Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

05. 10. 2022. 00:00 >> 19:21

Ditari 05.10.2022

Përgatiti, Gj. Dukaj

Janë arrestuar disa zyrtarë të Drejtorisë së të ardhurave dhe doganave 

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Shtetit (SDT) janë arrestuar edhe disa punonjës të Drejtorisë së të ardhurave dhe doganave (ADD) nën dyshimin se janë përfshirë në vjedhjen e cigareve të sekuestruara që është dashur të asgjësohen, njoftoi Prokuroria.

“Pas vlerësimit të provave dhe informacioneve të mbledhura deri më tani, me urdhër të prokurorit të shtetit në Prokurorinë Speciale Shtetërore, njësia e policisë speciale ka privuar nga liria Ž.I, udhëheqësin e departamentit për parandalimin e kontrabandës dhe N.A.  R.V. dhe M.S. anëtarë të Komisionit për asgjësimin e cigareve të konfiskuara të Drejtorisë së të ardhurave dhe doganës, për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit se kanë kryer veprat penale të krijimit të organizatës kriminale dhe marrjes së ryshfetit”, deklaroi për Portalin e RTMZ,  prokurori shtetëror e zëdhënës i Prokurorisë speciale të shtetit, Vukas Radonjiq.

Po ashtu, siç është njoftuar, ata do të sillen në Prokurorinë e Shtetit për t'u marrë në pyetje si të dyshuar, jo më vonë se 24 orë nga koha e privimit nga liria.

“Me qëllim të mbrojtjes së interesave dhe qëllimit të procedurës, për momentin nuk do të prezantohen më shumë informata, ndërsa Prokuroria Speciale e Shtetit do të informojë menjëherë për veprimet e mëtutjeshme dhe rezultatet e tyre, duke respektuar të drejtën e publikut për të ditur”, tha. Radonjiq.

Jep dorëheqje drejtori, Rade Millosheviq 

Drejtori i Drejtorisë së të ardhurave dhe doganave (UPC), Rade Millosheviq, sot ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, konfirmuan për Portalin RTMZ, nga Zyra e Kryeministrit.

Siç dihet, dorëheqja e Millosheviqit është dorëzuar në Kryeministri, pas një bisede me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Millosheviqi,  është marrë në pyetje në cilësinë e qytetarit të shtunën në mbrëmje, në kuadër të hetimeve për kontrabandën e cigareve.

Pas marrjes në pyetje në polici, Millosheviq, deklaroi se përkrah veprimin e Prokurorisë Speciale të Shtetit dhe Drejtorisë së Policisë dhe tha se është në interesin e tyre të përbashkët që të zbardhen paligjshmëritë e mundshme.

“Personalisht, do të befasohesha shumë, nëse Millosheviqi do të bënte këtë lloj lëshimi. Ne të gjithë firmosim vendime të ndryshme çdo ditë. Nëse ka diçka tjetër, autoritetet duhet të hetojnë”, tha dje Abazoviq.

Kryeministri më pas deklaroi se në dokumentet që i ka dorëzuar Prokurorisë speciale të shtetit, për kontrabandën e cigareve nuk përmendet Millosheviqi, por kompanitë dhe personat e caktuar që kanë mbajtur pozita në periudhën paraprake.

Dje, Abazoviq, mohoi pretendimet në media se përfaqësues të vendeve anëtare të NATO-s ishin në një takim në Agjencinë e Sigurisë Kombëtare (ANB) dhe se ata kërkuan dorëheqjen e Millosheviqit.

Mbështetja e Qeverisë në zgjidhjen e kapaciteteve hapësinore të Prokurorisë 

Kryeministri i Malit të Zi në mandatin teknik, Dritan Abazoviq, ka vizituar sot ambientet e Prokurorisë supreme të Shtetit   dhe Prokurorisë Speciale, ku ka biseduar me ushtruesin e detyrës së Prokurorisë Supreme të Shtetit, Maja Jovanoviq dhe Kryeprokurorin Special, Vladimir Novoviq, me qëllim  të shqyrtimit të mundësive për realizimin sa më të shpejtë të informacionit për dhënien e objektit të vjetër të Qeverisë,  Prokurorisë Shtetërore, e bëjnë të ditur nga Qeveria.

Gjatë takimit, u diskutua edhe për sigurimin e mjeteve dhe dinamikën e përshtatjes së objektit të caktuar, si dhe zgjidhjen e problemeve të tjera aktuale në funksionimin e Prokurorisë lidhur me mangësitë administrative dhe hapësinore.

“Kryeministri Abazoviq, është i njoftuar për mundësinë e përshtatjes së ndërtesës së vjetër të Qeverisë me ndihmën financiare të partnerëve ndërkombëtarë. Gjithashtu, kryeministri është në dijeni të Marrëveshjes së punës për bashkëpunimin e Prokurorisë së Lartë të Shtetit të Malit të Zi dhe Zyrës së prokurorit publik Evropiane (EPPO), me në krye Laura Koveshi”, thuhet në njoftimin e Kabinetit.

Kjo marrëveshje me prokurorin publik Evropian, shtojnë ata, është mirënjohje e madhe e rezultateve të deritashme të udhëheqjes së re të Prokurorisë dhe një nxitje për vazhdimin e suksesshëm të luftës kundër të gjitha formave kriminale.

“Javën e ardhshme presim përgjigje për rritjen e pagave” 

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Radomir Bozhoviq, tha se javën e ardhshme mësimdhënësit presin përgjigjen përfundimtare nga ministritë e arsimit dhe financave për rritjen e kërkuar të pagave prej 45 për qind. Ata kërkojnë që rritja e pagave të jetë nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Nëse oferta është nën minimumin, ata do të përdorin modele të tjera të veprimtarisë sindikale.

Negociatat me Ministrinë e Arsimit për pagat e kërkuara nga mësimdhënësit janë ende në vazhdim.

Duke komentuar ndërtimin e shkollës “Vladimir Nazor” në Podgoricë, Bozhoviq tha se Ministria ka dështuar sepse, siç thotë ai, ajo shkollë është rrënuar vitin e kaluar.

Të rikujtojmë, se sot është Dita Botërore e Mësuesit, e cila festohet në mbarë botën, në përkujtim të së njëjtës datë në vitin 1966, kur UNESCO dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës nënshkruan Rekomandimin për Statusin e Mësuesit, me qëllim që të theksohet  roli i mësuesve në edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve, si dhe duke theksuar parimet dhe rekomandimet për pozitën e mësuesit në shoqëri.

UNESCO me temën e sivjetme “Transformimi i arsimit fillon me mësuesit” synon të ftojë qeveritë e vendeve të investojnë te mësuesit, t'i kyçin ata, t'u besojnë dhe t'i respektojnë.

NATO, krah Malit të Zi, në mbrojtje nga spiunazhi rus 

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se NATO qëndron në solidaritet me Malin e Zi, i cili po merr masa për të mbrojtur sovranitetin dhe demokracinë e tij nga spiunazhi rus.

“NATO, qëndron në solidaritet me aleatin e saj të çmuar, Malin e Zi, ndërsa merr masa për të mbrojtur sovranitetin dhe demokracinë e saj përballë spiunazhit rus dhe aktiviteteve të tjera me qëllim të keq destabilizuese”, shkroi Stoltenberg në Twitter.

Ai, vuri në dukje se Ballkani Perëndimor ka një rëndësi strategjike për Aleancën dhe shtoi se për këtë NATO, mbetet në roje.

Shteti do të pengojë shfrytëzimin e paligjshëm të lumenjve dhe zhavorrit 

Shteti do të pengojë shfrytëzimin e paligjshëm të lumenjve dhe zhavorrit nga rrjedhat ujore të Malit të Zi, u njoftua në mbledhjen ndërinstitucionale, e cila, me theks në Moraç, u mbajt me iniciativën e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Administrimit të Ujërave, Vlladimir  Jokoviq.

Siç është paralajmëruar, në përputhje me konkluzionet e Qeverisë, kjo Ministri do të formojë një ekip operacional që do të ndërmarrë veprime konkrete ligjore me vlerësimin e situatës dhe propozimin për masat që synojnë mbrojtjen e zonës së burimit ujor Bolje Sestre, për shkak të problemeve serioze të shkaktuara nga shfrytëzimi i zhavorrit dhe rërës.

Përfaqësuesit e institucioneve shprehën nevojën dhe gatishmërinë që përmes një koordinimi të përbashkët të pengohet shfrytëzimi i paligjshëm të zhavorrit dhe rërës nga lumenjtë malazezë.

 

BB: Borxhi i lartë publik, konsolidim i nevojshëm fiskal

Në raportin e fundit, Banka Botërore (BB) e rriti parashikimin e rritjes së ekonomisë malazeze për këtë vit në 6.9 për qind, ndërsa ka ulur atë në 3.4 për qind për vitin e ardhshëm.

Sipas vlerësimeve të mëparshme të BB-së, ekonomia malazeze duhej të rritej me 3,6 për qind këtë vit dhe 4,7 për qind në vitin e ardhshëm.

Kjo do të thotë se parashikimi për Malin e Zi, në raportin e fundit të tetorit që i referohet rajonit të Evropës dhe Azisë Qendrore, për këtë vit është përmirësuar për 3.3 për qind, ndërsa për vitin e ardhshëm është më i dobët për 1.3 për qind, thuhet në raport, njofton agjencia Mina-business..

Inflacioni thuhet se është rritur në nivele të reja, por ndikimi i tij negativ në koston e jetesës është zbutur kryesisht nga rritja në të ardhurat reale të disponueshme.

Ata thanë se borxhi i lartë publik dhe një mjedis global në përkeqësim kërkojnë konsolidim fiskal afatshkurtër. Rimëkëmbja e turizmit pritet të vazhdojë në vitin e ardhshëm, megjithëse përkeqësimi i perspektivave të rritjes në BE dhe rajon mund të ngadalësojë rimëkëmbjen e tij, konstatojnë në Bankën Botërore. 

Ministrja, Gërvalla, në Strasburg lobon për anëtarësim në KiE 

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, është takuar me ambasadorin e Irlandës në Këshillin e Evropës, Breifne O’Reilly.

Njoftimin për këtë takim e publikoi Zyra e Ambasadorit të Irlandës në Këshillin e Evropës, në llogarinë zyrtare në Twitter.

Në këtë njoftim shkruan se në këtë takim, u fol mbi angazhimet e Kosovës drejt synimit të saj për anëtarësim në Këshill të Europës, raporton RTKlive.

Ndërkohë, mediat serbe raportojnë se është e pasigurt nëse çështja e Kosovës do të jetë në agjendën e Këshillit të Evropës.

Misioni serb në Strasburg i ka thënë RTS-it se Beogradi ka arritur ta parandalojë kërkesën zyrtare për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës me përpjekje intensive diplomatike.

Megjithatë, procedurat janë të tilla që nuk do të dihet deri në momentin e fundit.

BB, ngadalësim i rritjes së BPV në Kosovë 

Banka Botërore ka parashikuar se rritja e Bruto Prodhimtarisë Vendore (BPV) në Kosovë pritet të ngadalësohet në 3.1 për qind gjatë vitit 2022.

Në pjesën për Kosovën, në raportin e titulluar “Mbrojtja Sociale për Rimëkëmbje”, Banka Botërore tha se masat për të zbutur ndikimet e rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, duhet të fokusohen “në më të ndjeshmit”.

“Pasi arriti rekord prej 10.5 për qind më 2021, rritja e Bruto Prodhimtarisë, ra për 3.2 për qind në pjesën e parë të vitit 2022, e shtyrë nga kërkesa e brendshme dhe eksportet”, thuhet në raport.

Inflacioni në konsum, sipas Bankës Botërore, pritet të jetë në një mesatare prej 12.1 për qind më 2022, para se të nisë gradualisht të bie në terma afatmesëm.

Ajo tha se presioni nga rritja e inflacionit, pritet të ulë fuqinë blerëse, duke ngadalësuar rritjen e konsumit privat.

Gjithçka gati për takimin e Komunitetit Politik Evropian 

Është publikuar agjenda e takimit të Komunitetit Politik Evropian që mbahet në Pragë të Republikës Çeke, e që fillon me 6 tetor.

Në kuadër të këtij takimi që mbledh liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së, përfshirë aleatë të unionit siç është Britania e Madhe, pastaj edhe ato që aspirojnë të jenë pjesë e unionit, do të diskutohen disa tema.

Mes tyre janë paqja, siguria, energjia, klima dhe situata ekonomike .

Në orën 12:00 të së enjtes, pritet të mbërrijnë presidentët ose kryeministrat e shteteve pjesëmarrëse, kurse punimet fillojnë në orën 13:00.

Diskutime shumëpalëshe dhe dypalëshe janë paraparë të ndodhin, deri në orën 19:30, kur edhe do të mbahet konferencë për media.

Putin, nënshkruan aneksimin e katër rajoneve ukrainase 

Presidenti rus, Vladimir Putin ka nënshkruar edhe zyrtarisht dokumentet për aneksim të katër rajoneve ukrainase, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve, TASS.

Donjeku, Luhansku, Hersoni dhe Zaporizhja janë rajone që kontrollohen pjesërisht nga forcat ruse, prej shpërthimit të luftës së Rusisë në Ukrainë në fund të muajit shkurt.

Ditë më parë, dokumentet për aneksim i kanë miratuar të dyja dhomat e Parlamentit rus.

Putin e ka bërë të ditur vendimin për aneksim pas mbajtjes së të ashtuquajturave referendume në këto katër rajoneve.

Perëndimi dhe Kievi i kanë konsideruar këto procese si mashtruese dhe në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. 

OKB; Më shumë ambicie mbi çështjen e ndryshimeve klimatike  

Evropa duhet të tregojë “ambicie shumë më të mëdha” mbi çështjen e ndryshimeve klimatike sepse emetimet e saj të përgjithshme të gazrave serrë janë ende në rritje, u tha në një raport të Kombeve të Bashkuara.

Në raportin e OKB-së, që u publikua më 5 tetor, u tha po ashtu se shtetet evropiane duhet të rrisin riciklimin, të përmirësojnë cilësinë e ajrit dhe të shpenzojnë më shumë për mjedisin.

Shkurtimi i emetimeve, kryesisht në shtetet perëndimore evropiane, është penguar nga rritja e emetimeve gjetkë në rajon, u tha në raportin që ka analizuar strategjitë e 54 shteteve evropiane.

Cilësia e ajrit ende është nën nivelet e përcaktuara në udhëtuesit ndërkombëtarë dhe taksat e mbledhura në emër të mbrojtjes së mjedisit nuk po përdoren për këtë qëllim, u tha në raportin e OKB-së.

Moska, paralajmëron mundësinë e përleshjes së drejtpërdrejtë me perëndimin 

Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të dërguar më shumë ndihmë ushtarake në Ukrainë “rrit rrezikun e përleshjes së drejtpërdrejtë ushtarake”, në mes të Rusisë dhe Perëndimit, ka paralajmëruar Moska.

Ambasadori rus në Shtetet e Bashkuara, Anatoly Antonov, ka thënë se ekziston “kërcënim” për Moskën, duke i përshkruar Shtetet e Bashkuara si “pjesëmarrëse në konflikt”.

“Ne i bëjmë thirrje Uashingtonit që të ndalë veprimet provokative që mund të çojnë në pasojat më serioze”, ka thënë ambasadori rus.

Një ditë më parë, Shtetet e Bashkuara kanë ndarë edhe 625 milionë dollarë si ndihmë ushtarake për Ukrainën.

Zgjerohen protestat antiqeveritare në Iran 

Iranianët kanë protestuar për të shtatëmbëdhjetën ditë me radhë, protesta anti-qeveritare që u nxitën nga vdekja e një gruaje të re në kohën sa ishte në paraburgim. Ndërkaq, presidenti iranian, Ebrahim Raisi, ka bërë thirrje për unitet.

Universitetet dhe shkollat e mesme iu bashkuan protestave, duke i zgjeruar demonstratat që po mbahen pas vdekjes së Mahsa Amini, 22 vjeçe, e cila vdiq teksa ishte në paraburgim nën dyshimet se kishte shkelur rregullat e hixhabit, apo shamisë së kokës.

Gjatë një seance parlamentare, presidenti iranian, Ebrahim Raisi, pranoi “dobësitë dhe dështimet” e shtetit, por në të njëjtën kohë përsëriti deklaratat e zyrtarëve të tjerë, përfshirë edhe ato të liderit suprem, Ajatollah Ali Khamenei, duke fajësuar armiqtë e Iranit për trazirat.

Punë me përkushtim e redaksisë 

Sot në zyrën e redaksisë shqipe në RTMZ qendruanë për vizitë pune sekretari shtetëror në ministrinë e administratës publike Agron Camaj dhe drejtori i drejtorisë së mediave Negjeljko Rutoviq të cilët u takuanë me kordinatorin e dy redaksive shqip pranë RTMZ Senad Gilaj dhe dy redaktorët e redaksive  Marash Dedvukaj dhe Nikë Kalaj. Mysafirët u interesuanë për punën e dy redaksive dhe mundësinë e tyre për të kontribuar në përmirësimin e punës në këto redaksi. Me këtë rast  Gilaj i njoftoj mysafirët me punën e redaksive si dhe me plan programin e paraparë për vitin që vjen. Gilaj me këtë rsat potencoj se qellimi primar është hapja 24 orëshe e programit shqip, hapja studios në Ulqin për nevojat e dy redaksive si dhe punësimi i gazetarëve dhe teknikëve të rinj pranë këtyre dy redaksive. Poashtu edhe Dedvukaj dhe Kalaj paraqitën problemet me të cilat ndeshën redaksitë në punën e tyre dhe nevojat e domosdoshme të përmirësimit të kushteve aktuale e posaçerisht punësimin e gazetarëve të rinj dhe disa nevoja të tjera teknike. Me këtë rast mysafirët premtuanë se do të bëjnë çështë e mundur që të kontribojnë në përmirësimin e kushteve të përgjithshme të këtyre dy redaksive e posaçerisht në mënyrë urgjente do të reagojnë që sa më parë të sigurohet një studio në Ulqin e cila në masë të madhe do të lehtësonte punën e mëtejme të këtyre dy redaksive.

Përgatiti, Marash Dedvukaj

 

Nesër, mot me vranësira të pakta dhe intervale me diell

Meteorologët, parashohin se nesër do të mbaj mot me vranësira të pakta deri mesatare dhe me intervale me diell.

Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare e drejtimeve të ndryshme, në orët e pasdites dhe të  mbrëmjes deri e fortë e drejtimeve veriore.

Temperatura e mëngjesit prej -2 deri në 14, më e larta e ditës prej 16 deri në 25 gradë celsius.

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се