Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

04. 01. 2022. 00:00   >>  18:40

Ditari 04.01.2022

Ditarin e përgatiti, Gj. Dukaj

Dita me numrin më të lartë prej 2.590 të infektuarish nga Covid 19

Nga Instituti për Shëndetin Publik, kanë kumtuar se në 24 orët e fundit, nga pasojat e infektimit me Covid- 19, kanë vdekur 2 pacientë, kurse 2.590 persona kanë rezultuar pozitiv  nga 6.994 mostra të testuara. Kjo, njëkohësisht, është dita me numrin më të lartë të infektuarish nga koronavirusi në Mal të Zi.  Kompetentët shëndetësorë, ftojnë qytetarët të vaksinohen sa më parë dhe njëkohësisht, në respektimin e masave dhe rekomandimeve në ruajtjen e shëndetit për veten dhe të tjerët. Nga Instituti i Shëndetit Publik, kanë thënë se varianti Omicron i koronavirusit i cili është identifikuar  para 18 ditësh, është dominant dhe po përhapet më shpejt sesa variantet tjera. Sipas statistikave, numri i personave të infektuar deri më 3 janar, në krahasim me dy javë më parë, është rritur për gati 450 për qind.

Autoritetet shëndetësore, apelojnë tek qytetarët që festat e ardhshme ti kalojnë në shtëpitë e veta, me të afërmit dhe të shmangin çdo lloj tubimi publik duke respektuar masat e parapara epidemiologjike.

Dialogu është kyç për ruajtjen e stabilitetit në Mal të Zi 

Një dialog i gjerë politik ndërpartiak që synon tejkalimin e ndasive, është kyç për ruajtjen e stabilitetit në Mal të Zi dhe përparimin në rrugën drejt Bashkimit Evropian (BE), tha Përfaqësuesi i Lartë për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë , Zhosep Borel. Duke iu përgjigjur pyetjes së eurodeputetit Thierry Mariani nga grupi i djathtë Identiteti dhe Demokracia, me rastin e “sulmit ndaj lirisë fetare” gjatë inaugurimit të Mitropolitit Joanikie, në Cetinë, ai theksoi se liria e fesë, toleranca dhe respektimi i të drejtave themelore, janë vlera jetike të BE-së. Sipas Borel, këto vlera , si të tilla, janë një element kyç i procesit të anëtarësimit, i cili përcakton ritmin e përgjithshëm të negociatave për anëtarësimin e Malit të Zi me BE-në, transmeton portali i RTMZ. Në të njëjtën kohë, siç theksoi ai, në një shtet laik siç është Mali i Zi, duhet të respektohet parimi i ndarjes së shtetit nga kisha.

Borel tha se liria e tubimit është një e drejtë themelore, e cila duhet të ushtrohet pa ndikim negativ në shëndetin publik dhe përmes respektimit të plotë të shtetit ligjor dhe rendit publik.

 

Ndarja e buxhetit pa produktivitet do të jetë problematike

Kur doni të ndani diçka që nuk është prodhuar, kjo mund të jetë problematike, tha analisti ekonomik, Vasilije Kostiq, duke komentuar buxhetin e miratuar. Ai, beson se një qasje rishpërndarëse pa produktivitet mund të na çojë drejt huamarrjes. Siç shpjegon Kostiq, fokusi i këtij buxheti është rishpërndarja, jo prodhimi.

“Qëllimet sociale popullore nuk janë një gjë e keqe, por duke i dhënë përparësi qëllimeve sociale në raport me prodhimin dhe atë që quhet krijim, atëherë është e diskutueshme, për të mos thënë problematike”, tha Kostiq.

Ai vuri në dukje se rritja e standardit të qytetarëve varet nga fakti se sa përdoren resurset në mënyrë  produktive.

“Me rritje të qëndrueshme të produktivitetit krijohet standard më i mirë” , tha ai.

Ai vlerëson se është mirë që deputetët nuk kanë mbështetur rritjen e akcizave.

EEMZ; “Nuk planifikojmë të rrisim çmimin e energjisë elektrike”

Elektroekonomia e Malit të Zi -EEMZ, është e vendosur në ruajtjen e çmimeve ekzistuese të energjisë elektrike për qytetarët, tha drejtori ekzekutiv, Nikolla Rovçanin, në një intervistë për “Pobjeda”. Ai tha se EEMZ do të përpiqet të shmangë politikën e kufizimeve gjatë këtij viti. Qytetarët e Malit të Zi, pavarësisht të gjitha vështirësive me të cilat ballafaqohemi, mund të jenë të qetë,sepse në vitin 2022 nuk planifikojmë të rrisim çmimin e rrymës”, tha Rovçanin.

Ai, po ashtu, ka thënë se në seancën e Bordit të Drejtorëve të EEMZ, të mbajtur më 30 dhjetor të vitit të kaluar, është marrë vendim për vazhdimin e zbritjes në faturën totale të energjisë elektrike prej 12.5 për qind gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2022, me ç’rast koston totale prej rreth 4.5 milionë euro e merr plotësisht mbi vete EEMZ, ka theksuar Rovçanin.

Medoks: Në Mal të Zi, nuk ka baraspeshë  lidershipi

Nuk ka baraspeshë të duhur lidershipi në Mal të Zi brenda qeverisë dhe opozitës, kështu që nuk ka gjasa të mjaftueshme që ai t'u përgjigjet nevojave të grupeve të ndryshme të qytetarëve dhe të kuptojnë pikëpamjet e tyre, tha ambasadorja britanike në Mal të Zi, Karen Medoks. Duke komentuar rezultatet e Fondacionit Westminster për Demokraci se 67 për qind e grave në Mal të Zi, nuk e shohin veten në politikë, ajo tha se arsyeja mund të jetë në faktin se ka shumë pak gra në pozita udhëheqëse nga kjo sferë.
“Politika dhe shoqëria në Mal të Zi, janë të ndara kështu që kompromisi dhe dialogu janë pikërisht ajo që i duhet tani. "Unë, sinqerisht besoj se me më shumë gra në pozita brenda pushtetit,  do të kishim një shoqëri më harmonike," tha Medoks. Ajo, vlerësoi se në Mal të Zi, ka shumë dezinformata dhe se, ndonjëherë, zërat racionalë nuk janë  të fortë sa duhet.

"Mali i Zi ka nevojë për gazetarë të mirë, rregullatorë të mirë dhe një sistem arsimor që zhvillon edukimin mediatik për  qytetarët e vet," tha Medoks. Ajo, tha se Britania e Madhe do të bashkëpunojë me Malin e Zi në politika dhe aty ku ka synime dhe vlera të përbashkëta.

“Nuk shoh asnjë arsye për të mos u nënshkruar Marrëveshja themelore”

Pas njoftimit të Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, se Marrëveshja Themelore me Malin e Zi, mund të nënshkruhet së shpejti  dhe, nga ana tjetër, peshkopi i Baçkës, Irinej Bulloviq, i cili mendon se kjo nuk do të ndodh derisa të jetë  kryeministër, Zdravko Krivokapiq, Mitropoliti i Malit të Zi, Joanikije, në një intervistë për RTV Nikshiq, thotë se nuk sheh arsye pse të mos nënshkruhet Marrëveshja themelore.

“Për sa më përket mua, kjo nismë do të zgjasë derisa të nënshkruhet Marrëveshja themelore ndërmjet Kishës Ortodokse Serbe dhe Qeverisë së Malit të Zi”. Ai theksoi se nuk mund të flas për afatet kur mund të nënshkruhet marrëveshja. Duke u përgjigjur në pyetjen për marrëdhëniet aktuale ndërmjet pushtetit aktual në Mal të Zi dhe Mitropolisë malazeze Bregdetare, Mitropoliti, thotë se të dyja kanë detyrimet dhe kompetencat e tyre.

Anëtarët e Këshillit prokurorial të pezullojnë statusin e tyre në avokaci

Levat e forta të pushtetit në duart e avokatëve të zgjedhur në Këshillin prokurorial, padyshim, do të çojnë drejt konflikt të interesave, i cili do ta dëmtojë shumë vendin tonë në rrugën drejt BE-së, paralajmërojnë bashkëbiseduesit tanë. Ata thonë se është, pothuajse, e pamundur të shmanget konflikti i interesit, ndaj Agjencia për parandalimin e korrupsionit tashmë ka apeluar që të rishikohet rregullorja dhe të përjashtohen të gjithë anëtarët e Këshillit të Avokatëve nga rastet në të cilat mund të ketë ndonjë konflikt interesi.

Aleanca Qytetare, propozon që anëtarët e Këshillit prokurorial të nënshkruajnë një deklaratë kundër korrupsionit, ose të pezullojnë statusin e tyre në avokaci derisa të jenë në Këshillin prokurorial.

Këshilli i Agjencisë për parandalimin e korrupsionit, është i qartë – prania e avokatit në Këshillin prokurorial nuk premton. Është e vështirë të besohet se një avokat që është anëtar i Këshillit prokurorial dhe është avokat mbrojtës në 100 çështje, të vlerësojë pa asnjë ndikim prokurorin që është kundërshtari i tij i drejtpërdrejtë në njërën prej tyre. Këshilli i Agjencisë për parandalimin e korrupsionit shton se nuk është hera e parë që shumica aktuale merr vendime madhore pa marrëveshje politike dhe se të gjitha këto procedura monitorohen nga afër në bashkësinë ndërkombëtare.

Shekuj me radhë, Cetina ka qenë pikë referimi për malazezët

Në kremtimin e Ditës së themelimit të Cetinës, kryebashkiaku, Aleksandar Kashqellan, tha se Cetina ka qenë një pikë referimi dhe ndriçimi për malazezët se në cilin drejtim duhet të lëvizin, si të shpëtojnë veten dhe të tjerët, cilave parime dhe kode morale duhet t'u binden dhe çfarë nuk duhet falur, kurrë.
“Ky qytet është simbol shpirtëror, pararendës i edukimit tonë politik dhe pasqyrë e kulturës politike”.
Kashqellan, tha se Cetina për të dytin vit me radhë po e pret në një situatë jashtëzakonisht të vështirë dhe të komplikuar epidemiologjike. Ai përkujtoi se për Cetinë, viti i kaluar ka qenë jashtëzakonisht i trazuar politikisht. Kryebashkiaku i Cetinës theksoi se “nuk duhet të jemi vëzhgues pasiv i ngjarjeve shoqërore dhe të lejohet që për "jetën tonë, shtetin dhe qytetin, të vendoset nga jashtë". Këtë vit çmimi "Ivan Crnojeviq", që mban emrin e themeluesit të qytetit, i është ndarë  krijuesit të shquar kulturor malazez, piktorit e ish-kryetarit të  Cetinës Sllobodan - Puro Gjuriq. 

Rriten çmimet e derivateve  

Të gjitha llojet e karburanteve nga mesnata do të shtrenjtohen prej një deri në dy cent, njoftoi Ministria e Investimeve Kapitale. Çmimet e benzinës Eurosuper 95 dhe 98 do të rriten dy cent, kështu që në dy javët e ardhshme do të jenë 1.42, respektivisht 1.46 euro.

Vajguri dhe Eurodizeli, do të rriten një cent dhe do të kushtojnë 1.26, respektivisht 1. 28 euro.

Ndryshimet e fundit në çmimeve të karburanteve ishin më 21 dhjetor të vitit të kaluar, kur çmimet e benzinës dhe vajguri u rritën me një cent.

Joseph; Tregu ekonomik rajonal i rëndësishëm por me vlera evropiane

Afrimi i Edi Ramës dhe Aleksandar Vuçiqit nuk është “i shëndetshëm”, thotë Edward Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në Uashington.  “Në fakt, duhet përkujtuar se një Serbi e madhe çon në krijimin e Shqipërisë së Madhe dhe anasjelltas. Kjo është një dinamikë shumë e rrezikshme dhe ajo po thyhet në Kosovë, në lumin Ibër. Tregu ekonomik rajonal është shumë i rëndësishëm për të gjitha vendet, por nuk mund të realizohet pa vlera evropiane, demokratike.

Përkundrazi, mund të jetë i rrezikshëm”, konsideron Joseph.

Ai shton se është fakt i paqëndrueshëm që Kosova ende nuk e ka zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për kthimin e pronës së Manastirit të Deçanit.

Ai po ashtu thekson se Kosova e ka obligim që ta zbatojë vendimin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sepse këtë e ka pranuar në vitin 2013 dhe 2015, në kontekstin e negociatave.

“Prishtina mund të propozojë në mënyrë konstruktive se si Asociacioni komunave me shumicë serbe mund të organizohet në harmoni me sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, por edhe me interesat e serbëve atje. Është shumë e mundur të formohet një asociacion i tillë që nuk do të ishte Republikë Sërpska, duke kontribuar kështu në krijimin e besimit”.

M.Prelec; “Nuk pres ndonjë marrëveshje mes kosovës dhe Serbisë në 2022! 

Marko Prelec, analist i lartë në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i ka përmbushur pjesërisht pritjet e tij. Prelec ka thënë se nuk pret marrëveshje të rëndësishme mes Kosovës dhe Serbisë më 2022, edhe për shkak se Kurti dëshiron të mos i japë proritet këtij procesi. Prelec beson se Kosova do të ishte mirë që ta provonte se çfarë mund t’i ofrojë iniciativa rajonale, Ballkani i Hapur. Sa i përket sundimit të ligjit, ai thotë se Qeveria e Kurtit duhet të ketë kujdes që luftën kundër krimit të mos e bëjë mbi baza etnike.

S.Trifunov; Heqja e vetos nëse SHBA heqin vizat për shtetasit bullgar  

Një nga liderët e koalicionit qeveritar në Bullgari, Slavi Trifunov, i partisë “Ka një popull të tillë” ka thënë se Sofja mund të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut, nëse Shtetet e Bashkuara heqin vizat për shtetasit bullgarë.

“Nëse amerikanët duan aq shumë që Maqedonia e Veriut të jetë në Bashkimin Evropian, qytetarët e Bullgarisë, si dhe qytetarët e shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian, nuk duhet të kenë nevojë për viza për të shkuar në Amerikë”, tha Trifonov, prezantues i njohur televiziv. Ai heqjen e vetos e ka kushtëzuar edhe me kërkesën që Bullgaria të bëhet menjëherë anëtare e zonës Shengen. “Edhe ne duhet të jemi evropianë. Tani jemi më pak evropianë se evropianët e vërtetë. Kështu që, unë kërkoj që menjëherë të jemi pjesë e zonës Shengen dhe të mos ketë viza për Amerikë”, ka shkruar Trifonov në rrjetet sociale. Përmbushja e këtyre dy kushteve nga SHBA-ja dhe BE-ja, si dhe përmbushja e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë nga Maqedonia, sipas Trifonovit, do të mjaftojnë që Bullgaria të lejojë Maqedoninë e Veriut të fillojë negociatat për anëtarësim në BE. Ai bëri të ditur se më 10 janar do të mbahet takim këshillues për Maqedoninë e Veriut me presidentin bullgar, Rumen Radev.

Vuçiq, ka njoftuar për një dërgesë të re të armëve nga Rusia 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka njoftuar për një dërgesë të re të armëve nga Rusia megjith frikën se investimi i madh i shtetit në ushtri mund të dërgojë në tensione të reja në rajon.

Vuçiq mori pjesë në trajnim të ushtrisë në një bazë ushtarake afër Beogradit në të cilin ushtrim u përfshinë raketa anti-tanke “Kornet” që i kanë blerë së fundmi, raporton AP.  Ai tha se “Kornetët janë një mjet i rëndësishëm mbrojtës për të larguar ndonjë agresion të mundshëm ndaj shtetit”. Së fundmi, Serbia është armatosur kryesisht me aeroplanë ushtarakë rusë dhe kinezë, dronë dhe sisteme anti-raketore. Në muajt e fundit, Rusia i ka dhënë Serbisë 30 tanke luftarake dhe 30 transportues të blinduar. Serbia gjithashtu ka blerë sistemin ajror të mbrojtjes të sofistikuar nga Rusia si dhe helikopterë transportues dhe dronë nga Kina. Vuçiq tha të hënën se Serbia “mbetet në rrugën e saj evropiane” por shtoi se do të vazhdojë të ushqejë lidhjet miqësore me Rusinë dhe Kinën.

Anulime dhe vonesa fluturimesh nëpër botë 

Një stuhi dimërore që goditi mesin e Atlantikut e kombinuar me pandeminë ka bërë që fluturimet nëpër botë të anulohen apo të vonohen.

Më shumë se 2,600 fluturime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më shumë se 4,100 fluturime në mbarë botën u anuluan që nga mesdita e së hënës (3 janar), sipas shërbimit të gjurmimit të fluturimeve, Flight Aëare. Linjat ajrore anuluan më pak se 300 fluturime amerikane të planifikuara për të martën. Së pari, megjithatë, ata duhej të përballeshin me një stuhi dimërore që pritej të sillte deri në 25 centimetra borë për Distriktin e Kolumbisë, Virxhinian Veriore dhe Merilendin Qendror deri të hënën pasdite. Anulimet dhe vonesat sapo shtuan dëshpërimin e ndjerë gjatë fundjavës nga udhëtarët e pushimeve që përpiqen të kthehen në shtëpi.

Apple, kompania e parë që arrin vlerën 3 trilion dollarë 

Gjiganti teknologjik amerikan Apple, është kthyer në kompaninë e parë që kap vlerën e 3 trilionë dollarëve në treg.

Çmimi i aksioneve të kompanisë është rritur për 5,800 për qind prej kur themeluesi dhe ish-shefi ekzekutiv, Steve Jobs, ka prezantuar telefonin e parë, iPhone më 2007. Apple është konsideruar si një nga fitueset e pandemisë, pasi shitjet janë rritur gjatë periudhave të izolimit, meqë njerëzit kanë kaluar më shumë kohë në pajisje teknologjike. “Vlera 3 trilionë përbën një tjetër moment historik për Apple, teksa kompania vazhdon t’ua vërtetojë të kundërtën atyre që dyshojnë”, ka thënë Dan Ives, analist në kompaninë Wedbush. 

Sot, në Mal të Zi, ka mbajtur mot kryesisht i vranët por i thatë.

Temperaturat në orën 13; Tivar e Ulqin 15 gradë, Budvë 13, Beranë, Podgoricë e H. Novi 12, Rozhaj 11, Andrijevicë 10, Plluzhinë 9, Cetinë 8, Nikshiq e Kollashin 7, Guci e Shavnik 6, Zhablak 5, Plevle 3 dhe Bjello Pole 2 gradë.

      Për nesër parashihet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe, vende – vende, me reshje të shiut. Të reshura më të dendura priten në orët e pasditës dhe gjatë natës.

Do të fryjë erë mesatare, kohëpaskohe deri e fortë e drejtimeve jugore.

Temperatura e mëngjesit prej 2 deri në 12, kurse më e larta e ditës prej 5 deri në 17 g. c.

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се