Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

14. 06. 2019. 19:12   >>  19:22

Ditari 14.06.2019

14.06.2019

Deputetët shqyrtojnë raportin për zbatimin e ligjit për tubimet publike

Kuvendi i Malit të Zi, ka vazhduar sot seancën në të cilën deputetët shqyrtojnë Raportin për zbatimin e ligjit për tubimet publike në manifestimet publike në vitin 2018. Ministri i punëve të brendshme, Mevludin Nuhoxhiq, ka vlerësuar se në vitin 2018, nuk kishte shkelje të qetësisë dhe rendit publik në shkallë të gjerë dhe se vlerësimet e rrethanave të sigurisë dhe ndërmarrja e masave policore të sigurisë, ishte e arsyeshme dhe në interesin më të mirë të qytetarëve.

Nuhoxhiq, më tej ka kumtuar se policia në vitin e kaluar, ka siguruar 518 tubime publike dhe 831 manifestime publike, në të cilat kanë prezantuar rreth 900 mijë qytetar.

“Nëse gjatë një viti siguroni numër kaq të madh të manifestimeve dhe përkujdeseni për afro një milion njerëz dhe nuk është evidentuar shkelje e gjerë e qetësisë dhe rendit publik, nuk ka arsye të mos jemi të kënaqur”, pohoi ministri Nuhoxhiq, duke arsyetuar raportin e paraqitur në Kuvend.

Ndërkaq, në debatin e zhvilluar, deputetët opozitar debatuan lidhur me çështje të shumta dhe raste të ndryshme, të cilat, siç vlerësojnë ata, janë keqpërdorur nga pjesëtarët e policisë, kurse nga radhët e deputetëve të shumicës parlamentare, vlerësojnë se në tubimet publike masive kanë marrë pjesë qytetar nga pjesë të ndryshme të vendit e që, sipas tyre, ka kërkuar angazhim shtesë të punës së policisë.

M.Gjukanoviq; Integrimi i rajonit, zgjidhja më racionale për prosperitet

Integrimi i mëtejmë i Ballkanit Perëndimor, është e vetmja zgjidhje racionale për prosperitetin e shoqërisë së rajonit, kanë vlerësuar presidenti i Malit të Zi, Millo Gjuaknoviq, dhe ambasadori i Rumanisë në Podgoricë, Ferdinand Nagji.

Gjuaknoviq, sot është takuar me ambasadorin Nagji, në prag të takimit të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE, i cili organizohet përmes iniciativës së ambasadës së Rumanisë, e cila kryeson Bashkimin Evropian.

Gjukanoviq, siç është kumtuar nga kabineti i tij, ka potencuar se takimi me përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE, çdo herë është rast i mirë për shkëmbimin e mendimeve, posaçërisht, në momentin e publikimit të raportit të Komisionit Evropian, të mbledhjes së radhës të Këshillit të Evropës dhe temës aktuale marrëdhëniet e BE ma Ballkanin Perëndimor.

Ai, ka veçuar, po ashtu, marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve të cilat rrënjët e veta i kanë nga periudha e ish Jugosllavisë, dhe të cilat janë më të vjetra se interesat aktuale të përbashkëta Evropiane.

Ambasadori Nagji, e falënderoi presidentin Gjukanoviq, dhe rastin që iu dha të shkëmbejnë mendimet duke vlerësuar se Mali i Zi, gjatë mandatit të tij diplomatik, ka arritur rezultate të shkëlqyera të cilat janë më se të dukshme.

Gjatë kësaj kohe jeni bërë anëtar i NATO-s dhe jeni shumë afër BE, duke udhëhequr këtë proces, ka përfunduar Nagj.

Pas pranimit në Aleancën e NATO-s, është rritur reputacioni i vendit

Reputacioni I Malit të Zi në nivelin global është në rritje pas anëtarësimit në NATO, e po ashtu, është shënuar rritje e investimeve të drejtpërdrejta nga jashtë si dhe vizita më të dendura turistike nga vendet e anëtare të Aleancës, ka kumtuar ambasadorja e SHBA në Podgoricë, Xhudi Rajzing Rajnke . Ajo, në takimin me të rinjtë të organizuar në kuadër të projektit “Të marrim qëndrim për perspektivat e ardhshme: aleanca e të rinjve dhe NATO-s”, e të cilin e realizon Qendra për të drejtat e njeriut dhe demokracinë (CEDEM) , ka deklaruar se të dhënat statistikore dëshmojnë përfitime të shumta të cilat I ka arritur Mali i Zi, pas anëtarësimit në NATO. “Mali I Zi, sipas të dhënave nga Banka qendrore, në vitin 2018, ka realizuar më tepër se 400 milion euro nga investimet e drejtpërdrejta të jashtme, nga vendet anëtare të NATO-s, e që është 64% më shumë se në vitin 2017”, ka njoftuar ambasadorja, Rajnke.
Shefja e Drejtorisë për NATO-n, BE dhe operacionet paqësore, Radmilla Peroviq, ka theksuar se pas ripërtëritjes së pavarësisë, Mali i Zi, ka identifikuar dy qëllime kryesore të politikës së jashtme – anëtarësimi në Aleancën e NATO-s, dhe në BE, me pikësynimin, siç ka theksuar, përvetësimi i vlerave mbi të cilat është ndërtuar Evropa bashkëkohore si dhe demokracitë më të zhvilluara të botës, pohoi Peroviq.

Vendosmëria për zbatimin e reformave strukturore

Qëndrueshmëria fiskale së bashku me stabilitetin fiskal, janë parakushte kryesore të stabilitetit makroekonomik, ka porositur guvernatori i Bankës qendrore të Malit të Zi, Radoje Zhugiq, në hapje të samitit të guvernatorëve, ministrave të financave dhe drejtorëve të drejtorive tatimore të rajonit, të cilin e organizon Lidhja ekonomistëve të Serbisë me të përjavshmen NIN e që po mbahet në Beçiq të Budvës. Ndërkaq, samiti në fjalë, po mbahet nën patronazhin institucional të Bankës qendrore, Ministrisë së financave dhe Drejtorisë tatimore të Malit të Zi. Samitin, tema e të cilit është “Stabiliteti monetar dhe financiar i rajonit në kushtet e rritjes së ngadalësuar ekonomike në Eurozonë”, e kanë hapur kryetari i Lidhjes së ekonomistëve të Serbisë, Aleksandar Vllahoviq dhe guvernatori i bankës qendrore të Malit të Zi, Radoje Zhugiq.

Vllahoviq, ka theksuar se të gjitha ekonomitë e rajonit janë lartë të varura nga ngjarjet në Eurozonë, duke shtuar se me qëllim të zvogëlimit të ndikimit nga pasojat negative, është e domosdoshme zbatimi I fuqishëm I reformave strukturore, përforcimin e konkurrencës dhe krijimi I ambientit më të gjerë fiskal, përmes zvogëlimit të mëtejmë të borxhit publik dhe racionalizimin e shpenzimeve publike, ka thënë ai.

Në mbështetje të Drejtorisë së policisë në luftën kundër korrupsionit

Këshilli i Kuvendit për mbrojtje dhe siguri, ka miratuar sot raportin e veçantë të Drejtorisë së policisë për rezultatet e arritura në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar, si dhe i ka dhënë mbështetje këtij organit në mënyrë që në periudhën e ardhshme rezultatet e arritura të jenë edhe më të mira.

Mbledhja e mbajtur sot në të cilën nuk morën pjesë deputetët opozitar, është mbajtur në ambientin për shqyrtimin e materialeve të shënuara me shkallën e sekretit. Kryetrai i këtij Këshillit, Obrad Stanishiq, ka deklaruar për gazetarët se pasi që është fjala për raportin periodik, respektivisht për pesë muajt e parë të këtij viti, nuka kanë miratuar konkluzione.

Stanishiq, ka shtuar se rezultatet e arritura në luftën kundër kriminalitetit të organizuar dhe korrupsionit, i ka vlerësuar edhe Komisioni Evropian duke shqyrtuar kapitujt 23 dhe 24, ku është evidentuar se është arritur përparim.

 

Mali i Zi, gati në standardin e artë për dhënien vullnetare të gjakut

Niveli i dhënies vullnetare të gjakut në Mal të Zi, gati ka arritur standardin e artë dhe aktualisht është në shkallën 3. 2%, ka theksuar shefja e zyrës së Organizatës botërore të shëndetësisë, në Mal të Zi, Mina Brajoviq.

Sipas fjalëve të saj, në strukturën e dhënies vullnetare të gjakut, janë regjistruar lëvizje pozitive pasi Mali i Zi, i është afruar nivelit prej 50%duke shtuar se rezultatet e arritura obligojnë të vazhdohet në drejtim të reformave dhe intervenimeve strategjike, ka thënë Brajoviq.

Ajo, me rastin e 14 qershorit, Ditës botërore të dhënies vullnetare të gjakut, ka theksuar se rezultatet e arritura të Qendrës për transfuzion, paraqesin alarm të rëndësishëm edhe për gjithë sektorët tjerë.

Ndërkaq, drejtorja e Entit për transfuzionin e gjakut, Gordana Rashoviq, ka thënë se sipas evidencës së këtij entit, në vitin e kaluar janë grumbulluar 18.7 mijë njësi të gjakut, respektivisht, është arritur shkalla e dhënies vullnetare të gjakut prej 3%.

Dukaj pati këtë javë disa takime të rëndësishme

Drejtori i përgjithshëm në Drejtorinë për arsimin e pakicave pranë Ministrisë së Arsimit në Qeverinë e Malit të Zi, Marash Dukaj, siç njoftoi përmes rrjetit shoqëror Facebook, priti Petrit Selimin, ish ministër kosovar për punë të jashtme, aktualisht Drejtor ekzekutiv i Fondacionit “Milenium Kosova”.

Takimi, mes Dukajt dhe Selimit, siç njoftohet, u zhvillua me qëllim të përfshirjes edhe të vajzave nga trevat shqiptare në Mal të Zi, në kampin veror STEAM, që e organizon Fondacioni “Milenium Kosova”, ku Selimi, siç thamë është Drejtor ekzekutiv. Projekti në fjalë, financohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kurse Stejt Departamenti, është një ndër partnerët e ngjarjes. Rikujtojmë, po ashtu se, Dukaj, në fillim të kësaj jave zhvilloi edhe takime me Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Shyqyri Butyqin, me Zëvendës ministren e Kulturës, Rinisë e Sporteve, Leonora Morina- Bunjaku, si dhe me drejtorin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gjarakut. Në takim të ndarë, delegacionin nga Mali i Zi, në të cilin përveç, Dukajt, ishte edhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Faik Nika, e priti edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Demaj. Në takim u diskutua, mes tjerash, për çështjen e kuotave në Universitetin e Prishtinës për kandidatët shqiptar nga Mali i Zi, rritja e tyre, shqyrtimi i mundësisë për njohjen dhe ekuivalentimin e provimit të maturës shtetërore, nevoja e asistimit me mjete mësimore, lektura shkollore, harta gjeografike në gjuhën shqipe, nevojën e përshpejtimit të procedurave të nostrifikimit të diplomave e tema tjera, të rëndësishme për popullatën shqiptare në Mal të Zi.

përgatiti, Senad Gilaj

 

H.Thaçi; Koordinimi BE- SHBA, mund të rezultojë me marrëveshje

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se një koordinim maksimal i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të mund të rezultojë me sukses për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke.

Këto komente Thaçi, i bëri në Tiranë, ku edhe ka dekoruar shumë personalitete të cilat kanë dhënë kontribut për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Ai tha se storia e Kosovës është storie e suksesit të plotë vendor dhe ndërkombëtar, pasi është njohur nga 116 shtete dhe anëtarësuar në rreth 200 organizata ndërkombëtare

Kurse, i pyetur për Samitin i Parisit, ai tha se e vlerëson iniciativën franko-gjermane.

“Dialogu duhet të zhvillohet i pa kushtëzuar, duhet të zhvillohet në suaza të barabarta si dy vende të pavarura dhe sovrane. Unë vlerësoj iniciativën franko-gjermane në të njëjtën kohë jam jashtëzakonisht inkurajuar edhe me mbështetjen e plotë të Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prandaj një koordinim maksimal i Bashkimit Evropian dhe ShBA-ve do të mund të rezultojë me sukses për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke”, tha ai.

Vuçiq, do të kërkojë mbështetje nga SHBA për zgjidhje kompromisi me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se gjatë dhjetë ditëve të ardhshme do ta ftojë përsëri presidentin e SHBA-së, Donald Trump, të vizitojë Serbinë, si dhe do të “përpiqet të flasë” për Kosovën me disa bashkëpunëtorë të ngushtë të Trumpit. Ai tha se do të kërkojë mbështetjen për një zgjidhje kompromisi për çështjen e Kosovës.

Vuçiq i bëri këto komente kur u pyet për festimin në Kosovë të 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s, dhe deklaratën e bërë nga zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Metthew Palmer, se SHBA-ja do të vazhdojë të jetë në anën e Kosovës.

"Natyrisht që Amerika është në anën e Kosovës dhe do ta mbrojë atë. Këtë e bëjnë edhe Gjermania dhe vendet e tjera të Kuint-it, dhe për ne problemi është më i madh dhe më i vështirë", tha Vuçiq.

Ai shtoi se ky është një problem kyç për Serbinë, por se vendi do të vazhdojë të luftojë për interesat kombëtare.

“Qëllimi ynë është që Serbia të mos ketë armiq, dhe se me ata që dikur ishim, përpiqemi të kemi marrëdhënie normale dhe të balancuara," tha Vuçiq.

Kuvendi miraton vendimin kundër dekretit të Metës

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 100 vota pro, 7 kundër dhe 2 abstenime, rezolutën e propozuar nga Partia Socialiste (PS) mbi dekretin e presidentit, Ilir Meta, për anulimin e e zgjedhjeve lokale më 30 qershor.

Në rezolutë, PS i bën thirrje të gjitha organeve publike që ngarkohen nga ligji për organizimin e zgjedhjeve, që ta konsiderojnë si inekzistent dekretin e presidentit Meta, me të cilin ai shfuqizoi dekretin e mëparshëm për mbajtjen e zgjedhjeve vendore. Përmes saj, rezoluta kërkon edhe mundësinë e aktivizimit të mekanizmave të kontrollit dhe hetimit parlamentar ndaj vendimit të presidentit. Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në Kuvend tha se partia e tij nuk do të tërhiqet nga 30 qershori, si datë e caktuar e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Shqipëri. Në anën tjetër, pas miratimit të rezolutës në Parlament kundër vendimit të presidentit, Presidenca ka deklaruar se shfuqizimi i 30 qershorit është i detyrueshëm për të gjithë aktorët politikë. ”Presidenti deklaron edhe njëherë se dekreti për shfuqizimin e dekretit të 30 qershorit është një akt që është marrë në mbështetje të plotë të dispozitave të Kushtetutës”, u shpreh Bledar Dervishaj, këshilltar për çështje ligjore i presidentit Meta.

 

Berlini, konfirmon perspektivën Evropiane të Maqedonisë Veriore

Në Berlin nuk ka dilemë lidhur me përparimin e Maqedonisë së veriut drejt BE-së. Është më e sigurt se Shqipëria, për shkak të krizës politike, do të bjerë nga paketa, shkruan agjencia gjermane e lajmeve “DPA”.

“Ne duam të hapim negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, tha një politikan nga radhët e Socialdemokratëve gjermanë të enjten.

Duke pasur parasysh rezistencën e Francës ndaj një lëvizjeje të tillë, Maas tha se mund që edhe më vonë të vendoset kur të ketë mundësi për të bindur udhëheqësit skeptikë.

Nënkryetari i grupit parlamentar të CDU-së në Bundestag, Johan Vadefull, tha se pavarësisht nga këto qëndrime, Parlamenti do t’i japë dritën jeshile qeverisë edhe në fund të shtatorit, përcjell AIM.

Kuvendi holandez votoi të mërkurën për të nisur negociatat me Maqedoninë e Veriut, por jo me Shqipërinë. Vendimin përfundimtar BE do të sjellë në tetor.

 

Luksemburg: Pa marrëveshje për buxhetin e BE

Ministrat e Financave të Bashkimit Evropian, gjatë një takimi në Luksemburg, nuk kanë arritur të bien dakord për disa çështje kyçe sa i përket buxhetit të BE-së, dhe u pajtuan të vazhdojnë diskutimet muajin e ardhshëm.

Ministrat, provuan të bien dakord, nëse buxheti i BE-së duhet të financohet nga taksat e dedikuara për të, apo duhet të merret i gatshëm nga buxhetet e 28 vendeve anëtare.

Pasi nuk kishin pajtim për burimet e financimit të buxhetit, ministrat nuk e kanë diskutuar as shumën e tij.

Ministrat e financave të BE-së, gjatë takimit të tyre, kanë paralajmëruar Italinë se ajo ka nevojë për të rikthyer financat e saj publike në përputhje me rregullat e bllokut.

Pothuajse një dekadë pas krizës së borxheve, presidenti francez, Emmanuel Macron, po kërkon që partnerët e tij të zbatojnë ndryshimet në mënyrë që eurozona të jetë më elastike ndaj goditjeve dhe dominimit global të Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

 

Johnson, fiton numrin më të madh të votave në votimin e parë

Boris Johnson ka siguruar numrin më të madh të votave në votimin e parë për të zgjedhur udhëheqësin e Partisë Konservatore, i cili njëherësh do të jetë edhe kryeministri i ri i vendit.

Johnson mori 114 vota, Jeremy Hunt ishte i dyti me 43, dhe Michael Gove ishte i treti me 37 vota. Shtatë kandidatë përparojnë në raundin tjetër të votimit javën e ardhshme. Do të duhen edhe disa runde votimesh për të zgjedhur kreun e ri të partisë. Johnson tha se ishte "i kënaqur që fitoi zgjedhjet e para, por ka një rrugë të gjatë përpara". Para vizitës së tij në fillim të qershorit në Londër, presidenti i SHBA-së, Donald Trump i ka thënë gazetës "The Sun" se e përkrahë kandidaturën e Boris Johnson, për kryeministër të Britanisë. Votimet vijnë pasi, Theresa May, dha dorëheqje nga pozita e kreut të partisë, duke lënë të zbrazët edhe pozitën e kryeministres. Ajo dështoi të marrë miratimin e parlamentit britanik, për marrëveshjen e daljes së vendit nga BE-ja, të cilët e kishte negociuar me Brukselin.

SHBA, akuzon Iranin për sulmin ndaj cisetrnave të naftës në Gjirin e Omanit

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka akuzuar Iranin për sulmin në dy cisterna të naftës në Gjirin e Omanit.

Ai tha se vlerësimi është bërë në bazë të informacioneve për llojin e armëve të përdorura.

Pak orë pas deklaratës së Pompeos, ushtria amerikane ka lëshuar një video, në të cilën ajo tregon Gardën Revolucionare të Iranit, duke hequr një minë të pashpërthyer në një cisternë të dëmtuar nga sulmet.

Një zyrtar i lartë iranian i tha BBC-së, se Irani nuk ka lidhje me sulmet.

Shpërthimet në një nga rrugët ujore më të ngarkuara të naftës në botë, vijnë një muaj pasi katër depozita nafte u sulmuan në brigjet e Emirateve të Bashkuara Arabe.

SHBA-ja në atë kohë fajësoi Iranin - por Teherani i mohoi akuzat.

Gjiri i Omanit është një ngushticë strategjike, përmes së cilës kalojnë qindra milionë dollarë naftë.

Vazhdojnë përpjekjet për aritjen e marrëveshjes lidhur me Venezuelën

Suedia do të jetë mikëpritëse e bisedimeve midis Rusisë, Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe të tjerëve, në një përpjekje për të arritur një zgjidhje paqësore për krizën e dhunshme politike në Venezuelë.

"Bisedimet në Stokholm janë për mbështetjen e dialogut të Norvegjisë," tha një diplomat evropian, duke iu referuar një raundi të mëparshëm bisedimesh në Oslo, midis qeverisë së Venezuelës dhe përfaqësuesve të opozitës.

Këto bisedime përfunduan pa marrëveshje.

Një zyrtar amerikan i tha agjencisë Associated Press, se Shtetet e Bashkuara ishin ftuar në këto bisedime por vendosën të mos dërgonin përfaqësues në Stokholm.

Venezuela është zhytur në trazira që nga shpërthimi i protestave masive kundër sundimit të presidentit socialist, Nicolas Maduro, i cili mbështetet nga Rusia.

Udhëheqësi i opozitës, Juan Guaido, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, shumica e vendeve evropiane dhe më shumë se 50 vende të tjera, u shpall president i përkohshëm në janar të vitit 2019.

 

Nesër, mot i ngjashëm

Në Mal të Zi, mban mot kryesisht me diell dhe i nxehtë, në viset veriore, vende- vende, me të reshura të pakta. Frynë erë e dobët deri mesatare, nga drejtimet e ndryshme.

Në orën 14 u shënuan këto temperatura: Podgoricë 34 gradë, Beranë, Nikshiq e Shavnik 32, Budvë, Cetinë, Andrijevic e Rozhajë 31, Plevle, Herceg Novi e Plavë 30, Kollashin, Ulqin, Plluzhinë e Petrovac 29 dhe në Zhablak 24 gradë.

Për nesër, parashihet të mbaj mot kryesisht me diell dhe shumë të nxehtë.

Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e ndryshme.

Temperatura e mëngjesit prej prej 12 deri në 23, kurse më e larta e ditës prej 27 deri në 37 gradë celsius.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се