Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

02. 09. 2013. 17:09 >> 17:38

LAJMET 02.09.2013

02.09.2013

Sot filloi viti i ri shkollor

Viti i ri shkollor 2013/2014 për më tepër se 100 mijë nxënës ka filluar sot në mëngjes. Në bankat shkollore në këtë vit do të gjenden rreth 69 mijë e 700 filloristë dhe afro 32 mijë nxënës të shkollave të mesme. Të dhënat për numrin e fillestarëve nuk janë kumtuar, mirëpo pritet se për herë të parë në bankat shkollore sivjet do të ulen rreth 7 mijë vogëlush.

Edhe në të gjitha shkollat e komunës së Ulqinit, Plavës, Tivarit e  komunës urbane të Tuzit, ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, sot ka filluar procesi edukativo arsimor për vitin e ri shkollor. Pritet që për herë të parë në bankat e shkollave të këtushme të ulen afro 220 fëmije nga Ulqini. Para fillimit të vitit shkollorë janë organizuar aksione me qëllim që situata të zbutet për shumë prindër që nuk janë në gjendje të blejnë libra të rinj. Ministria për të drejtat e njeriut dhe të pakicave në bashkëpunim me ministrinë e arsimit ka siguruar libra falas për nxënësit e popullatës rome dhe egjiptiane, të cilët vijojnë vitin e parë, të dytë dhe të tretë të shkollave fillore. Enti për botimin e librave i ka demantuar informatat se në librari mungojnë librat për klasën e gjashtë, shtatë dhe të tetë.  Personalitete të larta të vendit dhe institucionet kanë uruar për një vit të mbarë dhe të suksesshëm.

 

Bursa për më të mirët

Ministria e arsimit në këtë vit shkollor do të ndajë 300 bursa për studentët më të mirë dhe 165 bursa për nxënësit e talentuar. Bursat studentore do ti fitojnë 200 shfrytëzues të mëparshëm dhe 100 të rinj, të cilët konkurrojnë për herë të parë. Bursat u ndahen studentëve më të mirë të viteve të dyta dhe më lartë, që kanë nënshtetësinë malazeze ose studentëve që kanë statusin e të huajit por që janë me banim të përhershëm në Mal të Zi. Të drejtë në bursë kanë studentët të cilët kanë notë mesatare 9 dhe më lartë. Përndryshe dokumentacioni për konkurs fillojnë të dorëzohen prej sot deri me 18 tetor.

 

Fillojnë paraqitjet për kreditë

Ministria e arsimit do të ndajë edhe 3 mijë kredi studentore ndërsa paraqitja e dokumentacionit përkatës fillon prej sot e deri me 18 tetor. Kreditë do të fitojnë 2 mijë e 700 studentë të institucioneve të larta arsimore publike ndërsa 300 të atyre private.

Të drejtë në kredi kanë studentët të cilët kanë shtetësi malazeze dhe studentët me status të huaj, por që janë banorë të përhershëm të Malit të Zi dhe të cilët për herë të parë kanë regjistruar semestrin e vitit aktual shkollor dhe nuk kanë ndryshuar programin studimor. Nga kjo ministri njoftojnë se përparësi në zgjedhje për kredi kanë kandidatët me sukses të mirë gjatë viteve të kaluara të shkollimit. Kreditë jepen për një vit shkollorë dhe paguhet në 10 këste mujore. Shuma e kredisë varet nga suksesi i arritur në vitin e mëparshëm shkollor, kurse shfrytëzuesi është i obliguar që kredinë ta kthej sipas kushteve të vërtetuara me kontratë.

 

Zgjedhjet në Mojkovac dhe në Petnjicë me 16 nëntor

Zgjedhjet lokale në Mojkovac e Petnjicë do të mbahen me 16 nëntor. Siç thuhet në vendimin e presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviq, për shpalljen e zgjedhjeve për këshilltarë në kuvendet e këtyre komunave, afatet për realizimin e veprimtarive zgjedhore fillojnë prej sot.

Afati për dorëzimin e listave zgjedhore për këshilltarët në Komisionin Zgjedhor Komunal fillon me 23 shtator, dhe do të përfundojë me 21 tetor, thuhet në këtë aktvendim. E drejta në përcjelljen mediatike gjatë fushatës parazgjedhore fillon me ditën e vërtetimit të listës zgjedhore të pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore dhe do të përfundojë me 14 nëntor në mesnatë.

 

Josipoviq për vizitë zyrtare në Mal të Zi

Presidenti i Kroacisë Ivo Josipoviq do të qëndrojë nesër dhe pasnesër për vizitë zyrtare në Mal të Zi, me ftesën e presidentit të shtetit, Filip Vujanoviq. Bashkëpunimi i mirë ndërshtetërorë në nivelin më të lartë ndërmjet Malit të Zi dhe Kroacisë do të vërtetohet me takimin e presidentëve Vujanoviq dhe Josipoviq, i cili do ti kontribuojë afirmimit të mëtejmë të marrëdhënieve përmbajtësore ndërmjet dy vendeve, thuhet në kumtesë. Poashtu theksohet se takimi i presidentëve do të jetë edhe rast për bisedime mbi çështjet rajonale si dhe për integrimet evropiane dhe evroatalantike të Malit të Zi. Josipoviq do të bisedojë edhe me kryetarin e kuvendit Ranko Krivokapiq dhe kryeministrin Millo Gjukanoviq.

 

Rritet numri i personave me dhimbje barku

Mjekëve në Beranë prej fillimit të epidemisë deri sot në ora 7 të mëngjesit u janë paraqitur 1 mijë e 265 pacientë me dhimbje barku, prej të cilëve 41 gjatë 24 orëve të fundit. Siç theksohet në ueb faqen e shtëpisë së shëndetit të Beranës, në repartin e fëmijëve janë të hospitalizuar 7 fëmijë, kurse në atë infektive 1 person me probleme dhe dhimbje në bark dhe është e moshës mbi 14 vjeçare. Pasqyra e të sëmurëve është e butë, kryesisht me kohëzgjatje të shkurtër dhe e shoqëruar me dhimbje barku  dhe vjedhje. 

Shërbimi epidemiologjiko-higjienik i shtëpisë së shëndetit në Beranë në bashkëpunim me institutin për shëndetin publik të Malit të Zi edhe sot ka vazhduar me realizimin e anketimit epidemiologjik të banorëve me dhimbje barku si dhe me marrjen e mostrave nga pacientët për diganostifikimin mikrobiologjik. Banorëve të Beranës u është rekomanduar që për pije të shfrytëzojnë ujin e blerë në shishe përmes masave të shtuara higjienike.

 

Golluboviq apelon në personat kompetent që të ndihmojnë në zgjidhjen e problemit

Kryetari i komunës së Beranës Vuka Golluboviq ka apeluar në banorët e Beran Sellës që urgjentisht të zhbllokojnë kalimin për në vendin Vasove Vode për të deponuar mbeturinat e grumbulluara në qytet, ndërsa institucionet kompetente shtetërore i ka ftuar që të kyçen në zgjidhjen e problemit. Policia komunale e Beranës ka kërkuar me këtë rast asistimin e zyrtarëve të qendrës së sigurisë në këtë qytet në mënyrë që të ketë qasje në deponinë në Beran Sellë dhe shpresojnë se vendimi lidhur me këtë problem do të sillet në afatin sa më të shpejtë.

 

Tejkalimi i afateve nuk është sinjal i mirë

Çdo shtyrje e mëtejme e afateve për miratimin e ligjeve nga sfera e gjyqësorit e që duhet të harmonizohen me amendamentet kushtetuese nuk është sinjal i mirë, as për qytetarët dhe as për proceset integruese të shtetit, ka vlerësuar Mali i Zi Pozitiv. Qeveria e Malit të Zi nuk ka dorëzuar propozimin për thirrjen eventuale të seancës parlamentare në të cilën do të debatohej për miratimin e 4 ligjeve nga sfera e gjyqësorit, me ç’gjë është shkelur ligji kushtetues. Deputetja e Malit të Zi Pozitiv, Azra Jasaviq konsideron se vonesa disa ditore nuk do të jetë kontestuese, por shtyrja nuk është sinjal i mirë as për qytetarët dhe as për proceset integruese në UE.   Ajo ka theksuar se është e qartë se qeveria i ka fituar vonë projekt ligjet nga ministria e drejtësisë.

 

Veloviq ka dhënë deklaratë para prokurorit

Ish drejtori i policisë së Malit të Zi, e këshilltar i presidentit të malit të Zi për siguri, Veselin Veloviq, ka dhënë sot deklaratë para zëvendës prokurorit shtetëror lidhur me të ashtuquajturat ekzistencës së “treshes së zezë”.

Ish polici Brajushko Brajushkoviq kohë më parë i ka akuzuar ish funksionarët policor Veselin Veloviq dhe Milan Peroviq se kanë organizuar të ashtuquajturat “treshet e zeza” për rrahjen e politikanëve opozitar dhe gazetarëve. Veloviq ka kumtuar se i ka dorëzuar prokurorit të gjitha dëshmitë dhe ka emëruar aktorët të cilët rrinë pas rastit “Brajushkoviq”.

                                                                                                                                   

Në zgjedhje, por fletëvotimet pa “Republikë”

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq ka deklaruar se mbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë është e pranueshme vetëm nëse ato janë neutrale ndaj statusit, pra pa simbole shtetërore dhe se Beogradi është i interesuar që serbët të marrin pjesë në to, por duket se pala e Prishtinës për këtë nuk është shumë e interesuar.

Daçiq ka thënë në Televizionin serb B92, se ka biseduar me ambasadorët e 5 vendeve të Quintit dhe të Komisionit të BE në Beograd lidhur zgjedhjet lokale në Kosovë dhe nga ata ka kërkuar që të ushtrohet trysni mbi Prishtinën që ta respektojë marrëveshjen e Brukselit dhe në procesin zgjedhor të 3 nëntorit të mos i përdorë simbolet shtetërore. Ai ka thënë se me këtë rast kemi të bëjmë me spiralen dhe nëse nuk ka zgjedhje atëherë edhe zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit është i pamundshëm, nëse nuk ka zbatim vështirë mund të nisin negociatat me BE, dhe e gjithë kjo nxit jo-stabilitet politik madje edhe rajonal. “Ky është moment kritik në procesin e zgjidhjes së këtij problemi”, ka theksuar pos tjerash Daçiq.

                                                                                                                                 

PDS fton serbët e Kosovës që t’i bojkotojnë zgjedhjet

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Serbisë (PDS), Slobodan Samarxhiq, u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, duke vlerësuar se kështu ndihmojnë veten ë tyre që të mbeten pjesë e Serbisë. “Duke bojkotuar zgjedhjet e Kosovës serbët do të shprehin jolojalitetin e tyre ndaj institucioneve të Kosovës”, ka thënë Samarxhiq, në konferencë për gazetarë.  Ai ka thënë se thirrjet për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës “i përzënë serbët nga institucionet e Republikës së Serbisë në institucionet e Republikës së Kosovës të shpallur në mënyrë jolegale”. Samarxhiqi e ka akuzuar udhëheqjen aktuale në Beograd se po përpiqet që Kosovën, si tërësi, në radhë të parë veriun e Kosovës, t’ia dorëzojë shqiptarëve dhe organeve jolegale të tyre. Kryetari i PDS për Kosovën, Nenad Kojiq, ka tërhequr vërejtjen se anëtarët dhe udhëheqësit e partisë që do të marrin pjesë në zgjedhje do të largohen nga partia. 

 

Më 6 shtator ceremonia e pranim-dorëzimit të komandës së KF0R-it

Të premten më 6 shtator do të zhvillohet ceremonia e pranim-dorëzimit të komandës së KF0R-it. Në krye të forcës paqeruajtëse të NAT0-s në Kosovë gjatë një viti do të jetë gjenerali italian Salvatore Farina, të cilit komandën do t’ia dorëzojë gjenerali gjerman Volker Halbauer. Ndërkohë, komandant i aktual i KFOR-it Halbauer ka thirr për nesër 3 shtator, një konferencë për media, në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it në kampin Film City, në Prishtinë, njoftoi sot përmes një komunikate komanda e KF0R-it.

 

Rama mbledh në Shkodër qeverinë e re

Kryeministri i zgjedhur, Edi Rama do të mbledhë sot ministrat e kabinetit të tij në qytetin e Shkodrës, ku pritet të diskutohet në lidhje me detyrat e lëna në mbledhjen e javës së kaluar në qytetin e Vlorës.  Burime brenda selisë e PS-së kanë bërë të ditur se mbledhja do të zhvillohet në hotel "Colosseu" në qendër të qytetit të Shkodrës. 

Rama pritet të dekretohet më 12 shtator, por në këto takime si në mbledhjen e qeverisë së re në Vlorë, edhe sot në takimin në Shkodër do të diskutohet programi i 300 ditëve të para të qeverisjes. Mësohet se të gjithë ministrat do të paraqesin para kryeministrit Edi Rama strategjinë për secilin dikaster, si dhe strukturën e ministrive përkatëse. Pritet që të mbledhjen e qeverisë të diskutohet dhe për çështjen të tjera, të cilat kanë të bëjnë edhe për nivelet e tjera të qeverisjes. Mbledhja konsiderohet simbolike, pasi faktikisht është e pamundur të merren vendime deri në shtator.

                                                                                                                                         

Ali Ahmeti sot do të qëndrojë në Greqi

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti sot do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Athinë, për të takuar zv.kryeministrin dhe shefin e diplomacisë greke Evangelos Venizelos. Shefi i kabinetit të kryetarit të BDI-së Artan Grubi njoftoi se fushata diplomatike e BDI-së është me qëllim që të gjendet një zgjidhje për emrin. “Fushata e gjerë dhe gjithëpërfshirëse e kryetarit Ahmeti dhe të gjithë ne të BDI-së, për integrimin sa më të shpejt të Maqedonisë në strukturat euro-atlantike vijon me një vizitë zyrtare të kryetarit Ahmeti në Athinë ku do ët zhvilloj takim me zv/ kryeministrin e Republikës së Greqisë zotin Evangelos Venizelos i cili njëkohësisht është edhe ministër i punëve të jashtme dhe gjithë kjo bëhet në vij të përpjekjeve tona për të gjetur një kompromis me fqiun tonë jugor si dhe për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura që qëndrojnë mes Maqedonisë dhe integrimit të vendit në strukturat e NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, deklaroi Artan Grubi, BDI. Grubi njoftoi gjithashtu se pos Athinës, Ahmeti do të vizitojë edhe vende tjera evropiane, të cilat mund të ndihmojnë në kapërcimin e barrierave për anëtarësimin e Maqedonisë në strukturat euroatlantike.

 

Ligjvënësit amerikanë të përçarë rreth Sirisë

Presidenti amerikan Barak Obama do të takohet sot në Shtëpinë e Bardhë me anëtarë të Kongresit për të paraqitur argumentet e tij për sulm ushtarak kundër Sirisë. Obama tha se do të presë për miratim nga Kongresi para se të merret vendimi përfundimtar. Një zë i fuqishëm për veprim kundër Sirisë, Senatori republikan Xhon Mekejn tha për rrjetin CBS dje se goditja vetëm me disa raketa është thjesht një gjest simbolik. Ai tha se Presidenti duhet të hartojë një plan për Sirinë që përfshin një kërcënim për të çliruar vendin nga Bashar al-Assadi.

Ligjvënësit amerikanë thonë se janë larg arritjes së një qëndrimi unik lidhur me përgjigjen amerikane kundër qeverisë siriane. Ligjvënësit bënë komente pasi u informuan nga zyrtarë të administratës Obama mbi situatën në Siri. Kongresi nuk rifillon punimet deri më 9 shtator, kur mbaron sezoni i pushimeve. Por disa dhjetëra ligjvënës erdhën në Uashington për të marrë pjesë në sesionin e informimit në Kapitol, ku zyrtarë të administratës paraqitën argumentet e tyre për sulm ushtarak kundër Sirisë. Disa ligjvënës thanë se ishin të bindur se regjimi sirian kishte përdorur armë kimike. Të shtunën, Presidenti Barak Obama tha se nuk ka nevojë për leje nga Kongresi për të dhënë urdhër për sulm, por e mendon të vlefshëm mbështetjen e përfaqësuesve legjislativë në Kongres.

 

Operacionet ndaj Sirisë; Lindja e Mesme reagon

Reagime të përziera erdhën nga Lindja e Mesme pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të hapur një debat në Kongres lidhur me sulmin me armë kimike për të cilin akuzohet qeveria siriane. Televizioni shtetëror sirian tregonte përkrahës të qeverisë që shprehnin mbështetje për ushtrinë ndërsa prezantuesit e emisioneve folën me tone sfiduese kundër Shteteve të Bashkuara pasi u njoftua se veprimet ushtarake u shtynë për të lejuar një debat në Kongresin amerikan. Zëvendës Ministri i Jashtëm i Sirisë Faisal Mekdad foli për Presidentin Obama duke thënë se ai dukej se “po nguronte dhe ishte i konfuzuar” për vendimin e tij për t’i kërkuar Kongresit miratim për një goditje ushtarake kundër Sirisë. Në Kajro, ministrat e jashtëm të Lidhjes Arabe zhvilluan takime zyrtare e jozyrtare dje për të diskutuar krizën në Siri. Ministri i Jashtëm saudit al Faisal tha në një konferencë për shtyp se kishte ardhur koha që t’i jepet fund konfliktit në Siri. Ai tha se ka ardhur koha që Lidhja Arabe dhe komuniteti ndërkombëtar të bëjnë ç’është e nevojshme për të ndihmuar popullin sirian me të gjitha mjetet e mundshme për të ndalur gjakderdhjen.  Ministri i Jashtëm egjiptian Nabil Fahmy tha se vendi i tij është kundër përdorimit të forcës dhe bëri thirrje për shtimin e presionit për të zhvilluar një konferencë për paqe në Gjenevë si dhe për të lejuar që gjykatat ndërkombëtare të japin opinionin e tyre për përdorimin e armëve kimike.

 

Në Damask është përdorur gazi sarin

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry tha se testime të pavarura kanë konfirmuar përdorimin e gazit sarin në sulmin e muajit të kaluar në Damask. Këto komente Sekretari Kerry i bëri një ditë pasi Presidenti Barack Obama njoftoi se do të kërkojë miratimin e Kongresit para se të ndërmarrë ndonjë sulm ushtarak kundër qeverisë siriane në përgjigje të përdorimit të armëve kimike.

Sekretari Keri tha për disa rrjete televizive amerikane se mostra flokësh dhe gjaku, që Shteteve të Bashkuara iu dhanë nga ekipe të përgjigjes së shpejtë në vendin e ngjarjes, kanë shfaqur "shenja të gazit sarin". Pasi Presidenti Obama tha të shtunën se Shtetet e Bashkuara duhet të ndërhyjnë në Siri, por se ai do të presë miratimin e Kongresit, Keri shprehu bindjen se ligjvënësit amerikanë "do të marrin vendimin e duhur".

                                                                                                                                  

Rusia vazhdon të jetë kundër intervenimit ushtarak në Siri

Rusia, vazhdon të kundërshtojë intervenimin kundër Bashar al Assadit. Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov ka folur sot në Institutin Shtetëror për marrëdhënie ndërkombëtare ne Moske.

"Ky është qartë një rast i atillë që ne e quajmë “standard i dyfishtë”. Është rast i atillë që kur personalisht nuk e pëlqen një lider autoritar të çon te ideja se ai duhet që të hiqet nga pushteti, me çdo kusht”, ka thënë Lavrov. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Sirisë, Presidenti Bashar al-Assad tha se Siria ka aftësinë që të përballojë çdo "agresion të jashtëm".

                                                                                                                                     

Nesër mot kryesisht me diell

Sot në Mal të Zi mban mot kryesisht i kthjellët dhe i thatë. Fryn erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e veriut. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Ulqin 33 gradë, Podgoricë, Tivar e Budvë 30, Herceg Novi e Tivat 29, Bijello Pole 26, Cetinë 25, Nikshiq 24, Plavë e Plevle 22, Kollashin e Mojkovac 21, Rozhajë 20 dhe në Zhablak 17 gradë.

Për nesër në jug dhe bregdet parashihet të mbajë mot kryesisht i kthjellët, kurse në veri me vranësira të pakta dhe kryesisht pa të reshura. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e veriut. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 6 deri në 19, kurse më e larta e ditës prej 18 deri në 30 g.c.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се