Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

26. 10. 2021. 00:00 >> 17:32

Ditari 26.10.2021

26.10.2021

Knezheviq ka publikuar të dhënat sekrete

Kryetari i Këshillit për Mbrojtje dhe Siguri, Millan Knezheviq i ka rrezikuar procedurat të cilat realizohen në Prokurorinë Speciale të Shtetit dhe i ka shfrytëzuar të dhënat me të cilat është njoftuar në mbledhje dhe ia ka prezantuar ato opinionit, është kumtuar nga Prokuroria Speciale e Shtetit. Prokurori kryesor special Milivoje Katniq, nga këto shkaqe ka theksuar se nuk do të marrë më pjesë në punën e Këshillit Parlamentar për Mbrojtje dhe Siguri të cilët do t'i kryesojë Knezheviq. Prokuroria Speciale e Shtetit në këtë mënyrë ka reaguar ndaj pohimeve të cilat Knezheviq i ka kumtuar në konferencën për media. “Edhe përkundër njoftimeve se të dhënat  të cilat do shqyrtohen në mbledhje janë sekrete dhe nuk lejohet futja e pajisjeve elektronike për inçizimin e rrjedhës mbledhjes, si dhe ndalesa e paraqitjes në opinion të dhënave të shqyrtuara në mbledhje, kryetari i Këshillit Parlamentar në konferencën e mbajtur për gazetarët, i ka kumtuar disa të dhëna sekrete të cilat ishin prezantuar në mbledhje, si dhe rrjedhën e mbledhjes, gjë që është në kundërshtim me qëndrimin e paraqitur para fillimit të mbledhjes dhe sipas Prokurorisë Speciale të Shtetit paraqet shpërdorim të rëndë  të  pozitës nga ana e kryetarit të Këshillit, gjë që do të analizohet detajisht në të ardhmen”, është kumtuar nga Prokuroria Speciale e Shtetit.

Knezheviq: Katniq duhet të suspendohet dhe menjëherë të procesuohet

Prokurori kryesor special, Milivoje Katniq,  pas mbledhjes së djeshme të Këshillit për Mbrojtje dhe Siguri, duhet të suspendohet dhe të procesuohet, sepse përpiqet të zhvendosë aferën e përgjimit në shpërdorim të pozitës zyrtare, ka kumtuar deputeti i Frontit Demokratik, Millan Knezheviq. Ai në konferencën për gazetarët ka theksuar se ajo që po ndodh në Mal të Zi gjatë javëve të kaluara i ka të gjitha elementet e grupit të organizuar kriminal në afat të zgjatur, anëtarë i të cilit  është edhe ish-drejtori i agjencisë për sigurinë nacionale, Dejan Peruniçiq. “Katniq, i cili e quan vetën prokuror kryesor special, pas mbledhjes së djeshme duhet të suspendohet dhe menjëherë të procesuohet, sepse tërë aferën e përgjimeve në kabinetin e tij  përpiqet t'a  sjellë në nivelin e shpërdorimit të pozitës zyrtare me qëllim që t'i pengojë organet kompetente, para së gjithash prokurorinë, që të gjejnë të vërtetën se kush janë urdhërdhënësit në aferën e përgjimeve”, ka theksuar Knezheviq.

 

“Qeveria të ndalojë zërat të cilët e largojnë nga Evropa”

I deleguari special i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriell Eskobar, ka kumtuar se shpreson se Qeveria e  Malit të Zi do të vazhdojë të refuzojë përpjekjet të cilat e largojnë atë nga Evropa. Ai për rrjetin All Xhazira Ballkans, ka theksuar se Qeveria e Malit të Zi e gëzon përkrahjen e Uashingtonit. Në pyetjen nëse i beson Qeverisë së Malit të Zi si dhe nëse NATO duhet të ndajë informata me pushtetin në Podgoricë,  ka theksuar se kjo Qeveri gëzon përkrahjen e SHBA. “Me sa shihet deri më tani, Mali i Zi ka qenë aleat shumë solid dhe i besueshëm. Andaj, Qeveria e Malit të Zi aktualisht e gëzon përkrahjen e SHBA. Nëse pyesni për sfidat atëherë mund të themi se duhet kërkuar partner për formimin e pushtetit i cili do ta luftojë korrupsionin dhe i cili do të pranojë rrugën drejt Evropës, ka theksuar Eskobar.

Mali i Zi i hapur drejt  familjes së popujve evropianë

Anëtarësimi i Malit të Zi në BE do të ishte faktor i fuqishëm motivues dhe nxitës për shtetet tjera aspirante nga rajoni, ka vlerësuar kryetari i Kuvendit Aleksa Beçiq. Siç është kumtuar nga parlamenti, Beçiq në bisedën me kryetarin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Hendrik Dems, ka theksuar se Mali i Zi si kandidat është në një proces dinamik negociues për integrim në BE. Ai ka shtuar se Mali i Zi si anëtar fuqiplotë i Këshillit të Evropës mbetet terësisht i vendosur në realizimin e standardeve të cilat i promovon Këshilli Evropian. Beçiq ka shtuar se pret përgjigje proaktive dhe strategjike nga Evropa, në veçanti duke pasur para sysh se Mali i Zi ka përparuar më së tepërmi në rrugën Evropiane, se janë hapur gjithë kapitujt negociues dhe tre janë mbyllur përkohësisht. Dems, siç është kumtuar nga Kuvendi, ka theksuar se do të vazhdojë të përpiqet që mesazhi, por edhe nevojat e Malit të Zi, të identifikohen në adresën evropiane. Për fjalimin e Beçiqit në temën “E ardhmja e përbashkët e të gjithë evropianëve” Dems ka theksuar se mu këto tema meritojnë të jenë pjesë e agjendës në mënyrë që shteteve, siç është Mali i Zi t'u ofrohet  rasti për të dhënë mesazhe.

Redaktorët dhe gazetarët të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kanë

Ministria e Administratës Publike, Shoqërisë Digjitale dhe Mediave i ka bërë apel agjencisë për mediat elektronike që të ndërmarrë aktivitete nga kompetencat e veta, lidhur me përmbajtjen e emetuar në ditarin e Televizionit të Qytetit me 23 tetor. Kjo ministri ka kumtuar se nga themeluesit e mediave, redaktorët dhe gazetarët pret që të jenë thellësisht të vetëdijshëm për përgjegjësitë e veta dhe për pasojat që mund t'i shkaktojë shpërdorimi i profesionit. Theksohet se nuk është detyrë e kësaj ministrie të vendosë sanksione për shkak të shkeljeve eventuale të ligjit ose të kodeksit gazetaresk. “Për këtë arsye i kemi bërë apel agjencisë për mediat elektronike që të ndërmarrë aktivitete nga kompetencat e veta lidhur me përmbajtjen e emetuar në Ditarin e Televizionit të Qytetit me 23 tetor “, thuhet në reagim. Vlerësohet se kjo, para së gjithash, është detyrë e organeve gjyqësore, gjë që është definuar me ligjin për mediat. Siç theksohet kjo ministri në asnjë mënyrë nuk është dhe nuk do të përzihet në politikat redaktuese të mediave.

 

Edhe 4 viktima dhe 542 të infektuar 

Si pasojë e infektimit me koronavirus sot në Mal të Zi kanë vdekur 4 persona, kurse 542 të tjerë janë konfirmuar pozitiv në Covid -19, është kumtuar nga Instituti për Shëndetin Publik i Malit të Zi. Numri i përgjithshëm i rasteve të vdekjeve si pasojë e infektimit me Covid -19 në Mal të Zi deri tani ka shkuar në 2075 persona. Gjatë 24 orëve të fundit është konfirmuar edhe shërimi i 358 pacientëve. Numri aktual i të prekurve me virus është 4192, kurse prej fillimit të pandemisë kjo shifër ka shkuar në 141 mijë e 834 persona. Të theksojmë se deri më tani me dozën e parë të vaksinës janë imunizuar 56 për qind të banorëve të moshës madhore, dhe janë rivaksinuar 52,5 për qind të tyre.

Nesër arrijnë 100 mijë vaksina Sinovak

Nesër në Podgoricë do të arrijnë 100 mijë vaksina të prodhuesit kinez Sinovak , të cilat Turqia ia ka dhuruar Malit të Zi , është kumtuar nga Ministria e shëndetësisë. Nga Ministria kanë theksuar se ky donacion me vlerë është rezultat i marrëveshjes së ministres Jelena Boroviniq Bojoviq me kolegun turk Fahretin Koxha. Gjatë takimit të mbajtur në Ankara , në kuadër të vizitës së paradokohshme zyrtare të delegacionit të Qeverisë së Malit të Zi në Turqi. Theksohet se dërgesën e vaksinave në aeroportin e Podgoricës  do ta përcjellin ministrja Boroviniq Bojoviq, drejtori i përgjithshëm i drejtorisë për shëndetin digjital Aleksanda rSekuliq dhe ambasadorja e Turqisë në Mal të Zi Songull Ozan.

 

Kurti priti delegacionin e Këshillit Evropian për Marrëdhënie të Jashtme

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti në takim delegacionin e Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë (ECFR), të prirë nga Vessela Tcherneva, Zëvendësdrejtore dhe Shefe e zyrës së ECFR në Sofje.

Kryeministri theksoi përkushtimin e Qeverisë në luftimin e korrupsionit dhe krimit dhe krijimin e vendeve të punës, në mënyrë që të ofrojmë mundësi të barabarta për të gjithë.

Ai veçoi synimet për krijimin e një ambienti të favorshëm për të tërhequr investitorët e huaj drejt krijimit të një ekonomie të qëndrueshme dhe zhvillimit të vendit.

Kryeministri theksoi se zgjedhjet demokratike dhe fitorja bazuar në përkrahjen masive e qytetarëve kanë sjellë rezultate pozitive në të gjitha fushat. Ai vuri theksin te rritja e hovshme e ekonomisë, që sipas Bankës Botërore është 9,9%.

Delegacioni u interesua për zhvillimet e gjithëmbarshme në vend në këta shtatë muaj të qeverisjes, me theks në bashkëpunimin rajonal dhe bisedimet me Serbinë.

Në fushën e bashkëpunimit rajonal, Kosova është pro bashkëpunimit dhe integrimit në kuadër të agjendës evropiane dhe me prezencën e pjesëmarrjen e BE-së. Kryeministri potencoi se bashkëpunimi duhet të jetë ekonomik, por edhe i bazuar në vlera ku avancojmë të drejtat dhe liritë.

Bisedimet me Serbinë janë për statusin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ku zgjidhen çështjet e pazgjidhura sikurse borxhet, dëmet e luftës e reparacionet, e që rezulton me njohje reciproke, tha kryeministri.

U bisedua edhe për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, për çka përfaqësuesit e ECFR shprehen brengën për vonesën në këtë proces.

Delegacioni nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë shprehu mbështetje për punën dhe objektivat e Qeverisë.

Yuri Kim e Soreca takojnë Celibashin: Të ndiqen penalisht krimet zgjedhore

Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim dhe ai i BE-së, Luigi Soreca janë takuar ditën e sotme me kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi.

Lajmi është bërë me dije nga ambasada e SHBA=ve, e cila ka zbardhur edhe detaje nga takimi.

Në njoftim thuhet se Kim dhe Soreca kanë nënvizuar se është përgjegjësi e institucioneve për të trajtuar rekomandimet e raportit përfundimtar të ODIHR-it. Ata kanë theksuar se autoritetet duhet të hetojnë parregullsitë dhe të ndjekin penalisht krimet zgjedhore.

“Ambasadorja Kim, së bashku me Ambasadorin e Bashkimit Europian Soreca, u takuan me Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi për të diskutuar mënyrat për të përmirësuar më tej zgjedhjet në Shqipëri.

Duke cituar raportin e fundit të ODIHR, Ambasadorët Kim dhe Soreca shprehën vlerësimin për administrimin kompetent të zgjedhjeve të 25 prillit nga KQZ. Ambasadorët nënvizuan se tani është përgjegjësi e të gjitha institucioneve, autoriteteve dhe partive për të punuar me KQZ-në për të trajtuar rekomandimet e raportit përfundimtar të ODIHR-it.

 
Katër fëmijë migrantë mbyten në brigjet e Greqisë

Ministri i Migracionit i Greqisë tha se katër fëmijë kanë vdekur, pasi një gomone që transportonte migrantë nga brigjet e Turqisë, u fundos të martën pranë ishullit lindor grek, Kios.

Notis Mitarachi tha se 22 persona janë nxjerrë të gjallë dhe se së paku një migrant është ende i zhdukur.

“Me gjithë përpjekjet më të mira të rojës bregdetare, katër fëmijë - të gjithë nga mosha 3 deri në 14 vjeç - konfirmohen të vdekur”, shkroi Mitarachi në një postim në Twitter.

Ai e akuzoi Turqinë për mosrespektim të një marrëveshjeje të vitit 2016 me Bashkimin Evropian.

“Autoritetet turke duhet të bëjnë më shumë për të parandaluar shfrytëzimet nga bandat kriminale. Këto udhëtime nuk duhet të lejohen kurrë të ndodhin”, tha Mitarachi.

Turqia strehon numrin më të madh të refugjatëve në botë - rreth 4 milionë - dhe thotë se BE-ja është e ngadalshme në përmbushjen e premtimeve për mbështetje financiare.

Migrantët dhe refugjatët që përpiqen të arrijnë në vendet e BE-së janë kryesisht të ikur nga luftërat dhe varfëria në Lindjen e Mesme dhe në Azinë Jugore.

 

Putin bisedë telefonike me Johnson: Në fokus ndryshimet klimatike

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe kryeministri britanik Boris Johnson kanë zhvilluar një bisedë telefonike përpara takimit të samitit të G20.

Udhëheqësit politikë janë fokusuar tek çështjet e ndryshimeve klimatike, situatën në Afganistan  dhe rivendosjen e Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit, i njohur si marrëveshja bërthamore e Iranit.

Të dy liderët u shprehën se Moska dhe Londra do të duhet të bashkëpunojnë në shumë fusha pavarësisht problemeve të krijuara.

Jonhson përshëndeti hapat që Rusia ka ndërmarrë për tu angazhuar në emetimet e karbonit, ndërsa theksoi se pavarësisht se marrëdhëniet aktuale mes dy vendeve nuk janë ato që duhet të ishin, Britania ashtu edhe Rusia kanë përgjegjësi të punojnë së bashku për të trajtuar sfidat si ndryshimi klimatik dhe për të mbrojtur marrëveshjet ndërkombëtare.

Nga ana e tij Putin tha se do të marrë pjesë në samitin e G20 nëpërmjet video-konferencë për shkak të situatës së pandemisë në Rusi.

Udhëheqësit e G20 do të mblidhen në Romë, më 30-31 tetor për të mbajtur samitin.

 
Doza e tretë edhe në Europë, prioritet personat me sistem të dobët imunitar

Agjencia Evropiane e Barnave i dha dritën jeshile dozës së tretë të vaksinës Moderna kundër koronavirusit.

Tashmë ajo mund të injektohet tek njerëzit që i përkasin moshës 18 vjeç e lart, së paku gjashtë muaj pasi të kenë marrë dozën e dytë.

Ekspertët rekomandojnë që prioritet të kenë personat me sistem të dobësuar imunitar.

Kjo është vaksina e dytë përforcuese që miratohet në bashkimin evropian, pas Pfizer/Biontech.

Vendet anëtare të unionit vendosin vetë nëse popullsia duhet të marrë dozën përforcuese ose jo.

Ndërkaq, autoritetet amerikane kanë autorizuar dozat përforcuese të vaksinave Pfizer/Biontech, Moderna dhe Johnson&Johnson. 

 
Sulm në një qendër tregtare në ShBA, dy të vrarë

Së paku dy persona raportohet të jenë vrarë e katër të tjerë të jenë lënduar të hënën gjatë një sulmi në një qendër tregtare në Idaho të Shteteve të Bashkuara.

Një person i dyshuar është në ndalim, ndërsa policët po kontrollojnë në secilin lokal për ta vërtetuar sigurinë në objekt, tha policia lokale, duke shtuar se disa njerëz ende janë të ngujuar brenda.

“Nuk mund të theksoj mjaftueshëm sa traumatike është kjo ngjarje për komunitetin në përgjithësi dhe për ata që ishin dëshmitarë ose familjarë të personave të përfshirë ose të përfshirë vetë”, tha Ryan Lee, komandant i policisë në Boise .

Grushtshteti në Sudan, Këshilli i Sigurimit thërret mbledhje urgjente

Këshilli i Sigurimit i kombeve të Bashkuara ka planifikuar mbajtjen e një takimi emergjente me dyer të mbyllura pas puçit në Sudan.

Diplomatët kanë thënë të hënën mbrëma se janë kërkuar konsultime nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Irlanda, Norvegjia dhe Estonia, raporton Euronews, transmeton Klankosova.tv.

Ushtria e Sudanit mori të hënën në duar pushtetin, duke arrestuar kryeministrin Abdalla Hamdok dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë tranzicionale.

Së paku tre persona janë vrarë dhe mbi 80 janë plagosur pas shpërthimit të protestave.

 

Nesër mot i ndryshueshëm

Sot në Mal të Zi mban mot kryesisht me diell. Fryn erë e dobët nga drejtime të ndryshme.

   Temperaturat: Budvë 23, H. Novi, Ulqin e Tivar 21, Podgoricë 19, Cetinë 18, Nikshiq 17, Guci 16, Kollashin 15, Zhablak, Beranë, Plavë e Rzhajë 14,  Plevle 12, Shavnik 10 dhe në Bjello Pole 9 g.

      Për nesër meteorologët parashohin mot me vranësira të ndryshueshme dhe me intervale të gjata me diell. Do të fryjë erë  mesatare deri e fortë veriore dhe verilindore. Temperatura e mëngjesit prej -2 deri në 12, kurse më e larta e ditës prej 12 deri në 21 g. c.

 

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се