Žabljak
Oblačno
3.2 °C
Pljevlja
Pretežno oblačno
6.0 °C
Herceg Novi
Oblačno
21.7 °C
Nikšić
Oblačno
10.4 °C
Cetinje
Pretežno oblačno
22.3 °C
Bar
Pretežno oblačno
19.7 °C
Podgorica
Pretežno oblačno
17.6 °C
Ulcinj
Pretežno oblačno
18.9 °C
Kolašin
Pretežno oblačno
6.3 °C

Lajmet

29. 08. 2018.   >>  18:14 0

Lajmet 29.08.2016

29.08.2018

Të inicohet takimi i presidenteve të dy shteteve për shkak të tensioneve të fundit

Organet gjegjëse të Malit të Zi do të duhej të iniciojnë bisedime të personaliteteve më përgjegjës të Malit të Zi dhe Serbisë në mënyrë që të tejkalohen vështirësitë dhe të iniciohet përparimi më i mirë i marrëdhënieve mes dy vendeve, vlerësoi ish ministri për punë të jashtme i Malit të Zi Branko Llukovac. Ai konsideron se si ne Serbi, ashtu edhe në Mal të Zi në skenën politike ende ka persona të cilët vështirë pajtohen me Malin e Zi e pavarur dhe sovran, prandaj është reale që të pritet që këto forca në Serbi do të tentojnë që në lidhje me të ngjashmet në Mal të Zi të ndikojnë negativisht në politikën e Serbisë ndaj Malit të Zi dhe në marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve.

 

Qeveria ende nuk është përcaktuar ndaj kërkesës së Italisë

Pushteti i Malit të Zi ende nuk është përcaktuar ndaj kërkesës së Italisë që Mali i Zi të pranojë një pjesë të migrantëve nga anija “Dikoti”, por kjo çështje është në procedurë njoftohet nga Qeveria.

Shefi i shërbimit të Qeverisë për marrëdhënie me opinionin Sërgjan Kusovac deklaroi për agjencinë MINA se ambasada e Italisë ka kontaktuar Ministrinë e punëve të jashtme mbi mundësinë e pranimit të një pjesë të migrantëve nga anija Dikota. Anija me migrantë me ditë të tëra gjendet në Sicili. Një nga liderët e Frontit Demokratik Nebojsha Medojeviq tha sot se Qeveria e Malit të Zi është pjesë e logjistikës së rrezikshme të projektit migrues të Soroshit, duke pyetur njëkohësisht se çka fsheh qeveria nga qytetarët e saj në lidhje me krizën e emigrantëve. Medojeviq tha se sipas njohurive të tij nga Bashkësia ndërkombëtare, gjatë vitit 2018 do të aktivizohet ruta e re e migrantëve përmes Shqipërisë, Malit të Zi e më tej drejt Bosnjës dhe Kroacisë.

 

Përvoja e Lubjanës mund ti shërbejë shumë Podgoricës

Lubjana mund t’i ofrojë Podgoricës përvojë të mirë nga lëmi i ekologjisë, posaçërisht nëse kemi parasysh faktin se jemi i vetmi qytet në këtë pjesë të Evropës që ka fituar çmimin Kryeqyteti i gjelbër i Evropës në vitin 2016, deklaroi kryetari i qytetit të Lubjanës Zoran Jankoviq. Me kryebashkiakun e Lubjanës bisedoi sot kryebashkiaku i Podgoricës Ivan Vukoviq “Lubjana është një nga qytetet më të pastra dhe më të gjelbra të Evropës dhe Podgorica ka fat që në fqinjësi ka një qytet, shembullin e të cilit mund dhe duhet ta ndjek”, tha Vukoviq në takim me Jankoviqin. Tema kryesor e bisedimeve të dy kryetarëve të qyteteve ka qenë avancimi i bashkëpunimit të Podgoricës dhe Lubjanës e cila bazohet në themelet e mira e posaçërisht në lëmin e ekologjisë dhe kulturës.

 

Unifikim i subjekteve opozitare promalazeze

Nënkryetari i deritanishëm i Iniciativës qytetare URA Negjelko Rudoviq ka paralajmëruar bisedimet mbi unifikimin e një pjese të subjekteve promalazeze, organizatave dhe individëve, i cili do të rezultonte me formimin e Lidhjes opozitare malazeze. “Kuptimin e veprimit tim politik të mëtejmë e shoh në unifikimin e Partive opozitare dhe subjekteve, si dhe individëve të cilët edhe me retorikën e veprimin konkret janë të përkushtuar shtetit të Malit të Zi dhe emancipimit të mëtejmë të shoqërisë malazeze sipas modelit të demokracive evropiane”, deklaroi Rudoviq për gazetën “Pobjeda”.

Pasi që është humbur shansi i mirë për formimin e bllokut qytetar opozitar vitin e kaluar, skena politike është fragmentuar së tepri dhe është iluzion që të pritet çfarëdo afrimi, deklaroi ai. “Mendoj që është koha të bashkohemi në konceptin e qartë themelet e të cilit i kanë vendosur liberalët dhe reformistët në fillim të viteve 90”, theksoi Rudoviq. Në pyetjen a e sheh grupin qytetar URA në këtë grupacion, Rudoviq u përgjigj se kur e ka lëshuar kryesinë e partisë ka deklaruar se mbetet anëtarë derisa të besoj se ka hapësirë që Partia t’i kthehet qëllimit për shkak të cilit është formuar.

 

PSD dhe Crnogorska- Partia malazeze janë të gatshme për bisedime

Ideja e ish nënkryetarit të Lëvizjes Qytetare URA Negjelko Rudoviq, për formimin e Lidhjes malazeze opozitare, duhet të ketë vëmendjen tonë pasi përmban premisat themelore në pajtim me politikën e Partisë Socialdemokratike, deklaroi anëtari i kryesisë së kësaj partie Ivan Vujoviq. “Ideja e paraqitur nga Rudoviq është e mirë dhe duhet kushtuar kujdes, pasi që premisa themelore është në pajtim me politikën shtetformuese, evropiane dhe qytetarë të PSD-së, bazat e të cilës i kemi vendosur para 27 viteve”, deklaroi Vujoviq. Edhe kryetari i Partisë Malazeze Vlladimir Paviqeviq, tha se ideja është e mirë dhe ekziston potencial për veprimin e një lidhje të tillë.

 

Prej sot deri me 31 gusht, konkurse për studimet në Fakultetin e gjuhës malazeze në Cetinë

Në Fakultetin për gjuhë dhe letërsi malazeze në Cetinë, prej sot dhe dy ditët e ardhshme mund të paraqiten kandidatët për regjistrim në vitin e parë të studimeve katër vjeçare për vitin akademik 2018/2019. Në afatin e gushtit do të pranohen 24 student të cilët do të financohen nga buxheti. Të drejtë paraqitjeje në konkurs kanë kandidatët të cilët kanë përfunduar shkollën e mesme, ndërkohë që fletëparaqitjet dorëzohen sot, nesër dhe pasnesër në hapësirat e fakultetit në Cetinë. Provimi pranues do të bëhet më 1 shtator, kurse rezultatet do të shpallen dy ditë më vonë, ndërkohë që regjistrimi i kandidatëve të pranuar do të zhvillohet më 5 shtator.

 

Konkurs për studimet e specializuara nga UMZ

Universiteti i Malit të Zi do të shpallë më 20 shtator konkursin për regjistrimin në studimet e specializuar për vitin akademik 2018/2019, kurse vend ka për 2 mijë 447 student, nga të cilët 1 mijë e 237 do të shkollohen nga buxheti shtetëror. Nga Universiteti i Malit të Zi është kumtuar se në konkurs mund të paraqiten kandidatët me studimet themelore me më së paku 180 kredi ECTS nga lëmitë gjegjëse të shkencave apo arteve. Siç thuhet në kumtesë, kandidatët duhet të paraqesin diplomën origjinale të studimeve të përfunduara ose ndonjë vërtetim si dhe dëshminë për njohje aktive të një gjuhe të huaj, thuhet mes tjerash në kumtesë nga UMZ.

 

Kërkojnë kompensim nga QK e MZ për ndërrim të foshnjës

Prindërit e foshnjës e cila kah gjysma e majit me rastin e daljes nga materniteti i është dorëzuar familjes tjetër, dhe pas disa minutash është kthyer në repartin e lindjes kur është vërtetuar gabimi do të kërkojë kompensimin nga Qendra Klinike, ka thënë për Televizionin e Malit të Zi avokati i tyre Ranko Radonjiq. Radonjiq ka deklaruar se nëna e foshnjës për këtë rast është njoftuar kur të hënën ka shkuar në prokurori dhe është vërtetuar se ka marrë thirrjen në cilësinë e dëshmitares në proces, i cili zhvillohet kundër infermieres  e cila ka bërë këtë lëshim. Nga ana e Prokurorisë familja është ftuar që të jap deklaratë në cilësinë e të dëmtuarës në lëndën e cila është duke u zhvilluar kundër infermieres së akuzuar. Të përkujtojmë se fjala është për rastin kur është bërë ndërrimi i foshnjave i shkaktuar nga lëshimi që ka bërë infermierja duke u dhënë prindërve foshnjën e huaj, por ky gabim është korrigjuar pas disa minutave dhe foshnja është kthyer nga parkingu para Qendrës Klinike. Drejtoresha e atëhershme e Qendrës Klinike Zorica Kovaçeviq, në lidhje me këtë rast ka iniciuar padinë penale kundër infermieres në fjalë.

 

REACT në fillim të shtatorit në Guci

Kampi rajonal euroatlantik – REACT do të mbahet prej 3 deri më 8 shtator në Guci. Siç u kumtua nga organizata joqeveritare “Alfa Centar”, ata rikujtuan se me realizimin e kësaj shkolle verore tash 11 vite me radhë, po japin kontributin në arsimimin dhe edukimin e të rinjve në temat e integrimeve evropiane dhe euroatlantike, si dhe të bashkëpunimit rajonal, stabilitetit, ushtrisë, mbrojtjes dhe diplomacisë. Nga “Alfa Centar” thanë se në ftesën e shpallur për pjesëmarrje në këtë kamp janë paraqitur rreth 320 kandidatë nga 12 vende, kurse këshilli i ekspertëve ka zgjedhur 12 kandidatë nga Mali i Zi dhe 55 nga vendet tjera. Gjatë pesë ditëve, siç theksuan, do të realizohen 11 ligjërata, 10 panel diskutime, dy punëtori dhe debate, kurse pjesëmarrësit do të zhvillojnë edhe disa programe sportive dhe kulturore.

 

Ministrat e BE-së do të diskutojnë për Ballkanin Perëndimor

Ministrat e Mbrojtjes dhe të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian do të mblidhen të enjten dhe të premten në Vjenë për të diskutuar edhe situatën në Ballkanin Perëndimor, me fokus zgjerimin.

Në takimin joformal do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e vendeve kandidate: Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë dhe Turqisë, bëri të ditur presidenca austriake e BE-së, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë. "Diskutimet për Evropën Juglindore do të jenë në përputhje me zhvillimet në muajt e ardhshëm, me fokus zgjerimin", tha presidenca austriake e BE-së. Në takim do të marrë pjesë edhe presidenti i Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, David McCalister.

 

Pahor ka dy mesazhe për vendet e rajonit që dëshirojnë BE-në

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, beson se anëtarët e ardhshëm të BE-së duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre dypalëshe para pranimit.Ai për Die Presse të Vjenës, me rastin e toneve optimiste që mund të dëgjohen në Forumin Evropian në Alpbach lidhur me dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, tha se ky optimizëm është i nevojshëm."Ka probleme dhe ato kërkojnë një qasje gjithëpërfshirëse dhe të durueshme", tha Pahor.Ai e konsideron qasjen e drejtë të BE-së ndaj vendeve për të zgjidhur mosmarrëveshjet dypalëshe përpara integrimit."Kam dy mesazhe për vendet e rajonit, e para është se problemet me fqinjët duhet të zgjidhen, e dyta është se është e nevojshme të respektohet marrëveshja," shpjegoi ai.

 

Merkel sërish kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ritheksoi qëndrimin e saj kundër ndryshimit të kufijve aktual në Ballkan, duke nënvizuar se një marrëveshje e mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për ndryshimin e kufirit mund të kishte pasoja në pjesët tjera të rajonit. Ajo i bëri këto komente pas takimit me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç, i cili po ashtu tha se një ndryshim kufijsh në Kosovë mund të ketë pasoja për pjesët tjera të rajonit. Kancelarja Merkel kishte biseduar me telefon me presidentin amerikan, Donald Trump lidhur më ketë çështje. Ajo tha se "i mbështesin përpjekjet për një zgjidhje të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Serbisë". Të premten e kaluar, këshilltari për siguri Kombëtare i presidentit amerikan, Donald Trump, John Bolton, tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të përfshihen në idenë për shkëmbimin e territoreve, por nëse palët merren vesh, nuk do të qëndrojnë në rrugë.

 

Jam në koordinim me aleatët strategjikë të Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka komentuar deklaratat pro dhe kundër dialogut me Serbinë, që janë pjesë e debatit publik në Kosovë. Ai ka thënë se përderisa në njërën anë kemi të gjithë aleatët e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës në mbështetje të fuqishme për arritjen e marrëveshjes paqësore me Serbinë, fatkeqësisht në Kosovë kemi një opozitë të ndihmuar nga disa zëra të vetmuar të shoqërisë civile që e konsiderojnë këtë mbështetje si qëllimkeqe për Kosovën. Sipas tij, që nga shpallja e pavarësisë dhe deri më sot, Kosova asnjëherë nuk ka pasur vëmendje më të madhe ndërkombëtare. Duke filluar nga SHBA-ja, Gjermania, Franca, Italia, Anglia dhe pothuajse të gjitha shtetet anëtare të BE-së, janë të përfshira në përpjekjet për arritjen e marrëveshjes paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.  “Kjo marrëveshje eventuale, e cila është shumë e vështirë të arrihet, qëllim kryesor ka njohjen e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin tonë në BE, NATO dhe OKB.

 

Jo ndryshimit të kufijve

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, u shpreh kundër idesë së rishikimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, si pjesë e një marrëveshjeje që do t’i jepte zgjidhje problemeve mes dy vendeve në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi europian. Në një intervistë për gazetën Albanian Daily News, Meta thekson se “Dialogu Serbi-Kosovë është ndërtuar jo për të ndryshuar realitetin, por për të udhëhequr procesin e pranimit të tij, në emër të paqes e stabilitetit. Ai është parakusht për integrimin evropian të të dy vendeve. Çdo diskutim dhe debat që ndihmon në kuptimin dhe pranimin e këtij realiteti është i mirëpritur, kurse çdo devijim nga ky realitet, përveçse provokon emocione dhe retorika populiste nuk sjell dobi”. Meta vë në dukje se “sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës është realitet i njohur dhe i pranuar tashmë nga një shumicë bindëse e vendeve anëtare të OKB-së. Kosova është sot anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare dhe rajonale”, shprehet Kreu i Shtetit shqiptar. Presidenti shqiptar nënvizon se e ardhmja Serbisë dhe Kosovës është Bashkimi europian.

 

Ideja për shkëmbim të territoreve sjell luftë në Ballkan

Kreu i Iniciativës evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus, thotë që diskutimi për lëvizjen e kufijve apo njerëzve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i rrezikshëm dhe mund të krijojë konflikte të reja në Ballkan, transmeton Gazeta Express. Në një intervistë për ‘Dnevni Avaz’, Knaus thotë se ideja për shkëmbim territoresh është e rrezikshme për vetë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe Serbi. Knaus thotë se presidenti i Kosovës nuk e di se çfarë po flet dhe se nuk ka mandat nga Kuvendi i Kosovës për të diskutuar rreth shkëmbimit të territoreve. Ai thotë se bisedat rreth temës së shkëmbimit të territoreve me dyer të mbyllura, mund të ketë rezultate të njëjta sikurse Kongresi i Berlinit në shekullin IXX.

 

Haradinaj e nderon Delawien për punën "në mbështetje të Kosovës"

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e nderoi sot ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delawie, me Hartën e Artë të Kosovës. Haradinaj tha se e mori këtë vendim duke e vlerësuar ambasadorin Delawie "për punën e madhe në mbështetjen e agjendës shtetërore të Kosovës". Haradinaj po ashtu tha se Kosova po kalon nëpër procese të rëndësishme politike dhe se ndihma e miqve amerikanë ishte dhe mbetet jetike për Kosovën. Me herët, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar për emërimin e diplomatin Philip S. Kosnett nga Virxhinia si ambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës. Kosnett do të zëvendësojë ambasadorin Delawie, i cili shërben në Kosovë qysh në vitin 2015.

 

Ceremoni përkujtimore për Senatorin McCain

Një grup zyrtarësh dhe ish zyrtarësh amerikanë nga i gjithë spektri politik do të marrin pjesë në ceremoninë përkujtimore të së shtunës për Senatorin John McCain, i cili vdiq të shtunën në moshën 81-vjeçare. Në ceremoninë që do të mbahet në Katedralen Kombëtare në Uashington do të flasin ish-Presidentët Barak Obama dhe Xhorxh W. Bush si dhe ish-sekretari i shtetit Henry Kissinger dhe ish senatori Joseph Lieberman. Arkëmorti do të mbahet nga ish-nënpresidenti Joe Biden, ish-sekretari i mbrojtjes William Cohen, ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut Michael Bloomberg dhe ish-senatorët Gary Hart, Russ Feingold dhe Phil Gramm. McCain do të varroset të dielën në Akademinë Detare të SHBA në Anapolis të shtetit Merilend, shkolla ku ai kishte studiuar.

 

Trump paralajmëron "dhunë" nëse fitojnë demokratët

Presidenti amerikan, Donald Trump ka paralajmëruar se politikat e tij do të përmbysen “dhunshëm” nëse demokratët do të fitojnë në zgjedhjet kongresiste që mbahen në muajin nëntor në Shtetet e Bashkuara. Ai u ka thënë liderëve evangjelistë se vota është “referendum” për liri të shprehjes dhe religjionit dhe se këto të fundit janë duke u kërcënuar nga “persona të dhunshëm”.Ai u ka bërë thirrje për ndihmë grupeve konservatore kishtare, duke thënë se ata janë vetëm një votë larg “humbjes së çdo gjëje”.  Zgjedhjet për Kongres janë duke u cilësuar si test për popullaritetin e presidentit amerikan.Trump është përballur me publicitet negativ prej kur ish-avokati i tij, Michael Cohen dhe ish-drejtuesi i fushatës së tij, Paul Manafort janë shpallur fajtorë më herët gjatë këtij muaji.

 

Së paku 11 të vrarë nga një sulm në Irak

Një sulmues vetëvrasës sulmoi një postbllok të policisë në perëndim të Irakut, duke vrarë së paku 11 njerëz dhe plagosur 16 të tjerë. Sulmuesi përplasi makinën e mbushur me eksplozivë për një postbllok në qytetin Kain të provincën Anbar, tha kryebashkiaku Ahmed al-Mehlaw. Ai po ashtu tha se postblloku drejtohej bashkërisht nga ushtria dhe nga milicitë shiite që mbështeten nga qeveria. Viktimat përfshijnë personel të sigurisë dhe civilë. Përgjegjësinë për sulmin nuk e ka marrë ende asnjë grup. Iraku ka shpallur fitore kundër grupit militant Shteti Islamik, dhjetorin e kaluar. Megjithatë, anëtarë të tij kanë vazhduar të bëjnë rrëmbime dhe vrasje.

 

Mianmari kundërshton raportin e OKB-së për gjenocid

Zëdhënësi i Qeverisë së Mianmarit, Zaw Htay ka kundërshtuar të mërkurën një raport të hetuesve të Kombeve të Bashkuara, të cilët kanë kërkuar që liderë ushtarakë të akuzohen për gjenocid, duke i cilësuar këto deklarata “akuza të rreme”. Komentet e tij vijnë një ditë pasi një raport i OKB-së, ka bërë thirrje të fuqishme që zyrtarët e Mianmarit të përballen me akuza për gjenocid për shkak të dhunës ndaj myslimanëve Rohingya vitin e kaluar. “Qëndrimi ynë është i qartë dhe dua të them me vendosshmëri se ne nuk pranojnë asnjë të dhënë, të kryer nga Këshilli për të Drejtat të Njeriut”, ka thënë Htay në një intervistë të publikuar nga media shtetërore, transmeton Reuters. Ai ka thënë se Mianmari nuk ka lejuar hetuesit e OKB-së të hyjnë në këtë shtet. “Për këtë arsye ne nuk pranojnë asnjë përfundim të Këshillit”, është shprehur ai. Besohet se rreth 700,000 myslimanë Rohingya kanë ikur nga Mianmari drejt Bangladeshit si pasojë e dhunës ushtarake.

 

Nesër kthjellët dhe nxehtë, deri në 35 gradë

Sot në Mal të Zi po mban mot kryesisht i kthjellët, deri me vranësira të pakta lokale. Frynë erë e lehtë deri e mesme e drejtimeve të ndryshme.

Temperaturat në ora 14 u shënuan: në Podgoricë e Budvë 33 gradë, Herceg Novi 32, Ulqin 31, Tivar 30, Cetinë 29, Nikshiq 28, Bijello Pole 26, Beranë 25, Plavë, Rozhajë e Plevle 24, Kollashin 22 dhe në Zhablak 29 gradë.

Për nesër meteorologët paralajmërojnë mot të kthjellët dhe të nxehtë me zhvillim të vranësirave në orët e pasdites. Do të fryjë erë e lehtë kryesisht e jugut dhe e perëndimit. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 9 deri në 22, kurse më e larta e ditës prej 22 deri në 35 gradë celsius.

Komentari 0

ostavi komentar

Ostavi komentar

Pravila komentarisanja sadržaja Portala RTCG
Poštujući načelo demokratičnosti, kao i pravo građana da slobodno i kritički iznose mišljenje o pojavama, procesima, događajima i ličnostima, u cilju razvijanja kulture javnog dijaloga, na Portalu nijesu dozvoljeni komentari koji vrijeđaju dostojanstvo ličnosti ili sadrže prijetnje, govor mržnje, neprovjerene optužbe, kao i rasističke poruke. Nijesu dozvoljeni ni komentari kojima se narušava nacionalna, vjerska i rodna ravnopravnost ili podstiče mržnja prema LGBT populaciji. Neće biti objavljeni ni komentari pisani velikim slovima i obimni "copy/paste" sadrzaji knjiga i publikacija.Zadržavamo pravo kraćenja komentara.

Da biste komentarisali vijesti pod vašim imenom

Ulogujte se