Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

14. 09. 2020. 00:00 >> 17:37

Ditari 14.09.2020

14.09.2020

Mbledhja konsultative do të mbahet të mërkurën në parlament

Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi Ivan Brajoviq i ka ftuar bartësit e listave zgjedhore të cilat e kanë siguruar statusin parlamentar në mbledhjen konsultative të mërkurë që vjen, me rastin e konvokimit të seancës së parë të përbërjes së re të Parlamentit. Të theksojmë se Komisioni Zgjedhor i Shtetit i ka publikuar sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të cilat janë mbajtur me 30 gusht. Koalicioni “Të vendosur DPS – Millo Gjukanoviq” ka fituar 30 mandate, “Koalicioni për të ardhmen e Malit të Zi” 27, Koalicioni, “Paqja është kombi ynë” 10 , kurse platforma, “E zeza mbi të bardhën” ,4 mandate. Partia Boshnjake dhe Social Demokratët do të jenë të përfaqësuar me nga tre deputet, Partia Socialdemokratike 2, kurse nga një përfaqësues në Parlament do ta kenë Lista shqiptare, “Nikë Gjeloshaj – Genc Nimanbegu” dhe koalicioni, “Bashkë nji za”. Seancën e parë të përbërjes së re të Parlamentit e konvokon kryetari i përbërjes së mëparshme parlamentare brenda afatit 15 ditorë duke filluar prej shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve. Presidenti i Malit të Zi mandatorin e propozon brenda 30 ditësh duke filluar nga konstituimi i Kuvendit të Malit të Zi. Mandatori për përbërjen e Qeverisë prezanton në parlament programin e vetë dhe propozon përbërjen e Qeverisë. Për programin e mandatorit dhe për propozimin për përbërjen e Qeverisë parlamenti vendos njëkohësisht.

​Shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Mal të Zi

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Malin e Zi ka shpallur sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 30 gushtit. Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, brenda 15 ditëve, kryetari i përbërjes së vjetër të parlamentit, Ivan Brajoviq, thërret seancën e parë të përbërjes së re të Parlamentit të Malit të Zi. Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, propozon emrin e kryeministrit të ri në afat prej 30 ditësh që nga konstituimi i parlamentit. Zgjedhjet në Mal të Zi u mbajtën më 30 gusht. Për herë të parë pas tri dekadash, Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Millo Gjukanoviq ka humbur shumicën në parlament. Zgjedhjet u fituan nga partitë opozitare që konsiderohen si pro-serbe dhe pro-ruse. Liderët e tri subjekteve politike të koalicionit opozitar, të cilat e kanë fituar shumicën në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, në një konferencë për media më 9 shtator kanë prezantuar parimet mbi të cilat do të mbështetet qeveria e ardhshme dhe të cilat nënkuptojnë bashkëpunimin me aleancën e NATO-s, mosvënien në diskutim të njohjes së Kosovës dhe që përjashtojnë mundësinë e ndryshimit të simboleve shtetërore të Malit të Zi. Parimet e marrëveshjes u shpallën nga liderët e koalicionit “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, “Paqja është kombi ynë” dhe “E zeza mbi të bardhë” e Zdravko Krivokapiq, Aleksa Beçiq dhe Dritan Abazoviq.

BE pa komente lidhur me paralajmërimin e heqjes së sanksioneve ndaj Rusisë

Bashkimi Evropian nuk dëshiron të komentojë paralajmërimet e disa politikanëve në Mal të Zi se Qeveria e ardhshme do të heq sanksionet për Rusinë. Këtë shkurtimisht ua ka deklaruar gazetarëve në Bruksel zëdhënësi i Komisarit Evropian për politiken e jashtme Peter Stano, duke u përgjigjur në pyetjen se çfarë do të ndodh me procesin negocues të Malit të Zi, nëse ai vendos ti heq sanksionet për Rusinë. “Kjo pyetje përmban elementin, “çfarë ndodhë, nëse do të ndodh“, por ne nuk merremi me spekulime. Harmonizimi me politikat e jashtme të BE është njëra nga obligimet në procesin e asocimit dhe shtetet aspirante këtë e dinë fare mirë. Kur është fjala për Malin e Zi, nuk do të komentoja deklaratat e një politikani, në veçanti nëse ato nuk janë të shoqëruara me veprime konkrete”, ka theksuar Stano.

Pakicat si rregull janë pjesë e qeverisë

Bartësi i “Listës Shqiptare”, Nik Gjeloshaj për RTMZ deklaroi se kush do që e fiton shumicën, si rregull në rajon është që pakicat të jenë pjesë e qeverisë. Ai si shembull mori Kosovën ku pjesë e qeverisë janë pakica serbe, pavarësisht nga ngjarjet që ndodhën atje. Gjeloshaj tha se brenda koalicionit do të analizojnë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, si dhe ftesat për t’u bakangjitur shumicës së re në Malin e Zi. Ai tha se nuk ka ftesë për bisedë që duhet refuzuar, por që ekziston një ndryshim i madh midis bisedës dhe marrëveshjes. Ndërsa përfaqësuesi i “Listës Shqiptare”, Genci Nimanbegu, tha për gazetën “Dan” se partitë e pakicave, veçanërisht ato shqiptare, po marrin ftesa konfuze për të marrë pjesë në qeverinë e re të Malit të Zi. “Ne mbrojmë parimet demokratike dhe orientimin tonë drejt integrimit Euro-Atlantik, barazinë e popujve dhe mos-diskriminimin, zhvillimin ekonomik dhe vendet e punës, shtetin laik dhe marrëdhënie më të mira me të gjithë fqinjët e Malit të Zi, përfshirë Kosovën, Serbinë, Shqipërinë, Kroacinë dhe Bosnjën e Hercegovinën. Këto janë qëndrimet mbi të cilat lista jonë e koalicionit do të deklarohet”, tha Nimanbegu. Se cilën qeveri do ta mbështeste, Nimanbegu tha se është e vështirë me dhënë një përgjigje më të hollësishme kësaj pyetjeje pasi që nuk dihet as emri i mandatarit.

Fokusi i politikes retrograde bie mbi pakicat

Ngjarjet e paradokohshme në Plevle dhe komunat ku jetojnë pakicat paraqesin formën më autentike të veprimtarisë fashiste, politikës së dështuar e cila nuk ka sjell asgjë të mirë në hapësirat e ish Jugosllavisë, ka deklaruar kandidati për deputet i Partisë Boshnjake, Ervin Ibrahimoviq. Ai për gazetën,“Pobjeda” ka theksuar se fokusi i një politike të tillë retrograde është vendosur “mbi pakicat, kulturën e tyre, objektet fetare dhe vetvetiu edhe mbi themelet e Malit të Zi, me qëllim të destabilizimit dhe rrëzimit të shtetësisë dhe ekzistencës së Malit të Zi të pavarur. Ibrahimoviq ka theksuar se pakicat pothuaj se qind përqind, së bashku me shumicën në Mal të Zi, kanë kontribuar në rivendosjen e pavarësisë së Malit të Zi. Ai ka shtuar se boshnjakët, popujt pakicë, si dhe shumica e Malit të Zi sot jeton në frikë.

Malin e Zi pas zgjedhjeve e pret periudha e stabilizimit të financave publike

Pas zgjedhjeve Malin e Zi e pret periudha e stabilizimit të financave publike, e luftës pa kompromis kundër korrupsionit dhe përshpejtimi i integrimeve evropiane”, ka kumtuar nënkryetari i Lëvizjes qytetare URA, Millosh Konatar. Ai konsideron se në këtë mënyrë pushteti i ri do të krijojë bazën me qëllim që investuesit vendor dhe të jashtëm të kenë kushte më të mira dhe më të ndershme për afarizëm në Mal të Zi se sa ishin deri tani. “Afaristët dhe investuesit të cilët veprojnë në Mal të Zi nuk kanë shkaqe të jenë skeptik ndaj potencialit të pushtetit të ri se ajo do të ketë sfida dhe do tu mundësojë investuesve vendor dhe të jashtëm afarizëm normal dhe bashkëkohor. Malit të Zi i nevojitet një rritje e fortë ekonomike, avancimi i ambientit afaristë si dhe konkurrenca e ekonomisë malazeze, ka theksuar Konatar.

 

Drejtësia për të gjithë me kushte të barabarta

Në Mal të Zi drejtësia duhet tu mundësohet të gjithë qytetarëve me kushte të barabarta, përmes proceseve gjyqësore kualitative”, ka deklaruar kryetarja e Gjyqit Suprem, Vesna Medenica. Medenica në takimin me këshilltarin për çështjet e Ballkanit perëndimorë në Ministrinë austriake të drejtësisë, Gregor Stavo, ka thënë se në fokus të racionalizimit të rrjetit gjyqësor janë qytetarët, në mënyrë që të kenë drejtësi optimale, të shpejtë dhe kualitative. Është kumtuar se në takim është shqyrtuar edhe projekti i analizimit të rrjetit gjyqësor. Qëndrimi është, siç ka thënë ai, që Analiza duhet të rezultojë me qasje më më efikase dhe më të lirë të qytetarëve, në çfarëdo modeli i cili është i pranueshëm për sistemin gjyqësor të Malit të Zi. Drejtoresha e përgjithshëm e Drejtorisë për organizimin e gjyqësorit dhe mbikëqyrje, Marijana Llakoviq- Drashkoviq, ka vlerësuar se është bërë punë e shkëlqyer. Siç u kumtua nga Gjyqi Suprem, duke pasur parasysh faktin se Analiza e racionalizimit të rrjetit gjyqësorë është ende në formë të dokumentit punues, derisa bisedimet do të vazhdojnë derisa do mos precizohen rekomandimet përfundimtare.

 

Reforma e sistemit arsimor të bazohet në parimet morale

Reforma e sistemit arsimor dhe postulatet e sistemit të ri më cilësor edukativ do të duhej të jenë integriteti dhe jo paratë, karakteri mbi suksesin dhe mirësia mbi garimet, ka deklaruar sot profesoresha Milica Kankarash, nënshkruese e platformës “E zeza mbi të bardhë”. Ajo ka vërtetuar se sistemit aktual i mësimit funksionon në kundërshtim me këto principe dhe si rezultat i kësaj janë problemet të cilat e godasin Malin e ZI njësoj si edhe vendet tjera në botë. “Rritja e dhunës moshatare, përdorimi i narkotikëve dhe problemet e tjera të shumta tek të rinjtë, në një mas të mirë janë shkaktuar nga një sistem krejtësisht i gabuar i vlerave i cili, për fat të keq, pa vetëdije transmetohet edhe në shkolla”. Ajo ka theksuar se deri para disa decenieve ka qenë “normale” që një rrogë të jetë e mjaftueshme për mbajtjen e familjes, kurse sot prindërit e rinj duhet të punojnë edhe dy punë për të paguar të gjitha faturat dhe për të siguruar çdo gjë të domosdoshme për familjen. Ajo shpreson se në fokusin e Qeveris së re të ekspertëve të Malit të Zi do të jetë realizimi i principeve të proklamuara e jo të disa principeve të reja përmes ndryshimeve kozmetike të sistemit burokratik. 

 

Policisë së Malit të Zi i dhurohet sistemi për identifikimin balistik

Republika e Francës i ka dhuruar Drejtorisë së policisë së Malit të Zi sistemin për identifikimin balistik si dhe për trajnimin për shfrytëzimin operativ të sistemit me vlerë të përgjithshme rreth 220 mijë euro. Marrëveshjen për këtë donacion e kanë nënshkruar, Drejtori i drejtorisë së policisë, Veselin Veloviq dhe ambasadorja e Republikës së Francës, KristinTudik- Gabor. Siç është kumtuar nga Drejtoria e policisë, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje vërteton raportet tradicionalisht të mira ndërmjet Republikës së Francës dhe Malit të Zi. Franca si partner në rrugën drejt Bashkimit Evropianë, përmes këtij dhe aktiviteteve të tilla në vazhdimësi jep kontribut të rëndësishëm në procesin integrues të Malit të Zi. “Ky donacion është vërtetim i marrëdhënieve miqësore dhe partnere të shërbimeve të sigurisë të cilat janë ndërtuar në kontinuitet përmes besimit se bashkëpunimi në fushën e investigimeve kriminalistike në periudhën e ardhshme do të avancohen edhe më tepër“, ka theksuar Veloviq. Ambasadorja e Francës, siç theksohet, ka theksuar se Franca do të vazhdojë forcimin e kapaciteteve të policisë malazeze në fushën e ekspertizave forenzike. “Siguria e Evropës nuk përfundon brenda kufijve të saj kështu që bashkëpunimi i shërbimeve në zbatimin e ligjit nga fusha e bashkëpunimit policorë ndërkombëtare ka një rëndësi të veçantë”, ka theksua Tudik Gabor.

Pavarësia ekonomike e gruas është çelës i përparimit të çdo shoqërie

Forcimi ekonomik dhe pavarësia e gruas është njëri ndër faktorët kryesor të progresit shoqëror dhe çështje me të cilën çdo shtet duhet të merret seriozisht në zgjidhjen e tyre, ka vlerësuar drejtorja e lobit malazezë të gruas, Aida Petroviq. Ajo ka theksuar se forcimi ekonomik u ndihmon femrave të jenë më të sigurta, të gjejnë punë ose përmes punës nga shtëpia të sigurojnë për vete mjete financiare. “Pavarësia ekonomike e gruas realizohet përmes programeve të ndryshme, punëtorive dhe trajnimeve, të cilat para së gjithash u sigurojnë grave nga të ashtuquajturat grupacione të ndryshme që ta përmirësojnë pozitën e vetë në tregun e punës ose të nisin biznesin e vet të vogël”, ka theksuar Petroviq në konferencën për gazetarët me rastin e prezantimit të rezultateve të projektit me titull, “Forcimi edukativ dhe ekonomik i gruas për inicimin e biznesit personal”.

  

Derisa të rritet numri i udhëtimeve duhet të kalojë një kohë mjaft e gjatë

Kryetari i asociacionit të Agjencive turistike të Malit të Zi, Orhan Hoxhiq, konsideron se për shkak të ndikimit negativ të pandemisë së korona virusit në turizëm, do të kalojë një kohë e gjatë derisa të normalizohen udhëtimet dhe të përgatiten aranzhmanet për shitje. Ai ka theksuar se përkrahja e Qeverisë, në formën e tri paketave të ndihmës për ekonominë, është e pa mjaftueshme për mbijetesën e punëtorëve turistik, sepse mbulon vetëm minimumin e pagës mujore. Hoxhiq konsideron se kufiri me Serbinë është hapur tepër vonë, dhe se turistët nga rajoni nuk janë të mjaftueshëm për shënimin e rezultateve të mira. “Të premten e kaluar në Mal të Zi kanë qëndruar rreth 27 mijë turistë ose një e treta e turistëve krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, ka deklaruar sekretari shtetëror në Ministri për zhvillim të qëndrueshëm dhe turizëm, Damir Davidoviq. Të ardhurat nga taksat e qëndrimit, kontributeve të ndryshme dhe nga taksat turistike gjatë këtij viti janë 26.6% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kanë kumtuar përfaqësuesit e Organizatës turistike nacionale, duke shtuar se këto të ardhura kapin shumën e vetëm të 2.96 milion euro.

 

Të mos sfidohen kufijtë e sistemit shëndetësor

Ndihmës ministri i shëndetësisë të malit të Zi Miro Knezheviq ka deklaruar se situata aktuale epidemiologjike në vend nuk është e mirë dhe se nuk do të duhej të sfidohen kufijtë e fundit të sistemit shëndetësor. Në këtë situatë, siç ka theksuar ai, është mirë se sistemi shëndetësor gjithnjë e ka nën kontroll situatën në Mal të Zi. Mbyllja ose karantinimi është masa e fundit, ka theksuar Knezheviq, por ka shtuar se shpreson se do të ulet numri i të prekurve, andaj vetvetiu edhe zbutja e masave. Duke folur për strategjinë në rast të përkeqësimit të situatës, Knezhviq ka theksuar se janë miratuar të gjitha strategjitë dhe për të gjithë skenarët e mundshëm për infektimet. Ai në programin e mëngjesit të TVMZ ka theksuar se megjithatë në situatën aktuale është mirë që Instituti për Shëndetin Publik dhe Sistemi shëndetësor e mbajnë situatën nën kontroll. Megjithatë, nëse vazhdon sjellja e tillë e qytetarëve e që do të shkaktojë rritjen e numrit të infektuarve, Knezheviq ka tërhequr vërejtjen se situata nuk do të jetë e mirë. Të theksojmë se numri i të sëmurëve nga koronavirusi në Mal të Zi shënon rritje drastike. Nga 618 mostra të cilat janë analizuar deri sot në laboratorët e Institutit për Shëndetin Publik, në bazë të analizave PCR janë vërtetuar 188 raste të infektimeve të reja me virusin korona. Drejtori i Institutit, Boban Mugosha ka theksuar se situata në Mal të Zi e krijuar nga koronavirusi është mjaftë serioze dhe për këtë disa herë kanë tërhequr vërejtjen. Ai ka përsëritur apelin që maskat të mbahen, të ruhet distanca dhe të mbahet higjiena personale dhe e ambientit. Mugosha ka përsëritur se “mbyllja” e banorëve, ngjashëm me atë në pranverën e kaluar duhet të jetë skenari i fundit, por, do të jetë i domosdoshëm nëse vazhdon rritja e numrit të prekurve. Mugosha ka paralajmëruar dhe është i bindur se viti i ri shkollor do të fillojë siç është paralajmëruar me një tetor.

​Të dielën vazhdon dialogu në Bruksel, zbulohen temat që do diskutohen

Zëdhënësi i BE-së, Peter Strano ka paralajmëruar vazhdimin e bisedimeve në Bruksel mes përfaqësuesve të lartë shtetëror të Kosovës dhe Serbisë. Zëdhënësi i BE-së, Peter Strano ka paralajmëruar se të dielën në Bruksel do të vazhdojnë bisedimet mes zyrtarëve të lartë shtetëror të Kosovës dhe Serbisë për temat e ngritura në takimin e fundit në nivelin më të lartë politik, raportojnë agjencitë. Diskutimet do të vazhdojnë mbi temat e ngritura në takimin e fundit politik të nivelit të lartë. Këto janë marrëveshje mbi komunitetet jo-shumicë dhe zgjidhjen e pretendimeve të ndërsjella financiare dhe pronës, e cila është deri në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme”, tha Stano. Ai thotë se Serbia, si një vend në procesin e bashkimit me BE, pritet të harmonizojë politikën e saj të jashtme me politikën e BE, duke përfshirë sanksionet e njoftuara kundër atyre që janë përgjegjës për dhunën në Bjellorusi. Shpresojmë të shohim së shpejti sanksionet evropiane të njoftuara kundër atyre që janë përgjegjës për shtypjen e papranueshme në Bjellorusi. Ne presim që vendet në procesin e bashkimit me BE të bëjnë përparim në harmonizimin e politikave të tyre me politikat e BE. Kjo nuk është në diskutim”, tha Stano.

 

​Ambasadorët janë zë i fuqishëm i Kosovës në botë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një video konferencë me ambasadorët e Kosovës, të cilët shërbejnë në misione diplomatike nëpër vende të ndryshme në botë. Me këtë rast, kryeministri kosovar tha se ambasadorët janë përfaqësuesit më të denjë për të prezantuar Kosovën në vendet ku ata shërbejnë dhe për këtë është i rëndësishëm koordinimi dhe përkushtimi maksimal në punën e tyre. Kryeministri Hoti, po ashtu, ka kërkuar nga ambasadorët që me punën e tyre të jenë zë i fuqishëm i Kosovës në botë, pasi që Kosova është në një fazë shumë të rëndësishme të shtetndërtimit dhe konsolidimit të përgjithshëm. Duke theksuar orientimin euroatlantik të shtetit të Kosovës, kryeministri Hoti vlerësoi rolin e rëndësishëm të ambasadorëve në forcimin e lidhjeve me vendet mike në të gjitha aspektet. Qeveria e Kosovës është duke punuar ngushtë me partnerët dhe miqtë ndërkombëtarë në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, në procesin e rimëkëmbjes ekonomike si pasojë e pandemisë COVID -19, si dhe në shumë procese nëpër të cilat është duke kaluar Kosova”, theksoi Hoti. Duke folur për projektet zhvillimore në Kosovë në planin e brendshëm, kryeministri Hoti tha se Qeveria është duke punuar me përkushtim në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e një klime të favorshme për investimet e huaja.

Emrat e zëvendësministrave, nesër në Kuvend

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev nga Kumanova deklaroi se është i gatshëm të dorëzojë në Kuvend emrat e kandidatëve për zëvendësministra nesër ose pasnesër, sapo Kuvendi të jetë gati. Megjithatë, më vonë Zaev tha se akoma nuk i ka vërtetuar emrat sepse bën intervista me kandidatët. Procedura për verifikimin e emrave të tyre vazhdon dhe jemi nga fundi. Siç shoh, Parlamenti i formoi trupat punues, komisionet janë zgjedhur që të mundet më tej të dimensionohen seancat. E dini se kishim një deputet që për arsye shëndetësore nuk ishte prezent. Ai tashmë është kthyer në punë dhe kemi një deputet, mandati i të cilit duhet të verifikohen. Unë jam i gatshëm, nesër ose pasnesër, edhe pse do të jem në rrugë, gjithçka është e gatshme që të mund t’i dorëzojë propozimet në Kuvend kurse Kuvendi me siguri pas datës 20 do t’i vendosë në rend dite që të kenë mundësi deputetët të lexojnë biografitë. Nuk mund t’i them emrat sepse akoma nuk i kam vërtetuar deri në fund me partnerët. Disa nga partitë i kanë dhënë emrat e tyre por unë si mandatar nuk jam deri në fund i përgatitur sepse akoma bëj intervista me kandidatët”, tha Zaev.

​Pavarësisht kërcënimeve dhe arrestimeve, mijëra bjellorusë protestojnë në Minsk

Dhjetëra-mijëra bjellorusë po protestojnë në rrugët e Minskut dhe në qytete të tjera, teksa protestat e opozitës pothuajse kanë hyrë në javën e pestë. Përmes këtyre protestave, ata po i bëjnë presion presidentit Alyaksandr Lukashenko që të organizojë zgjedhje të reja. Protesta e djeshme po shihet si një sinjal se aktivistët e opozitës, por edhe qytetarët bjellorusë, nuk do të zmbrapsen, pavarësisht arrestimeve, rrahjeve dhe formave të tjera të kërcënimit që po iu bëjnë forcat e sigurisë së Bjellorusisë. Llukashenko, që udhëheqë me Bjellorusinë qe 26 vjet, ka refuzuar që të bisedojë me kundërshtarët e tij dhe ka refuzuar çdo thirrje për zgjedhje të reja. Kombet e Bashkuara kanë vlerësuar se deri më tani, 6,000 persona janë arrestuar dhe në disa raste janë torturuar nga agjentët e sigurisë. Në zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit, Llukashenko fitoi mandatin e pestë me radhë. Por, kritikët dhe opozita thanë se rezultati zgjedhor u manipulua. Para protestës së 13 shtatorit, Ministria e Brendshme njoftoi se ka rritur prezencën policore dhe ushtarake në Minsk për “të parandaluar veprimet ilegale të qytetarëve protestues”.

 

​29 milion të infektuar me COVID-19 në botë

Në rajon dhe botë dita ditës po rritet numri i të infektuarve. Numri total i rasteve pozitive në Kosovë është mbi 14 mijë e 500, ndërsa numri i rasteve aktive është 2 mijë e 500. Sipas të dhënave të faqes Worldometers, Shqipëria qëndron më mirë sesa Kosova, me diçka mbi 11 mijë raste, kurse 4.450 raste janë ende aktive dhe 334 pacientë kanë humbur jetën. Më keq se Kosova qëndron Maqedonia Veriore me mbi 15.800 raste, prej të cilëve 1860 janë raste ende aktive dhe 652 persona kanë vdekur. Serbia qëndron më së keqi me gjithsej 32.437 raste pozitive, prej tyre 31.285 të shëruar, 419 raste aktive dhe 733 vdekje, që po ashtu paraqet shifrën më të lartë të vdekjes në rajon. Numri i të infektuarve me COVID-19 në të gjithë botën ka arritur në rreth 29 milion. Shtetet e Bashkuara mbeten vendi me më shumë infeksione, më tepër se 6.4 milion raste. India ia ka kaluar Brazilit, duke zënë vendin e dytë me 4.7 milion, Brazili ka 4.3 milion raste. Një artikull në revistën New England Journal of Medicine arrin në përfundimin se përdorimi i maskës nga të gjithë "mund të ndihmojë në zvogëlimin e fuqisë së sëmundjes dhe të bëjë që një pjesë më e madhe e infektimeve të reja të jenë pa simptoma". Nëse ky përfundim është i saktë, thuhet në artikull, përdorimi i maskës mund të shërbejë si një formë vaksinimi "që do të sillte imunitet dhe në këtë mënyrë do të ngadalësonte përhapjen e virusit", ndërkohë që bota është në pritje të një vaksine.

 

Prej sonte në mesnatë eurodizeli dhe vajguri do të jenë më të lirë

Eurodizeli dhe vajguri prej sonte në mesnatë në Mal të Zi do të jenë më të lira nga 3 cent, kurse të dy llojet e benzinës do të mbeten në çmime të njëjta, është kumtuar nga Ministria e ekonomisë. Qytetarët një litër eurodizel gjatë dy javëve të ardhshme do ta paguajnë 97 cent, kurse një litër vaj guri 95 cent. Çmimet e eurosuper 95 dhe 98 nuk do të ndryshojnë dhe gjatë dy javëve të ardhshme do të kushtojnë 1.14, respektivisht 1.17 euro për një litër. Çmimi i eurosuperit 95 në Mal të Zi është diçka më e lartë nga mesatarja e çmimit në rajon, derisa çmimi i eurodizelit është nën mesataren rajonale, tregojnë të dhënat e Biltenit të Ministrisë së ekonomisë. Kalkulimet dyjavore të harmonizimit qeverisë ia dorëzojnë kompanitë e naftës nga vendi, kurse ato i shqyrton dhe vërteton resori gjegjës.

 

Edhe nesër mot me diell dhe i nxehtë

Sot në Mal të Zi po mban mot kryesisht i kthjellët dhe relativisht i nxehtë, ne veri me vranësira të pakta. Fryn erë e dobët deri mesatare, vende vende e fortë nga drejtimet e veriut dhe verilindjes. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Podgoricë e Herceg Novi 36 gradë, Ulqin 35, Nikshiq 31, Cetinë 30, Tivar 29, Plevle 26, Kollashin 25 dhe në Zhablak 22 gradë. Meteorologët edhe për nesër në Mal të Zi parashohin të mbajë mot me diell dhe i nxehtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare, në viset jugore vende vende deri e fortë nga drejtimet e veriut. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 8 deri në 14, kurse më e larta e ditës prej 21 deri në 35 gradë celsius.

  

ditarin e përgatiti, Senad Gilaj

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се