Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

25. 02. 2021. 00:00 >> 22:34

Ditari 25.02.2021

25.02.2021

Kryeministri Krivokapiq anuloi vizitën në Tuz, pritet marrëveshja me Qeverinë

Edhe pse më herët qeveria e Malit të Zi u shpreh e gatshme që të zgjidhë problemin dhe të diskutojë me kryetarin e Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, kryeministri malazez Zdravko Krivokapiq anuloi vizitën e paralajmëruar për për sot pas dite. Kryeministri Krivokapiq dhe kryetari i komunës së Tuzit, Gjeloshaj pritej që të diskutonin për gjetjen e një zgjidhjeje për problemin e shkaktuar si pasojë e refuzimit të komunës së Tuzit që të zbatojë masa më të rrepta kundër COVID-19. “Pak kohë më parë, më telefoni kryeministri Krivokapiq dhe vetëm më informoi se nuk do të vjen që të flas më përfaqësuesit e komunës e as më qytetarët. Nuk sqaroi, por vetëm tha: nuk po vij. Mendoj që është sjellje e papërgjegjshme”, tha Gjeloshaj. Kryeministri Krivokapiq deklaroi pas mbledhjes së Qeverisë se se nuk do të vijë në Tuz, jo se nuk i respekton qytetarët e kësaj Komune, por se, siç tha ai, bëhet fjalë për “shfaqje politike”. Krivokapiq poashtu ka thënë se qëllimi i masave të ndërrmarra është mbrojtja e banorëve të Tuzit. Gjeloshaj e ftoi edhe zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, të shkojë në Tuz, por Abazoviq nuk u përgjigj. “Me rastin e situatës së krijuar në Komunën e Tuzit dhe mosrespektimit të masave të vlefshme epidemiologjike, me të cilat sigurohet shëndeti i qytetarëve të Tuzit dhe gjithë Malit të Zi, Qeveria është e gatshme që menjëherë të ulet me zotin Gjeloshaj dhe të zgjidhë problemin e krijuar. Interesi i shtetit dhe qytetarëve duhet të jetë mbi të gjitha interesat tjera dhe asnjë individ nuk është dhe nuk do të jetë më i fortë se shteti”, thuhet në reagimin në Twitter të Qeverisë.  Ndërkohë, kryetari i Komunës së Tuzit deklaroi se ka pranuar ftesën e Qeverisë që të bisedohet në zgjidhjen e situatës në këtë qytet, duke theksuar se “lokalet këtu do të jenë të hapura”.Qytetarët ndërkohë kanë ndërprerë bllokimin e rrugës ndërkombëtare, që kishin bllokuar gati tërë paraditen, të pakënaqur me masat e reja të Ministrisë së Shëndetësisë për mbylljen e objekteve hotelierike në këtë qytet.

( më heret ) Pritet shkuarja e kryeministrit malazez në Tuz

Policia malazeze ka tentuar të mbyllë sot në mëngjes disa biznese hoteliere në Komunën e Tuzit, të cilat ishin të hapura pavarësisht masave të marra nga Ministria e Shëndetësisë, për luftim të koronavirusit. Kryetari i Komunës Nik Gjeloshaj, ka thënë se masat e reja kanë për qëllim hakmarrjen për shfaqjen e fundit të flamurit të Kosovës, me rastin e ditës së shtetësisë së Kosovës më 17 shkurt, dhe jo për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Instituti i Shëndetit Publik ka renditur dje Tuzin në grupin e komunave nëpër të cilat po ashpërsohen masat e kufizimit, duke përfshirë mbylljen e plotë të objekteve hoteliere. Gjeloshaj dhe disa qytetarë herët në mëngjes e kanë bllokuar sheshin në drejtim të Podgoricës, duke thënë se nuk do të lëvizin derisa nuk shkojnë aty kryeministri Zdravko Krivokapiq dhe zëvendëskryeministri, Dritan Abazoviq, me të cilët duan të bisedojnë për masat e reja dhe bllokimin e komunës. Kryetari Gjeloshaj, ka thënë se kanë bllokuar hyrjen në qytet “për të mbrojtur kushtetutën dhe për të parandaluar diskriminimin ndaj secilit në shtet”. “Objektet hoteliere në Tuz janë duke punuar në zbatim të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Jemi në Grupin e Parë, që e ka krijuar Instituti i Shëndetit Publik, por kjo është një hakmarrje e drejtpërdrejtë”. Sipas tij, Podgorica në baza ditore regjistron 300 persona të infektuar me koronavirus, kurse Tuzi nga dy apo tre raste. “Në vend që ata të vijnë, ata po dërgojnë policinë, kjo është përgjigjja që ata kanë ndaj qytetarëve të Komunës së Tuzit”, ka thënë kryetari i Komunës së Tuzit.  Aktualisht në Tuz janë 95 persona të infektuar me koronavirus, dhe kjo komunë gjendet në zonën e ashtuquajtur të gjelbër, ku shkalla e epidemisë nuk është në rritje.

Këshilli po e përcjell qëndrimin e policisë në Tuz

Këshilli për Kontrollin Qytetarë të Punës së Policisë, në pajtim me autorizimet e veta në fushën e mbrojtjes të drejtave të njeriut, po e përcjell me kujdes ngjarjet në Komunën e Tuzit dhe hapat e nëpunësve të policisë, është kumtuar nga ky trup. Siç kanë theksuar nga Këshilli, është realizuar komunikimi i drejtpërdrejtë me të gjithë pjesëmarrësit e ngjarjes. “Këshilli bënë ftesë për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, kurse nga nëpunësit policor pret që, si gjithherë në situatat e tensionuara, të veprojnë në mënyrë profesionale dhe në bazë të ligjit, duke respektuar të drejtat njerëzore dhe dinjitetin e të gjithë qytetarëve”, thuhet në kumtesë.

Formohet lëndë penale me rastin e deklaratës së Gjeloshajt

Prokuroria Themelore e Shtetit në Podgoricë ka formuar lënën penale me rastin e deklaratës të kryetarit të Komunës së Tuzit, Nikë Gjeloshaj, se vendimi i Qeverisë për mbylljen e objekteve hotelierike në këtë qytet është vendim politik. Gjeloshaj sot para dite u ka bërë ftesë organeve kompetente që menjëherë ti ndryshojnë këto masa. Lënda, siç theksohet, i është ndarë Prokurorit Kujdestar të Shtetit. “Keqpërdorimi i shëndetit të njerëzve për qëllime politike mund të jetë i dëmshëm, kurse Mali i Zi i Bashkuar pret nga Qeveria që të veprojë në vigjilencë dhe me gjakftohtësi lidhur me ngjarjet në Tuz”, ka theksuar lideri i kësaj partie, Goran Danilloviq. Kryetari i Malit të Zi të Vërtet Marko Millaçiq ka theksuar se ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë dhe i ka bërë ftesë prokurorisë që ta procesojë kryetarin e Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj.

Përkrahje për Komunën e Tuzit

Siç thamë, deputeti shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi, Genci Nimanbegu, gjithashtu bisedoi me kryeministrin Krivokapiq dhe shprehu shqetësimin e tij për situatën në Tuz, të krijuar nga vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë. “Mungesa e dialogut që shoqëroi këtë vendim për të mbyllur lokalet në Tuz, nuk duhet të jetë arsye e mungesës së komunikimit të drejtpërdrejtë midis Qeverisë dhe Komunës. Bëj thirrje që ky problem të zgjidhet me urgjencë”, tha Nimanbegu. Deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve në opozitë, Luigj Shkreli, tha se kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, i mbron me të drejtë interesat e qytetarëve të tij. “Në mënyrë paqësore, të qetë dhe me dinjitet deri në marrëveshje, ashtu siç edhe u ka hije qytetarëve të Malësisë”, shkroi Shkrela në Facebook. Edhe Forca e Re Demokratike –Forca përkrah fuqishëm kryetarin e Komunës së Tuzit në mbrojtjen e ekonomisë dhe të drejtave të qytetarëve të Malësisë nga diskriminimi që po i bëhet nga Qeveria me vendimin që krahas situatës së favorshme epidemiologjike t’ia mbyllë objektet turistike. “Për fat të keq, me vendimin e vet, Qeveria tregon paaftësinë në gjetjen e zgjidhjeve pa sakrifikuar shqiptarët ose pa u hakmarrë ndaj tyre kurse lidershipi i Komunës së Tuzit me vendimin e vet edhe njëherë tregon kompetencë dhe qëndrim në krye të detyrës dhe besimit të popullit. Ftojmë kryeministrin dhe zëvendës kryeministrin e Malit të Zi që t'i përgjigjet ftesës së kryetarit të Tuzit  Nikë Gjeloshaj”, thuhet në kumtesën për opinion të Forcës së Re Demokratike. Pushteti, në esencë e ka humbur kontrollin mbi epideminë, ajo nuk dinë dhe nuk mund ta kontrollojë këtë sëmundje, ka theksuar nënkryetari e deputet i PDS në Parlamentin e Malit të Zi, dr. Jefto Erakoviq.

Mali i Zi ashpërson masat anticovid

Autoritetet shëndetësore në Mal të Zi shtrënguan masat epidemiologjike pasi numri i rasteve të reja ishte mesatarisht 500 në ditë për javë, që do të thotë se pothuajse 0,1 për qind e popullsisë totale është e infektuar me koronavirus në baza ditore. Masat e reja futën mbylljen në Herceg Novi dhe të njëjtat masa u shtrinë për Budva dhe Tivat, ku mbyllja u vendos për dy javë, ndërsa në shumicën e pjesëve të Malit të Zi u zgjat ndalimi i funksionimit të objekteve të hotelerisë dhe shitja e kafesë jashtë u ndalua. Masat e reja rekomandojnë të punojnë nga shtëpia në ndërmarrjet shtetërore dhe private, njoftohet nga Instituti për Shëndetin Publik.  Luksemburgu, San Marino, Sllovakia dhe Bullgaria janë shtuar në listën e vendeve qytetarëve të të cilëve u duhet një test negativ PCR për të hyrë në Malin e Zi. Epidemiologu kryesor malazez Igor Galiq tha se situata aktuale epidemiologjike në vend është jashtëzakonisht e ndërlikuar. “Situata aktuale epidemiologjike është komplekse, transmetimi lokal është i lartë dhe sistemi shëndetësor është i mbingarkuar. Numri i lartë i vdekjeve gjatë kësaj jave është shqetësues “, tha Galiq, duke shtuar se aktualisht janë mbushur 75.8 për qind e kapaciteteve spitalore të destinuara për pacientët COVID-19.

Edhe 571 raste të reja me COVID-19,11 të vdekur

Në Mal të Zi gjatë 24 orëve të fundit nga pasojat e korona virusit 11 vetë kanë ndërruar jetë dhe janë konfirmuar 571 raste të reja të infektimit, është kumtuar nga Instituti për Shëndetin Publik. “Laboratorët e Institutit për Shëndetin Publik dhe laboratorët e tjera publike dhe private të cilat merren me diagnostifikimin e infektimit me korona virusin e ri kanë përfunduar analizat dhe ia kanë dorëzuar Institutit rezultatet e 2. 100 mostra, në mesin e të cilëve gjithsejtë 571 kanë rezultuar pozitiv”, thuhet në kumtesë. Numri i përgjithshëm i të vdekurve si pasojë e infektimit me Covid 19 prej fillimit të pandemisë është 987 persona, thuhet në kumtesë. Në ndërkohë është paraqitur edhe shërimi i 497 pacientëve. “Duke pasur parasysh rastet e reja të zbuluara si dhe numrin e të shëruarave, numri i përgjithshëm i rasteve aktuale aktive me Covid 19 në Mal të Zi është 8.534, kurse prej fillimit të epidemisë, në mars të vitit të kaluar numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara të infektimit me Covid-19 është 74 mijë e 183 persona”, thuhet në kumtesë. Sot në Mal të Zi kanë arritur 5 mijë doza të vaksinës ruse Sputnjik V të siguruara përmes bisedime të drejtpërdrejta me Rusinë. Vaksinimi me vaksinën ruse Sputnik V, të cilin vendi e mori si donacion nga Serbia, filloi të shtunën kur u vaksinuan përdoruesit e një shtëpie pleqsh në Bijela, dhe gjatë javës vaksina do të merret nga stafi mjekësor i Klinikës Qendra e Malit të Zi dhe spitalet e tjera në vend. Ministrja e shëndetësisë Jelena Boroviniq– Bojoviq më parë ka paralajmëruar se 30 mijë doza të vaksinës kineze nga Pekini për në Mal të Zi do të nisen të shtunën. Nga Qendra Klinike e Malit të Zi është njoftuar se 58 pacientë të shtruar në këtë Qendër janë në gjendje të rënde shëndetësore. Në QK të MZ janë të shtruar 128 pacientë me virusin korona.

Nesër në Budvë ditë zije për shkak të numrit të madh të vdekurve

Kryetari i Komunës së Budvës Marko Careviq e ka shpallur ditën e premte ditë zije për shkak të numrit të madh të vdekurve nga pasojat e infektimit me virusin Covid-19. Siç është kumtuar, flamujt në ndërtesën e Komunës së Budvës si dhe institucionet tjera publike, themelues i të cilave është komuna, do të ulen në gjysmë shtizë. “Dita e zisë shënohet me vendosjen e flamujve në gjysmë shtizë në ndërtesën e Komunës, institucionet publike, themelues i të cilave është komuna, në objektet e bashkësive lokale dhe institucionet tjera në territorin e Komunës së Budvës”, thuhet në këtë aktvendim. Përndryshe, situata epidemiologjike në Komunën e Ulqinit po përshkallëzohet çdo ditë e më shumë. Gjatë 24 orëve të ditës së djeshme janë regjistruar 40 raste të reja, numër rekord i të infektuarve me Covid-19 që nga fillimi i pandemisë në mars të vitit të kaluar. Për fat të keq shtohet edhe numri i të vdekurve si pasojë e këtij infektimi me këtë  virus.

Qeveria vazhdon edhe më fuqishëm kursin proevropian

Mali i Zi është i vendosur në plotësimin e të gjitha detyrimeve dhe të jetë shteti i parë i radhës anëtarë i Bashkimit Evropian, kurse Qeveria, e udhëhequr në interesin më të mirë të qytetarëve vazhdon edhe më fuqishëm kursin e vetë proevropian, ka theksuar bashkëbiseduesja kryesore, Zorka Kordiq. Ajo gjatë bisedimeve me ambasadorin e Francës Kristijan Timonije është falënderuar për përkrahjen e deritashme të fortë politike dhe të ekspertëve të Francës dhe në këtë mënyrë dukshëm janë forcuar kapacitetet administrative të Malit të Zi për udhëheqjen e bisedimeve me BE. Ajo, siç është kumtuar nga sekretariati i përgjithshëm i Qeverisë, në veçanti ka vlerësuar kontributin e ekspertëve francezë duke theksuar rëndësinë e angazhimit të ekspertes franceze në zyrën për integrimet evropiane për kontributin dhënë në koordinimin e punëve në integrimet evropiane.

Debati publik shtyhet deri në fund të marsit

Ministria e Financave dhe Përkujdesjes Sociale e ka shtyrë deri me 31 mars debatin për projektin e ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat shpërblyese. Debati publikë është inicuar me 30 dhjetor të vitit të kaluar. Ministria u ka bërë ftesë të gjithë të interesuarve që të marrin pjesë në debatin publikë dhe komentet, mendimet, vërejtjet dhe sugjerimet ti dorëzojnë në formë të shkruar përmes postës në adresën e këtij dikasteri të Qeverisë, ose përmes rrugës elektronike. Projekt ligji për  lojërat e fatit dhe lojërat shpërblyese do të jetë në dispozicion të opinionit gjatë tërë kohëzgjatjes të debatit publik në faqen e internetit të Ministrisë dhe në portalin e-uprava.

Shporta konsumatore në muajin janar ishte 642.9 euro

Vlera  e shportës minimale konsumatore në muajin janar, sipas të dhënave të MONSTAT- it ishte 642.9 euro, ose 0.2% më e lartë se në muajin dhjetor. “Nga vlera e përgjithshme e shportës minimale konsumatorëe shpenzimet për ushqim dhe pije joalkoolike kanë qenë 274.8 euro ose 0.4% më të larta se në muajin dhjetor”, thuhet në kumtesë. Theksohet se shpenzimet për prodhimet joushqimore dhe shërbimet kanë qenë 368.1 euro, ose 0.1% më të larta në raport me muajin dhjetor. Shporta konsumatore minimale ka të bëjë me shpenzimet e një amvisërie dhe që përfshin ushqimin dhe prodhimet joushqimore dhe shërbimet e që mundëson ruajtjen e jetës dhe të aftësive punuese të anëtarëve të familjes.

Të gjitha zgjedhjet lokale të mbahen brenda një dite

Analisti Boris Mariq konsideron se pushteti ligjdhënës duhet të detyrohet që të hap çështjen e zgjedhjeve lokale që ato të mbahen brenda një dite dhe të sillen ligje për zgjedhjet lokale me lista të hapura dhe kandidatura individuale, sepse ai nuk sheh rrugë tjetër për një demokratizim esencial. Gazeta “Dan” shkruan se, nëse nuk do të ndodhin zgjedhjet e jashtëzakonshme, viti 2027 do të jetë viti i parë jozgjedhor në Mall të Zi, sepse deri atëherë në mënyrë periodike do të mbahen zgjedhjet lokale, presidenciale dhe zgjedhjet parlamentare. Pasi që vetëm gjatë këtij viti, përveç Nikshiqit na presin edhe dy zgjedhje tjera lokale kurse çështja e pushtetit në Ulqin krijon mundësitë edhe për zgjedhjet lokale në këtë qytet, atëherë shtrohet pyetja e arsyeshmërisë së mbajtjeve të zgjedhjeve lokale në tërë republikën brenda një dite.

Kosovë, mbi 6900 raste aktive me COVID-19

Numri total i rasteve pozitive në Kosovë është 67.469 raste nga 294.985 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.582 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Prishtinë dhe laboratorët private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 3.138 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 437 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar 5 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Komiteti Teknik i Ekspertëve në Tiranë, vendosi të mos bëjë asnjë ndryshim të masave anti-COVID në vend. Kryetarja e Komitetit të Ekspertëve, Mira Rakacolli deklaroi se masat te vendosura dy javë më parë kanë dhënë ndikimin e tyre në ulje të rasteve me covid. Nga nisja e pandemisë Shqipëria regjistron 103,327 të infektuar dhe 1715 viktima. Komiteti i Ekspertëve përsëri thirrjen për të respektuar masat anticovid, që nga ruajtja e distancës sociale e deri tek mbajtja e maskës. Kurse, në 24 orët e fundit, 3.588 raste të reja të koronavirusit u regjistruan në Serbi, nga 15.074 mostra të testuar, dhe 15 persona të tjerë vdiqën. 3.832 pacientë janë të shtrirë në spitale sot, 153 prej të cilëve në aparate për frymëmarrje. Që nga fillimi i epidemisë, 2.903.450 njerëz janë testuar, 449.901 raste janë regjistruar dhe 4.398 pacientë kanë vdekur. Shkalla e vdekshmërisë është 0.98, sipas të dhënave zyrtare.

Vaksinojmë 70% të Europës deri në verë

“Jam optimiste se do të vaksinojmë 70 për qind të qytetarëve europian brenda stinës së verës”. Këtë e thotë presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, në një intervistë për gazetat gjermane.  Drejtuesit europian do të përpiqen sot gjatë një samiti virtual të shfaqin një strategji të përbashkët përballë kërcënimit të varianteve të koronavirusit, pavarësisht kufizimeve të qarkullimit jo të koordinuar dhe mosmarrëveshjeve mbi pasaportën e ardhshme vaksinale. Drejtuesit do të mblidhen në video-konferencë në një kohë që numri i kontaminimeve po ulet me vështirësi për shkak të fushatave të ngadalta të vaksinimit dhe rritjes së varianteve britanike dhe të Afrikës së Jugut. Të shqetësuar, 10 vende të BE kanë miratuar kufizime në kufijtë e tyre. Kancelari austriak, Sebastian Kurz, do të shtyjë Bashkimin Europian drejt futjes së një pasaporte të gjelbër për njerëzit që kanë mbrojtje ndaj koronavirusit. Edhe Greqia po bën thirrje që Bashkimi Evropian të miratojë “pasaportat” e vaksinës Covid-19 në mënyrë që të hapë turizmin dhe të lejojë zhvillimin e pushimeve verore.

COVID-19 – Mbi 2,5 milionë viktima në botë

Numri i të vdekurve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në të gjithë botën ka tejkaluar shifrën 2,5 milionë, sipas faqes së internetit “Worldometer”. Sipas faqes së internetit “Worldometer”, e cila përpilon të dhënat në lidhje me pandeminë, gjithsej 2 500 186 viktima janë regjistruar deri më tani në mbarë botën. Shifra më e madhe e vdekjeve deri më tani është regjistruar në SHBA, me 515 408 viktima. Pas saj radhiten Brazili me 248 646 viktima, Meksika 181 809, India me 156 713, Britania me 121 747, Italia 96 348, Franca 85 044, Rusia 84 430, Gjermania 69 341, Spanja 68 079, Irani 59 736, Kolumbia me 59 118 dhe Argjentina me 51 510. Ndërkaq, në Turqi deri më tani janë regjistruar 28 285 të vdekur. Pas shfaqjes në qytetin Wuhan të Kinës në dhjetor 2019, COVID-19 është përhapur në gjithë botën. Deri më tani, janë regjistruar mbi 112 milion të infektuar, ndërsa prej tyre afro 89 milion e kanë fituar betejën kundër virusit.

Kompanitë Pfizer dhe Moderna zotohen të rrisin ndjeshëm prodhimin e vaksinës

Zyrtarët e kompanive farmaceutike, Pfizer dhe Moderna,thonë se po shpejtojnë shpërndarjen e vaksinave për COVID-19 në Shtetet e Bashkuara. Me fillimin e punës në më shumë fabrika, ata thonë se mund të prodhojnë mjaftueshëm vaksina deri në fund të korrikut për pothuajse të gjithë popullsinë e Shteteve të Bashkuara. Deri në fund të korrikut, të dyja kompanitë së bashku presin të prodhojnë 600 milionë doza, të mjaftueshme për të vaksinuar 300 milionë njerëz me të dyja dozat. Një vaksinë e tretë mund të prodhohet së shpejti nga kompania Johnson & Johnson. Ajo do të jetë me vetëm një dozë dhe nuk do të duhet të mbahet në temperatura jashtëzakonisht të ftohta si vaksinat e tjera. Kjo vaksinë është 85% efektive ndaj sëmundjes së rëndë - pak më pak se dy vaksinat e tjera, por gjithsesi shumë e mirë, thotë eksperti i vaksinave nga Universiteti Johns Hopkins, William Moss.

PE u bën thirrje vendeve anëtare të BE-së të njohin Kosovën

Parlamenti Evropian ka publikuar së fundi dy raporte mbi reformat e ndërmarra nga Kosova dhe Serbia, duke vlerësuar punën e bërë deri më tani në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian. Raportet janë përqendruar kryesisht në demokraci dhe sundimin e ligjit, lirinë e medias, lirinë e shprehjes si dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Deputetët gjithashtu kanë përsëritur thirrjen e tyre për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, pasi Komisioni Evropian ka arritur në përfundimin se vendi i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara. Përpos kësaj, vendet e Bashkimit Evropian si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia që sa më shpejtë të rifillojnë dialogun, pasi që sipas tyre bota nuk pret pafundësisht. Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit gjithashtu është kërkuar që Kosova të arrijë në konstituimin e institucioneve udhëheqëse në një afat sa më të shpejtë, pas certifikimit të rezultateve finale. Një zyrtare e lartë e Departamentit të Shtetit tha për Zërin e Amerikës se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të punuar me Bashkimin Evropian, që po bën të mundur dialogun mes Serbisë dhe Kosovës. Komentet e zëvendës ndihmës sekretares së Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Molly Montgomery.  Kur u pyet për mundësinë e një dialogu të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, Mongomery i tha Zërit të Amerikës se  “Ne vazhdojmë të mbështesim dialogun Beograd- Prishtinë të mundësuar nga Bashkimi Evropian, dhe presim me padurim një marrëveshje gjithëpërfshirëse, një marrëveshje normalizimi që do të çonte në një njohje të ndërsjellë, ose në bazë të njohjes reciproke.”

Opozita paralajmëron interpelancë ndaj Qeverisë Zaev

Opozita maqedonase dhe ajo shqiptare nuk heqin dorë nga kërkesa për interpelancë, jo vetëm për ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, por edhe për tërë qeverinë. Reagimi i tyre ka të bëjë me rastin me ish-drejtorinë e policisë sekrete, Sasho Mijallkov, i cili pas dy ditë kërkimesh intensiv nga policia, u paraqit vetë në Gjykatën Penale për marrjen e vendimit për arrest shtëpiak lidhur me akuzën e përgjimeve masive. Opozita vlerëson se rasti është i orkestruar nga pushteti dhe vetë Mijallkov, që konsiderohet si njëri nga personalitetet më të fuqishme në kohën e qeverisjes së ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski. Opozita shqiptare që përbëhet nga partitë Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët, thotë se rasti me Mijallkov, paraqet “tallje me popullin” andaj edhe kërkojnë përgjegjësi nga e gjithë qeveria. Lidhja Social Demokrate e kryeministrit Zoran Zaev ka hedhur poshtë akuzat e opozitës për marrëveshje mes qeverisë dhe ish-shefit të policisë sekrete, Sasho Mijallkov duke theksuar se çdokush që ka bërë shkelje, do të dalë para drejtësisë. Afera e përgjimeve ishte zbuluar në vitin 2015 nga Zoran Zaev, i cili atë kohë ishte në opozitë.                                                                                                                       

Biden përmbys vendimin e Trumpit për ndalesa ndaj imigrantëve

Presidenti amerikan Joe Biden ka përmbysur një vendim të ish-presidentit Donald Trump, për të bllokuar aplikuesit e lejeve të qëndrimit (green card), që të hyjnë në Shtetet e Bashkuara. Trump pati bërë këtë ndalesë vitin e kaluar, duke thënë se është e nevojshme që të mbrohen punëtorët amerikanë në kohën e papunësisë së lartë, të nxitur nga koronavirusi. Kjo ndalesë ishte planifikuar të zgjaste deri në fund të vitit 2020, mirëpo Trump e ka zgjatur atë deri në fund të marsit, në ditët e fundit sa ka qenë në pushtet. Shumica e vizave të imigrantëve janë bllokuar me këtë urdhër, bazuar në deklaratat e avokatëve për imigrim. Imigrantët nuk kanë mundur të marrin familjarët e tyre, përveç nëse ata kanë qenë shtetas amerikanë, që kanë aplikuar për viza për bashkëshortët apo fëmijët nën moshën 21-vjeçare.

Edhe nesër mot kryesisht me diell

Në Mal të Zi sot mbajti mot kryesisht i kthjellët dhe relativisht i ngrohtë. Frynë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat në orën 13 u shënuan: në Podgoricë 24 gradë, Ulqin e Nikshiq 21, Cetinë e Rozhajë 19, Budva 18, Herceg Novi, Plevle, Bijello Pole e Beranë 17, Kollashin 16, Tivar e Zhablak 15 dhe në Plavë e Guci 14 gradë.

Meteorologët edhe për nesër parashohin të mbajë mot me diell dhe relativisht të ngrohtë për këtë stinë të motit. Do të fryjë erë e dobët nga drejtime të ndryshme. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej -3 deri në 7, kurse më e larta e ditës prej 14 deri në 22 gradë celsius.

 

ditarin e përgatiti, Senad Gilaj

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се