Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

30. 01. 2023. 00:00 >> 18:22

Ditari 30.01.2023

ditarin e përgatiti, Senad Gilaj

Të shtëna armesh sot në Podgoricë, një i plagosur

Një person është plagosur me armë zjarri në tarracën e restorantit “VUK”, në rrugën “Dallmatinska” të Podgoricës. Siç është bërë me dije nga drejtoria e Policisë, të shtënat kanë ndodhur sot paradite, me ç’rast një qytetar ka marrë disa plagë dhe është transportuar në Qendrën Klinike të Malit të Zi. Në vendin e ngjarjes ka mbërritur prokurori kujdestar dhe hetimet janë në vazhdim e sipër. Përndryshe, Gjykata e lartë e Podgoricës nuk e ka shqyrtuar sot ligjshmërinë e akuzës që e ka paraqitur Prokuroria Speciale Shtetërore kundër agjentit sekret Petar Llazoviq dhe policit Lubo Milloviq, të cilët ngarkohen se janë pjesëtar të klanit kriminal “Kavaç”. Kontrolli i aktakuzës është shtyrë për më 24 shkurt me kërkesë të avokatit mbrojtës Millosh Vuksanoviq, i cili ka kërkuar kohë për përgatitjen e mbrojtjes dhe kopjimin e shkresave të kësaj çështjeje.

Prioriteti i të gjitha prioriteteve është zgjedhja e Gjykatës Kushtetuese

Prioriteti i të gjitha prioriteteve është zgjedhja e Gjykatës Kushtetuese funksionale dhe profesionale, deklaroi sot kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq pas takimit me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Podgoricë, Judy Reising Rejnke. “Definitivisht nuk guxojmë të vonohemi dhe ta shtyjmë apo bllokojmë rrugën e integrimeve evropiane të Malit të Zi”, shkroi Abazoviq në Twitter. Ai gjithashtu tha se sot kishte një bisedë konstruktive me ambasadoren amerikane në Podgoricë.

"Me partnerët evropianë dhe euroatlantikë, të gjitha sfidat janë të zgjidhshme"

“Sa herë që jemi unik me partnerët tanë evropianë dhe euroatlantikë, të gjitha sfidat janë të zgjidhshme”, tha kryetari e deputeti i Demokratëve, Aleksa Beçiq. Beçiq i cili  po qëndron për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) pati disa takime me zyrtarë të lartë dhe të deleguar për Evropën nga Stejt Departamenti amerikan. Beçiq u tha bashkëbiseduesve se Mali i Zi është një nga vendet e rralla kandidate që ka një përafrim të lartë të politikës së tij të jashtme me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, ndërsa, sipas të gjitha sondazheve të opinionit publik të kryera në vend, Bashkimi Evropian gëzon mbështetjen më të lartë nga vendet në Ballkan. Në takim, zyrtarët amerikan u shprehen se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe lufta për sundimin e ligjit janë procese komplekse dhe të vështira, por janë gjithashtu të rëndësishme për të ardhmen evropiane dhe euroatlantike të Malit të Zi.

Pozita dhe opozita me 19 mars me disa kandidatë për postin e presidentit

Millojko Spajiq do të jetë kandidat për president i Lëvizjes “Evropa Tani”, ka vendosur kryesia e kësaj partie. Nga kjo lëvizje u kanë dërguar thirrje partive qytetare dhe të pakicave të cilat e ndajnë vizionin e tyre për Malin e Zi, që ta përkrahin Spajiqin. Ata kanë theksuar se hulumtimi i opinionit publik tregon se kandidati për president i Lëvizjes “Evropa Tani” do të hyjë në rrethin e dytë të zgjedhjeve dhe do ta fitojë kandidatin e Partisë Demokratike të Socialisteve. Kurse kryetari i Lëvizjes Demokristiane, Dejan Vukshiq është kandidat i kësaj partie për president të Malit të Zi. Kjo është bërë me dije zyrtarisht në konferencën për gazetarë në Podgoricë. “Po fillojmë me veprim aktiv të Lëvizjes Demokristiane. Presim masivizim dhe veprim afatgjatë”, ka thënë Vukshiq. Përveç Vukshiqit, opinionit i është drejtuar edhe ish kryeministri Zdravko Krivokapiq. Ata, siç është paralajmëruar, do të paraqesin qëllimet programore dhe vizionin e Lëvizjes. Zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi janë caktuar për më 19 mars.

Nevojitet vullneti politik për zgjidhjen e problemeve kyçe

Kemi ngadalësim në përparimin e parandalimit të dhunës në baza gjinore,  në zgjidhjen e problemeve të të rinjve, grupeve të cenuara dhe të margjinalizuara si edhe në zgjidhjet në fushën e ekologjisë, ndërsa kemi edhe ngecje në ndryshime të cilat i takojnë fushës së legjislaturës, thuhet në përfundimet e Forumit, “Zëri i OJQ-ve në nxitjen e ndryshimeve”, të organizuar nga Qendra për Arsimimin Qytetar, të cilët poashtu u shprehen se për realizimin e këtyre problemeve nevojitet qasje më e organizuar dhe më inkurajuese e sektorit joqeveritar dhe sektorit shtetërorë. Pjesëmarrësit e këtij Forumi nga Institucionet dhe sektori civil formuluan rekomandimet për këto fusha, të cilët thanë se avancimin në këto fusha duhet kërkuar në qasje shumëdimensionale dhe sistematike dhe në përkrahjen e Qeverise, ndërsa nevojitet vullnet politik dhe nxitje më e lartë e organizuar nga te dy sektorët,  u vlerësua në takim.

 

“CEDIS-in duhet ndihmuar, nuk përfitojmë nga rritja e çmimit të energjisë elektrike”

Drejtori i përgjithshëm i Elektroekonomisë së Malit të Zi (EEMZ), Nikolla Rovçanin, ka bërë të ditur se kriza energjetike praktikisht është tejkaluar nga burimet e veta edhe pa rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Ai, i ftuar në emisionin “Link” në Radion e Mali i Zi, apeloi që të vlerësohet dëmi që ka pësuar CEDIS-i në treg dhe të ndihmohet kjo kompani. Lidhur me ndihmën prej 30 milionë euro që Mali i Zi mori nga Komisioni Evropian (KE) për sanimin e pasojave të krizës energjetike, drejtori Rovçanin theksoi se CEDIS-i ka pësuar më së shumti nga i gjithë zinxhiri energjetik, duke shtuar se atyre u është dashtë që të kompensonin të gjitha humbjet duke blerë energji elektrike me çmimi shumë më të lartë se sa u ka kushtuar qytetarëve. “Presim që në afat të shkurtër Qeveria dhe Ministria e Investimeve Kapitale të specifikojnë shpërndarjen e mjeteve nga Komisioni Evropian dhe apeli im është që të identifikohet dëmi që CEDIS ka pasur në treg”, tha Rovçanin. Ai theksoi se në këtë vit duhet të gjendet zgjidhja që sistemi energjetik të funksionojë dhe qytetarët dhe ekonomia të furnizohen pa ndërprerje me energji elektrike.

Sot filloi punën Qendra e rinovuar për Fiziatri  dhe Rehabilitim

Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Malit të Zi, Dragosllav Shqekiq dhe drejtoresha e Qendrës Klinike të Malit të Zi (QKMZ), dr. Lilana Raduloviq, hapen sot Qendrën e rinovuar për Mjekësi Fizikale dhe Rehabilitim. Në rinovimin dhe pajisjen e Qendrës janë investuar mbi 250 mijë euro, mjete të cilat janë siguruar nga buxheti i shtetit, ndërsa një shumë edhe nga donacionet. “Kanë hasur në probleme të shumta në institucionin që menaxhojnë, të cilat po i zgjidhin në mënyrë të planifikuar e sistematike dhe falë punës së tyre të përkushtuar, rezultatet dhe progresi janë të dukshme”, tha Shqekiq. Ai tha se në periudhën e kaluar, Qeveria e Malit të Zi dhe Ministria e Shëndetësisë kanë treguar dhe dëshmuar se kujdesit shëndetësor i kushtohet vëmendje e veçantë, sepse ruajtja e shëndetit të qytetarëve është me rëndësi të madhe.

 

Pensionet do të rriten me 2,5 për qind

Pensionet do të rriten për 2,5%, tha sot për Radio Mali i Zi ushtruesi i detyrës së drejtorit të Fondit për Sigurimin Invalidor e Pensionist, Ranko Alligrudiq. Kjo përqindje, siç shpjegoi ai, vjen pasi Monstat njoftoi rritjen e të ardhurave për tremujorin e kaluar, si dhe rritjen e çmimeve të konsumit. Pensionet e rritura për muajin janar do të paguhen me 20 shkurt, dhe ky do të jetë harmonizimi i parë i pensioneve këtë vit. Harmonizimi i rrallës do të jetë në muajin maj kurse i treti në shtator, njoftoi Aligrudiq. Nga 1 janari i këtij viti kanë hyrë në fuqi ndryshimet e Ligjit për sigurimin invalidorë e pensionist, në bazë të të cilave ndryshime, pensioni minimal do të jetë 270 euro.

 

Shkëmbimi i tregtisë së jashtme 4.24 miliardë euro

Shkëmbimi total i tregtisë së jashtme të Malit të Zi në vitin e kaluar, sipas të dhënave paraprake të Monstat-it, arriti në 4.24 miliardë euro, që është 44.1 %  më shumë se në vitin 2021. Sipas këtij Institucioni statistikor, partnerët më të mëdhenj të tregtisë së jashtme në import ishin Serbia e pastaj Kina dhe Greqia, ndërsa shkëmbimi më i lartë i tregtisë së jashtme i vendit ishte me vendet nënshkruese për tregtinë e lirë  të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe me Bashkimin Evropian (BE). Ndërsa, siç u kumtua nga Banka Qendrore e Malit të Zi, rezerva e detyrueshme e bankave në fund të vitit të kaluar arriti në 263,07 milionë euro. Bilanci mesatar i totalit të depozitave bankare, që përbëjnë bazë për llogaritjen e rezervës së detyruar, në muajin nëntor ishte 4.82 miliardë euro, që nga niveli total i depozitave, të pa afatizuara përfshijnë 82.57 % kurse 17.43 % depozitat me afat të caktuar. Bankat, në bazë të vendimit të Bankës Qendrore, ndajnë rezervë të detyrueshme, që sipas  sistemit të llogaritjes së rezervës së detyrueshme aplikohet norma prej 5.5 % të pjesës bazës, të përbëra nga depozitat pa afat dhe me afat deri në një vit dhe normës prej 4.5 % për pjesën e bazës të përbëra nga depozitat me afat për më shumë se një vit.

 

Çmimet e karburanteve prej sonte në mesnatë më të larta deri në shtatë cent për litër

Prej sonte në mesnatë të gjitha llojet e karburanteve do të shtrenjtohen deri në shtatë cent për litër, u njoftua nga Ministria e Investimeve Kapitale. Siç thanë nga kjo Ministri, në dy javët e ardhshme një litër Eurosuper 95 do të kushtojë 1,48 cent, ndërsa Eurosuper 98, 1,52 euro, që do të thotë se çmimet janë rritur për 7 cent. Eurodieseli do të jetë 1.53 euro, ndërsa vajguri do të kushtojë 1.56 euro, u njoftuam nga Ministria e Investimeve Kapitale. Në bazë të çmimeve të reja të naftës dhe vajgurit, nafta është rritur 6 cent për një litër, kurse vajguri ose nafta për ngrohje, 4 cent për litër. 

 

Asociacioni është pengesa e fundit para njohjes nga Serbia

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se diskutimet dhe konsultat për Asociacionin kanë vetëm një synim. “Synimi është  heqja e pengesave të fundit drejt marrëveshjes së madhe me Serbinë, për njohje të ndërsjellë”, deklaroi Haradinaj në një postim në llogarinë e tij në rrjetin Facebook. Ai tha se ky është një obligim i marrë që duhet të zbatohet në përputhje me kushtetutën e Kosovës. “Dhe këtu çështja mbyllet”. Sipas ish kryeministrit kosovar, të gjithë ata që asociacionin e paraqesin si çështje problematike, nuk e kanë hallin te asociacioni, por duan që asociacionin ta përdorin si “mbulesë” për ta kundërshtuar marrëveshjen e madhe. “Këtë po e bën Serbia e fatkeqësisht këtë po e bën edhe kryeministri i Kosovës”, deklaroi ai. Aktualisht, Haradinaj ndodhet në SHBA ku do të marrë pjesë në ‘Lutjet e Mëngjesit’.

Opozita thotë se Asociacioni është përgjegjësi e Qeverisë

Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) konfirmuan pjesëmarrjen e tyre në takimin e nesërm të thirrur nga Ambasada amerikane, në të cilin do të diskutohet çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Derisa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkoi që Asociacioni të zbatohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, LDK-ja tha se në këtë takim “do të konfirmojë edhe njëherë mbështetjen për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, me përfshirjen e plotë të SHBA-së”, por në lidhje me Asociacionin, kjo parti vlerëson se kjo çështje është “në kompetencë dhe përgjegjësi kushtetuese vetëm e institucioneve të Kosovës, në radhë të parë e Qeverisë”. Ambasada amerikane në Prishtinë do të jetë nesër nikoqire e një diskutimi për Asociacionin. “Ne jemi duke ftuar një grup divers të liderëve të shoqërisë civile, zyrtarëve qeveritarë, liderëve politikë dhe diplomatëve, për të diskutuar këtë çështje me rëndësi”, kishte njoftuar më pare Ambasada e SHBA-ve në Kosovë. Takimi është paralajmëruar se do të mbahet në ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë, ku pritet të jenë të ftuar edhe një numër i konsiderueshëm i shoqërisë civile, ku pritet të dëgjohen propozime edhe nga aktivistë të shoqërisë civile në Kosovë, për atë se si do të duhej të dizajnohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Finlanda shpreson të anëtarësohet në NATO së bashku me Suedinë

Finlanda ende shpreson t’i bashkohet NATO-s së bashku me Suedinë, tha sot ministri i Jashtëm finlandez, Pekka Haavisto, pavarësisht se presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha më parë se Ankaraja mund ta pranojë anëtarësimin e Finlandës, pa Suedinë. “Dëshira jonë në Finlandë është ende që t’i bashkohemi NATO-s së bashku me Suedinë”, tha Haavisto, duke shtuar se “qëndrimi ynë vazhdon të jetë i njëjtë”. Ankaraja ka refuzuar që të ratifikojë aplikimet e këtyre dy shteteve për në NATO, pikë së pari për shkak të refuzimit të Suedisë që të ekstradojë dhjetëra të dyshuar, që Turqia pretendon se janë të lidhur me luftëtarët kurdë dhe me puçin e dështuar të vitit 2016. Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan dje bëri një dallim të qartë midis pozicioneve që kanë ndërmarrë Suedia dhe Finlanda muajve të fundit. “Nëse është e nevojshme, ne mund të japim një përgjigje ndryshe, të përqendruar në Finlandë. Suedia do të tronditet kur ne të japim një përgjigje ndryshe për Finlandën”, tha Erdogan.
 
 
Gjermania nuk do t’i dërgojë Ukrainës avionë luftarakë

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se Gjermania nuk do të dërgojë aeroplan luftarakë në Ukrainë. Kjo deklaratë vjen pasi Kievi rriti thirrjet për armë më të avancuara nga Perëndimi për të ndihmuar në zmbrapsjen e pushtimit të Rusisë. Scholz u pajtua javën e kaluar për të dërguar 14 tanke “Leopard 2” në Ukrainë dhe për të lejuar vendet e tjera evropiane të dërgonin të tyret, pas disa javësh debat intensiv dhe presion në rritje nga aleatët. Pas këtij vendimi, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Pesckov, tha se vendimet e Perëndimit, përfshirë edhe dërgimin e tankeve, po krijojnë një situatë “shumë, shumë të tensionuar” të sigurisë në Evropë dhe për botën në përgjithësi. Kurse, siç njoftojnë mediat, edhe Polonia, Spanja, Finlanda, Holanda dhe Norvegjia dhe disa shtete të tjera pritet të dërgojnë tanket e tyre “Leopard”, ndërkohë që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, beson se rreth 300 tanke do të ndihmonin në mposhtjen e Rusisë. Nga ana tjetër, një kompani ruse njoftoi se do të ofrojë pesë milionë rubla ose 72 mijë dollarë për ushtarët e parë që shkatërrojnë ose kapin tanket e prodhimit perëndimor në Ukrainë, kurse nga 7 mijë e 200 dollarë për të gjitha sulmet e mëvonshme.

 

Kryeministri në vizitë në komunën e Ulqinit 

Komunën e Ulqinit sot e viziton një delegacion i Qeverisë së Malit të Zi, të cilin e kryeson kryeministri, Dritan Abazoviq. Në delegacion me kryeministrin janë edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Goran Gjuroviq, ministrja e Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit, Ana Novakoviq- Gjuroviq, ministri i Shëndetësisë Dragoslav Shqekiq dhe ministri i Sportit Vasilije Lalosheviq.  Abazoviq, siç na thanë nga kabineti i kryetarit të komunës, do të zhvillojë takim me kryetarin Omer Bajraktarin, ndërsa siç na thanë, vizita përfshinë edhe Shtëpinë e Shëndetit dhe Njësinë e Ndihmës Mjekësore Emergjente, kurse më pas do të vizitohet edhe lokaliteti i ish hotelit Galeb, pastaj Port Milena, ndërsa kryeministri do ta vizitojë edhe Katërkollën.

 

Sot, ka filluar gjysmëvjetori i dytë në vitin shkollor 2022/23

Sot, në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në Mal të Zi, ka filluar gjysmëvjetori i dytë, në vitin shkollor 2022/2023. Nga institucionet edukativo- arsimore, kanë njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për fillimin e mbarë të mësimit në gjysmëvjetorin e dytë në realizimin e plan-programit të paraparë mësimor për të gjithë nxënësit. Të rikujtojmë se gjysmëvjetori i dytë është dashtë të fillojë fillimjavën e kaluar por ai është shtyrë për shtatë ditë me kërkesën nga Ekonomisë turistike, Odës ekonomike, Ministrisë së Financave dhe të Turizmit, për shkak të sezonit turistik. Ndërkohë, nga Qendrat dimërore turistike, janë shprehur të kënaqur me rezultatet e arritura gjatë kësaj periudhe pasi që numri i vizitorëve gjatë kësaj periudhe ka tejkaluar edhe parashikimet e punëtorëve turistik. Nga Ministria e Arsimit kanë përgëzuar të gjithë nxënësit duke u uruar suksese të mira në mësime dhe që ditët shkollore t’i kalojnë në përvetësimin e njohurive të reja. Njëkohësisht nga Ministria kanë uruar kolegët në arsim të cilët në misionin human të mësimdhënies përgatisin fëmijët tanë për një të ardhme më të mirë, thuhet në deklaratën nga Ministria e Arsimit. Edhe vetë nxënësit kanë pritur me padurim vazhdimin e mësimit, pasi tashmë janë të liruar nga masat shëndetësore të shkaktuara nga pasojat e koronavirusit siç ishte në dy vitet e kaluara. Andaj, urojmë të gjithë nxënësit të arrijnë suksesin e dëshiruar në këtë gjysmëvjetor dhe në të gjitha fazat e shkollimit.

përgatiti, Gjokë Dukaj                                              

 

Edhe nesër mot pa ndryshime, deri në 13 gradë

Në Mal të Zi sot mbajti mot kryesisht i kthjellët, deri me vranësira të pakta lokale. Frynë erë e dobët e drejtimeve të ndryshme. Temperaturat në orën 13 u shënuan: në Budvë 14 gradë, Herceg Novi 12, Tivar 11, Ulqin 10, Podgoricë 9, Nikshiq 7, Cetinë 6, Bijello Pole e Beranë 5, Rozhajë 4, Guci 3, Plevle e Kolalshin 2 dhe në Zhablak -1 gradë. Për nesër në viset jugore dhe qendrore pritet mot me vranësira të pakta deri mesatare, kurse gjatë ditës kryesisht i kthjellët. Në veri me vranësira mesatare deri krejt i vranët dhe me reshje të përkohshme dhe të dobëta të borës. Do të fryjë erë e mesme deri e fortë nga drejtimet e veriut. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej – 8 deri në 5, kurse më e larta e ditës prej -3 deri në 13 gradë celsius.

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се