Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

28. 09. 2022. 00:00 >> 18:54

Ditari 28.09.2022

Ditarin e përgatiti, Senad Gilaj

Do të bëjmë gjithçka që pagat dhe pensionet të jenë të rregullta

Kuvendi i Malit të Zi në seancë të jashtëzakonshme është duke diskutuar për rebalancin e buxhetit për këtë vit dhe propozimin për huamarrje. Ministri i Financave Aleksandër Damjanoviq tha se pret që Kuvendi të miratojë rebalancin, duke shtuar se pavarësisht vendimit të Kuvendit, ata do të bëjë gjithçka që pagesa e rrogave, pensioneve dhe përfitimeve sociale të jetë e rregullt. Damjanoviq ripërsëriti se rebalanci është i nevojshëm për shkak të shpenzimeve që janë rritur, duke shtuar se shteti do të funksionojë edhe pa rebalancin e buxhetit, por që të gjitha ligjet e parashikuara dhe shërbimi do të vihen në dyshim, duke filluar me paga, pensione dhe përfitimet sociale. Përndryshe, deficiti kumulativ buxhetor në shtatë muajt e parë të këtij viti arriti në 57.8 milionë euro ose 1.1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto që është për 134.1 milionë euro më pak se sa ishte planifikuar. Në rendin e ditës të seancës në vazhdim, deputetet do të shqyrtojnë edhe Propozimin për ndryshimin e Ligjit për transaksionet e pagesave, Propozimi për Ligjin për përpunimin e të dhënave të udhëtarëve në komunikacionin ajror me qëllim të parandalimit dhe zbulimit të veprave penale të terrorizmit dhe veprave tjera të rënda penale. Kuvendi do të vendosë edhe për projektligjin për konfirmimin e marrëveshjes kornizë financiare për partneritet ndërmjet Komisionit Evropian dhe Malit të Zi, të paraqitur nga Qeveria e Malit të Zi, për modelet e zbatimit të mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian për Malin e Zi në kuadër të instrumentit për mbështetje para anëtarësimit, IPA III.

Deputetët të mos miratojnë rebalancin e buxhetit

Rrjeti për afirmimin e sektorit joqeveritar, MANS, u bëri thirrje deputetëve që të mos miratojnë rebalancin e buxhetit, gjë që rrit edhe më shumë rezervën buxhetore para zgjedhjeve. Ata thonë se vetëm për një javë nga rezerva buxhetore janë paguar 59 mijë euro ndihma të ndryshme për individë, gjatë fushatës parazgjedhore. Sipas MANS-it, mbi 80% të këtyre mjeteve u janë paguar qytetarëve në komuna ku mbahen zgjedhjet lokale. Ata kanë paralajmëruar se në rebalancin e Buxhetit për këtë vit, mund të fshihen rritjet e shpenzimeve prej rreth 16 milionë eurosh, që mund të kenë ndikim tek votuesit në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet lokale. Nga kjo OJQ, theksojnë se Qeveria, propozon rebalanc buxheti me arsyetimin se duhen të korrigjohen efektet e programit, “Evropa Tani”. “Deklarata e fundit e ministrit të Financave është mjaft joserioze”, tha për Radion tonë,  drejtor i qendrës kërkimore të MANS-it, Dejan Millovac. Ai thotë se Damjanoviq deklaroi sot se nëse nuk miratohet rebalanci i buxhetit, do të vihen në pyetje pagesat e pensioneve dhe përfitimeve sociale. Përndryshe, një grup qytetarësh që protestuan sot para Kuvendit, janë kundër rebalancit të buxhetit në dëm të tërheqjes së mjeteve dedikuar rindërtimit të spitaleve dhe shkollave, u kanë bërë thirrje deputetëve që të punojnë në interes të qytetarëve, duke shtuar se nuk kanë të drejtë të marrin nga studentët dhe të sëmurët.

Qëllimi është pagesa më efikase e taksave dhe zgjerimi i bazës tatimore

Pagesa më efikase e borxhit tatimor dhe zgjerimi i këtij sektori janë qëllimet kryesore të reformës së administratës tatimore, deklaroi sot ministri i Financave Aleksandar Damjanoviq në takim me përfaqësuesit e misionit të Sektorit të Çështjeve Fiskale të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Damjanoviq me bashkëpunëtorët biseduan me ekipin e FMN-së, kryesuar nga Frank van Brunschot, për progresin e arritur në lidhje me rekomandimet e bëra nga misioni i Sektorit për Çështje Fiskale në vitin 2020. Siç u kumtua nga dikaster qeveritar, në takim u konstatua se një nga sfidat më komplekse në këtë fushë për periudhën e analizuar është integrimi i dy administratave, asaj tatimore dhe doganave, në një njësi, e cila nga aspekti i funksionalitetit të plotë duhet të harmonizohen më tej. Van Brunschot shprehu gatishmërinë që ekipi i tij të ofrojë asistencë teknike dhe profesionale në zbatimin dhe përmirësimin e mëtejshëm të reformave të administratës tatimore, duke vënë në dispozicion praktikat dhe përvojat më të mira të vendeve të tjera.

Aksionarët e EEMZ të hënën për blerjen e Hekuranës

Aksionarët e Elektro Ekonomisë së Malit të Zi (EEMZ) të hënën në seance e kuvendin e jashtëzakonshëm do të duhej të shqyrtojnë vendimin për dhënien e pëlqimit për blerjen e pronës së ish-kompleksit industrial të Hekuranës në Nikshiq. Aksionarët në këtë mbledhje duhet të marrin vendim edhe për shkarkimin dhe zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të kësaj kompanie. Mbledhja e aksionarëve fillimisht ishte caktuar vetëm për çështjet që kishin të bënin me shkarkimin dhe zgjedhjen e anëtarëve të bordit dhe më pas u plotësua me pikën për blerjen e Hekuranës. Problemet në Hekuranën e Nikshiqit nisën pasi pronari turk, grupi "Tosyali", njoftoi se nuk planifikon të fillojë më prodhimin në uzinë dhe se punëtorëve do tu ndajë vendimet për largime nga puna. Ndërkohë, qeveria i dha dritën jeshile EEMZ-së për të hyrë në negociata për blerjen e Hekuranës dhe më pas dha pëlqimin edhe për emetimin e 10% të aksioneve të saj në bursë, si dhe për blerjen e aksioneve të emetuara. Kjo u realizua në javën e kaluar kur shteti bleu 3.34 milionë aksione të Elektro Ekonomisë së Malit të Zi në bursë për gati 15 milionë euro.

Gjukanoviq nesër vjen në seancën e Këshillit

Edhe pse ishte planifikuar për sot, Komisioni Legjislativ nesër do të diskutojë për propozimin e presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq për shkurtimin e mandatit të përbërjes  së 27-të të Kuvendit. Kryetarja e Komisionit, Maja Vukiçeviq, tha se presidenti për shkak të obligimeve nuk ka pasur mundësi të marrë pjesë sot në seancë, por se nesër do të mund të vijë në Kuvend. Prandaj, u vendos që nesër të diskutohet kjo pikë në rendin e ditës. Gjukanoviq në arsyetimin e iniciativës ka thënë se nuk janë plotësuar kushtet që liderit të Demos-it, Miodrag Lekiq,  t'i besohet mandati për përbërjen e Qeverisë. “Procesi konsultativ ka treguar qartë se nuk ka bazë për të emëruar një mandatar brenda afatit të paraparë me Kushtetutë, i cili do të siguronte mbështetje në Kuvend për përbërjen e Qeverisë së 44-të të Malit të Zi”, ka theksuar më parë Gjukanoviq, duke shtuar se shkurtimi i mandatit të Kuvendit është zgjidhja më optimale për situatën aktuale politike dhe se kjo është në interes të të gjithë qytetarëve të Malit të Zi, sepse hap mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në një periudhë më të shkurtër kohore“, theksoi ai. Gjukanoviq shprehu besimin se zgjedhjet parlamentare janë zgjidhja më e mirë, ndërsa  Qeveria e re do të vepronte me kapacitet të plotë. Parlamenti për propozimin e Gjukanoviqit do të diskutojë në seancë të konvokuar për të premten.

Rezultatet konfirmojnë luftën e vendosur kundër trafikimit me njerëz

Asnjë akt i trafikimit të qenieve njerëzore nuk duhet të kalojë pa u vënë re dhe pa u ndëshkuar, kurse viktimave duhet t'u ofrohet ndihma dhe mbrojtja adekuate, tha ministri i Brendshëm Filip Axhiq. Ai këtë e tha dje në Budvë, në hapje të punëtorisë me temën, “Parandalimi i mosndëshkimit të trafikantëve të qenieve njerëzore dhe ofrimi i mbështetjes për viktimat”. “Në takimin që mblodhi ekspertë rajonalë të kësaj fushe, ministri Axhiq tha se përmirësimi i vazhdueshëm i kapaciteteve profesionale është me rëndësie të veçantë në luftën kundër këtij fenomeni, veçanërisht në pjesën e identifikimit të viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore për shkak të metodave gjithnjë e më të sofistikuara të shfrytëzimit dhe rekrutimit të tyre”, thuhet në deklaratën e Ministrisë për Punë të Brendshme. Mali i Zi, siç tha Axhiq, ka një vizion të qartë për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, si në nivelin strategjik ashtu edhe në atë operacional.

Përmirësimi i Ligjit për Qasje të Lirë në Informata, para miratimit

Ligji për Qasje të Lirë në Informacione nuk duhet të miratohet nëse nuk përmirësohet, tha ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, duke shtuar se aktin do t'ia përcjell sa më parë në Komisionin  Evropian (KE) që të marrin miratim nga ministritë kompetente. Dukaj, në panelin “Rëndësia e respektimit të së drejtës për qasje të lirë në informacion për transparencën e administratës shtetërore”, organizuar nga Qendra për Tranzicionin Demokratik (CDT), tha se administrata publike duhet të jetë sa më parë për qytetarët. “Në këtë kohë të shkurtër ne nuk kemi pas mundësi të bëjmë më shumë në këtë aspekt”, tha Dukaj. Ai tha se sektori të cilin ai e drejton, kishte ndërmarrë hapa të caktuar në lidhje me Ligjin për Qasje të Lirë në Informata. “Të gjitha procedurat lidhur me atë ligj i kemi përfunduar me kohë dhe i kemi dërguar në ministritë përkatëse”, tha Dukaj. Zëvendësdrejtoresha e përgjithshme e Qendrës për Tranzicionin Demokratik, Bilana Papoviq, tha se në periudhën paraprake janë humbur shumë shanse, duke përfshirë shansin për të reformuar politikën e transparencës. “Institucionet shpesh e vendosin veten mbi ligjin dhe fshehin informacione për punën e tyre. Gjithnjë e më pak ka njerëz që përgjigjen rregullisht për Ligji për Qasje të Lirë në Informacione”, tha Papoviq.

Thjeshtimi i procedurave në mbështetje të qasjes së lirë informacioneve

Qasja e lirë informacioneve është njëra prej të drejtave themelore për çdo individ, në kërkim të informacioneve sa më të plota nga institucionet me qëllim të jetësimit të parimeve të transparencës në ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë mbi bazat e demokracisë. Sidomos në kushtet e pluralizmit politik në organizimin shoqëror kudo. Andaj, me rastin e shënimit të 28 shtatorit, Ditës ndërkombëtare për qasje të lirë informacioneve, është rast i mirë të vlerësohen të arriturat në këtë fushë, sidomos në hartimin e një kornize ligjore e cila do të zgjidhte mirëfilli këtë çështje. E drejta e këtillë është siguruar me dokumentin më të lartë juridik të vendit, Kushtetutën, por jo rrallë, ndodhë që të mos zbatohen plotësisht ligjet e parapara nga kjo fushë. Qytetarët, në partneritet me agjenci dhe institucione vendase dhe ndërkombëtare, kanë arritur nivel të dëshiruar lidhur me të drejtat e tyre në promovimin e transparencës në punën dhe aktivitetet e administratës publike. Edhe pse janë bërë përmirësime të dukshme ligjore në këtë drejtim, ligjvënësit duhet të veprojmë më tej në, sidomos, thjeshtimin e procedurave për qytetarët në realizimin e të drejtës për qasje të lirë informacioneve. Përmirësimi i kapaciteteve të nevojshme dhe thjeshtimi i procedurave në këtë drejtim, do të lehtësonte dukshëm qasjen e lirë informacioneve dhe, njëkohësisht, kjo kontribuon rritjen e përgjegjësisë në punën dhe aktivitetet e administratës publike.

përgatiti, Gjokë Dukaj

Masë ndalimi për 30 ditë për Alletiq për shkak të armëmbajtjes pa leje dhe lëndëve shpërthyese

Radovan Alletiq, nga Berani i cili dje u arrestua në kuadër të hetimit për hedhjen e bombave në shtëpinë e Eqo Mervanit, pas marrjes në pyetje në prokurorinë themelore të të shtetit, iu caktua masa e ndalimit deri në 72 orë. Prokurori i propozoi gjykatësit hetues që Alletiqit t’i caktohet masa e ndalimit deri në 30 ditë. Ai akuzohet edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje dhe lëndëve shpërthyese. Përndryshe, njëri nga sulmuesit e dyshuar të policit Eqo Mervan, në shtëpinë e të cilit janë hedhur dy bomba, është vrarë në një konfrontim me policinë, ndërsa sulmuesi tjetër është arrestuar, njoftuan dje nga Drejtoria e Policisë. Siç bëjnë të ditur ata, gjatë arrestimit, në shkëmbim zjarri me policinë ka mbetur i vrarë F.K. Ndërkaq, sulmuesi tjetër është arrestuar dhe dërguar në ambientet zyrtare. Policia bën me dije se njëra bombë ka shpërthyer, ndërsa tjetra jo dhe se janë shkaktuar dëme të vogla materiale.

Bisedimet e Serbisë me BE të kushtëzohen me sanksionet ndaj Rusisë

Parlamenti Evropian (PE) pritet të kërkojë që vazhdimi i bisedimeve të anëtarësimit mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian (BE) të kushtëzohet me vendosjen e sanksioneve nga Beogradi ndaj Rusisë. Kjo kërkesë është pjesë e një raporti për strategjinë e zgjerimit të BE-së të përgatitur nga Tonino Piculla, deputet socialdemokrat nga Kroacia, i cili është raportues i PE-së për këtë strategji. Serbia ka votuar disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara që dënojnë pushtimin rus të Ukrainës, por deri më tani nuk u është bashkuar sanksioneve të bllokut evropian ndaj Moskës. Edhe më herët Parlamenti Evropian ka kërkuar nga Serbia që t’i vendosë sanksione Moskës. Ditëve të fundit, në disa qarqe të Bashkimit Evropian janë shprehur zhgënjime me sjelljen e Serbisë, pasi Beogradi javën e kaluar nënshkroi një marrëveshje për konsultime në fushën e politikës së jashtme me Federatën Ruse. Serbia, së bashku me Turqinë, janë shtetet e vetme që bëjnë pjesë në procesin e zgjerimit, që deri më tani nuk kanë mbështetur sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Shtohen thirrjet për liberalizim të vizave për Kosovën

Çdo ditë e më shpesh, shtohen zërat nga ligjvënës gjermanë por edhe evropianë se liberalizimi i vizave për Kosovën duhet të ndodhë dhe se një vendim i tillë është shumë i vonuar.  Në një postim të Twitter, deputeti gjerman, Thomas Hacker ka shkruar se lidhur  me lajmin e Presidenca Çeke e Bashkimit Evropian, së shpejti do të rihapë diskutimin për liberalizimin e vizave. “…Komisioni nuk duhet të çojë në diskutime të pafundme. Kosova ka merituar liberalizimin e vizave shumë kohë më parë”, tha ai. Sipas Hacker, me të drejtë Presidenca Çeke e BE-së po i përkushtohet kësaj teme. Lidhur me këtë çështje gjatë kësaj jave në Kosovë do të vijë për vizitë ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavsky. Kurse në raportin e Parlamenti Evropian, për të cilin do të debatohet në tetor në Komisionin e Politikës së Jashtme, kërkohet që sa më shpejt të përmbyllet liberalizimi i vizave për Kosovën. Po në tetor, Këshilli Evropian ka vendosur në agjendë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Kosova është vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizimin e vizave edhe pse i ka plotësuar kushtet para disa vitesh. 

Zbatimi i ligjit, detyrim për negociatat

Bashkimi Europian ka përsëritur thirrjen për forcimin e institucioneve të rendit e sigurisë në Shqipëri. Në përfundim të një projekti binjakëzimi, ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Christiane Hohmann, tha se bashkëpunimi për forcimin e zbatimit të ligjit është edhe më strategjik pas fillimit të negociatave. “Fillimi i procesit të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE e bën bashkëpunimin tonë për zbatimin e ligjit dhe sundimin e ligjit në një kuptim më të gjerë, edhe më strategjik dhe të rëndësishëm. Shqyrtimi i kapitullit 24 filloi në Bruksel javën e kaluar dhe, siç mund ta dini tashmë, përparimi në sundimin e ligjit do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë në BE", tha Hohmann. Duke veçuar qëllimin kryesor të këtij bashkëpunimi atë që promovimit të efikasitetit dhe autonomisë së Akademisë, ambasadorja Hohman bëri të ditur se projektimi i Bashkimit Europian ka qenë dhe përgatitja për akreditimin e Akademisë së sigurisë. 

Referendumi tregon se janë për bashkim me Rusinë

Autoritetet në Luhansk, Donjetsk, Herson dhe Zaporozhije, konfirmuan se pas referendumit këto rajone janë "për" bashkimin me Rusinë. Nga Kremlini njoftojnë se Parlamenti Rus në ditët e ardhshme mund të zyrtarizojë aneksimin e këtyre territoreve. Sekretari Amerikan i Shtetit Entoni Blinken tha se Perëndimi nuk do ta njohë kurrë aneksimin rus të territoreve të Ukrainës dhe se vendi i tij do të ndihmojë Evropën në krizën e energjisë. Edhe presidenti i Këshillit Evropian Charl Michel tha se Bashkimi Evropian nuk do t’i njohë, referendumet e rreme në katër rajonet e Ukrainës. Në të njëjtën kohë, qeveria e Letonisë shpalli gjendje të jashtëzakonshme në tri zonat përgjatë kufirit, për shkak të fluksit të madh të rusëve që përpiqen të largohen nga vendi. Ministria e Brendshme njoftoi se situata në kufi mund të ndryshojë shpejt dhe se shumë persona mund të përpiqen të kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme. Kurse liderja e ekstremit të djathtë, Giorgia Meloni tha se Ukraina mund të llogarisë në mbështetjen e Qeverisë së re italiane. Ajo iu përgjigj mesazhit urues të dërguar nga presidenti ukrainas, pasi partia e Melonit, “Vëllezërit e Italisë”, fitoi zgjedhjet e përgjithshme të së dielës.

Kievi dënon rezultatet e referendumeve të rreme ruse për aneksim

Nga Kievi zyrtarë thonë se votimet e orkestruara nga Moska në katër rajone ukrainase pjesërisht të pushtuara nga Rusia, janë “të pavlera” dhe i bëri thirrje Perëndimit që të rrisë “ndjeshëm” ndihmën ushtarake për Ukrainën. “Ukraina kurrë nuk do të pajtohet me asnjë ultimatum”, thane nga Ministria e Jashtme e Ukrainës përmes një deklarate për media. “Ukraina u bën thirrje BE-së, NATO-s dhe G7-s që menjëherë të rrisin në mënyrë të ndjeshme presionin ndaj Rusisë, përfshirë edhe vendosjen e sanksioneve më të ashpra dhe rritjen e ndjeshme të ndihmës së tyre ushtarake për Ukrainën”, shtuan nga kjo ministri. Zyrtarët e instaluar rusë më herët njoftuan se rezultatet e referendumeve mbështetën bashkimin me Rusinë. Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara njoftuan se po planifikojnë të paraqesin një rezolutë në Kombet e Bashkuara për të dënuar të ashtuquajturat referendume. Votimet e organizuara me nxitim u mbajtën për pesë ditë në rajonet lindore të Donjeckut dhe Luhanskut dhe në Zaporizhja e Herson në jug. Këto katër rajone përbëjnë rreth 15 për qind të territorit ukrainas.

BE dhe NATO dënojnë referendumet në Ukrainë, të organizuara nga Moska

Edhe BE dhe NATO i dënuan këto referendume. Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dënoi votimet për “aneksimin e paligjshëm” dhe i quajti “të falsifikuara” rezultatet, ndërkaq, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se votimet ishin “të rreme” dhe “shkelje e ligjit ndërkombëtar”. Asnjë nga katër rajonet ku u mbajtën referendumet e rreme nuk janë nën kontrollin e plotë të Rusisë, ndërkaq forcat ukrainase po raportojnë për më shumë përparime, pasi ata larguan forcat ruse nga rajoni i Harkivit gjatë kundërofensivës të nisur më herët gjatë këtij muaji. Ndërkohë, Rusia ka kryer sulme ajrore në qytetin e dytë më të madh ukrainas, Harkiv. Sulmet gjatë natës goditën një stacion trenash dhe shkaktuan ndërprerje të rrymës për më shumë se 18 mijë amvisëri, thanë zyrtarët ukrainas. Autoritetet nuk kanë raportuar për viktima. Luftime të ashpra po ashtu po vazhdojnë në rajonin e Hersonit, tha Ministria e Mbrojtjes së Britanisë në buletinin e përditshëm për luftën në Ukrainë. 

“Ditët e shkencës dhe inovacionit 2022”

Shkolla e Mesme, “Vëllazërim- Bashkim“ e Ulqinit këtë fundjavë do të organizojë një aktivitet dyditor me rastin e mbajtjes së Festivalit, “Ditët e Shkencës dhe Inovacionit 2022” , i cili do të mbahet nga data 29 shtator e deri më 2 tetor në disa qytete të Malit të Zi. Drejtoresha e shkollës, Ardita Kovaçeviq thotë se në kuadër të këtij festivali më 29 dhe 30 shtator në ambientet e shkollës do t’u mundësojnë të gjithë dashamirëve të shkencës, teknologjisë dhe inovacionit të përcjellin dhe të shijojnë një mori përmbajtjesh të larmishme – punëtori të ndryshme, prezantim projektesh, ligjërata, tryeza të rrumbullakëta, eksperimente nga fizika dhe kimia dhe aktivitete të tjera të shumta në kabinete e laboratorët e shkollës. “Ky është një shans që shkolla jonë të promovojë praktikat e mira nga puna e vet me nxënës, të promovojë shkencat natyrore dhe programet mësimore. Prandaj i ftoj të gjithë të interesuarit të na vizitojnë, ndërsa ftesë e veçantë u kemi dërguar nxënësve të shkollave fillore, të cilët do të jenë nxënësit tonë të ardhshëm”, thekson Kovaçeviq. Ajo beson se pas një pauze prej dy vitesh, “Ditët e Shkencës dhe Inovacionit 2022” do të priten me padurim, jo vetëm nga kërkimi shkencor dhe inovacioni, por edhe nga publiku më i gjerë i interesuar.

përgatiti, Gjekë Gjonaj           

Edhe nesër mot jostabil, me shi dhe bubullimë

Në jug dhe pjesët qendrore të Malit të Zi sot po mban mot me vranësira të pakta dhe intervale me diell, kurse në veri me vranësira të ndryshueshme. Fryn erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e jugut. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Tivar e Budvë 25 gradë, Podgoricë, Ulqin e Herceg Novi 24, Beranë 20, Cetinë, Plevle e Bijello Pole 19, në Nikshiq 18, Rozhajë, Kollashin e Guci 17 dhe në Zhablak 13 gradë.

Për nesër meteorologët paralajmërojnë mot të vranët e me reshje të përkohshme të shiut e bubullimë. Intensiteti më i lartë i reshjeve pritet në viset jugore dhe qendrore të vendit, kurse në veri me vranësira të ndryshueshme edhe me intervale me diell. Do të fryjë erë e mesme deri e fortë, vende vende shumë e fortë e drejtimeve të jugut. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 9 deri në 16, kurse më e larta e ditës prej 13 deri në 23 gradë celsius.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се