Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

22. 09. 2020. 00:00 >> 17:34

Ditari 22.09.2020

22.09.2020

Nesër mbledhja konstituive e Parlamentit

Seanca konstituive e përbërjes së re të Parlamentit të Malit të Zi, në të cilën do të duhej të zgjedhjet kryetari i tij, do të mbahet nesër. Në rend të ditës është paraparë edhe vërtetimi i numrit të nënkryetarëve dhe zgjedhja e nënkryetarëve të parlamentit. Deputetet duhet të zgjedhin kryetarin dhe anëtarët e Këshillit administrativ të Parlamentit. Seancën e përbërjes së re të parlamentit e ka caktuar kryetari i përbërjes së mëparshme, Ivan Brajoviq. Përndryshe seancën do ta kryesojë deputeti më i vjetër, Miodrag Lekiq, dhe atë do ta ndihmojë deputeti më i ri, Maksim Vuçiniq. Në këtë seancë do të prezantohet raporti i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve mbi rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura me 30 gusht. Sipas rezultateve zyrtare të zgjedhjeve, koalicioni “Të vendosur për Malin e Zi- Millo Gjukanoviq” ka fituar 30 mandate, koalicioni “Për të ardhmen e Malit të Zi“- 27, koalicioni “Paqja është kombi ynë”- 10, kurse platforma “E zeza mbi të bardhën”- 4 mandate. Partia Boshnjake dhe Socialdemokratët do të kenë nga 3 deputet, kurse partia Socialdemokratike- 2. Nga një deputet do ta kenë Lista shqiptare “Nik Gjeloshaj- Genc Nimanbegu” dhe koalicioni “Bashkë një za”. Të theksojmë se të drejtë vote kanë pasur 540 mijë e 26 votues kurse këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar 414 mijë e 894 qytetarë.

Qëllimi i PDS është që sa më parë të kthehet në pushtet

Bartësi i listës të Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS) e kryeministër aktual i Malit të Zi, Dushko Markoviq, ka kumtuar në emisionin “Intervju”, në TVMZ, se Ligji për liritë fetare padyshim ka ndikuar dukshëm në rënien e besimit ndaj PDS-së. Ai ka theksuar se ndryshimet kadrovike janë pjesë e paketës gjithëpërfshirëse të reformave brenda PDS, parti kjo e cila për qëllim tu mbetet besnike synimeve të veta programore, por njëkohësisht që sa më parë të kthehet në pushtet, kur të krijohen kushtet, në zgjedhjet e ardhshme të rregullta ose të jashtëzakonshme. “ Partia Demokratike e Socialistëve vërtet ka nisur sjelljen e këtij Ligji me qëllimet më të mira duke synuar zgjidhjen edhe të një çështje të rëndësishme në Mal të Zi”, ka theksuar Markoviq. Ai ka shtuar se nuk kanë pritur se do të bëhen kaq shumë manipulime rreth këtij Ligji, duke shtuar se “Mali i Zi ka qenë i stërngarkuar me propagandë të paparë mediatike“ dhe se kjo gjë është reflektuar edhe në rezultatin zgjedhor. “Është e qartë se kemi qenë të vetëdijshëm se nuk është mirë që në vitin zgjedhor të hapet kjo çështje. Megjithatë, Ligjin e kemi futur në rend të ditës sepse disa gjëra vërtet duhet të rregullohen brenda këtij shteti”, ka theksuar Markoviq.

Krivokapiq të përgjigjet në pyetjen për Lëvizjen çetnike”

Drejtorja ekzekutive e Aksionit për të drejtat e njeriut, Tea Gorjanc- Preleviq ka theksuar se pret që gjatë ditës së sotme lideri i koalicionit,“Për të ardhmen e Malit të Zi”, Zdravko Krivokapiq, pas publikimit të inçizimit në të cilin ishte pjesëmarrës në pritjen e terroristit Nikolla Kavaja, të përgjigjet nëse ky inçizim është autentik, nëse e konsideron veten çetnik dhe nëse ai e përkrah këtë lëvizje, a konsideron se çetnikët kanë qenë fashist dhe cili është qëndrimi i tij ndaj kriminelit të luftës, Radovan Karaxhiq. Ajo ka theksuar se përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve mesiguri u interesojnë të gjithëve, në veçanti antifashistëve të cilët kanë votuar për koalicionin në krye të të cilit është Krivokapiq. Sipas fjalëve të saj, Krivokapiq është paralajmëruar si kryeministri i ardhshëm potencial i Malit të Zi andaj konsideron se përgjigjet në këto pyetje duhet ti jap para se të votohet për kryeministër.

 

Knezheviq dhe Mandiq pa marrëveshje me Abazoviqin

Bisedimet e liderëve të Frontit Demokratik, Andria Mandiq dhe Millan Knezheviq me kryetarin e Lëvizjes qytetare URA, Dritan Abazoviq, me ndërmjetësimin e peshkopit Joanikije Miqoviq, kanë përfunduar dje pa ndonjë marrëveshje, bëhet me dije gazeta “Pobjeda”. Deri te takimi i liderëve të FD-së me Abazoviqin dhe me ndërmjetësimin e Kishës Ortodokse Serbe ka ardhur pasi që janë ndërprerë bisedimet ndërmjet tri koalicioneve për formimin e pushtetit të ri kurse konstituentët e koalicionit, “Për të ardhmen e Malit të Zi“, kanë kërkuar nga Abazoviq që të deklarohet për kuadrot të cilat nuk dëshiron ti ketë në Qeveri si dhe për shfuqizimin e Ligjit për liritë fetare. Disa burime të gazetës “Pobjeda” kanë kumtuar se gjatë takimit Mandiq dhe Knezheviq, të cilët i kanë përfaqësuar të gjitha partitë e koalicionit, kanë kërkuar nga Abazoviq deklarimin decid për emrat konkret të personave nga FD-së të cilët nuk dëshiron ti këtë në Qeveri, por edhe për shfuqizimin e Ligjit për liritë fetare. “Mandiq dhe Knezheviq në mënyrë eksplicite kanë kërkuar nga Abazoviq, që URA të përcaktohet rreth principeve të ndarjes së pushtetit pa kushtëzime dhe shantazhe. Në rast të përgjigjes pozitive të URA-s, FD është i gatshëm që pa marrë parasysh konsiderimin se ky vend nuk i takon, të votojnë për kryetar të parlamentit nga radhët e Demokratëve”, ka kumtuar burimi i gazetës “Pobjeda”. Në FD besojnë se përveç Mandiq, Knezheviq, Medojeviq dhe Millaçiq gjenden edhe disa emra tjerë në listën e URA-s dhe të ambasadave perëndimore të cilët konsiderojnë se nuk mund të jenë pjesë e Qeverisë.

 

Për punëdhënësit në komunat me pakë të zhvilluara 2.7 milion euro

Përkrahja e punësimit në Komunat me pakë të zhvilluara do të duhej të sigurojë kushte me të mira për ngritjen e nivelit të punësimit të banorëve dhe në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe të mësimit gjatë tërë jetës, ka vlerësuar Ministri për punë dhe përkujdesjen sociale, Kemall Purishiq. Ai ka theksuar se përveç mjeteve të cilat i ka ndarë Mali i Zi për realizimin e masave përkrahëse në tregun e punës, e rëndësishme është edhe përkrahja e Bashkimit Evropian. “Ftesa të cilën e promovojmë sot është program gjithëpërfshirës i BE dhe Malit të Zi për punësim, arsimim dhe mbrojtje sociale. “Mjetet janë siguruar nga fondet e BE-së, kështu që kjo ftesë paraqet vazhdimësinë e bashkëpunimit të suksesshëm të delegacionit të BE në Mal të Zi dhe Qeverisë malazeze”, ka theksuar Purishiq në konferencën për gazetarët. Ai ka shtuar se një pjesë e madhe e këtyre aktiviteteve tani më është realizuar përmes ftesave të mëparshme dhe angazhimit të ministrive gjegjëse dhe përmes përkrahjes financiare të delegacionit të BE në Mal të Zi dhe të Komisionit Evropian.

 

Të siguruarit do ta kuptojnë se sa u kushton shërimi i tyre

Fondi për Sigurimin Shëndetësor është duke përgatitur shërbimin e ri elektronik, eEK (kartoni ekonomik elektronik) i cili gjatë muajit tetor do të zhvillohet dhe implementohet. Këtë informatë e ka konfirmuar drejtori i këtij Fondi, Sead Çirgiq dhe ka sqaruar se qëllimi i këtij shërbimi është që “të siguruarve tu ofrojë transparencë të plotë, por edhe mundësinë e kontrollimit të shpenzimeve në realizimin e të drejtave të tyre nga sigurimi shëndetësor, të shpenzimeve në realizimin e të drejtës në mbrojtjen shëndetësore, e cila realizohet në Institucionet publike dhe private shëndetësore si dhe për shpenzimet në realizimin e të drejtave të tjera, për të cilat ekziston evidenca elektronike”. “Në këtë mënyrë të siguruarit do të mund të kenë qasje në shumën e mjeteve nga sigurimi i detyruar shëndetësor, respektivisht i mjeteve nga buxheti i Fondit për Sigurimin Invalidor, e që janë shpenzuar në realizimin e të drejtave të tyre”, ka shtuar Çirgiq.

 

Shpallen fituesit e ftesës për ambasador të rinj evropianë nga BP

Ambasadorët e rinj evropian nga Ballkani Perëndimor, 60 sish, do të jenë anëtarët e parë të Rrjetit të ri rajonal të të rinjve dhe do të promovojnë vlerat dhe mundësit evropiane të cilat i ofron Bashkimi Evropian. Siç është kumtar, në mesin e tyre gjenden edhe dhjetë të rinj nga Mali i Zi. Nga Info Qendra e BE kanë theksuar se BE ka nisur iniciativën ambasadorët e rinj evropianë e cila është pjesë e programit rajonal komunikues të BE për Ballkanin perëndimor i cili është inicuar në fillim të këtij viti. Siç theksohet ftesa e parë për ambasadorët e rinj evropianë ka joshur mbi 400 aplikues, kurse fituesit e ftesës janë zgjedhur përmes kombinimit të votimit publik online dhe vlerësimeve të jurisë 6 anëtarëshe.

 

Dështon edhe passezoni, normalizimi në vitin 2021

Për shkak të situatës aktuale epidemiologjike dhe rritjes së numrit të infektuarve në Mal të Zi, gjë që ka shkaktuar edhe kufizimin e udhëtimeve drejt vendit tonë, nuk mund të flitet për një pas sezon i cili do të kompensonte në një masë humbjet e ekonomisë turistike gjatë këtij viti të cilat kanë pasuar për shkak të pandemisë së korona virusit”, ka deklaruar për gazetën “Pobjeda”, sekretari shtetëror në Ministrinë e zhvillimit të qëndrueshëm dhe turizmit, Damir Davidoviq. Duke pasur parasysh situatën aktuale epidemiologjike, siç ka shtuar, përpjekjet duhet të shkojnë drejt sanimit në pritje të sezonit dimëror turistik dhe drejtë përgatitjeve për sezonin e ardhshëm veror. Sezoni veror, siç ka shtuar, do të duhet të jetë dukshëm më e mirë se sezoni i sivjetëm, duke pasur parasysh se të gjithë akterët në tregun vendor dhe atë ndërkombëtarë janë të njohur me pasojat të cilat i shkakton epidemia dhe me standardet e mbrojtjes të cilat duhet të zbatohen.

 

Mali i Zi ka më së tepërmi të infektuar aktiv në 100 mijë banorë, sot 296 të infektuar

Mali i Zi gjithnjë është në vendin e parë në rajon sipas numrit të sëmurëve aktiv nga Covid-19, në raport me 100 mijë banorë, por ka edhe më së tepërmi të infektuar në 1 milion banorë. Në Mal të Zi janë regjistruar 520 raste aktive në 100 mijë banor, në BeH 191, në Shqipëri 180, në Maqedoninë e Veriut 102, në Kosovë 100, në Slloveni 64 dhe në Kroaci 49 të infektuar në 100 mijë banorë. Në rajon numri më i madh i të sëmurëve në 1 milion banorë është i regjistruar po në Mal të Zi, në vendin e dytë është Kosova, kurse në në tretin Maqedonia e Veriut. Gjatë 24 orëve të fundit nga pasojat e koronavirusit tetë persona kanë vdekur dhe është konfirmuar infektimi edhe i 296 personave të tjerë, nga 749 mostra, është kumtuar nga Instituti për Shëndetin publik.”Transmisioni lokal i koronavirusit është tejet i lartë dhe domosdo duhet të vendoset nën kontroll”, ka tërhequr vërejtjen drejtori i Institutit, Boban Mugosha. Ai në konferencën për gazetarët të Trupit Koordinues Nacional ka theksuar se respektimi i të gjitha masave të parapara për pengimin e përhapjes së koronavirusit është mënyra e vetme që ti shmangemi “mbylljes”. Epidemiologia në Institutin për Shëndetin Publik, dr. Bozhidarka Rakoçeviq, ka theksuar se as gjatë ditëve të ardhshme nuk pret uljen e numrit të infektuarve me koronavirus, sepse siç ka shtuar, të gjithë jemi dëshmitarë se masat e parapara nuk respektohen. Ajo për TVMZ ka kumtuar se në Mal të Zi aktualisht me koronavirus janë të prekur 3. 504 njerëz. Në spitalin e përgjithshëm në Nikshiq 7 pacientë pozitiv me korona virus janë në rrezik për jetën, kanë kumtuar nga ky institucion shëndetësor. Siç është kumtuar, në spitalin e Nikshiqit aktualisht janë të shtruar 76 pacientë Covid pozitiv. Në Qendrën Klinike të Malit të Zi aktualisht janë duke u shëruar 57 pacientë me virusin korona, prej të cilëve 9 janë në gjendje të vështirë, një nga ata në respiratorë.

 

​Në Gjirokastër shënohen rastet e para me Covid-19 në shkolla

Shënohen rastet e para me COVID- 19 në institucionet arsimore në Shqipëri, respektivisht në Gjirokastër. Siç njoftojnë mediat tiranase, nga testimet e kryera kanë rezultuar pozitiv 3 nxënës, 1 në klasën e pestë të shkollës 9 vjeçare dhe 2 në gjimnaz. Ndërsa, javën e fundit, numri i viktimave nga koronavirusi në Shqipëri shënoi sërish një rritje krahasuar me javën pararendëse, kur u regjistrua niveli më i ulët që prejgjysmës së dytë të korrikut. Në 24 orët e fundit nga 825 testime, u zbuluan 131 të prekur. Në total në këtë vend janë evidentuar 367 viktimat nga COVID- 19. Në të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës tregohet se deri më tani 12 mijë e 674 persona janë shëruar nga virusi korona. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë paraqitur 66 raste të reja dhe janë shëruar 141. E numri i rasteve aktive është 1 mijë e 778 raste. Në 24 orët e fundit në Maqedoninë Veriore janë kryer 552 teste, prej tyre 45 kanë rezultuar pozitivë, ose thënë ndryshe 8 për qind e tyre. Po ashtu kanë ndërruar jetë edhe 7 pacientë me COVID- 19, ndërsa janë shëruar 86 persona. Në Serbi në 24 orët e fundit janë shënuar edhe 57 raste të reja, kurse numri i përgjithshëm i rasteve aktive tani në këtë vend është 33 mijë, kurse nga ky virus kanë vdekur 743 persona.

 

​Dy qeveritë shqiptare takohen të premten në Shkodër

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të mbajnë mbledhjen e përbashkët të premten në Shkodër. Lajmi u bë i ditur në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, ku zëvendëskryeministrja Albulena Balaj-Halimaj, e cila është edhe koordinatore për këtë takim, tha se shumica e draft-marrëveshjeve ndërmjet dy vendeve kanë përfunduar. I kërkoj mirëkuptim ministrave tonë nëse ndonjë draft-marrëveshje nuk do të kalojë për marrëveshje atje. Për shkak të procedurave ligjore që i kanë pala shqiptare. Por besoj që deri më tash shumica e tyre kanë përfunduar, por një finalizim do të bëhet sot gjatë ditës”, tha ajo. Krahas këtyre qeveria në mbledhjen e djeshme miratoi edhe disa projekt-rregullore, në mesin e të cilave edhe ajo për riintegrimin e personave të riatdhesuar.

 

​Pas Prishtinës, delegacioni amerikan viziton Serbinë

Delegacioni i Qeverisë amerikane, i udhëhequr nga Drejtori Ekzekutiv i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në Shtetet e Bashkuara, Adam Boehler, zhvillon sot një vizitë në Beograd, për t’u takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren e këtij shteti, Ana Bërnabiq. Delegacioni amerikan, i cili dje ka vizituar edhe zyrtarët e Kosovës në Prishtinë, përfshin edhe të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë për negociatat Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Presidenca serbe ka paralajmëruar se Boelher dhe Grenell takohen me presidentin dhe kryeministren serbe, dhe nënshkruar deklaratën e përbashkët për bashkëpunim ekonomik. Grenell tha sot në Beograd se dakordimi i arritur më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë “nuk është vetëm fjalë në letër”. “Duam të na mbani përgjegjës dhe ajo çfarë është në letër të shndërrohet ne vende të punës”, tha ai. Një dokument të tillë, zyrtarët amerikanë kanë nënshkruar edhe me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti. Hoti dhe Vuçiq kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e presidentit amerikan Donalld Trump. Ndërkohë sot Odat ekonomike të Kosovës dhe Serbisë janë pajtuar që të krijojnë një grup punues, që do të ndihmojë qeveritë e të dyja shteteve për të zbatuar projektet e marrëveshjes së Uashingtonit nga 4 shtatori, si dhe të ofrojë mbështetje për zbatimin e projekteve të infrastrukturës, energjisë dhe krijimit të vendeve të punës.

 

​Paralajmërohet riorganizim i tërësishëm në sistemin shëndetësor në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë një vizite në Qendrën e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, ka paralajmëruar riorganizimin e tërësishëm të sistemit shëndetësor për t'u përballur me pandeminë. Ai tha se në ditët në vazhdim do të nisë një ristrukturim që ndoshta nuk ka ndodhur në 30 vjetët e fundit. Sa i takon rasteve të fundit të të infektuarave me koronavirus, ai tha se 'rënia e shifrave gjatë ditëve të fundit ka dhënë një relaksim dhe qetësi shpirtërore në familjet tona'. Hoti tha se është evident fakti se ditëve të fundit është rritur vetëdija dhe përgjegjësia për rrezikun që paraqet virusi për shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Kryeministri theksoi se në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit së shpejti pritet të fillojë vaksinimi kundër gripit sezonal. Kurse, Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj theksoi se tre muajt e fundit kanë treguar qartë se cili është organizimi shëndetësor në Republikën e Kosovës, por edhe cilat janë sfidat për të ardhmen.

 

​Italianët votojnë për zvogëlim të numrit të ligjvënësve në parlament

Italia ka votuar për të ulur numrin e deputetëve në parlament për më shumë se një të tretën. Pothuajse 70 për qind e njerëzve kanë votuar në të mirë të ndryshimeve, pas gati të gjitha votave të numëruara. Numri i ligjvënësve në Dhomën e Ulët të Parlamentit të Italisë do të ulet nga 634 në 400. Senati po ashtu do të zvogëlohet. Në total numri i deputetëve dhe senatorëve do të ulet nga 945 në 600. Ky referendum është çuar përpara nga Lëvizja Pesë Yjet, pjesë e koalicionit qeverisës, e cila ka thënë se një hap i tillë do t’i ulë shpenzimet. Votimet janë zhvilluar bashkë me disa zgjedhje rajonale, rezultatet e të cilave kanë shënuar kthim mbrapa në mbështetje për liderin e partisë Liga dhe rritje të përkrahjes për të majtit e qendrës, të cilët janë pjesë e koalicionit qeverisës të kryeministrit, Giuseppe Conte. Ky ndryshim veçse është miratuar në parlament, mirëpo për finalizim është nevojitur referendum, meqë duhet bërë ndryshime kushtetuese. Ndryshimet tani duhet të bëhen para zgjedhjeve të vitit 2023.

 

​OKB, festë virtuale në 75 vjetor

Kombet e Bashkuara festojnë sot 75-vjetorin e krijimit. Situata e pandemisë ka diktuar që aktivitetet dhe festa për këtë 75 vjetor të organizohet në mënyrë virtuale. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres bëri thirrje për bashkëpunim më të madh ndërkombëtar përballë sfidave globale.“Sot kemi një tepricë të sfidave shumëpalëshe dhe një deficit të zgjidhjeve shumëpalëshe”, theksoi Gutteres. Presidenti amerikan, Donald Trump, që ishte parashikuar të merrte pjesë në festimet e 75 vjetori, nuk do t’i drejtohet organizatës për këtë përvjetor. Në vend të tij, foli zëvendëspërfaqësuesja amerikane në OKB, Cherith Norman Chalet e cila kritikoi rezistencën ndaj reformave, mungesës së transparencës dhe cënueshmërisë ndaj regjimeve autokratike. “Për administratën Trump, ky përvjetor është një kohë e rëndësishme për të festuar arritjet e shumta të Kombeve të Bashkuara, por me rezerva, pasi ky organ i rëndësishëm duhet t’i shërbejë qëllimit të tij të synuar”, theksoi Chalet. Trump, i cili shpesh ka kritikuar OKB-në, është gati të trajtojë debatin e përgjithshëm vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të saj përmes video-konferencës së ditës së sotme.

 

​SHBA, në prag të regjistrimit të 200,000 viktimave me koronavirus

OBSH ka publikuar të dhënat 1 javore, në lidhje me pandeminë e koronavirusit. Sipas OBSH-së, prej 14 deri me 20 shtator u regjistrua një numër rekord prej dy milionë rastesh të reja me Covid-19 (+ 5% krahasuar me javën e mëparshme), por numri i vdekjeve është ra me 10%. Shtetet e Bashkuara i janë afruar regjistrimit të 200,000 vdekjeve me koronavirus, ndërkohë që presidenti amerikan, Donald Trump ka pretenduar se më e keqja ka kaluar për amerikanët. Shumë ekspertë shëndetësorë amerikanë kanë parashikuar në muajt e parë të pandemisë se rreth 200,000 amerikanë do të vdesin nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi. Evropa, në anën tjetër, po përballet me valë të dytë të pandemisë. Spanja, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar janë në mesin e shteteve që kanë regjistruar mijëra të persona të infektuar brenda një dite, duke shtyrë disa shtete që t’iu rikthehen masave të izolimit. Më shumë se gjysma e rajoneve franceze janë shpallur ”zonë e kuqe”, Madridi bllokon pothuajse një milion banorë në lagjet e tyre, Britania e Madhe jep alarmin dhe evokon kufizime të reja të mundshme për qytetarët, edhe pse përjashton një bllokim të dytë, ndërkohë që Mynihu po forcon sërish rregullat kundër koronavirusit të ri. Koronavirusi i ri ka infektuar më shumë se 31 milionë persona në gjithë botën, derisa nga COVID-19 deri tani kanë vdekur 963,000 njerëz.

UP hap dyert për studentët e rinj, do të pranohen 6 638 studentë

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka hapur konkursin për pranimin e studentëve të rinj në vitin akademik 2020/2021, ku këtë vit akademik është paraparë që të pranohen 6 mijë e 638 studentë në 14 njësi akademike. Nga numri prej 6 mijë e 638 studentëve, UP ka paraparë që deri në 12 përqind apo deri në 787 studentë të jenë nga komuniteti joshumicë. Po ashtu, është paraparë edhe regjistrimi i studentëve që vijnë nga Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe nga Lugina e Preshevës. Provimet pranuese për shkak të pandemisë COVID-19, do të mbahen në katër ditë të ndryshme, me qëllim që njësitë akademike të kenë hapësira të mjaftueshme për të organizuar testimin. Konkursi për pranimin e studentëve të rinj në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, do të jetë i hapur deri më 30 shtator, ndërsa ende nuk dihet kur do të mbahet afati i dytë për pranimin e studentëve.

 

Nesër mot jo stabil

Në Mal të Zi sot po mban mot me vranësira të ndryshueshme, vende vende edhe me reshja të dobëta lokale. Frynë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Tivar 29 gradë, Podgoricë e Budva 28, Ulqin e Herceg Novi 27, Plevle 25, Cetinë, Bijello Pole e Beranë 24, në Nikshiq e Kollashin 22, Guci 21, Plavë 20, Rozhajë 19 dhe në Zhablak 17 gradë.

Për nesër parashihet të mbajë mot i ndryshueshëm dhe jo stabil, kohë pas kohe me reshje të shiut dhe bubullimë lokale. Të reshura më të dendura priten në viset jugore dhe qendrore të vendit. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare, vende vende deri e fortë nga drejtimet e jugut. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 9 deri në 19, kurse më e larta e ditës prej 16 deri në 26 gradë celsius.

 

ditarin e përgatiti, Senad Gilaj

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се