- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Muzički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
11. 08. 2025.
00:00 >> 17:21
Ditari 11.08.2025
Ditarin e përgatiti, Violeta Gjokaj
NË VENDBANIMIN GJURKOVIQI NË PIPER , KA SHPËRTHYER NJË ZJARR I MADH
Mali i Zi , në këto temperatura ekstreme po përballet me vatra zjarri. Në vendbanimin Gjurkoviqi në Piper , ka shpërthyer një zjarr i madh , konfirmoi për Televizionin e Malit të Zi komandanti i Shërbimit të Mbrojtjes dhe Shpëtimit të Podgoricës, Nikolla Bojanoviq. Siç tha ai, zjarrfikësit janë në terren dhe po përpiqen të mbrojnë shtëpitë. Tymi i dendur mund të shihet nga të gjitha anët e Podgoricës.
BIJELLO POLE: NJË NUMËR I MADH OBJEKTESH DHE SHTËPISH JANË RREZIKUAR NGA ZJARRI
Një numër i madh objektesh dhe shtëpish janë rrezikuar nga zjarri që shpërtheu në Bijello Pole, në lokacionin Biokovac-Grab, njoftoi komandanti Edin Koliq për Televizionit e Malit të Zi. Supozohet se shkak i zjarrit është faktori njeri për ç’gjë policia është informuar. Koliq deklaroi se për ditë të tëra janë duke shuar zjarrin në lokacionin Zhuber, ku mori pjesë edhe njësia e helikopterëve të ministrisë së brendshme.
ZJARRI NË VENDIN KUFIN, ENDE NUK ËSHTË SHUAR
Zjarri në vendin Kufin, në pjesën nga Bularica drejt Tivarit, ende nuk është shuar, por është nën kontroll - tha për Radio Malin e Zi komandanti i Shërbimit të Mbrojtjes dhe Shpëtimit të Budvës, Dragan Bozhoviq. Gjatë natës, era e përhapi zjarrin përgjatë autostradës duke rrezikuar shtëpitë, por u lokalizua falë ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve.
Bozhoviq u bënë apel qytetarëve të përmbahen nga ndezja e zjarreve në sipërfaqe të hapura, pasi në ditët në vijim priten temperatura të larta.
NDAJ DHIMBJEN DHE PIKËLLIMIN ME FAMILJET E VIKTIMAVE
Në prag të përvjetorit të tretë të vrasjes masive në vendbanimin Medovinë të Cetinës, ku u vranë dhjetë persona, përfshirë dy fëmijë, Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha se ndan dhimbjen dhe pikëllimin me familjet e viktimave. Ai theksoi se kjo nuk ishte tragjedia e fundit, por në fillim të këtij viti, një tjetër vrasje masive mori trembëdhjetë jetë, dhe midis tyre ishin përsëri dy fëmijë. Përmes rrjetit social presidenti shkruan se respekton thellësisht këmbënguljen e familjeve të viktimave të cilat, çdo ditë, në vendin Krushevo Zhdrijelo", protestojnë në mënyrë paqësore dhe kërkojnë atë që shteti u detyrohet: përgjegjësi, drejtësi dhe, në fund të fundit, siguri për të gjithë.
MBËSHTETJE NGA OJQ-TË DHE AKTIVISTËT PËR FAMILJET E VIKTIMAVE TË VRASJEVE MASIVE NË CETINË
Një grup organizatash joqeveritare (OJQ) dhe aktivistësh civilë mbështetën protestën e familjeve të të vrarëve dhe të plagosurve në dy vrasje masive në Cetinë, e cila ishte paralajmëruar për nesër. Në deklaratën e përbashkët të OJQ-ve dhe aktivistëve, kujtohet se protesta mbahet në përvjetorin e tretë të vrasjes së parë në të cilën dhjetë persona, përfshirë dy fëmijë, u vranë në vendbanimin Medovina.
"Pas dështimeve të dukshme të institucioneve në atë rast, si dhe në sjelljen e policisë, nuk u zbatua asnjë reformë serioze që do të parandalonte përsëritjen e një tragjedie të tillë", thuhet në deklaratë. Sektori civil kujtoi se më 1 janar të këtij viti, 13 burra dhe gra të tjerë nga Cetina humbën jetën në një vrasje të re masive, përfshirë dy fëmijë.
Siç theksohet , asnjë nga njerëzit kryesorë të sektorit të sigurisë, as kryeministri Millojko Spajiq, nuk u paraqitën në përkujtim të viktimave.
"Çdo ditë, që nga 5 shkurti i këtij viti, familjet e viktimave kanë bllokuar rrugën në Krushevo Zhdriello , duke kërkuar përcaktimin e përgjegjësisë dhe parandalimin e krimeve të mëtejshme", kujtoi sektori civil. Sektori civil fton të gjithë qytetarët që bashkëndiejnë me familjet e viktimave dhe besojnë se institucionet duhet të jenë përgjegjëse të vijnë në vilën Lovqen nesër në orën 15:00.
JOVANOVIQ: GJYKATA KUSHTETUESE VËRTETOI SHKELJE TË TË DREJTAVE TË MANDIQ-IT
Më 1 gusht, Gjykata Kushtetuese pranoi ankesën kushtetuese dhe konstatoi se vendimi i Gjykatës së Apelit të Malit të Zi i datës 12 qershor të këtij viti shkel të drejtën e lirisë dhe sigurisë së Danillo Mandiqit, njoftoi avokati Miroje Jovanoviq.
Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se, duke marrë parasysh të gjitha provat në çështje, nuk ka arsye mjaftueshëm të besueshme të cilat, në nivelin e dyshimit themelor, do ta lidhnin Mnadiqin me kryerjen e veprave penale që i ngarkohen”, thuhet në deklaratën që avokati Jovanoviq dha për mediet. Kujtojmë se Danillo Mandiq akuzohet për plagosjen e Darko Peroviq dhe Aris Turkoviq më 19 prill në qendër të Podgoricës. Ai ndodhet në paraburgim që nga 21 prilli, dhe ndërkohë, Prokuroria e Lartë e Shtetit vlerësoi se veprimet e Mandiqit nuk përmbajnë elemente të veprës penale të vrasjes së rëndë në tentativë, për të cilën u zhvillua një hetim.
GJUROVIQ: DESTABILIZIMI I SHUMICËS ËSHTË NË INTERES TË QARQEVE TË AFËRTA ME PDS-NË
Deputeti i Demokracisë së Re Serbe, Dejan Gjuroviq , tha se përpjekjet për të portretizuar përçarjen brenda shumicës parlamentare nuk kanë bazë në fakte dhe se ato vijnë nga qarqe të afërta me Partinë Demokratike të Socialistëve.
“Ligjet që nuk u miratuan, pra që u tërhoqën nga procedura me qëllim përmirësimin e tekstit, po përpiqen të përdoren si shembull i mospajtimit të shumicës parlamentare, gjë që është absolutisht e pasaktë”, tha Gjuroviq.
Ai theksoi se kritikat ndaj Kryetarit të Kuvendit Andrija Mandiq “nuk ishin të drejtuara kundër partnerëve në koalicion, por ndaj sjelljes së deputetëve individualë që ndonjëherë veprojnë jashtë marrëveshjes”.
Duke folur për takimin e liderëve të partive serbe dhe shqiptare, Gjuroviq vlerësoi se ishte një “hap në drejtimin e duhur” që konfirmon dialogun brenda shumicës.
“Takime të tilla kapërcejnë keqkuptimet dhe fjalët e panevojshme nga e kaluara. Është kthimi i një faqeje të re në marrëdhëniet midis partive tona dhe një kontribut për stabilitetin e vendit në një kohë reformash të rëndësishme”, tha ai.
Gjuroviq kujtoi rezultatet e dy viteve të mëparshme, veçanërisht miratimin e ligjeve zgjedhore. "Partnerët tanë evropianë nuk ishin të kursyer kur bëhej fjalë për lëvdata për këtë lloj suksesi. Parlamenti ka ende shumë punë për të bërë, duke përfshirë mbylljen e kapitujve të negociatave dhe hapjen e derës për në BE", tha ai. Ai deklaroi se anëtarësimi në BE është një qëllim i qartë dhe se të paktën pesë kapituj pritet të mbyllen deri në fund të vitit.
QËLLIMI I QEVERISË PËR TË INVESTUAR FONDE TË KONSIDERUESHME NË KRIPORE
Parqet Kombëtare do të menaxhojnë Kriporen e Ulqinit në gjashtë muajt e ardhshëm - tha Arina Marash, drejtoreshë e Drejtorisë për Zonat e Mbrojtura në Ministrinë e Ekologjisë, në programin e mëngjesit në TVMZ. Ata thonë se menaxhmenti ende nuk është formuar zyrtarisht dhe se qëllimi i qeverisë është të investojë fonde të konsiderueshme në Kripore.
Komuna e Ulqinit tha se është arritur një marrëveshje kornizë midis Komunës dhe Qeverisë, dhe se gjëja më e rëndësishme për ta është ruajtja dhe valorizimi i kësaj zone, veçanërisht me qëllim përmirësimin e ofertës turistike.
Marash tha se Kriporja e Ulqinit është një zonë jashtëzakonisht komplekse.
"Dhe nuk është një zonë klasike e mbrojtur, sepse është formuar në tokë antropogjene. Megjithatë, për shkak të kësaj, përveç mbrojtjes së biodiversitetit, është e nevojshme edhe të rivendoset ai prodhim kripe, por në një mënyrë tradicionale. Kriporja po vuan, të gjithë jemi të vetëdijshëm për këtë, dhe siç tha Komuna e Ulqinit, Ministria e Ekologjisë, Zhvillimit Shtetëror dhe Zhvillimit të Veriut ka të njëjtin qëndrim", deklaroi ajo.
PEJOVIQ: FILLIMI I KËTIJ SEZONI TURISTIK ISHTE MJAFTË I DOBËT
Fillimi i këtij sezoni turistik ishte mjaftë i dobët , por operatorët e hoteleve të gjitha shpresat i kanë në muajin gusht dhe shtator -deklaroi kryetari i shoqatës së hotelierëve Nikolla Pejoviq. Ai për Televizionin e Malit te Zi thotë se mysafirët çdo vit vijnë nga tregjet e reja. Për këtë arsye, sipas tij, në të ardhmen duhet të punohet më shumë në cilësinë e shërbimeve.
FILLOI SHPËRNDARJA E LIBRAVE SHKOLLORË FALAS PËR NXËNËSIT E SHKOLLAVE FILLORE
Tradicionalisht, gushti është një nga muajt më të ngarkuar në buxhetet familjare, pajisja e nxënësve për vitin e ri shkollor. Duhet të blihen fletore, aksesorë, rroba dhe këpucë. Shpërndarja e teksteve shkollore falas për shkollat fillore fillon sot dhe do të zgjasë deri në fund të muajit. Shpërndarja e teksteve shkollore falas do të bëhet në tre periudha të ndryshme kohore, tha për Radio Mali i Zi Aleksandra Hajdukoviq, drejtoreshë e Entit të Teksteve Shkollore dhe Mjeteve Mësimore. "Java e dytë e gushtit është caktuar për tre klasat e para, java pasuese do të jetë e planifikuar për shpërndarjen e teksteve shkollore nga klasa e katërt deri në të gjashtën, java e fundit e gushtit është e planifikuar për shpërndarjen e klasave më të larta nga klasa e 7-të deri në të 9-tën", tha Hjdukoviq.
Çmimet e teksteve shkollore për nxënësit e shkollave të mesme, siç thekson ai, do të mbeten të njëjta këtë vit.
"Për shumë vite librat për klasë të parë kanë kushtuar 106.90 euro, klasa e dytë është 90.40 euro, klasa e tretë është 89.90 euro dhe klasa e katërt është 83.80 euro", thotë Hajdukoviq.
Enti për tekstet shkollore dhe mjetet mësimore ka bashkëpunim afatgjatë me një numër organizatash sindikale, të cilat mundësojnë blerjen e teksteve shkollore dhe mjeteve shkollore me këste në libraritë e Entit.
KURTI DHE GËRVALLA THONË SE SERBIA PARAQET "KËRCËNIM REAL" PËR SIGURINË E KOSOVËS
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, thanë se Serbia vazhdon të paraqesë kërcënim real për sigurinë kombëtare të Kosovës. Kurti, gjatë edicionit të tetë të Konferencës së Ambasadorëve – që mbledh në Prishtinë të gjithë ambasadorët e Kosovës në mbarë botën – tha se ambasadorët e Kosovës kanë rol jetik në luftimin e propagandës kundër shtetit, por edhe të promovimit të Kosovës jashtë vendit.
“Përpjekjet e Serbisë për të minuar sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit tonë vazhdojnë të paraqesin kërcënim ndaj sigurisë sonë kombëtare”, tha Kurti.
Ndërkaq, Gërvalla i cilësoi si “sfiduese” raportet e Kosovës me Serbinë, shtet që sipas saj paraqet “kërcënim real për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës”.
“Serbia jo vetëm që refuzon ta njohë shtetin tonë, por zhvillon fushata të hapura për ta minuar subjektivitetin tonë ndërkombëtar, pengon proceset integruese dhe financon e udhëzon struktura ilegale, kriminale në vendin tonë”, tha ajo.
Sipas Gërvallës, këto nuk janë vetëm kundërshti politike, por “sulme të drejtpërdrejta ndaj Kosovës”. Kosova vazhdimisht akuzon Serbinë që kryen fushata kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, e pengon të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare dhe kryen fushata të dezinformimit. Në këtë drejtim, Kurti tha se Serbia “në bashkëpunim të ngushtë me Federatën Ruse”, shpenzon miliona euro për lobim dhe shpërndarjen “sistematike të mesazheve të rreme kundër Kosovës” nëpër botë. Serbia reagon gjithmonë ashpër kur shtetet e tjera njohin pavarësinë e Kosovës, siç ndodhi gjatë këtij viti, kur Kenia dhe Sudani njohën pavarësinë e Kosovës.
KOSOVA, SHQIPËRIA DHE KROACIA PLANIFIKOJNË BLERJE TË PËRBASHKËT TË ARMËVE AMERIKANE
Kosova, Shqipëria dhe Kroacia po punojnë për ta konkretizuar në praktikë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes për të cilin u dakorduan në letër para rreth pesë muajsh, kur ministrat e Mbrojtjes nënshkruan një deklaratë të përbashkët më 18 mars në Tiranë. Ministritë e Mbrojtjes nga Kosova dhe Shqipëria konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se grupe të ekspertëve po punojnë për planin e zbatimit të deklaratës. Nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë thanë se në shtator do t’u paraqitet për miratim ministrive të Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë udhëzuesi i cili është drejt finalizimit. Blerja e përbashkët e kapaciteteve mbrojtëse është angazhimi i parë në deklaratë për të cilën u zotuan ministrat e Mbrojtjes.
Në këtë aspekt, sipas Maqedoncit, synohet që të bëhet një porosi për blerje e armëve amerikane, në vend të tri porosive të veçanta nga secili shtet.
VRITEN 5 GAZETARË NË NJË SULM IZRAELIT NË GAZA, AL JAZEERA: SULM I SYNUAR NDAJ STAFIT TONË. IDF: ISHIN TË LIDHUR ME HAMASIN
Pesë gazetarë që punonin për Al Jazeera në Gaza janë vrarë në një sulm izraelit, në atë që transmetuesi e quan një “sulm të qëllimshëm” pranë spitalit Al-Shifa të qytetit të Gazës. Midis të vrarëve ishte edhe korrespondent i profilit të lartë Anas al-Sharif, të cilin Izraeli e ka akuzuar si anëtar të Hamasit. Al Jazeera thotë se vrasja e stafit të tyre, përfshirë një korrespondent tjetër dhe tre operatorë kameramanësh, ishte “një tjetër sulm i hapur dhe i paramenduar ndaj lirisë së shtypit”.
Krahas Anas al-Sharif ishin kolegët korrespondent Mohammed Qreiqeh dhe kameramanët Ibrahim Zaher, Mohammed Noufal dhe Moamen Aliwa, thotë Al Jazeera.
Ata ishin në një tendë për gazetarët pranë portës kryesore në spitalin Al-Shifa të qytetit të Gazës. Transmetuesi mohon se gazetarët e tij janë të lidhur me Hamasin.
Izraeli është akuzuar për shënjestrimin e gazetarëve palestinezë në Gaza, gjë që e mohon. Gazetarëve ndërkombëtarë nuk u lejohet të raportojnë lirisht nga atje, kështu që ata mbështeten te gazetarët e Gazës për mbulim. Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, 186 gazetarë janë konfirmuar të vrarë që nga fillimi i ofensivës ushtarake të Izraelit në Gaza në tetor 2023.
ALBANESE: AUSTRALIA DO TË NJOHË SHTETIN PALESTINEZ
Australia do të njohë shtetin palestinez, tha të hënën kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, duke iu bashkuar sinjlaizimin e liderëve të Francës, Britanisë dhe Kanadasë. Deklarata e tij erdhi pas shumë kërkesash nga brenda kabinetit të tij dhe nga opinioni në Australi për të njohur një shtet palestinez, si dhe pas kritikave në rritje nga zyrtarë të qeverisë së tij për vuajtjet në Gaza, të cilat Albanese të hënën i quajti një “katastrofë humanitare”, raporton AP.
Qeveria e Australisë gjithashtu ka kritikuar planet e shpallura ditët e fundit nga lideri izraelit Benjamin Netanyahu për një ofensivë të re të gjerë ushtarake në Gaza.
Albanese u tha gazetarëve pas një mbledhjeje të kabinetit të hënën se vendimi i Australisë për të njohur shtetin palestinez do të formalizohet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator. Ai tha se kjo njohje ishte “e bazuar mbi angazhimet që Australia ka marrë nga Autoriteti Palestinez. ”Këto angazhime përfshinin mos-përfshirjen e Hamasit në një qeveri palestineze, çmilitarizimin e Gazës dhe mbajtjen e zgjedhjeve, tha ai.
PHENIANI PARALAJMËRON KUNDËRPËRGJIGJE NDAJ STËRVITJEVE TË UASHINGTONIT DHE SEULIT
Koreja e Veriut do të kundërpërgjigjet “me vendosmëri” në rast të provokimeve gjatë stërvitjeve të përbashkëta ushtarake që Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë, tha shefi i Mbrojtjes në Phenian përmes një njoftimi më 11 gusht. Paralajmërimi vjen teksa Seuli dhe Uashingtoni po përgatiten të zhvillojnë stërvitjet vjetore ushtarake që kanë për synim të frenojnë Korenë e Veriut – të pajisur me armë bërthamore – të cilat do të mbahen nga 18 deri më 28 gusht.
Koreja e Veriut – e cila sulmoi fqinjin e saj më 1950, duke shkaktuar Luftën Koreane – gjithmonë ka shprehur zemërim për stërvitjet ushtarake të SHBA-së dhe Koresë së Jugut, duke i cilësuar ato si përgatitje për pushtim.
TËRMET 6.1 BALLË NË TURQI, SHEMBEN DISA NDËRTESA
Turqia u trondit të dielën nga një tërmet me magnitudë 6.1 ballë. Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave tha se tërmeti ishte i përqendruar në rrethin Sındırgı të provincës Balıkesir në Turqinë perëndimore. Tërmeti u mat në një thellësi prej 11 kilometrash. Ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya tha se një person 81-vjeçar humbi jetën pasi u nxor nga një ndërtesë e shembur. Ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve, pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve. Njëzet e nëntë të tjerë që u lënduan janë shpëtuar gjithashtu, asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën. Vlerësimet fillestare tregojnë se 16 ndërtesa në 68 lagje janë shembur si pasojë e tërmetit dhe lëkundjeve pasuese.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan shprehu ngushëllimet e tij ndaj të gjithë të prekurve, duke thënë se do t’i ndjekë nga afër zhvillimet.
NESËR MOT I NGJASHËM ME TË SOTMIN
Në Mal të Zi mban mot me diell dhe shumë i nxehtë dhe me vranësira te dobëta deri mesatare ne pjesët veriore të vendi. Frynë erë mesatare deri e fortë , nga drejtimet veriore dhe verilindore. Temperaturat e shënuara në orë 14: Ulqin 42 , Podgoricë 40, Herceg Novi 39, Cetinë 36, Nikshiq e Budvë 35, Beranë e Bijello Pole 34, Andrievicë 33, Kollashin e Guci 32, Rozhajë e Petnjicë 31 dhe në Zhablak 25 gradë.
Për nesër parashihet mot kryesisht me diell dhe shumë i nxehtë dhe me vranësira lokale të pakta deri mesatare, kryesisht në pjesët kontinentale. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimet e ndryshme, vende- vende edhe e fortë e drejtimeve verilindore. Temperatura e mëngjesit prej 12 deri në 29 , kurse më e larta e ditës prej 27 deri në 40 gradë celsius.
Коментари0
Остави коментар