Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

29. 09. 2022. 00:00   >>  18:24

Ditari 29.09.2022

Ditarin e përgatiti, Senad Gilaj

Shtyhet debati për shkurtimin e mandatit të Kuvendit

Këshilli ligjdhënës i Kuvendit të Malit të Zi, ka shtyrë debatin për propozimin e presidentit malazez, Milo Gjukanoviq, për shkurtimin e mandatit të përbërjes së 27-të të Kuvendit, pasi presidenti nuk ka ardhur në seancë. Në seancën e Komisionit erdhën vetëm këshilltarët e Gjukanoviqit, kështu që kryetarja e Komisionit, Maja Vukiqeviq, deklaroi se nuk ka kushte për ta diskutuar këtë pikë të rendit të ditës. “Derisa të vijë propozuesi, ne nuk mund ta shqyrtojmë këtë pikë”, tha Vukiqeviq, dhe shtoi se kjo  nuk duhet të pengojë diskutimin për shkurtimin e mandatit të Kuvendit. Kryetarja e Komisionit, Maja Vukiqeviq, tha sot se nuk ka kushte që të diskutohet për atë pikë të rendit të ditës, sepse duhet të jetë i pranishëm propozuesi, përkatësisht presidenti, Milo Gjukanoviq. Ajo, ka deklaruar se një herë e ka shtyrë seancën sepse nga DPS-ja i kanë thënë se sot në seancë do të vijë presidenti i shtetit dhe ka sqaruar se është e gatshme të shtyjë edhe një herë seancën. Ajo tha se nuk është e mundur që dikush tjetër, përveç presidentit, ta mbrojë propozimin e tij këtu. Gjukanoviq nuk erdhi në mbledhje për të shpjeguar propozimin mbi shkurtimin e mandatit të Parlamentit, por në mbledhje kishte dërguar këshilltarët e tij Natasha Peshiq dhe Boris Bastijançiq. Deputetja e PDS-së, Jovanka Llalliçiq, tha se nuk ka pengesa që të mbahet seanca e Këshillit, sepse në këtë mbledhje mund të vijnë edhe përfaqësues të propozuesve. Llalliçiq, tha se presidenti i shtetit do të marrë pjesë në seancën e Kuvendit, kur do të diskutohet për shkurtimin e mandatit, por se asnjë rregullore nuk parasheh që në seancën e Bordit të jetë i pranishëm edhe Gjukanoviq. Kryetari i Partisë Liberale, Andrija Popoviq ka thënë se priste që Gjukanoviq të vinte në seancën e sotme, ndonëse siç shton ai, në ligj, ky obligim nuk është i saktësuar. Parlamenti malazez nesër do të diskutojë propozimin e presidentit.

Zhbllokimi i Gjykatës Kushtetuese është i domosdoshëm për stabilitet politik

Zhbllokimi i punës së Gjykatës Kushtetuese është kusht i domosdoshëm që Mali i Zi të fitojë stabilitet politik dhe të vazhdojë të përmbushë detyrimet e tij ndaj Bashkimit Evropian (BE), tha sot kryetarja e Kuvendit, Danijella Gjuroviq. Gjuroviq, siç kumtuan nga kabineti i kryetares së Kuvendit, është takuar me ambasadorin e Francës në Mal të Zi, Christian Timonie. Lidhur me situatën aktuale gjeopolitike, ajo tha se theks i veçantë duhet vënë në angazhimin më të madh të partnerëve, të BE-së dhe NATO-s, ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, me synim të ruajtjes së sigurisë së rajonit, por edhe të gjithë hapësirës evropiane. Kurse për situatën në vend, ajo theksoi “se duhet të punohet në zhbllokimin sa më të shpejtë të punës së Gjykatës Kushtetuese, sepse ky është një kusht i domosdoshëm që Mali i Zi të fitojë stabilitet politik dhe të vazhdojë të përmbushë detyrimet e tij ndaj BE-së”. Ajo tha se marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Francës karakterizohen me dialog të vazhdueshëm politik, bashkëpunim në shumë fusha, partneritet brenda NATO-s dhe mbështetje franceze për integrimin evropian të Malit të Zi.

Gjuroviq përsëriti se anëtarësimi në BE është një qëllim strategjik për të cilin Mali i Zi vazhdimisht punon dhe bën përpjekje maksimale. Kurse, siç thuhet në kumtesë, Timonie ka thënë se pret që Mali i Zi të kapërcejë përçarjet aktuale politike dhe të arrijë përparim të dukshëm në shumë fusha, në mënyrë që të bëhet sa më shpejt anëtar i BE-së.

Kërkimet për spiunazh, ende nuk ka asnjë të arrestuar

Në disa lokacione në Podgoricë janë duke u bërë disa bastisje, me kërkesë të Prokurorisë Speciale Shtetërore, për veprën penale të spiunazhit. Lajmi u konfirmua nga prokurori special, Vukas Radonjiq. Me kërkesë të Prokurorisë Speciale Shtetërore dhe me urdhër të Gjykatës së Lartë në Podgoricë, policia po kontrollon banesat dhe hapësirat e tjera të disa qytetarëve, për shkak të dyshimit të bazuar se janë kryer veprat penale: krijim i organizatës kriminale dhe spiunazh. Deri më tash nuk është arrestuar askush”, tha Radonjiq. Kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, e mirëpriti veprimin e Prokurorisë Speciale Shtetërore, duke thënë se “bëhet fjalë për një aksion ndërkombëtar”. Sipas tij, ai po realizohet me partnerët e Malit të Zi dhe që ka qëllim “ruajtjen e interesave kombëtare”. Radonjiq, ka bërë të ditur se deri më tani nuk është arrestuar ndonjë person dhe se bastisjet po kryhen për shkak të dyshimit se krimet e kryera janë krijim i organizatës kriminale dhe spiunazhit. Kurse Ministri i Punëve të Brendshme, Filip Axhiq, në mbledhjen e sotme, ka bërë të ditur se Qeveria po bën gjithçka që Mali i Zi të largojë çdo ndikim negativ nga jashtë. Ai bëri të ditur se synimi i tyre është pastrimi i shërbimeve shtetërore nga personat që janë të përfshirë prej vitesh në shërbimet e huaja.

Veprimet që rivendosin besimin në ANB"

Veprimi i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (ANB) ndaj disa personave të dyshuar për krijimin e një organizate kriminale dhe spiunazhi, rikthen besimin e qytetarëve dhe partnerëve në këtë  institucion, tha Predrag Boshkoviq, deputet i Partisë Demokratike të Socialistëve.

Boshkoviq, e përgëzoi Agjencinë për veprimin "me shpresën se edhe ata që punojnë për shërbime të tjera do t'i nënshtrohen përpunimit dhe ndjekjes penale".

“Veprime të tilla rikthejnë besimin e qytetarëve dhe partnerëve në institucionin më të rëndësishëm të sigurisë në vend”, ka shkruar Boshkoviq në Twitter.

Sistemi bankar i Malit të Zi është në maksimumin e tij historik

Sistemi bankar i Malit të Zi në shumicën e parametrave kyç është në maksimum historik dhe me trende pozitive, tha Guvernatori i Bankës Qendrore të Malit të Zi (BQ e MZ), Radoje Zhugiq. Ai bëri të ditur se sistemi i pagesave në Mal të Zi së shpejti do të jetë plotësisht në përputhje me direktivat evropiane. Në tetë muajt e kaluar, siç tha Zhugiq, janë dhënë 26% më shumë kredi sesa në vitin 2019, që ishte vit rekord. “Kemi përcjellë shumë gjëra dhe tregues të operacioneve bankare dhe mund të them se sot sistemi bankar, në shumicën e parametrave kryesore, është në maksimumin historik dhe me trende pozitive”, theksoi Zhugiq. Ai beson se ka baza të mirë në propozimin e presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, për ta rikandiduar për këtë post. “Kërkesa e presidentit ka bazë kurse politikanët duhet të deklarohen për këtë. Unë bëj gjithçka për të ruajtur reputacionin tim dhe të kolegëve të mi”, tha Zhugiq në konferencën për gazetarët ku foli për situatën aktuale në sektorin financiar dhe bankar të Malit të Zi.

Zhvillimi i infrastrukturës, i rëndësishëm për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor

Qeveria e Malit të Zi, është plotësisht e përkushtuar për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe promovimin e nismave drejt projekteve që do të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm social dhe ekonomik jo vetëm të Malit të Zi, por edhe të gjithë rajonit. Një nga synimet më të rëndësishme të Malit të Zi, është përcaktimi i prioriteteve strategjike të investimeve në drejtim të zgjidhjes së nevojave të mëdha infrastrukturore, tha dje zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Çështjeve Evropiane, Jovana Maroviq. Me ftesë të organizatorëve të Forumit të tetë të Konektivitetit, “Tirana 2022”, Maroviq mori pjesë në panelin “Planifikimi dhe financimi i infrastrukturës së qëndrueshme”, që u mbajt në Durrës. Siç tha ajo, në periudhën e ardhshme duhet fokusuar në shfrytëzimin e mundësive që ofron Plani Ekonomik dhe Investues për Ballkanin Perëndimor, i cili do të mbështesë vendet e rajonit në tejkalimin e krizës ekonomike në rritje.

Kah fundi i javës së ardhshëm do të paguhen “praktikantët”

Kompensimet e vijuesve të programit të aftësimit profesional do të jepen deri ka fundi i javës së ardhshme, ka bërë me dije Ministri i Administratës Publike Marash Dukaj, në mbledhjen e Qeverisë. Dukaj tha se pas sulmeve kibernetike gradualisht po kthehen sistemet e informacionit. "Shpresoj që të gjitha sistemet të do të jenë në funksion deri ka fundi i javës tjetër", tha ministri Dukaj. Kur u pyet nga kryeministri Dritan Abazoviq se kur do të jepen kompensimit për vijuesit e programit të Qeverisë për aftësimin profesional, Dukaj u përgjigj se kjo mund të realizohet më së voni deri në fund të javës tjetër. Me propozim të Ministrit të financave Aleksandër Damjanoviq u miratua propozimi që zbritja e akcizave në karburante të mbetet në fuqi deri më 1 nëntor. Të rikujtojmë se Qeveria ka hequr dorë nga një pjesë e të ardhurave nga akcizat në karburante tash më shumë se katër muaj. Kjo është arsye që të hyrat buxhetore mbi këtë bazë të jenë dukshëm më të ulëta se sa ishte planifikuar.

Në vend të punëtorëve, paratë u janë paguar kreditorëve nga Hungaria

Rreth 150 ish-punëtorë të “Boksiteve” të Nikshiqit u mblodhën sot para ndërtesës së zyrave të ish-administratës për të protestuar pasi u njoftuan se mjetet e dedikuara  për kërkesat e tyre nga shitja të një pjese të pasurisë së Boksiteve, u ishin paguar kreditorëve nga Hungaria. Përfaqësuesi i punëtorëve Rasho Çivoviq tha se këtë informatë e ka marrë nga administratori i fabrikës në falimentim, Dragan Viçeviq dhe se këto mjete, ish administrata e dhunshme ne krye me Mlladen Markoviq, i ka  drejtuar për hungarezë. Çivoviq dhe ish punëtorët e Boksiteve paralajmërojnë protesta në Podgoricë, nëse kjo situatë nuk zgjidhet urgjentisht. Përndryshe, po sot nga Komuna e Nikshiqit kanë bërë të ditur se kryetari i Komunës, Marko Kovaçeviq i ka pranuar punëtorët e boksitit, të cilëve, siç kanë thënë, u detyrohen pagat minimale deri në paga të plota, para shpalljes së falimentimit të kësaj ndërmarrje. Komuna e Nikshiqit do të marrë mbi vete një pjesë të shpenzimeve për avokatë për të mbështetur punëtorët e Boksiteve, tha Kovaçeviq.

Nuk vjen në Budvë për shkak të “fusnotës”

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka refuzuar pjesëmarrjen në Samitin e Guvernatorëve të Rajonit që mbahet në Budvë, pasi në ftesë organizatorët i ishin referuar Republikës së Kosovës me fusnotë. Burimet e RTK-së bëjnë me dije se guvernatori Mehmeti e ka refuzuar pjesëmarrjen në Samitin në Beçiq të Budvës, i cili do të fillojë sot dhe mbahet deri më 1 tetor, e ku pjesëmarrës janë edhe guvernator të vendeve të rajonit dhe ministrat e financave, për shkak se në ftesë Kosova figuronte me fusnotë. Guvernatori Mehmeti dhe ministri i financave të Kosovës viteve të kaluar kishin marrë pjesë në këtë Samit dhe gjithherë Kosova ishte paraqitur në mënyrë të barabartë me shtetet e tjera. Ndryshe Samiti i Guvernatorëve të Bankave Qendrore të Shteteve të Rajonit, të ministrave të financave dhe drejtorëve të administratave tatimore të rajonit të Ballkanit Perëndimor është njëra ndër ngjarjet më të mëdha në rajon ku diskutohen çështjet financiare.

Pezullim të negociatave me Serbinë nëse nuk ka sanksione ndaj Rusisë

Parlamenti Evropian do t’i kërkojë Bashkimit Evropian që të pezullojë negociatat e anëtarësimit me Serbinë derisa ajo të vendosë sanksione ndaj Rusisë, thuhet në draftin e strategjisë së re të zgjerimit të BE-së, në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë. Siç theksohet, dokumenti do të diskutohet nga eurodeputetët më 13 tetor në Komisionin për Punë të Jashtme të PE-së, ndërsa versioni përfundimtar i raportit do të marrë formën e një rezolute të Parlamentit Evropian – që pritet të ndodhë në nëntor. Siç vuri në dukje Radio Evropa e Lirë, që nga fillimi i luftës në Ukrainë, BE-ja i ka kërkuar vazhdimisht Serbisë që të vendosë sanksione ndaj Rusisë, në përputhje me vendimet e BE-së. Vendet kandidate për në BE duhet të harmonizojnë në mënyrë progresive politikat e tyre të jashtme me atë të BE-së, përfshirë sanksionet, thonë burime në Bruksel. Serbia është i vetmi vend në rajon që nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë, ndërsa të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë përafruar me politikën e BE-së.

Rama thotë se Shqipëria prej sot ka “kryeinspektorin në qiell”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi sot, gjatë prezantimit të shërbimit satelitor në Republikën e Shqipërisë, se tashmë do të kemi një kryeinspektoriat në qiell. “Sot lajmi është se ne do të kemi një kryeinspektoriat në qiell që nuk ka emër të përveçëm, kushërinj, parti dhe i cili ka një sy që i sheh të gjitha. Me satelitët nuk do të ketë më mundësi të ndërtohen kate pa leje pa u vënë re në momentin kur sapo nisin, sepse e kanë kapacitetin të shohin çdo volum të ngritur mbi sipërfaqen e tokës me një saktësi që mblidhet në një perimetër prej 70 centimetra”, tha Rama. Me satelitët ne do të kemi mundësi të shohim gjithçka ndodh në shumë nga fushat”, tha Rama. Ditën e sotme u nënshkrua Kontrata e Shërbimit Satelitor në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për monitorimin me teknologji të avancuar të territorit të Shqipërisë, ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Operatorit Satellogic, USA Inc.

Peskov thotë se të premten Rusia do të aneksojë katër rajonet e Ukrainës

Kremlini njoftoi se do t'i aneksojë formalisht katër rajone të Ukrainës, ku së voni u mbajtën të ashtuquajturat referendume për bashkim me Rusinë. Zëdhënësi Dmitri Peskov tha se ceremonia e nënshkrimit do të mbahet nesër. Në të, sipas tij, do të marrin pjesë presidenti rus, Vladimir Putin, dhe udhëheqësit e instaluar nga Moska të katër rajoneve ukrainase, Luhansk, Donjeck, Herson dhe Zaporizhja. Zyrtarët pro-rusë të këtyre rajoneve thanë se votuesit e kanë mbështetur me shumicë votash bashkimin me Rusinë. Por, referendumet e ashtuquajtura u hodhën poshtë nga Ukraina, qeveritë perëndimore dhe Kombet e Bashkuara, duke thënë se ato janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar. Të katër rajonet formojnë një rrip të rëndësishëm tokësor midis Rusisë dhe Gadishullit të Krimesë, të cilin Moska e aneksoi ilegalisht nga Ukraina në vitin 2014. Njoftimi i Kremlinit erdhi vetëm disa orë pasi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen, tha se BE-ja po punon për një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë. Shtëpia e Bardhë bëri të ditur, po ashtu, se SHBA-ja po përgatit sanksione të reja ekonomike kundër Moskës, që do të imponojnë një "kosto të rëndë ekonomike për Rusinë".

Identifikohet rrjedhja e katërt e gazit në Detin Baltik

Garda bregdetare e Suedisë ka identifikuar rrjedhjen e katërt të gazit në Detin Baltik, ka bërë me dije sot një zyrtar i këtij vendi. Në këtë det kalojnë tubacionet e gazsjellësit Rrjedha Veriore, i cili çon gazin natyror nga Rusia në Gjermani. Tri rrjedhje, dy në zonën e Danimarkës dhe një në zonën e Suedisë,  janë zbuluar këtë javë në dy tubacione të mëdha ruse, Rrjedha Veriore dhe Rrjedha Veriore 2. NATO-ja dhe Bashkimi Evropian kanë thënë se rrjedhjet janë akt “sabotazhi” dhe janë zotuar se do të marrin masa për të mbrojtur infrastrukturën kritike evropiane. Asnjëri tubacion nuk ka qenë duke u përdorur në kohën e shpërthimeve të dyshuara, mirëpo ato kanë qenë të mbushura me gaz që është duke u derdhur në Detin Baltik prej 26 shtatorit - kur janë identifikuar rastet e para. Këto incidente kanë nxitur rritjen e çmimeve të gazit natyror në Evropë.

Ian mbërrin në Florida, nuk len viktima

Uragani Ian ka lënë pa rrymë më shumë se dy milionë konsumatorë në Florida të Shteteve të Bashkuara. Zyrtarët kanë paralajmëruar se problemet me rrymë mund të shkaktohen për shkak të dëmtimit të linjave elektrike, nga stuhitë dhe erërat e forta. Ian, uragan që ka arritur pikun ditë më parë – në kategorinë e katërt - gradualisht është duke humbur forcën dhe është vlerësuar se tani është në kategorinë e parë. Uragani ka arritur në Florida mbrëmë me erëra në deri 241 kilometra në orë. Ian konsiderohet se është një prej uraganeve më të fuqishme që kanë goditur tokën amerikane në vitet e fundit. Guvernatori i Floridas, Ron De Santis, ka paralajmëruar njerëzit që të përgatiten për disa ditë të rënda. Patrulla kufitare e Shteteve të Bashkuara është në kërkim të 23 migrantëve që janë zhdukur pasi barka e tyre është fundosur gjatë stuhisë. Ian ka zbarkuar fillimisht në Kubë, para dy ditësh, duke lënë të vdekur dy persona dhe duke dëmtuar rrjetin e furnizimit me rrymë. 

Për 100 ditë kemi vendosur themele të shëndosha për projekte të mëdha

Kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, zhvilloi sot një takim me gazetarë me rastin e 100-ditëshit të ardhjes së tij si kryetar i komunës dhe punën e administratës lokale në përbërjen e re. Ai duke analizuar punën e tij, përmblodhi rezultatet e arritura  në periudhën paraprake dhe paralajmëroi projektet e ardhshme. “Pushteti i ri  komunal në këtë qytet gjatë 100-ditëve të shkuara ka arritur të vendos themele të shëndosha për realizimin e projekteve të mëdha, kurse  në të ardhmen pret realizimin e shumë projekteve  të bukura dhe  të dobishme për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve”, theksoi ndër të tjera Bajraktari. Ai posaçërisht theksoi bashkëpunimin shumë të mirë të Komunës së Ulqinit me Qeverinë e Malit të Zi dhe dëshirën e përbashkët që Ulqini realisht të bëhet një nga qytetet më të zhvilluara në Mal të Zi. Dy udhëheqësit kryesorë të komunës së Ulqinit, kryetari i Komunës dhe ai i Kuvendit, Ardian Mavriqi, periudhën e 100 ditëve qeverisje e vlerësuan të suksesshme, duke paralajmëruar investime serioze në periudhën e ardhshme.

përgatiti, Gjekë Gjonaj

 

Edhe nesër mot pa ndryshime, pas dite diçka më i qetë

Në Mal të Zi sot po mban mot me vranësira të ndryshueshme dhe vende vende edhe me reshje të shiut. Frynë erë e mesme deri e fortë nga drejtimet e jugut. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Ulqin 25 gradë, Podgoricë, Tivar, Herceg Novi e Budvë 24, Bijello Pole 22, Beranë 21, Rozhajë 19, Cetinë, Nikshiq, Kollashin e Guci 17 dhe në Zhablak 14 gradë.

Për nesër pritet mot me vranësira mesatare deri krejt i vranët dhe me reshje të përkohshme të shiut, veçanërisht në viset jugore dhe qendrore. Në veri kryesisht i thatë dhe me intervale me diell, që pasdite do të shtrihen në pjesën më të madhe të vendit. Do të fryjë erë vende- vende e mesme deri e fortë nga drejtimet e jugut. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 10 deri në 20, kurse më e larta e ditës prej 15 deri në 25 gradë celsius.

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се