Žabljak
Pretežno oblačno
10.8 °C
Pljevlja
Pretežno oblačno
17.3 °C
Herceg Novi
Pretežno oblačno
19.7 °C
Nikšić
Pretežno oblačno
15.1 °C
Cetinje
Pretežno oblačno
15.8 °C
Bar
Oblačno
18.7 °C
Podgorica
Pretežno oblačno
20.5 °C
Ulcinj
Pretežno oblačno
18.8 °C
Kolašin
Pretežno oblačno
15.5 °C

Lajmet

18. 04. 2019.   >>  17:46 0

Lajmet 18.04.2019

18.04.2019

Humb jetën një shtetas shqiptar

Një shtetas shqiptar e ka humbur jetën nga goditja e lokomotivës në hekurudhë në Rogath, afër Tuzit. Fatkeqësia ka ndodhur në momentin kur shtetasi shqiptar, i cili së bashku me familje ishte për vizitë në Mal të Zi, ka dalë nga automjeti tek shtëpia e mallrave “Dadi” dhe është përpjekur t’i kalojë binarët e trenit. Siç kanë thënë dëshmitarët, të cilët ishin në vendin e ngjarjes, makinisti me anë të borisë është përpjekur t’ia tërheqë vërejtjen, por pa sukses. Policia dhe ekipet e urgjencës së shpejti kanë ardhur në vendin ku ka ndodhur  fatkeqësia, kurse pas tyre ka arritur edhe prokurori kujdestar i cili e ka parë vendin e ngjarjes, kurse trupi i viktimës është dërguar për obduksion.

 

Për simbolet shtetërore me 24 prill

Deputetet e Kuvendit të Malit të Zi kanë përfunduar sot mbledhjen e rregullt, të katërtën me rrallë, e cila ka filluar me 1 prill, kurse votimi do të mbahet me 24 të këtij muaji, për kur është caktuar mbledhja e veçantë në të cilën kryeministri Dushko Markoviq do të përgjigjet në pyetjet e përfaqësuesve të klubeve të deputetëve.  Të rikujtojmë se gjatë kësaj seance, deputetet kanë shqyrtuar 25 pika të parapara me rendin e ditës, në mesin e të cilave edhe për ndryshimet e Ligjit për simbolet shtetërore dhe Ditën e shtetësisë, pastaj edhe për projekt ligjin për partneritetin jetësorë të personave të së njëjtës gjini. Deputetet sot kanë debatuar lidhur me përgjigjet e propozuara Gjyqit kushtetues me rastin e iniciativës për inicimin e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për financimin e Lidhjes së shoqatave të luftëtarëve të Luftës Nacional Çlirimtare të Malit të Zi, pastaj për pengimin e korrupsionit, punën dhe administratën tatimore. Ndryshe, sot Këshilli administrativ ka dënuar pesë deputetë të Frontit Demokratik dhe një të Lidhjes Liberale, me të holla, për shkak të masave të vërejtjeve ndaj tyre në seancat parlamentare gjatë këtij dhe vitit të kaluar.  

Njohuritë të kumtohen institucioneve e jo rrugës

“Nëse  ndokusht ka diçka të njoftojë, atëherë këtë, është e qartë, se cilat janë institucionet që duhet të ua kumtojë të gjithë atë që e dinë”, ka deklaruar deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve, Danijell Zhvikoviq, duke komentuar paralajmërimet e kryetarit të Atllas Grupit, Dushko Knezheviq, se gjoja në protestën e Lëvizjes, “Deri në liri”, e që do të mbahet sonte, do të kumtojë informacione të caktuara lidhur me kryeprokurorin shtetërorë Ivica Stankoviq. Siç ka thënë Zhivkoviq, do të duhej që Knezheviq të kumtojë të gjitha faktet që i posedon në institucionet kompetente për të gjithë ata që ai mendon se kanë shkelur ligjin. Më parë deputeti i Frontit Demokratik, Koça Pavlloviq ka paralajmëruar se sonte në orën 20 para Kryeprokurorisë shtetërore, Dushko Knezheviq do të flasë siç pohon ai, se cilat janë arsyet është i korruptuar Stankoviq.

 

Protesta e Lëvizjes, “Deri në Liri”

Protesta e Lëvizjes, “Deri në liri” do të duhej të mbahej sonte para Prokurorisë Kryesore dhe Prokurorisë Speciale të shtetit në Podgoricë. Kryetari i Atllas Grupit, Dushko Knezheviq ndaj të cilit është shpallur fletëarresti, ka pohuar se tubimi do të mbahet edhe pse pushteti përmes kryeqytetit tentojë të ndalojë atë. Knezheviq në kumtesën për media ka theksuar se Lëvizja i ka paraqitur Drejtorisë së policisë mbajtjen e tubimit. “Mirëpo, ne nga kryeqyteti kemi marrë informatë se ata nuk mund të japin leje për vendosjen e binës dhe video bimit përmes të cilit kam planifikuar të flasë dhe të njoftoj me informacione të cilat i posedoj për Prokurorin kryesorë të shtetit”, ka thënë Knezheviq. Ai ka sqaruar se atyre u është thënë se edhe dikush tjetër ka paraqit tubim dhe se njëri nga organizatorët duhet të tërhiqet për ti mundësuar atij tjetrit mbajtjen e tubimit.

Mali i Zi e përkrah Maqedoninë e Veriut për anëtarsim në NATO

Anëtarsimi i plotë i Maqedonisë së Veriut në Aleancën e NATO-s, do të përforcojë aspiratat për ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon, është vlerësuar në bisedimet e përfaqësuesve të Ministrisë malazeze të mbrojtjes me kolegët maqedonas. Siç është kumtuar nga Ministria e mbrojtjes, drejtorët e përgjithshëm të Drejtorive për politikën e planifikimit të mbrojtjes dhe resurset njerëzore, Ivica Ivanoviq dhe Mihaillo Vollkov kanë biseduar sot në Shkup me sekretarin shtetërorë në Ministrinë e mbrojtjes të Maqedonisë së Veriut, Dragan Nikolliq. Gjatë këtij takimi është vlerësuar se këto dy shtete si aleate në kuadër të Aleancës do të mund të zhvillojnë më intensivisht bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.  

  

Shteti ka plotësuar rreth 74% të obligimeve

Për tremujorin e parë të këtij viti, Qeveria e Malit të Zi nga 72 obligime të përcaktuara deri tani i ka plotësuar 53 prej tyre, që paraqesin 74% të obligimeve, thuhet në Raportin për realizimin e obligimeve të marra sipas Programit të anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian për periudhën 2019- 2020, të cilin e miratoi Qeveria e Malit të Zi. Në dokumentin voluminoz thuhet se nga 40 ligje dhe akte nënligjore, janë plotësuar 28, që do të thotë 70% prej tyre, si dhe nga 32 dokumente strategjike, janë plotësuar 25, që do të thotë 78%. Realizimin e plotë, pra 100% e kanë kryer disa Ministri, si ajo e për punë dhe kujdesin social, pastaj Ministria e komunikacionit dhe detarisë, Ministria e shëndetësisë, Ministria për punë të brendshme si dhe disa institucione tjera si Komisioni për tregun e kapitalit dhe Banka Qendrore e Malit të Zi. Programi i anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian për periudhën 2019- 2020, është miratuar nga Qeveria në fund të janarit të këtij viti, dhe paraqet dokumentin strategjik që përfshin 33 kapituj bashkëbisedues. Zyra për integrimet evropiane, në bashkëpunim me strukturën bashkëbiseduese, është e obliguar që në tre muaj të hartojë raportin për realizimin e obligimeve të parapara me Programin për anëtarësim.

Maturantët të orientohen për profesione deficitare

Maturantët duhet të jen të kujdesshëm në zgjedhjen e drejtimit të ardhshëm të shkollimit dhe të përzgjedhin profesione të cilat në epokën moderne janë të kërkuara dhe deficitare, është porositë nga manifestimi, “Dita e dyerve të hapura”. Qendra e karrierës e Universitetit të Malit të Zi në bashkëpunim me Parlamentin studentorë ka organizuar ditën e dyerve të hapura, dedikuar parësisht maturantëve të shkollave të mesme në Mal të Zi. Maturantët dhe studentët, përveç programeve të studimit, në ditën e dyerve të hapura mund të njoftohen me stipendimin nga vendet e jashtme dhe të marrin informata drejtpërdrejtë nga ambasadat e atyre vendeve në Mal të Zi. 

 

Të martën pagesa e depozitave të garantuar nga Atllas Banka

Pagesa e depozitave të garantuara në Atlas Banka  me masa të falimentimit, sipas të gjitha gjasave do të fillojë të martën, ka thënë për Radion e Malit të Zi drejtori i Fondit për mbrojtjen e depozitave Predrag Markoviq. Vendimi përfundimtar mbi këtë do të dihet të hënën. Shumën e garantuar depozituesit do të mund ta marrin në 4 banka të Malit të Zi, gjegjësisht në Bankën Komerciale Malazeze, Soshiete Zheneral, Bankën Hipotekare dhe Bankën NLB. Afati i fundit për fillimin e pagesës është 30 prilli.  Meqenëse kjo datë bie midis dy festave, ne do të përpiqemi pagesën ta fillojmë disa ditë më herët. Depozitat e garantuara në Atlas Bankë janë 89 milionë euro, rreth 93 mijë depozitues, nga të cilët pothuajse 89 mijë prej tyre u takon e drejta për marrjen e depozitimeve të garantuara, ka thënë Markoviq.

 

“Reporterët pa kufij”, rënie të pozitës së Malit të Zi

Mali i Zi këtë vit ka rënë një pozicion kur është në pyetje liria e medieve dhe gjendet në vendin e 104-të nga 180 vende, ka treguar hulumtimi i Reporterëve pa kufij. Siç theksohet, Bashkimi Evropian dhe Ballkani shënojnë përkeqësimin e dytë më të madh në media në rezultatin rajonal, gjegjësisht 1.7 përqind. Ky është rajon në të cilin liria e medieve respektohet më së shumti, por gazetarët janë të ekspozuar me kërcënime serioze, thuhet në raport. Nga vendet e ish Jugosllavisë, më së miri është klasifikuar Sllovenia, në vendin e 34. Bosnja Hercegovina ka marrë pozicionin e 63, kurse Kroacia në të 64-tin. Serbia është në vendin e 90, kurse Maqedonia e Veriut në pozitën e 95-të.

 

Sekuestrohen gjysëm tone duhan kontrabandë

Zyrtarët policorë kanë sekuestruar pothuajse një gjysmë tone duhan të grirë dhe kanë arrestuar banorin e Podgoricës, 34 vjeçarin me inicialet M.N., për shkak të dyshimit se ka konsumuar veprën penale të tregtisë së palejueshme. Siç është kumtuar nga Drejtoria e Policisë, zyrtarët e sektorit të sigurisë në Tuz, duke vepruar në bazë të informacioneve operative se nga territori i Shqipërisë po trafikohet duhani i grirë, e kanë vizituar rajonin e kanionit të Cemit. Me këtë rast ata kanë vërejtur personin, i cili në një automjet, jo larg kufirit me Shqipërinë, po paketon thasë të mëdhenj dhe po i çon drejt një objekti. Zyrtarët policorë kanë vërejtur se bëhet fjalë për qytetarin e Podgoricës me inicialet M.N., thuhet në kumtesë. Theksohet se me kontrollimin e shtëpisë dhe objekteve ndihmëse, zyrtarët policor kanë gjetur dhe sekuestruar 24 pako të mëdha, në të cilat gjendeshin 476 kilogramë duhan. Përpunimi kriminalistik çon në dyshim se duhani i gjetur është trafikuar nga territori i Shqipërisë, është thënë nga policia. 

 

Në prag të takimit të Berlinit – debate në Kosovë e Serbi

Me ftesë të kancelares gjermane, Angela Merkel dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron, më 29 prill në Berlin do të mbahet një takim i vendeve të Ballkanit, që do të shënojë edhe rastin e parë të takimit të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë që nga nëntori i vitit të kaluar. E përditshmja austriake, “Der Standard”, shkruan se sipas diplomatëve “qëllimi i takimit është që të varroset ideja për shkëmbim territoresh” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në Beograd, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se pret që në Berlin të ndodhet nën trysni për të njohur pavarësinë e Kosovës dhe që “Serbia të mos fitojë asgjë”. Ai tha se pret bisedime të vështira me përfaqësuesit shqiptarë dhe aspak të lehta me presidentin Macron dhe kancelarin Merkel, por “nuk ka të bëjë asgjë me ndonjë zgjidhje për Kosovën. Organizatorët nuk kanë dhënë ndonjë hollësi rreth synimeve të takimit, ndërsa tashmë janë shtuar debatet se çfarë në fakt synon Berlini dhe çfarë peshe do të ketë ai takim për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.  Në Prishtinë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të mërkurën se “takimi i Berlinit do të jetë vazhdimësi e interesimit të Gjermanisë dhe Francës për Kosovën dhe rajonin”. Por, ai theksoi se “bazuar në konsultat që ka zhvilluar, nuk do të ketë asnjë plan që do të propozohet për marrëveshjen Kosovë-Serbi. Për më tepër, nuk ka asnjë agjendë të fshehtë prapa këtij takimi, tha Thaçi.  Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se nuk ka informata për një propozim që mund të shfaqet në takimin e Berlinit, të cilin e vlerësoi të rëndësishëm, ndërsa nënvizoi se nuk është “i mandatuar me negociua marrëveshje me Serbinë sepse Parlamenti ka mandatuar delegacionin shtetëror, platformën”. Të dyja palët shkojnë në Berlin nën hijen e tensioneve të larta mes tyre që çuan në pezullimin e bisedimeve që nga nëntori i vitit të kaluar. Beogradi kushtëzon vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe që qeveria e Kosovës i vendosi pesë muaj më parë për t’ju kundërvënë fushatës së Serbisë kundër pavarësisë së saj.

Evropa ia ka borxh Kosovës liberalizimin e vizave

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka thënë se Evropa ia ka borxh Kosovës liberalizmin e vizave. Kreu u ekzekutivit kosovar po ashtu tha se për këtë çështje do të flas edhe në Samitin e Berlinit me dy udhëheqësit kryesorë, Angela Merkel dhe Emmanuel Macron. “Samiti i Berlinit është një mundësi e mirë dhe një tavolinë e përbashkët e Ballkanit Perëndimor dhe Kosova e ka perspektiven evropiane dhe për mua ka shumë rëndësi se Evropa e ka një borxh ndaj Kosovës, pra liberalizimin e vizave dhe vendimi ende nuk është marrë. Aty janë udhëheqësit kryesor si Merkel dhe Macron, shpresoj që të kam mundësi t’ua rikujtoj këtë borxh”, ka thënë Haradinaj.

 

Pikat e përbashkëta kufitare Shqipëri- Kosovë

Kuvendi i Shqipërisë pritet të ratifikojë sot marrëveshjen me Kosovën për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar. Marrëveshja u prezantua nga Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj sipas të cilit, ajo parashikon që nga 2 kontrolle që zhvilloheshin në kufirin Shqipëri-Kosovë, tani të zhvillohet vetëm 1 kontroll dhe i aplikuar për 6 milionë qytetarë në vit. Lleshaj shtoi se kjo marrëveshje ofron lehtësi të mëdha dhe përmirëson regjimin e kontrollit të kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Iniciativa për të sjellë këtë ligj në parlament, sipas Ministrit të Brendshëm, merret në kuadër të angazhimeve të përbashkëta të qeverive për të lehtësuar procedurat dhe masat në menaxhimin dhe kontrollin e qarkullimit në pikat kufitare të vendit. Lleshaj nënvizoi vullnetin e dy vendeve për të thelluar më tej bashkëpunimin dhe për të  përmirësuar infrastrukturën e përgjithshme të transportit në nivel rajonal dhe evropian.

Në zgjedhje vetëm nëse krijohen kushtet që ato të jenë të lira

 Kryesia e Partisë Demokratike e Shqipërisë vendosi sot t’i propozojë Këshillit Kombëtar që Partia Demokratike e Shqipërisë të regjistrohet në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sipas Kryesisë së PD, kriza e rëndë politike në vend, nuk mundëson standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sipas vendimit të Kryesisë, është provuar se qeveria e Edi Ramës ka bashkëpunuar me krimin e organizuar për blerjen e votave. Po ashtu Kryesia e PD vendosi t’i propozojë Këshillit Kombëtar që Partia Demokratike e Shqipërisë angazhohet në mbrojtje të demokracisë dhe të drejtës së votës së lirë të mos lejojë përveç zgjedhjeve të lira asnjë farsë elektorale; të pamundësojë përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar dhe qytetar, mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, të diktuara nga krimi i organizuar dhe paratë e pista që shkatërrojnë demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Kryesia i kërkon gjithashtu Këshillit Kombëtar që të mandatojë Kryetarin e Partisë dhe Sekretarin e Përgjithshëm për të negociuar me partitë politike të opozitës marrëveshjen për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për mbrojtjen e interesit publik dhe aksionin opozitar për plotësimin e këtyre objektivave, përfshirë, mandatin dhe detyrat e qeverisë tranzitore dhe platformën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

  

Gara presidenciale e Blerim Rekës

Fushata parazgjedhore për kryetar shteti ka filluar më 1 prill, ndërsa kandidatët të cilët synojnë të udhëheqin me shtetin edhe gjatë ditës së djeshme kanë vazhduar aktivitetet e tyre. Blerim Reka, Gordana Siljanovska dhe Stevo Pendarovski dje kanë realizuar takime me qytetarët nëpër vende të ndryshme. Nëse nuk arrihet cenzusi i nevojshëm për zgjedhje të presidentit në zgjedhjet e ardhshme, ekzistojnë dy mundësi – shefi i shtetit të zgjidhet drejtpërdrejtë nga qytetarët pa shumicë të nevojshme në rrethin e dytë apo të zgjidhet në Kuvend. Këtë e deklaroi sot ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, e pyetur nëse po mendohet për ndryshim të Kushtetutës në pjesën e zgjedhjes së presidentit nëse nuk arrihet dalja e nevojshme në zgjedhje që duhet të mbahen më 21 prill dhe 5 maj. Kandidati në zgjedhjet presidenciale të Maqedonisë së Veriut, Blerim Reka thotë se ka hyrë në garë për të bërë ndryshime dhe jo për realizuar apo për të prishur politikat e dikujt tjetër. Reka është i bindur në fitore, por thotë se nuk ka ndër mend të bëjë tregëti me votat e tij nëse nuk kalon në balotazh.  Ndryshe, kandidatët për kryetar shteti edhe gjatë ditës sotme do të vazhdojnë aktivitetet në fushatën parazgjedhore, kurse rrethi i parë i  zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 21 prill.

Aksident me autobus, vdesin 28 udhëtarë

Nga një aksident i autobusit me turistë në ishullin Madeira në Portugali kanë mbetur të vdekur 28 persona, njoftuan zyrtarët. Shumica e viktimave ishin turistë gjermanë. Autobusi, me të cilin po udhëtonin 55 persona, doli nga rruga dhe u rrokullis nga një kodër. Televizioni lokal tregoi se trupat e viktimave ishin shpërndarë mbi kodrën pranë Oqeanit Atlantik. Banorët thanë se moti ishte i mirë në kohën e aksidentit ndërsa autoritetet e sigurisë njoftuan se po hetojnë shkakun e mundshëm të aksidentit. Madeira është një destinacion i njohur për turistët evropianë. Kancelarja gjermane, Angela Merkel shprehu ngushëllimet e saj për viktimat e aksidentit në ishullin portugez të Madeiras, ku 29 persona humbën jetën, shumica prej të cilëve se ishin nga Gjermania. “Me trishtim dhe tronditje shpreh ngushëllimet e mia të përzemërta për bashkatdhetarët tanë si dhe të gjithë ata që u prekën nga aksidenti i tmerrshëm i autobusit në Madeira”, theksoi Merkel në një deklaratë.

 

Netanyahut i jepet mandati për formimin e qeverisë izraelite

Presidenti i Izraelit, Reuven Rivlin, e ka mandatuar edhe zyrtarisht, Benjamin Netanjahun, për një mandat të pestë me radhë si kryeministër. Partia Likud e kryeministrit Netanyahu fitoi zgjedhjet e përgjithshme në Izrael që u mbajtën më 9 prill. Pas mandatit, Netanjahu ka afat 42 ditë për të formuar koalicionin qeverisës. Presidenti Rivlin, këtë javë, organizoi konsultime pas-zgjedhore me krerët e partive, për të dëgjuar rekomandimet e tyre, lidhur me atë se kush duhet të mandatohet si kryeministër i ardhshëm. Aleatët e Netanjahut, të cilët kryesojnë një shumicë prej 65 deputetë në parlamentin me 120 vende, të gjithë i dhanë mbështetje Netanjahut që të vazhdojë punën si kryeministër. Në javët e ardhshme, Netanjahu do të duhet të negociojë marrëveshje koalicioni me aleatët e krahut të djathtë, të cilët do të kërkojnë pozita të fuqishme dhe me ndikim në kabinetin e ri qeveritar.

Plani i paqes për Lindjen e Mesme të pranohet me "mendje të hapur", thotë Kushner

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner u bëri thirrje një grupi të ambasadorëve që të mbajnë “mendjen e hapur” lidhur planin e paqes për Lindjen e Mesme të cilin pritet ta paraqesë presidenti i SHBA-së, Donald Trump. Kushner ka thënë se propozimi do të kërkojë kompromise prej të dyja palëve në Lindjen e Mesme, kanë bërë të ditura burime të cilat e kanë dëgjuar fjalimin e tij. Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se plani do të bëhet publik pasi të formohet qeveria e re në Izrael, si dhe pas përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit në fillim të qershorit. Plani i paqes do të ketë dy pjesë kryesore: pjesën politike që do të adresojë thelbin e çështjeve politike siç është statusi i Jerusalemit, dhe pjesën ekonomike e cila ka për qëllim ndihmën për palestinezët në mënyrë që të fuqizojnë ekonominë. Mbetet e paqartë nëse plani do të propozojë krijimin e një shteti palestinez, kërkesë kjo kryesore e palestinezëve.

 

Këshilltarja e Trumpit zhvillon bisedime në Moskë

Fiona Hill, këshilltarja e presidentit amerikan, Donald Trump ka udhëtuar në Rusi për të zhvilluar negociata me zyrtarë rusë, ka njoftuar zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.  Hilla ka zhvilluar disa bisedime dje në Moskë me disa zyrtarë rusë, duke përfshirë ndihmësin e Kremlinit, Yuri Ushakov, ka thënë Peskov.  Hill është drejtore për Çështjet evropiane dhe ato ruse në Këshillin amerikan për Siguri Kombëtare. Peskov ka thënë se Hill dhe zyrtarët rusë kanë diskutuar çështje bilaterale dhe jo për ndonjë takim të mundshëm në mes të presidentit rus, Vladimir Putin dhe homologut të tij amerikan, transmeton REL. Ky lajm ka ardhur në ditën kur Departamenti amerikan i Drejtësisë pritet të publikojë një version të redaktuar të raportit të Këshilltarit Special, Robert Mueller lidhur me hetimet që ka zhvilluar ai për ndonjë ndërhyrje të mundshme ruse në fushatën e Trumpit. Moska ka mohuar të ketë pasur ndonjë rol derisa Peskov ka deklaruar më 18 prill se raporti nuk është i rëndësishëm.

  

Vatër e dijes dhe edukimit të gjeneratave të shumta nga këto treva

Shkolla fillore, “Mahmut Lekiq”, në Tuz, shënoi sot 18 prillin Ditën e kësaj shkolle. Në praninë e nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve, drejtori  Rexhep Gjokaj, rikujtoi se ky institucion edukativo-arsimor, ka një traditë të gjatë në arsimimin dhe edukimin e gjeneratave të shumta nga këto treva dhe më gjerë. Përveç realizimit të plan-programit mësimor,  trupi punues dhe nxënësit e  shkollës, janë të kyçur edhe në aktivitete  tjera të ndryshme duke u dalluar për suksese të shumta në fusha të ndryshme, përkujtoi drejtori Gjokaj, duke i porositur nxënësit që të shfrytëzojnë maksimalisht kohën për të mësuar me qëllim të arritjes së rezultateve edhe më të mira. Ai, po ashtu, përkujtoi se ditën e shkollës e shënojnë në mënyrë modeste pasi nga fillimi i këtij viti shkollor, fatkeqësisht, dy mësimdhënës të kësaj shkolle u ndanë nga jeta.  Të rikujtojmë se shkolla nëntëvjeçare “Mahmut Lekiq”, në Tuz, numëron rreth 1.200  nxënës dhe është ndër shkollat më të mëdha në Mal të Zi, në të cilën mësimi zhvillohet në dy gjuhë; shqipe dhe në gjuhën malazeze. Përveç shkollës amë,  procesi mësimor  zhvillohet edhe në tri paralele të shpërndara ; në Milesh, Vukasanlekaj dhe në Sukruq. Drejtuesit e shkollës, po ashtu veçuan kushtet e mira të mësimit pasi objekti shkollor në Tuz është ndërtuar para disa viteve dhe është në gjendje të mirë për realizimin e procesit mësimor.  Solemniteti i sotëm më pas vazhdoi me një program mjaft të pasur kulturo-zbavitës, të përgatitur nga nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle.

përgatiti, Gjokë Dukaj, gazetar i RTMZ

 

Hapet Qendra më e madhe tregtare në Ulqin

Sot në Ulqin solemnisht u hap qendra   më e madhe  tregtare në këtë qytet, “Cungu Kompani” në sipërfaqe prej 5.000 metër katrorë, në hyrje të qytetit.  në të cilin janë investuar mbi 2 milionë euro.     “Kjo qendër tregtare ofron për  secilin nga diçka. Nga brendet më të njohura botërore të kompanisë “Cakan”, “Flo”, “OVS” , “Kidslend”,  shitorja me aparate shtëpiake  dhe nevoja të tjera në amvisëri e hotelieri,  deri tek këndi i vogël i lojërave për fëmijë, restoranti, lavazhi, 150 vendparkime, etj. u ofron  klientëve të vet”, u tha mediave të pranishme pronari i kompanisë Nazif Cungu. Sipas fjalëve të tij në këtë qendër të re tregtare punojnë 80 punëtorë.

përgatiti Gjekë Gjonaj, gazetar

 

Nesër mot i ndryshueshëm

Sot mban mot me vranësira mesatare, në veri deri krejt i vranët dhe i thatë. Fryn erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e veriut dhe verilindjes. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Podgoricë, Tivar e Ulqin 21 gradë,  Herceg Novi e Budvë 20, Cetinë 15, Nikshiq 14, Beranë e Bijello Pole 13, Kollashin 11, Plevle 10, Rozhajë 9 dhe në Zhablak 2 gradë.

Për nesër në viset jugore dhe qendrore parashihet mot i kthjellët, me zhvillim të vranësirave të dobëta deri mesatare, kurse në veri me vranësira të ndryshueshme dhe me intervale me diell. Do të fryjë erë e mesme deri e fortë nga drejtimet e veriut. Temperatura e mëngjesit prej do të jetë -2 deri në 11, kurse më e larta e ditës prej 9 deri në 24 gradë.

 

Komentari 0

ostavi komentar

Ostavi komentar

Pravila komentarisanja sadržaja Portala RTCG
Poštujući načelo demokratičnosti, kao i pravo građana da slobodno i kritički iznose mišljenje o pojavama, procesima, događajima i ličnostima, u cilju razvijanja kulture javnog dijaloga, na Portalu nijesu dozvoljeni komentari koji vrijeđaju dostojanstvo ličnosti ili sadrže prijetnje, govor mržnje, neprovjerene optužbe, kao i rasističke poruke. Nijesu dozvoljeni ni komentari kojima se narušava nacionalna, vjerska i rodna ravnopravnost ili podstiče mržnja prema LGBT populaciji. Neće biti objavljeni ni komentari pisani velikim slovima i obimni "copy/paste" sadrzaji knjiga i publikacija.Zadržavamo pravo kraćenja komentara.

Da biste komentarisali vijesti pod vašim imenom

Ulogujte se