Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

05. 04. 2024. 00:00 >> 17:54

Ditari 05.04.2024

Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj

Në kuvend sot është ora e kryeministrit

Në kuvend sot është ora e kryeministrit. Emërimi i ushtruesit të detyrës së drejtorit të Drejtorisë së Policisë, Aleksandar Radoviq, është zgjidhja e vetme që garanton rrugën evropiane të Malit të Zi, tha Spajiq duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të Partisë Demokratike të Socialistëve, Daniell Zhivkoviq.

Duke komentuar aferën Do Kuon, Spajiq tha se pret qëndrimin e Prokurorisë Speciale dhe paralajmëroi rishikimin e të gjitha akteve dhe ligjeve që kanë të bëjnë me sigurinë nacionale. Ai ka bërë të ditur se si qytetar ka bërë një deklaratë në Prokurorinë Speciale. Ne kemi qenë dëshmitarë të abuzimit brutal të institucioneve shtetërore në periudhën parazgjedhore. Do Kuon ka qenë pjesëmarrës me apo pa dëshirë. Unë mbështes zbardhjen e të gjitha aspekteve të kësaj çështjeje, tha Spajiq duke shtuar  se abuzimi flagrant i Këshillit të Sigurisë Nacionale tregon se ne ende nuk jemi distancuar tërësisht  nga sistemet totalitare.

 

Maida Gorçeviq ka bërë me dije se javën e ardhshme do ta informojë Komisionin Evropian se disa përfundimet

Ministrja e Çështjeve Evropiane Maida Gorçeviq ka bërë me dije se javën e ardhshme do ta informojë Komisionin Evropian se disa përfundime nga masat e përkohshme nuk do të përmbushen plotësisht, me një plan të qartë se si do të trajtohen ato në periudhën në vijim. Nga seanca e Komisionit për Integrime Evropiane, ku u dëgjuan Gorçeviq  dhe ministrat e Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme, u tha se përkundër kësaj, nuk ka shqetësim për marrjen e IBAR-it.

 

Spaiq - Qeveria do të punojë në hartimin e kornizës legjislative të sistemit të shtetësisë së dyfishtë bazuar në vendet e BE

Qeveria do të punojë në hartimin e kornizës legjislative, në mënyrë që të vendoset një sistem i shtetësisë së dyfishtë bazuar në vendet e Bashkimit Evropian (BE) dhe sipas standardeve më të larta botërore, tha kryeministri Milojko Spajiq. Ai këtë e tha në mbledhjën e posaçme të seancës së parë të rregullt të Kuvendit të këtij viti, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të Partisë Popullore Demokratike, Milan Knezheviq, se a ka plan për nënshkrimin e marrëveshjes ndërshtetërore me Serbinë për shtetësinë e dyfishtë. Spajiq tha se, sipas vlerësimeve, pothuajse 300,000 qytetarë të Malit të Zi kanë shtetësi të dyfishtë të një vendi dhe se korniza aktuale legjislative nuk njeh shumicën e shtetësive të tyre të fituara në këtë mënyrë. “Qeveria, me iniciativë të Kuvendit, do të punojë në zhvillimin e kornizës aktuale, në mënyrë që të vendoset një sistem i dyshtetësisë bazuar në shembullin e vendeve të BE-së dhe sipas standardeve më të larta botërore”, tha Spajiq.

 

Prokuroria Speciale Shtetërore ka paraqitur aktakuzë kundër 13 të pandehurve

Prokuroria Speciale Shtetërore ka paraqitur aktakuzë kundër 13 të pandehurve në Departamentin Special për Gjykimin e Krimit të Organizuar, Korrupsionit, Terrorizmit dhe Krimeve të Luftës të Gjykatës së Lartë në Podgoricë. Midis të akuzuarve janë Rdoje Zvicer, Lubo Milloviq, Mileta Ojdaniq, Petar Llazoviq, Millo Bozhoviq, Millosh Mishuroviq dhe Filip Zindoviq. Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale Shtetërore, Vukas Radonjiq, njoftoi se krimet janë kryer nga nëntori i vitit 2019 deri në mars të vitit 2021, në Amerikën e Jugut, në vende të caktuara të Evropës Perëndimore dhe në Mal të Zi. Objekt i aktakuzës janë aktet e transportit të paautorizuar të kokainës dhe kalimi i parave të përfituara nga shitja të drogës prej Holandës në Mal të Zi, me qëllim fshehjen e origjinës së një milion e 375 mijë eurove.

 

Miloviq - pozita ime është bërë më e lehtë pasi nuk është anëtar i Lëvizjes Evropa Tani

Ministri i Drejtësisë, Andrej Miloviq tha se pozita e tij është bërë më e lehtë pasi nuk është anëtar i Lëvizjes Evropa Tani (PES) dhe tha se do të vazhdojë të punojë në interes të të gjithë qytetarëve të Malit të Zi, jo të votuesve, si ministër. Në Komisionin për Integrime Evropiane, i pyetur nga deputetja e Lëvizjes Qytetare të URA, Ana Novakoviq Gjuroviq, për përjashtimin e tij nga Levizja Evropa Tani,  tha se nuk është i vetmi ministër jopartiak në qeveri dhe se pozita e tij është lehtësuar pasi nuk është anëtar i partisë. Milloviq tha se është ministër i Drejtësisë që punon në interes të të gjithë qytetarëve të Malit të Zi. “Unë nuk punoj për votuesit dhe interesi im apriori është për të gjithë qytetarët e Malit të Zi – për votuesit, pushtetarët dhe opozitën. Prandaj, që nga marrja e detyrës, shpesh kam bërë thirrje që opozita të përfshihet në çështjet kyçe, veçanërisht në zgjedhjen e pozitave gjyqësore”, tha Milloviq.

 

Investimet në fëmijë do të përshpejtojnë përmbushjen e kritereve për anëtarësim të Malit të Zi në BE

Investimet në fëmijë do të përshpejtojnë përmbushjen e kritereve për anëtarësim të Malit të Zi në Bashkimin Evropian (BE), është bërë e ditur në takimin e ministrit të Financave Novica Vukoviq me shefin e zyrës përfaqësuese të UNICEF-it, Juan Santander. Vukoviq sot ka takuar Santanderin, të cilit i përfundon mandati në Mal të Zi, dhe e ka falënderuar për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë në pozitën udhëheqëse të UNICEF-it në Mal të Zi. Santander, siç njofton Ministria e Financave, tha se Qeveria është investitori më i madh dhe më i rëndësishëm në arsim, shëndetësi, sociale dhe mbrojtjen e fëmijëve. Sipas tij, e ardhmja e fëmijëve malazezë, para së gjithash, varet nga vendimi i Qeverisë për të investuar mjete të mjaftueshme nga buxheti i shtetit në këto fusha - për fëmijët dhe familjet.“Investimet për fëmijët do të përshpejtojnë përmbushjen e kritereve për anëtarësimin e Malit të Zi në BE”, tha pos tjerash Santander.

 

Kurti: Krimet e Serbisë nuk mund të mbulohen nga dheu i varrezave masive

E vërteta e krimeve të Serbisë në Kosovë nuk mund të mbulohet nga dheu i varrezave masive. Kështu ka theksuar kryeministri Albin Kurti, teksa ka kujtuar masakrën në Rrezallë të Skenderajt, ku 98 burra dhe djem u pushkatuan nga forcat e armatosura të Serbisë vetëm për shkak se ishin shqiptarë. “Nuk mund të lejojmë harresën të mbulojë mizoritë që ndodhën në luftë. Duke nderuar të kaluarën, me drejtësi për viktimat, angazhohemi për të ardhmen e Republikës sonë. Për Kosovën e pavarur, ku brezat e rinj rriten të lirë e të sigurt. Duke mësuar nga e kaluara, ecim përpara me shpresë dhe vendosmëri”, ka shkruar kryeministri Kurti në Facebook. Ai duke kujtuar masakrën e Rrezallës ka thënë se pas ekzekutimit mizor e barbarë më 5 prill 1999 të 98 burrave e djemve, forcat e  armatosura të Serbisë ua kishin rrëmbyer kufomat. “29 prej tyre janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, në Serbi. Nga Kizhevaku i Serbisë, më 30 shtator 2021, na u kthyen në Kosovë eshtrat e shtatë prej të vrarëve në këtë masakër. Mes tyre ishin edhe dy ribashkime me eshtrat e zhvarrosura vite më parë nga varreza masive në Rudnicë të Serbisë. Andaj, sot e gjithnjë u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që nga Serbia, si përgjegjëse për vrasjen dhe zhdukjen e të dashurve tonë, të kërkojnë zbardhjen e plotë të fatit të tyre dhe drejtësi për viktimat dhe familjet”, ka nënvizuar Kurti.

 

Osmani kujton masakrën e Rezallës: Autorët e krimit të vihen para drejtësisë

Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në përvjetorin e 25-të të masakrës së Rezallës, ka thënë se sjellja para drejtësisë e autorëve të krimit është e domosdoshme. Osmani tha se forca të regjimit gjenocidal të Serbisë, më 5 prill të vitit 1999 rrethuan shtëpitë e fshatit Rezallë dhe në mënyrë mizore vranë 98 djem e burra. “Eshtrat e 44 të vrarëve janë gjetur disa vite më pas në Rudnicë të Rashkës. Regjimi kriminal serb kreu krime të tilla makabër kudo nëpër Kosovë, ndaj sjellja para drejtësisë e autorëve të krimit është  e nevojshme dhe e domosdoshme. Drejtësi për viktimat dhe kujtim i përhershëm për to! Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri!”, ka thënë pos tjerash presidentja e Kosovës Vjosa  Osmani.

 

Sot në Kosovë ka fillua regjistrimi i popullsisë

Regjistrimi i popullsisë në Kosovë ka fillua sot dhe pritet të zgjasë deri më 17 maj në gjithë vendin. Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se informacioni i mbledhur gjatë regjistrimit të popullsisë do të shërbejë si bazë për vendimmarrje kritike, që prek çdo aspekt të jetës, nga kujdesi shëndetësor, arsimi, zhvillimi i infrastrukturës e deri te ndarja e burimeve dhe planifikimi i politikave. Ky do të jetë regjistrimi i parë i popullsisë prej vitit 2011 dhe për herë të parë do ta përfshijë edhe komunitetin serb në veri të Kosovës.

 

Kurti u bën thirrje për bashkëpunim komunave dhe ASK-së për regjistrimin e popullsisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë sot thirrje  kryetarëve të komunave të Kosovës dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) të bashkëpunojnë për procesin e regjistrimit të popullsisë, i cili ka filluar sot dhe pritet të zgjasë deri më 17 maj. Gjatë një takimi me kryetarët komunalë në Prishtinë, Kurti tha se “angazhimi ynë i përbashkët është i domosdoshëm për t’i adresuar nevojat e qytetarëve pa dallim dhe është baza për vendime të cilat do të ndikojnë në të ardhmen e Kosovës”. Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, do të përfshijë edhe një pyetësor i cili do t’u mundësojë qytetarëve të deklarohen edhe për dëmet që u ka shkaktuar lufta gjatë viteve 1998/1999. “Qytetarët do të mund t’i deklarojnë dëmet ekonomike, pronat e shkatërruara si dhe dëmet në njerëz, familjarë të vrarë, zhdukur, plagosur apo të burgosur. Kjo periudhë përkufizohet prej 28 shkurtit 1998 deri më 12 qershor 1999”, tha Kurti. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha që regjistrimi i popullsisë do të bëhet duke respektuar parimet e mbrojtës së të dhënave dhe të drejtat e privatësisë.

 

Lista Serbe: Populli serb nuk do të marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë në Kosovë

Lista Serbe ka thënë sot se serbët e Kosovës nuk do të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë në Kosovë. Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë do të zhvillohet nga data 5 prill deri më 17 maj. “Të nderuar qytetarë, dëshirojmë t'i dërgojmë një mesazh të qartë Albin Kurtit dhe ata që e mbështesin atë se populli serb nuk do të marrë pjesë në regjistrimin e  ardhshëm, tha Lista Serbe në Facebook. Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës që e gëzon edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar – e akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për “shtypjen shumëvjeçare të serbëve” në Kosovë.

 

Lajçaku njoftohet me sfidat me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi dhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu sot në Bruksel takuan emisarin e BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi dhe për çështje tjera në Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, të cilin e kanë njoftuar me sfidat me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës. Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, ka shkruar në ‘Facebook”, se e kanë njoftuar Lajçakun për hezitimin dhe mosgatishmërinë e shtetit për të integruar shqiptarët nëpër institucione shtetërore e për gatishmërinë që sistemi shtetëror dhe ka treguar për pasivizimin e shqiptarëve. “Mosintegrimi  i shqiptarëve në institucione i bënë institucionet jokredibile e diskriminuese, ndërsa aplikimi  i pasivizimit tendencioz në vendet ku jetojnë shqiptarët mundëson ndryshimin e strukturës etnike në ato vendbanime. Medvegja është shembulli më i mirë. Njoftuam z. Lajçak për rëndësinë dhe impaktin që për të diplomuarit nga Lugina do të kishte njohja e diplomave të Kosovës dhe se njohja e tyre do të nënkuptonte mundësi për një perspektivë të re për Luginën”, tha Kamberi.

 

Kuvendi i Shqipërisë miraton Ligjin për amnistinë penale

Me 110 vota për, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Ligjin për amnistinë penale, nga i cili pritet të përfitojnë afër 1.100 të dënuar, 700 nga të cilët do të lirohen menjëherë. Miratimi i amnistisë u bë i mundur pas marrëveshjes që u arrit pak ditë më parë mes shumicës parlamentare dhe një pjese të opozitës, marrëveshje që i dha fund bllokimit dhe tensioneve në seancat plenare. Partia Socialiste dhe grupi i deputetëve të ‘Rithemelimit’ brenda Partisë Demokratike gjetën pajtim duke zgjidhur kështu ngërçin që mbante bllokuar votimin e këtij ligji. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se 700 të dënuar do të lirohen menjëherë, ndërsa 400 të tjerë do të përfitojnë ulje të dënimit. Gjithashtu do të përfitojnë 2.700 persona që janë në shërbim prove.

 

Orbani e viziton Bosnjën, teksa Hungaria përgatitet ta marrë presidencën e BE-së

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, bisedoi për bashkëpunimin dypalësh në një numër fushash me zyrtarët e lartë të Bosnjë e Hercegovinës, teksa vendi i tij po përgatitet ta marrë presidencën e Bashkimit Evropian më vonë këtë vit. Orbani u takua me Borjana Kristos, presidenten e Këshillit të Ministrave të Bosnjës, si dhe me zyrtarët e Presidencës së Bosnjës gjatë vizitës së tij në Sarajevë. Pas takimit me Kristos, Këshilli i Ministrave tha se të dyja palët u pajtuan se nevojitet rritja e tregtisë mes dy vendeve. Presidenca tha se Orbani dhe zyrtarët e saj biseduan për bashkëpunimin dypalësh në arsim, kulturë, bujqësi, energji, telekomunikacion dhe fusha të tjera. Ajo shtoi se vendimi i Bashkimit Evropian për t’i hapur bisedimet me Bosnjën është nxitje për vendin që t’i vazhdojë reformat.

 

Izraeli thotë se do të hapë rrugë të reja për lejimin e ndihmave në Gazë

Izraeli ka thënë sot se do t’i hapë dy pika kufitare me Gazën, për ta mundësuar rritjen e hyrjes së ndihmave humanitare në enklavën e rrethuar palestineze. Pikëkalimi Erez Gate në veri të Gazës do të rihapet përkohësisht për herë të parë prej se filloi lufta. Do të hapet edhe Porti i Ashdodit për të lejuar futjen e ndihmave humanitare. Ndërsa, do të lejohet futja e më shumë ndihmave humanitare nga Jordania përmes pikëkalimit Kerem Shalom. Gjatë një takimi të kabinetit të sigurisë të enjten vonë u miratuan hapat e menjëhershëm për rritjen e ndihmave humanitare për popullsinë civile në Rripin e Gazës, tha zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu. Vendimi i Qeverisë izraelite vjen pak orë pas një bisedime telefonike mes kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe presidentit amerikan, Joe Biden.

 

Tetë të vrarë nga sulmet ruse në lindje të Ukrainës

Rusia i sulmoi me dronë disa rajone të Ukrainës, duke i vrarë tetë njerëz përfshirë katër në rajonin e Harkivit, ku u goditën dy ndërtesa banimi nga një sulm i dyfishtë, të cilin presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e quajti të “neveritshëm”. Tre nga katër njerëzit e vrarë në Harkiv ishin punëtorë të ekipeve të shpëtimit, të cilët shkuan në vendin e ngjarjes pas sulmit të parë dhe u goditën nga sulmi i dytë, tha guvernatori i këtij rajoni, Oleh Synyehuvov. Së paku 12 njerëz u plagosën, tre prej të cilëve janë në gjendje të rëndë, tha ai. “Sulmi cinik dhe i neveritshëm, kur ekipet e shpëtimit mbërritën në vendin e ngjarjes, terroristët sulmuan përsëri”, tha Zelensky në X.

 

Për nesër pritet mot kryesisht i kthjellët

Për nesër pritet mot kryesisht i kthjellët dhe relativisht i ngrohtë për këtë periudhë të vitit, me shfaqje të  vranësira të larta. Në veri, nëpër lugina, në mëngjes vende -vende me mjegull të përkohshme. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshueshme. Temperatura e mëngjesit nga 3 deri në 12, kurse më e larta ditore nga 18 deri në 26 gradë.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се