Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

08. 04. 2024. 00:00 >> 17:40

Ditari 08.04.2024

Përgatiti, Senad Gilaj

VARHELI: MALI I ZI NË DYERT E PËRFUNDIMIT TË BISEDIMEVE

Komisioneri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheli shpreson se konferenca ndërqeveritare në muajin qershor do ta sjellë Malin e Zi në fazën përfundimtare të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Ai theksoi se vendi është në fazën finale të bisedimeve. "Ka ende standarde që Mali i Zi duhet ti përmbushë. Tani kemi Qeveri dhe strukturë të re politike në Mal të Zi që ka filluar të jap rezultatet" tha Varheli në Forumin, "BE takohet me Ballkanin", i cili po mbahet sot në Sofje. Varheli theksoi se është në interes vital zgjerimi i Bashkimit Evropian ndërsa përbërja e ardhshme e Komisionit Evropianë do të duhej të ketë anëtarë të ri deri në fund të mandatit. ”Zgjerimi duhet të ndodhë, kjo është e qartë; është në interes vital që zgjerimi të ndodhë sa me parë e ne punojmë që të presim anëtarët e ri të BE-së. Dyert janë të hapura dhe mund të arrijmë reforma të domosdoshme” tha komisioneri në këtë Forum.

GORÇEVIQ NJOFTON KE PËR PËRFUNDIMET NGA MASAT E PËRKOHSHME

Ministrja për Punët dhe Çështjet Evropiane, Maida Gorçeviq, njoftoi se sot do ta informojë Komisionin Evropian që disa përfundime nga masat e përkohshme nuk do të përmbushen plotësisht brenda afatit të caktuar, por me një plan të qartë se si do të trajtohen. Gorçeviq më parë tha para Komisionit për punë të jashtme se Mali i Zi nuk duhet të ketë frikë nëse do të marrë IBAR-in dhe se kjo nuk mund të ndikohet nga ngjarjet politike të ditës. Ajo bëri të ditur se deri më tani Komisionit Evropian dhe Komisionit të Venecias i kanë dërguar për mendim një sërë ligjesh për media dhe ligje sistematike në fushën e drejtësisë. Gorçeviq gjithashtu tha se nga Mali i Zi deri në fund të këtij muaji pritet Strategjia për racionalizimin e rrjetit të gjykatave. Për ndryshe ajo sot po merr pjesë në Forumin që po mbahet në Sofje. Në Panelin e këtij forumi Gorçeviq theksoi se pas 12 viteve të bisedimeve me BE-në, vetëm tani mund të themi se janë të vërteta. “Me reforma serioze dhe gjithëpërfshirëse të cilat i bëmë për një kohë të shkurtër, tani jemi shumë më afër dhe jemi më real në Bashkimin Evropian”, tha Gorçeviq.

BEÇIQ DHE SHARANOVIQ PËR VIZITË ZYRTARE NË BRUKSEL

Zëvendëskryeministri Aleksa Beçiq dhe ministri i Punëve të Brendshme Danillo Sharanoviq qëndrojnë për vizitë disaditore zyrtare në Bruksel, njoftoi Qeveria e Malit të Zi. Siç thanë ata, vizita ndër të tjera paraqet mundësi për të rikujtuar rezultatet e shkëlqyera të arritura në fushën e zhbllokimit të institucioneve dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në pesë muajt e fundit. “Aktivitetet e zëvendëskryeministrit Beçiq dhe ministrit Sharanoviq janë maksimalisht të orientuara drejt qëllimit kryesor shtetëror, që është marrja e IBAR-it, që është kusht kryesorë për mbylljen e kapitujt e negociatave në këtë vit”, thuhet në njoftimin e Qeverisë. Gjatë qëndrimit në Bruksel ata do të takohen me zyrtarë të lartë të Komisionit dhe institucioneve tjera të Bashkimit Evropian.

VUKOVIQ- KUÇ: QEVERIA E CILA NUK ËSHTË PËR REFORMËN ZGJEDHORE NUK ËSHTË EVROPIANE

Qeveria e cila nuk donë reformë zgjedhore nuk është Qeveri evropiane deklaroi deputetja e Partisë Demokratike të Socialistëve, Aleksandra Vukoviq- Kuç. Ajo në rrjetin social “X” theksoi se Qeveria e cila ia merr dikuj të drejtën e votës është qeveri jodemokratike. “Kryeministri Millojko Spaiq do tu përgjigjet partnerëve evropianë, qytetarëve por edhe opozitës nëse është i interesuar për integrimet evropiane apo në linjën e Mandiqit” theksoi Vukoviq- Kuç.

SOT SEANCA E PARLAMENTIT ROM; ROMËT NË MAL TË ZI DITËN E VET E PRESIN NË MARGJINË

Komuniteti rom shënon sot Ditën Ndërkombëtare, ditë kjo e rëndësishme për të festuar kulturën dhe trashëgiminë e këtij komuniteti. Pozita e komunitetit rom dhe egjiptian në Mal të Zi është përmirësuar, por shumë pengesa janë ende të pranishme. Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, tha se me seancën e sotme të Kuvendit duan të tërheqin vëmendjen për të drejtat që i takojnë dhe për problemet me të cilat përballet ky komunitet çdo ditë. . Pozita e pakicës rome dhe egjiptiane në Mal të Zi është përmirësuar mirëpo ende ka pengesa të dukshme, u theksua sot në seancën e Kuvendit ndërsa veçuan se problem ende mbetet që kjo bashkësi nuk merr pjesë në vendimmarrje politike. Presidenti Jakov Millatoviq tha se komuniteti rom përkundër sfidave me të cilat përballet ka arritur të zhvillohet dhe të përfaqësohet pjesërisht në institucionet në vend, ndërsa institucionet vendore do të angazhohen për të rritur shkallën e arsimit dhe punësimit për këtë komunitet. Në ditën ndërkombëtare të Romëve, kryetari i komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj priti në takim disa përfaqësues të këtij komuniteti në Malësi.

DEFICITI DO TË ISHTE MË I LARTË SIKUR TË ISHIN PAGUAR TË GJITHA OBLIGIMET

“Deficiti i buxhetit i shtetit për muajin janar dhe shkurt ishte 18.4 milionë euro dhe nëse do të ishin shlyer të gjitha detyrimet e planifikuara do të ishte edhe më i lartë dhe do të arrinte në 83.5 milionë euro”, tregojnë të dhënat nga raporti për realizimin e buxhetit për këtë periudhë. Të ardhurat totale arritën në 334 milionë euro dhe ishin 27 milionë më shumë se sa ishte planifikuar dhe 24 milionë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, njofton Ministria e financave. Sipas kësaj ministrie, 306.9 milionë euro planifikohen të ardhura për dy muajt e parë të këtij viti, edhe pse në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar të ardhurat ishin 310 milionë euro.

ISH PUNËTORËT E KOSHTUTËS PARALAJMËRUAN SE DO TA BLLOKOJNË RRUGËN PËR 12 ORË

Ish punëtorët e fabrikës “Koshuta” të Cetinës e bllokuan edhe sot komunikacionin në aksin rrugorë, Cetinë- Podgorice ndërsa paralajmëruan se bllokim do të vazhdojë ditëve tjera për 12 orë nëse nuk u drejtohen përfaqësuesit e Qeverisë. Bllokimi i rrugës filloi edhe sot në ora 11 e 30 dhe siç ishte paralajmëruar, vazhdoi deri në ora 16. Përfaqësuesja e punëtorëve Dijana Vujoviq  paralajmëroi se nëse nuk bisedojnë dhe nuk do të ketë takim me përfaqësuesit e Qeverisë, të cilës përsëri ia dorëzuan kërkesën të hënën, do ta bllokojnë rrugën prej 8 deri në ora 20. Përndryshe ata kërkojnë pagesën e nëntë rrogave për 693 punëtorë në shumë prej 2,8 milion euro dhe lidhjen e stazhit të punës për 81 punëtorë të tjerë.

SHTYHET  GJYQI KUNDËR ÇAMGOZ

Procesi gjyqësor kundër shtetasit turk Binalli Çamgos, i cili po zhvillohet dhe është në proces në Gjyqin Themelor në Podgoricë, është shtyrë për me 13 maj, u kumtua nga ky Gjyq. Siç than në Gjyqin Themelor, avokati i shtetasit turk Binalli Çamgos, Marko Radoviq, kërkoi përjashtimin e  Prokurorisë Themelore të Shtetit në Podgoricë nga procedura në lëndën së formuar kundër Çamgosit, në aktakuzën në këtë Prokurori, për shkak të veprës së vazhdueshme penale në vërtetimin e përmbajtjeve të pa sakta.

VUÇIQ ME MAKRONIN NË PARIS: NGA KOSOVA E DERI TE ENERGJIA BËRTHAMORE

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po qëndron në Paris, ku do të takohet me presidentin e Francës, Emanuel Makron. Vuçiq sot publikoi një video në llogarinë e tij në Instagram, në të cilën tha se ndihet “në ethe dhe përgjegjës para takimeve të sotme”. Më herët, ai ka paralajmëruar se ka vënë një kurorë lulesh te pllaka e memorialit “Besnikëri për besnikëri”, para Pallatit të Invalidëve në Paris, i cili është simbol i aleancës ndërmjet popullit serb dhe atij francez në dy luftëra botërore. “Franca dhe populli i saj gjithmonë do të na kenë partnerë të besueshëm dhe miq që i duan ata, siç na ka dashur Franca neve”, ka shkruar presidenti serb. Është paraparë edhe mbajtja e një konference të përbashkët për media, e pasuar nga një darkë mes udhëheqësve.

LISTA SERBE THOTË SE S’DO TË MARRË PJESË NË VOTIMIN PËR SHKARKIMIN E KRYETARËVE NË VERI

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në një votim për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, i cili është caktuar për 21 prill. “Qëndrimi i Listës Serbe është të mos marrë pjesë në referendumin e thirrur nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, sepse ai bëri gjithçka që ai të dështojë”, tha kryetari i Listës Serbe, Zllatan Elek në një konferencë për media në Mitrovicën e Veriut. Ai tha se janë vendosur “procedura të parealizueshme” për votimin e 21 prillit dhe se listat e votuesve “nuk e pasqyrojnë gjendjen reale në terren” dhe se numri i shqiptarëve në listat e votuesve "është rritur".

KASTRATI: PROCESI I REGJISTRIMIT PO SHKON SIPAS PLANIFIKIMIT

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka mbajtur sot konferencë për media lidhur me procesin e regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave. Ushtruesi i detyrës së kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati ka deklaruar se procesi po shkon ashtu siç është planifikuar. Ai shtoi se të gjitha komunitetet po marrin pjesë në regjistrim, por kanë pasur disa sfida nga komuniteti serb ndërsa thotë se edhe institucione të tjera ndërkombëtare do ta monitorojnë procesin e regjistrimit.

NATO E SHQETËSUAR PËR RETORIKËN SECESIONISTE NË BOSNJE

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka shprehur shqetësimin e Aleancës për retorikën secesioniste dhe përçarëse që dëgjohet në Bosnje e Hercegovinë dhe ka shprehur mbështetjen e plotë të NATO-s për integritetin territorial të këtij shteti. Këto deklarata ai i bëri gjatë një konference për media në Bruksel së bashku me kryesuesin aktual të Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës, Denis Beqiroviq. Ndonëse Stoltenberg nuk përmendi emra, deklarata e tij duket se u bë në referencë për udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, i cili shpesh bën paralajmërime për shkëputjen e entitetit të Republikës Sërpska nga Bosnje e Hercegovina.

NË SULMET RUSE NË ZAPOROZHJE U VRANË TRE PERSONA

Sipas autoriteteve të Ukrainës, Rusia ka kryer sulme me raketa dhe mjete ajrore pa pilot të llojit "Shahed" ndaj rajoneve Dnipropetrovsk, Odessa, Mikolaiv, Kirovograd, Khmelnitski dhe Zhitomir të Ukrainës. Në një deklaratë nga Komanda e Forcave Ajrore të Ukrainës, theksohet se Rusia sulmoi territoret e Ukrainës me një raketë të llojit X-59 dhe 24 dronë të llojit "Shahed". Edhe në një deklaratë të bërë nga Forcat e Mbrojtjes Jugore të Ukrainës, thuhet se ushtria ruse sulmuan me dronë "Shahed" dhe vendosën në objektiv infrastrukturën kritike në jug të Ukrainës. U shkaktua dëm në një pikë karburanti si pasojë e rënies së pjesës së një droni të goditur. Nuk ka të plagosur", thuhet në deklaratë.

TRAMP: ME MARDHËNIE TË MIRA ME PUTIN DERI TE PËRFUNDIMI I LUFTËS

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, përsërit vazhdimisht se është në pozitë të mirë për të negociuar fundin e luftës në Ukrainë, duke thënë se ka marrëdhënie të mira si me udhëheqësin rus, Vladimir Putin, ashtu edhe me atë ukrainas, Volodymyr Zelensky.Trump, gjatë karrierës së tij politike, ka lavdëruar në mënyrë të përsëritur Putinin… madje edhe pas pushtimit të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.Vetëm pak ditë pasi tanket ruse kanë hyrë në territorin e shtetit fqinj, Trump e ka përshkruar liderin rus si lojtar “të zgjuar” politik dhe ka shprehur admirim për, siç ka thënë ai, faktin që Rusia ka marrë shpejt “një copë të madhe toke” me koston e, sipas tij, sanksioneve relativisht të lehta. Prej se Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, më shumë se dy vjet më parë, SHBA-ja ka qenë donatorja më e madhe e ndihmave ushtarake për shtetin e pushtuar.

PA PËRPARIME NË BISEDIME PËR ARMËPUSHIM NË GAZA

Tërheqja e ushtrisë izraelite nga qyteti Khan Younis në pjesën jugore të Rripit të Gazës nxori në pah shkatërrimet masive që iu bënë qytetit, ku nuk mund të njihen lagjet dhe rrugët e mëparshme, raporton Anadolu. Pas largimit të ushtrisë, palestinezët e zhvendosur filluan të kthehen në zonat ku ndodheshin shtëpitë e tyre, por ata mezi i njohën lagjet ku banonin. Bombardimet izraelite që zgjatën me javë i kishin kthyer ndërtesat e qytetit në rrënoja dhe hi, ndërsa rrugët ishin në rrëmujë shkaku i sulmeve ajrore izraelite dhe dëmtimeve të shkaktuara nga buldozerët. Izraeli ka zhvilluar një ofensivë ushtarake në Gaza që nga një sulmi ndërkufitar i 7 tetorit i udhëhequr nga Hamasi, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë afro 1200 izraelitë. Që atëherë, në Gaza janë vrarë rreth 33.200 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe pothuajse 75 mijë janë plagosur.

MOZAMBIK: 90 PERSONA HUMBEN JETËN SI PASOJË E PËRMBYSJES SË ANIJES

Mbi 90 persona, përfshirë edhe fëmijë humbën jetën si pasojë e fundosjes së një trageti në brigjet veriore të Mozambikut, transmeton Anadoll. Sipas mediave lokale, trageti i cili po udhëtonte nga Lunga në rajonin Nampula në veri të Mozambikut u fundos. Thuhet se në traget kishte rreth 130 persona. Në fatkeqësi humbën jetën mbi 90 persona, shumica fëmijë. Sipas lajmit të BBC-së, autoritetet e rajonit Nampula njoftuan se janë shpëtuar 5 persona dhe se vazhdojnë punimet e kërkim-shpëtimit. Ministri rajonal i Nampula-s, Xhejm Neto tha se njerëzit të përfshirë nga paniku për shkak të dezinformimit lidhur me epideminë e kolerës në rajon, tentuan të largohen nga rajoni me traget. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë , epidemia e kolerës që shpërtheu në shtator 2022 në Mozambik vazhdon ndikimin e saj në zonat veriore të vendit. Që nga fillimi i epidemisë e deri në shkurt 2023 në vend kanë vdekur 37 persona ndërsa janë identifikuar 5.237 raste të dyshimta.

GURTHEMELI PËR HOTELIN ME PESË YJE NË ULQIN

Në Ulqin hidhet gurthemeli i ndërtimit të hotelit të ri i cili do të ketë pesë yje, do të kushtojë rreth 40 milion euro dhe pritet të ndërtohet deri në vitin 2029. “Ne nuk heqim dorë nga vizioni ynë që Ulqini të jetë komuna më e zhvilluar. Përgëzoj investitorët për këtë iniciativë dhe qytetarët për një nga hotelet më të bukur në bregdetin e Adriatikut” thanë në njoftimin nga Otrant REEF. Në plazhin e madhu vendos gurthemeli i kompleksit hotelier me pesë yje “Otrant Reef”. Rrezart Mavriq, drejtor ekzekutiv dhe bashkëpronar i DOO Argos nga Ulqini, i cili e realizon këtë investim me partnerë afarist nga Kosova, ka folur për projektin i cili duhet të përfundojë në vitin 2029. Për këtë na informon Haxhi Shabani

NË TUZ U SHËNUA DITA E KRYENGRITJES SË MALËSISË

Komuna e Tuzit me rastin e 6 prillit kryengritjes së Malësisë organizoi shënimin e kësaj date me një aktivitet i cili u mbajt në QKI Malësia në Tuz. Fjalën e rastit e mbajti kryetari i komunës Lindon Gjelaj, po ashtu edhe katër panelistë: akademik e historiani, prof. dr. Frashër Demaj; akademik prof. dr. Anton K. Berishaj, sociolog; prof. dr. Teki Kurti poashtu historian dhe Mark Junçaj, profesori i historisë në shkollën e mesme në Tuz. Në këtë aktivitet përveç folësve dhe kryetarit të Komunës i cili përshëndeti të pranishmit, vazhdon të jetë e hapur ekspozita e fotografive të Kryengritjes së vitit 1911 nga muzeu "Marubi" nga Shkodra. Raport im koleges, Dijana Dukaj

AUDICIONET PËR “RITMIN E EVROPËS”

Kryetari i komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj nënshkroi sot kontratën për festivalin "Ritmi i Evropës" për fëmijë dhe të rinj , nga mosha 12 deri 21 vjeç. Siç na njoftuan nga administrata lokale, audicionet do të mbahen më 14 prill 2024 në QKI "Malësia", në ora 11:00. Në kumtesë thuhet se fituesit e audicioneve do të përfaqësojnë komunën e Tuzit në nivel shtetëror me këngë përfaqësuese të një shteti tjetër nga Eurovizioni. Për përfaqësuesit do të sigurohet trajnimi skenik, televiziv dhe i këngës. Në fund thuhet se është obligimi juaji dhe ynë që t'i edukojmë të rinjtë tanë në frymën Evropiane!

MOTI NESËR PA NDRYSHIME, DERI NË 28 GRADË

Sot në Mal të Zi po mban mot kryesisht i kthjelltë. Frynë ere e dobëte deri mesatare nga drejtime të ndryshme Temperaturat në ora 15 u shënuan: në Podgoricë e Bijello Pole 27, Beranë e Budvë 26, Ulqin e Plevle  25, Tivar, Herceg Noi e Rozhajë 24, Nikshiq, Kollashin, Cetinë e Petnicë 23, dhe në Zhablak 21 gradë. Edhe për nesër parashihet të mbajë mot kryesisht i kthjellët deri me vranësira të pakta. Do të fryjë erë e dobët nga drejtimet e ndryshme. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 3 deri në 14 kurse maksimale e ditës do të jetë prej 21 deri në 28 gradë celsius.

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се