Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

05. 01. 2022. 00:00 >> 16:41

Ditari 05.01.2022

Ditarin e përgatiti, Senad Gilaj

Shtetet e Bashkuara nuk do të hezitojnë të përdorin edhe sanksione

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të hezitojnë të përdorin edhe sanksionet për të dërguar një mesazh të fortë për akterët e korruptuar dhe destabilizues në rajon, tha sot i dërguari special i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Në një intervistë për agjencinë MINA, Escobar tha se liderët e Ballkanit Perëndimor duhet të punojnë në interes të qytetarëve, në vend që të punojnë për interesat e tyre personale dhe partiake. "Ne nuk do të hezitojmë të përdorim edhe sanksione ose mekanizma të tjerë për të dërguar një mesazh të fortë për aktorët e korruptuar dhe destabilizues," tha Escobar. Ai vlerësoi se politika identitare, e cila përçan dhe që ka penguar përparimin e rajonit në të kaluarën, nuk ka bërë asgjë për interesat e njerëzve në Ballkanin Perëndimor.

Qeveria pa mbështetje është alternativa më e keqe

Profesori në Universitetin e Grazit dhe njohës i rrethanave në vend dhe rajon, Florian Bieber, e vlerëson vitin e kaluar si vit i mundësive të humbura, sepse nuk sheh përparim të dukshëm në këtë Qeveri, edhe pse siç thotë ai, kjo ka qenë e pritshme pas ndryshimeve të qeverisë dhe pushtetit. Bieber nuk e përjashton mundësinë e zgjedhjeve të reja apo krijimin e një qeverie të re të shumicës apo pakicës. Profesori i Universitetit të Gracit ka deklaruar se duke folur për rezultatet e Qeverisë në vitin e kaluar thotë se është i zhgënjyer me rezultatet e saj. Përçarjet  e partive politike që formojnë qeverinë janë, siç thotë ai, më të dukshme këtë vit se sa të kaluarën. Bieber thotë se në shumicën e rasteve nuk ishte e qartë se kush ishte në pushtet dhe kush në opozitë. Për këtë arsye kjo Qeveri po përballet me një periudhë të pasigurt, thotë profesor Bieber, duke shtuar se me kalimin e vitit, përçarjet u thelluan si te qytetarët ashtu edhe te politikanët.

 

1.8 milionë euro neto për pagat e deputetëve

Kuvendi i Malit të Zi në 11 muajt e parë të vitit të kaluar ka paguar 1.8 milionë euro për neto pagat e deputetëve, ose 2.95 milionë euro bruto. Nga Kuvendi për agjencinë MINA kumtuan se paga e deputetit vitin e kaluar ka qenë 1355 euro, pa përvojë pune, ose stazh. “Me 30 nëntor të viti e kaluar, shteti pagoi 1,8 milionë neto për pagat e deputetëve, ose 2,95 milionë për bruto”, njoftuan nga Kuvendi. Siç kanë thënë ata, për periudhën dhjetor 2020 - tetor 2021 janë paguar rreth 110 mijë euro në për mëditje dhe shpenzime të udhëtimit për pjesëmarrje në plenume dhe mbledhje të trupave punues. Deri në fund të muajit nëntorit të vitit të kaluar,  deputetëve u janë pagur 53.7 mijë euro për udhëtime pune jashtë vendit, njoftuan nga Kuvendi i Malit të Zi.

Evropa tani do të rikthejë optimizmin e humbur

Programi “Evropa Tani” synon të rikthejë optimizmin e humbur tek qytetarët dhe biznesmenët malazezë që duan të bëjnë biznes si duhet, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik Jakov Millatoviq, duke shtuar se standardi dhe konkurrueshmëria e ekonomisë do të përmirësohen ndjeshëm. Ai tha se është absolutisht i sigurt se qytetarët do të ndihen më mirë dhe do të ketë rritje ekonomike këtë vit, qëllimi i të cilit ishte edhe propozimi i programit “Evropa Tani”. Ai përkujtoi se me miratimin e programit rritet paga minimale nga 250 euro në 450 euro si dhe të gjitha të ardhurat e tjera në shoqëri. Duke iu përgjigjur pyetjes se a janë reale parashikimet makroekonomike për këtë vit, Millatoviq tha se Ligji për Buxhetin për këtë vit parasheh rritje ekonomike prej 6,4 për qind.

Për mosrespektim të “Europa Tani” gjoba deri në 20 mijë euro

Drejtoria për Çështje të Inspektimit do të kryejë inspektime të intensifikuara në subjektet ekonomike në pjesën e respektimit të dispozitave të programit, “Evropa Tani”, ndërsa gjobat për punëdhënësit arrijnë deri në 20 mijë euro, kumtoi shërbimi i tyre për marrëdhënie me opinion. Sipas deklaratës, Drejtoria për Çështje të Inspektimit do të ofrojë mbështetje të plotë për zbatimin e një sërë masash nga projekti. “Duke pasur parasysh se zbatimi i reformave duhet të shoqërohet me inspektime të intensifikuara, kjo Drejtori, nëpërmjet Departamentit të Inspektimit të Punës, në periudhën e ardhshme do të kryejë inspektime të intensifikuara të subjekteve ekonomike në përputhje me përcaktimet e programit për kontrollin e kontratave të punës dhe duke kontrolluar rastet ku ata i nënshkruajnë kontratat e punës me kohë të pjesshme me punonjësit dhe nëse është duke funksionuar një vend i sistemuar për më pak se me kohë të plotë”, thuhet në kumtesën e Drejtorisë për çështjet inspektive.

 

Është e mundur rritja e mëtejshme e çmimeve, korona dikton rimëkëmbjen ekonomike

Nuk ka fund të qëndrueshëm të krizës ekonomike pa fundin e krizës shëndetësore, dhe në këtë moment, ka të ngjarë që do ta kemi të vështirë t'u rikthehemi indikatorëve ekonomikë të viti 2019, thotë Danijella Jaqimoviq, profesoreshë në Fakulteti Ekonomik në Podgoricë. Duke folur për parametrat e ekonomisë botërore, ajo theksoi se gjithçka tregon se inflacioni do të na përcjellë edhe këtë vit dhe, siç thotë ajo, shumë ekonomistë besojnë se do të ketë rritje të mëtejshme të çmimeve në botë. Përveç kësaj, papunësia, siç thekson Jaqimoviq, është një problem global i cili për momentin ka ndikuar në numrin e tyre, ku paketat e mëdha ekonomike dhe sociale të propozuara nga BE dhe SHBA duhet të ndihmojnë në tejkalimin e situatës dhe zbutjen e pasojave. Sidoqoftë në vitin 2022 do të dominojë nevoja për t'u përshtatur me realitetin e ri, si në fushat e riformësuara nga kriza, siç janë mënyra e re e punës dhe e udhëtimit, ashtu edhe në sektorë të tjerë. Ky vit do të mbizotërohet nga nevoja për t'u përshtatur me realitetet e reja post-pandemike”, thotë Jaqimoviq.

Në fillim të vitit do të vazhdojnë bisedimet për uljen e çmimeve të barnave

Në fillim të këtij viti, Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë negociatat për uljen shtesë të çmimit të ilaçeve, gjë që do të reflektohet pozitivisht tek qytetarët, tha ministrja e Shëndetësisë, Jellena Boroviniq- Bojoviq. Ajo tha se në muajt e fundit janë mbajtur më shumë se 40 takime me prodhuesit e barnave. “Kemi arritur të zbresim çmimin e barnave nga pesë në dhjetë për qind dhe ato kursime do të shkojnë në Fondin për Sigurimin Shëndetësor, gjegjësisht në të gjithë sistemin shëndetësor dhe shtetin”, tha Boroviniq- Bojoviq në një intervistë për agjencinë MINA. Ajo tha se do të zhvillojnë bisedime për uljen e çmimeve të ilaçeve, jo vetëm për ato në listën bazë, por për të gjitha ilaçet në përgjithësi.

Testet rutinore humbin kuptimin

“Testimi rutinor për koronavirus, në rrethanat e një numri kaq të madh të njerëzve pozitivë në baza ditore, e humb kuptimin dhe duhet të ndërpritet, përveç rasteve të pneumonisë”, tha mjeku i Qendrës Klinike, Nemanja Radojeviq. Ai në rrjetin social “Facebook” ka shkruar se tani duket se zgjidhja e gjithë krizës është imponuar vetvetiu, falë karakteristikave të llojit omicron. “Unë e shoh këtë në këtë formë, të presim dhjetë ditë dhe nëse të dhënat nga spitalet tona konfirmojnë atë që është vërtetuar shkencërisht, se normat e shtrimit në spitale për format e rënda dhe vdekshmëria janë dukshëm më të ulëta se llojet e mëparshme, të hiqen të gjitha masat epidemiologjike dhe të lejohet popullata që në mënyrë natyrale të infektohen,  ngjashëm, si modeli suedez”, tha Radojeviq. Sipas fjalëve të tij, vetëm duhet gjetur mënyrën për të mbrojtur të moshuarit dhe të sëmurët e rëndë.

 

Deri në 50,000 të infektuar në janar, nevojiten masa të qarta

Mjeku pediatër, Nebojsha Kavariq thotë se deri në fund të këtij muaji do të kemi 50 mijë të infektuar dhe siç shton ai, si shoqëri kemi bërë gjithçka që numri i të infektuarve të jetë kaq i madh, duke shtuar se masat epidemike duhet të jenë të qarta dhe të sinkronizuara. Përndryshe, Covid qendra për të rritur në objektin shëndetësor Donja Gorica, do të fillojë sot punën, është kumtuar nga Shtëpia e Shëndetit në Podgoricë. Kjo Covid qendër do të jetë e hapur çdo ditë nga ora 7 deri në orën 21:00 dhe do të punësojë katër mjekë në dy turne për ekzaminime ambulatore, si dhe një numër proporcional teknikësh dhe laborantësh. Nga shërbimi shëndetësorë në Podgoricë përsëri apelojnë te qytetarët që të respektojnë masat e parapara epidemiologjike dhe të përmbahen nga tubimet publike.

 

Një i vdekur, përsëri numër i lartë i të infektuarve, mbi  2 mijë e 800

Nga Instituti për Shëndetin Publik kanë kumtuar se sot një person ka vdekur nga pasojat e koronavirusit kurse 2 mijë e 805 kanë rezultuar pozitiv. Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 558 të prekur nga Covid-19. Numri i rasteve pozitive në Mal të Zi, aktualisht është 16.869 persona, kurse numri i të vdekurve nga fillimi i pandemisë në Mal të Zi, ka arritur në 2 mijë e 423 persona. Ndërkaq, në Qendrën Klinike janë duke marrë trajtim mjekësor 96 pacientë të prekur nga koronavirusi, prej të cilëve 29 janë në gjendje të rëndë. Dozën e parë të vaksinës kundër virusit korona  deri tani e kanë marrë mbi 62 për qind e popullsisë së moshës madhore, kurse u rivaksinuan më shumë se 60 për qind, ndërkohë që mbi 76 mijë qytetarë e kanë marrë edhe dozën e tretë të vaksinës.

Shpresojmë se Kosova do marrë përgjigjen e merituar nga OKB

Moska zyrtare shpreson se shpallja “non grata” e zyrtarit rus të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që është me mision në UNMIK do të marrin përgjigjen e merituar nga OKB. Kështu ka deklaruar Maria Zakharova, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë. “Ne presim që ky arbitraritet i Prishtinës të marrë një përgjigje të duhur kategorike nga udhëheqja e OKB-së”. Zakharova ka thënë se shpallja “person non grata” e një anëtari të Misionit të Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë është “vazhdimësi e linjës provokuese që synon përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike”. “Ne e konsiderojmë një marifet tjetër të Prishtinës si vazhdim të linjës provokuese për përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike, duke diskredituar organizatën botërore dhe, së fundi, por jo më pak e rëndësishme, rolin konstruktiv të Rusisë në Ballkan”. Diplomatja ruse ka nënvizuar se “Rusia dënon hapat e marrë nga Kosova”, të cilët ajo i quajti “agresiv”.

 

Të hiqet vetoja nga Bullgaria

Shqipëria pret që të ndahet nga Maqedonia e Veriut në çështjen e negociatave ndërkohë që vetoja bullgare mbetet ende në fuqi. Për Komisionin Europian të dyja shtetet i kanë plotësuar detyrat e shtëpisë ndërsa për vendimarrjen në rastin e vendosjes së një date për konferencën e parë ndërqeveritare duhet votë unanime e të 27 shteteve anëtare. Zëdhënësja e Komisionit Europian, Ana Pisonero në një deklaratë për mediat e Shkupit shpreh besimin se presidenca e re franceze do te gjejë rrugët e duhura diplomatike për të bindur Sofjen tani që atje drejton një qeveri të re. Sipas saj nëse vijohet me bllokimin e negociatave do të vihej në pikëpyetje besueshmëria e Brukselit në raport me shtetet kandidate kur ato i plotësojnë reformat e kërkuara. Vetë ministri i Jashtëm i Maqedonisë Bujar Osmani, ka deklaruar se është e drejta e Shqipërisë që të kërkojë ndarjen ndërsa një variant i tillë i paraqitur nga komisioneri për zgjerim Oliver Varhelyi nuk ka marrë ende tani mbështetjen e shumicës së shteteve anëtare.

Borrell paralajmëron Rusinë për pasoja nëse provokon Ukrainën

Çfarëdo provokimi apo agresioni kundër Ukrainës do të kishte pasoja serioze, ka thënë shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.“Bashkimi Evropian është partneri më i afërt i Ukrainës dhe ne e mbështesim plotësisht integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës”, ka thënë diplomati i BE-së në një intervistë për agjencinë polake të lajmeve, PAP. Gjatë vizitës së tij sot në Ukrainë, Borrell do të takohet me zyrtarë të këtij vendi, përfshirë ministrin e Jashtëm, Dmytro Kuleba në Kiev. Vizita e Borrellit është pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për të ulur tensionet në kufirin ukrainas. Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë do të mbahen javën tjetër në Gjenevë. Rusia dhe NATO-ja po ashtu kanë planifikuar takime të ndara më 12 janar.

 
Scholz do takojë Putin, në fokus të bisedimeve çështja e Ukrainës

Kancelari gjerman Olaf Scholz dëshiron të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet me Moskën dhe për këtë po planifikon një takim ballë për ballë me udhëheqësin rus, Vladimir Putin. Zyrtarët e lartë gjermanë kanë planifikuar tashmë takime me homologët rusë në Janar në një përpjekje për të lehtësuar tensionet gjeopolitike mes alarmit në rritje se Kremlini po planifikon një sulm ushtarak kundër Ukrainës. Sipas një raporti të gazetës gjermane “Billd”, këshilltari gjerman për politikën e jashtme Jens Plotner ka diskutuar me Kremlinin për një takim midis liderëve gjermanë dhe rusë, i cili mund të mbahet përgjatë këtij muaji. “Billd” shkruan se Scholz po kërkon “një fillim të ri” në marrëdhëniet me Moskën dhe dëshiron të fokusohet në politikat energjetike dhe tek çështja e Ukrainës. Përpjekjet gjermane për të krijuar një klimë të re marrëdhëniesh me Rusinë vijnë në një kohë kur tensionet mes Perëndimit dhe Moskës janë në kulm për shkak të Ukrainës. Për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate pritet që në datat 9 dhe 10 Janar zyrtarë të lartë amerikanë dhe rusë të takohen në Gjenevë.

 

Nesër kremtohet dita e Buzmit

Besimtarët ortodoksë në Mal të Zi festojnë nesër Ditën e Buzmit, e cila paralajmëron festën më të lumtur të krishterë, Krishtlindjen - lindjen e Birit të Zotit, Jezu Krishtit. Mbrëmja e Buzmit u emërua sipas Buzmit, i cili, sipas zakonit të lashtë, me perëndimin e diellit, futet në shtëpi me një ritual të veçantë. Nata e Buzmit është simboli i pemës të cilën, sipas traditës, barinjtë ia sollën Jozefit dhe Marisë për të ndezur një zjarr dhe për të ngrohur shpellën ku u lind Jezusi. Buzmi ndizet në prag të festës dhe digjet deri në Krishtlindje, kur shpallet gëzimi i lindjes së Krishtit.

Malazezët po i kthehen në masë traditës origjinale

Populli malazez po i kthehet masivisht traditës origjinale dhe vlerave shpirtërore, tha Mitropoliti i Kishës Ortodokse Malazeze,  Mihaillo. Në mesazhin e tij të Krishtlindjes, ai deklaroi se Krishtlindja festohet në të gjithë Malin e Zi dhe dëshmon se populli malazez e di të vërtetën e përjetshme, se Kisha Ortodokse Malazeze është i vetmi rojtar i besimit të krishterë ortodoks në këtë vend. Mihaillo tha se Kisha Ortodokse Malazeze, në historinë e saj shpirtërore shekullore dhe devotshmërinë e thellë të krishterë, ka mbrojtur dhe vazhdon të mbrojë paqen, harmoninë, vëllazërinë dhe barazinë mes njerëzve.

Nesër mot kryesisht i vranët

Në Mal të Zi sot mbajti mot i vranët dhe me vende vende me reshje të shiut. Frynë erë mesatare, vende vende deri e fortë, nga drejtimet e jugut. Temperaturat në orën 13 u shënuan: në Ulqin 17 gradë, Tivar 16, Beranë 15, Budvë, Bijello Pole, Plevle e Rozhajë 14, Herceg Novi 13, Podgoricë 12, Guci 11, Cetinë 9, Nikshiq e Zhablak 8 dhe në Kollashin 7 gradë.

Edhe për nesër parashihet të mbajë mot kryesisht i vranët, në jug dhe bregdet me reshje të shiut, kurse në veri dhe viset e larta malore me skllotë dhe borë të dobët. Do të fryjë erë mesatare deri e fortë nga drejtimet e jugut. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 3 deri në 13, kurse më e larta e ditës prej 4 deri në 15 gradë celsius.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се