Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

06. 02. 2013. 19:58 >> 20:16

LAJMET 06.02.2013

LAJMET

ÇARAPIQ: NUK KEMI PROVA PËR INICIMIN E PROCESIT

Prokurorja supreme shtetërore, Ranka Çarapiq, ka kumtuar se prokuroria nuk ka asnjë provë, që mund të jetë si kusht për inicimin e hetimit dhe të procesit penal, lidhur me aferën Telekom. Çarapiq, në seancën dëgjimore para Këshillit Kuvendor kundër korrupsionit, ka thënë se prokuroria posedon dokumentacion të bollshëm,por dhe jo të gjitha përgjigjet që i ka kërkuar nga institucionet kompetente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Hungarisë. Përveç prokurores Çarapiq, në seancë merr pjesë edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Drejtorisë për pengimin e pastrimit të parave dhe korrupsionit, Veselin Lekiq. Në seancë edhe pse ishte paralajmëruar, nuk ishte i pranishëm ish drejtori i drejtorisë për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, Predrag Mitroviq. Në punën e Këshillit marrin pjesë edhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare CEMI dhe të institutit alternative.

Beshiq-Vujanoviq ka shansa të mëdha për fitore në rrethin e parë të zgjedhjeve

Kandidati i PDS Filip Vujanoviq ka shansa të mëdha për fitore në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, pasi që Mali i Zi Pozitiv ka hequr dorë ngapjesëmarrja, konsideron analisti Millosh Beshiq. Lideri i kësaj partie Darko Pajoviq ka deklaruar dje se kjo parti nuk do ta ketë kandidatin e vetë në zgjedhjet presidenciale,mbase nuk ka arritur të sigurojë mjetet financiare për fushatë. Beshiq ka shtuar se votuesit e Pozitives do të zgjedhin ndërmjet Vujanoviq dhe kandidatit të pavarur Miodrag Lekiq. Ai për Radion Antena M ka shtuar se votuesit e Pozitives kur është fjala për Vujanoviqin dhe Lekiqin janë të ndarë 50-50.

SINDIKALISTËT E BOKSITIT SË SHPEJTI ME KAVARIQIN

Udhëheqësit e Sindikatës së pavarur të minierës së Boksitit të Nikshiqit kanë biseduar me përfaqësuesin e Qeverisë në Këshillin e Drejtorëve Predrag Stamatoviq, mbi zgjidhjen e situatës së vështirë në ndërmarrje. Kryetari i Sindikatës së pavarur Borisav Bojanoviq ka thënë për Televizionin e Malit të Zi se kërkojnë përgjigje për pagesën e rrogave, statusin e mëtejmë të sektorit të ndërtimtarisë dhe hyrjen e paralajmëruar të investitorëve të ri. Bojanoviq ka thënë se Stamatoviq i ka premtuar se së shpejti do të caktojë mbledhjen me ministrin e ekonomisë, Vlladimir Kavariq. Bojanoviq ka thënë se janë duke u zhvilluar bisedimet me kompaninë hungareze ,,Mall,, mbi shitjen e 15 mijë tonelata mineral në muaj. Punëtorët konsiderojnë se të hollat nga shitja e kësaj sasie të mineralit nuk do të jenë të mjaftueshme për pagesën e një rroge. Nga sindikata e pavarur kanë ftuar qeverinë që ta marrë menaxhimin me minierën e Boksitit.

Kisha ortodokse malazeze ka kërkuar nga ministria të realizojë vendimin e inspeksionit

Kisha ortodokse malazeze ka kërkuar nga ministria e zhvillimit të qëndrueshëm dhe turizmit që të realizojë vendimin e inspeksionit për ndërtimtari nga viti 2005 me të cilin Kishës ortodokse serbe në Mal të Zi i është urdhëruar që ta largojë Kishën nga Rumia. I autorizuari i Kishës ortodokse malazeze Stevo Vuçiniq ka theksuar se ministria kompetente këtë kërkesë drejtuar Kishës ortodokse malazeze për mënjanimin e Kishës së metaltë nga Rumia i është dorëzuar para 7 vjetësh. 

PODGORICA DHE NIKSHIQI KANË BORXHE MË TË LARTA

Komunat e Malit të Zi fundin e çerekut të tretë të vitit të kaluar e kanë pritur me borxh prej 120.6 milionë euro, që është arritur në bazë të kredive.Ky borxh është 7 milionë euro më i lartë në raport me vitin e kaluar, tregojnë të dhënat të ministrisë së financave. Po kaq është zbritur borxhi në bazë të obligimeve të pashlyera që në fund të shtatorit kanë qenë 95 milionë euro,shkruajnë Dnevne Novine. Më së shumti ka borxh Podgorica 31 milionë euro, kurse në vend të dytë është Nikshiqi më 17 milionë euro borxh, pason Kotorri me 8.6 milionë euro, kurse në vendin e katërt është Tivari më 8.5. milionë euro borxh.

Thaçi merr pjesë në samitin e OIC në Egjipt

Me ftesë të presidentit të Republikës  së Egjiptit, Mohamed Morsi, kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi ka udhëtuar sot për një vizitë zyrtare në Egjipt, ku do të marrë pjesë në Samitin e Konferencës Islamike(OIC) që po mbahet në Kajro. Gjatë punimeve të këtij Samiti, kryeministri Thaçi do të zhvillojë takime me burrështetas, mbretër dhe kryeministra të vendeve të Konferencës Islamike, me qëllim të rritjes së numrit të njohjeve të reja për shtetin e Kosovës, thuhet në  njoftimin qeveritar. Ky është Samiti i dymbëdhjetë me radhë, që organizohet nga Organizata për  Bashkëpunim Islamik, dhe ku Egjipti do të marrë zyrtarisht presidencën për tri vitet e ardhshme. Pjesëmarrësit po ashtu do të shohin për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe konsultimeve politike në mes të anëtarëve të këtij forumi.

Jahjaga e Rompuj mbështesin dialogun

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga është takuar me presidentin e Këshillit Evropian, Herman van Rompuy, pak para takimit të saj të parë me homologun e saj serb, Tomisllav Nikolliq. Në një komunikatë për media të lëshuar nga kabineti i presidentes, thuhet se  Jahjaga e falënderoi presidentin Rompuj  për mbështetjen e tij dhe të institucioneve të Bashkimin Evropian për perspektivën e qartë evropiane të Kosovës dhe të gjithë rajonit. Ajo ndër të tjera, citohet të ketë thënë se “Kosova është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe promovuese  e fqinjësisë së mirë.”Jahjaga sërish i ka dhënë mbështetje dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe me mbështetje të fuqishme të SHBA-së që po zhvillohet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, “për normalizimin e marrëdhënieve dhe për lehtësimin e jetës së qytetarëve të të dyja vendeve”.Në këtë kuadër, ajo ka thënë se edhe takimi me presidentin Nikolliq, është në funksion të normalizimit dhe relaksimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, dy shteteve që aspirojnë anëtarësimin në BE.
Në të njëjtën komunikatë thuhet se presidenti i Këshillit Evropian, Herman van Rompuj, e ka përgëzuar presidenten Jahjaga për rolin dhe angazhimin e saj të drejtpërdrejtë në mbështetje të dialogut që po zhvillohet në Bruksel.

Bruksel: Takimi Jahjaga - Nikolliq

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, thotë se takimi i saj me presidentin e Serbisë, Tomisllav Nikolliq, paraqet takim simbolik, meqë kjo është hera e parë që takohen presidenti i Republikës së Kosovës dhe ai i Republikës së Serbisë. Më tutje, zonja Jahjaga, i tha Radios Evropa e Lirë se parimisht do të bisedohet për normalizimin e plotë të raporteve Kosovë – Serbi.
Këto komente zonja Jahjaga i bëri para takimit të sotëm në Bruksel, me presidentin e Serbisë, Tomisllav Nikolliqin. Takimi mbahet me ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton. Burime në Komisionin Evropian kanë theksuar se takimi paraqet “afirmim të dialogut Prishtinë – Beograd në nivelin më të lartë”.Më parë është raportuar  se takimi do të filloj në orën 16, por është shtyrë për në orën 18, me takime të ndara të zonjës Ashton me Atifete Jahjagën dhe Tomisllav Nikolliqin, e pastaj do të mbahet mbledhja e përbashkët tri palëshe.

Kocijançiq:Takim i rëndësishëm e simbolik

Përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, e konsideron si shumë të rëndësishëm takimin në mes të presidentes së Kosovës dhe atij të Serbisë. Takimi ndodh në kontekst të përmirësimit të marrëdhënieve. Për ne është i rëndësishëm takimi, sepse ka domethënie simbolike”, u shpreh zëdhënësja e baroneshës Ashton, Maja Kocijançiq.

Berisha- miratohet marrëveshja historike e gazsjellësit TAP 

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë deklaroi se miratohet marrëveshja historike e gazsjellësit TAP. Sipas tij, kjo marrëveshje firmoset mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë për gazsjellësin trans adriatik, duke sjellë gazin nga fushat e Shan Deniz, që do të sjell gazin azer në Evropën Perëndimore dhe që kalon në territorin shqiptar në 200 kilometër. Ai e cilësoi si projektin më të leverdishëm i cili në total kap mbi 41 miliardë dollarë investim, ku vetëm në Shqipëri investimi arrin 2 miliardë dollarë dhe që do të çojë në krijimin direkt dhe indirekt të mbi 20 mijë vendeve të punës.Kreu i qeverisë e cilësoi këtë projekt si një shans të madh për Shqipërinë.

TOPALLI: STATUSIN E ZGJIDHIM PAS ZGJEDHJEVE

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli gjatë vizitës së saj në Bullgari mbajti fjalim në Parlamentin vendas, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e dhënë nga ky vend për integrimin. Në fjalën e saj Topalli deklaroi se bllokimi i marrjes së statusit nga opozita do gjejë zgjidhje më 23 qershor. Ajo tha se Shqipëria nuk e mori statusin e vendit kandidat, sepse kusht ishin 3 ligjet që opozita nuk i votoi se mendonte se kjo do të ndikonte pozitivisht për qeverinë, por tha se ky është problem i brendshëm, por që do gjejë zgjidhje në zgjedhjet e qershorit, pasi objektivi madhor i vendit është integrimi. Topalli ka bërë një pasqyrë të arritjeve në vend krahasuar me vitet e mëparshme.Ne jemi vend strategjik për sigurinë, paqen e prosperitetin. Bullgaria është vend mik yni ne vlerësojmë mbështetjen që i jepni procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor,ju jemi mirënjohës,theksoi pos tjerash Jozefina Topalli.

Hapet samiti i OIC në Kajro

Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OIC) ka hapur samitin në Kajro, derisa në krye të agjendës gjendet konflikti sirian dhe lufta kundër militantëve islamikë në Mali. Asnjë përfaqësues sirian nuk po merr pjesë në takim, në të cilin pritet që të bëhet thirrje për “dialog serioz” mes opozitës dhe qeverisë siriane për të ndalur konfliktin e përgjakshëm. Egjipti  mori presidencën e rrallës së OIC nga Senegali. Presidenti i Iranit Mahmud Ahmadinejad, i cili po ndjek takimin, u bë presidenti i parë  shiit i Iranit, që e viziton Egjiptin në më shumë se 30 vjet. Lidhjet u ndërprenë në vitin 1980, pasi që Egjipti arriti një marrëveshje paqeje me armikun e Iranit, Izraelin.

Paqësori Jugor: Nga cunami – pesë vetë humbën jetën

Një tërmet i fuqishëm me intensitet 8 shkallë ka shkaktuar cunami, nga i cili janë vrarë së paku pesë vetë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në Paqësorin Jugor. Cunami me valë të ujit prej 91 centimetrash, sot  ka goditur një pjesë të largët të Ujëdhesave Solomone. Ka pasur evakuime pasi ishte dhënë alarm për cunami në disa vende të Paqësorit Jugor. Gjendje alarmi ishte edhe në Australi dhe Indonezi. Por, më vonë alarmi për cunami është tërhequr. Zyrtari i lartë i policisë në Ujëdhesat Solomone, John Lansley, tha se ishte herët që të bëhet vlerësim i plotë i numrit të personave të vrarë apo i dëmeve materiale, dhe theksoi se autoritetet shpresojnë të dërgojnë një aeroplan në rajonin e goditur.

Tunizi: U vra lideri opozitar

Partia e Bashkuar Demokratike e krahut të majtë tha se lideri i saj, Chokri Belaid, ishte vrarë sot derisa largohej nga shtëpia e tij në kryeqytetin Tuniz.
Bashkëshortja e tij i tha Radios së Tunizisë se Belaid ishte qëlluar me dy plumba. Dëshmitarët thanë se ai kishte vdekur pasi ishte dërguar në spital.
Belaid ishte kritik ndaj partisë së moderuar islamike Ennahda, e cila  dominon në qeverinë e këtij vendi. Zëdhënësi i qeverisë, Samir Dilou, këtë vrasje e ka cilësuar si “krim neveritës”.

SHBA: Mbrohen sulmet me aeroplanët pa ekuipazh 

Shtëpia e Bardhë e ka mbrojtur përdorimin e aeroplanëve pa ekuipazh në sulmet për vrasjen e të dyshuarve për terrorizëm të al-Kaidës, edhe nëse ata janë shtetas amerikanë, që nuk janë të dënuar nga gjykata. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, mbrëmë në Uashignton deklaroi: se ne i kryejmë sulmet e këtilla pasi ato janë të domosdoshme për zvogëlimin e kërcënimeve aktuale në vazhdim, për t’i ndalur komplotet, për t’i parandaluar sulmet e ardhshme dhe për t’i shpëtuar jetët e amerikanëve. Këto sulme janë legale, etike dhe të mençura”, tha Jay Carney. 

PARLAMENTI BRITANIK PËR MARTESAT GEJ

Parlamenti britanik ka miratuar propozim ligjin me të cilin parashihet legalizimi i martesave njëgjinore vitin e ardhshëm. Deputetët britanikë me 400 vota pro dhe 175 kundër kanë përkrahur propozim ligjin sipas të cilit çiftet njëgjinore kanë mundësi të vejnë kurorë civile, si dhe kishtare, me kusht që institucionet fetare ta pranojnë këtë, transmeton Rojters. Propozimligji duhet të kalojë edhe disa instanca që të hyjnë në fuqi, por ka zbuluar divergjencat në Partinë Konservatore në pushtet, në krye të së cilës është kryeministri i Britanisë Dejvid Kameron, sepse në parlament disa konservatorë e kanë përkrahur propozimin, kurse një pjesë tjetër ishte kundër.

 

 

 

 

 

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се