Žabljak
Pretežno oblačno
10.0 °C
Pljevlja
Pretežno oblačno
17.0 °C
Herceg Novi
Pretežno oblačno
19.9 °C
Nikšić
Pretežno oblačno
14.1 °C
Cetinje
Pretežno oblačno
15.1 °C
Bar
Pretežno oblačno
19.6 °C
Podgorica
Pretežno oblačno
20.5 °C
Ulcinj
Pretežno oblačno
18.7 °C
Kolašin
Pretežno oblačno
11.5 °C

Lajmet

22. 04. 2019.   >>  18:17 0

Lajmet 22.04.2019

22.04.2019

Sot dita e dytë e Pashkëve katolike

Besimtarët e konfesionit katolik sot festojnë ditën e dytë të pashkëve, festë kjo e cila cilësohet si një nga festat me te rëndësishme nga besimtaret, sepse Krishti rikthehet përsëri ne jete. Pashkët është kremtimi i ringjalljes se Jezusit, e cila festohet tri dite pas vdekjes se tij ne kryq. Në përgëzimet e rastit, udhëheqësit politikë e fetarë, kanë vënë theksin në përpjekjet për ruajtjen e paqes, tolerancës dhe pajtimit mes njerëzve.  Besimtarët katolikë të Komunës së Ulqinit nga e premtja e kaluar po festojnë festën e ringjalljes së Krishtit - Pashkët. Në këtë atmosferë feste, prijësit fetarë kanë bërë thirrje për të forcuar gjithnjë e më shumë harmoninë dhe dashurinë në mes njerëzve. Edhe këtë vit si vitet e tëra me radhë festa e madhe e Pashkëve në Malësi u festua në mënyrë madhështore dhe në nivel. Këtë ma së mirë me sjelljet e vetë janë duke e dëshmuan besimtarët të cilët kohë pas kohe po tregojnë se vetëm dashuria dhe respekti ndaj krijuesit dhe njëri tjetrit mund ta shpëtojnë botën nga e keqja. Në emër të Redaksisë së Radios në gjuhën shqipe, shprehim urimet më të përzemërta të gjithë besimtarëve katolik, për Festën e Pashkëve. Kjo festë të na forcojë edhe më shumë besimin dhe dëshirën për mirësi, paqe, dashuri dhe harmoni në mes të njerëzve pa dallime. Duke e vlerësuar lart këtë ditë festive, Festa e Pashkëve Katolike le të shërbejë si ditë e cila na afron të gjithëve, ditë e tolerancës fetare dhe mirëkuptimit ndaj njëri tjetrit. Gëzuar për shumë mot.

 

Turizmi merr hov, kontribuon edhe Llushtica

Turizmi në Mal të Zi po merr hov, çdo ditë kemi gjithnjë e më tepër turistë, kurse kontribut të madh në rezultatet e mira japin investuesit dhe projektet siç është "Llushtica Bay", është kumtuar nga takimi i kryeministrit Dushko Markoviq me delegacionin e Orascom Development, të kryesuar me drejtorin ekzekutiv, Helled Bishara. "Turizmi është në ekspansion. Kemi pasur një sezon të mirë dimërorë dhe mund të themi se sezoni veror ka filluar diçka më herët. Sipas të dhënave më të reja, momentalisht në Mal të Zi janë 29% më tepër turistë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar", ka theksuar kryeministri Markoviq. Ai është shprehur i kënaqur me zhvillimin e rizortit dhe me dinamikën e punimeve, duke vlerësuar se Llushtica dhe rizortet tjera të mëdha në bregdet i japin cilësi të re ofertës turistike. Bishara është falënderuar në përkrahjen e vazhdueshme të Qeverisë, duke shtuar se në mungesë të këtij projekti nuk do të mund të ketë zhvillim të suksesshëm. Gjatë takimit është biseduar edhe për çështje të rëndësishme për dinamizmin e punimeve në riziortin "Llushtica Bay", i cili është pronësi e Orascom Development-it.

EBRD e gatshme të ndihmojë fazën e dytë të autostradës

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) pas studimit të zbatueshmërisë, do të sjellë vendimin për bashkëfinancimin e aksit të autostradës Mateshevë- Andrijevicë. Këtë për Televizionin e Malit të Zi e ka deklaruar kryetari i këtij Institucioni, Suma Çakrabarti. Ai ka theksuar se janë të gatshëm të financojnë koncesionarin e ardhshëm, Aeroportet e Malit të Zi. Banka Evropiane i përkrah përpjekjet e Qeverisë që të përmirësojë ambientin për biznes dhe investime. Megjithatë duhet zvogëluar ekonomia informale dhe për këtë arsye nevojitet edhe ulja e tatimeve të cilat Çakrabarti i konsideron të larta. Pjesa e parë e autostradës është duke u përfunduar, kurse përgatitjet për pjesën tjetër janë në vazhdim. Duke pasur parasysh se Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim investon shumë në zhvillimin e infrastrukturës rrugore, Çakrabarti ka theksuar se në fokusin e tyre janë edhe Aeroportet e Malit të Zi. "Jemi të gatshëm të shqyrtojmë financimin e fituesit në tender të cilit do ti ndahen koncesionet për Aeroportet e Malit të Zi", ka theksuar ai.

 

Pa ndonjë shkak të mirë për Qeverinë kalimtare

Nuk ekziston asnjë shkak i mirë për formimin e Qeverisë kalimtare të cilën e kërkon opozita, koalicioni në pushtet është stabil, kurse të gjitha qëllimet politike dhe ekonomike realizohen brenda afateve të parapara, ka deklaruar për gazetën "Pobjeda", deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve, Predrag Sekuliq. Pasi që opozita dhe Lëvizja "Rezisto" kërkojnë Qeverinë kalimtare, e cila do të përgatis kushtet për zgjedhje të ndershme, Sekuliq ka theksuar se kjo është moto tani më e njohur e cila përsëritet pas të gjitha zgjedhjeve parlamentare ose presidenciale. Në pyetjen nëse Këshilli i Kuvendit për legjislaturën e re zgjedhore do të vazhdojë punën edhe nëse opozita e bojkoton atë, Sekuliq ka shtuar se Këshilli e ka dinamikën e vet të punës dhe nuk varet nga prania e kolegëve nga opozita. Ai beson se megjithatë Këshillit së shpejti do ti bashkohen edhe kolegët nga partitë opozitare.

Takim i ri i opozitës dhe Lëvizjes "Rezisto"

Në Podgoricë sot do të mbahet takimi i ri i liderëve të opozitës dhe Lëvizjes "Rezisto". Mikpritës i takimit të sotëm është Partia Socialiste popullore, kurse para disa ditëve ishte Partia Socialdemokratike. Përndryshe, protestat e deritashme janë treguar si të frytshme, por edhe kanë pasur mangësi të caktuara, konsideron njëri nga liderët e opozitës, Branko Radulloviq. "Që të arrihet qëllimi, duhet të vendosen zgjidhje të pranueshme dhe disa caktohen prioritetet, më qëllim që të arrihet qëllimi i vetëm historik", siç thotë Radulloviq, "Mali i Zi i lirë". Interesi publik duhet të jetë interes i të gjithëve, u shpreh ai, duke shtuar se bashkimi dhe pajtimi duhet të jenë principet themelore të veprimtarisë së përbashkët.

Prokuroria nis procedurën kundër pesë personave

Prokuroria speciale e ka nisur procedurën kundër pesë personave, pasi që janë gjetur 60 kg kokainë në anien shkollore, "Jadran" të Marinës së Ushtrisë së Malit të Zi. Prokurosi Sasha Çagjenoviq ka deklaruar në konferencën për gazetarët se është nisur procedurave kundër pesë personave, tre prej të cilëve janë arrestuar, kurse dy të tjerë janë në kërkim. Koloneli Aleksandër Pantoviq ka theksuar se ky rast ka treguar se çdo përpjekje që kriminaliteti të infiltrohet në Ushtri, do të mbetet vetëm përpjekje. Prokurosi kryesorë special, Millivoje Katniq ka theksuar se Prokuroria dhe Drejtoria e policisë në bashkëpunim me Shërbimet e Ministrisë së mbrojtjes para disa muajsh kanë filluar grumbullimin e të dhënave për grupin i cili merret me shitjen e drogës me përmasa ndërkombëtare.

 

Shukoviq kandidat për shef të Misionit të përhershëm pranë OSBE-së

Veselin Shukoviq është kandidat për ambasador të Malit të Zi, shef i Misionit të përhershëm pranë OSBE-së dhe në Agjencitë e specializuara të OKB-së mbi baza rezidenciale, me seli në Vjenë. Për këtë propozim të Qeverisë mendimin e vet do ta japin nesër anëtarët e Këshillit për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe mërgimtarët. Në bazë të Kushtetutës, ambasadorët i emëron presidenti i Malit të Zinë bazë të propozimit të Qeverisë dhe në bazë të mendimit të Këshillit kompetent parlamentarë.

 

Ka rënë papunësia

Në Mal të Zi gjatë kësaj jave janë 37,85 mijë të papunësuar, ose 0,6% më pak krahasuar me javën paraprake, është kumtuar nga Enti për punësim. Shkalla e papunësisë, sipas raportit të Entit për punësim, ka rënë nga 16,41, sa që ishte në javën e kaluar, në 16,32%. Ky Ent prej fillimit të vitit ka evidentuar 2,91 mijë të papunësuar. Nga fillimi i këtij viti janë shpallur 9,32 mijë vende të lira të punës. Drejtori i Entit për punësim të Malit të Zi, Sulo Mustafiq dhe përfaqësuesit e 98 firmave kanë nënshkruar sot kontratën në bazë të së cilës në kohë të caktuar pune do të punësohen 529 të papunësuar, 60 prej të cilëve i takojnë grupit të njerëzve që punësohen me vështirësi.

 

Takimi në Berlin, përgatitja e terrenit dhe mundësia e ndryshimit të formatit të dialogut

Në Berlin më 29 prill do të takohen zyrtarë të lartë shtetëror të Kosovës dhe Serbisë, ku më së paku pritet krijimi i rrethanave për vazhdimin e dialogut, e më së tepërmi një datë për vazhdimin e tij, shkruan portali serb “Blic”. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel kanë ftuar takimin në të cilin Serbia do të përfaqësohet nga presidenti Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrja, Ana Bërnabiq. Të ftuar janë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj derisa është paralajmëruar se një nga temat do të jetë edhe dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama së bashku me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviq,  përfaqësuesin e Bosnjës e Hercegovinës, Denis Zvizdiq dhe kryeministrin slloven, Marjan Sharec, po ashtu janë në mesin e të ftuarve. Në këtë moment nuk ka njoftime nëse pas takimit në Berlin mund të ndodhë ndryshimi i formatit të dialogut. Përmendet se në skenë mund të shfaqet SHBA-ja, por edhe Rusia. Zyrtarë serbë disa herë kanë insistuar që në “lojë” të hyjë edhe Moska nëse SHBA-të marrin rol kryesor. Nëse shikojmë nga e kaluara, nuk do të jetë e vështirë të nxirret një përfundim se na presin edhe takime të tjera të ngjashme.

Kërkohet Gjykatë Speciale për krimet serbe

Gjykatë Speciale, e njëjtë sikur ajo që është formuar për Kosovën do t’i kërkohet edhe Serbisë. Kjo parashihet në Platformën e Delegacionit Shtetëror të Kosovës për bisedime me Serbinë. Një gjë të tillë e ka thënë në zëvendëskryeministri njëherësh anëtar i këtij ekipi, Dardan Gashi. Zëvendëskryeministri kosovar thotë se nëse për Kosovën është bërë një gjë e tillë, pse të mos formohet Specialja edhe për Serbinë, kur dihet se ka kryer gjenocid në Kosovë. Gashi e ka pranuar se dialogu ka mbetur i bllokuar për shkak të kërkesës së Serbisë për heqjen e taksës. Por ai shton se Serbia vazhdon të ketë kërkesa karshi Kosovës, sipas tij, edhe po të hiqet taksa do të kërkojnë të tjera kushte. Këtë vendim të Qeverisë së Kosovës për mallrat e Serbisë, Gashi nuk e sheh të nevojshme të ndryshohet, vetëm pse po kërkon Serbia. Sipas tij, Kosova është e gatshme për dialog dhe ka kusht njohjen ndërmjet dy shteteve. Ekipi Negociator dhe Platforma për Dialogun nuk është mbështetur nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Si parti opozitare, këtij ekipi i është bashkuar Partia Socialdemokrate, ku bashkëkryesues i delegacionit është kreu i kësaj partie, Shpend Ahmeti.

Me pranim në Këshillin e Europës, Kosova rrezikon falimentimin

Me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, qytetarëve iu hapet rruga të ankohen në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg. Nëse llogariten vetëm rastet aktuale në procedura gjyqësore, sipas Avokatit të Popullit Hilmi Jashari, kompensimi që shteti i Kosovës do të duhej t’iu paguante qytetarëve, mund të arrijë në qindra milionë euro. Juristi Anton Nrecaj thotë se kompensimet mund të jenë aq të mëdha sa që Kosova mund të falimentoj si shtet. Ankesa të vazhdueshme nga qytetarët për gjykim jo të drejtë, të pa-anshëm dhe në kohë të arsyeshme po shprehen edhe sot e kësaj dite, qe 20 vite. Nëse të gjithë vendosin të kërkojnë të drejtën e tyre të mohuar nga gjyqtarët kosovarë në Gjykatën e Strasburgut, Kosova mund të falimentojë si shtet, thotë Anton Nrecaj nga Qendra për Ndihmë Juridike "Clard". 

 

Pendarovski dhe Siljanovska në garë shumë të ngushtë për president

Rrethi i parë i djeshëm i zgjedhjeve presidenciale në Maqedonisë e Veriut, kaloi me jehonë më të ulët deri më tani të votuesve krahasuar me ciklin paraprak për shef të shtetit. Sipas të dhënave të fundit që i publikoi KSHZ-ja jehona në rrethin e parë të Zgjedhjeve presidenciale ka qenë 41,82 për qind apo në votim kanë dalë 755.816 qytetarë. Sipas rezultateve të publikuara të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, në bazë të 99.95% të votave të numëruara, kryeson kandidati i mbështetur nga partitë politike në pushtet Stevo Pendarovski me 42,84 për qind ose 323.783 vota të fituara, e dyta është kandidatja e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit Gordana Siljanovska- Davkova me 42,24 ose 319.201 vota, ndërsa i treti është kandidati i mbështetur nga Aleanca për Shqiptarët dhe Besa, Blerim Reka me 10,57 për qind ose 79.913 vota. Dallimi i ngushtë i votave në zgjedhjet për president të Maqedonisë së Veriut, prej më pak se një për qind, përkatësisht vetëm 4 mijë e 500 vota në mes dy kandidatëve që janë futur në balotazh, i ka shtyrë ata që në paraqitjen e parë pas shpalljes së rezultateve, të futen në garë për votat e shqiptarëve që votuan për kandidatin Blerim Reka, vota këto të cilat do të jenë vendimtare për përcaktimin e fituesit në zgjedhjet presidenciale. Rundi i dytë për zgjedhjen e presidentit të Maqedonisë së Veriut do të mbahet më 5 maj, ku do të përballen dy kandidatët që janë klasifikuar të parët në zgjedhje, Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska Davkova. Por, për tu zgjedhur njëri nga dy kandidatët president i Maqedonisë së Veriut, duhet të plotësohet kushti për daljen në zgjedhje të paktën 40 për qind e trupit elektoral, e që pa daljen e shqiptarëve në zgjedhje, kjo gjë vështirë është e realizueshme. Kjo është dhe arsyeja kryesore që garuesit i shtynë të motivojnë shqiptarët të dalin në zgjedhje. Ndërkohë që liderët e dy partive shqiptare që mbështetën kandidatin e pavarur, kanë theksuar se në asnjë mënyrë nuk do të lejojnë të bëhen pazare me 80 mijë votat e shqiptarëve. Procesi u vëzhgua nga rreth 3 mijë e 100 pjesëtarë të organizatave vendase dhe 419 vëzhgues të huaj, prej tyre më së shumti nga OSBE-ODIHR, ndërkohë që Ambasada amerikane pati 42 vëzhgues.

 

Ukraina zgjedh presidentin, humb Poroshenko

Komediani Volodymyr Zelensky do të jetë presidenti i ri i Ukrainës, pasi rezultatet tregojnë se 41-vjeçari është fitues i balotazhit që e vendosi atë përballë Petro Poroshenkos, i cili këmbëngulte për një mandat të dytë në këtë post. Sipas rezultateve  Zelenski ka marrë mbi 73% të mbështetjes, duke e lënë kështu shumë prapa rivalin e tij, me vetëm 24% mbështetje të votuesve. Aktori komik e dominoi qartazi dhe raundin e parë përpara tre javësh, kur në garë ishin 39 kandidatë. Presidenti në Ukrainë ka një pozicion mjaft të fuqishëm e vendos mbi politikat e sigurisë, mbrojtjes dhe atë të jashtme. Zelensky do të marrë frerët e vendit për 5 vitet e ardhshme. Edhe pse disa analistë e përshkruajnë Poroshenkon si presidentin më të mirë në historinë e Ukrainës, me arritje si marrëveshja e Asociimit me BE, heqja e vizave në hapësirën Shengen dhe pavarësia e Kishës Ortodokse Ukrainase, ai sërish nuk arriti t’i kapërcente problemet e korrupsionit. Poroshenko e pranoi humbjen pas rezultateve të para dhe tha se nuk do të largohet nga politika. 

 

Mbi 290 persona të vdekur nga sulmet në Shri Lankë

Të paktën 290 persona kanë vdekur në Shri Lankë, si pasojë e disa shpërthimeve në kisha dhe hotele luksoze, që kanë ndodhur mëngjesin e së dielës, teksa besimtarët kanë qenë duke kryer shërbimet për festën e Pashkëve. Policia ka thënë se 24 persona janë arrestuar, ndonëse nuk dihet se kush ka kryer sulmet. Përveç të vdekurve, rreth 500 persona të tjerë janë plagosur dhe dhjetëra të huaj janë në mesin e viktimave. Sulmet me bomba të ditës së diel, kanë shënuar incidentin më të përgjakshëm në Shri Lankë prej përfundimit të luftës civile më 2009. Kryeministri i këtij shteti, Ranil Wickremesinghe ka thënë se shërbimet e sigurisë kanë qenë të paralajmëruara për ndonjë sulm të mundshëm, mirëpo informacioni ka ardhur më vonë sesa sulmi. Në Shri Lankë vetëm shtatë për qind e popullsisë i takon besim të krishterë. Shumica e tyre janë budistë.

SHBA zhgënjehet pas anulimit të bisedimeve në Doha për Afganistanin

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka telefonuar presidentin afgan, Ashraf Ghani që të shprehë zhgënjimin e tij për shtyrjen e bisedimeve me talibanët dhe ka dënuar njoftimin e fundit të grupit kryengritës për fillim të “ofensivës pranverore”. Rreth 250 politikanë afganë dhe figura të shoqërisë civile ishte planifikuar që të takoheshin me negociatorët talibanë në Doha më 19 prill për të diskutuar situatën në Afganistan. Nëse do të realizohej, ky takim do të shënonte takimin e parë të talibanëve me Qeverinë e Kabulit në tavolinën e negociatave. Mirëpo takimet janë anuluar papritur më 18 prill, pas mosmarrëveshjeve rreth numrit dhe përbërjes së delegacionit afgan. Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë përmes një deklarate se Pompeo e ka telefonuar Ghanin më 21 prill për të dënuar njoftimin e talibanëve për nisjen e ofensivës së re në pranverë. Pompeo po ashtu ka thënë se bisedimet përbëjnë një mundësi të mirë për të avancuar në procesin e paqes.

Amerikanët performuan show-in akustik

Ata që ditën e djeshme pasdite e kaluan në Ulqin, në plazhin e vogël- Ranë, përveç motit të mirë, kishin mundësi të shijojnë edhe performancën e grupit muzikor “Wings of Dixie”, njofton portali Ul- info. Ky shou akustik ishte preludë i koncerteve të cilët ky grup do t’i ketë në disa qytete të Malit të Zi, duke përfshirë edhe atë i cili të martën do të mbahet në Tuz, në Qendrën Kulturore, me fillim në ora 20. Përndryshe, “Wings of Dixie” është pjesë e grupit muzikor të forcave ushtarake amerikane në Evropë. Përbëhet prej 8 anëtarësh, ndërsa në repertorin e tyre zënë vend rrymat muzikore si xhazi, bluzi, popi modern dhe hitet e muzikës rok.

 

Nesër mot i ndryshueshëm dhe jostabil

Në Mal të Zi sot po mban mot kryesisht me diell. Fryn erë e dobët deri mesatare, vende vende deri e fortë nga drejtimet e jugut. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Podgoricë, Beranë, Ulqin, Bijello Pole e Budvë 22 gradë, Tivar, Herceg Novi e Rozhajë 20, Plavë 18, Kollashin 17, Nikshiq 16, Cetinë 15 dhe në Zhablak 13 gradë.

Për nesër parashihet të mbajë mot i ndryshueshëm dhe jostabil, kohë pas kohe me reshje të shiut dhe bubullimë. Të reshura më të dendura priten gjatë orëve të pasdites dhe në mbrëmje. Do të fryjë erë mesatare deri e fortë nga drejtimet e jugut. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 3 deri në 14, kurse më e larta e ditës prej 10 deri në 23 gradë celsius.

 

Komentari 0

ostavi komentar

Ostavi komentar

Pravila komentarisanja sadržaja Portala RTCG
Poštujući načelo demokratičnosti, kao i pravo građana da slobodno i kritički iznose mišljenje o pojavama, procesima, događajima i ličnostima, u cilju razvijanja kulture javnog dijaloga, na Portalu nijesu dozvoljeni komentari koji vrijeđaju dostojanstvo ličnosti ili sadrže prijetnje, govor mržnje, neprovjerene optužbe, kao i rasističke poruke. Nijesu dozvoljeni ni komentari kojima se narušava nacionalna, vjerska i rodna ravnopravnost ili podstiče mržnja prema LGBT populaciji. Neće biti objavljeni ni komentari pisani velikim slovima i obimni "copy/paste" sadrzaji knjiga i publikacija.Zadržavamo pravo kraćenja komentara.

Da biste komentarisali vijesti pod vašim imenom

Ulogujte se