Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

23. 02. 2021. 00:00 >> 17:41

Ditari 23.02.2021

23.02.2021

Filloi vaksinimi i të punësuarve në QKMZ

Në Qendrën Klinike të Malit të Zi sot ka filluar vaksinimi i të punësuarve të cilët punojnë me pacientët e infektuar me Covid-19, kurse vaksinën e parë prej 150 vaksinave të dedikuara, e ka marrë ministrja e shëndetësisë, Jelena Boroviniq – Bojoviq. Pas imunizimit, ajo ka theksuar se kontingjenti i dytë i vaksinës ruse prej 5 mijë dozave arrin në Mal të Zi të enjten, kurse vaksinat kineze drejtë vendit tonë do të nisën me 27 shkurt. Pas vaksinimit ajo ka shtuar se vaksinimi do të zhvillohet në kontiunitet. Në pyetjen e gazetarëve lidhur me paraqitjet për vaksinim, ministrja ka theksuar se për këtë ekzistojnë tri mënyra ; përmes sitit “coronainfo”, përmes mjekëve të zgjedhur dhe linjës telefonike. Imuniteti nga vaksina ruse duhet të zgjas deri në dy vjet, mirëpo, ministrja ka theksuar se e gjithë kjo është individuale. Vaksinimi i personalit medicinal në shtëpinë e shëndetit në Cetinë që do të zgjas tre ditë, ka filluar sot. Nga 65 doza të vaksinës Sputnik V, së pari do të vaksinohet personeli medicinal në Shtëpinë e shëndetit, në Entin për ndihmën e parë medicinale dhe në spitalin, “Danillo i Parë”. Rivaksinimi duhet të bëhet pas 21 dite dhe vetëm dy deri në tri javë pas vaksinimit të dytë mund të thuhet se individi posedon antitrupa, gjë që natyrisht mund të vërtetohet përmes testimeve.

Ndihmë e konsiderueshme për sistemin shëndetësor të Malit të Zi

Donacioni prej 30 mijë dozave të vaksinës, të cilat Kina do t’ia dërgojë Malit të Zi, do të ndihmojë dukshëm sistemin shëndetësor malazez në luftën kundër Covid-19, ka vlerësuar nënkryetari i Qeverisë, Dritan Abazoviq. Ai, siç është kumtuar nga Qeveria, e ka falënderuar ambasadorin e Kinës në Mal të Zi, Liu Gjin për donacionin. Nga Qeveria theksojnë se ambasadori kinez me 19 shkurt e ka njoftuar nënkryetarin Abazoviq se Kina do ti dhurojë Malit të Zi 30 mijë doza të vaksinës. “Ambasadori Gjin ka theksuar se ky donacion është edhe një tregues i bashkëpunimit të mirë bilateral ndërmjet dy vendeve duke shtuar se ky akt është vetëm tregues i raporteve të mira tradicionale”, thuhet në kumtesë.

ISHP; sot 12 viktima dhe 574 raste të reja pozitive me SARS CoV-2

Në Institutin për Sëmundjet e Fëmijëve, dy fëmijë trajtohen nga korona virusi,dhe njëri prej tyre, i cili që nga lindja kishte paralizë celebrale, është i kyçur në respirator, ka kumtuar Drejtori i këtij institucioni shëndetësor Sasha Radoviq. Radoviq në programin e mëngjesit të TVMZ ka theksuar se raste me korona virus në Institutin për sëmundjet e fëmijëve pothuaj se ka çdo ditë dhe se në trajtim gjenden dy fëmijë. Në Qendrën Klinike të Malit të Zi, 48 pacientë të prekur me korona virus janë në rrezik për jetën, është kumtuar nga ky institucion shëndetësor. Në këtë Qendër Klinike aktualisht janë të shtruar 121 pacientë të infektuar me Covid-19. Ndërsa, siç njoftojnë sot nga Instituti për Shëndeti Publik, në Mal të Zi nga dita e djeshme janë kryer 2083 testime për Covid-19, nga të cilët 574 kanë rezultuar pozitiv. Gjatë kësaj kohe janë regjistruar 12 viktima. Deri në orën 15.00 njoftohet për 458 të shëruar, ndërsa numri i rasteve aktive është 8.387.  Në Ulqin sot u shënuan 25 raste të reja, kurse në Tuz 5. numri i përgjithshëm pozitive në komunën e Ulqinit sot shkoi në 302, kurse në Tuz ende nën 100 (92).

Nesër korrigjim i masave

Ministrja e shëndetësisë, Jelena Boroviniq- Bojoviq ka kumtuar se nesër, në ora 15, do të kumtohen korrigjimet e masave për pengimin e përhapjes së korona virusit. Ajo ka theksuar se në bazë të indikatorëve aktual, me siguri nuk do të ketë zbutje të masave. Budva po shënon një rënie të butë të numrit të pacientëve të cilët paraqiten për ndihmë në covid ambulancat, mirëpo që të shihet efekti i masave të reja duhet të kalojë periudha e inkubacionit prej 7 deri në 14 ditë, ka theksuar dr. Marija Malishiq nga Shtëpia e shëndetit në Budva. Edhe kryebashkiaku i Kotorrit, Vlladimir Jokiq, ka deklaruar se situata epidemiologjike në këtë qytet është duke u stabilizuar.”Numri i të prekurve nga dita në ditë është në rënie, kështu që mund të vërehet se po ndodh stabilizim i situatës epidemiologjike”, ka theksuar Jokiq. Ai ka shtuar se në Kotorr janë në fuqi masat të ngjashme me ato në Budvë dhe në Tivat, duke shtuar se, nëse respektohen, masat duhet të japin rezultate. Në “zonën e kuqe” është edhe komuna e Ulqinit. 

 

Propozimi i buxhetit në gjysmën e dytë të marsit

Sekretarja shtetërore në Ministrinë e Financave dhe Përkujdesjes Sociale, Milla Kasalica ka paralajmëruar se propozimi i buxhetit për këtë vit do të sillet në gjysmën e dytë të marsit. “Buxheti aktualisht është i hartuar në draftin e dorës së parë i cili duhet të pasqyrojë vlerën e saktë të sfidave ekonomike dhe publike financiare në ekonominë e Malit të Zi. “Janë të vazhdueshme bisedimet me njësitë buxhetore dhe ato do të prodhojnë një buxhet, i cili do të jetë kursyes”, ka theksuar Kasalica në programin e mëngjesit të TV Vjesti. Ajo ka theksuar se buxheti nuk do ta shtrëngojë ekonominë, subjektet afariste dhe nuk do të paraqes pengesë për to. Kasalica ka paralajmëruar kalimin në buxhet programor dhe se në këtë pikëpamje çdo gjë do të kryhet deri në fund të vitit, transmeton Vjesti. Ajo ka theksuar se buxheti do të jetë në shërbim të zhvillimit të ekonomisë malazeze e cila në këtë vit duhet ta stabilizojë afarizmin e vetë. Qeveria në fund të vitit të kaluar ka vendosur që të mos i propozojë parlamentit miratimin e buxhetit për këtë vit të cilin e kishte përgatitur pushteti i mëparshëm, por të kalohet në financim të përkohshëm derisa të mos e hartojë propozimin e vetë të buxhetit. Ligji sistemor për buxhetin dhe përgjegjësinë fiskale, neni 37, i mundëson pushtetit ekzekutiv të drejtën për financim të përkohshëm.

Zoran Bërgjanin u.d i drejtorit të policisë

Ministri i Punëve të Brendshme të Malit të Zi, Sergej Sekulloviq, ka nënshkruar sot në mëngjes aktvendimin për emërimin e Zoran Bërgjanin drejtor të Drejtorisë së policisë. Ai do të jetë ushtrues i detyrës së drejtorit derisa Këshilli Parlamentar për Siguri të mos i’a dorëzojë Qeverisë mendimin e vetë. Ky mendim nuk është obligues, mirëpo me rastin e emërimit edhe ai merret parasysh. Nëse mendimi do të jetë negativ, Qeveria ka mundësinë që më pas, në bazë të konkursit publik, të shpall Bërgjaninin drejtor të Drejtorisë së policisë. Emërimit të tij i kundërshtohet ashpër Fronti Demokratik, nga përkrahja e të cilit varet edhe ekzistenca e Qeverisë. Emërimin e tij për Drejtor të policisë e kundërshton edhe Partia Demokratike e Socialistëve, të cilët e konsiderojnë si emërim antikushtetues. Zoran Bërgjanin më parë ishte shef i Qendrës së sigurisë në Kotorr e këshilltar i ministrit të punëve të brendshme. Nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka deklaruar dje se me zgjedhjen e Zoran Bërgjanin është bërë zgjidhja më e mirë për postin e drejtorit të Drejtorisë së policisë. “Nga ana ime ekziston përkrahje e plotë dhe mendoj se ky është qëndrim i të gjithë anëtarëve të Qeverisë”, u ka deklaruar Abazoviq gazetarëve. Ai sot e falënderoi u.d të drejtorit në drejtorinë e policisë, Vesko Damjanoviq i cili ndihmoi në  periudhën kalimtare në këtë sektor të sigurisë.

Shoqëria dhe qytetarët të befasuar me hapin e Qeverisë

Ish kryeministri Dushko Markoviq ka vlerësuar se shoqëria dhe qytetarët janë të befasuar me hapin e Qeverisë që të ftojë opinionin e interesuar që të kyçet në hartimin e programit të punës së Qeverisë për këtë vit. Ai ka theksuar se qytetarët në zgjedhje u japin votën e vetë atyre që duhet të dinë punët shtetërore dhe punët e Qeverisë, të propozojnë politika dhe të marrin përgjegjësinë për shtetin dhe qytetarët. “Sot, gjysmë viti pas mbajtjes së zgjedhjeve, Qeveria u bën ftesë qytetarëve dhe opinionit të interesuar që të sugjerojnë programin e punës për këtë vit. Me një fjalë, shoqëria dhe qytetarët janë tejet të befasuar” ka shkruar Markoviq në Twiter. Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë u ka dërguar ftesë publike organeve, organizatave, shoqatave dhe qytetarëve që të përfshihen në përgatitjen e programit vjetor të punës së Qeverisë për këtë vit dhe ti dorëzojnë iniciativat propozimet, sugjerimet dhe komentet e veta.

Nesër për iniciativat mbi dëgjimin e Vukshiq dhe Abazoviq

Këshilli Parlamentar për Mbrojtje dhe Siguri do të shqyrtojë nesër iniciativat për dëgjimin kontrollues të drejtorit të Agjencisë për Sigurinë Nacionale, Dejan Vukshiq dhe të nënkryetarit të Qeverisë, Dritan Abazoviq. Këto iniciativa i ka paraqitur deputeti i Partisë Socialdemokratike, Rashko Konjeviq. Ai ka kërkuar dëgjimin urgjent të Vukshiqit pas informatës se një pjesë e dokumentacionit në Agjencinë për Sigurinë Nacionale lidhur me përgjimet jo ligjore është shkatërruar gjatë mandatit të Qeverisë së mëparshme. Konjeviq ka kërkuar dëgjimin e Abazoviqit për shkak të lëshimeve potenciale të sigurisë lidhur me takimet e tij me Stevan Simijanoviq, i cili ishte prezantuar si diplomat. Në rend të ditës të mbledhjes do të jetë edhe zgjedhja e zëvendës kryetarit të Këshillit. Anëtarët e Këshillit do të diskutojnë edhe për raportin e punës të këtij trupi parlamentar për vitin e kaluar dhe për planin e mbikëqyrjes parlamentare për këtë vit.

Pas zgjedhjeve në NK dhe HN janë të mundshme zgjedhjet e jashtëzakonshme

Drejtori i shoqatës për hulumtimin e politikës dhe teorive politike, Vlladimir Paviqeviq, në intervistën për “Dnevne Novine” ka theksuar se ka shumë pak zyrtarë të cilët për një kohë të shkurtër kanë arritur të kalojnë nga fama e madhe drejt shkatërrimi total i autoritetit. Në pyetjen nëse dallimet lidhur me ligjet e Prokurorisë dhe për Drejtorin e policisë, janë kaq të mëdha që mund të shkaktojnë rënien e Qeverisë, Paviqeviq ka theksuar se heqja dorë nga ndryshimet e ligjeve për Prokurorinë dhe miratimin e tyre, ka qenë gabim. Ai ka theksuar se është e mundur që “të bëhet rikonstruktimi i Qeverisë së Zdravko Krivokapiqit pas zgjedhjeve në Nikshiq, ose të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

 

Bashkëpunimi me AmCham është garanci e prosperitetit

“Bashkëpunimi i Ministrisë së shëndetësisë dhe Qeverisë së Malit të Zi me Oden ekonomike amerikane (AmCham Montengro) është garanci e prosperitetit të ardhshëm në fushën e shëndetësisë dhe në të gjitha degët ekonomike dhe shoqërore në Mal të Zi”, ka kumtuar ministrja Jelena Boroviniq- Bojoviq. Ajo me bashkëpunëtorët ka pritur delegacion e Odes Ekonomike Amerikane të kryesuar nga kryetari Nikolla Tripkoviq. Ministria e shëndetësisë si dhe e tërë Qeveria, siç ka theksuar ajo, është e vetëdijshme për rëndësinë e bashkëpunimit me një shoqatë kaq me renome, e cila tubon kompani të suksesshme amerikane, ndërkombëtare dhe vendore, gjë që siç ka theksuar, “është garanci e prosperitetit të ardhshëm në fushën e shëndetësisë dhe në të gjitha degët ekonomike dhe shoqërore në Mal të Zi”. Siç kanë kumtuar nga Ministria e shëndetësisë, në takim është biseduar për sferat e bashkëpunimit dhe për projekte konkrete, të cilat Ministria e Shëndetësisë dhe Oda Ekonomike Amerikane, përmes veprimtarisë së Komitetit për shëndetësi do ti realizojnë së bashku, me theks të veçantë në transformimin digjital në shëndetësi dhe në azhurnimin dhe revidimin e listës së ilaçeve.

 

Shkarkohen Antunoviq dhe Gjuroviq

Drejtoret e Poliklinikes Stomatologjike dhe të Klinikës për sëmundjet e Lëkurës në Qendrën Klinike të Malit të Zi, Maria Antunoviq dhe Milena Gjuroviq, janë shkarkuar nga këto funksione, është kumtuar nga ky institucion shëndetësor. Drejtorja e Qendrës Klinike të Malit të Zi, Lilana Radulloviq, ka kumtuar se i ka shkarkuar Antunoviq, “me kërkesën e shumicës dërmuese të specialistëve të cilët punojnë me të”. Nga Qendra Klinike kanë theksuar se në vendin e Drejtores të klinikës për sëmundjet e lëkurës është propozuar Mirjana Bakiq. “Na nevojitet energji e re”, ka theksuar Radulloviq.

 
COVID 19, javën e fundit rekord vdekjesh

Në Shqipëri, java e fundit shënoi nivelin më të lartë të viktimave nga COVID 19. Të dhënat zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës tregojnë se në 7 ditët e fundit kanë humbur jetën 114 persona. Paralelisht me shtimin e të shtruarve është rritur dhe numri i pacientëve në gjendje të rënduar. Nga fillimi i pandemisë në mars të vitit të kaluar, në Shqipëri janë rregjistruar 1681 vdekje dhe 101.285 raste pozitive, nga të cilat mbi 35 mijë janë ende aktivë.  Kryeministri i këtij vendi Edi Rama deklaroi se vaksinimi është një armë e pazëvendësueshme për të thyer zinxhirin e infeksionit dhe për të filluar çlirimin e vendit. "Shumë shpejt do të fillojmë vaksinimin masiv, ... dhe mezi pres të them fjalën e fundit", tha kryeministri Rama. Aktualisht Shqipëria ka vaksinuar mbi 5000 persona. Ata janë anëtarë të trupës mjekësore në luftën antikovid dhe banorë të shtëpive të pleqve. Vonesat në negociata, mostransparenca si dhe gjendja politike në Kosovë, vlerësohet se kanë ndikuar në mossigurimin e vaksinave kundër koronavirusit në Kosovë, në kohën kur pothuajse të gjitha shtetet në rajon kanë filluar vaksinimin. Maqedonia e Veriut po ashtu ka filluar vaksinimin me vaksinat e dhuruara nga Serbia, kurse Serbia tashmë u ka mundësuar qytetarëve të vetë të zgjedhin në mes katër vaksinave dhe ka vaksinuar mbi një milion njerëz. Vaksinimi ka filluar edhe në Malin e Zi dhe në Bosnje e Hercegovinë, po ashtu me vaksina të dhuruara nga Serbia. Në Kosovë ende nuk ka filluar vaksinimi, por ky vend pret të marrë nga COVAX-i rreth 100 mijë doza të kësaj vaksine. Ndryshe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit, janë testuar gjithsej 2.843 mostra të marra prej të cilëve rezultojnë 386 raste pozitive. Sipas institutit, brenda 24 orëve janë raportuar 4 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Në Shkup, Ministria e Shëndetësisë informon se në 24 orët e fundit janë kryer 2.813 teste, ndërsa janë regjistruar 509 raste të reja me COVID-19. Janë shënuar 9 të vdekur, kurse 354 pacientë janë të shëruar nga coronavirusi.


Biden për 500,000 vdekjet nga COVID-19 në SHBA

Presidenti amerikan Joe Biden i ka cilësuar më shumë se 500,000 vdekjet nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara, “moment të zymtë dhe pikëllues”, dhe i ka bërë thirrje vendit që të bashkohet kundër pandemisë. “Unë po ashtu u bëj thirrje të veprojnë, të jenë vigjilentë, të mbajnë distancën, të vendosin maskën dhe të vaksinohen kur ta kenë radhën”. Më herët, flamujt janë ulur në gjysmë shtizë në Shtëpinë e Bardhë dhe nëpër ndërtesat tjera federale në SHBA, si dhe nëpër ambasada në gjithë botën, si shenjë të përkujtimit të jetëve të viktimave. Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar 500 mijë e 159 viktima me koronavirus deri më 22 shkurt, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins. Ky vend aktualisht po përballet me valën e tretë të pandemisë. Ndonëse numri i rasteve të reja të infektimit, të të shtruarve të spital dhe i vdekjeve ka rënë në mënyrë dramatike, teksa shkalla e vaksinimit po rritet, zyrtarët shëndetësorë besojnë se pandemia është larg përfundimit. Në botë numri i të infektuarve e ka tejkaluar shifrën e 111 milionëve, ndërsa numri i viktimave është mbi 2,5 milion, janë të dhënat më të fundit të publikuara nga agjencia Frans Press. 

SHBA do të kërkojë angazhimin në bisedime të Kosovës dhe Serbisë

Në Shtetet e Bashkuara dy ekspertë me përvojë të politikës së jashtme dhe të Ballkanit, thanë për Zërin e Amerikës se zgjidhja e mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë është e rëndësishme për të ardhmen e tyre dhe të rajonit. Komentet e tyre vijnë pasi kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti tha pas fitores së partisë së tij, se bisedimet me Serbinë nuk do të ishin përparësi në një qeveri të drejtuar prej tij, krahasuar me problemet e brendshme. Ish-i dërguari i posaçëm për bisedimet për statusin mes Kosovës dhe Serbisë, Frank Wisner i tha në një intervistë Zërit të Amerikës se ky qëndrim është i kuptueshëm. Megjithatë ai thotë se shpreson që të dyja përpjekjet të bëhen paralelisht. Ish-ambasadori Wisner thotë se Uashingtoni do të donte të shihte përparim në bisedime. Wisner thotë se angazhimi për zgjidhjen e kësaj çështjeje, do të jetë pjesë e rigjallërimit të rolit të administratës së Presidentit Biden në Ballkan. Një nga arsyet që analistët radhisin si nevojë për më shumë angazhim perëndimor në Ballkan, janë përpjekjet e Rusisë dhe Kinës për ndikim në atë rajon. Por ata vënë gjithashtu në dukje se Presidenti Biden përballet me sfida të mëdha brenda vendit.

Burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit e “Monstrës”

Gjykata Penale e Shkupit sot ka dënuar me burgim të përjetshëm Alil Demirin, si dhe vëllezërit Agim dhe Afrim Ismailoviq të akuzuar për vrasjen e pesë maqedonasve, më 12 prill 2012, pranë liqenit të Smillkovës, rreth 12 kilometra nga Shkupi. Dy të akuzuarit e tjerë gjykata i dënoi me 15 dhe nëntë vjet burgim. Një person tjetër është liruar nga akuza në mungesë të provave. Dy nga të dënuarit me burgim të përjetshëm,  janë dënuar në mungesë, ndërsa prokurorja e rastit tha se të njëjtit ndodhen në Kosovë, prej nga edhe duhet të ekstradohen për vuajtjen e dënimit. Vendimi i gjykatës ka shkaktuar reagime në sallën e gjykimit, si nga pala mbrojtëse ashtu dhe nga të dënuarit. Pala mbrojtëse ka hedhur poshtë pretendimet e prokurorisë duke kërkuar lirimin nga akuza e të pandehurve, meqë sipas avokatit mbrojtës, organi i akuzës nuk ka arritur të sigurojë fakte mbi përfshirjen e akuzuarve në këtë akt.

 

Trajtimi i ujgurëve në Kinë, gjenocid

Parlamenti i Kanadasë ka votuar për të shpallur trajtimin që u bën Pekini ujgurëve si gjenocid, pak orë pasi Kina ka pretenduar se trajtimi i këtij grupi minoritar është “shembull i ndritshëm” i përparimit në fushën e të drejave të njeriut. Kjo pikë, që përcakton se ujgurët në Kinë “kanë qenë dhe janë subjekt i gjenocidit”, është miratuar në mënyrë unanime. Parlamenti kanadez ka votuar për të miratuar edhe një amendament që kërkon bartjen e Lojërave Olimpike Dimërore nga Pekini, nëse Kina vazhdon trajtimin e njëjtë ndaj ujgurëve. Marrëdhëniet në mes të Kinës dhe Kanadasë kanë qenë të tensionuara në vjetët e fundit dhe kjo masë pritet të përshkallëzojë edhe më shumë situatën. Thirrjet për veprime nga Kanadaja forcojnë kërkesat e shteteve tjera perëndimore për të drejtat e njeriut në Kinë. Shtetet e Bashkuara tashmë e kanë përdorur fjalën gjenocid kur përshkruajnë trajtimin e ujgurëve në Kinë. Kina ka hedhur poshtë komente të tilla, duke e përshkruar Ksinjiangun si çështje të brendshme.

 

Në Katar rinisin bisedimet për paqen afgane

Bisedimet për paqe në mes të talibanëve dhe Qeverisë afganë janë rikthyer në Katar pas më shumë se një muaji, si pasojë e përshkallëzimit të dhunës në shtetin e shkatërruar nga lufta. Kombet e Bashkuara kanë kërkuar sërish armëpushim për të zvogëluar numrin e viktimave. Bisedimet në mes të dyja palëve janë ndërprerë pak pas fillimit muajin e kaluar. Prioriteti kyç i bisedimeve për Qeverinë afgane dhe Shtetet e Bashkuara është zvogëlimi i shkallës së dhunës, që do të rezultonte më pas me armëpushim. Talibanët kanë thënë se një gjë e tillë është e negociueshme, ndonëse ende nuk kanë arritur te armëpushimi potencial.

 

Edhe nesër mot i kthjellët dhe relativisht i ngrohtë për këtë stinë të vitit

Në Mal të Zi sot mbajti mot kryesisht i kthjellët. Frynë erë e dobët nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat në orën 13 u shënuan: në Podgoricë e Nikshiq 19 gradë, Cetinë e Rozhajë 18, Kollashin 16, Ulqin, Tivar, Herceg Novi, Beranë, Plevle e Zhablak 15, Bijello Pole 14, Guci 13 dhe në Plavë 12 gradë.  Meteorologët edhe për nesër parashohin të mbajë mot me diell . Do të fryjë erë e dobët deri mesatare, vende vende deri e fortë nga drejtimet e verilindjes. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej -3 deri në 8, kurse ajo maksimale e ditës do të sillet në intervale prej 11 deri në 21 gradë celsius.

 

 

ditarin e përgatiti, Senad Gilaj

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се