Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

16. 05. 2019. 17:24 >> 17:29

Lajmet 16.05.2019

16.05.2019

Pritje në Cetinë me rastin e Ditës së pavarësisë

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, do të organizojë në Cetinë pritjen me rastin e Ditës së pavarësisë së Malit të Zi. Nga kabineti i kryeministrit, është kumtuar se pritja me rastin e Ditës së pavarësisë, do të organizohet nesër në Cetinë. Është paraparë pritja solemne për përfaqësuesit e pushtetit ligjdhënës, ekzekutiv dhe gjyqësor, të korit diplomatik dhe të ftuarave të tjerë nga jeta publike dhe kulturore e Malit të Zi.

Të përkujtojmë se Mali i Zi, të martën me 21 maj, shënon 13 vjetorin e ripërtëritjes së pavarësisë në referendumin e mbajtur në vitin 2006.

Sipas rezultateve zyrtare, në referendum kanë votuar 418 mijë e 240 qytetar ose 86.5 për qind të numrit të përgjithshëm të votueseve. Pavarësinë e Malit të Zi e kanë përkrahur 230 mijë e 661 qytetarë ose 55.5 për qind, kurse për ruajtjen e shtetit të përbashkët me Serbinë, kanë votuar 185 mijë e 002 qytetare, ose 44.5 për qind.

 

Deputetet diskutojnë për ndryshimet e ligjit për ushtrinë

Deputetet e Kuvendit të Malit të Zi, kanë filluar sot debatin për ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për ushtrinë e Malit të Zi. Ministri i mbrojtjes, Predrag Boshkoviq, ka theksuar se shkak i sjelljes së ndryshimeve të ligjit është harmonizimi me dokumentët  strategjik, parashikimi i shërbimit të përbërjes rezerve të ushtrisë, obligimi ushtarak si dhe ndryshimi i veprimtarisë së shtabit të përgjithshëm. Me ligj është definuar që përbërjen rezervë të ushtrisë e përbëjnë oficerët, nënoficerët dhe ushtarët. Po ashtu është paraparë se personat me shërbim në ushtri janë të detyruar të marrin pjesë në mbrojtjen e shtetit anëtarë të NATO-s. Sipas ligjit , personit zyrtar në ushtri i ndërpritet shërbimi nëse e refuzon pjesëmarrjen në misionet e NATO-s në botë. Deputetja e PDS, Marta Shqepanoviq, ka theksuar se me ndryshimet e ligjit rregullohet në mënyrë gjithëpërfshirëse përbërja rezervë e ushtrisë së Malit të Zi, dhe se krijohen kushte më të mira për forcimin e ushtrisë. Për Frontin Demokratik, ushtria e Malit të Zi, siç thonë ata, është shumë më tepër se formacion ushtarak dhe theksojnë se është pjesë e traditës së Malit të Zi.

Deputetët, po ashtu, gjatë kësaj seance do të deklarohen edhe lidhur me propozim ligjin për vetëqeverisjen lokale, pastaj tregëtin e brendshme, për policinë komunale, etj. Po ashtu, deputetet do të shqyrtojnë edhe raportin për punën e Fondit për mbrojtjen e të drejtave të pakicave.

 

Nuk do të formohet Këshilli për pasojat e NATO bombardimeve

Parlamenti i Malit të Zi, nuk e ka radhitur në rend të ditës propozimin e klubit të veçantë të deputeteve për themelimin e Këshillit për hetimin e pasojave të NATO bombardimeve, në vitin 1999, në shëndetin e qytetarëve të Malit të Zi. Kundër kanë votuar 26 deputetë, pro ishin 14, kurse 12 të përmbajtur.

Kryetari i Klubit të veçantë të deputetëve, Aleksandar Damjanoviq, më parë ka deklaruar se edhe 20 vjet pas sulmit ajror të NATO-s, ekzistojnë dilemat që kanë të bëjnë me ndikimin e bombardimeve në shëndetin e banorëve. Ai, ka shtuar se një gjë të tillë e kanë hetuar edhe disa shtete të NATO-s, siç është Italia, e cila ka formuar komisionin parlamentarë për të vërtetuar pasojat e bombardimeve të NATO-s në ushtarët të cilët kanë marrë pjesë në këto operacione.

 

Brukseli nuk është i njoftuar për shkuarjen atje të lëvizjes Rezisto

Nuk është caktuar takim formal i përfaqësueseve të Lëvizjes “Rezisto-97000”  dhe zyrtarëve Evropianë, në Bruksel, i është vërtetuar gazetës “Dnevne Novine”, nga kabineti i Komisarit evropianë për zgjerim, Johanes Han. Delegacioni i lëvizjes “Rezisto 97000”, me Xhemal Peroviq në krye, ka kumtuar dje në Bruksel, se do të qëndrojë atje deri të shtunën.

Në delegacion bëjnë pjesë edhe Omer Sharkiq dhe Nikolla Grdiniq, kurse nga kjo lëvizje nuk kanë precizuar nëse dhe me kë nga zyrtarët evropianë do të takohen, por kanë paralajmëruar shkuarjen e tyre tek “partnerët e tyre ndërkombëtare”.  “Institucionet evropiane nuk e kanë organizuar vizitën e përfaqësuesve të lëvizjes “Rezisto”, në Bruksel, dhe nuk mund të flasin për rezultatet e bisedimeve”, i është kumtuar gazetës “Dnevne Novine”. Peroviq, ka theksuar se në Bruksel udhëton me ftesën e partnerëve të vetë me të cilët kanë vendosur kontakte, kurse për detajet, siç ka paralajmëruar, do të flas pas kthimit në Mal të Zi.

 

Përmes fushatës drejtë ndërgjegjes ekologjike të banorëve

Gjatë bisedimeve me përfaqësuesen e përhershme të sapoemëruar të programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, UNDP, në Mal të Zi, Daniella Gashparikova, ministri i zhvillimit të qëndrueshëm dhe turizmit, Pavle Radulloviq, ka paralajmëruar projektin në kuadër të cilit do të realizohet fushata  me qëllim të ngritjes së ndërgjegjes ekologjike të banorëve. Siç është kumtuar nga Ministria e turizmit, gjatë takimit, Radulloviq dhe Gashparikova, kanë biseduar për kapitullin 27, zhvillimin e qëndrueshëm, investimet e gjelbra dhe teknologjitë inovative nga fusha e mjedisit. Radulloviq, e ka vlerësuar tejet të mirë bashkëpunimin e deritashëm të kësaj ministrie dhe UNDP, dhe ka shtuar se ekzistojnë mundësi të shumta për forcimin dhe zgjerimin e tij të mëtejmë me ç'gjë është pajtuar edhe Gashparikova. “Ai, po ashtu ka përkujtuar se Mali i Zi ka themeluar  eko-fondin, si mekanizëm kyç me të cilin do të sigurohen mjetet për përgatitjen dhe realizimin e programit, të projekteve dhe aktiviteteve tjera dedikuar ruajtjes së mjedisit dhe shfrytëzimit të qëndrueshëm të resurseve natyrore”, thuhet në kumtesë.

 

Kadetët do të shkollohen në Greqi dhe në Bullgari

Ministria e mbrojtjes ka shpallur konkursin për regjistrim në Akademitë ushtarake në Greqi dhe, për herë të parë, në Bullgari.

“Ministria e mbrojtjes ka shpallur sot konkursin për zgjedhjen e kadetëve dhe të kadetëve për arsimim në akademitë ushtarake në Republikën e Greqisë dhe në Republikën e Bullgarisë, duke filluar nga viti akademik 2019-2020. Për studime në Greqi, janë hapur 6 vende për kadetët malazezë, në Akademinë e forcave tokësore, detare dhe atë të aviacionit, në Athinë”, është kumtuar nga Ministria e mbrojtjes. Është theksuar se për herë të parë në regjistër gjendet edhe institucioni më i vjetër teknik arsimor në Republikën e Bullgarisë, Akademia detare “Nikolla Vaptsarov “, në Varnë. Në këtë akademi ministria e mbrojtjes do të financojë shkollimin e dy kadetëve. Shkollimi në akademitë ushtarake greke zgjatë 4 vjet kurse në Akademinë në Bullgari 5 vjet. Kandidatët nuk mund të jenë të moshës nën 18 dhe as më të vjetër se 21 vjeç, thuhet në kumtesën e ministrisë së mbrojtjes.

 

Thaçi, shprehet i zhgënjyer me mos unitetin e BE për liberalizimin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë të mërkurën se është befasuar për të keq kur ka mësuar që për takimin e mbajtur në Berlin ditë më parë me liderët e Ballkanit Perëndimor, nuk kishte koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai i bëri këto komente në një takim me ambasadorët dhe shefat e zyrave dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë, në të cilin ka shprehur zhgënjimin e tij se si në takimin e Berlinit nuk ka pasur unitet në vendet e Bashkimit Evropian rreth liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Si të arritur të këtij takimi, Thaçi ka përmendur dakordimin e Kosovës dhe Serbisë që, pas insistimit të presidentit francez, Emmanuel Macron, të mbahet takimi i ardhshëm në Paris, më 1 korrik.

Përveç kësaj, ai ka thënë të ketë mirëpritur kthimin e vëmendjes së Gjermanisë dhe Francës në çështjet e Ballkanit Perëndimor, në veçanti në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

 

Komisioni hetimor për rastin e  dëbimit të shtetasve turq

Komisioni Hetimor Parlamentar i Kuvendit të Kosovës, për rastin e dëbimit të shtetasve turq, ka miratuar të mërkurën draft raportin e tij.

Komisioni i cili ishte funksionalizuar në korrik të vitit të kaluar, për të hetuar se çfarë kishte ndodhur me rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, ka evidentuar 31 shkelje ligjore gjatë procesit të arrestimit dhe dëbimit të shtetasve turq.

Shkeljet më të mëdha, sipas udhëheqësve të këtij Komisioni, ishin bërë nga dy agjencitë kryesore të sigurisë në Kosovë, përkatësisht Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe Policia e Kosovës.

Kryetari i Komisionit, deputeti, Xhelal Sfeçla, gjatë një konference për media ka ftuar Prokurorinë Speciale që të merret me raportin e miratuar nga Komisioni dhe të fillojë hetimet.

 

Basha, paralajmëron protestën e madhe, më 25 maj

25 maji është caktuar si data për protestën e madhe kombëtare nga opozita.

Vendimi u mor pas mbledhjes së djeshme të Kryesisë së PD demokratike, ku Basha takoi krerët e partive aleate.

Në një dalje për mediat, kryedemokrati Basha tha se jemi në kushtet e një grusht shteti, duke shtuar se Rama ka përcaktuar një kurs përplasjeje me popullin.

“Sot gazeta gjermane ‘Bild’ ka bërë jo vetëm një panoramë realiste të gjendjes tronditëse të Shqipërisë narko-shtet, por ka zbuluar që në dosjen 184 figuron vet Edi Rama duke komunikuar më zyrtarë të lartë, duke u konfirmuar se skenari i vjedhjeve të votave është zbatuar sipas urdhrave të tij. Parlamenti është produkt i votës së diktuar nga krimi”, tha mes tjerash  Basha.

 

Si do të reagojë udhëheqja e Serbisë

A do të arrestohen në Serbi radikalët Vjerica Radeta dhe Petar Jojiq, të cilët duhet të dërgohen në Gjykatën e Hagës? Ata janë kolegë të dikurshëm të Vuçiqit.

 Gjykata e Hagës, që është mekanizëm vazhdues i Tribunalit të Hagës për krime lufte, ka kërkuar të martën edhe një herë dorëzimin e tyre për shkak të "mos respektimit të gjykatës". Gjykata tani duhet të dëshmojë këto të dhëna, por është vendosur që procesi të mbahet në Hagë dhe jo në Beograd. Dëshmitarët kanë frikë për jetën, ndaj nuk duan të dëshmojnë në Beograd.Vjerica Radeta thotë se ajo nuk mund të paramendojë se dikush do të shkelë vendimin e gjykatave në Serbi dhe do ta ekstratojë ate dhe Jojiqin në Hagë. Por këtë çështje duhet ta zgjidhin autoritetet e Serbisë, thotë ajo.  Qeveria serbe dhe presidenti Aleksandar Vuçiq ende mund të heshtin, sepse ende është në fuqi vendimi i gjykatës serbe për krime lufte në Beograd ka vendosur në vitin 2016 se shtetasit e Serbisë mund të dorëzohen në Hagë vetëm nëse janë akuzuar për krime lufte, e jo edhe për mos respektimin e gjykatës. Tre radikalët janë akuzuar në vitin 2012. Me 2015 ëshë dërguar kërkesa për arrestimin e tyre, ndërsa një vit më vonë është lëshuar fletëarresti i kuq i Interpolit.

 

Ministri iranian pohon përkushtimin e Teheranit në zbatimin e marrëveshjes

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif ka thënë se Teherani është duke treguar “vetëkontroll maksimal”, pavarësisht largimit të Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, dhe ka akuzuar Uashingtonin për rritje të panevojshme të tensioneve në rajonin e Gjirit Persik.

“Përshkallëzimi i Shteteve të Bashkura është i papranueshëm”, ka thënë Zarif në Tokio, pasi është takuar me homologun e tij japonez, Taro Kono.

Zarif ka thënë se Teherani vazhdon të jetë “i përkushtuar ndaj marrëveshjes” duke theksuar se vëzhguesit ndërkombëtarë kanë thënë se Irani është duke zbatuar plotësisht marrëveshjen.

Trump është i sigurt se Teherani do të kërkojë negociata.

Ai ka shfaqur shpresën e Japonia dhe aleatë tjerë të SHBA-së, do të marrin “hapa praktikë në mënyrë që të ruajnë këtë marrëveshje ndërkombëtare”, transmeton REL.

 

Merkel, përshëndet unitetin e BE kundrejt Iranit

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka thënë se Evropa duhet të “ripozicionohet” në një botë që po ndryshon vazhdimisht dhe është duke mirëpritur unitetin e fuqive të Bashkimit Evropian kundrejt Iranit, në krahasim me ndasitë e thella lidhur me luftën 16-vjeçare në Irak.

Merkel ka thënë në një intervistë për të përditshmen gjermane, Sueddeutsche Zeitung se Evropës i duhen arguemente më largpamëse, pasi sipas saj vetëm duke “përmendur shtatë dekada të paqes nuk është mjaftueshëm për të arsyetuar Evropën”. Sipas saj, është “vlerë në vete” që Evropa nuk është e ndarë sa i përket Iranit. Fuqitë evropiane kanë thënë ditë më parë përmes një deklarate se nuk pranojnë “ultimatumet” e Iranit sa i përket marrëveshjes bërthamore që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015. Deklarata e tyre ka ardhur pasi Irani ka hequr dorë pjesërisht nga kjo marrëveshje, duke iu bërë thirrje vendeve nënshkruese që të mbrojnë interesat e Iranit kundrejt sanksioneve amerikane.

 

Presidenti kinez ka ftuar për përafrim të shteteve të botës 

Presidenti kinez, Xi Jinping ka bërë thirrje për përafrim të shteteve dhe ka cilësuar “budallallëk” supremacinë raciste, në kohën kur janë rritur tensionet tregtare me Shtetet e Bashkuara.

Këto janë deklaratat e para publike të presidentit kinez, prej kur është përshkallëzuar konflikti tregtar mes SHBA-së dhe Kinës, me rritjen e tarifave nga të dyja palët.

Xi nuk ka përmendur SHBA-në, apo luftën tregtare në mënyrë të drejtpërdrejtë, mirëpo është fokusuar në prezantimin e Kinës si shtet “i hapur”.

“Nuk ka përplasje në mes të qytetërimeve të ndryshme, vetëm na duhet që të kemi sy për të vlerësuar bukurinë e të gjithë qytetërimeve”, ka thënë ai në një konferencë në Pekin, të organizuar nga ministria kineze e Propagandës.

Presidenti kinez ka shtuar se Kina vetëm do të jetë më e hapur ndaj botës në të ardhmen.

Në konferencën e të mërkurës, me pjesëmarrës nga Greqia, Shri Lanka dhe Singapori, është vlerësuar se Kina ka bërë përpjekje për të zbutur imazhin e saj në botë.

 

Përfaqësues të qeverisë dhe opozitës, diskutojnë situatën në Venezuelë

Përfaqësuesit e Qeverisë së Venezuelës dhe forcat opozitare kanë udhëtuar në Norvegji për të biseduar rreth zgjidhjes së krizës në shtetin e Amerikës Jugore.

Zyrtarët qeveritarë dhe pjesëtarë të opozitës kanë thënë më 15 maj se përfaqësuesit kanë udhëtuar në shtetin skandinav pasi kanë pranuar ftesa nga disa grupe në këtë shtet.

Bisedimet është planifikuar të realizohen në kryeqytetin e Norvegjisë, Oslo, mirëpo nuk është bërë e qartë nëse do të realizohen edhe takime ballë për ballë.

Anëtarët e opozitës së Venezuelës të kontrolluar nga Asambleja Kombëtare, kanë thënë për agjencinë e lajmeve, Associated Press se pjesëtarë të lartë të të dyja palëve do të përfshihen në diskutime.

Në një adresim televiziv, presidenti i kontestuar i Venezuelës, Nicolas Maduro nuk ka komentuar drejtpërdrejt bisedimet, mirëpo ka thënë se ministri për Informacion, Jorge Rodríguez është në një mision “shumë të rëndësishëm” jashtë shtetit.

 

Çapuni, cakton mbledhjen e eKuvendit më 29 maj

Kryetari i Kuvendit të Komunës së Ulqinit dr. Ilir Çapuni sot  ka thirrur  mbledhjen e dytë të seancës së parë të rregullt , më 29 maj.  Në rend dite ka planifikuar 29 pika, të cilat kanë të bëjnë me rregullimin e komunikacionit, me administrimin e hapësirave publike për parkimin e automjeteve SHPK-së „ Parking servis“, dhënien e pëlqimit në çmimoren e shërbimeve të  kësaj shoqate, vendparkimet publike në teritorin e Komunës së Ulqinit, themelimin e Institucionit Publik Qendra Ditore për Fëmijë dhe të Rinj „Ulqin“, me taksat komunale, dhe me caktimin e vlerës së tregut të patundshmërive për vitin 2019. Këshilltarët e parlamentit vendor të Ulqinit në këtë seancë, ndër të tjera,  do të  shqyrtojnë  edhe Raportit të punës së kryetarit të Komunës dhe organeve të administratës lokale për vitin 2018,  do të deklarohen për  dhënien e pëlqimit në Raportin e punës për vitin 2018  të NP për Ruajtjen, Kultivimin dhe Mbrojten e Egërsirave „Ulqini“, sikurse edhe për kalimin e të drejtës së pronësisë Qeverisë së Malit të Zi të lokalitetit „Mavrian.

Përgatiti, Gjekë Gjonaj, gazetar RMZ

 

Bashkëpunim i frytshëm mes komunës dhe TIKA-s

Kryetari i Komunës së Ulqinit,Loro Nrekiq, me bashkëpunëtorë priti sot  Koordinatorin e Agjencisë turke për zhvillim Tika, Enver Resulogullari, dhe Kryeimamin e Bashkësisë Islame në Ulqin Ali Efendi Bardhi .Në takim , siç njofton  Zyra për informim e kryetarit, u fol për pengesat që po përcjellin realizimin e projektit  të hamamit dhe xhamisë së Namazgjahit. “Kryetari i Komunës së Ulqinit Loro Nrekiq, kërkoi nga bashkëpunëtorët të angazhohen që në një afat sa më optimal këto objekte  të trashëgimisë kulturore , pasuri  brezash të vihen  në funksion. Në takim u tha që pëlqimet duhet dhënë  nga organe rrepublikane, andaj  Koordinatori i Tika-s Enver Resulogullari inicoi  takimin e përbashkët me zyrtarë të institucioneve përkatëse , iniciativë e cila u përkrah nga të gjithë. Edhe në takimin e sotëm u veçua bashkëpunimi  ndërmjet Tikë-s dhe Komunës së Ulqinit  dhe në rastin konkret detyrimi  madhor  kundrejtë trashëgimisë kulturore , detyrim ndaj  së shkuarës  dhe të ardhmes”, thuhet në njoftim.

Gjekë Gjonaj, gazetar i RMZ

 

Edhe nesër mot i ngjashëm

Sot në Mal të Zi mban mot me vranësira të ndryshueshme dhe në veri vende vende me reshje të dobëta të shiut. Frynë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e jugut.

Temperaturat:

Podgoricë e H. Novi 22 gradë, Tivar e Budvë 21, Ulqin 20, Cetinë 17, Beranë e Shavnik 16, Nikshiq e Andrievicë 15, Bjello Pole e Plavë 14, Kollashin 13, Plluzhinë 12, Plevle 11, Rozhaj 10 dhe në Zhablak 10 g.        

 Për nesër, në viset qendrore dhe jugore parashihet të mbajë mot kryesisht me diell, kurse në veri me vranësira të ndryshueshme dhe në orët e pas ditës, vende – vende, me reshje të dobëta të shiut. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshme.

Temperatura e mëngjesit prej 1 deri në 11, kurse më e larta e ditës prej 12 deri në 23 g. c.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се