Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

08. 05. 2024. 00:00 >> 19:16

Ditari 08.05.2024

Përgatiti, Gj. Dukaj

Debati të ashpra në Kuvend

Mohimi i Departamentit të Shtetit se Uashingtoni nuk ndërmjetëson në lidhje me amendamentet e Malit të Zi në Rezolutën e Kombeve të Bashkuara për Srebrenicën është një shuplakë e re diplomatike për Qeverinë, njoftoi Partia Demokratike e Socialistëve. Deputetja e PDS-së Aleksandra Vukoviq- Kuç tha se deputetja e Lëvizjes Evropa Tani Jelena Nedoviq duhet t'u kërkojë falje nënave të Srebrenicës në lidhje me deklaratën për ndryshime në rezolutën e OKB-së për Srebrenicën dhe se SHBA-të ndërmjetësojnë në to. Janë publikuar përgënjeshtrimet e Departamentit të Shtetit dhe kjo është një tjetër shuplakë dhe skandal diplomatik i kësaj mazhorance qeverisëse, pra i Lëvizjes Evropa Tani, tha Vukoviq- Kuç. Deputetja e Lëvizjes Evropa Tani, Jelena Nedoviq, tha se është pjesë e Kuvendit për herë të parë, por PDS-ja vazhdon ta rikthejë historinë në tema që përçajnë qytetarët. Le të presim disa ditë dhe të shohim se çfarë do të ndodhë. Përmendja e viktimave të Srebrenicës është një mënyrë për të mos lejuar që ata të pushojnë në paqe, u përgjigj Nedoviq. Në rendin e ditës të Kuvendit janë paraparë disa pika tjera, por diskutimi u hap edhe për ish prokurorin kryesor special Milivoje Katniq dhe gjendjen e tij pasi ai ndodhet në grevë urie. Deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve, Oskar Huter tha se kushdo që ka shkelur ligjet duhet të mbajë përgjegjësi, por duhet të përgjigjet i gjallë. Deputeti i Demokracisë së Re Serbe, Sllaven Radunoviq, u përgjigj se askush nga ky grup politik nuk ia dëshiron Katniqit të keqen. I uroj jetë të shëndetshme dhe të gjatë dhe mundësinë të përgjigjet për të gjitha krimet e tij para gjykatës, tha Radunoviq.

Spajiq, nesër do t'u përgjigjet pyetjeve të deputetëve

Kryeministri Millojko Spajiq, nesër në Kuvend do t'u përgjigjet pyetjeve të përfaqësuesve të klubeve parlamentare, në seancën e posaçme kushtuar orës së kryeministrit.

Kreu i Partisë Boshnjake, Ervin Ibrahimoviq, do të pyesë Spajiqin nëse Mali i Zi do të mbështesë Rezolutën e OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë të iniciuar nga Gjermania dhe Ruanda, në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Kreu i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq, do ta pyesë Spajiqin, sa kohë ka që e njeh Do Kwon dhe cila ishte tema e bisedës në takimin e tyre në Beograd. Kryetari i Partisë Demokratike të Socialistëve , Danijell Zhivkoviq, është i interesuar nëse qeveria do të vazhdojë me politikën e jashtme të orientuar qartë nga PDS, të ndjekur që nga viti 2006. Kryetari i Klubit të Deputetëve të Iniciativës Qytetare Kroate dhe Unionit Demokratik të Shqiptarëve, Adrijan Vuksanoviq, do të pyesë nëse qeveria po mendon të barazojë normën e tatimit mbi vlerën e shtuar për restorantet dhe objektet e tjera hotelierike që nuk funksionojnë brenda hotelit.

Deputeti i klubit të veçantë, Vlladimir Dobriçanin, do të pyesë Spajiqin se cilat janë arsyet e mos publikimit të rezultateve të regjistrimit dhe kur mund të pritet të jenë në dispozicion, ndërsa deputetja e Partisë Popullore Demokratike, Maja Vukiqeviq, do të pyesë se kush po e pengon publikimin e të dhënave nga regjistrimi. Kryetari i Klubit të Përfaqësuesve të Partisë Socialiste Popullore dhe të CIVIS, Bogdan Bozhoviq, është i interesuar nëse mund të pritet që fondet e destinuara për bujqësinë në vitin 2025 të arrijnë në tre për qind të buxhetit të përgjithshëm.

Deputeti i Forumit Shqiptar Artan Çobi, interesohet nëse ka përfunduar dokumentacioni i projektit për rikonstruksionin e rrugës rajonale Ostros – Katërkollë, dhe kur mund të pritet të nisin punimet.

DASH, ka mohuar ndërmjetësimin e SHBA në amendamente nga Qeveria e Malit të Zi 

Departamenti i Shtetit mohoi për Radion Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara po ndërmjetësojnë paraqitjen e dy amendamenteve nga Qeveria e Malit të Zi në tekstin e rezolutës për Srebrenicën, e cila u publikua më 5 maj nga Portali i Radio Televizionit të Malit të Zi. “Departamenti i Shtetit ka parë një draft jozyrtar të ndryshimeve të propozuara nga Mali i Zi, por ne nuk po i ndërmjetësojmë ato. Gjermania dhe Ruanda janë propozuesit e rezolutës dhe mund t'u përgjigjen pyetjeve të mëtejshme në lidhje me statusin e saj", tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë, më 8 maj.

Teksti i rezolutës, e cila shpall 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, do të diskutohet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara gjatë muajit maj. Duke cituar burime jozyrtare nga Qeveria, portali RTMZ, njoftoi më 5 maj se Shtetet e Bashkuara do të ndërmjetësojnë gjatë paraqitjes së dy amendamenteve të Qeverisë në tekstin e rezolutës. Amendamenti i parë thekson se faji për gjenocid është individual dhe nuk mund t'i atribuohet asnjë komuniteti etnik, fetar apo tjetër në tërësi, ndërsa i dyti i referohet paprekshmërisë së Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit për Bosnje-Hercegovinën.

Siç raporton RTMZ, këto propozime të Qeverisë parandalojnë manipulimin e mundshëm në dëm të Serbisë dhe popullit serb në aspektin e pasojave juridike dhe politike dhe parandalojnë narrativën dhe synimin për të shpallur një komb gjenocidal. Përveç kësaj, siç thonë ata, po ashtu konfirmohet ekzistenca e Republikës Srpska si pjesë e Bosnjë-Hercegovinës.

Prokuoria e Lartë e Shtetit;  Komunikimi Skaj është provë ligjore

Komunikimi Sky, si dëshmi e siguruar ligjërisht nga autoritetet franceze, e dorëzuar përmes ndihmës juridike ndërkombëtare, sipas legjislacionit nacional të Malit të Zi, është provë e ligjshme, bëhet me dije nga Prokuroria Supreme Shtetërore. Lidhur me interpretimet e ndryshme të aktgjykimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, të datës 30 prill 2024, Prokuroria Supreme Shtetërore rikujton se ky aktgjykim interpreton dispozitat e Direktivës që rregullon zbatimin e Urdhrit Evropian të Hetimit që, sipas Kryeprokurorisë Shtetërore, do të thotë se aktgjykimi është i zbatueshëm vetëm për shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, pra jo për Malin e Zi.

Mali i Zi është i detyruar të zbatojë Konventën Evropiane për Ndihmën Juridike Ndërkombëtare, mbi bazën e së cilës janë marrë provat që kanë të bëjnë komunikimin SKY, bëri me dije Kryeprokuroria Shtetërore.

Rritet numri i përfaqësuesve shqiptarë në institucione krahasuar me në vitet e mëparshme

Sipas drejtorit të përgjithshëm të Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe Minoriteteve, Arben Xhurreta, shqiptarët në Mal të Zi janë 30 për qind më të angazhuar në institucionet e sistemit se në vitet e kaluara.

Shqiptarët e Malit të Zi janë përballur me probleme të shumta vitet e fundit, por siç duket tani, situata ka ndryshuar, sepse ata arritën të jenë pjesë përbërëse e shtetit malazez. Sipas Xhurretës, shqiptarët kanë bërë përparime të mëdha në krahasim me vitet e kaluara dhe janë duke vazhduar dukshëm në institucione.

Sa i përket shkollimit dhe mundësive të punësimit, Xhurreta tha se Kosova vazhdon të jetë një “dërrasë trampoline” për të rinjtë shqiptarë.

Shqiptarët në Mal të Zi përbëjnë rreth pesë për qind të popullsisë, kurse zonat me numrin më të madh të banorëve me origjinë shqiptare janë nga Ulqini, Plava, Gucia, Tivari, Podgorica dhe Rozhaja.

Qendra për tranzicionin demokatik; Të drejtat zgjedhore të mbrohen me Kodin Penal

Sipas Qendrës për Tranzicionin Demokratik (CDT), mandati i Komisionit për Reformën Gjithëpërfshirëse Zgjedhore duhet të zgjerohet për të përfshirë Kodin Penal të Malit të Zi në fushën e veprave penale kundër të drejtave zgjedhore. Ata thanë se reforma e ardhshme zgjedhore është një mundësi për një rishikim të thellë dhe përmirësim të sistemit të mbrojtjes penalo-juridike të të drejtave zgjedhore.

“Kjo është arsyeja pse, në fillim të procesit, Qendra për Tranzicionin Demokratik, me partnerët e saj rekomandoi që të zgjerohet fushëveprimi i Komisionit për Reformën Gjithëpërfshirëse Zgjedhore për të përfshirë Kodin Penal të Malit të Zi në pjesën e veprave penale kundër të drejtave zgjedhore”, thuhet në kumtesë.

Nga kjo Qendër, pohojnë se mbrojtja e të drejtave zgjedhore është thelbësore për krijimin e një kuadri ligjor që kontribuon në zbatimin e zgjedhjeve demokratike.

Dita e Evropës do të festohet në disa qytete

Dita e Evropës sivjet në Mal të Zi do të shënohet me një sërë ngjarjesh në disa komuna, nën sloganin "Turne evropiane", e cila do të pasqyrojë aspiratat e vendit drejt integrimit evropian dhe adoptimit të vlerave të përbashkëta evropiane.

Siç njofton Ministria e Çështjeve Evropiane, ky aktivitet do të organizohet nga komuna e Tivarit, pastaj  Nikshiqit, Kollashinit, Mojkovcit, Beranës, Zhablakut, Petnjicës dhe Plevlës, së bashku me Ministrinë e Çështjeve Evropiane, me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimi Evropian (BE), si pjesë e programit EU4ME. “Emri “Turni Europian” simbolizon dinamizmin dhe energjinë me të cilën Mali i Zi, i afrohet procesit të integrimit evropian dhe thekson rëndësinë e lëvizjes, përparimit dhe bashkimit”, thuhet në njoftim.

Kjo nismë, siç u tha, mbulon aspekte të ndryshme të jetës kulturore dhe shoqërore, nga punëtoritë edukative dhe ekspozitat e artit e deri te ngjarjet sportive dhe muzikore, të gjitha me synimin për të forcuar frymën dhe identitetin evropian.

“Përmes programeve të ndryshme, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të përjetojnë dhe të mësojnë për pasurinë kulturore dhe diversitetin që ofron Evropa, si dhe rëndësinë e ruajtjes së mjedisit, promovimit të kulturës dhe inkurajimit të pjesëmarrjes aktive të rinjve në proceset sociale, thuhet në njoftim.

Franca dhe Gjermania, përgatiten të bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në KiE

Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, tha se disa shtete, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, janë duke u përgatitur që të bllokojnë një votim gjatë majit për pranimin e Kosovës në organizatën e Këshillit të Evropës (KiE).

Përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter, Knaus tha se një grup shtetesh po përgatitet të veprojnë kundër rekomandimit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, që tha se Kosova ka përmbushur kriteret për të qenë pjesë e organizatës.

Kurti: Nuk e pranojmë kushtin e Asociacionit për anëtarësim në KiE

Kryeministri Albin Kurti e ka vlerësuar absurde kërkesën e ndërkombëtarëve që Qeveria ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draftstatutin e BE-së për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, si parakusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Ai tutje ka thënë se nëse më 26 tetor të vitit të kaluar do të pranohej e nënshkruhej paketa e marrëveshjes në Bruksel, vetëm atëherë ai draftstatut do të mund të dërgohej në Gjykatën e Kushtetuese.

“Draftstatuti i Lajçakut dhe emisarëve të tjerët të QUINT-it si dokument dështoi të zyrtarizohej pasi u refuzua. Si i tillë është një jodokument – ‘non paper’. Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dokumente të cilat nuk i ka pranuar e nuk janë zyrtare. Kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde”, ka shtuar Kurti. Ai ka thënë se mungesa e përkrahjes së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës,  është për keqardhje dhe nuk do t’i ndihmojë normalizimit dhe dialogut dhe as paqes e sigurisë. Kurti ka thënë se qeveria ka punuar pareshtur për t’i plotësuar standardet e kushtet për t’u bërë anëtare e KiE-së. Ai ka thënë se Kosova dëshiron anëtarësim meritor, por se nuk pranon parakushte tjera.

Hacker: Gabim i rëndë lidhja e anëtarësimit në Këshillin e Evropës me Asociacionin

Deputeti gjerman Thomas Hacker, ka theksuar se lidhja e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës me implementimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të ishte gabim i rëndë.

Në një shkrim në ‘X’, Hacker ka thënë se sërish, duket se shtetet perëndimore nuk kanë mësuar nga gabimet e shkuara.

Gjermania dhe Franca, kanë përsëritur të hënën se procedimi i draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe për interpretim në Gjykatën Kushtetuese do të ishte sinjal i mjaftueshëm për ta siguruar mbështetjen në vendimmarrjen finale të Këshillit të Evropës këtë muaj.  Britania e Madhe është shteti më i fuqishëm brenda KiE-së që i ka ofruar Kosovës mbështetje pa kushte shtesë për anëtarësim në këtë organizatë. 

Kuvendi i Shqipërisë shpall objektiv kombëtar, anëtarësimin në BE

Kuvendi i Shqipërisë shpall objektiv strategjik kombëtar, pavarësisht ngjyrave politike, anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian në vitin 2030.

Ky është thelbi i një rezolute të hartuar nga shumica parlamentare, e cila shprehet se e konsideron detyruese përmbajtjen dhe angazhimet e kësaj rezolute, pavarësisht dallimeve dhe vijave të qarta ndarëse politike e programatike mes forcave politike, në çdo aspekt dhe për çdo aspekt tjetër të jetës parlamentare.

Që në krye të rezolutës, theksohet se Kuvendi angazhohet që të nxisë frymën e dialogut konstruktiv politik dhe institucional brenda kuadrit kushtetues e ligjor, ndërmjet tre pushteteve të pavarura si edhe të gjithë aktorëve institucionalë e faktorëve politik e shoqërorë në vend në funksion të një cikli të ri reformimi përmes një qasje të re gjithëpërfshirëse orientuese për aktivitetin e të tre pushteteve të pavarura.

Presidenti kinez për vizitë zyrtare në Beograd

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, mbërriti në Beograd mbrëmjen e 7 majit për një vizitë dyditore në Serbi, në përpjekje për ta rritur ndikimin e Pekinit në çështjet politike dhe ekonomike të Evropës.

Xi udhëtoi nga Franca, ku ishte takuar paraprakisht me presidentin Emmanuel Macron, i cili i bëri trysni atij t’i lehtësojë kufizimet e Kinës për tregtinë dhe ta përdorë ndikimin e tij ndaj Rusisë për ndaljen e luftës së Kremlinit në Ukrainë.

Lideri kinez ka shumë mundësi të përballet me më pak presion në Beograd nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili vazhdimisht ka kërkuar t’i ruajë marrëdhëniet e mira me Kinën dhe Rusinë, pavarësisht se thotë se synon ta anëtarësojë vendin e vet në Bashkim Evropian.

Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut po votojnë që nga mëngjesi i së mërkurës për t’i zgjedhur presidentin dhe Parlamentin e ri të vendit në zgjedhje të dyfishta.

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut, po zhvillohen në atmosferë demokratike dhe pa probleme, bëri të ditur Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Shkup.

Në zgjedhjet presidenciale, sipas KSHZ-së, u shënua një pjesëmarrje pak më e lartë, ndryshe nga rundi i parë më 24 prill.

Pjesëmarrje më e ulët është regjistruar në zonat e banuara me shqiptarë.

“Mund të vërehet se në Maqedoninë lindore dhe qendrore më shumë votues kanë votuar në zgjedhjet presidenciale, ndërsa në pjesën perëndimore pjesëmarrja ka qenë më e ulët”, njoftoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

SHBA, pezullojnë furnizimin e Izraelit me bomba për shkak të hyrjes në Rafah

Shtetet e Bashkuara e pezulluan furnizimin e Izraelit me bomba javën e kaluar, për shkak të shqetësimeve se Izraeli kishte vendosur ta pushtonte qytetin jugor të Rripit të Gazës, Rafah, tha një zyrtar i lartë amerikan të martën vonë.

Shqetësimi i SHBA-së ishin këto bomba të mëdha dhe se si Izraeli do t’i përdorte ato në vendbanime me popullsi të dendur.

Izraeli nuk i ka “adresuar plotësisht” shqetësimet e SHBA-së për nevojat humanitare të civilëve në Gazë, sipas zyrtarit amerikan. Më shumë se 1 milion civilë janë strehuar në Rafah, pasi kanë ikur nga pjesë të tjera të Gazës në luftën që Izraeli po e zhvillon kundër Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Nesër, mot i ndryshueshëm

Në Mal të Zi, mban mot vranësira kalimtare por i thatë. Frynë erë e lehtë deri e mesme nga drejtimet e jugut.

     Temperaturat në orën 14: Podgoricë 26 gradë, Herceg Novi, Beranë e Bjello Pole 24, Ulqin, Budvë e Andrievicë 23, Tivar, Nikshiq, Plevle, Cetinë, Plluzhinë, Shavnikë e Rozhaj 22, Kollashin e Petnicë 21, Guci 20 dhe në  Zhablak 15 gradë.

Për nesër pritet mot me vranësira të ndryshueshme deri krejtësisht i vranët, me reshje të përkohshme shiu ose rrebeshe me bubullima. Reshje dukshëm më intensive priten në rajonet veriore, ku  do të jetë diç më freskët.

Do të fryjë erë mesatare deri e fortë nga veriu dhe verilindja.

Temperatura e mëngjesit nga 7 deri në 18, kurse më e larta e ditës, prej 11 deri në 25 gradë.

 

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се