- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Muzički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
25. 09. 2025.
00:00 >> 17:43
Ditari 25.09.2025
Ditarin e përgatiti, Violeta Gjokaj
MILLATOVIQ, MBAJTI FJALIM NË DEBATIN E PËRGJITHSHËM TË ASAMBLESË SË KOMBEVE TË BASHKUARA NË NJU JORK
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, mbajti fjalim në Debatin e Përgjithshëm të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Sipas fjalëve të tij, Mali i Zi beson fuqishëm se OKB-ja duhet të mbetet gur themeli i paqes dhe se e drejta ndërkombëtare duhet të mbizotërojë mbi forcën. Ai theksoi se për Malin e Zi prioriteti është i qartë: krijimi i kushteve që të rinjtë tanë të mund të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vendin e tyre, duke u ofruar mundësi të barabarta për përparim. Millatoviq, më parë në Nju Jork u takua me homologun e tij polak, Karol Navrocki. Të dy presidentët ranë dakord që Mali i Zi dhe Polonia, si aleatë të NATO-s, ndajnë një angazhim të fortë për sigurinë kolektive dhe ruajtjen e vlerave të përbashkëta demokratike. Navrocki tha se Polonia do të mbështesë fuqimisht ambiciet evropiane të Malit të Zi në të ardhmen. Ndërsa Millatoviq thekson se Mali i Zi mbetet i vendosur të përfundojë negociatat deri në vitin 2026 dhe të jetë gati për anëtarësim në BE deri në vitin 2028.
IBRAHIMOVIQ NË KËSHILLIN E SIGURIMIT TË OKB-SË DHE NË DARKËN TRANSATLANTIKE TË RUBIOS
Mali i Zi mbetet fort i përkushtuar në mbështetjen ndaj Ukrainës, përmes ndihmës humanitare dhe të sigurisë, pjesëmarrjes në misionet e NATO-s dhe harmonizimit me të gjitha paketat e sanksioneve të Bashkimit Evropian – deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ervin Ibrahimoviq. Ai, gjatë qëndrimit në Nju Jork, mori pjesë në Mbrëmjen Transatlantike, e cila u organizua nga sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ibrahimoviq, siç u bë e ditur nga ministria përkatëse, theksoi rëndësinë strategjike të unitetit transatlantik për ruajtjen e sigurisë dhe vlerave të përbashkëta, duke theksuar se është i rëndësishëm angazhimi i vazhdueshëm i NATO-s dhe Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor.
ROJET E SIGURISË KTHEHEN NË SHKOLLA NGA TETORI
Në seancën e sotme, Qeveria e Malit të Zi dha pëlqimin për të angazhuar roje sigurie në 68 shkolla fillore, 44 shkolla të mesme dhe një konvikt nxënësish nga 1 tetori deri më 31 dhjetor 2025. Për këto qëllime do të ndahen 418,200 euro nga buxheti aktual i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit dhe do të angazhohen 205 roje sigurie.
Siç theksohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit (MASH), e cila përgatiti informacionin e miratuar nga Qeveria sot, qëllimi është parandalimi dhe ndalimi i dhunës dhe ngjarjeve të tjera të pakëndshme, duke marrë parasysh rastet gjithnjë e më të shpeshta të dhunës fizike në institucionet arsimore. Qeveria theksoi se siguria e nxënësve dhe punonjësve në institucionet arsimore është një përparësi dhe se do të vazhdojë të bëjë përpjekje për të siguruar sigurinë dhe për të krijuar një mjedis mbështetës për mësim dhe zhvillimin e fëmijëve dhe të rinjve.
QEVERIA MIRATOI PROJEKTLIGJIN PËR ARSIMIN E LARTË
Qeveria, në mbledhjen e sotme, ka miratuar Projektligjin për arsimin e lartë, me të cilin është përcaktuar që programet studimore mund të realizohen si studime themelore, pasuniversitare dhe doktorale. Sipas tekstit të propozuar, programet themelore të studimeve që realizohen në institucionet e arsimit të lartë në Mal të Zi kanë një vëllim prej 180 kredive evropiane. Programet pasuniversitare mund të realizohen si studime specialistike, që zgjasin një vit dhe kanë 60 kredi, si dhe si studime master, që zgjasin një ose dy vite, me vëllim prej 60 kredi për një vit dhe 120 kredive për dy vite. Programet e doktoraturës mund të akreditohen vetëm si akademike dhe kanë vëllim prej 180 kredive evropiane. Gjithashtu, në Projektligj janë parashikuar edhe programet e integruara të studimit me vëllim prej 300 ose 360 kredive evropiane.
GUTIQ: FËMIJËT ME AUTIZËM MERITOJNË NJË SISTEM QË I FUQIZON ATA
Ministri i Mirëqenies Sociale, Kujdesit Familjar dhe Demografisë, Damir Gutiq, u takua sot me përfaqësues të prindërve të fëmijëve me autizëm dhe organizatave të tjera të personave me aftësi të kufizuara, për të diskutuar tema kyçe që lidhen me përmirësimin e pozicionit të fëmijëve me çrregullime të spektrit të autizmit dhe familjeve të tyre, njoftoi ministria. Ministria njoftoi se, në një dialog të hapur dhe konstruktiv, u diskutua Ligji për Vlerësimin e Unifikuar të Aftësisë së Kufizuar dhe Versioni i Punës i Projektligjit të ri për Mbrojtjen Sociale dhe të Fëmijëve, i cili është në përgatitje e sipër, për të cilin Projektligji pritet të miratohet deri në fund të vitit aktual.
Prindërit theksuan sfidat specifike me të cilat përballen në jetën e përditshme, duke përfshirë mungesën e aksesit në shërbime, procedurat e gjata administrative, mungesën e mbështetjes së duhur profesionale në komunitet dhe mbështetje të duhur për familjet. Ata gjithashtu shprehën shpresën se ligjet e reja do të sjellin ndryshime thelbësore, jo vetëm ndryshime formale.
Ministri Gutiq theksoi se Ministria mbetet e hapur për të gjitha propozimet dhe sugjerimet nga prindërit, si dhe nga ekspertët dhe publiku i gjerë, në mënyrë që ligjet t'u përgjigjen nevojave reale të përdoruesve në masën më të madhe të mundshme.
SHQEPANOVIQ GJATË VIZITËS NË SELINË E EUROPOLIT, U TAKUA ME DREJTORESHËN EKZEKUTIVE, KATRIN DE BOLL
Drejtori i Drejtorisë së Policisë, Llazar Shqepanoviq gjatë vizitës zyrtare në selinë e Europolit, u takua me drejtoreshën ekzekutive, Katrin De Boll. Siç njoftohet nga drejtoria e policisë, De Boll shprehu mbështetjen e saj të plotë për udhëheqjen e Policisë malazeze në forcimin e mëtejshëm të politikave të sigurisë dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe transnacional. Gjatë takimit midis Shqepanoviq dhe ndihmës drejtorit të Shërbimit Diplomatik dhe të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara, u konfirmua mbështetja e fortë e partnerëve amerikanë për Drejtorinë e Policisë së Malit të Zi në aktivitetet që synojnë asgjësimin e trafikut ndërkombëtar të drogës, luftës kundër grupeve të krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë.
KALLËZIM PENAL PRANË PROKURORISË THEMELORE TË SHTETIT NDAJ DY ZYRTARËVE TË DREJTORISË PËR EKZEKUTIMIN E SANKSIONEVE PENALE
Policia në Bijello Pole ka paraqitur kallëzim penal pranë Prokurorisë Themelore të Shtetit ndaj dy zyrtarëve të Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, nën dyshimin se kanë keqtrajtuar të burgosur. Siç njofton Drejtoria e Policisë, ata dyshohen për kryerjen e veprës penale të keqtrajtimit, pasi më 23 gusht, në ambientet e Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale – Burgu i Bijello Poles, kanë keqtrajtuar të burgosurin G.G. nga Plevla. G.G. ndodhej duke vuajtur dënimin me burg, dhe zyrtarët në fjalë kanë vepruar ndaj tij në një mënyrë që cenon dinjitetin njerëzor, duke i shkaktuar lëndime trupore, të cilat janë përshkruar në raportin e një mjeku specialist.
BOGDANOVIQ: RADULLOVIQ PO MASHTRON POLICËT, VERIFIKIMI DO TË SHKOJË DERI NË FUND
Kreu i Grupit Parlamentar dhe sekretari i përgjithshëm i Demokratëve, Boris Bogdanoviq, deklaroi se vendimi i Komisionit Shtetëror për Ankesa lidhur me padinë e avokatit Veselin Radulloviq është dëshmi se procesi i vetingut në polici është ligjor, i domosdoshëm dhe i pandalshëm. Ai përsëriti pretendimin e Demokratëve se Radulloviq po i mashtron policët e pezulluar, sepse, siç tha ai, nuk ka arritur të mbrojë veten nga shkarkimi nga Policia, prandaj vështirë se mund të mbrojë të tjerët.
BOJOVIQ: ËSHTË USHTRUAR PRESION NGA QENDRA TË CAKTUARA PËR TË MARRË KONTROLLIN MBI RTMZ-NË
Vlladislav Bojoviq, kryetar i Këshillit për sistemin politik, drejtësinë dhe administratën në Kuvendin e Malit të Zi, me rastin e aktgjykimit të Gjykatës Themelore ndaj kryetarit dhe disa anëtarëve të Këshillit të RTMZ-së, deklaroi se është interesante që e njëjta gjykatëse, e cila së fundmi e ka liruar nga akuzat për shmangie të tatimit ish-drejtoreshën e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Jellena Peroviq, tani i ka dënuar anëtarët e Këshillit të RTMZ-së për kinse keqpërdorim të pozitës. Sipas tij, ky vendim ndaj anëtarëve të Këshillit të RTMZ-së paraqet një hap në drejtim dhe me qëllim që disa struktura, siç i quajti ai, mirë të njohura, të marrin me çdo kusht kontrollin mbi Radiotelevizionin e Mali të Zi. Ai thekson se prej një kohe të gjatë është ushtruar presion nga qendra të caktuara për të marrë kontrollin mbi RTMZ-në, duke shtuar se nuk i referohet vetëm opozitës, por edhe disa organizatave joqeveritare, mediave të afërta me pushtetin e mëparshëm dhe analistëve.
RRETH 80 MIJË QYTETARË ENDE NUK I KANË ZËVENDËSUAR KARTAT E IDENTITETIT
Edhe pse ka pasur paralajmërime tash pesë vjet se kartat e identitetit duhet të zëvendësohen me të rejat, dhe afati është shtyrë një herë, rreth 80 mijë qytetarë ende nuk i kanë zëvendësuar ato, deklaroi Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Bankave Bratisllav Pejakoviq, për Radion e Malit të Zi. Më 1 tetor, qytetarët që nuk e kanë zëvendësuar kartën e vjetër të identitetit me atë të re mund të përballen me probleme serioze në përdorimin e rregullt të shërbimeve bankare - nga lidhja e kontratave të reja deri te tërheqja e parave. Shoqata e Bankave i ka paralajmëruar tashmë qytetarët se pa përditësimin adekuat të dokumenteve, nuk mund të lidhet asnjë marrëdhënie e re biznesi me klientët, dhe ata gjithashtu mund të përballen me bllokimin e llogarisë dhe pamundësinë për të tërhequr para ose për të përdorur kartat bankare.
BEGAJ: KOSOVA TË MBËSHTETET NË SYNIMET TE SAJ PËR T’U BËRË ANËTARE E ORGANIZATËS SË KOMBEVE TË BASHKUARA
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme, bëri thirrje që Kosova të mbështetet në synimet te saj për t’u bërë anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
“Kontributi i Kosovës për bashkëpunim rajonal dhe më të gjerë është i pamohueshëm, dhe, prapëseprapë, ulësja e Kosovës në këtë Asamble mbetet padrejtësisht e zbrazët”, tha Begaj.
Ai shtoi se njohja e pavarësisë së Kosovës dhe mbështetja për anëtarësimin e saj në OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare “është akt drejtësie” dhe hap drejt konsolidimit të paqes në Ballkanin Perëndimor.
OSMANI KËRKON HEQJEN E MASAVE TË BE-SË NË TAKIM ME KAJA KALLAS
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York. Gjatë takimit, u diskutua për zhvillimet më të fundit në Republikën e Kosovës dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë në procesin e integrimit evropian të vendit. Presidentja Osmani ritheksoi se integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian mbetet ndër prioritetet më të larta shtetërore. Ajo shprehu shqetësimin për masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës, të cilat i cilësoi si të padrejta dhe të dëmshme për të gjithë qytetarët, pa përjashtim.
Presidentja theksoi domosdoshmërinë e heqjes së këtyre masave, në mënyrë që të mos cenohet partneriteti ndërmjet Kosovës dhe BE-së.
"Në këtë frymë, ritheksova domosdoshmërinë e heqjes së masave të padrejta të BE-së ndaj Kosovës, të cilat po i dëmtojnë të gjithë qytetarët tanë, pa përjashtim", ka theksuar ajo.
Presidentja Osmani, konfirmoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës për paqe dhe stabilitet afatgjatë.
KURTI UDHËTON PËR NË SHTETET E BASHKUARA PËR "TAKIME DYPALËSHE ME LIDERË"
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në javën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, njoftoi zyra e tij. Kurti do të zhvillojë “takime dypalëshe me liderë në kuadër të javës së nivelit të lartë të sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme”, thuhet në njoftim.
Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Kurti gjithashtu do të takojë pjesëtarë të komunitetit shqiptar në ShBA dhe përfaqësues të shoqatave të diasporës.
PËRFUNDON MBLEDHJA, QEVERIA SHKARKON NGA DETYRA ERION VELIAJN
Qeveria ka miratuar propozimin e Këshillit Bashkiak për shkarkimin nga detyra të kryebashkiakut Erion Veliaj. Vendimi u mor sot në mbledhjen e qeverisë, raporton gazetari i Top Channel Muhamed Veliu. Mbledhja erdhi një ditë pasi Prefekti i Tiranës i njoftoi zyrtarisht për propozimin e miratuar nga Këshilli Bashkiak.
Pritet nëse në vendim do të thyhet që do të hyjë në fuqi menjëherë, apo pas publikimit në fletoren zyrtare.
Më pas ky vendim, do t’i shkojë presidentit Bajram Begaj. Dekretimi i datës së zgjedhjeve të reja pritet të vonohet, pasi avokatët e Veliajt kanë paralajmëruar se vendimin do e dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.
VANCE DHE RUBIO I BËJNË JEHONË QASJES SË RE DHE TË ASHPËR TË TRUMPIT KUNDËR LUFTËS SË RUSISË
Qasja më e ashpër e presidentit amerikan Donald Trump me Rusinë është përqafuar menjëherë nga zëvendësi i tij, Nënpresidenti JD Vance, dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio. Të dy ata e akuzuan Moskën e nuk po bën mjaftueshëm për t’i dhënë fund luftës dhe për t’i ndalur vrasjet në Ukrainë. Trumpi “mendon se ata nuk po bëjnë mjaftueshëm në tavolinën e bisedime për t’i dhënë fund luftës. Nëse rusët nuk pranojnë të bisedojnë me mirëbesim, mendoj se do të jetë shumë, shumë keq për vendin e tyre”, thanë numri dy i shtetit amerikan dhe shefi i diplomacisë së SHBA-së. Rubio u takua dhe me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku përsëriti thirrjen e Trumpit “për t’i dhënë fund vrasjeve dhe nevojën që Moska të ndërmarrë hapa domethënës drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme të luftës Rusi-Ukrainë”.
ZELENSKY: JAM GATI TË JAP DORËHEQJEN PAS LUFTËS
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se do të ishte gati të jepte dorëheqjen pasi të mbaronte lufta, por se Ukraina do të vazhdonte t'u përgjigjej sulmeve ruse, raportoi Axios.
Në një intervistë me Axios në Manhattan pak para se të largohej nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe të kthehej në Kiev, Zelensky tha se kishte mbështetje të qartë nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump për përdorimin e sulmeve të synuara ndaj objekteve ruse të energjisë dhe fabrikave të armëve nëse Ukraina merrte armë shtesë me rreze të gjatë veprimi.
Ai theksoi se Ukraina nuk do të bombardonte civilët, por se zyrtarët e Kremlinit "duhet të dinë se ku janë strehimoret kundër bombave" në rast të një lufte të vazhdueshme.
SULM ME DRON NGA REBELËT HOUTHI NË IZRAEL, PLAGOSEN 22 PERSONA
Një dron i lëshuar nga rebelët Houthi të Jemenit plagosi 22 persona në qytetin jugor të Izraelit, Eilat, të mërkurën. Ky ishte një rast i rrallë që thyen mbrojtjen e sofistikuar raketore të Izraelit, e cila zakonisht ka kufizuar ndjeshëm viktimat nga sulme të tilla. Houthit deklaruan në një njoftim se kishin lëshuar dy dronë drejt Izraelit. Izraeli ka kryer sulme ajrore hakmarrëse mbi Jemen pas sulmeve të mëparshme, dhe ministri i Mbrojtjes Israel Katz, në një postim në X, paralajmëroi Houthit se “kushdo që dëmton Izraelin do të dëmtohet shtatëfish”, raporton AP.Rebelët Houthi të mbështetur nga Irani në Jemen kanë qëlluar rregullisht me dronë dhe raketa drejt Izraelit, ndërsa kanë sulmuar anije ndërkombëtare, duke deklaruar se e bëjnë këtë në mbështetje të palestinezëve. Shumica dërrmuese e dronëve dhe raketave të lëshuara drejt Izraelit janë rrëzuar ose kanë rënë në zona të hapura pa shkaktuar plagosje. Ushtria izraelite tha se kishte tentuar ta ndërpriste dronin. Shërbimi i shpëtimit Magen David Adom tha se të plagosurit u dërguan në spital, dy prej tyre me “plagosje të rënda nga copëzat në gjymtyrë. ”Ndryshe, në Rripin e Gazës, të paktën 41 palestinezë u vranë nga zjarri izraelit, sipas spitaleve lokale. I dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme shprehu optimizëm për një plan të ri për t’i dhënë fund luftës, pa treguar se çfarë përmban apo nëse Izraeli ose Hamasi e kanë pranuar atë.
SARKOZY DËNOHET ME PESË VJET BURGIM
Një gjykatë në Paris e dënoi ish-presidentin francez, Nicolas Sarkozy, me pesë vjet burgim, pasi e gjeti fajtor për komplot lidhur me një skemë të supozuar për financimin e fushatës së tij presidenciale më 2007 me fonde nga Libia.Gjykata vendosi se ai do të burgoset edhe nëse e apelon vendimin. Por, gjykata tha se data për dërgimin e tij në burg do të caktohet më vonë. Gjykata e gjeti fajtor Sarkozyn për pjesëmarrje në organizatë kriminale në komplotin nga viti 2005 deri më 2007 për financimin e fushatës së tij me fonde nga Libia në këmbim të favoreve diplomatike. Por, ai u lirua nga tri akuza të tjera, përfshirë për korrupsion pasiv, financim të paligjshëm të fushatës dhe fshehje të fondeve të përvetësuara publike. Sarkozy, 70 vjeç, e kritikoi vendimin dhe tha se ai ishte viktimë e një padrejtësie skandaloze, duke shtuar se do ta apelojë vendimin.
KB DEÇIQ NIS SEZONIN 2025/26, PREZANTON UDHËHEQËSINË E KLUBIT
Klubi i basketbollit Deçiq ka nisur zyrtarisht sezonin 2025/26. Formacioni i ekipit do të mbetet kryesisht i njëjtë me disa ndryshime, ndërsa drejtuesit theksojnë se synimi kryesor është të shfrytëzohet çdo mundësi për rezultate më të mira, edhe pse pozicioni i mesëm në tabelë shihet si realitet. Në krye të stafit teknik do të jetë sërish Simon Ivezaj, i cili për sezonin e tretë radhazi do të udhëheqë ekipin. Pas një viti historik me 12 fitore, Ivezaj synon të tejkalojë këto arritje, duke vënë në pah njohuritë dhe përvojën e tij në pankinë. Sa i përket menaxhmentit të klubit, struktura drejtuese është: kryetar i klubit është Fisnik Gjokaj, drejtor sportiv Nikë Gjokaj, sekretar Mark Dukaj dhe fizioterapist Emir Gjokaj.
Në ditët në vijim, KB Deçiq ka paralajmëruar prezantimin e plotë të lojtarëve që do të përfaqësojnë klubin në këtë sezon të ri.
NESËR MOT ME VRANËSIRA MESATARE DHE ME PERIUDHA TË GJATA ME DIELL
Në pjesën më të madhe të Malit të Zi mban mot me vranësira të pakta deri mesatare. Frynë erë kryesisht e dobët , nga drejtimet e jugut . Temperaturat e shënuara në orën 14: Podgoricë 27, Ulqin, Tivar, e H. Novi 26, Budvë 25, Beranë 24. Plevle, Bijello Pole, Kollashin, Shavnik e Guci 23, Plluzhinë, Rozhajë, Andrievicë, e Petnjicë 22, Cetinë e Nikshiq 21 dhe në Zhablak 17 gradë.
Nesër pritet mot me vranësira mesatare dhe me periudha të gjata me diell. Në veri, pasdite janë të mundshme reshje të shkurtër. Do të fryjë erë e dobët, nga drejtime të ndryshme. Temperatura e mëngjesit nga 6 deri në 19, kurse më e lartë ditore nga 17 deri në 28 gradë.
Коментари0
Остави коментар