Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

02. 12. 2020. 00:00 >> 18:49

Ditari 02.12.2020

02.12.2020

Mbahet seanca parlamentare për programin dhe përbërjen e Qeveris së re të Malit të Zi

Parlamenti i Malit të Zi ka nisur debatin për kabinetin e mandatarit për kryeministër, Zdravko Krivokapiq, qeveria e parë në tri dekada që nuk do të drejtohet nga Partia Demokratike e Socialistëve, e presidentit Millo Gjukanoviq. Mandatori për formimin e Qeverisë së re të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, sot në Kuvendin e Malit të Zi e arsyetoi programin dhe përbërjen personale të Qeverisë së re. Është paralajmëruar që kjo seancë, për shkak të interesimit të madh të deputetëve për pjesëmarrje në debat, të zgjasë së paku dy ditë, dhe më së tepërmi tre ditë. Krivokapiqin për mandator me 8 tetor e ka propozuar presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, pas njoftimit që tri koalicionet, pas zgjedhjeve parlamentare, e kanë  shumicën e re në Kuvend. Presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq mori pjesë në prezantimin e programit dhe përbërjes së qeverisë së re. Ai rekomandoi se pret kohabitim korrekt me Qeverinë e re dhe se pushteti i ri ekzekutiv do të kontribuojë një bashkëpunimi të tillë dhe do të respektojnë Kushtetutën. Ai tha se ekspozeu i mandatorit Krivokapiq bazohet në paragjykime, të cilat i kanë formuar autorët e tij në një kohë të mëparshme, duke shtuar se asnjëherë kjo nuk është fillim i mirë, tha presidenti Gjukanoviq. Kurse Krivokapiq në ekspoze, ka theksuar se prioritetet e Qeverisë së re do të jenë ekonomia, lufta kundër virusit Covid- 19 dhe sundimi i vërtet i ligjit.  Ai ka theksuar se fokusi, përveç lirisë së mediave dhe funksionimin e gjyqësorit, do të jetë në politikën zhvillimore ekonomike, në avancimin e konkurrencës dhe qëndrueshmërinë e financave publike, në mjedisin e shëndosh, në kontributin në  luftën kundër ndryshimeve të shpejta klimatike, në politikën adekuate sociale dhe në punësim. Krivokapiq ka paralajmëruar miratimin e ligjeve të reja sistemore. “Duke filluar nga ligje priroitare për prejardhjen e pasurisë, lustracionin, Qeverinë, Parlamentin, planifikimin hapësinor dhe nëdrtimin e objekteve, ka theksuar Krivoakpiq. Ai ka paralajmëruar se Qeveria e re do të përpiqet për kultivimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me shtetet përreth dhe për një miqësi të sinqertë me të gjitha shtetet. Krivokapiq në  ekspozeun e vetë ka publikuar edhe përbërjen personale të Qeverisë së re të Malit të Zi e cila do të ketë 12 ministri dhe një nënkryetarë. Para parlamentit të Malit të Zi, në prag të seancës parlamentare në të cilën mandatari Zdravko Krivokapiq paraqiti ekspozeun dhe përbërjen e qeverisë së re, një grup qytetarësh u mblodhën, duke mbajtur parulla me mbishkrimin "Nuk është qeveria jonë. Siç theksuan, ata me një minutë heshtje i bënë nderimet “ vdekjes së lirisë” në Mal të Zi.Meqë shumica e ligjvënësve janë pjesë e debatit, votëbesimi nuk pritet të ndodhë para 3 apo 4 dhjetorit.

“E kem fituar mandatin për ndryshime e jo ndërrime”

Nënkryetar i Qeverisë do të jetë i vetmi autoritet partiak, lideri i Lëvizjes qytetare URA Dritan Abazoviq. Krivokapiq ka propozuar për Ministër të punëve të brendshme, Sergej Sekulloviq, Ministre të mbrojtjes Olivera Injac,  kurse për Ministër të punëve të jashtme Gjorgjie Radulloviq. Dikasterin e financave dhe të përkujdesjes sociale do ta udhëheq Millojko Spaiq, investimet kapitale, Mlladen Bojaniq, kurse ministrinë e zhvillimit ekonomik, Jakov Millatoviq. Kandidatë për Ministër të drejtësisë, të drejtave të pakicave dhe të drejtave njerëzore është Vlladimir Leposaviq, për Ministër të  shëndetësisë Jelena Boroviniq – Bojoviq, për Ministre të arsimit, shkencës, kulturës dhe sportit Vesna Bratiq. Për Ministër të ekologjisë, planifikimit hapësinor dhe urbanizëm është propozuar Ratko Mitroviq, kurse për administratën publike, shoqërisë digjitale dhe media, Tamara Srzentiq. Në krye të Ministrisë për bujqësi, pylltari dhe ekonomin e ujërave do të jetë, Aleksandar Stijoviq.  Mandatori Krivokapiq ia ka dorëzuar parlamentit programin e punës të Qeverisë së re në të cilin sqaron rikonsruimin e ministrive. Sipas propozimit të tij ministria e ekonomisë do ta ndryshojë emrin në Ministria e zhvillimit ekonomik, dhe në këtë mënyrë Qeveria e re dëshiron të përqendrohet në politikën zhvillimore. Në këtë kuptim, siç thekson ai, një pjesë e ministrisë aktuale për punë dhe çështje sociale e cila ka të bëjë me punën dhe tregun e punës do të jetë pjesë e Ministrisë për zhvillimin ekonomik, me qëllim që tregu i punës dhe politika aktive e punësimit të jenë në funksionin e zhvillimit ekonomik. Sipas këtij dokumenti Ministria e re e formuar për arsim, shkencë, kulturë dhe sport, në të  vërtet do të jetë trashëguese e Ministrisë aktuale a arsimit.

Shumica e re parlamentare për Qeverinë e re, opozita kryesisht kundër

Nga Mali i Zi Demokratik, presin që debati në Parlament për zgjedhjen e qeverisë së re të jetë në frymën e demokracisë, kurse Fronti Demokratik thekson se është e sigurt që qeveria do të votohet. Nga URA thonë se nuk janë të kënaqur me zgjidhjet e caktuara personale, por shtojnë  se qeveria e re do t'u kushtohet qytetarëve, dhe jo liderëve të partive.Demokracia e re serbe, DEMOS-i, Mali i Zi i Bashkuar dhe Partia punëtore do të përkrahin formimin e Qeverisë së re të Malit të Zi në mbledhjen parlamentare e cila do të mbahet sot, është kumtuar nga këto subjekte politike. Më parë Këshillat kryesor të PSP dhe kryesia e Partisë Demokratike Popullore u kanë propozuar njëzëri deputetëve të vetë në parlamentin e Malit të Zi që me 2 dhjetorë të votojnë për Qeverinë e mandatorit Zdravko Krivokapiq. Lëvizja për ndryshime do ta përkrah Qeverinë e re për shkak të momentit historik dhe rënies së regjimit të PDS, kumtoi ditë më parë lideri i kësaj partie, Nebojsha Medojeviq. Nga ana tjetër, Partia Socialdemokratike nuk do të votojë për konceptin e propozuar të qeverisë për shkak të dallimeve të mëdha politike dhe ideologjike, është konkluduar më parë në mbledhjen e Kryesisë së kësaj partie. Lista Shqiptare, e cila në parlament përfaqësohet nga deputeti Genci Nimanbegu, mandati i të cilit u miratua në fillim të seancës së sotme parlamentare, nuk do ta përkrah qeverinë e re, deklaroi njëri nga liderët e saj Nik Gjeloshaj. Edhe nga Partia Liberale kanë kumtuar se në seancën e sotme nuk do të përkrahin Qeverinë e re të Zdravko Krivokapiqit.

 

Angazhim më i madh i NATO-s dhe BE-së për integrimin e BP

NATO dhe Bashkimi Evropian duhet të jenë të angazhuara fuqishëm në integrimin e shteteve të Ballkanit perëndimor, ka deklaruar ministri i punëve të jashtme të Malit të Zi Sërgjan Darmanoviq. Ai ka marrë pjesë në takimin e ministrave të punëve të jashtme të vendeve anëtare të aleancës, i cili po mbahet përmes video konferencës. Nga Ministria e punëve të jashtme është kumtuar se shefat e diplomacive të shteteve anëtare të NATO-s kanë biseduar për çështjet me rëndësi  për sigurinë dhe mbrojtjen kolektive, përfshirë këtu sfidat të cilat rrjedhin nga drejtime të ndryshme strategjike. Duke pasur parasysh skadimin e mandatit, shefi i diplomacisë së Malit të Zi Sërgjan Darmanoviq i ka falënderuar ministrat e vendeve  anëtare të NATO-s për bashkëpunim duke shtuar se Mali i Zi mbetet i përkushtuar dhe aleatë kredibël me një përkushtim të qartë për vlerat euroatlantike. NATO është rruga drejt një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme për Malin e Zi, e që nuk ka asnjë alternativë, tha Presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq. Ai në Twitter theksoi se në një kohë sfidash shumë komplekse, Mali i Zi mbetet besnik pa kompromis, i përkushtuar dhe i përcaktuar ndaj vlerave dhe qëllimeve strategjike të Aleancës. Gjukanoviq tha se me krenari po shënojmë pesë vjet që kur NATO i bëri thirrje Malit të Zi të fillojë bisedimet e pranimit për anëtarësim në Aleancë.

Deficiti i buxhetit për periudhën 10 mujore, 385,8 milion euro

Deficiti i buxhetit gjatë 10 muajve të parë të këtij viti ka qenë 385.8 milion euro, ose 8.4% i bruto prodhimtarisë së brendshme që do të thotë, 71.8 milion më tepër në raport me planin, tregojnë të dhënat e Ministrisë së financave. Nga kjo Ministri kanë theksuar se situata shëndetësore, e shkaktuar nga pandemia e virusit Covid-19, në Mal të Zi ashtu si edhe në nivelin global në vazhdimësi determinin edhe rrjedhat ekonomike. “Situata e pavolitshme epidemiologjike, respektivisht masat përkufizuese të aktiviteteve ekonomike me qëllim të vendosjes nën kontroll të pandemisë, ka përcaktuar edhe rrjedhat buxhetore prej fillimit të pandemisë e deri me sot”, thuhet në raportin e Ministrisë për realizimin e buxhetit gjatë 10 muajve të kaluar. Të ardhurat buxhetore në periudhën prej janarit deri në tetor të këtij viti kanë qenë 1.3 miliardë euro, ose 28.3% të Bruto Prodhimtarisë së vlerësuar të Brendshme ose 6.9% më pak në raport me ndryshimet dhe plotësimet e planifikuara të ligjit për buxhetin. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, shpenzimet e përgjithshme të buxhetit janë 132.6 milion euro më tepër, për shkak të realizimit të tri paketave të masave në drejtim të zbutjes së efekteve negative të pandemisë dhe si ndihmë për qytetarët dhe ekonominë.

 

502 raste të reja, 6 viktima

Laboratorët e Institutit dhe laboratorët tjera kanë përfunduar dje analizën e 1 mijë e 856 mostrave dhe ia kanë dorëzuar Institutit rezultatet e këtyre mostrave në infektimin e korona virusit të ri, në mesin e të cilave gjithsejtë janë konfirmuar 502 raste të reja të infektimit. Këtij Instituti i janë paraqitur 6 raste të vdekjeve si pasojë e infektimit me Covid-19, kurse numri i rasteve të vdekjeve në Mal të Zi nga muaji qershor ka shkuar në 501, kurse prej fillimit të vitit 510. Njëkohësisht është konfirmuar edhe shërimi i 772 pacientëve. Numri i përgjithshëm i rasteve aktive aktuale në Mal të Zi është 10 mijë e 432 njerëz, është kumtuar nga Instituti për shëndetin publik i Malit të Zi.  Ndërsa sot, siç u kumtua nga Spitalet e përgjithshme në Beranë e Nikshiq, dy pacientë ndërruan jetë nga pasojat e virusit korona. Një 68 vjeç ndërroi jetë në Spitalin e Përgjithshëm në Beranë, kurse një 83 vjeçar në spitalin e Nikshiqit. Në spitalin e Beranës aktualisht po trajtohen 36 pacientë,13 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë klinike. Ndërsa në spitalin e Nikshiqit janë të shtruar 87 pacientë Covid pozitiv, prej të cilëve 15 në rrezik për jetën. Kryetari i Komunës së Ulqinit, Loro Nrekiq, tha se situata epidemiologjike në këtë qytet, si dhe në vend, nuk është e mirë. Ai shtoi se institucionet janë lodhur duke luftuar pandeminë. Kryetari Nrekiq bëri me dije se as gjendja financiare në komunën e Ulqinit nuk është aspak e mirë.

Mali i Zi ka më së tepërmi raste aktive në 100 mijë banorë

Në rajon më së tepërmi raste aktive nga Covid-19 në 100 mijë banorë janë të regjistruar në Malin e Zi, në vendin e dytë është Maqedonia e Veriut, kurse në vendin e tretë Sllovenia. Në Mal të Zi janë të regjistruar 1700 të sëmurë aktiv në 100 mijë banorë, në Maqedoninë Veriore 1008, kurse në Slloveni 1003 të prekur. Në rajon dje janë regjistruar 16 mijë e 382 raste të reja të infektimit me virusin Covid-19. Serbia është në venin e parë në rajon sipas numrit të hospitalizuarve nga Covid-19 në 100 mijë banor, në vendin e dytë është Maqedonia e Veriut, kurse në vendin e tretë Sllovenia. Në rajon numri më i madh i të prekurve në 1 milion banorë është i regjistruar poashtu në Mal të Zi, në vendin e dytë është Sllovenia kurse në tretin Kroacia. Më së tepërmi të testuar në raport me 1 milion banorë janë regjistruar në Serbi, 257 mijë e 866, pastaj në Slloveni 252 mijë e 964, kurse në vendin e tretë është Mali i Zi me 225 mijë e 430 të testuar. Në Mal të Zi në muajin nëntor janë regjistruar 16 mijë e 646 raste të infektimit me korona virus, kurse në nivelin ditor ky numër mesatarisht ka qenë 555 të infektuar. Gjithsejtë janë shëruar 10 mijë e 48 pacientë të infektuar kurse aktualisht aktiv janë 10 mijë e 708 raste. Së paku 70% të popullatës duhet të vaksinohen, në mënyrë  që pandemia e korona virusit të zbritet ose të ndërpritet, ka vlerësuar hulumtuesja në Institutin, “Pastern”, Maria Backoviq, duke shtuar se “normalizimi “ i jetës mund të pritet në pjesën e dytë të vitit të ardhshëm. Paralelisht me zbulimin e vaksinës apo medikamentit për kurimin e koronavirusit, vazhdimisht po paralajmërohet për ndikimin e pandemisë në shëndetin mendor të popullatës deklaroi specialistja e psikiatrisë dr. Majda Burxhoviq. Ajo thotë se për këtë arsye po bëhet kërkime për gjetjen e zgjidhjeve më të mira, se si të ruhet shëndeti mendor. Specialistja Burxhoviq këshillon qytetarët që ti kthehen punës.

 

Numri i të infektuarve me korona virus i ka tejkaluar 64 milion

Në botë numri i të infektuarve me korona virus sot i ka kaluar 64 milion njerëz, tregojnë të dhënat e sitit, Worlldometers.info. Nga pasojat e Covid- 19 në botë kanë vdekur rreth 1.48 milion njerëz dhe janë shëruar rreth 44.3 milion pacientë. Përqindja e të shëruarve gjithnjë është 97% kurse përqindja e të vdekurve 3%. Për ndryshe në botë janë aktiv rreth 18.24 milion raste të prekura me korona virus. Më së tepërmi të prekur ka në SHBA ku janë të regjistruar rreth 5.48 milion njerëz. Shtetet e Bashkuara kanë më shumë se 13.5 milion infeksione me COVID-19 - më shumë se në çdo vend tjetër. Nga Organizata Botërore e shëndetësisë njoftohet se numri i të infektuarve  në javën e fundit ka arritur gati në 4 milion, shifër kjo diç më e ultë se një më parë. Agjencia Evropiane e Barnave do të vendosë “brenda javësh” për autorizimin ose jo të vaksinës kundër COVID-19 të kompanive “Pfizer” dhe “BioNTech”. Edhe kompania “Moderna” e cila ka përfunduar fazat e testimit të vaksinës së saj kundër COVID-19, kërkon autorizimin për përdorim në vendet evropiane. Vendimi për këtë vaksinë mund të merret jo më vonë se data 12 janar.Sot në  botë ekzistojnë mbi 70 vaksina të cilat janë në testim e sipër, kurse 13 prej tyre janë në fazën përfundimtare të testimit. Te vaksinat e shtëpive farmaceutike “BioNTech” dhe “Pfizer” si dhe “Moderna” është vërtetuar efikasiteti i tyre mbrojtës mbi 90%. Ndërkohë, Britania e Madhe është vendi i parë në botë që miraton vaksinën e koronavirusit nga kompanitë “Pfizer” dhe “BioNTech”. Rregullatori britanik deklaroi se vaksina, e cila është 95% efektive, është e sigurt për t’u përdorur. Organizata Ndërkombëtare e Policisë (INTERPOL), paralajmëroi sot se rrjetet e organizuara kriminale mund të synojnë shitjen e vaksinave false kundër koronavirusit. Interpol, me seli në Francë, njoftoi se kishte lëshuar një alarm global për zbatimin e ligjit në 194 vendet e tij anëtare, duke i paralajmëruar ata që të përgatiten për rrjetet e krimit të organizuar që synojnë vaksinat COVID-19, si fizikisht ashtu edhe në internet.

Sillet vistra e parë e akteve nënligjore për zbatimin e ligjit

Këshilli i Bankës Qendrore të Malit të Zi ka miratuar vistrën e parë të akteve nënligjore, të domosdoshme për zbatimin e ligjit për institucionet kredituese dhe për sanimin e tyre. ”Banka Qendrore dhe Këshilli i Bankës Qendrore të Malit të Zi i cili është në seancë të përhershme, punon pa ndërprerë në përgatitjen dhe miratimin e akteve nënligjore me të cilat krijohen parakushtet për zbatimin e ligjit për institucionet kredituese dhe për sanimin e institucioneve krititdhënsëe”, thuhet në kumtesën e Institucionit suprem monetar. Nga Banka Qendrore kanë theksuar se Këshilli, në mbledhjet e mbajtura të premten dhe sot, ka shqyrtuar dhe ka miratuar 8 akte nënligjore respektivisht vendime, për sistemin e menaxhimit në institucionin kreditues, për kushtet dhe kriteriumet për vlerësimin denjësinë e anëtarëve të organeve menaxhuese dhe për bartësit e funksioneve kryesore në institucionin kreditues, për përmbajtjen e planeve të sanimit të institucioneve kredituese dhe për planet e sanimit për grupin dhe për kumtesat lidhur me sanimin e institucionit kredituese. Që të sigurohen të gjitha kushtet për zbatimin e ligjeve të sipërpërmendura, është paraparë që Këshilli i Bankës Qendrore, deri në fund të vitit të miratojë edhe rreth 30 vendime të tjera të prapambetura.

Definim më preciz i përgjegjësisë së Këshillit dhe menaxhmentit

Nëse do të ketë ndryshime dhe plotësime të ligjit për Radio Televizionin e Malit të Zi (RTMZ), atëherë do të duhej që në mënyrë më precize të definohet përgjegjësia e anëtarëve të Këshillit dhe të menaxhmentit dhe të definohen kompetencat e këtij Trupi, ka kumtuar për ditarin kryetari i Këshillit, Ivan Jovetiq, duke theksuar se kjo përbërje, si edhe përbërja e mëparshme, punon në mënyrë profesionale. Kur është fjala për propozimet se duhet të rritet numri i anëtarëve të sektorit joqeveritarë në Këshillin e RTMZ, Jovetiq konsideron se nuk duhet shkuar drejtë burokratizimit dhe, siç ka theksuar, ky Trup të mos jetë joqeveritar. Ligji aktual për RTMZ është miratuar me 27 korrik të këtij viti. Sipas mendimit të Media Qendrës, drejtorit i të cilës është Goran Gjuroviq, ish anëtarë i Këshillit të servisit publik, ky ligji në pikëpamjen e mënyrës së zgjedhjes dhe shkarkimit të anëtarëve të Këshillit është ligji më i pa volitshëm deri tani, sepse, siç konsiderojnë në Media Qendrën, mundëson që anëtarët e Këshillit të zgjedhen me vullnetin e shumicës së anëtarëve të Këshillit administrativ të Parlamentit, për dallim nga i mëparshmi kur zgjedhja  është bërë në bazë të vullnetit të propozuesve të autorizuar dhe pa ndikimin e deputetëve. Në këtë qendër kanë bërë një analizë të pozitës së Këshillit në ligjin për RTMZ prej vitit 2002 deri në vitin 2020 dhe do t’ia dorëzojnë deputetëve dhe ministrive kompetente nga të cilat kërkojnë që ligjit për RTMZ të ndryshohet urgjentisht. Kryetari i Këshillit të TRMZ Ivan Jovetiq, megjithatë ka kumtuar se ky ligj ka edhe risi të mira. Kur është fjala për Këshillin, ai  thekson se shpesh herë me qëllim ose rastësisht i mveshën kompetencat, të cilat sipas ligjit nuk i takojnë dhe mohon të gjitha kualifikimet në llogari të punës së këtij trupi.

Dialogu Kosovë-Serbi pjesë e strategjisë së BE-së për raportet me SHBA-në

Komisioni Evropian ka miratuar në takimin e sotëm të kolegjit të Komisionarëve, një strategji për agjendën e re të raporteve transatlantike, më saktësisht raporteve mes Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Komisioni, në këtë dokument, nënvizon nevojën për bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara për të forcuar rendin multilateral botëror dhe për t’u përballur së bashku me sfidat e reja, nga përhapja e koronavirusit e deri tek forcimi i mbrojtjes dhe sigurisë. Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011 nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Ky dialog ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve. Së fundmi, Shtetet e Bashkuara kanë intensifikuar përpjekjet e tyre për të afruar palët drejt normalizimit të raporteve dhe në këtë kuadër, me 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje për normalizim ekonomik.Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë se zgjidhja e problemeve në Ballkan është një përgjegjësi e Bashkimit Evropian, dhe se nga kjo varet edhe roli global i BE-së. “Nëse nuk mund të zgjidhim problemet në Ballkan atëherë si mund të jemi aktor i rëndësishëm global”, ka thënë Borell. Ai edhe një herë ka shprehur kënaqësinë për rifillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që në fillim të mandatit të tij.

 
Sërish takim ambasadorësh në BE, mundësitë për Maqedoninë e Veriut të pakta

Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së sot edhe një herë do të takohen në prag të Këshillit të Ministrave të BE-së më 8 dhjetor, për të harmonizuar përfundimet e tekstit, ndërsa mundësitë që Bullgaria të lëshojë pe për Maqedoninë e Veriut janë thuajse të pamundura. Siç njofton AIM, situata mbetet e pandryshuar në Bruksel në lidhje me veton e Bullgarisë, për nisjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut, edhe përkundër tentimeve të shumta të vendeve anëtare të BE-së. Diplomatët në Këshillin e BE-së, e kanë drejtuar qartë gishtin kah Sofja, për mos hapjen e negociatave me Shkupin. Për shkak të qëndrimit të Bullgarisë, përfundimet nuk kanë datë për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare në mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut. Kancelarja gjermane Angela Merkel, më herët ka thënë se shpreson që deri në fund të vitit të ketë lëvizje pozitive në drejtim të negociatave me Maqedoninë e Veriut. Kurse në Shkup sot opozita maqedonase ka bllokuar për rreth dy orë trafikun në protestën e organizuar kundër qeverisë, për shkak të siç ka thënë, “shitjes së interesave kombëtare e shtetërore në bisedimet me Bullgarinë”. Përndryshe, ditë më pare kryeministri i këtij vendi, Zoran Zaev, ka thënë se maqedonasit do të anëtarësohen në Bashkimin Evropian vetëm si maqedonas që flasin gjuhën maqedonase. Ai këto komente i bëri pas deklaratës së kryeministrit bullgar Bojko Borisov, i cili mohoi ekzistimin e pakicës maqedonase në Bullgari.

NATO-ja është e gatshme të ndryshojë, thotë Stoltenberg

NATO është e gatshme të ndryshojë, tha Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, pas një takimi të ministrave të vendeve anëtare, në të cilin u shqyrtua një dokument, që përmbante idetë për reformimin e Aleancës. Dokumenti me 67 faqe thekson "se NATO është një aleancë e domosdoshme, por gjithashtu është e nevojshme të ndryshojë", u tha Stoltenberg gazetarëve, duke shtuar se "kjo është pikërisht ajo që ne po bëjmë". Ndër 140 sugjerimet konkrete se si të reformohet organizata e sigurisë trans-Atlantike janë mënyrat për të forcuar rolin e saj, si një vend ku aleatët këshillohen me njëri-tjetrin për çështje të rëndësishme të ndërsjellta. Kjo vjen pasi ka pasur përplasje mes aleatëve për disa çështje, përfshirë operacionin ushtarak të Turqisë në Sirinë veriore vitin e kaluar. Ekspertët gjithashtu kanë sugjeruar që të ndryshojë mundësia e vetos në vendimet e përbashkëta. Por, kjo nuk ka gjasa të miratohet pa pajtimin e të gjithë aleatëve.


 
Republikanët dhe Demokratët propozojnë një plan rimëkëmbjeje

Një grup i vogël parlamentarësh Demokratë dhe Republikanë sot në Washington propozuan një plan rimëkëmbjeje prej 908 miliardë dollarësh për të mbështetur ekonominë amerikane, të prekur nga pandemia e COVID-19, në një kohë që negociatat kanë rifilluar mes Kongresit dhe Shtëpisë së Bardhë.Për momentin, paketa e ndihmës nuk ka miratimin e Shtëpisë së Bardhë dhe dy propozime të tjera konkurruese po qarkullojnë. Por rinisja e negociatave është një shenjë që zyrtarët e zgjedhur nga të dy partitë duan të ecin përpara për këtë çështje të bllokuar që nga vera.Njoftimi për këtë ringjallje të dialogut vjen ndërsa ekipi ekonomik i Joe Biden u prezantua dje zyrtarisht, ku presidenti i zgjedhur i ka kërkuar Kongresit të votojë pa vonesë për një plan të “fuqishëm” të ndihmës.

Nesër vranësira të ndryshueshme dhe reshje të përkohshme të shiut

Në Mal të Zi sot po mban mot kryesisht i vranët dhe vende vende me reshje të shiut. Frynë erë e mesme nga drejtimet e jugut dhe juglindjes. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Tivar 17 gradë, Herceg Novi 15, Ulqin 13, Podgoricë 8,  Cetinë e Kollashin 5, Nikshiq 4, Zhablak 3 dhe në Plevle 1 gradë.

Për nesër meteorologët paralajmërojnë mot me vranësira të ndryshueshme dhe me reshje të përkohshme të shiut dhe bubullima. Do të fryjë erë e mesme deri e fortë, vende vende edhe në formë të stuhisë e drejtimeve të jugut. Temperatura e mëngjesit prej 2 deri në 12, kurse më larta e ditës prej 4 deri në 15 gradë.

 

 

ditarin e përgatiti, Senad Gilaj

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се