Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

15. 04. 2024. 00:00 >> 19:08

Ditari 15.04.2024

Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj

Katniqit dhe Llazoviqit u është caktuar masa e paraburgimit për 72 orë

Ish-kryeprokurori Millivoje Katniq dhe ish-ndihmës drejtori i drejtorisë së policisë Zoran Llazoviq, pas dëgjimit në Prokurorinë Speciale të Shtetit u është caktuar masa e paraburgimit për 72 orë. Llazoviq dhe Katniq dyshohen për krijimin e organizatës kriminale dhe shpërdorim detyre. Edhe sot vazhdojnë reagimet lidhur me arrestimet e djeshme. Kryeministri Millojko Spajiq e mirëpriti angazhimin e vazhdueshëm të Prokurorisë së Posaçme kundër të gjitha formave të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Millan Knezheviq nuk është i befasuar me arrestimin e Katniqit dhe Lllazoviqit

Kryetari i Partisë Popullore Demokratike e deputeti Millan Knezheviq nuk është i befasuar me arrestimin e Katniq dhe Llazoviq dhe pret do të arrestohet këto ditë edhe disa persona tjerë nga Qendra e Sigurisë në Podgoricë por dhe pjesë të tjera të sektorit të sigurisë. Ish-kryeprokurori i posaçëm i Malit të Zi Millivoje Katniq dhe ish-zyrtari i lartë i policisë malazeze, Zoran Llazoviq u arrestuan dje me urdhër të Prokurorisë së Posaçme të Malit të Zi. Prokuroria malazeze në dy vitet e fundit ka kryer një sërë arrestimesh të ish-drejtuesve të institucioneve të drejtësisë dhe policisë.

Ilir Gjokaj është dënuar sot në Gjykatën e Lartë me 40 vite burg

Ilir Gjokaj është dënuar sot në Gjykatën e Lartë me 40 vite burg për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij të pakurorëzuar, Sheilla Bakija, rast ky që ndodhi në prani të familjes së saj me 30 shtator në vitin 2021. Aktgjykimi i shkallës së parë është shqiptuar nga gjyqtari Velko Radovanoviq. Prokuroria në seancën përmbyllëse propozoi dënimin prej 40 vitesh burg për Gjokaj, për veprat penale të vrasjes së rëndë, tentativës për vrasje dhe armëmbajtjes pa leje. Avokati i Gjokajt, Sërgjan Leshkoviq paralajmëroi ankesë për këtë vendim. Maja Raiçeviq nga Qendra për të Drejtat e Gruas tha sot se kjo është udhërrëfyes për gjyqtarët se si të veprojnë në rastet e dhunës ndaj grave.

Detyra e autoriteteve ekzekutive dhe legjislative është të sigurojnë kushtet më të mira të mundshme për punën e organeve të prokurorisë

Detyra e autoriteteve ekzekutive dhe legjislative është të sigurojnë kushtet më të mira të mundshme për punën e organeve të prokurorisë, të cilat luajnë rol kyç në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, tha Boris Pejoviq, deputeti i Lëvizjes Evropa Tani. Ai tha se konkluzioni i cili është miratuar nga Qeveria një muaj më parë dhe me të cilin objekti i vjetër i Qeverisë është dhënë në shfrytëzim të Prokurorisë Speciale e Shtetit, është vendim konkret në zbatimin e përmirësimit të kushtet e organeve të prokurorisë.

Ish-punëtorët e “Koshutës” sërish sot nga ora 11 deri në 17 kanë bllokuar rrugën kryesore Cetinë-Podgoricë

Ish-punëtorët e “Koshutës” sërish sot nga ora 11 deri në 17 kanë bllokuar rrugën kryesore Cetinë-Podgoricë, pasi ende nuk kanë marrë përgjigje nga Qeveria për kërkesat e tyre. Përfaqësuesja e punëtorëve, Dijana Vujoviq tha se askush nga Qeveria deri tani nuk i është drejtuar, pasi kërkesat e tyre ia kanë dorëzuar ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj. “Nëse vazhdojnë të na injorojnë, nuk do të kemi tolerancë dhe do të bllokojmë rrugën, siç e kemi paralajmëruar, nga 8 deri në ora 20:00”, ka thënë Vujoviq, duke shtuar se të premten do të protestojnë para ndërtesës së qeverisë në Podgoricë nga ora 10:00 deri në orën 13:00.

Vasilije Çarapiq dhe Darko Dragoviq njoftuan tërheqjen e ndryshimeve të propozuara

Deputetët e Lëvizjes Evropa Tani Vasilije Çarapiq dhe Darko Dragoviq njoftuan tërheqjen e ndryshimeve të propozuara në Ligjin për sigurimin invalidor dhe pensionist me qëllim që të hapet rruga për vendosjen e zgjidhjes afatgjatë dhe sistematike, njoftuan nga Evropa Tani. Kryenegociatori i Malit të Zi me Bashkimin Evropian, Predrag Zenoviq, negociatori për kapitujt themelor, Bojan Bozhoviq dhe deputetët e Lëvizjes Evropa Tani, Vasilije Çarapiq dhe Darko Dragoviq, u takuan për të diskutuar ndryshimet e paralajmëruara të ligjit për sigurimin ivalidor e pensionist, me të cilat parashikohet që mosha e daljes në pension për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të rritet nga 65 në 67 vjeç.

Çmimet e produkteve 5.5 për qind më të larta

Çmimet e produkteve dhe shërbimeve të matura me indeksin e çmimeve të konsumit në muajin mars krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kanë qenë mesatarisht 5.5 për qind më të larta, tregojnë të dhënat e Monstat-it. Kurse çmimet e konsumit në periudhën janar- mars, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë mesatarisht 4.7 për qind më të larta. Rënjet e çmimeve janë shënuar në grupin e restoranteve dhe hoteleve me 0.6 për qind, thanë nga Monstati.

Parqet Nacionale të Malit të Zi nga fillimi i këtij viti deri më 14 prill kanë përfituar 155,76 mijë euro

Parqet Nacionale të Malit të Zi nga fillimi i këtij viti deri më 14 prill kanë përfituar 155,76 mijë euro, që është 94,78 për qind më shumë se vitin e kaluar. Drejtori i Parqeve Nacionale, Vlladimir Martinoviq tha se në këtë vit kanë hyrë me të njëjtin entuziazëm dhe dëshirë për të treguar se me përkushtim, punë dhe përpjekje e të gjithë punëtorëve nuk do të mungojnë rezultatet.

Kosova e akuzon Serbinë për “fushatë të egër” për Këshillin e Evropës, Vuçiq thotë se në maj do të jetë beteja kyçe

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës (MPJD) tha se Serbia po zhvillon “propagandë dhe fushatë” kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, që “është jashtëzakonisht e egër”. Sipas MPJD-së, këto veprime të Beogradit janë në kundërshtim të plotë të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, që Kosova dhe Serbia arritën vitin e kaluar. Sipas nenit 4 të kësaj marrëveshjeje, Serbia nuk duhet ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Megjithatë, së fundi autoritetet serbe kanë formuar një ekip, ku marrin pjesë institucionet shtetërore, për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatën e Këshillit të Evropës. “Shprehim bindjen tonë se shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, vendimin e tyre do ta marrin jo bazuar në këtë propagandë, por bazuar në kriteret dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar Këshilli i Evropës”, tha MJPD-ja përmes një njoftimi për media. MPJD-ja ka njoftuar se kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, dhe zëvendësi i saj, Kreshnik Ahmeti, gjenden në Strasburg, ku nesër më 16 prill, në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës do të votohet për aplikimin e Kosovës në Këshill.

D.Gërvalla, Kreshnik Ahmeti dhe Ambasadori Lulzim Hiseni po realizojnë përgatitjet e fundit për Kosovën

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, një ditë para mbledhjes së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës bashkë me zëvendësministrin Kreshnik Ahmeti dhe Ambasadorin Lulzim Hiseni po realizojnë përgatitjet e fundit. Gërvalla ka thënë se Kosova plotëson kushtet për anëtarësim, siç e ka konfirmuar edhe raporti i Këshillit të Evropës, i paraqitur më 27 mars nga Dora Bakojanis.

Clinton thotë se Kosova ka arritur “përparim të rëndësishëm” drejt barazisë gjinore

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, tha se Kosova ka shënuar “përparim të rëndësishëm" drejt arritjes së “barazisë gjinore në sektorin publik dhe atë politikë”. Clinton iu adresua përmes një videoje Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që po zhvillon edicionin e dytë në Prishtinë. Ndër sukseset e Kosovës në fushën e të drejtave të grave, Clinton përmendi reparacionet për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, duke theksuar se “jeni përkushtuar në ruajtjen dhe forcimin e paqes, në zgjerimin e mundësive ekonomike dhe dëshmuat se bashkëpunimi sjell më shumë përftime sesa konflikti”. “Paqja nuk ka qenë gjithmonë e lehtë, veçmas tani kur tensionet në rajonin e Ballkanit edhe një herë po përshkallëzohen, teksa lufta e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës vazhdon dhe forcat antidemokratike në botë nxisin përçarje dhe urrejtje. Prandaj, forume të tilla janë të rëndësishme. Gratë nuk janë vetëm viktima të dhunës dhe pabarazisë. Gratë janë promovuese të paqes dhe përparimit”, tha pos tjerash Hillari Clinton.

ASK thotë se edhe serbët po marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë

Dhjetë ditë pasi në Kosovë ka nisur regjistrimi i popullsisë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), janë regjistruar mbi 200.000 banorë rezidentë, nga të gjitha komunitetet. Avni Kastrati, kryeshef ekzekutiv në ASK, gjatë një konference për media më 15 prill, tha se deri më tani janë regjistruar edhe banorë të komunitetit serb nga katër komunat veriore të Kosovës. “Ka edhe pjesëmarrës nga komuniteti serb nga të gjitha komunat e veriut. Ne mendojmë që në ditët në vijim një pjesë e madhe e tyre do të jetë pjesë e regjistrimit”, tha ai. Ky njoftim vjen pasi më 5 prill, Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, tha më 5 prill se serbët nuk do të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë. Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë, në vitin 2011, nuk ishte mbajtur në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – të banuara me shumicë serbe, ndërsa serbët nga komunat e tjera në jug, me ftesë të Beogradit, kryesisht e kishin bojkotuar procesin.

Shqipëria evakuon 15 persona nga Izraeli, tre prej tyre nga Kosova

Pesëmbëdhjetë shtetas shqiptarë, mes të cilëve tre nxënës nga Kosova që ndodheshin në Izrael në kohën kur Irani kreu sulm ndaj Izraelit, pritet të kthehen sonte në shtëpitë e tyre. Ministria e Jashtme e Shqipërisë bëri të ditur se 15 qytetarët janë larguar nga Tel Avivi ditën e djeshme dhe ndodhen në Qipro. Fluturimet e tyre drejt Shqipërisë u anuluan mëngjesin e djeshëm  për shkak të situatës së tensionuar në rajon. Ndërkaq, nga Ministria e Punëve të Jashtme e Diasporës e Kosovës nuk ka ndonjë reagim zyrtar për evakuimin e tre kosovarëve. Megjithatë, një ditë më herët, kjo ministri publikoi një numër të Ambasadës së Kosovës në Izrael për të gjithë shtetasit e Kosovës në këtë shtet që mund të kenë nevojë për ndihmë, pas sulmit të Iranit. Ndërkaq, Ministria e Jashtme e Shqipërisë u tha se pesë nga të evokuarit janë punonjës të Ministrisë së Turizmit të Shqipërisë dhe familjarë të tyre.

Izraeli zotohet se do të vazhdojë ofensivën në Gazë

Izraeli ka kryer dhjetëra sulme ajrore në Gazë gjatë natës, tha Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – më 15 prill, përderisa ushtria izraelite tha se nuk do të shpërqendrohet nga lufta pas sulmit të paprecedent të Iranit që ka rritur frikën për një konflikt më të gjerë. Fuqitë botërore kanë bërë thirrje për përmbajtje pasi Irani më 13 prill lëshoi mbi 300 dronë dhe raketa ndaj Izraelit, edhe pse ushtria izraelite tha se shumica e tyre janë shkatërruar. Sulmi i parë direkt i Teheranit ndaj Izraelit, në kundërpërgjigje ndaj një sulmi vdekjeprurës në Damask më herët gjatë këtij muaji, pas muajsh të dhunës në mbarë rajonin ku janë përfshirë bashkëpunëtorët e Iranit, të cilët kanë thënë se po veprojnë në mbështetje të palestinezëve për shkak të luftës Izrael-Hamas në Rripin e Gazës. “Edhe nën sulmin nga Irani, ne nuk jemi shpërqendruar për asnjë moment nga misioni ynë thelbësor në Gazë për të shpëtuar pengjet tanë nga duart e bashkëpunëtorit të Iranit, Hamasit”, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, admirali Daniel Hagari.

Guterres: Lindja e Mesme po përballet me rrezikun e një konflikti në shkallë të plotë

Shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, paralajmëroi se rajoni i Lindjes së Mesme po përballet me kërcënimin real të një konflikti në shkallë të gjerë. Këto paralajmërime ai i bëri gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të dielën, në mbledhjën në të cilën Izraeli dhe Irani akuzuan njëri-tjetrin se po kërcënojnë paqen në Lindjen e Mesme dhe se secili prej tyre i bëri thirrje këtij institucioni që të vendosë sanksione ndaj palës tjetër. “Lindja e Mesme është në prag dhe populli i rajonit po përballet me kërcënimin real të një konflikti shkatërrues në shkallë të plotë. Tani është koha që të shtensionohet situata”, tha Guterres në mbledhjen e thirrur pas sulmeve me raketa dhe dronë që kreu Irani ndaj Izraelit. Guterres bëri thirrje për përmbajte, duke theksuar se “as rajoni, e as bota, nuk mund të përballojë më shumë luftë”. Por, Izraeli dhe Irani akuzuan njëri-tjetrin për destabilizimin e situatës në rajon. “Maskat po bien. Irani, sponsori numër një i terrorit në botë, e ka treguar fytyrën e vërtetë si një destabilizues i rajonit dhe botës”, tha ambasadori izraelit në OKB, Gilad Erdan. “Maskat po bien dhe duhet të vishen dorezat”, tha ai, duke i bërë thirrje Këshillit të Sigurimit që “të ndërmarrë veprime”.

SHBA-ja i thotë Izraelit se nuk merr pjesë në përgjigjen ndaj Iranit

Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka paralajmëruar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu se Shtetet e Bashkuara nuk do të marrin pjesë në ndonjë kundërofensivë kundër Iranit, pas sulmit masiv të Teheranit me dronë dhe raketa në territorin izraelit, kanë thënë zyrtarët. Kërcënimi i një lufte të hapur në mes të rivalëve të përbetuar në Lindje të Mesme, dhe përfshirja e SHBA-së në të, e ka rritur presionin në shumë rajone të botës, prandaj janë shtuar thirrjet për vetëpërmbajtje dhe shmangie të përshkallëzimit të mëtejmë të situatës. SHBA-ja do të vazhdojë t’i ndihmojë Izraelit të mbrojë veten, por nuk dëshiron luftë, ka thënë John Kirby, zëdhënës për Siguri Kombëtare të SHBA-së, në disa komente për transmetuesin ABC. Mbreti i Jordanisë, Abdullah i ka thënë Bidenit, përmes telefonit, se çdo përshkallëzim prej Izraelit do ta zgjeronte konfliktin në rajon, ka raportuar media shtetërore e Jordanisë. Zyrtarët izraelitë kanë thënë se pesë anëtarët e kabinetit të luftës në Izrael kërkojnë hakmarrje, ndonëse paneli është i ndarë për kohën dhe shkallën e një përgjigjeje eventuale.

Azerbajxhani dhe Armenia përballen në GJND

Azerbajxhani dhe Armenia do të përballen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), lidhur me akuza për “spastrim etnik”, përderisa tensionet ushtarake po rriten mes dy armiqve historikë. Avokatët e të dyja shteteve për dy javë do të angazhohen në interpretime të ligjit ndërkombëtar në GJND. Ndërkaq, të dyja shtetet kanë këmbyer akuza më herët gjatë këtij muaji për hapje të zjarrit në kufi, duke zbehur shpresat për një paqe të qëndrueshme pas dekadash të luftimeve sporadike. Beteja ligjore në GJND daton që nga shtatori i vitit 2021, kur të dyja palët paditën njëra-tjetrën. Armenia dhe Azerbajxhani akuzojnë njëri-tjetrin për “spastrim etnik" dhe shkelje të Konventës Ndërkombëtare për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit racor. GJND-ja, që vendos për mosmarrëveshjet mes shteteve, lëshoi urdhra urgjent në dhjetor të vitit 2021, duke u bërë thirrje palëve që të parandalojnë promovimin dhe nxitjen e urrejtjes racore. Përderisa urdhrat e GJND-së janë obligues, gjykata nuk ka mekanizëm që të zbatojë ato dhe tensionet mes palëve u rritën duke kulmuar me ofensivën e Azerbajxhanit në shtatorin e vitit të kaluar në rajonin e shkëputur të Nagorno-Karabakut.

Për nesër paralajmërohet të mbajë mot i ndryshueshëm

Sot në Mal të Zi mban mot kryesisht i vranët dhe vende vende me diell. Frynë erë e dobët deri e mesme nga drejtimi i jugut. Temperaturat në orën 14: Podgoricë, Ulqin e B.Pole 27 gradë, Rozhajë 26,Plevle,Beranë e Budvë 25, H.Novi e Andrievicë 24, Tivar, Cetinë, Shavnik, Plluzhinë e Petnicë 23,Kollashin e Nikshiq 21 dhe në Zhablak 17 gradë.

            Për nesër paralajmërohet të mbajë mot i ndryshueshëm dhe me intervale me diell. Pas dite dhe në mbrëmje edhe me reshje të dobëta të shiut ndërsa gjatë natës reshje më intensive. Do të fryjë erë e mesme deri e fortë, vende vende shumë e fortë nga drejtimet e  e jugut. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 6 deri në 17 kurse më e larta e ditës prej 16 deri në 25 gradë celsius.

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се