malit të Zi dhe mediat. Në rend të ditës janë edhe zgjedhjet dhe emërimet. Të përkujtojmë se deputetët më parë i kanë miratuar ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për buxhetin e Malit të Zi për vitin 2020 si dhe për huazimin e Malit të Zi për vitin rrjedhës. Deputetët kanë miratuar edhe ligjin për partneritetin jetësorë të personave të njëjtës gjini dhe ligjin për mbrojtjen e banorëve nga sëmundjet ngjitëse. Ka përfunduar edhe debati për propozimin e ligjit për turizëm dhe hoteljeri për të cilin do të deklarohen më vonë.

Brajoviq nesër me ambasadorët e BE dhe të NATO-s

Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi Ivan Brajoviq do të takohet nesër me ambasadorët e vendeve anëtare të BE dhe të NATO-s si dhe me shefin e delegacionit të BE në Mal të Zi. Takimi do të jetë rast për shkëmbimin e mendimeve për aktivitetet e përbërjes së 26-të të parlamentit si dhe për ambientin e përgjithshëm në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, thuhet në kumtesë. Në pjesën hyrëse të pranishmëve do tu drejtohet kryetari i Këshillit për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe mërgimtarët, Andria Nikoliq dhe ambasadori i Gjermanisë në Mal të Zi, Robert Veber në emër të shtetit i cili kryeson Këshillin e BE. Në takim do të marrin pjesë edhe nënkryetarët e parlamentit Branimir Gvozdenoviq dhe Genc Nimanbegu si dhe shefat e delegacioneve të përhershme të parlamentit në organizatat ndërkombëtare.

Ulet dukshëm borxhi tatimor

Përpjekjet e Drejtorisë së tatim pagimeve që të përparojë shkallen e disiplinës tatimore kanë rezultuar me uljen e borxhit tatimor tek një numër i konsiderueshëm i tatim paguesve, ka deklaruar drejtori i Drejtorisë së tatim pagimeve, Miomir M. Mugosha në dëgjimin kontrollues në Parlamentin e Malit të Zi. Ai ka theksuar se nuk ekziston asnjë tatim pagues në Mal të Zi i liruar nga detyrimi i paraqitjes dhe i pagesës së tatimeve në kundërshtim me dispozitat ligjore. “Drejtoria e tatim pagimeve i themelon veprimet e veta në trajtimin e barabartë të gjithë të obliguesve tatimor duke bërë përpjekje maksimale që të sigurojë faturimin e tatimeve dhe shkallë të lartë të respektimit të dispozitave tatimore, pa marrë parasysh kategorinë e tatim paguesve, strukturën pronësore ose përkatësinë politike”, ka theksuar Mugosha. Ai ka shtuar se përpjekjet e Drejtorisë së tatim pagimeve që të përmirësojë shkallën e disiplinës kanë rezultuar me uljen e borxhit tek një numër i madh i tatim paguesve.

Në vendvotime masa të ashpra kundër infektimit

Kryetari i Komisionit Zgjedhor të Shtetit (KZSH), Aleksa Ivanoviq, ka deklaruar se në vazhdim janë përgatitjet serioze që në ditën e zgjedhjeve, me 30 gusht, të ndërmerren të gjitha masat për ruajtjen e shëndetit si të pjesëmarrësve në procesin zgjedhor ashtu edhe të qytetarëve. Ivanoviq ka deklaruar se Komisioni Zgjedhor i Shtetit sipas ligjit ka qasje në regjistrin zgjedhor, por ka theksuar se kush do të ketë ndonjë dyshim në regjistrin zgjedhor për të cilin është kompetent ky Komision, ta paraqes atë dhe menjëherë do të verifikohet. “Në bazë të autorizimeve të parapara me ligj, nëpunësit e KZSH të cilët disponojnë licenca kanë qasje në regjistrin zgjedhor sipas terminit të ashtuquajtur një për një”, ka deklaruar Ivanoviq për gazetën “Dan”. Ai ka shtuar se transparenca duhet të jetë e plotë dhe e qartë. Ai ka shtuar se i ndërmarrin të gjitha masat nga procesi zgjedhor në pajtim me ligjin, dhe ka thënë se ka zhvilluar takime me përfaqësuesit e Ministrisë së punëve të brendshme rreth përparimit të procesit zgjedhor, kurse dje për këtë temë ka biseduar edhe me përfaqësuesit e ODIHR-it.

 

Pozitivisht për ligjin i cili nuk do të miratohet

“Projekt ligji për zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve, paraqet përmirësim të suazës juridike e cila rregullon zgjedhjet në Mal të Zi dhe merret me rekomandimet e ODIHR, të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës dhe të Komisionit të Venecias”, thuhet në mendimin e përbashkët të Komisionit të Venecias, OSBE-së dhe ODIHR-it lidhur me këtë ligj. Nënkryetari i Parlamentit, Branimir Gvozdenoviq, i ka dërguar Komisionit të Venecias kërkesën për mendimin e tij në këtë propozim ligj të cilin deputetet e koalicionit në pushtet përsëri e kanë proceduar në Kuvend, pasi që në muajin dhjetor, kur janë miratuar ligjet tjera zgjedhore, ai është tërhequr nga procedura. Për miratimin e këtij ligji kulmor kërkohet shumica e dy të tretave të votave, e cila në kushtet kur shumica e partive opozitare nuk dëshiron të votojë, nuk mund të arrihet në Parlament.

Opozita bisedoi për zgjedhjet

Përfaqësuesit e opozitës e mbajtën sot takimin në lokalet e Lëvizjes qytetare- URA. Temë e takimit ishte polemika për vendimin nëse të merret pjesë në zgjedhje ose të bojkotohen ato si dhe për modalitetet e pjesëmarrjes nëse do të vendoset kështu. Në takim marrin pjesë Sllaven Radunoviq dhe Maja Vukiqeviq nga Fronti Demokratik, Krsto Radoviq dhe Dragan Krapoviq nga Demokratët, Dragosllav Shqekiq nga Partia Socialiste Popullore (PSP), Maksim Vuçiniq nga Partia punëtore, Goran Danilloviq nga Mali i Zi i Bashkuar, Zoran Mikiq dhe Millosh Konatar nga Lëvizja qytetare- URA si dhe deputeti i DEMOS-it Negjelko Rudoviq. Kryetari i PSP Vlladimir Jokoviq më parë u ka dërguar kryetarëve të partive opozitare parlamentare në Mal të Zi ftesën për mbajtjen e takimit me rastin e ngjarjeve në Budvë, por edhe që në prag të zgjedhjeve parlamentare të shqyrtojnë kushtet e procesit zgjedhor, të pjesëmarrjes ose bojkotimit eventual. Jokoviq këtë ftesë ua ka dërguar Andria Mandiq, Aleksa Beçiq, Dritan Abazoviq, Millan Knezheviq, Nebojsha Medojeviq, Miodrag Lekiq, Draginja Vuksanoviq, Goran Danilloviq dhe Maksim Vuçiniq.

Thirrje kryetarit të KKSH-së për inicim të një takimi të përbashkët të subjekteve shqiptare

Në prag të zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi edhe subjektet politike shqiptare kanë filluar përgatitjen për mënyrën se si do të paraqiten në këtë zgjedhje. Kryetari i Lëvizja Qytetare Perspektiva, Amir Hollaj, sot ka dërguar dy shkresa në të cilat kërkon që subjektet politike shqiptare të dalin me një listë. Njërën shkresë e ka dërguar në adresë të kryetarit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika, të cilit i kërkon që të thërras sa më shpejtë në takim të gjitha subjektet politike shqiptare në mënyrë që subjektet shqiptare të dalin në një listë të përbashkët. Shkresën e dytë, në emër të Lëvizjes Perspektiva, Hollaj ju ka dërguar të gjitha subjekteve politike. Përndryshe, më parë Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve, u bëri apel subjekteve politike shqiptare, gjegjësisht drejtuesve të subjekteve, që pa humbur kohë të bëjnë përpjekjet e nevojshme për arritjen e një marrëveshjeje për pjesëmarrje në zgjedhje, me një listë të unifikuar shqiptare. Sipas KKSH-së, ka argumente të mjaftueshme se unifikimi i subjekteve nacionale shqiptare në garat elektorale, në ata shtete ku shqiptarët janë pakicë, ka rezultuar i suksesshëm.

Prej sot janë shtrenjtuar euro dizeli dhe vajguri

Eurodizeli dhe vajguri prej sot janë më të shtrenjta nga dy cent për litër, kurse çmimet e benzinës nuk kanë ndryshuar, është kumtuar nga Ministria e ekonomisë. Çmimi i eurodizelit gjatë dy javëve të ardhshme do të jetë 1.01 euro, kurse i vajgurit 99 cent. Eurosuper 95 dhe 98 edhe gjatë dy javëve të ardhshme do të shiten me çmime të pa ndryshuara, 1.11 respektivisht 1.15 euro.

Në Kosovë edhe 195 raste me koronavirus dhe katër viktima

Në rajon gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar gjithsejtë 1 mijë e 35 raste të reja të prekur me Covid-19. Numri më i madh i të prekurve në 100 mijë banorë është regjistruar në Maqedoninë Veriore, në vendin e dytë është Kosova kurse në vendin e tretë Mali i Zi. Në Kosovë u konfirmuan edhe 195 raste pozitive me koronavirus. Në njoftimin e lëshuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, numri i viktimave nga koronavirusi qëndron në 79, nga 75 sa ka qenë një ditë më parë. Rastet e reja pozitive thuhet se rezultojnë nga testimi i 495 mostrave. Që nga shpërthimi i pandemisë në mes të marsit, në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 3,703 raste me koronavirus. Prej tyre, 1,678 mbeten aktive. Në Shqipëri kanë humbur jetën edhe dy persona të tjerë si pasojë e koronavirusit, duke e çuar në 81 numrin e viktimave nga virusi në këtë vend. Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë njoftoi po ashtu se në 24 orët e fundit janë testuar 409 mostra, nga të cilat 74 kanë dalë pozitive me koronavirus. Sipas statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë në Shqipëri, deri më sot janë bërë 29,669 testime, prej të cilave 3,038 kanë rezultuar pozitive me COVID-19, ndërkohë që aktualisht janë 1,213 persona aktivë. Serbia, që nga shpërthimi i pandemisë në mes të marsit, ka konfirmuar mbi 16,400 raste me koronavirus. Prej tyre, 317 pacientë kanë humbur jetën. Në Maqedoninë Veriore, gjatë ditës së djeshme, 78 qytetarë kanë rezultuar pozitiv. Për momentin në këtë vend, 3579 raste janë aktivë me Covid-19.

BE parashikon rënie më të madhe ekonomike nga pandemia

Krahu ekzekutiv i Bashkimit Evropian parashikon që ekonomia e bllokut do të tkurret më shumë sesa pritej më parë, për shkak të pandemisë së koronavirusit, e cila, për disa muaj, ka bllokuar biznese dhe jetën publike. Ekonomia e BE-së do të tkurret për 8.3 për qind këtë vit, përpara se të rritet për 5.8 për qind më 2021, thuhet në parashikimin e Komisionit Evropian, të lëshuar sot. "Rruga për rikuperim është ende me pasiguri", tha komisionari evropian i Ekonomisë, Paolo Gentiloni, për gazetarët në Bruksel. Në parashikimin e mëparshëm, të publikuar në maj, kur pjesa më e madhe e kontinentit ishte ende e izoluar, bruto prodhimi i brendshëm parashihej të tkurrej për rreth 7.5% këtë vit dhe të rritej për 6% vitin e ardhshëm. Gentiloni tha se sfida më e madhe e BE-së në muajt në vazhdim do të jetë gjetja e balancës së duhur midis domosdoshmërisë për të rihapur ekonomitë e BE-së dhe për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve.

 

SHBA, 130 mijë të vdekur nga COVID-19

Në të gjithë botën numri i përgjithshëm i rasteve të identifikuar pozitiv nga infeksioni i koronavirusit është më shumë se 11 milionë e 600 mijë, për një total viktimash që nga fillimi i emergjencës shëndetësore, prej 538 mijë. Infeksionet janë përhapur në 210 vende në mbarë botën. SHBA kryesojnë renditjen me mbi 2.9 milionë raste Covid dhe më shumë se 130 mijë vdekje. Në SHBA numri i të vdekurve si pasojë e koronavirusit i tejkaloi të 130 mijë vetët të hënën, ndërsa vendi po përballet me një rritje të konsiderueshme të infeksioneve. Shkalla e përgjithshme e vdekjeve në SHBA ka pasur një prirje drejt rënies, pavarësisht infeksioneve të reja që janë rritur në nivele rekord gjatë ditëve të fundit. Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve kanë parashikuar se numri i vdekjeve deri më 25 korrik do të arrijë nga 140 në 160 mijë bazuar në 24 studimeve të pavarura që kanë bërë parashikime mbi këtë çështje. Situata e pandemisë së koronavirusit në Shtetet e Bashkuara është “vërtet jo e mirë”. Kjo u nënvizua nga kryevirologu i Shtëpisë së Bardhë Anthony Fauci. Sipas Faucit, Europa e menaxhoi virusin shumë më mirë sesa SHBA dhe u bëri thirrje amerikanëve të praktikojnë distancimin shoqëror dhe të shmangin vendet e mbushura me njerëz. Një grup prej 239 shkencëtarësh i kanë kërkuar Organizatës Botërore të Shëndetësisë të njohë faktin se koronavirusi shpërndahet nga ajri e për këtë arsye të bëjë rekomandime më të rrepta me qëllim vënien nën kontroll të virusit. Lajmi u bë publik nga gazeta “New York Times”. Ndërkohë, siç njofton Zëri i Amerikës, një nga kompanitë kryesorë farmaceutike në garën për të zhvilluar një vaksinë për Covid-19, Novavax Inc.,do të marrë 1.6 miliardë dollarë nga programi i qeverisë amerikane për të zhvilluar vaksinën e saj eksperimentale. Fondet do ta ndihmojnë kompaninë të kryej testimin, komercializimin dhe prodhimin e një vaksine të mundshme të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara, me qëllim që të sigurohet shpërndarja e 100 milionë dozave deri në janar 2021.

 

Nuk shoh shteg drejt marrëveshjes Kosovë- Serbi

Edward Joseph, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, thotë se në takimin e 12 korrikut midis Kosovës dhe Serbisë mund të priten hapa, të tillë si përmirësimi i tregtisë apo rritja e investimeve. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se nuk sheh shteg drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe të detyrueshme. Joseph thotë se aktakuza e paraqitur kundër presidentit Hashim Thaçi është serioze dhe e ndërlikon tutje përfaqësimin e Kosovës në dialog. Përndryshe, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti sot në Paris, është takuar me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron. Temë kyçe e takimit besohet të ketë qenë dialogu Kosovë- Serbi. Bashkimi Evropian do të ndërmjetësojë të dielën më 12 korrik takimin e parë të nivelit të lartë Kosovë – Serbi, që nga nëntori i vitit 2018. Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano tha se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç do të takohen me ndërmjetësimin e shefit të politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrell dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak. Takimit të së dielës do t’i paraprijë një takim virtual të premten nën organizmin e presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelares Gjermane Angela Merkel, që ishte planifikuar të jetë një takim i nivelit të lartë në Paris.

Apostolova pret qasje konstruktive nga Kosova dhe Serbia

Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se paqëndrueshmëria e vazhdueshme politike nuk kontribuon në përmirësimin e jetës së njerëzve në këtë vend. Ajo tha se ekonomia, krijimi i vendeve të punës, arsimi, mjedisi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të jenë në qendër të çdo politikani dhe vendimmarrësi në Kosovë. Apostolova ka thënë se pret një qasje konstruktive nga qeveria e Kosovës kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me Beogradin dhe vazhdimin e dialogut që synon të punojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese për të normalizuar marrëdhëniet midis dy palëve, si dhe “për të zgjidhur të gjitha çështjet e mbetura, një herë e përgjithmonë”. Ajo ka thënë se nuk ka dyshim se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është evropiane, përfshirë Beogradin dhe Prishtinën, duke paralajmëruar se nuk ka mundësi që një e ardhme evropiane të anashkalojë dialogun e ndihmuar nga BE-ja, të udhëhequr nga përfaqësuesi i lartë i BE-s, Josep Borrell dhe përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Edhe nesër mot pa ndryshime, pas dite era me intensitet më të dobët

Në Mal të Zi sot po mban mot kryesisht i kthjellët, në veri deri me vranësira të pakta. Fryn erë e fortë, vende vende shumë e fortë nga drejtimet e veriut dhe verilindjes. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Ulqin 33 gradë, Budvë e Herceg Novi 32, Tivar 31, Podgoricë 27, Cetinë 25, Nikshiq 22, Bijello Pole 19, Kollashin 16, Plavë, Guci e Beranë 15, Plevle 14, Rozhajë 13 dhe në Zhablak 10 gradë.

Edhe për nesër meteorologët parashohin të mbajë mot kryesisht me diell. Do të fryjë erë mesatare, paradite vende vende deri e fortë, veriore dhe veri lindore. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 5 deri në 21, kurse më e larta e ditës prej 19 deri në 34 gradë celsius.

ditarin e përgatiti, Senad Gilaj

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се