Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

01. 03. 2021. 00:00 >> 18:12

Ditari 01.03.2021

01.03.2021

Mbyllen edhe 6 komuna të tjera

Komisioni për mbrojtjen e banorëve nga sëmundja e Covid-19, me propozimin e Institutit për shëndetin publik, ka miratuar dje masat e reja me të cilat prej nesër u ndalohet qytetarëve dalja edhe nga territori i 6 komunave.

Nga Ministria e shëndetësisë është kumtuar se, përveç masave të cilat mbeten në fuqi në komunat Budvë dhe Tivat, qytetarëve u ndalohet dalja edhe nga Podgorica, Cetina, Ulqini, Herceg Novi, Nikshiqi dhe Plluzhina. Dalja, siç është sqaruar, mundësohet për kryerjen e obligimeve në punë, në bazë të vërtetimit të lëshuar nga punëdhënësi, pastaj për realizimin e vizitave mjekësore në bazë të dokumentacionit medicinal e të ngjashme. Ndërkaq,  në komunat Tuz, Tivar e Danillovgrad prej nesër lejohet puna e shoqërive afariste dhe e ndërmarrjeve të cilat ushtrojnë veprimtari hoteljerike. Pra prej nesër do të punojnë Restorantet, kafenetë, kafiteritë, restorantet e hoteleve dhe objektet e tjera të ngjashme hoteljerike. Siç është kumtuar këto masa do të jenë në fuqi deri më 10 mars.

 

Masat duhet ti respektojnë edhe kryeministri dhe anëtarët e Qeverisë

Ministerja e shëndetësisë Jelena Boroviniq Bojoviq ka deklaruar se të gjithë qytetarët e Malit të Zi, pa marrë parasysh funksionin, pozitën në shoqëri dhe bindjet politike, duhet ti respektojnë masat për pengimin e përhapjes së korona virusit.

Ajo i ka dënuar shkeljet masive të masave në Nikshiq, por edhe në Tempullin e Ringjalljes së Krishtit  në Podgoricë në të cilin masat i ka shkelur edhe vetë kryeministri Zdravko Krivokapiq.  “Si ministre e shëndetësisë insistoj në respektimin e masave dhe konsideroj se ato duhet ti respektojnë absolutisht të gjithë qytetarët e Malit të Zi, pa marrë parasysh funksionin, bindjen politike ose pozitën në shoqëri”, ka deklaruar ministerja Boroviniq Bojoviq për mediumin Vijesti. Ajo ka shtuar se do tua tërheq vërejtjen anëtarëve të Qeverisë dhe vetë kryeministrit Krivokapiq se duhet ti respektojnë masat duke u dhënë kështu shembull edhe të tjerëve se masat duhet respektuar.

 

Pandemia ka vërtetuar nevojën për një solidaritet global

Situata me pandeminë e Covid 19 ka vërtetuar nevojën për solidaritetin global, si asnjë herë deri me tani , ka kumtuar nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi Dritan Abazoviq duke folur në hapjen e Konferencës shkencore ndërkombëtare me titull “Përmirsëimi, njohja, morali dhe disponimi” e cila po mbahet nën organizimin e Qendrës për studimet bio etike në Beograd dhe të Universitetit në Oksoford. 

Ai në fjalimin e vetë është përqendruar në çështjet etike në kontekstin e pandemisë globale dhe ka shtuar se ajo është  dëshmia më e mirë pse duhet të vendoset minimumi i solidaritetit rreth vlerave në Bashkësinë globale , duke shtuar se procesi i de globalizimit e ka rritur pasigurinë , kurse pandemia e Covid 19 ka vërtetuar nevojën për etikën globale . Abazoviq ka përkrahur përpjekjet e hulumtuesve, sidomos nga sfera e mjekësisë duke veçuar se bio etika duhet të zhvillohet paralelisht me të gjitha zbulimet tjera teknologjike. Nënkryetari i Qeverisë ka theksuar se në kuptimin global është e vështirë të paramendohet se ndokush i vetëm mund ti zgjidh problemet, prandaj duhet afirmuar hapat teorik të cilët një ditë edhe mund të praktikohen.

 

Edhe 12 humbje jete dhe 449 të infektuar

Gjatë 24 orëve të fundit Institutit për shëndetin publikë i është konfirmuar vdekja e 12 personave të infektuar me Covid 19.  Njëkohësisht gjithëseit janë diagnostifikuar 449 raste të reja të infektimit me korona virus. “Laboratorët e insitutit për shëndetin publik të Malit të Zi si dhe laboratoret tjera publike dhe private të cilat merren me diagnostifikimin e infektimit me korona virus deri sot në ora 15  kanë përfunduar analizat e 1555 mostrave në korona virus ,në mesin e të cilave 449 kanë rezultuar pozitiv, thuhet në kumtesë.

Numri i përgjithshëm i të vdekurve si pasojë e infektimit me Covid19 në Mal të Zi prej fillimit të pandemisë është 1015. Deri sot në ora 15 është konfirmuar edhe shërimi i 484 pacientëve. “Duke pasur para sysh rastet e reja të zbuluara si dhe numrin e të sheruarëve, numri i përgjithshëm i rasteve aktive aktuale me Covid 19 në Mal të Zi është 8558 persona. Prej fillimit të epidemisë në mars të vitit të kaluar, numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara të prekurve me korona virus në Mal të Zi është 76 mijë e 283 persona” kanë kumtuar nga Instituti për shëndetin publik të Malit të Zi.

 

Në QKMZ 59 Covid pacientë janë në rrezik për jetën

Në Qendrën klinike të Malit të Zi 59 pacientë të infektuar me korona virus janë në rrezik për jetën, është kumtuar nga ky institucion shëndetësor. Në këtë qendër klinike aktualisht janë duke u trajtuar 131 pacient të infektuar me Covid -19. Situata epidemiologjike në Cetinë në muajin shkurt është përkeqësuar dukshëm, kështu që vetëm prej më 20 deri më 28 shkurt kanë vdekur 8 persona, është kumtuar nga Shtabi operativ i Cetinës për luftën kundër sëmundjes ngjitëse Covid-19. Sipas të dhënave të Institutit për shëndetin publik, gjatë muajit shkurt në këtë qytet me korona virus kanë qenë të infektuar 446 persona, ose 5 për qind më tepër se në muajin janar.

 

Policia do të kontrollojë detaisht respektimin e masave të reja

Nëpunësit e policisë do të bëjnë kontrolle detaje të respektimit të masave të reja për pengimin e përhapjes së korona virusit, kanë kumtuar nga Drejtoria e policisë. Siç  theksohet vëmendje e veçantë do ti kushtohet kontrollimit të vërtetimeve për qarkullim nga qytetet në të cilat , me masat e reja, qytetarëve u ndalohet ndalja. “Është e nevojshme që individët të kenë vërtetim të vulosur i cili fillon të jetë në fuqi prej me një mars”, thuhet në kumtesë. Nga drejtoria e policisë u kanë bërë apel qytetarëve që ti respektojnë masat e parapara dhe në këtë mënyrë të bëjnë më të lehtë punën e pjesëtarëve të policisë në terren dhe tu shmangen shqiptimit të dënimeve.

 

Diskriminimi duhet të marrë përgjigjen e duhur

Zero toleranca ndaj diskriminimit përkujton dhe tërheq vërejtjen për bashkim në mbrojtjen nga diskriminimi dhe për avancimin e të drejtës të secilit individ për një jetë dinjitoze, pa marrë parasysh bindjet apo statusin personal, ka kumtuar presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq . “Për fat të keq, në vitin 2021 jemi dëshmitarë të rritjes së urrejtjeve, jo tolerancës nacionale dhe etnike, sjelljeve fyese dhe nënçmimit të femrave, por edhe të  miratimit të ligjeve diskriminuese. Çvlerësohën pasuria dhe vlerat më të larta të shoqërisë malazeze – bashkëjetesa në diversitet dhe respekti i ndërsjelltë”, ka shkruar Gjukanoviq në Tuiter. Ai ka theksuar se Mali i Zi nuk guxon të lejojë që diskriminimi , edhe përkundër hapave të rëndësishëm përpara në planin e legjislaturës, ti hesht  në mënyre sistematike keqpërdorimet ideologjike dhe politike, siç ka theksuar, pa ndonjë përgjigje adekuate.

 

Në vitin 2020 deficiti i  financave publike ka qenë 461 milion euro

Deficiti i financave publike në vitin e kaluar ka qenë 461 milion euro ose 10.8% e bruto prodhimtarisë së brendshme, ose 130 milion euro më tepër krahasuar me planin, tregojnë të dhënat e Ministrisë së financave dhe përkujdesjes sociale. Në dokumentin e kësaj ministrie me titull “Analiza e konsumit të konsoliduar publik për vitin kaluar” theksohet se pandemia e korona virusit dhe ndikimi i saj në rrjedhat ekonomike, në masën më të madhe kanë përcaktuar rrjedhën e financave publike. “Rënia evidente e të ardhurave publike është shkaktuar me rënien e aktiviteteve ekonomike dhe të presionit për shpenzim si pasoj e nevojës për financim shtesë në sistemin shëndetësor si dhe në zbatimin e masave socio-ekonomike të ndihmave për qytetarët dhe ekonominë, kanë rezultuar me rritjen e deficitit të konsumit publikë në nivelin më të lartë prej vendosjes së pavarësisë”, thuhet në dokument. Të ardhurat publike në vitin e kaluar kanë qenë 1.87 miliardë euro ose  43.7% nga bruto prodhimtaria e vlerësuar e brendshme. Ndërkaq konsumi publik në vitin e kaluar ka qenë 2.33 miliardë euro ose 54.5% të bruto prodhimtarisë së brendshme.

 

Millosheviq: Askush nuk do të ndikojë në procesin zgjedhor në Nikshiq

Situata në Nikshiq është normale, ka kumtuar sekretari shtetëror në Ministrinë e punëve të brendshme Rade Millosheviq duke shtuar se disa subjekte politike kanë për qëllim që situatën në këtë qytet ta paraqesin si alarmante. Duke folur për ekipin operativ për kontrollin e procesit zgjedhor në Nikshiq, Millosheviq ka theksuar se kanë për qëllim që të mundësojnë përfundimin e zgjedhjeve në frymën demokratike dhe pa tensione. Ai për programin e mëngjesit të TVMZ ka theksuar se nuk disponojnë me të dhëna për kryerjen e veprave të cilat duhet procesuar. Po ashtu ai ka shtuar se presioni më i madh vjen nga disa subjekte politike duke shtuar se do tu bëjnë ballë presioneve dhe nuk do të lejojnë qe ndonjë strukturë politike të ndikojë në procesin zgjedhor.

 

Lajçak pritet të nisë vizitën në Kosovë

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, pritet të nisë sot vizitën e tij në Kosovë. Lajçak pritet të qëndrojë në Kosovë nga 1 deri më 3 mars. Pas Kosovës, ai do të vazhdojë vizitën në Serbi, nga 3 deri me 4 mars, dhe gjithashtu do të vizitojë Malin e Zi si pjesë e mandatit të tij rajonal nga 4 deri në 5 mars. Ndonëse agjenda e tij ende nuk është bërë publike, Lajçak pritet të takohet përgjatë tri ditëve me zyrtarë të lartë shtetërorë e politikë, si dhe me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në terren. Bashkimi Evropian, në reagimet e para pas zgjedhjeve në Kosovë më 14 shkurt, ka bërë thirrje që autoritetet e reja që do të dalin nga këto zgjedhje të vazhdojnë angazhimin konstruktiv në dialogun me Serbinë.

 

LVV kritikon ashpër raportimet për shfuqizim të fletë arrestit për Radoiçiqin

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar sot pas raportimeve të mediave lokale në Kosovë se Gjykata Themelore në Prishtinë ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për të shfuqizuar fletarrestin për nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Rodoiçiq. “Kujtojmë se Milan Radoiçiqi, të cilit gjykata ia hoqi fletarrestin, për gjithë këto vite sfidon ligjin, por edhe sovranitetin e integritetin e Republikës së Kosovës. Me veprimtarinë e tij kriminale, sidomos në veri të vendit, ai ka qenë gjithnjë pengesë e jetës normale duke terrorizuar të gjithë qytetarët e të gjitha komuniteteve pa dallim”, është thënë në reagimin e LVV-së përmes një postimi në rrjetin social Facebook. Aty është përmendur edhe se Radoiçiq është një nga të dyshuarit kryesorë për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq. Milan Radoiçiq ka qenë në arrati dhe autoritetet e Kosovës deri më tani ishin në kërkim të tij. Në nëntor të vitit 2020 është ngritur aktakuza e tretë për këtë rast, mirëpo procesi gjyqësor është ende pa epilog.

 

Nëntë viktima dhe 467 raste të reja me koronavirus në Kosovë

Nëntë viktima dhe 467 raste të reja me koronavirus u raportuan sot në Kosovë. Sipas raportit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, dy raste të vdekjes u regjistruan në Pejë, dy në Prishtinë dhe nga një rast në Deçan, Gjakovë, Kaçanik, Prizren dhe Rahovec. Rastet e reja pozitive, ndërkaq, rezultuan pas testimit të 2,914 mostrave. Sipas IKSHPK-së, shifra paraqet numrin më të madh të rasteve pozitive këtë vit, “me tendencë të rritjes ditëve në vijim”. Po sipas raportit, 214 pacientë u konfirmuan si të shëruar në 24-orëshin paraprak.

 

Shqipëria do të pranojë mbi 15 mijë doza të Pfizerit

Autoritetet në Shqipëri njoftuan se sonte do të pranojnë 15.210 doza të vaksinës kundër koronavirusit, të kompanisë amerikane Pfizer. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Orgeta Manastirliu, njoftoi se me këtë kontingjent të ri do të përfundojë vaksinimi i stafit mjekësor dhe do të vazhdojë vaksinimi i personave mbi 80 vjeç. “Brenda dy javëve të para të marsit pritet të mbërrijnë edhe 14.400 vaksina të Astra Zenecas, me të cilat do të vijojmë vaksinimin, duke pasur prioritet mësuesit”, tha Manastirliu. Shqipëria, pothuajse në baza javore, po pranon kontingjente të dozave të vaksinës së Pfizer-it. Deri më tani, Tirana zyrtare ka pranuar 17.355 doza të vaksinës së Pfizerit. Fushata e vaksinimit në Shqipëri ka nisë më 11 janar.

 

Së paku tre muaj kohë për “COVID-pasaportat”

Komisioni Evropian paralajmëroi se gjatë muajt mars do të miratojë propozimin legjislativ për atë që tashmë është emërtuar si “COVID-pasaportë”, e që në BE e quajnë “certifikatë e vaksinimit” kundër koronavirusit. Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer, tha se për të filluar zbatimin në praktikë të këtyre vërtetimeve për vaksinim, do të duhen së paku tre muaj. Ideja është që personat e vaksinuar do të kenë një “certifikatë të vaksinimit” në formën elektronike dhe kjo do t’ua lehtësojë udhëtimet. BE, deri tash, ka këmbëngulur se fjala është për “certifikata” që do të përdoren vetëm për “çështje shëndetësore”, e jo si “dokumente udhëtimi”. Megjithatë, Komisioni Evropian tani pranon se qëllimi është të lehtësohet udhëtimi në kohën kur po bëhen përpjekje për rimëkëmbje ekonomike, sidomos në sektorin e udhëtimeve dhe turizmit.

 

Protestuesit armenë hyjnë në ndërtesën e qeverisë

Disa protestues armenë, të cilët janë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Nikol Pashinian, kanë hyrë sot në ndërtesën e qeverisë, në kryeqytetin e këtij vendi, Jerevan. Pashinian është përballur me protesta në rritje, dhe thirrje nga opozita për dorëheqjen e tij, pas konfliktit gjashtëjavor në mes të Azerbajxhanit dhe forcave etnike armene për rajonin e Nagorno-Karabakut një vit më parë. Një marrëveshje për armëpushim, e ndërmjetësuar nga Rusia, të cilën e ka nënshkruar Pashinian, u ka dhënë fund luftimeve 44-ditore për rajonin e Nagorno-Karabakut, ku forcat armene janë përballur me humbje territoriale nga ushtria e Azerbajxhanit, e përkrahur nga Turqia. Pashinian, aleanca e të cilit ka shumicën në parlament, ka refuzuar kërkesat e opozitës për zgjedhje të parakohshme dhe ka bërë thirrje për konsultime. Javën e kaluar, ai ka dënuar ato që i ka cilësuar “përpjekje për puç”, pasi disa zyrtarë të lartë ushtarakë kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë së tij. Kryeministri është detyruar të heqë dorë nga kontrolli i Nagorno-Karabakut dhe shtatë distrikteve të Azerbajxhanit, të cilat janë pushtuar nga forcat armene nga vitet e 1990-ta. Këtë vendim e kanë kundërshtuar shumë armenë.

 

Gjykata në Mianmar shton akuzat kundër lideres Aung San Suu Kyi

Liderja e Mianmarit (Birmanisë) Aung San Suu Kyi, është parë sot nga avokatët e saj për herë të parë  prej kur është ndaluar gjatë një puçi ushtarak një muaj më parë. Suu Kyi, e cila është paraqitur në gjykatë përmes video-lidhjes, është dukur “mirë me shëndet”, dhe ka kërkuar të shohë ekipin e saj ligjor, kanë thënë avokatët e saj. Aktualisht, ajo është duke u mbajtur në një lokacion të panjohur, prej puçit të 1 shkurtit. Ajo përballet me dy akuza për importim të paligjshëm të radio-lidhjeve dhe shkeljes së Ligjit për katastrofa natyrore, mirëpo disa akuza të reja i janë shtuar sot, përfshirë shkelje të kufizimeve kundër koronavirusit gjatë një fushate zgjedhore, si dhe për nxitje të “frikës dhe alarmit”. Akuzat fillestare mund të rezultojnë me tri vjet burgim. Gjyqi për të është shtyrë deri më 15 mars.

 

Klubi i Taekwondo-së Ulqini fitoi tetë medalje në turneun ndërkombëtar

Klubi i Taekwondo-së Ulqini fitoi tetë medalje në turneun ndërkombëtar në këtë sport, i cili u mbajt pardje në Zrenjanin. Siç na njoftuan drejtuesit e klubit në këtë aktivitet sportiv morën pjesë 6 shtete me 506 garues. Klubi i Taekwondo-së Ulqini në këtë garë ndërkombëtare fitoi dy medalje të arta, dy të argjndta dhe katër të bronzta, kurse garuesi më i suksesshëm ishte Bledar Kasmi me tri fitore. Përveç Kasmit me medalje u kurorëzuan edhe Medina Kanaqeviq, Sumeja Bisha, Edina Kraja, Hava Malokraja, Sara Kraja, Merisa Malokraja dhe Enes Dushku.

 

Nesër mot me diell

Sot në Mal të Zi ka mbajt mot kryesisht me diell. Frynë erë e dobët deri e mesme nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat në orën 13 u shënuan: Podgoricë 19 gradë, H. Novi 18, Petrovac 17, Tivar e Ulqin 16, Nikshiq e Cetinë 13, Shavnik 12, B.Pole, Beranë e Rozhajë 11, Plevle e Plavë 10, Andrievicë e Guci 9 Kollashin 8 dhe në Zhablak 5 gradë.

Edhe për nesër pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe vende vende me vranësira kalimtare. Do të fryjë erë e dobët deri e mesme e vende vende deri e fortë nga drejtimi i veriut. Temperatura e mëngjesit do të sillet prej -4 deri në 8 kurse më larta e ditës prej 5 deri në 18 gc.

 

 

Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се