Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

13. 05. 2024. 00:00 >> 18:54

Ditari 13.05.2024

Përgatiti, Senad Gilaj

Oana Kristina Popa: Që nga janari ka ndodhur shumë në rrugën e Malit të Zi drejt BE-së

Zgjerimi është mjeti më i fortë gjeopolitik i Bashkimit Evropian, tha shefja e delegacionit evropian në Mal të Zi, Oana Kristina Popa, në takimin e nëntë të Konferencës së Komisioneve Parlamentare për Integrimin Evropian të vendeve të përfshira në Procesin e Stabilizim Asociimit të Evropës Juglindore. Ajoa vlerësoi se që nga janari ka ndodhur shumë në rrugën e Malit të Zi drejt Bashkimit. Ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, theksoi se synimi që Mali i Zi të jetë pjesë e Bashkimit Evropian në vitin 2028 nuk është një pamflet për përdorim të përditshëm, por një synim i përgatitur qartë. Dua të kërkoj nga të gjithë përfaqësuesit e pushtetit legjislativ që të kuptojnë rëndësinë e këtij momenti dhe të kapërcejmë së bashku mosmarrëveshjet ditore politike dhe të kuptojmë se sfida para nesh është e pakapërcyeshme nëse nuk jemi të bashkuar, tha ajo.

Festimi i Ditës së Evropës në Podgoricë përfundoi me “Festivalin e dritës”

Manifestimi i Ditës së Evropës në Podgoricë përfundoi me “Festivalin e dritës”, i cili u mbajt në kampusin e Universitetit të Malit të Zi. Nga shtëpia evropiane njoftuan se ky ishte festivali i parë i këtij lloji në Mal të Zi. Mësohet se ky festival, i cili është dhuratë nga delegacioni i Bashkimit Evropian në Podgoricë dhe Universiteti i Malit të Zi shënon edhe fundin e manifestimit të Ditës së Evropës në kryeqytet, ndërsa turneu evropian nëpër Mal të Zi është duke vazhduar.

Mali i Zi nikoqir i samitit të liderëve të Ballkanit perëndimor dhe BE-së më 16 maj

Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian do të mbahet të enjten më 16 maj në Kotorr gjatë të cilit liderët e vendeve të rajonit, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të diskutojë Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Siç njofton Qeveria e Malit të Zi, nikoqir i samitit do të jetë kryeministri Millojko Spajiq. Sipas Qeverisë, takimi i liderëve të rajonit, ku do të marrin pjesë komisioneri evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheli dhe ndihmëssekretari amerikan i shtetit për Evropë dhe Euroazinë, James O’Brien, është planifikuar paradite. Në këtë samit do të jenë, siç parlajmërohet edhe kryeministri I Shqipërisë, Edi Rama, ai i Kosovës, Albin Kurti dhe i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi. Samiti organizohet nën sloganin “Një rajon, vizion i përbashkët” ndërsa një ditë para Samitit do të mbahet takimi i ministrave të çështjeve evropiane dhe financave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfaqësuesve të Komisionit Evropian dhe organizatave partnere.

Millatoviq në Uashington me senatorë dhe kongresmenë

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, këtë javë do të qëndrojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të bisedojë me senatorë dhe kongresmenë të shumtë. Siç kanë njoftuar nga kabineti i Millatoviqit, duke marrë parasysh rëndësinë e SHBA-ve si partner kyç i politikës së jashtme të Malit të Zi, temat kryesore të takimeve janë forcimi i partneritetit strategjik mes dy vendeve, me theks në mbështetjen e SHBA-së për procesin e reformave malazeze. Theks i veçantë do të vendoset në intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, sundimit të ligjit dhe zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik”, thuhet në kumtesë.

Qeveria e Malit të Zi duhet sot t’ua përcjellë dy amendamente në rezolutën për Srebrenicën propozuesve, Gjermanisë dhe Ruandës

Qeveria e Malit të Zi paraqiti sot dy amendamente në Rezolutën për Srebrenicën, të cilat parashikojnë fajësinë individuale për gjenocid dhe insistojnë në respektimin e Marrëveshjes së Dejtonit. Kështu thuhet në njoftimin e Ministrisë për punë të jashtme, të cilën e kryeson Filip Ivanoviq. Kryetari i Kuvendit dhe lideri i Demokracisë së Re Serbe Andria Mandiq deklaroi dje në Gradinën e Poshtme se po i bëjnë presion kryeministrit Millojko Spajiq dhe Qeverisë që të mos e mbështesin këtë Rezolutë. “Besoj se kryetari i Kuvendit Andrija Mandiq mund të bëjë presion ndaj kryeministrit Millojko Spajiq që të heqë dorë nga vendimi i paralajmëruar për të mbështetur rezolutën për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara” u shpreh edhe lideri i Malit të Zi të Bashkuar Goran Daniloviq. Ndërkohë, përmes një letre të hapur, Këshilli Kombëtar i Serbëve i bëri thirrje qeverisë së Malit të Zi që urgjentisht të mbajë një referendum mbi Rezolutën për gjenocidin e Srebrenicës.

QTD: Këshilli të zgjerojë fushëveprimin për të mbrojtur sistemin zgjedhor nga ndërhyrjet e huaja

Sipas Qendrës për Tranzicionin Demokratik, Këshilli parlamentar për reformën gjithëpërfshirëse zgjedhore duhet të zgjerojë aktivitetet e tij për të mbrojtur sistemin zgjedhor në mënyrë sa më efikase nga ndërhyrjet e huaja. Siç thuhet nga kjo organizatë joqeveritare, gjatë proceseve zgjedhore në tetë vitet e fundit, qytetarët mund të jenë dëshmitarë të ndikimeve të huaja të paligjshme në Mal të Zi. QTD-ja besojnë se është e nevojshme që Këshilli të zgjerojë aktivitetet e tij për të zgjidhur në mënyrë aktive problemin e ndikimit të jashtëm të paligjshëm.

Radoviq nesër takim në Bruksel

Guvernatorja e Bankës Qendrore e Malit të Zi, Irena Radoviq, nesër në Bruksel do të marrë pjesë në Dialogun ekonomik dhe financiar ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve kandidate dhe kandidate potenciale. Banka Qendrore njoftoi se në takim do të diskutohet edhe për situatën ekonomike dhe sfidat aktuale në vendet kandidate dhe kandidate potenciale, si dhe rekomandimet e Komisionit Evropian për zhvillimin e politikave ekonomike në ato vende. Gjatë vizitës së saj në Bruksel, Radoviq do të takohet edhe me kryetarin e Këshillit Evropian të Pagesave, Javier Santamaria, me temën e aktiviteteve të ardhshme në lidhje me zgjerimin e zonës gjeografike SEPA në Mal të Zi.

Ish-punëtorët e "Koshutes" edhe sot bllokojnë trafikun PG- CT

Ish-punëtorët e Koshutës edhe sot kanë ndërprerë qarkullimin midis Podgoricës dhe Cetinës nga ora 11 deri në orën 15. Përfaqësuesja e ish-punëtorëve të Koshutës, Diana Vujoviq, tha se do të protestojnë derisa ministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Naida Nishiq t'i ftojë në takim dhe të dalin me një zgjidhje me shkrim. Kolegu i saj Petar Martinoviq i bëri thirrje ministres që t'i ftojë këtë javë dhe shtoi se do të jenë fleksibël kur bëhet fjalë për afatet, por kushti është që të arrihet një marrëveshje me shkrim. Ministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Naida Nishiq, tha të premten se Qeveria do të bëjë gjithçka që është e mundur kur bëhet fjalë për ish-punëtorët e Koshutës, por se në të njëjtën situatë janë edhe 20 mijë punëtorë të tjerë, dhe se ata nuk mund të ndihmojnë vetëm një grup.

Vuçiq bisedon me Scholzin për Asociacionin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi sot se ka biseduar me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, lidhur me situatën e serbëve që jetojnë në Kosovë dhe për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për themelimin e Asociacionit, më 2013 dhe 2015. Gjermania, së bashku me shtetet e tjera në BE, por edhe Shtetet e Bashkuara, vazhdimisht i bëjnë thirrje Kosovës që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Çështja e dinarit, të mërkurën takimi i radhës në Bruksel

Takimi i radhës për dinarin do të mbahet të mërkurën në Bruksel, ka konfirmuar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Ai tha se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq do të vijnë me ftesë të emisarit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak. Stano porositi se presin nga palët të dëshmojnë gatishmëri për gjetje të zgjidhjes së problemit. “BE vazhdon t'iu ndihmojë atyre që të gjejnë kompromisin, i cili është i nevojshëm, sepse kjo ndikon në jetën e njerëzve", deklaroi Stano. Që nga muaji shkurt janë mbajtur shtatë takime ku është diskutuar zbatimi i rregullores së BQK-së. Në asnjë takim të mëhershëm nuk është gjetur zgjidhja e kompromisit për atë që quhet ‘çështja e dinarit’. 

BE-Athina reagojnë ndaj Davkovës, Presidentja e re nuk përdori emrin Maqedoni e Veriut gjatë betimit

Bashkimi Europian shprehu keqardhje që presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-  Davkova, nuk e përdori emrin kushtetues të shtetit kur u betua si presidente gjatë ceremonisë në parlamentin e vendit. Gjatë ceremonisë së betimit si Presidente Davkova tha se do të mbrojë sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Republikës së Maqedonisë, duke e shmangur emrin kushtetues të vendit Maqedonia e Veriut, veti që mund të rindez një debat të vjetër me Greqinë. Presidenti bullgar Roumen Radev kritikoi deklaratat e homologes Siljanovska. Kurse kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka deklaruar se Athina nuk do të tolerojë “lapsuse” të tjera të krerëve shtetërorë të Maqedonisë së Veriut, në raport me detyrimet që kanë për zbatimin e Marrëveshjes së Prespes.

Kryeministri Mitsotakis sot në Turqi, takim me Presidentin Erdogan

Kryeministri grek Kiriakos Mitsotakis viziton sot Turqinë. Gjatë kësaj vizite, Mitsotakis do të zhvillojë bisedime me Presidentin turk Taip Erdogan me fokus ruajtjen e momentit pozitiv të arritur në marrëdhëniet dypalëshe në muajt e fundit, pavarësisht problemeve të vazhdueshme midis fqinjëve. Pas vitesh tensionesh që i sollën të dy në prag konflikti, Ankaraja dhe Athina filluan të ndërmarrin hapa të profilit të lartë për të përmirësuar lidhjet e tyre në vitet e fundit, veçanërisht vitin e kaluar pasi të dy udhëheqësit u rizgjodhën. Erdogan vizitoi Athinën dhjetorin e kaluar në atë që ai e përshkroi si një epokë të re.

Putin shkarkon Ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu

Presidenti rus Vladimir Putin ka hequr aleatin e tij Sergei Shoigu nga detyra si Ministër i Mbrojtjes. Në një njoftim të befasishëm, Kremlini tha se ish- zv.kryeministri Andrei Belousov do të zëvendësojë Shoigun. Ndërkohë Bashkimi Evropian është duke biseduar me Kievin për garancitë e mundshme të sigurisë, me qëllim që t’i kryejë “zotimet e mëdha të sigurisë” për Ukrainën deri në fillim të korrikut, raporton gazeta gjermane Welt. Anëtarët nga 27 vendet anëtare të BE-së “së fundmi u pajtuan” për një tekst “konfidencial” 11-faqesh, sipas gazetës. Welt shtoi se në tekst shkruhet se “përjashtohet pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e ushtarëve të BE-së përkrah ushtarëve ukrainas në operacionet luftarake kundër Rusisë”. Por, vendet zotohën, sipas dokumentit, për ta furnizuar Ukrainën me armë dhe armë jovdekjeprurëse dhe për ta ndihmuar me stërvitje.

Blinken kritikon planet e luftës të Izraelit

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka dhënë disa prej deklaratave më të ashpra publike deri më tani për Izraelin, lidhur me luftën e tij në Gazë. Blinken theksoi se SHBA-ja beson se forcat izraelite “duhet të largohen nga Gaza”, por po ashtu tha se pret që të shohë plane të besueshme nga Izraeli për sigurinë dhe qeverisjen në këtë territor pasi të përfundojë lufta. Më shumë se 1 milion palestinezë janë strehuar në Gazë për shkak të luftimeve në pjesë të tjera të territorit. Blinken po ashtu ka biseduar me ministrin e Mbrojtjes të Izraelit, Yoav Gallant, të cilit ia ka përsëritur kundërshtimin e SHBA-së për ofensivën në Rafah, tha Departamenti amerikan i Shtetit.

Nga përmbajtja tjetër e Ditarit të sotëm

Në ditarin tonë të sotëm poashtu mund të dëgjoni edhe për fillimin e realizimit të projektit “Tuzi i gjelbër” i cili bashkë financohet nga Eko Fondi, me vlerë rreth 30 mijë euro. Projekti ka të bëjë me  gjelbërimin e  pjesës së  rrugës M4 në Tuz, me këtë projekt do të ndikohet pozitivisht në peisazhin e komunës së Tuzit, për ç’gjë kemi bisedën me drejtorin e Komunales së Tuzit, Admir Biorac. 

Poashtu, ju njoftojmë  se sonte në orën 20 fillon edicioni i 21-të i Festivalit “Netët e klipit shqiptar”. Ky eveniment për të 7-tin vit me radhë po organizohet në qytetin e Ulqinit, dhe mbledh artistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, dhe Mali i Zi. Më shumë mbi këtë eveniment kemi raportin e producentit të këtij festivali, Petri Bozo. Pastaj flasim edhe për një natë shumë të veçantë që u organizua nga Qendra Kulturo Informative, “Malësia”, me këngëtaren Rona Nishliun – “Quartet”. Në mesin e shumë dashamirësve të saj dhe stilit të saj, Nishliu solli disa nga këngët tona tradicionale nga të gjitha trevat shqiptare, të përformuara në stilin jazz. Dhe sigurisht para motit kemi një informatë nga sporti e që ka të bej me  Klubin e Futbollit, “Deçiq” nga Tuzi, i cili dy gjiro para përfundimit të kampionatit 2023/2024 e kryeson ligën e Parë të futbollit të Malit të Zi, kështu që  një fitore e ndan këtë klub nga suksesi historik.

Moti nesër: i ndryshueshëm, vende-vende me reshje të përkohshme shiu, deri në 23 gradë

Në Mal të Zi sot po mban mot kryesisht i kthjellët, deri me vranësira të ndryshueshme. Fryn erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e ndryshme. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Podgoricë e Herceg Novi 25 gradë, Ulqin e Budvë 24, Tivar  e Nikshiq 23, Bijello Pole 22, Plevle, Cetinë, Beranë e Rozhajë 20, Petnjicë 19, Kollashin 18 dhe në Zhablak 14 gradë.

Për nesër pritet mot me vranësira të ndryshueshme, i paqëndrueshëm dhe më i freskët, herë pas here me reshje shiu ose me rrebeshe e bubullima. Në zonat jugore më shumë mundësi për reshje në mëngjes dhe gjatë natës, midis të martës dhe të mërkurës. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshueshme. Temperatura e mëngjesit nga 5 deri në 16, kurse më e lartë ditore prej 10 deri në 23 gradë.

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се