Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

03. 10. 2022. 00:00 >> 19:26

Ditari 03.10.2022

Përgatiti, Gj. Dukaj

Axhiq; “Do të sanksionojmë të gjitha ndikimet e paligjshme në vend” 

Ministri i Brendshëm, Filip Axhiq, ka deklaruar sot se policia do t'i sanksionojë të gjitha ndikimet e paligjshme në vend, por nuk do të marrë vendime të bazuara në simpati apo indicie të dikujt tjetër. Gjatë seancës së Kuvendit të Malit të Zi, në Cetinë, Axhiq, duke iu përgjigjur pyetjeve të Andrija Popoviqit, për ndërhyrjen e Serbisë në procesin zgjedhor, tha se tashmë kanë hyrë në atë histori. Deputeti o PL, Andrija Popoviq, tha se është i dukshëm ndikimi negativ i Serbisë dhe Partisë Progresive Serbe në prag të zgjedhjeve lokale në Budva.

“Ne morëm konfirmimin zyrtar se përfaqësues të Partisë Progresive Serbe (SNS) tashmë po ndërhyjnë në zgjedhjet lokale në Budva, se ata janë vazhdimisht të pranishëm atje”, tha Popoviq. Ministri Axhiq, nga ana tjetër, thotë se nuk mund t’i ndalohet dikujt hyrja në Mal të Zi, nëse nuk ka ndalime formale për hyrje, ose nëse nuk janë regjistruar veprimet e tij të kundërligjshme.

“Pavarësisht se kush i përkiste cilës parti dhe çfarë ideologjie ka propaganduar, nëse nuk ka ndalime formale për hyrjen në Mal të Zi dhe nëse veprimet e tij të paligjshme nuk janë regjistruar në Mal të Zi, ne nuk kemi mundësi të ndalojmë qëndrimin në territorin e ndonjë komune”, shpjegoi Adžić.

Siç thotë ai, “ne përdorim kompetencat tona në përputhje me ligjin, i trajtojmë të gjithë në mënyrë të barabartë dhe kushdo që ushtron ndikim të papërshtatshëm do të sanksionohet”.

Abazoviq; “Janë gjetur cigaret e vjedhura” 

Janë gjetur cigaret që u zhdukën gjatë transportit nga depoja e doganave "Zetatrans", deri në Nikshiq, tha kryeministri, Dritan Abazoviq.

"Janë gjetur cigaret e  vjedhura! Nuk ka shaka me shtetin! Ne e rikthejmë goditjen! ", shkroi Abazoviq në rrjetin Tuiter. Ai përshëndeti reagimin e shpejtë të autoriteteve në luftën kundër  kontrabandimit të cigareve.

"Kemi premtuar dhe po e realizojmë, do ta luftojmë krimin pa falje," tha Abazoviq. Më parë, "Vijesti", njoftuan se policia dje pasdite, afër Podgoricës, gjeti kamionin me cigare dhe arrestoi shoferin dhe një zyrtar të Drejtorisë të të ardhurave dhe doganave për shkak të dyshimit për zhdukjen e cigareve me vlerë afro një milion euro.

PDS, do të përsëris iniciativën për shkurtimin e mandatit të Kuvendit 

Partia Demokratike e Socialistëve, do të paraqesë iniciativën e re për shkurtimin e mandatit të kësaj përbërje të Kuvendit, të cilën do ta nënshkruajnë një e treta e deputetëve, sepse kjo është mënyra e vetme për të dalë nga kriza, tha deputeti i kësaj partie, Predrag Boshkoviq, në emisionin Presing, në RTV e qytetit.

 Ai, tha se nëse do të ketë kurajo, mandati i kësaj përbërje do të shkurtohet në muajin tetor. Siç theksoi Boshkoviq, institucioni i Presidentit, aktualisht, është i vetmi me kapacitet të plotë e legjitim në Mal të Zi. Ai përsëriti se e vetmja dhe më e drejta zgjidhje për krizën politike është t’i kthehet mandati qytetarëve dhe tu jepet mundësia për të vendosur se kush mund ta udhëheqin shtetin në katër vitet e ardhshme.

Shqekiq; Javën që vjen, furnizimi i plotë me ilaçe 

Sot, ka përfunduar tenderi për blerjen e ilaçeve, ndërsa spitalet, farmacitë dhe të gjitha institucionet shëndetësore do të duhej që javën e ardhshme të furnizohen në kapacitet të plotë, deklaroi sot Ministri i Shëndetësisë, Dragosllav Shqekiq. Ai, në emisionin e mëngjesit në Televizionin e Malit të Zi, ka shprehur besimin se nuk do të lejojnë më sjellje të papërgjegjshme si në periudhën e kaluar që të mos ketë fonde të pa mjaftueshme për sistemin shëndetësor. "Tanimë, po kthehemi në normalitet. Kemi  problem i cili nuk lidhet me rebalanc, për mungesë fondesh, por ka të bëjë me zhvillimet e përgjithshme në nivelet evropiane dhe botërore. Kriza ka krijuar shumë probleme", tha ai. Ai tha se në qeveri ka një disponim i madh që problemet në sektorin shëndetësor të zgjidhen urgjentisht dhe se kujdesi shëndetësor është segment prioritar i shoqërisë tonë”, tha ministri, Shqekiq.

 

Subjektet politike, të parashohin bashkëpunimin me Kuvendin e qytetarëve 

Qendra për Tranzicion Demokratik, bëri thirrje që të gjitha listat zgjedhore që marrin pjesë në zgjedhjet lokale në Podgoricë, me programet e veta të përfshijnë bashkëpunimin formal me Kuvendin e qytetarëve të cilin, Organizatat Joqeveritare, planifikojnë ta formojnë pas konstituimit të Kuvendit të ri të Kryeqytetit. Zëvendësdrejtoresha e përgjithshme e kësaj Organizate joqeveritare, Bilana Papoviq, rikujtoi se këshilltarët e përbërjes aktuale në seancën e mbajtur në fund të muajit maj, kanë mbështetur idenë e kësaj OJQ-je dhe janë obliguar se do të bashkëpunojnë. "Fatkeqësisht, pas shtyrjes jokushtetuese të zgjedhjeve lokale, jemi obliguar ta vonojmë formimin e Kuvendit të qytetarëve deri në fillim të mandatit të ri të Kuvendit të Kryeqytetit", tha Papoviq.

Nuk ka shkelje drastike të drejtave të fëmijëve 

“Në vendin tonë, nuk ka shkelje drastike të drejtave të fëmijëve, por jo të gjithë kanë qasje të njëjtë në të drejta”, tha zëvendësja e avokatit të popullit në Malit të Zi, Snezhana Mijushkoviq. “Të gjithë fëmijët, pa marrë parasysh se ku ata jetojnë, kanë një sërë problemesh që i paraqesin çdo ditë, që të kenë qasje në të drejtat e veta”, tha Mijushkoviq, me rastin e Javës ndërkombëtare të Fëmijëve. Si problem kryesor, ajo theksoi se po përballemi çdo ditë e më shumë me numër më të vogël të fëmijëve. Që fëmijët të realizojnë të drejtat nga Konventa për të drejtat e fëmijëve, Mijushkoviq, tha se shteti duhet të sigurojë ambient të duhur, e që kjo të arrihet duhet ta shtojë numrin e duhur të ekspertëve.

Fuqia blerëse e qytetarëve, më ulët se në muajin janar të këtij vitit 

Sipas analizës së bërë nga Qendra për Studime Ekonomike Evropiane, fuqia blerëse e qytetarëve të Malit të Zi, është zvogëluar, për shkak të nivelit shumë të lartë të inflacionit, që ka arritur edhe deri në 15 përqind. Paga mesatare në Mal të Zi, pa taksat dhe kontribute, në muajin gusht ka arritur në 718 euro, që realisht është më e ulët për 5.7 përqind, në krahasim me muajin janar të këtij viti. Kjo do të thotë që qytetari ose qytetarët e Malit të Zi, me 718 euro të këtij muaji, mund të blinin më pak sesa me 686 euro, sa kishin në janar. Siç thuhet në kumtesë, arsyeja është norma shumë e lartë e inflacionit, deri në 15 përqind, që është shumë më e lartë se sa në eurozonë. Kjo është shkaktuar nga faktorët në tregun ndërkombëtar, si dhe nga masat joadekuate të politikës fiskale në vend.

Fillon viti shkollor në Kosovë, pas grevës së mësimdhënësve 

Viti i ri shkollor ka nisur zyrtarisht të hënën në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar në Kosovë. Fillimi i mësimit ka ndodhur me një vonesë prej pesë javësh, si rezultat i një greve të mësimdhënësve, e cila është pezulluar më 1 tetor, deri në janar.

Greva në arsim dhe në administratën publike, në nivelin lokal dhe qendror, ka nisur më 25 gusht të këtij viti.

Greva është pezulluar pas votimit të anëtarësive të sindikalistëve.

Sindikalistët kanë mbajtur grevën me kërkesë kyçe për ndarje të 100 eurove për punëtorë, për çdo muaj, deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për paga.

Qeveria, në anën tjetër, ka publikuar një pako për ndihmë - për shkak të rritjes së inflacionit - dhe në të janë ndarë edhe nga 50 euro për të gjithë punëtorët e sektorit publik.

Izetbegoviq, ka pranuar humbjen në zgjedhjet e djeshme 

Pas shumicës së votave të numëruara ( 84. 75 për qind ), Denis Beqiroviq, kandidati boshnjak i opozitës së bashkuar, “Të bashkuar për Bosnje e Hercegovinën e lirë”, dhe Zhelka Cvijanoviq , janë në rrugë për të fituar ulëse në Presidencën trepalëshe të Bosnjës. Sipas rezultateve të fundit, Zhelko Komshiq është përpara Borjana Krishtos në garën për ulësen kroate në Presidencë.

Beqiroviq, anëtar i Partisë Socialdemokrate, i cili është përkrahur nga 11 parti opozitare, ka fituar 55.78 për qind të votave, për dallim nga Bakir Izetbegoviq, partia e të cilit, Partia për Veprim Demokratik, ka qenë në pushtet prej fundit të luftës më 1996.

Izetbegoviq, i cili sipas Komisionit Zgjedhor ka fituar 39.31 për qind të votave, e ka pranuar humbjen të dielën. Shtetasit e Bosnjës kanë votuar të dielën për përfaqësuesit e tyre në Presidencën trepalëshe dhe ligjvënësit në nivelet kombëtare, rajonale dhe lokale.

Më shumë se 60.000 vëzhgues janë akredituar për të mbikëqyrur procesin.

Sipas autoriteteve, dalja në zgjedhje ka qenë 50 për qind, apo 2 për qind më pak sesa në zgjedhjet e vitit 2018.

Gara është konsideruar të jetë zhvilluar mes nacionalistëve dhe reformistëve të fokusuar në ekonomi.

Autoritetet pohojnë për kontrollin e plotë të qytetit Liman 

Presidenti i Ukrainës tha se forcat e tij kanë kontrollin e plotë të qytetit lindor të Limanit, një qytet strategjik në Donbas, nga i cili forcat ruse u tërhoqën një ditë më parë.

Zelensky i bëri këto komente përmes një video-mesazhi të postuar në llogarinë e tij në Telegram më 2 tetor. “Deri në orën 12:30, Limani është krejtësisht i pastruar”, tha ai. “Faleminderit ushtarëve tanë. Lavdi Ukrainës”, shtoi presidenti ukrainas.

Rimarrja e kontrollit të Limanit nga forcat ukrainase është fitorja më e madhe në fushëbetejë në javët e fundit, pas kundërofensivës që forcat e Kievit nisën në rajonin verior të Harkivit, duke dëbuar forcat ruse. Suksesi i kësaj kundërofensive befasoi shumë vëzhgues.

Limani është qytet strategjik, përmes së cilit kalojnë linjat hekurudhore dhe analistët thanë se ka të ngjarë që forcat ukrainase do ta përdorin qytetin si vend prej ku do të nisin ofensiva të reja në lindje. Në Liman ka pasur luftime të ashpra në ditët e fundit, me forcat ukrainase që gradualisht arritën të rrethonin rreth 5.000 trupa ruse që po e mbronin qytetin.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha më 1 tetor se trupat ruse po tërhiqeshin për shkak të “rrezikut të rrethimit”.

Në mbështetje të anëtarësimit të Ukrainës, në NATO 

Nëntë shtete të Evropës Qendrore dhe Lindore kanë ofruar mbështetjen e tyre që Ukraina të bëhet anëtare e NATO-s, dhe i kanë bërë thirrje Aleancës që t’i ofrojë më shumë armë Kievit, në mënyrë që të mbrohet nga forcat pushtuese ruse.

Deklarata e lëshuar më 2 tetor u nënshkrua nga liderët e Republikës Çeke, Estonisë, Lituanisë, Letonisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Polonisë, Rumanisë dhe Sllovakisë.

Deklarata e përbashkët e këtyre nëntë shteteve vjen pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi më 30 shtator se Ukraina ka dorëzuar kërkesën për aplikim për anëtarësim në NATO përmes procedurës së përshpejtuar.

Kjo kërkesë e Ukrainës u bë në ditën e njëjtë që presidenti rus, Vladimir Putin, pretendoi se Rusia ka aneksuar katër rajone ukrainase, që janë pjesërisht të pushtuara nga forcat ruse.

Stoltenberg, paralajmëron pasoja të rënda nëse Putin, do të përdor armët bërthamore 

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka paralajmëruar “pasoja të rënda për Rusinë”, nëse presidenti rus Vladimir Putin do të përdorte armë bërthamore në Ukrainë, mes retorikës së përshkallëzuar nga Moska dhe aleatët e saj. Çdo përdorim i armëve bërthamore do të “ndryshonte natyrën” e konfliktit në Ukrainë”, shtoi ai.

“Një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të luftohet kurrë. Dhe ky është një mesazh që NATO dhe aleatët e NATO-s ia përcjellin qartë Rusisë”, tha ai. Udhëheqësit perëndimorë dhe zyrtarët e qeverisë besojnë se ky kërcënim është rritur që nga e premtja, kur Putini aneksoi zyrtarisht katër rajone ukrainase, dhe i shpalli territor rus.

 

Studentët iranian përleshen me policinë 

Studentët iranianë janë përleshur me forcat e sigurisë në një universitet në Teheran, pas valës së protestave që janë nxitur nga vdekja e një vajze 22-vjeçare teksa ka qenë në mbajtje, kanë raportuar grupe për të drejta të njeriut.

Mahsa Amini ka vdekur më 16 shtator, disa ditë pasi është ndaluar nga Policia për Moral me supozimet se nuk e ka vendosur si duhet mbulesën në kokë.

Vdekja e saj ka nxitur protestat më të mëdha në Iran në tre vjetët e fundit.

Shqetësimet janë rritur edhe më shumë për dhunën, pasi në Universitetin Sharif, gjatë natës, zyrtarët policorë janë përleshur me qindra studentë, duke përdorur gaz lotsjellës.

“Gra, jetë, liri”, kanë bërtitur studentët, si dhe “studentët preferojnë më shumë vdekjen sesa poshtërimin”, ka raportuar agjencia iraniane e lajmeve Mehr.

BE, të planifikojë kursimet në përdorim të gazit  

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, ka këshilluar Bashkimin Evropian që të planifikojë kursime në përdorim të gazit, për të shmangur magazinat e zbrazëta dhe problemet në zinxhirin e furnizimit këtë dimër. Për të mbajtur rezervat e gazit në nivele adekuate deri në fund të sezonit të ngrohjes, kërkesa duhet të reduktohet nga 9 në 13 për qind, në krahasim me mesataren e pesë vjetëve të fundit, ka thënë agjencia sot. Sipas saj, një rrjedhje e vogël e gazit të lëngshëm natyror, do të garantonte që rezervat e gazit të qëndronin në 25 deri në 30 për qind. “Lufta e Rusisë në Ukrainë dhe reduktimet e mëdha në furnizimet me gaz natyror në Evropë, janë duke u shkaktuar dëme të konsiderueshme konsumatorëve, bizneseve dhe gjitha ekonomive – jo vetëm në Evropë, por edhe ekonomive në zhvillim”, ka thënë drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.

Shkencëtari, S. Paabo, fitues i çmimit Nobel, për mjekësi 

Shkencëtari suedez, Svante Paabo, ka fituar Çmimin Nobel për Mjekësi, për shkak të zbulimeve të lidhura me evolucionin njerëzor.

Ky çmim, ndër më prestigjiozët në botën shkencore, është ndarë nga Asambleja për Nobel e Institutit Karolinska në Suedi dhe ka vlerën e më tepër se 900 mijë dollarë amerikanë.

Me Nobelin, për Mjekësi, nis sezoni i ndarjes së çmimeve Nobel në fusha të ndryshme, përfshirë atë për paqe, letërsi, fizikë, kimi dhe ekonomi.

Paabo, djali i biokimistit, Sune Bergström - po ashtu fitues i Çmimit Nobel - është vlerësuar për transformimin e studimit të origjinës njerëzore, duke krijuar qasje tjera që mundësojnë analizimin e ADN-së nga gjurmët arkeologjike dhe paleontologjike.

Nesër, mot i ngjashëm 

Në Mal të Zi, mban mot kryesisht me diell, në viset veriore kryesisht i vranët. Frynë erë e mesme deri e fortë e drejtimeve veriore dhe verilindore. Temperatura në orën 14; Herceg Novi 27 gradë, Tivar e Budvë 25, Podgoricë, Ulqin e Petrovac 23, Cetinë 20, Nikshiq 18, Beranë, Bjello Pole, Shavnik e Petnjicë 16, Kolalshin e Andrijevicë 14, Plevlë, Plluzhinë e Guci 13, Rozhajë 12 dhe në Zhablak 8 gradë.

Meteorologët, parashohin se nesër do të mbaj mot kryesisht i kthjellët, në veri me vranësira të ndryshueshme dhe i thatë.

Do të fryjë erë e mesme deri e fortë e drejtimeve të veriut, pasdite me intensitet diçka më të dobët.

Temperatura e mëngjesit prej 2 deri në 16, kurse më e larta e ditës prej 9 deri në 24 gradë celsius.

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се