Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

27. 03. 2024. 00:00 >> 17:55

Ditari 27.03.2024

Përgatit, Senad Gilaj

Ivanoviq: anëtarësimi në BE është e vetmja rrugë e sigurt për stabilitetin rajonal

Ministri i Punëve të Jashtme, Filip Ivanoviq, beson se pas riorganizimit të forcave në nivel lokal, kriza e pushtetit nuk do të kalojë në nivel shtetëror. Ai e bëri këtë prononcim në një konferencë të përbashkët me ministren e Punëve të Jashtme sllovene, Tanja Fajon. Përndryshe, Ivanoviq tha se marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Sllovenisë janë të shkëlqyera dhe se ato karakterizohen me afërsi historike dhe bashkëpunim thelbësor bilateral, të shoqëruar me dialog dinamik politik. Shefi i diplomacisë së Malit të Zi përsëriti se anëtarësimi i plotë në Bashkim Evropian është një synim strategjik i Malit të Zi dhe një prioritet në të cilin është fokusuar plotësisht Qeveria aktuale, si dhe e gjithë shoqëria. Homologia sllovene Tanja Fajon beson se përmes ritmit aktual dhe stabilitetit politik, Mali i Zi mund të mbyllë 10 kapituj këtë vit. Është bërë shumë, Mali i Zi po përparon në rrugën evropiane, pritet që së shpejti të fillojë mbylljen e kapitullit dhe marrjen e Raportit për përmbushjen e standardeve të përkohshme në qershor, tha Fajon.

Milloviq: Besoj se Mali i Zi do të marrë IBAR-in deri në verë

Ministri i Drejtësisë, Andrej Milloviq, është i bindur se Mali i Zi deri në verë do të marrë Raportin për përmbushjen e kritereve të përkohshme – IBAR dhe në këtë mënyrë do të marrë impuls vendimtar për zbatimin e të gjitha reformave të nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Këtë e tha Milloviq gjatë një bisede me ministren Federale të Drejtësisë së Austrisë, Allma Zadiq. Siç thuhet në njoftim nga ministria e Drejtësisë, Milloviq dhe Zadiq kanë nënshkruar në Podgoricë deklaratën e përbashkët, e cila paraqet një hap kyç në përmirësimin e marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve dhe bashkëpunimin e sistemeve gjyqësore.

“Detyrimi i përbashkët i BE-së dhe rajonit për të ruajtur momentin e zgjerimit”

“Detyrimi i përbashkët i Bashkimit Evropian (BE) dhe vendeve të rajonit është të ruajnë momentin e zgjerimit. Jemi të inkurajuar nga mesazhet që vijnë nga liderët e BE-së, të cilat paraqesin një nxitje shtesë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që ta drejtojnë energjinë e tyre drejt reformave thelbësore”, tha ministrja e Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq. Ajo theksoi se shpreson që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të arrijnë përparimin e dëshiruar në rrugën drejt BE-së, sepse, siç thotë ajo, çdo sukses individual është edhe sukses dhe motivim për të gjithë rajonin. Gorçeviq sot mori pjesë në takimin e ministrave të çështjeve evropiane në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, i cili u mbajt në Shkup, në kuadër të kryesimit të kësaj iniciative nga Maqedonia e Veriut. Siç thuhet në deklaratën e Ministrisë së Çështjeve Evropiane, Gorçeviq deklaroi se Qeveria e Malit të Zi është e vendosur që përmes punës intensive të sigurojë ndryshime afatgjate dhe të qëndrueshme sociale dhe ekonomike.

Zampeti: Reagimi i gjykatave ndaj hetimeve në Prokurori nuk është i mirë

Hetimet e prokurorisë për rastet e korrupsionit janë duke ecur përpara, por reagimi i gjykatave ndaj këtyre aktiviteteve nuk është aq i mirë, tha përfaqësuesja e delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Laura Zampeti. Këtë ajo e bëri të ditur në seancën e Këshillit parlamentar kundër korrupsionit gjatë shqyrtimit të Raportit të Komisionit Evropian për Malin e Zi në pjesën që ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kur është fjala për marrjen e Raportit për përmbushjen e kritereve të përkohshme- IBAR, ajo tha se duhet të miratohen më shumë ligje. Roli i Kuvendit në atë proces, siç thotë ajo, është që ligjet ti miratojë përmes debateve dhe diskutimeve.

Nesër konferenca për konfiskimin e pasurisë nga veprimtaritë kriminale

Nesër në Podgoricë do të mbahet konferenca për konfiskimin e përfitimeve të fituara me veprimtari kriminale, në të cilën do të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve gjyqësore dhe shtetërore, organizatave ndërkombëtare, ambasadave dhe shoqërisë civile nga Mali i Zi dhe rajoni. Konferenca “Konfiskimi i pasurisë nga veprimtaria penale – aplikimi i standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare dhe praktikës gjyqësore” organizohet nga Qendra AIRE, me mbështetjen e Qeverisë Britanike. Siç është paralajmëruar, konferencën do ta hapin Kryeprokurori Shtetëror Millorad Markoviq, drejtoresha e Programit për Ballkanin Perëndimor të Qendrës AIRE, Bilana Brejtvejt dhe ambasadori britanik në Mal të Zi Don McCann.

Pengimi i krimit është detyrë e përbashkët e policisë dhe doganave

Drejtoritë e Policisë dhe e Doganave do të përmirësojnë koordinimin dhe bashkëpunimin për të arritur rezultate të matshme në luftimin e krimit, u bë e ditur pas takimit të ushtruesve të detyrës së drejtorëve të këtyre dy institucioneve, Aleksandar Radoviq dhe Vlladimir Bullajiq. Në kumtesën e Drejtorisë së policisë, thuhet se Radoviq dhe Bullajiq kanë biseduar për bashkëpunim mes dy shërbimeve. Siç ishte paralajmëruar, ata theksuan rëndësinë dhe synimin për përmirësimin e koordinimit dhe punës së përbashkët për të arritur rezultate specifike e të matshme.

Qeveria dhe opozita gati për zbatimin e reformës zgjedhore

Shumica parlamentare dhe opozita janë të gatshme për zbatimin e reformës së legjislacionit zgjedhor, u bë e ditur në konferencën “Perspektivat dhe strategjitë për arritjen e reformës zgjedhore në Mal të Zi”, organizuar nga Qendra për Monitorim dhe Hulumtim (CeMI). Kryetari i Këshillit Drejtues të CeMI-t, Zllatko Vujoviq, tha se një kohë të gjatë nuk janë marrë parasysh rekomandimet e caktuara të organizatave vendore dhe ndërkombëtare për përmirësimin e procesit zgjedhor, mirëpo tani ka një shkallë më të madhe të vullnetit politik për të miratuar disa ndryshime. “Asnjëherë nuk kam parë  shkallë të tillë të vullnetit për të zbatuar reformën zgjedhore”, tha Vujoviq, duke shtuar se nuk ishte rasti me përbërjet e mëparshme të Parlamentit.

Formohet Klubi i ri këshilltarëve, Lëvizja për Podgoricën

Në Kuvendin e Kryeqytetit u formua Klubi i ri i Këshilltarëve, i përbërë nga pesë ish-këshilltarë të Lëvizjes Evropa Tani dhe do të quhet “Lëvizja për Podgoricën”. Kryetarja e Kuvendit të kryeqytetit Jelena Boroviniq- Bojoviq tha se anëtarët e këtij klubi kanë deponuar deklarata ku thuhet se nuk janë më anëtarë të Lëvizjes Evropa Tani. Këshilltari nga radhët e Partisë Demokratike të Socialistëve, Andria Klikovac, vlerësoi se jemi dëshmitarë të rrethanave të reja politike, dhe se kriza e thellë në Podgoricë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Millatoviq dëshiron të vazhdojë të kontrollojë pushtetin politik në Podgoricë, dhe së bashku me Abazoviqin të vazhdojnë pengimin e funksionimit të vetëqeverisjes lokale. Do të ketë zgjedhje të parakohshme lokale. Ne nuk kemi negociuar me Lëvizjen Evropa Tani, ju e dini këtë, theksoi Klikovac. Nënkryetari i Komunës së Podgoricës, Lluka Rakçeviq, tha se në Kuvendin e Kryeqytetit po zhvillohen diskutime dhe dialog, dhe se kurrë nuk ka pasur stabilitet më të madh në kryeqytet.

Pjesa kryesore e Strategjisë Fiskale do t'i referohet uljes së taksave dhe kontributeve

“Qeveria ka hartuar Strategjinë e re Fiskale, që paraqet dokument kryesorë, ndër të tjera, edhe për të gjithë investitorët e huaj, ndërsa një nga segmentet kryesore të saj do t'i referohet uljes së mëtejshme të taksave dhe kontributeve”, paralajmëroi kryeministri Millojko Spajiq. Në konferencën “Hapur me Kryeministrin”, që u organizua nga Oda Ekonomike Amerikane në Mal të Zi (AmCham), ai tha se vendi tash tre vjet nuk ka një strategji fiskale, duke vlerësuar se kjo është një dobësi. Siç bëri të ditur ai, Qeveria synon të marrë shumë seriozisht ekonominë informale dhe të zezë, që faktikisht paraqesin të ardhura të humbura për shtetin, por edhe për pjesën e ekonomisë së shëndetshme. “Të gjithë investitorët seriozë që vijnë në Mal të Zi nuk e kanë problem ti paguajnë taksat, por duan të dinë se kjo është e njëjtë për të gjithë”, tha Spajiq.

Shtyhet mbledhja e Këshillit të drejtorëve të CEDIS-it

Këshilli i Drejtorëve të Sistemit Elektroshpërndarës i Malit të Zi (CEDIS) nuk do të takohet sot pasi është vendosur që të shtyhet seanca e Kuvendit të Kompanisë në të cilën duhet të zgjidhet Këshilli i ri i Drejtorëve të CEDIS-it. Pozitën e drejtorit ekzekutiv të CEDIS aktualisht e mban Vlladimir Çagjenoviq. Institucioni revizor i shtetit ka dhënë mendim negativ për revizionin e raportit financiar vjetore të CEDIS-it për vitin 2022, si dhe për revizionin e afarizmit të kompanisë. 

Vuçiq: Po kërcënohen drejtpërdrejt interesat jetike të Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka bërë të ditur se Serbinë e presin ditë të vështira ndërsa shtoi se në ditët në vijim do të japë më shumë detaje mbi këto sfida.  Vuçiç mbajti një takim në Beograd me ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Gjermanisë si dhe shefin e delegacionit të Bashkimit Evropian. Temë e bisedës ishte situata politike në Kosovë.Vuçiq nuk ka bërë me dije lajmin që ka marrë, por shprehet se po kërcënohen interesat jetike kombëtare të Serbisë. “Për momentin nuk është e lehtë të thuhet se çfarë lajmi kemi marrë në 48 orët e fundit. Ata po kërcënojnë drejtpërdrejt interesat jetike kombëtare të Serbisë”, ka shkruar Vuçiq. Ai tha se sfidat e ardhshme janë “më të vështirat deri më tani”.

Osmani: Asociacioni nuk është kusht për Këshillin e Evropës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi të mërkurën se themelimi i një Asociacioni të komunave me shumicë serbe nuk është kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Duke folur për gazetarë në Prishtinë, Osmani tha se raportuesja për Kosovën, Dora Bakoyannis, rekomandon se Kosova i ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës. “Në qoftë se e lexoni letrën e saj, në veçanti paragrafi i 11-të i raportit, e qartëson se kur flitet për Asociacionin, flitet si një prej detyrimeve pas anëtarësimit, pra nuk flitet për këtë fazë për themelim të Asociacionit”, tha Osmani. Kosova aplikoi në majin e vitit 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Hovenier: Integrimi evropian dhe euroatlantik i Kosovës, urgjencë e qartë

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se për Kosovën është e qartë urgjenca për integrim evropian dhe euroatlantik dhe se kjo nënkupton siguri, prosperitet dhe demokraci për popullin e saj. “Integrimi i saj është thelbësor edhe për arritur sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë në rajon”, tha Hovenier. Kosova aplikoi për anëtarësim në BE më 2022 dhe është vendi i vetëm nga Ballkani Perëndimor që ende nuk e ka fituar statusin e vendit kandidat. Hovenier ua bëri të qartë autoriteteve kosovare, megjithatë, se rruga e vetme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike është përmes dialogut me Serbinë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Ministri i Jashtëm grek, Gerapetritis: “Çështja Beleri është europiane dhe jo dypalëshe”

Ministri i Jashtëm i Greqisë Georgios Gerapetritis është shprehur se çështja e Fredi Belerit nuk është çështje dypalëshe por është çështje europiane  Gjatë në një intervistë për “SKAY” në Greqi ku veç të tjerash ka përmendur rastin e Fredi Belerit, Gerapetritis ka thënë se, “nuk është dypalëshe. Çështja nëse një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian respekton apo jo parimet e sundimit të ligjit dhe respekton të drejtat politike të qytetarëve të tij nuk është dypalëshe. Është çështje europiane dhe kështu duhet ta perceptojmë dhe kështu e nxjerrim në pah në të gjitha forumet”. Ai gjithashtu vuri në dukje se edhe pse humbi zgjedhjet në detyrë vazhdon dhe pas një viti kryetari i mundur në Himarë . Sipas tij, kjo është  "një fyerje për çdo koncept të drejtësisë evropiane".

Rusia thotë se i rrëzoi 18 raketa ukrainase mbi Belgorod

Forcat ruse i kanë rrëzuar 18 raketa ukrainase që ia kishin mësyrë rajonit rus Belgoro, kumtoi Ministria e Mbrojtjes e Rusisë. Guvernatori i rajonit të Belgorodit, Vyacheslav Gladkov, tha se një person u plagos nga rënia e copëzave të raketave dhe se u dëmtuan ndërtesat teksa forcat ruse i shkatërruan raketat. Forcat e Armatosura të Ukrainës nuk kanë komentuar rreth këtij lajmi. Ukraina ka disa muaj që kryen sulme ajrore në Belgorod dhe dy rajone të tjera ruse, Kursk dhe Voronezh. Rreth 25 njerëz u vranë nga sulmi më i madh në Belgorod në fillim të këtij viti. Në javët e fundit, autoritetet e këtij rajoni u kanë kërkuar banorëve të largohen përkohësisht nga Belgorodi dhe rajonet përreth. Më 19 mars, autoritetet ruse thanë se rreth 9.000 fëmijë do të evakuohen prej Belgorodit dhe rajonit përreth, pas sulmeve, për të cilat janë duke e fajësuar Ukrainën.

Presidenti Biden e quan përsëri Putinin "kasap"

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, në një fjalim në Karolina,deklaroi se, "më në fund duhet të kujdesemi për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet nga ai kasapi Putin". "Ka kaq shumë gjëra të rëndësishme që mund të bëjmë, duke përfshirë përfundimisht kujdesin për të ndihmuar Ukrainën, të mbrohet nga ai kasapi Putin," tha presidenti i SHBA në një fjalim në Karolinën e Veriut. Biden e quajti Putinin “kasap” për herë të parë pikërisht dy vjet më parë, duke shtuar se “ky njeri nuk mund të qëndrojë në pushtet”. Në të njëjtën kohë, presidenti amerikan tha se lufta me Ukrainën ishte një "dështim strategjik" për Rusinë, duke e çuar atë në shekullin e 19-të. Kremlini nuk i është përgjigjur ende fjalimit të ri të presidentit amerikan.

SHBA-ja kundërshton deklaratat e Izraelit se rezoluta e OKB-së i pengoi bisedimet për pengjet

Deklarata e Izraelit se një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila kërkoi armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës, i ka penguar bisedimet për lirimin e pengjeve, është e pasaktë dhe e padrejtë, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller. Miller tha për gazetarë se deklaratat e zyrtarëve izraelitë se Hamasi e hodhi poshtë propozimin e fundit të Izraelit në bisedimet për lirimin e pengjeve për shkak të rezolutës së OKB-së “ishin të pasakta në pothuajse çdo aspekt dhe të padrejta ndaj pengjeve dhe familjarëve të tyre”. Ai tha se grupi palestinez e përgatiti përgjigjen ndaj propozimit të Izraelit për lirimin e pengjeve para se të votohej rezoluta e Këshillit të Sigurimit të hënën, dhe jo pas saj.

Hezbollahu sulmon me raketa veriun e Izraelit

Rreth 30 raketa u lëshuan nga Libani drejt veriut të Izraelit sot në mëngjes, njoftoi ushtria izraelite. Grupi militant, Hezbollah, mori përsipër lëshimin e raketave dhe tha se ky veprim ishte në përgjigje të një sulmi ajror izraelit gjatë natës ndaj një qendër mjekësore, të lidhur me këtë grup, në jug të Libanit, kur u vranë shtatë anëtarë të Hezbollahut. Sulmet me raketa të Hezbollahut u kryen në qytetin verior izraelit të Kirjat Shmona dhe ndaj një baze ushtarake që ndodhen në këtë qytet.

Nesër mot i ndryshueshëm, të mundshme edhe reshje shiu

Sot mbajti mot kryesisht i vranët dhe me reshje të shiut. Frynë erë e mesme deri e fortë, vende vende deri shumë e fortë nga drejtimet e jugut. Temperaturat në orën 13 u shënuan: në Ulqin 23 gradë, Tivar 20, Podgoricë 19, Herceg Novi, Budvë e Beranë 18, Plevle 17, Bijello Pole 15, Cetinë 14, Nikshiq, Kollashin, Rozhajë e Guci 12 dhe në Zhablak 9 gradë.

Për nesër pritet mot me vranësira të ndryshueshme me intervale me diell, me kushte për reshje të shpërndara shiu, kryesisht gjatë mëngjesit dhe natës. Do të fryjë erë mesatare deri e fortë nga drejtimi i jugut. Temperatura e mëngjesit nga 2 deri në 13, kurse më e larta ditore prej 8 deri në 20 gradë.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се