Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема
MNE Play
MNE Play

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

02. 10. 2025. 00:00 >> 19:24

Ditari 02.10.2025

Përgatiti, Senad Gilaj

Millatoviq: thirrje liderëve evropianë që Mali i Zi të bëhet anëtari i 28-të i BE-së deri në 2028

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, deklaroi se ka ardhur koha që të fillojë hartimi i Marrëveshjes për anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian, duke theksuar se kjo do të ishte një nxitje e fortë për përfundimin e reformave dhe një sinjal i qartë se rruga drejt Evropës është e arritshme. Millatoviq e tha këtë gjatë fjalimit në seancën plenare të samitit të Komunitetit Politik Evropian, që po mbahet në Kopenhagë. Ai kujtoi se Mali i Zi ka nisur negociatat për anëtarësim që në vitin 2012 dhe që atëherë ka arritur përparim të rëndësishëm, ka hapur të gjithë kapitujt negociues ndërsa shtatë prej tyre janë mbyllur plotësisht. Ai theksoi se Mali i Zi mbështet fuqishëm përparimin e të gjitha vendeve kandidate dhe se shpreson në përfundimin e procesit që do të çojë drejt një Evrope më të qëndrueshme, më rezistente dhe më prosperuese. Milatoviq bëri të ditur se, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Danimarkë, ka mbështetur nismën e Francës dhe Italisë për formimin e një Koalicioni Evropian për luftën kundër drogës. Ai theksoi se Mali i Zi, edhe përmes këtij mekanizmi, do të vazhdojë të japë kontribut aktiv në luftën e përbashkët evropiane kundër tregtisë së paligjshme të narkotikëve dhe në gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta.

Mandiq e Kopman: Mali i Zi ka përparuar më shumë se të gjitha vendet

Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, zhvilloi takim me drejtorin e përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësi në Komisionin Evropian, Gert Jan Kopman, i cili e uroi Malin e Zi për përparimin e arritur dhe theksoi se, nga të gjitha vendet, Mali i Zi ka bërë përparimin më të madh. Kopman tha se Mali i Zi mund të mbyllë kapituj shtesë gjatë këtij viti. Kryetari i kuvendit të Malit të Zi tha se muajt e ardhshëm në Parlament do t’i kushtohen plotësisht agjendës evropiane të Malit të Zi, me qëllim realizimin e objektivit të vendosur, mbylljen e të gjitha kapitujve në vitin 2026. Mandiq përkujtoi se deri tani janë mbyllur përkohësisht shtatë kapituj negociues dhe se, pas shumë vitesh, Kuvendi ka arritur të miratojë një nga ligjet më të rëndësishme, ligjin zgjedhor, dhe këtë, siç tha ai, me konsensus. “Nëse kjo ndodh, pozita fillestare e Malit të Zi në fillim të vitit të ardhshëm do të jetë shumë e mirë”, tha Kopman, duke shtuar se ende asgjë nuk është përfunduar dhe se Malin e Zi e pret periudha më sfiduese e negociatave për anëtarësim. “Kjo do të kërkojë shumë punë, përkushtim, vullnet politik dhe unitet rreth prioriteteve”, deklaroi Kopman.

Fuqizimi i bashkëpunimit i Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në të gjitha fushat

Ministri i Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj, gjatë vizitës në Shkup u takua me Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi. Në takim u theksua se bashkëpunimi i shkëlqyer mes dy vendeve është një konfirmim i rrugës së përbashkët drejt stabilitetit dhe integrimit evropian. Nga Ministria e Administratës Publike u bë e ditur se bashkëbiseduesit u dakorduan se mundësitë për përmirësimin e kapaciteteve institucionale të dy vendeve, përmes shkëmbimit të përvojave, mbështetjes së ndërsjellë nga ekspertët dhe organizimit të vizitave studimore, duhet të shfrytëzohen në mënyrën e duhur, në interes të përbashkët. Dukaj nënvizoi se Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut ndajnë të njëjtat vlera dhe synime, ndërsa partneriteti i tyre ndërton një rajon të bazuar në demokraci, besim dhe vlera evropiane. Të dy palët shprehën mbështetje për proceset demokratike dhe theksuan rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si rruga strategjike për një të ardhme më të sigurt dhe evropiane.

Camaj dhe Çulikat: U konfirmua përkushtimi i ndërsjellë për hapjen e Nunciaturës Apostolike në Podgoricë

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, u takua sot me nuncin apostolik në Mal të Zi, me seli në Sarajevë, monsinjor Fransis Asisi Çullikat. Camaj me këtë rast u shpreh se beson se forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve me Vatikanin, përmes mundësisë së emërimit të një përfaqësuesi rezident të Selisë së Shenjtë në Mal të Zi, është me rëndësi të madhe për gjithë vendin. Ai gjithashtu shprehu bindjen se edhe Mali i Zi do të emërojë së shpejti ambasadorin e vet në Vatikan. Ndërsa Ëullikat shprehu mirënjohje të madhe ndaj nënkryetarit Camaj për, siç theksoi ai, kontributin personal në zgjidhjen e çështjes së hapjes së nunciaturës në Mal të Zi dhe njëkohësisht, siç thuhet në njoftim, e shfrytëzoi rastin të vlerësojë arritjet që janë bërë deri më tani në rrugën e Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian. Edhe Zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe ministri i punëve të jashtme, Ervin Ibrahimoviq, dhe zëvendëskryeministri për çështje të jashtme dhe evropiane, Filip Ivanoviq, u takuan me nuncin apostolik në Mal të Zi, me seli në Sarajevë, kryeipeshkvin Fransis Asisi Çulikat. Në bisedë, siç u tha në njoftim, u vlerësua se Mali i Zi dhe Selia e Shenjtë kultivojnë marrëdhënie tradicionalisht të ngushta dhe miqësore, të bazuara në dialog të hapur politik dhe gatishmëri për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit. Gjithashtu u konstatua se përgatitjet për ndërtimin e objektit të nunciaturës rezidente janë në fazën përfundimtare, gjë që konfirmon marrëdhëniet e shkëlqyera mes Selisë së Shenjtë dhe Malit të Zi.

Të zvogëlohet administrata publike para anëtarësimit në Bashkimin Evropian

Strategjia e qeverisë për optimizimin e administratës publike ka dështuar plotësisht, vlerësoi për Radion tonë hulumtuesja e politikave publike në Institutin Alternativa, Millena Muk. Kurse analisti politik, Xhevdet Pepiq, thekson se racionalizimin nuk mund ta zbatojnë partitë politike të cilat, edhe pse janë në opozitë, kanë qenë fuqimisht kundër saj dhe kanë përmirësuar praktikën e punësimeve partiake më shumë se kundërshtarët e tyre. Qeveria e Malit të Zi, pavarësisht paralajmërimeve, pothuajse nuk ka bërë asgjë në drejtim të optimizimit, vlerëson hulumtuesja Muk, kurse Pepiq konsideron se ulja e numrit të të punësuarve në administratën publike, në rrethanat aktuale, është një mision pothuajse i pamundur. Muk thekson se është shqetësuese fakti që disa qeverisje lokale, edhe pse edhe tami kanë tepër të punësuar, vazhdojnë të punësojnë punëtorë të rinj. “A do të ulet numri i të punësuarve në administratën publike? Jam i sigurt se, në këtë gjendje ndërgjegjeje dhe vetëdijeje, nuk ka asnjë shans,” thotë Pepiq. Muk dhe analisti Pepiq janë të mendimi se Mali i Zi, para se të hyjë në Bashkimin Evropian, do të duhet ta zgjidhë problemin e punëtorëve në administratë publike, në mënyrë që ky numër të përshtatet me standardet e BE-së.

Gjykata Kushtetuese forcon bashkëpunimin me mediat dhe me qytetarët

Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi njoftoi se ka ndërmarrë hapa shtesë për të rritur transparencën e punës së saj, e vetëdijshme për rëndësinë e komunikimit me opinion dhe bashkëpunimin e përditshëm me mediat. “Në periudhën e ardhshme, gjykata do t’i kushtojë vëmendje të veçantë marrëdhënieve me opinion, përveç punës së deritanishme të shtuar në çështje individuale, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje me rëndësi të gjerë shoqërore”, thuhet në njoftim. Për më tepër, Gjykata Kushtetuese do të përpiqet t’u afrohet qytetarëve përmes vendimmarrjes mbi ankesat kushtetuese, përkatësisht të veprojë në mënyrë edukative për qytetarët e Malit të Zi sa i përket shkeljeve të të drejtave dhe lirive të njeriut, thuhet në njoftim nga Gjykata Kushtetuese.  “Në këtë mënyrë, gjykata do të veprojë si një mekanizëm korrigjues, jo vetëm përmes vendimeve, por edhe përmes prezantimit të tyre,” thuhet në njoftim, ndërsa shtohet se në objektivat e përcaktuara theksohet se rol kyç do të ketë zëdhënësi i sapoangazhuar i Gjykatës Kushtetuese, Danilo Ajkoviq.

Llora të jetë pjesë integrale e bisedimeve me Kroacinë

Çështja e viktimave të Llorës është e nevojshme që të jetë pjesë integrale e bisedimeve mbi çështjet e hapura midis Malit të Zi dhe Kroacisë, tha presidenti Jakov Millatoviq. Ai këmbëngul që të gjitha krimet e kryera atje duhet të hetohen dhe ndiqen penalisht, dhe se drejtësia nuk duhet të jetë selektive. Mali i Zi ka treguar gatishmëri për t’u përballur me të kaluarën e vet. Llora paraqet një nga kapitujt e errët të luftërave të viteve ’90, ku njerëz të pafajshëm u torturuan e keqtrajtuan, për çka, fatkeqësisht, kontribuoi edhe pushteti i atëhershëm me politikat e veta. Drejtësia nuk duhet të jetë selektive, thuhet në njoftimin nga Kabineti i Presidentit të Malit të Zi. Millatoviq përkujtoi se qytetarët malazezë u torturuan dhe u keqtrajtuan në Llora, 14 prej të cilëve humbën jetën.

Prokuroria themelore në Rozhajë: dy incidente në Shtedim, të shtënat nga territori i Kosovës kanë dëmtuar kabinat e teleferikut

Prokuroria Themelore e Shtetit në Rozhajë hapi dy raste në lidhje me incidentet në Shtedim në korrik të vitit të kaluar dhe gusht të këtij viti, kur kabinat e teleferikut në Qendrën e Skive Hajla- Shtedim u dëmtuan nga armët e zjarrit. Sipas dëshmitarëve, të shtënat erdhën nga drejtimi i Kosovës. Megjithatë, Prokuroria në Rozhajë ende nuk ka marrë reagime nga institucionet e Kosovës në lidhje me veprimet e ndërmarra dhe gjetjen përfundimtare të autorëve. Përndryshe, edhe zëdhënësi i qeverisë në largim të Kosovës, Përparim Krueziu, deklaroi më parë se autoritetet kosovare kanë nisur një hetim paraprak me qëllim identifikimin e autorëve të mundshëm të incidenteve me të shtëna në kufirin me Malin e Zi. Nga Podgorica zyrtare më parë u tha se dyshohet se të shtënat kanë ndodhur nga territori i Kosovës, në zonën pranë qendrës së skive Hajlla- Shtedim, pranë kufirit.

Ndërrimi i letërnjoftimeve është kyç për vazhdimin e përdorimit të shërbimeve bankare

Shoqata e Bankave të Malit të Zi edhe një herë u bën thirrje qytetarëve që sa më parë të dorëzojnë letërnjoftimet  e reja, sepse nga dje, ato do të jenë të domosdoshme për vazhdimin e shërbimeve bankare. Shoqata e Bankave të Malit të Zi shpreh mirëkuptim për sfidat me të cilat përballen klientët dhe bën thirrje për një qasje të përgjegjshme nga të gjithë akterët në sistem. Siç u kumtua, bankat kanë bërë përpjekje edhe tjera që shërbimet e tyre të jenë të qasshme për klientët, duke ofruar informacione dhe mbështetje teknike përmes degëve, qendrave të kontaktit dhe kanaleve digjitale, me qëllim përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe sigurimin e vazhdimësisë në ofrimin e shërbimeve për klientët. Ndërsa bazuar në analizën e numrit të letërnjofimeve që nuk janë zëvendësuar, Ministria e punëve të brendshme njofton qytetarët se disa njësi rajonale dhe filiale do të punojnë edhe të shtunën, nga ora 8 deri në 14. Puna do të organizohet në njësitë rajonale në Podgoricë, Tivar, Budvë, Beranë, Bijello Pole, Herceg Novi, Nikshiq, Plevle dhe Kotor. Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdojë edhe në periudhën në vijim të pranojë rregullisht kërkesat e qytetarëve dhe t’i zgjidhë ato në kohën më të shkurtër të mundshme, ashtu siç ka vepruar deri tani. Ata shtojnë se në mënyrë të vazhdueshme po zbatojnë aktivitete për realizimin e kërkesave përmes njësisë lëvizëse, për personat e palëvizshëm dhe të sëmurë, duke shkuar në adresën e tyre të banimit, për ata që nuk kanë mundësi të paraqiten personalisht në sportele.

Rama në Danimarkë për Samitin e Komunitetit Politik Europian

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke iu referuar procesit të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian ka deklaruar se do të jenë një vlerë shumë e madhe e shtuar për BE-në. Duke folur për procesin e integrimit evropian, Rama tha se po vrapojnë dhe se Shqipëria do të jetë gati shumë shpejt dhe duhet të mirëpritemi, sepse do të jemi një vlerë shumë e madhe e shtuar për BE. “Ne nuk po presim, po vrapojmë, po vrapojmë shpejt dhe do të jemi gati shumë shpejt. Varet nga njerëzit e mëdhenj në atë dhomë për të mos pritur më, por për të na anëtarësuar ne sepse do të ishte një vlerë e shtuar për Europën”, theksoi ai. Rama u shpreh se një ndër sfidat më të mëdha të sigurisë në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor është fakti që sipas tij Evropa nuk ka planin e vet të paqes.

Osmani: Serbia dhe Rusia kërcënim për Kosovën, BE të mos e shpërblejë Beogradin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Rusia dhe Serbia paraqesin kërcënim për Kosovën, duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian që të mos “e shpërbëjë Beogradin”. Osmani tha për gazetarët se Rusia paraqet kërcënim për Evropën, ndërkaq Serbia për rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke e akuzuar Beogradin se i kopjon veprimet e Moskës. “Tradicionalisht dhe për shekuj të tërë, ata kanë përdorur një koncept të ngjashëm: Rusia flet për ‘Rusinë e Madhe’ dhe ‘Botën Ruse’, Serbia për ‘Serbinë e Madhe’ dhe ‘Botën Serbe’ dhe përdorin të njëjtat metoda. Për ne të dyja paraqesin kërcënim”, tha Osmani. Osmani tha se në rajonin e Ballkanit Perëndimor kurrë nuk ka vakum të ndikimit. Sipas saj, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka tentuar që ta kopjojë udhëheqësin rus, duke përdorur destabilizim ndaj fqinjëve, dhe për këtë arsye është e rëndësishme që shtetet anëtare të BE-së ta kuptojnë se shpërblimi i Serbisë për qëndrimin me Rusinë nuk është rruga përpara.

Më 21 tetor në Këshillin e Sigurimit të OKB-së diskutohet për Kosovën

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të diskutojë për Kosovën më 21 tetor, është bërë e ditur përmes faqes zyrtare të organizatës botërore. Në këtë seancë të re, Këshilli i Sigurimit do të shqyrtojë raportin më të fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, i cili do të paraqitet nga shefja aktuale e UNMIK-ut, Karoline Zijade. Siç thuhet në njoftim, në Raportin e Këshillit të Sigurimit, nuk është arritur ndonjë përparim i rëndësishëm në dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë në dialogun, i cili ndërmjetësohet nga BE-ja. Drejt fundit të gushtit, Caroline Ziadeh  përfundoi mandatin e saj si shefe e UNMIK-ut dhe askush nuk është caktuar në këtë detyrë pos që ajo po menaxhohet nga zëvendësi i këtij misioni, Milbert Dongjoon Shin. Në draftin e raportit përmendet edhe veriu dhe zhvillimet atje për periudhën gjashtëmujore të raportimit. Raporti pritet të bëhet publik në ditët e ardhshme. Fokusi kryesor i debatit mes vendeve anëtare ishte e ardhmja e UNMIK-ut në Kosovë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar kërkuan ndërprerjen e misionit të UNMIK-ut, ndërsa Franca, Rusia dhe Kina mbështetën vazhdimin e mandatit të këtij misioni.

Kurti: Votimi për Emilija Rexhepin nuk mund të anulohet

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se mosfunksionimi i Kuvendit përbën një humbje kohe dhe dëm për vendin, duke theksuar se Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe se institucionet duhet të rifillojnë punën sa më parë. Kurti ka nënvizuar se procesi për zgjedhjen e kryetarit dhe katër nënkryetarëve të Kuvendit tashmë është përmbyllur, por ka mbetur i pazgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb. Kurti, ka thënë se zgjedhja e Emilija Rexhepit nënkryetare e Kuvendit të Kosovës nga minoriteti joserb “nuk mund të anulohet”, teksa vendi pret aktgjykimin e plotë të gjykatës më të lartë në lidhje me votimin për nënkryetarët e organit ligjvënës. Gjykata Kushtetuese njoftoi më 30 shtator përmes një vendimi se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar ende dhe se ky proces nuk përfundon pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.

Dy të vrarë në një sulm afër një sinagoge në Mançester

Policia britanike tha se dy persona janë vrarë e katër janë plagosur pasi një makinë raportohet se u përplas me këmbësorët afër një sinagoge në Mançester, në veriperëndim të Anglisë. Autoritetet thanë se policia e qëlloi të dyshuarin. Policia në Mançester njoftoi se zyrtarët pranuan informacion për një incident në Sinagogën Hebraike “Heaton Park“ në Krumpsall, në veri të Mançesterit, pasi një dëshmitar tha se kishte parë një makinë që u përplas me turmën e njerëzve. Besohet se i dyshuari ka vdekur, por oficerët thanë se nuk mund ta konfirmonin këtë “për shkak të çështjeve të sigurisë lidhur me sende të dyshimta që kishte me vete”. Përveç dy personave që janë konfirmuar të vdekur, tre të tjerë janë në gjendje të rëndë. Në vendngjarje janë parë forca të shtuara të policisë, ndërkaq po ashtu janë parë edhe ekipe të emergjencave.

Udhëheqësit e BE-së mblidhen në Kopenhagë për sigurinë dhe mbrojtjen

Udhëheqës evropianë janë takuar sot në Kopenhagë, ku flitet për luftën në Ukrainë dhe sigurinë evropiane. Udhëheqësit evropianë po kërkojnë të shfrytëzojnë përvojën dhe ekspertizën e Ukrainës në përballimin e ndërhyrjeve me dronë në një samit të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Kopenhagë. “Ekspertja e vetme tani në botë kur bëhet fjalë për kapacitetet kundër dronëve është, për fat të keq, Ukraina, sepse ata po luftojnë dronët rusë pothuajse çdo ditë”, tha kryeministrja daneze Mette Frederiksen, mikpritëse e takimit. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky merr pjesë në samitin e shtatë të Komunitetit Politik Evropian, i cili vjen pas një takimi të 27 udhëheqësve të Bashkimit Evropian, gjithashtu në Kopenhagë. Zelensky ka kërkuar mbështetje për pranimin në BE të Ukrainës, Moldavisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke thënë se është koha për të ecur përpara. Temat që do të trajtohen përfshijnë mënyrën e forcimit të Ukrainës, situatën e sigurisë në Evropë dhe si ta bëjnë kontinentin më të sigurt. Përndryshe, Ministrat e Financave të vendeve të G7-s ranë dakord të ndërmarrin masa të përbashkëta për të rritur presionin ekonomik dhe financiar ndaj Rusisë, me qëllim që ta detyrojnë atë të ndalojë agresionin e saj kundër Ukrainës.

Izraeli thotë se do t'i dëbojë aktivistët në flotën e nisur drejt Gazës

Marina izraelite ka ndaluar anije që transportonin ndihma për në Gaza dhe ka ndaluar aktivistët në bord, përfshirë aktivisten suedeze për klimën Greta Thunberg. Ministria e Jashtme e Izraelit tha se disa anije që janë pjesë e Flotiljes Globale “Sumud” ishin "ndaluar në mënyrë të sigurt" dhe se ata që ishin në bord po transferoheshin në një port izraelit. Nga kjo ministri u tha se marina ishte njoftuar për ndryshim kursi ndërsa po "i afroheshin një zone aktive luftimi". Ministria e Jashtme e Izraelit tha se do t'i dëbojë në Evropë aktivistët propalestinezë që gjenden në anijet e flotës Global Sumud, që u ndaluan nga forcat izraelite. Pas ndalimit të anijeve ka pasur reagime ndërkombëtare.  Ministria e jashtme e Turqisë e dënoi ndalimin si një "akt terrorizmi" dhe bëri thirrje që "autorët e këtij sulmi" të mbahen përgjegjës. Ndalja e flotës nga Izraeli ka nxitur protesta në Itali. Sindikatat italiane kanë thirrur një grevë të përgjithshme për të premten, në shenjë solidariteti me flotën që po bart ndihma. Ndërkohë, Izraeli e lëshoi paralajmërimin e “fundit” për banorët e qytetit më të madh të Rripit të Gazës, për t’u larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të ofensivës tokësore.

Mbyllet Qeveria amerikane

Qeveria amerikane ka pezulluar pjesën më të madhe të operacioneve të saj, pasi përçarjet e thella partiake penguan Kongresin dhe Shtëpinë e Bardhë të arrinin një marrëveshje për financimet. Mbyllja e qeverisë, e para që nga viti 2018, vjen pasi Senati i kontrolluar nga republikanët dështoi të miratonte një projektligj për shpenzimet qeveritare. Qeveria amerikane nisi mbylljen, pasi ligjvënësit dhe presidenti amerikan, Donalld Trump, dështuan të arrinin një marrëveshje për shpenzimet gjatë bisedimeve të tensionuara që u kushtëzuan nga kërkesat e demokratëve që të financohet kujdesi shëndetësor. Republikanët fajësuan ligjvënësit demokratë për mosmbështetjen e projektligjit. “Do të largojmë nga puna shumë njerëz që do të preken shumë dhe ata do të jenë demokratë”, tha Trump për gazetarët në Zyrën Ovale. Ai shtoi se “shumë gjëra të mira do të vijnë nga mbyllja”, duke sugjeruar se do ta përdorë këtë ndërprerje për “të hequr qafe shumë gjëra që nuk i donim, dhe ato gjëra do të jenë të demokratëve”.

Ra bora e parë në veri; Drejtoria e Policisë: shoferët duhet të jetë të përgatitur për kushtet e vështira në rrugë

Para motit edhe një informatë. Reshjet e para të borës janë regjistruar mbrëmë dhe gjatë mëngjesit të sotëm në viset e larta malore në vend. Reshje bore janë shënuar sot në mëngjes edhe në Rozhajë e Zhablak. Gjithashtu edhe Bjellasica u gjet e mbuluar nga bora, duke treguar fillimin e hershëm të sezonit dimëror në zonat malore të vendit. Derisa për sot parashikoheshin reshje më të shumta dhe më të vazhdueshme shiu, në zonat malore ne veri reshjet e borës kishin një shtresë të konsiderueshme. Enti Hidrometeorologjik kishte paralajmëruar më herët për mundësinë e reshjeve të borës në fillim të këtij muaji në viset malore. Ndërkohë, në zonat e ulëta moti po shoqërohet kryesisht me reshje shiu.

Moti nesër: me shi dhe erë, në veri borë, deri në 18 gradë

Në Mal të Zi sot po mban mot me vranësira të ndryshueshme dhe vende vende me reshje shiu, në veri dhe viset e larta malore edhe me skllotë e borë. Fryn erë e mesme deri e fortë, vende vende shumë e fortë veriore dhe verilindore. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Budvë e Herceg Novi 17, Tivar 15, Podgoricë 13, Ulqin 12, Nikshiq e Cetinë 10, Bijello Pole 7, Beranë 6, Plevle e Guci 5, Kollashin 3, Rozhajë 2 dhe në Zhablak 1 gradë. Për nesër, në pjesët jugore pritët mot i vranët dhe kryesisht i thatë, kurse në veri me reshje skllote e bore, në viset më të ulëta edhe me reshje shiu. Reshje më intensive pritën paradite. Do të fryjë erë e forte deri shumë e forte nga drejtimet e veriut, pasdite me intensitet diçka më të dobët. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej -3 deri në 12, kurse më e larta e ditës prej -1 deri në 18 gradë celsius.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се