Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

26. 09. 2022. 00:00   >>  17:49

Ditari 26.09.2022

Përgatiti, Gj. Dukaj

Të premten për propozimin e Gjukanoviqit për shkurtimin e mandatit të Kuvendit

Mbledhja e seancës së njëmbëdhjetë të jashtëzakonshme në vitin 2022, në të cilën do të votohet propozimi i presidentit, Millo Gjukanoviq, për shkurtimin e mandatit të Kuvendit të Malit të Zi, do të mbahet të premten, njoftoi Kuvendi.

Seancën e ka caktuar kryetarja e Kuvendit, Danijela Gjuroviq, me propozim të presidentit të shtetit, Millo Gjukanoviq.

Seanca e Kuvendit do të fillojë në ora 12:00.

Gjukanoviq, në shpjegimin e propozimit, ka thënë se nuk janë plotësuar kushtet për t'i besuar mandatin për përbërjen e Qeverisë liderit të Demos-it, Miodrag Lekiq.

“Procesi konsultativ ka treguar qartë se nuk ka bazë për të emëruar një mandatar brenda afatit të paraparë me Kushtetutë, i cili do të siguronte mbështetje në Kuvend për përbërjen e Qeverisë së 44-të të Malit të Zi”, ka theksuar Gjukanoviq.

 

M.Gjukanoviq; Shumica parlamentare, sa më parë të zgjedh gjyqtarët për Gjyqin Kushtetues

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, i bëri thirrje shumicës parlamentare të 30 gushtit, që urgjentisht të votojnë për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe, në këtë mënyrë, të tregojë se vërtetë mendojnë se ai ka shkelur Kushtetutën.

Ai, në Tuiter, shkroi se shumica e ndryshueshme parlamentare, e cila po e kërcënon me shkarkimin e tij, tani ka shans unik. “Luftëtarët e palëkundur kundër Malit të Zi, tani kanë mundësi unike, edhe pse nuk e duan, të bëjnë diçka për vendin e tyre. Urgjentisht të votojnë për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe kështu të tregojnë se ata vërtet mendojnë se e kam shkelur Kushtetutën”, tha Gjukanoviq. Siç tha ai, nëse Gjykata Kushtetuese do ta konfirmonte këtë, ata do ta kishin rrugën të hapur për ta shkarkuar.

 

Deficiti buxhetor më i ulët se sa ishte planifikuar

Deficiti kumulativ buxhetor për shtatë muajt e parë të këtij viti ka arritur në 57.8 milionë euro ose 1.1 për qind e prodhimit të brendshëm bruto (PBB) dhe është më i ulët se plani për 134.1 milionë euro.

“Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, deficiti buxhetor është më i ulët për 61,5 milionë euro, ose 51,6 për qind”, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave për realizimin e buxhetit për shtatë muajt e parë, të publikuara në faqen e internetit të kësaj ministrie.

Ministria, po ashtu, tha se në korrik është realizuar deficit buxhetor prej 12.8 milionë euro, përkatësisht 0.24 për qind e BPV-së, që është një arritje më e dobët në krahasim me suficitin e planifikuar prej 13.8 milionë euro. Të hyrat buxhetore për shtatë muajt e parë të këtij viti arritën në 1.09 miliardë euro ose 20.5 për qind të PBB-së së vlerësuar dhe janë 106.1 milionë euro ose 10.8 për qind më të larta se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa krahasuar me atë të planifikuar më shumë për 67.1 milionë apo 6.6 për qind.

Të dhënat e Ministrisë tregojnë se realizim më i ulët krahasuar me planin, në vlerë prej 19.8 milionë euro ose 27.5 për qind, është shënuar në të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, para së gjithash për faktin se të ardhurat e planifikuara nga tatimi i të ardhurave të padeklaruara ende nuk kanë. është realizuar, por kjo kategori të ardhurash pritet të arkëtohet në bazë të riprogramimit të pretendimeve tatimore në periudhën në vijim.

 

Këshilli, debaton propozimin për rebalancin e buxhetit

Këshilli kuvendor për Ekonomi, Financa dhe Buxhet, është dashtë që sot të shqyrtojë propozimin e dytë për rebalancin e buxhetit për këtë vit, të ardhurat e të cilit parashikohen të jenë një miliard e 930 milionë euro. Ministri i financave në Qeverinë e Malit të Zi, Aleksandar Damjanoviq, më herët deklaroi se pret mbështetje unanime në Kuvend për këtë projektligj. Sipas propozuesit, synimi është që Kuvendi ta miratojë, në mënyrë që të paguhet rritja e jashtëzakonshme e pensioneve  minimale, t’i paguhen borxhet Fondit të Shëndetësisë për të normalizuar furnizimin me ilaçe, të paguhen ndihmat sociale, të cilat janë rritur dhe të paguhen rrogat e zmadhuara në shëndetësi dhe arsim. Përndryshe, deficiti kumulativ buxhetor në shtatë muajt e parë të këtij viti arriti në 57.8 milionë euro ose 1.1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto që është për 134.1 milionë euro më pak se sa ishte planifikuar.

 

Në Mal të Zi, po ndodhin fenomene të jashtëzakonshme por edhe të rrezikshme

Në gjashtë vitet e fundit në Mal të Zi, po ndodhin fenomene të jashtëzakonshme dhe precedente të rrezikshme të cilat dëmtuan rëndë rendin demokratik në forma të ndryshme e, më së shpeshti, duke bllokuar përkohësisht ose edhe në vazhdimësi funksionimin e  institucioneve, thonë nga Qendra për Tranzicion Demokratik- CDT. Drejtori ekzekutiv i kësaj Qendre, Dragan Koprivica, beson se përgjegjësinë kryesore për këtë proces e kanë politikanët, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve kanë qenë në të gjitha përbërjet e Kuvendit, por edhe të atyre në Qeveri dhe në vende tjera të rëndësishme vendimmarrëse.

Ai, njoftoi se për të tërhequr vëmendjen për këtë trend jashtëzakonisht të rrezikshëm, Qendra për Tranzicion Demokratik, do të fillojë të botojë një seri botimesh me titull "Minimi i demokracisë në Mal të Zi".

 

Varësia nga importi, paraqet rerzik afatgjatë

Deficiti i tregtisë së jashtme dhe varësia nga importi paraqet rrezik afatgjatë, sepse na shtyn drejt rritjes së borxhit publik, por edhe në atë afatshkurtër, sepse nëse shteti nuk mund të marrë hua dhe mund të ketë rënie të standardit, thotë analisti ekonomik Predrag Drecun.

Kurse Rrjeti për afirmimin e sektorit joqeveritar- MANS ka paralajmëruar se në rebalancin e Buxhetit për këtë vit, mund të fshihen rritjet e shpenzimeve prej rreth 16 milionë eurosh, që mund të kenë ndikim tek votuesit në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet lokale. Nga kjo OJQ, theksojnë se Qeveria, propozon rebalanc buxheti me arsyetimin se duhen të korrigjohen efektet e programit, “Evropa Tani”.

 

Filloi vaksinimi kundër virusiot HPV

Sot, në Mal të Zi, ka filluar zyrtarisht vaksinimi kundër virusit HPV, shkaktar i kancerit të qafës së mitrës. Vaksinimi nuk do të jetë i detyrueshëm, por rekomandohet për vajzat e moshës 9 vjeçe. Epidemiologu, Millko Joksimoviq, thotë se vaksina është jashtëzakonisht e sigurt dhe është më efektive nëse merret nga mosha 9 deri në 13 vjeç.

Siç paralajmërohet, vaksinimi i cili filloi prej sot, do të bëhet në qendrat shëndetësore nga ekipet e pediatërve të zgjedhur.

 

Ulen çmimet e naftës

Prej sonte në mesnatë, nafta do të jetë më e lirë për 8 cent, njoftojnë nga Ministria e Investimeve Kapitale. Siç njoftojnë nga ky resor, nafta prej sonte do të kushtojë 1.48 euro. Çmimi i eurosuper 95, mbetet i pandryshuar në 1.26 euro, ndërsa eurosuper 98 do të jetë një cent më lirë, dhe do të kushtojë 1.30 euro. Vajguri, poashtu, do të lirohet për shtatë cent për litër, thonë nga Ministria e Investimeve Kapitale. 

 

Analizë e përmbledhur e për situatën dhe ecuirnë në turizëm

Kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, me bashkëpunëtorët  e tij, sot ka biseduar me përfaqësues të industrisë së turizmit të qytetit dhe të Ndërmarrjes  komunale. Në takim, u bë një analizë e përmbledhur,  e situatës dhe ecurisë së mëparshme të aktorëve kryesorë të industrisë së turizmit të qytetit.

Kryetari, Bajraktari, i njohu të pranishmit me punën e Kryesisë së komunës , projektet e planifikuara infrastrukturore dhe të tjera në fushën e turizmit, masat stimuluese që janë planifikuar për përmirësimin e kushteve për biznes në turizëm, ndryshimet e nevojshme në legjislacion dhe problemet e konstatuara, që duhet të zgjidhen, si dhe tema të tjera me rëndësi për zhvillimin e turizmit të Ulqinit.

Drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, Qazim Hoxhiq, foli për aktivitetet që janë planifikuar të realizohen deri në fund të këtij viti si dhe gjatë vitit 2023, ndër të cilat janë promovimi më intensiv përmes marketingut digjital dhe rrjeteve sociale, aplikacioni online për regjistrim,  mysafirët, organizimi i udhëtimeve studimore për gazetarët dhe operatorët turistikë, prodhimi i materialit promovues, organizimi i ngjarjeve, shënimi i shtigjeve për ecje dhe promovimi i turizmit rural, përfundimi i punimeve në Vidikovc në Valdanos dhe Shtegvash, si dhe aktivitete të tjera të rëndësishme për përmirësimin e ofertës së përgjithshme turistike të Ulqinit.

Pjesëmarrësit e takimit ranë dakord se fokusi në periudhën e ardhshme duhet të jetë promovimi dhe edukimi më i mirë i qytetarëve për detyrimin ligjor për regjistrimin e mysafirëve dhe mbledhjen e taksës së banimit, bashkëpunimin më intensiv me autoritetet inspektuese, zgjidhjen e problemit të zhurmës së tepërt dhe bllokime trafiku, furnizim më i mirë me ujë dhe nevoja të tjera.

 

Ndërroi jetë, myftiu i Bashkësisë Islame, Jusuf efendi Gjokaj

Sot, në moshën 76 vjeçare, ndërroi jetë ish myftiu e Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Jusuf efendi Gjokaj. Ai, u lind me 18 nëntor në vitit 1946 në Dinoshë, ku kreu edhe katër klasët e para të shkollës fillore. Shkollimin e mëtejmë e vazhdoi në Medresenë “Alaudin”, në Prishtinë. Shkollën e mesme të ulët, e përfundoi në vitin 1967, kurse studimet i vazhdoi në Universitetin e Bagdadit, në drejtimin- Letërsia Arabe dhe e drejta e Sheriatit. Pas përfundimit të studimeve, fillimisht punon si imam në Beograd, e pastaj punësohet në Xhamahirinë Arabe të Libisë. Më vonë, kalon me punë në Podgoricë, në Kryesinë e Bashkësisë Islame në Mal të Zi, kurse në vitin 1998, emërohet në postin e Myftiut të myslimanëve të Malit të Zi. Këtë funksion e kryen deri në pensionim. Jusuf Gjokaj, u varros sot, në orën 16, në varrezat familjare në Dinoshë.

 

Çështja e liberalizimit të vizave, në rend të ditës më 13 tetor

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë në rend të ditës në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian, më 13 tetor, konfirmojnë burimet diplomatike të BE-së në Bruksel.

Presidenca çeke e BE-së tashmë u ka dërguar letër vendeve anëtare si paralajmërim për diskutimet për këtë temë.

Radio Evropa e Lirë ka siguruar qasjen në këtë dokument dhe aty shprehet qartë dëshira e Çekisë që të gjitha vendet anëtare të BE-së të arrijnë konsensus të brendshëm për të mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në këtë letër, Çekia thirret edhe në, siç thuhet, arsyet e politikës së jashtme për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke rikujtuar se edhe Komisioni Evropian ka konfirmuar dhe pritet të përsërisë se Kosova i ka përmbushur kushtet.

“Pasi Presidenca Çeke mendon se arsyet e lidhura me politikën e jashtme për liberalizimin e vizave për Kosovën janë bindëse, ajo shpreson se të gjitha shtetet anëtare të BE-së do të arrijnë pajtim të brendshëm politik për këtë çështje”, thuhet në këtë dokument.

 

BE, e shqetësuar për forcimin e raporteve midis Serbisë dhe Rusisë

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin për forcimin e raporteve midis Serbisë dhe Rusisë, pasi këto dy shtete nënshkruan një marrëveshje për bashkëpunim në sferën e politikës së jashtme.

Zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, tha se kjo marrëveshje erdhi në kohën kur Rusia po vazhdon agresionin ndaj Ukrainës dhe çdo ditë “po e shkel të drejtën ndërkombëtare, forcat e saj po kryejnë krime ndaj civilëve e në pjesë të okupuara [të Ukrainës] po organizon referendume ilegale”.

Sipas tij, Serbia ka deklaruar se qëllim strategjik ka integrimin në bllokun evropian. Andaj, sipas Stanos, edhe “ky vendim i Serbisë do të duhej të nënkuptonte edhe bashkëpunimin dhe përafrimin me BE-në në çështje të politikës së jashtme”.

 

Serbia, nuk do të pranojë rezultattet e referndumit në rajonet e Ukrainës

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Nikola Selakoviq, deklaroi se Serbia nuk mund të pranojë rezultatet e referendumit në rajonet e Ukrainës.

Ai në konferencën për media, më 25 shtator, deklaroi se kjo do të ishte në kundërshtim me interesat shtetërore dhe kombëtare të Serbisë.

“Kjo do të ishte krejtësisht në kundërshtim me politikën tonë të ruajtjes së integritetit territorial dhe sovranitetit dhe përkushtimit ndaj parimit të paprekshmërisë së kufijve”, tha Selakoviq.

Në katër rajone të Ukrainës, që pjesërisht kontrollohen nga Rusia, po mbahen referendumet e rreme ruse, që kanë nisur më 23 shtator dhe do të vazhdojnë deri më 27 shtator.

Ky veprim konsiderohet i paligjshëm sipas Ligjit ndërkombëtar dhe i njëjti është dënuar nga Ukraina, Perëndimi dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara.

 

Të martën, takimi i radhës Shqipëri e Maqedonia e Veriut me BE, në Bruksel

Ndërsa ka njoftuar mbajtjen e takimeve Shqipëri/Maqedoni e Veriut me Bashkimin Europian në Bruksel përkatësisht të enjten e të premten për kapitullin 24 e të hënë e të martë për kapitullin 23, Komisioni Europian e ka publikuar fokusin e shqyrtimit analitik pikërisht në këtë aspekt duke kujtuar qëllimin që të sigurojnë se kufijtë e hapur e nën kontroll janë të rëndësishëm për qytetarët.

Më herët ambasadorja e Bashkimit Europian që nga Tirana ka apeluar për përparimin drejt shtetit të së drejtës si përcaktues i ritmit të përgjithshëm të bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ritmet e anëtarësimit që krijojnë pritmëri të lartë nëse i referohemi sondazhit të fundit, ku Shqipëria kryeson jo vetëm vendet në pritje ose proces për anëtarësim, por edhe ato anëtare të Be-së, nuk janë deklaruar ende si parashikim nga strukturat në vend.

 

Të paktën 13 të vrarë nga sulmi në një shkollë në Rusi

Të paktën 13 persona janë vrarë, pasi një sulmues ka hapur zjarr në një shkollë në Rusi.Në mesin e viktimave janë shtatë fëmijë, thanë autoritetet, teksa dhjetëra të tjerë janë plagosur.

Të shtënat kanë ndodhur në qytetin Izhevsk, në Rusinë qendrore, teksa Ministria e Brendshme ruse tha se edhe 20 persona, përfshirë edhe fëmijë, janë plagosur.

Dy mësues dhe dy roje sigurie janë në mesin e të vrarëve, thanë zyrtarët rusë. Stafi dhe nxënësit janë evakuuar nga ndërtesa e shkollës. Të shtënat raportohet se kanë ndodhur në shkollën me numër 88, ku mësojnë pothuajse 1.000 nxënës dhe punojnë 80 mësimdhënës. Sulmuesi raportohet se ka vrarë veten dhe motivi i të shtënave është ende i paqartë.

Shkolla ku ndodhën të shtënat gjendet në qytetin Izhevsk, me popullsi prej 650.000 banorësh. Kjo shkollë gjendet shumë pranë ndërtesave qeveritare.

 

Rusia, vazhdon me shtypjen e protestave kundër mobilizimit të pjesshëm

Edhe mbi 840 persona janë arrestuar në Rusi në protestat kundër mobilizimit të pjesshëm. Protesta janë mbajtur në 35 qytete, teksa kritikët kanë dyshime për mënyrën se si po zhvillohet mobilizimi për luftën në Ukrainë.

Deri më 26 shtator, të paktën 842 persona janë arrestua, gjysma e tyre në kryeqytetin rus, Moskë, tha organizata OVD-Info.

Ky grup për të drejtat e njeriut që monitoron arrestimet dhe ndalimet politike në Rusi, tha se mund të ketë më shumë të arrestuar sesa shifrat e paraqitura nga Policia, por kjo organizatë do të publikojë vetëm shifrat që mund t’i verifikojë.

OVD-Info më 25 shtator nuk përfshiu në listat e saj protestuesit që mund të ishin ndaluar në kryeqytetin e republikës jugore ruse të Dagestanit.

 

V.Zelenski; “Rezultate pozitive” në vazhdim të kundërofensivës  

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se ka luftime të ashpra në frontet e luftës, por Kievi po sheh “rezultate pozitive”.

Këto deklarata të Zelenskyt, të bëra në orët e vona të 25 shtatorit, vijnë pasi ai ka paralajmëruar se nuk duhet të hidhen poshtë kërcënimet bërthamore të presidentit rus, Vladimir Putin, teksa forcat e Moskës po humbin territor në Ukrainë.

Kryeministrja britanike, Liz Truss, ka minimizuar deklaratat e fundit të Putinit, duke i cilësuar si “kërcënime false”, dhe këshilltari për siguri kombëtare në SHBA, Jake Sullivan, ka thënë se Uashingtoni i ka shpalosur Moskës “pasojat katastrofike” me të cilat do të përballej nëse do të përdorte armë bërthamore kundër Ukrainës.

Në adresimin e tij natën e së dielës, Zelensky tha se forcat ukrainase kanë shënuar përparim kundër forcave ruse në rajonet Donjeck, Harkiv, Mikolajiv dhe Zaporizhja.

Rusia dhe aleatët e saj separatistë në rajonet ukrainase të Donjeckut, Luhanskut, Hersonit dhe Zaporizhjës po mbajnë të ashtuquajturat referendume për të fituar pavarësinë dhe për t’iu bashkuar Rusisë. Por, këto votime nga Kievi dhe komuniteti ndërkombëtar janë cilësuar si “referendume të rreme”.

 

G.Melloni, ka shpallur fitoren në zgjedhjet e mbajtura dje, në Itali

Liderja e ekstremit të djathtë, Giorgia Meloni, ka shpallur fitoren në zgjedhjet në Itali dhe pritet të bëhet kryeministrja e parë grua e këtij shteti.

Meloni pritet të formojë një qeveri djathtiste, me prirjet më ekstreme që nga koha e Luftës së Dytë Botërore. Kjo pritet të ngrejë alarmin në pjesën më të madhe të Evropës, pasi Italia është ekonomia e tretë më e madhe në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, pas votimeve, Meloni tha se partia e saj, Vëllezërit e Italisë, do të “qeverisë për të gjithë” dhe nuk do të tradhtojë besimin e popullit.

“Italianët kanë dërguar mesazh të qartë në favor të një qeverie të krahut të djathtë të udhëhequr nga Vëllezërit e Italisë”, tha ajo për gazetarët në Romë, duke mbajtur një pano ku shkruante: “Faleminderit Itali”.

 

Nesër, mot me të reshura 

Meteorologët, paralajmërojnë se nesër do të mbaj mot i vranët dhe me reshje të përkohshme të shiut, më të dendura në pjesët jugore dhe qendrore të vendit.

Do të fryjë erë e mesme nga drejtimet e jugut.

Temperatura e mëngjesit prej 10 deri në 18, kurse më e larta e ditës prej 13 deri në 23 gradë celsius.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се