Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

17. 02. 2021. 00:00 >> 20:00

Ditari 17.02.2021

17.02.2021

Sot në Mal të Zi arrijnë 2.000 doza të vaksinës Sputnjik

Në orën 18 e 30 minuta në aeroportin e Podgoricës do të arrijnë sasirat e para të vaksinës kundër korona viruist nga Serbia, është kumtuar nga Qeveria e Malit të Zi.  Këtë e ka kumtuar ministerja e shëndetësisë Jelena Boroviniq-Bojoviq. Ajo ka paralajmëruar se gjatë ditës së sotme do të arrijnë 2000 doza të vaksinës Sputnjik V dhe po kaq edhe gjatë ditëve në vijim.

“Vaksinat janë siguruar në marrëveshje me Serbinë”. Boroviniq-Bojoviq ka përkujtuar se Mali i Zi pret që ditëve të ardhshme të arrijë edhe kontigjenti i parë i vaksinës Sputnjik V i kontraktuar drejtpërdrejt me Rusinë. “Në periudhën e ardhshme priten edhe vaksinat kineze Sinefarm si dhe ajo e Fajzer-it”, ka sqaruar ajo. Ministerja edhe një herë ka tërhequr vërejtjen se përveç vaksinës, çelsi i ruajtjes së shëndetit është respektimi i masave të parapara.

 

Ndalohet puna e objekteve hoteljerike edhe në 6 komuna të tjera

Në Podgoricë, Nikshiq , Cetinë, H. Novi, Ulqin dhe Kotorr ndërpritet puna e objekteve hoteljerike , ka kumtuar sekretari shtetëror në ministrinë e shëndetësisë Borko Bojiq në konferencën e sotme për gazetarët. Ai ka sqaruar se ndalesa e punës ka të bëjë me objektet hoteljerike, restorantet, kafiteritë, objektet brenda hoteleve, me përjashtim të mysafirëve të hotelit. Ai ka shtuar se kërkojnë informatën nga Instituti për medikamente dhe mjetet medicinale lidhur me donacionin e vaksinës nga investuesi Petros Statis. Drejtori i Institutit për shëndetin publikë Igor Galiq ka theksuar se në javën e kaluar është shënuar rritje e numrit të infektuarve, por edhe i të testuarëve. Raporti ndërmjet të testuarëve dhe të prekurve, siç ka theksuar është 25 deri në 30%. “Siç shihet numri i të sëmurëve është në rritje” ka theksuar Galiq duke shtuar se gjatë javës së fundit numri  mesatar i të infektuarve është 528 kurse një javë më parë ishte 510. Ai ka paralajmëruar edhe mundësinë e ashpërsimit të masave në prag të sezonit turistik.

 

Edhe gjashtë humbje jete dhe 404 raste të reja të infektimit

Në Mal të Zi deri sot në ora 15 janë regjistruar edhe 404 raste të reja të infektimit me korona virus, kurse nga pasojat e këtij infektimi 6 pacientë e kanë humbur jetën, është kumtuar nga Instituti për shëndetin publikë.

Numri i përgjithshëm i vdekjeve si pasojë e infektimit me Covid 19 në Mal të Zi prej fillimit të pandemisë është 916 presona. Po ashtu është kumtuar se deri sot në ora 15 është konfirmuar edhe shërimi i 506 pacientëve. Siç theksohet , duke pasur para sysh të gjitha rastet e reja të zbuluara si dhe numrin e të shëruarve, numri i përgjithshëm i rasteve aktive aktuale me Covid 19 në Mal të Zi është 9528 persona. Prej fillimit të epidemisë numri ii përgjithshëm i rasteve të regjistruara të infektimit me korona virus në Mal të Zi është 70 mijë e 174 persona.

 

45 kovid pacientë në rrezikë për jetën

Në Qendrën Klinike të Malit të Zi 45 pacientë të infektuar me korona virus janë në rrezik për jetën. Siç është kumtuar nga ky institucion, në Qendrën klinike janë të shtruar 110 pacientë të infektuar me Covid 19. Ndërkaq në  spitalin e specializuar për sëmundjet e mushkrive në Brezovikë, situata epidemiologjike është e pa ndryshuar, ka kumtuar ushtruesi i detyrës të drejtorit të këtij institucioni shëndetësor Predrag Pejoviq. Pacientët , të cilët janë pozitiv në korona virus, siç ka sqaruar ai, nuk kanë temperaturë dhe janë në gjendje të mirë të përgjithshme, kurse analizat radiologjike janë të njëjta si para infektimit, ka theksuar Pejoviq për programin e mëngjesit të TVMZ.

 

Vaksinimi në Mal të Zi ka mund të fillojë më 24 janar

Vaksina kundër koronavirusit ka mund të jetë në përdorim në Mal të Zi më 24 janar të këtij viti, ka deklaruar presidenti Millo Gjukanoviq. Ai këtë e ka kumtuar duke u përgjigjur në pyetjen e gazetës Pobjeda nëse aktiviteti i tij si president, ka qenë i mjaftueshëm dhe adekuat në luftën kundër virusit korona, pasi që kjo shpesh herë është theksuar në reagimet e Ministrisë së shëndetësisë dhe të Qeverisë. Gjukanoviq ka theksuar se me 21 janar e ka informuar kryeministrin për donacionin e ofruar nga investuesi Petros Statis. “Nga përvoja me donacionet e mëparshme, po ashtu në luftën kundër kovidit, e di se vaksina një ditë më pas ka mund të jetë në Podgoricë. Po ashtu, përmes kontakteve të Ministrisë me prolluesin, ka qenë e mundur që brenda një dite të vërtetohet nëse fjala është për vaksinën origjinale. Pra me 24 janar ajo ka mund të përdoret. Sot jemi më 17 shkurt” ka thënë Gjukanoviq. Ai ka shtuar se kumtesat dhe deklaratat për opinjon si dhe konferencat për shtyp të Ministrisë së shëndetësisë në temën e prokurimit të vaksinës , paraqesin mashtrim të opinjonit.

 

Amerikanëve u rekomandohet të mos udhëtojnë për në Mal të Zi

Departamenti i Shtetit amerikan ka shpallur rekomandime të reja per amerikanët në udhëtimet ndërkombëtare, në kuadër të cilave nënshtetasve të SHBA u rekomandohet që për shkak të Covid-19 të mos udhëtojnë për në Mal të Zi.

Kjo vërejtje është e shkallës më të lartë-shkalla e katërt. Në faqen e internetit të Departamentit të shtetit theksohet se udhëtarët që udhëtojnë për në Mal të Zi mund të përballen me mbylljen e kufijve dhe të aeroporteve, ndalimin e udhëtimeve, me ndalesat e daljes nga banesat, me mbylljen e bizneseve dhe me kushte tjera të jashtëzakonshme  për shkak të pandemisë, njofton Zëri i Amerikës. Qendra për kontrollin dhe preventivën e sëmundjeve në faqen e vetë të internetit thekson se udhëtarët do të duhej tu shmangen të gjitha udhëtimeve ne  Mal të Zi duke pasur parasysh se kjo mund ti rrisë shansat për infektim dhe përhapjen e Covid-19.

 

Mund të ishin 12 mijë, ministërja të japë dorëheqje

Nënkryetari i PDS Jevto Erakoviq dhe kryetari i Partisë Social Demokrtike Rashko Konjeviq kanë komentuar në Tuiter donacionin e vaksinës nga Serbia. Kritika në llogari të prokurimit të vaksinës dhe në punën e Ministrisë së shëndetësisë kanë arritur edhe nga Partia Liberale. Erakoviq ka theksuar se të gjithë njerëzit e qëllimit të mirë tani e kanë të qartë se deri tani ka qenë e mundur të kemi 12 mijë vaksina. Konjeviq ndërkaq ka theksuar se ministerja e shëndetësisë Jelena Boroviniq- Bojoviq ditë me radhë e mashtron opinionin duke shtuar se si shkak i kësaj kemi situatë alarmante andaj duhet të japë dorëheqje.

 

Krivokapiq:Gjyqësori duhet të rregullohet sipas standardeve evropiane

Gjyqësori në Mal të Zi duhet të rregullohet sipas standardeve dhe rekomandimeve të BE,drejt të cilit shteti synon, ka kumtuar kryeministri Zdravko Krivokapiq duke bërë ftesë që kjo çështje të mos politizohet.”Insistimi në zgjidhjet, të cilat nuk do të gëzojnë përkrahjen e partnerëve evropianë, janë në funksion të politikës, por që duhet të jenë në funksion të shtetit juridik”, ka shkruar Krivokapiq në Tuiter.

Ai ka shtuar se një delegacion parlamentarë i Malit të Zi sa më parë duhet ti vizitojë institucionet evropiane. Ai po ashtu u ka bërë ftesë të gjithë pjesëmarrsëve në këtë proces që çështjen e gjyqësorit të mos e politizojnë.

 

Markoviq: Ligji është në pajtim me standardet më të larta

Ligji në bazë të cilit është themeluar prokuroria speciale e shtetit, është hartuar sipas standardeve më të larta, ka vlerësuar ish kryeministri Dushko Markoviq. Ai ka shtuar se si ministër i drejtësisë e ka udhëheq procesin e hartimit të ligjit për prokurorinë speciale. Markoviq ka shtuar se kjo punë është bërë në dialogun me prokurorinë, gjykatën dhe organizatat relevante joqeveritare dhe me mbështetjen e fortë të ekspertëve nga Italia, Kroacia, SHBA dhe OSBE e cila e ka finansuar analizën për arsyetueshmërinë e themelimit të saj. “ligjin në bazë të cilit është themeluar prokuroria speciale e shtetit si dhe statusin e tij dhe nevojën për veprim të mëtejmë, me të drejtë e mbrojnë si profesioni ashtu edhe institucionet evropiane, sepse fjala është për një ligj me standardet më të larta” ka kumtuar Markoviq në Tuiter.

 

Mandiq: Krizë e shumicës parlamentare

Njëri nga liderët e FD Andria Mandiq ka deklaruar se konstituentët e koalicionit Për të ardhmen e Malit të Zi nuk do të marrin pjesë në asnjë deklarim në Parlament , derisa në rend të ditës të mos kthehen propozim ligjet për prokurorinë. Ata janë kërcënuar se nuk do të votojnë as për miratimin e buxhetit për vitin 2021 derisa para deputetëve të mos gjenden ndryshimet e ligjit për prokurorinë. Ai duke komentuar shtyrjen e seancës së parlamentit në të cilën është dashtë që nesër të debatohet për ligjet e sipër përmendura , ka theksuar se vetëm votimi për këto ligje do të jetë votimi i parë në të cilin ata do të marrin pjesë. Përmes vendimit të njëanshëm të shumicës parlamentare , siç ka theksuar ai është shkaktuar edhe kriza e po kësaj shumice. Në konferencën për gazetarët në parlament Mandiq ka theksuar se me rastin e marrëveshjes për këto ligje e kanë pasur të qartë se do të ketë presione nga ana e kriminalitetit të organizuar, por edhe të prokurorëve, të cilët do të bëjnë ç’është e mundur që të mbeten në  pozicionet të cilat nuk u takojnë.

 

Vërejtjet nga Brukseli fillojnë të japin rezultate

Vizioni i shumicës në pushtet që politika ti zotërojë të gjitha degët e pushtetit shtetëror, përfshirë këtu edhe atë gjyqësor nuk çon drejtë Bashkimit Evropianë, ka vlerësuar deputeti i PDS  Nikoliq. Ai  këtë e ka kumtuar në Tuiter duke komentuar shtyrjen e seancës së parlamentit në të cilën është dashtë të debatohet për ndryshimet e ligjeve gjyqësore. “Vërejtjet nga Brukseli dhe nga opozita parlamentare pro evropiane që pushteti të rishqyrtojë aksionin e pa menduar mirë për miratimin e ligjeve të reja për prokuroritë, kanë filluar të japin rezultate. Vizioni i shumicës në pushtet që politika ti mbikëqyrë të gjitha degët e pushtetit , përfshirë këtu edhe atë gjyqësor, nuk çon drejtë Bashkimit Evropianë”, ka theksuar Nikoliq.

 

Abazoviq uron Ditën e pavarësisë së Kosovës

Nënkryetari i Qeverisë Dritan Abazoviq ka uruar 17 shkurtin, Ditën e pavarësi së Kosovës duke theksuar se e gëzon bashkëpunimi i cili do tu sjell mirëqenie qytetarëve të dy shteteve.  Abazoviq, siç është kumtuar nga kabineti i tij i ka dërguar urim ushtrueses së detyrës të presidentes e kryetare e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani , kryeministrit Avdullah Hoti si dhe ambasadorit të Kosovës në Podgoricë . Ai ka shtuar se Kosova këtë festë e pret në kushte të vështira të shkaktuara nga Pandemia e virusit Covid 19 dhe ka shprehur dëshirën që sa më parë ta mposhtin këtë pandemi. Ai po ashtu ka theksuar se është i bindur se edhe pandemia i ka ofruar edhe më tepër dy vendet dhe ka përkujtuar vlerat esenciale të cilat duhet të kultivohen. “Duke vlerësuar latë marrëdhëniet miqësore dhe fqinjësore ndërmjet dy shteteve tona, i gëzohemi bashkëpunimit i cili do të kontribuojë në të mirë të qytetarëve të Malit të Zi dhe të Kosovës”ka thkesuar Abazoviq. Abazoviq ka përgëzuar banorët e atjeshëm për zgjedhjet e suksesshme parlamentare të mbajtura me 14 shkurt, të cilat siç është shpreh, kanë qenë shembull i demokracisë dhe i shprehjes së vullnetit të lirë të qytetarëve.

 

OSMANI E KURTI BËJNË HOMAZHE NË PREKAZ

U.d e presidentës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kreu i VV-së, Albin Kurti kanë bërë homazhe në Prekaz për nder të 13 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ku thanë se ky vend u përkujtojnë çmimin e lartë që e ka paguar vendi për liri. Vjosa Osmani ka thënë se në Prekaz gjenden dëshmitë e gjenocidit serb si dhe dëshmitë për atdhedashuri, raporton E.O. “Bashkarisht ta nderojmë vendin që është ikonë e lirisë vendin ku prehen komandanti legjendar dhe gjithë familja Jashari që janë simbol i sakrificës të popullit shqiptar për liri. Në këtë përvjetorë përkulemi para veprës së komandantit legjendar dhe gjithë dëshmorëve”, tha Osmani. Ndërsa Albin Kurti ka thënë se Prekazi dëshmon se çmimi i lirisë është shumë i lartë. “Prekazi heroik është vendi i kushtrimit për çlirim dhe vendi që na e përkujton se sa i lartë është çmimi i lirisë, dhe se sa të priveligjuar jemi ne që jetojmë dhe e festojmë 13 vjetorin e Pavarësisë. Në fund Bekim Jashari ka shtuar se është nder që për këtë 13 vjetor t’i shoqërojë delegacionet më të larta shtetërore gjatë homazheve.

 

BLINKEN: ARRITJA E MARRËVESHJES KOSOVË-SERBI KËRKON FLEKSIBILITET

Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Anthony Blinken, ka uruar shtetin e Kosovës për përvjetorin e 13-të të Pavarësisë. Blinken në mesazhin e tij ka thënë se arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, të përqendruar te njohja reciproke, do të kërkojë fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis nga të dyja palët.“Në emër të Qeverisë së SHBA-së, dua ta uroj Kosovën pasi feston përvjetorin e 13-të si shtet sovran dhe i pavarur. SHBA-ja është krenare në rolin e saj të hershëm dhe të vazhdueshëm në mbështetjen e Republikës së Kosovës të pavarur, për t’u zhvilluar në një vend multi-etnik, gjithëpërfshirës dhe demokratik. Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm drejt një të ardhme më të begatshme, të qëndrueshme dhe të sigurt. Ne përgëzojmë vendosjen e marrëdhënieve zyrtare diplomatike me Izraelin dhe përshëndesim përpjekjet tuaja për të normalizuara marrëdhëniet me Serbinë, tha pos tjerash Antony Blinken.

 

HOXHAJ: NË 13-VJETORIN E PAVARËSISË ME MENDJE JEMI NË HAGË

Në 13-vjetorin e Kosovës shtet, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po thotë se është me mendje dhe zemër në Hagë. Sipas kësaj partie, atje po mbahen padrejtësisht shokët e tyre, të cilët kontribuuan për shtetësinë e Kosovës. Për ushtruesin e detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj, sakrifica e familjes Jashari lindi shpresën dhe projektoi të ardhmen. Sipas tij, kjo e ardhme ishte Kosova e lirë dhe të pavarur e sovrane. Ai gjatë homazheve në Prekaz, tha se po bëhet një sakrificë e re për të treguar që nuk mund të rishkruhet historia e drejtë. "Familja Jashari është sinonim i çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës. Me këtë 13 vjetor të pavarësisë së Kosovës, natyrisht që me mendje dhe zemër jemi në Hagë. Ku janë shokët tanë, të cilët në mënyrë të padrejtë po mbahen atje. Do të kthehen fitimtare dhe faqebardhë, të cilët po bëjnë një sakrificë të re, sublime për të treguar që nuk mund të rishkruhet historia e drejtë për çlirim dhe për pavarësi", tha Hoxhaj-

 

DASH, THIRRJE KOSOVËS T`I JAPË PËRPARËSI DIALOGUT ME SERBINË

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se SHBA-ja do ta inkurajojë Qeverinë e re të Kosovës, që sapo të jetë formuar, t’iu japë përparësi negociatave me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve. Ai i bëri komentet në përgjigje të një pyetjeje të Zërit të Amerikës. “Sa i përket dialogut me Serbinë, Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë, që synon një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit, e cila duhet të përqendrohet në njohjen reciproke”, tha Price, transmeton REL. Ai tha se SHBA-ja e përgëzon popullin e Kosovës për zgjedhjet e suksesshme parlamentare, që u mbajtën më 14 shkurt. “Ne shpresojmë të punojmë me Qeverinë, sapo ajo të formohet, për çështjet prioritare, për të avancuar paqen, drejtësinë dhe begatinë në Kosovë dhe në rajonin më të gjerë", tha Price.

 

AMBASADA GJERMANE URON KOSOVËN: GËZUAR DITËN E PAVARËSISË

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka uruar Kosovën në 13-vjetorin e bërjes shtet.

“Ne përgëzojmë Kosovën dhe të gjithë qytetarët kosovarë në 13 vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Gëzuar Ditën e pavarësisë! Urime Dita e Pavarësisë”, thuhet në urimin e Ambasada së Gjermanisë në Kosovë.

 

KOSOVA 13-VJET SHTET, RAMA URON ME NJË FOTO TË VEÇANTË

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar sot shqiptarët për ditën e Pavarësisë së Kosovës.Rama ka publikuar një foto të veçantë të këngëtares me origjinë shqiptare, Dua Lipa e cila shfaqet me flamurin shqiptar dhe atë të Kosovës. 17 shkurti 2021 shënon ditën kur shteti i Kosovës mbush 13 vjet prej kur është shpallur i pavarur. Të dielën e 17 shkurtit 2008 në Kuvendin e Kosovës u lexua Deklarata e Pavarësisë nga Kryeministri Hashim Thaçi.

 

VON CRAMON: DIALOGU ME BEOGRADIN ËSHTË ÇËSHTJE QË S’MUND TË NEGLIZHOHET

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon e ka uruar Kosovën për 13-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Me këtë urim, ajo ia ka përmendur Kosovës edhe dialogun me Serbinë, që sipas saj s’duhet të neglizhohet assesi. “Gëzuar ditën e pavarësisë Kosovë! Ju keni bërë shumë hapa në rrugën e gjatë dhe ajo që është përpara jush nuk është e lehtë, por vendi juaj është plot potencial. Paqëndrueshmëria shpesh duket si rregull jo përjashtim, por për shoqërinë do të jetë më i rëndësishëm polarizimi dhe më shumë bashkimi”, ka shkruar Von Cramon. Ajo ka thënë se përveç luftimit të korrupsionit dhe zhvillimit të ekonomisë, dialogu me Serbinë s’duhet të neglizhohet.

 

Bërnabiq: Për keqardhje që dialogu nuk është përparësi e Kurtit

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka thënë se është për keqardhje që lideri i partisë fituese të zgjedhjeve në Kosovë, njëherësh kandidat për kryeministër, Albin Kurti ka thënë se vazhdimi i dialogut me Serbinë nuk është një përparësi e tij. “Mendoj se ky është joseriozitet i elitave politike në Prishtinë. Dialogu është mënyra e vetme për të pasur një marrëveshje për normalizim, që do të nënkuptonte më shumë begati, përparim ekonomik dhe stabilitet. Unë nuk e di se çfarë tjetër mund të ishte prioritet më i madh”, tha Bërnabiq. Ajo tha se arritja e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve duhet të jetë një përparësi për Prishtinën. Sipas saj Kosova nuk ka “perspektivë” pa dialog dhe marrëveshje me Beogradin. Këtë e argumentoi me faktin se më shumë se gjysma e botës nuk e njohin Kosovën. Bërnabiq shtoi se Kosova "nuk mund të negociojë anëtarësimin në BE" pasi pesë vendet anëtare të bllokut nuk e njohin si shtet. "Ne jemi këtu për dialog", tha ajo në një konferencë për media.

 

Lajçak: Marrëveshja Kosovë-Serbi, absolutisht e mundur

Bashkimi Evropian është i bindur se “normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është absolutisht i mundur”, tha përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. “Është në interesin e tyre, në interesin e të gjithë rajonit dhe, natyrisht, në interesin e BE-së”, tha Lajçak për të përditshmen e Beogradit “Danas”, kur u pyet se çfarë do të bëjë nëse nuk ka kompromis për këtë çështje. Albin Kurti, partia e të cilit i ka fituar zgjedhjet parlamentare në Kosovë më 14 shkurt, tha se formimi i ekipit negociues për dialogun me Serbinë nuk është prioritet i tij, duke shtuar se është “prioritet i gjashtë ose i shtatë” për qytetarët e Kosovës. Lajçak tha se BE-ja është ndërmjetëse në dialog dhe se nuk do të imponojë asgjë. “Ne jemi gati të vazhdojmë sapo Qeveria e re në Prishtinë të marrë detyrën”, tha Lajçak. I pyetur se kur mund të vazhdojë dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, Lajçak tha se nuk do të ishte një gjë e mençur “fiksimi i datës”. Muajin e ardhshëm bëhen dhjetë vjet prejse Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat e drejtpërdrejta për normalizimin e marrëdhënieve. Bisedimet ndërmjetësohen nga BE-ja dhe mbështeten nga Shtetet e Bashkuara. Ato do të duhej të përfundonin me një marrëveshje të detyrueshme gjithëpërfshirëse, theksoi pos tjerash Lajçak.

 

KRIZAT E BRENDSHME POLITIKE DËMTUAN KOSOVËN NË ARENËN NDËRKOMBËTARE

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare në Kosovë vlerësojnë se shteti nuk ka shënuar arritje të mëdha në arenën ndërkombëtare, që sipas tyre, është rezultat i krizave të brendshme politike, korrupsionit dhe shërbimit jo të konsoliduar diplomatik. Si pasojë e kësaj, ata vlerësojnë se ka ngecje në sigurimin e njohjeve të reja dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Periudhën 13-vjeçare të Kosovës si shtet i pavarur, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti e konsideron periudhë të mundësive të jashtëzakonshme por të arritjeve modeste. “Shkuarja në zgjedhje në mënyrë të vazhdueshme dhe këto zgjedhje praktikisht kanë mbajtur në majë të agjendës vetëm politikën tonë të brendshme, çështje të qeverive, çështje të organizimeve, çështje të koalicioneve e të tjera dhe në asnjë rast nuk është arritur që politika e jashtme të vendoset në sfond ose target të punës së Qeverisë së Kosovës dhe mbi këtë bazë të rregullohet, të përmirësohet, të forcohet në masën më të madhe të mundshme imazhi ynë ndërkombëtar”, u shpreh Hoti.

 

Në Rusi arrestohen 19 anëtarë të një grupi terrorist

Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) ka njoftua sot se ka arrestuar 19 anëtarë të një grupi terrorist, që dyshohet se planifikonin sulme në Kaukazin e Veriut. Shërbimi i sigurisë tha se ata janë pjesëtarë të grupit të njohur si At-Takfir wal-Hijra. “Ideologjia e grupit i justifikon masat radikale kundër të ashtuquajturve jobesimtarë, përfshirë edhe myslimanët, dhe qëllimi i tij është të krijojë kalifate”, tha përmes një deklarate Shërbimi Federal i Sigurisë. Sipas tij, oficerët kanë gjetur armë, municion, eksplozivë dhe literaturë ekstremiste te të dyshuarit e arrestuar. Bastisjet nisën qysh më 1 shkurt në rajonet Rostov, Krasnodar Krai, Karaçai-Çerkesia, si dhe në gadishullin e aneksuar të Krimesë. Grupi At-Takfir wal-Hijra është ndaluar dhe është shpallur ekstremist në Rusi qysh në shtator të vitit 2010.

 

Kina tejkalon SHBA-në si partneri më i madh tregtar i BE-së

Kina është bërë partneri më i madh tregtar i Bashkimit Evropian, duke i tejkaluar Shtetet e Bashkuara. Sipas të dhënave të Zyrës së Statistikave të BE-së, Eurostat, tregtia midis BE-së dhe Kinës ka kapur vlerën e 709 miliardë dollarëve vitin e kaluar, krahasuar me 671 miliardë dollarë importe dhe eksporte me SHBA-në. Për shkak të pandemisë së koronavirusit, Kina ka qenë ekonomia e vetme në botë që ka parë rritje në vitin 2020, çfarë ka nxitur kërkesën për makina evropiane dhe mallra luksoze. Ndërkaq, eksportet e Kinës në Evropë kanë përfituar nga kërkesat e mëdha për pajisje mjekësore dhe elektronike. “Në vitin 2020, Kina ishte partneri kryesor i BE-së. Ky rezultat ishte për shkak të rritjes së importeve (+5.6%) dhe eksporteve (+2.2%)”, tha Eurostat.

 

Stuhi vdekjeprurëse dimri përfshin shtetet jugore të SHBA-së

Një stuhi dimri në Shtetet e Bashkuara ka sjellë erëra vdekjeprurëse, akull dhe borë në shumë rajone që rrallë shohin mot të tillë të ftohtë. Shërbimi Kombëtar i Motit tha se mbi 150 milionë amerikanë janë vënë nën paralajmërimet e stuhisë së dimrit. Së paku 11 viktima janë raportuar si pasojë e kushteve të motit në Tenezi, Teksas, Kentaki dhe Luiziana. Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, miratoi gjendjen e jashtëzakonshme për Teksasin, ku u shënuan temperaturat më të ftohta në më shumë se 30 vjet - në disa zona minus 18 gradë Celsius. Kërkesa e lartë për energji elektrike në këtë shtet ka bërë që rrjeti i energjisë të dështojë dhe shumë shtëpi të mbeten pa rrymë. Dje, Shërbimi Kombëtar i Motit tha se mbi 73% e SHBA-së aktualisht është e mbuluar nga bora. Zyrtarët e motit thanë se derisa stuhia po largohet, temperaturat e ulëta do të vazhdojnë në  gjithë SHBA-në qendrore dhe lindore.

 

Për nder të 13 vjetorit të pavarësisë, Hysaj viziton dy shkolla “Skenderbeu”, në Triesh dhe Ostros

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Ylber Hysa, sot vizitoi shkollën fillore, “Gjergj Kastrioti Skenderbeu”, në Ostros, me ç’rast për nder të 13 vjetorit të pavarësisë së këtij vendi, për bibliotekën e kësaj shkolle fillore ndau 100 libra, respektivisht vepra të ndryshme letrare nga autorë dhe shtëpi të ndryshme botuese. Ambasadori kosovar e falënderoi kolektivin e kësaj shkolle për pritjen që ju bë nga ana e drejtorisë dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle, të cilët me ketë rast kishin përgatitur edhe një program të shkurtër letraro- arstistik. Nxënësit e kësaj shkolle, respektivisht grupi letrarë “Buzuku”, për nder të vizitës së ambasadorit Hysa dhe përvjetorit të pavarësisë të Kosovës, interpretuan disa vjersha dhe poezi kushtuar Kosovës. Përndryshe, biblioteka e kësaj shkolle është një nga bibliotekat shkollore më të pasura dhe që i plotësojnë kushtet për një bibliotekë të mirëfilltë në kuptimin e plotë të fjalës, sepse disponon me afro 10 mijë libra, nga të cilët mbi 4 mijë tituj të ndryshëm, na tha profesoresha e gjuhës shqipe pran kësaj shkolle, Aishe Gjeçbritaj, duke shtuar se përveç nxënësit e shkollës së Ostrosit, këtë bibliotekë e vizitojnë dhe huazojnë libra edhe banorët e këtij vendi dhe jashtë, edhe nga Ulqini e Tivari. Pas vizitës që ambasadori Ylber Hysa ja bëri edhe shkollës dhe pati fjalë lavdate me organizimin e procesit mësimorë, ai në superlativ u shpreh edhe për objektin dhe përkushtimin e mësimdhënësve në rregullin shkollorë që pati rastin ta shohë në këtë institucion arsimorë fillorë. Ambasadori kosovar dje vizitoi edhe shkollën fillore, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” edhe në Triesh, ku edhe bibliotekës së kësaj shkolle i ndau disa tituj librash, poashtu për nder të përvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Në përvjetorin e 13 të pavarësisë së Kosovës, ambasadori kosovar në Mal të Zi, Ylber Hysa, për bibliotekat e këtyre dy shkollave fillore, ndau një numër të konsiderueshëm të librave të cilët, siç u shpreh ai, do të ndihmojnë nxënësit në zgjerimin e dijes dhe kulturës së përgjithshme.

 

Nesër mot me diell

Për nesër pritet mot kryesisht me diell dhe vranësira kalimtare. Do të fryjë erë e dobët deri e mesme nga drejtimet e ndryshme. Temperatura e mëngjesit do të sillet prej – 5 deri në 5 kurse më e larta e ditës prej 3 deri në 15 gc.

 

 

Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се