Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема
MNE Play
MNE Play

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

06. 10. 2025. 00:00 >> 18:48

Ditari 06.10.2025

Përgatiti, Senad Gilaj

Është arrestuar Predrag Boshkoviq; Nikolliq: do të vijë deri te ndalimi i liderëve të opozitës, redaktorëve të mediave dhe përfaqësuesve të sektorit civil

Ish ministri i mbrojtjes dhe ish deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve, Predrag Boshkoviq, është arrestuar sot në mëngjes me urdhër të Prokurorisë speciale të shtetit. Ai është arrestuar në kuadër të hetimeve kundër biznesmenit të arrestuar dy ditë më parë, Aleksandar Mijajlloviq. Prokuroria speciale e shtetit vlerëson se Mijajlloviq, nga viti 2018 deri në vitin 2024, ka ndikuar drejtpërdrejt në politikën redaktuese të disa mediave në Mal të Zi, kurse për disa dyshohet se i ka udhëzuar edhe se si duhet të duken tekstet dhe sa gjatë të mbahen në faqet kryesore. Miajlloviq, siç thuhet, ka ndikuar drejtpërdrejt në politikën redaktuese të “Standardit”, “Pobjedës”, “CDM-së”, “Portalit Analitika”, “Antena M”, “Mportalit” dhe “Portalit ETV”, ndërsa disa prej tyre dyshohet se i ka udhëzuar edhe se si duhet të duken tekstet dhe sa gjatë të mbahen në faqet kryesore. Kurse shefi i grupit parlamentar të PDS-së, Andrija Nikolliq, ka deklaruar se arrestimi i sotëm i ish-ministrit e ish-deputetit të kësaj partie, Predrag Boshkoviq, tregon se ka nisur fazë e re e përndjekjes së kundërshtarëve politikë.

Me 20 tetor do të dëgjohen Markoviq dhe Novoviq për çështjen "Telekom"

Këshilli për sistemin politik, drejtësi dhe administratë në Kuvendit të Malit të Zi ka caktuar për 20 tetor një seancën dëgjimore kontrolluese me kryeprokurorin e shtetit, Millorad Markoviq, kryeprokurorin special Vlladimir Novoviq dhe prokuroren Ana Peroviq- Vojinoviq në lidhje me hedhjen poshtë të kallëzimit penal për aferën "Telekom". Prokuroria speciale e shtetit të Malit të Zi, në fillim të muajit gusht, për shkak të vjetërsisë së lëndës, ka hedhur poshtë kallëzimin penal ndaj ish-presidentit të shtetit, Millo Gjukanoviq, motrës së tij Ana dhe disa personave të tjerë. Ndërsa në mbledhja e Këshillit për marrëdhënie me jashtë të Kuvendit është ndërprerë pas një përplasjeje verbale mes deputetit të Socialdemokratëve, Nikolla Zirojeviq, dhe deputetes së Lëvizjes Evropa Tani,  Branka Markoviq. Zirojeviq, gjatë polemikës për aksionet e fundit të prokurorisë, tha se ndaj tij vazhdimisht vihet shënjestra dhe shpërndahet narrativi se është kundër grave në politikë.

Këshilli Anketues do të dëgjojë Millosav-Senço Sekulloviq për vrasjet e pazbardhura

Në mbledhjen e Këshillit anketues për “treshet e zeza”, sot në Kuvend është marrë vendimi për seancë dëgjimore kontrolluese të ish-zyrtarin e policisë Millosav-Senço Sekulloviq, në mënyrë që të flasë për disa vrasje të pazbardhura në Mal të Zi. Sekulloviq ka folur më parë publikisht për disa nga vrasjet, veçanërisht ato të Goran Zhugiq dhe Darko- Beli Raspopoviq, por edhe për një numër krimesh të tjera nga fundi i viteve ’90 të shekullit të kaluar. Këshilli anketues, me shumicë votash, ka pranuar në muajin gusht propozimin e nënkryetarit të Këshillit për veprimet e organeve shtetërore në vrasjet politike dhe sulmet ndaj gazetarëve dhe intelektualëve, përfshirë edhe veprimtarinë e "tresheve të zeza", Millan Knezheviq, që ky trup t’i drejtohet Ministrisë së Drejtësisë për të marrë mendimin nëse deputetët mund të dëgjojnë disa persona në paraburgim që lidhen me vrasjet dhe krimet me të cilat merret ky Këshill.  Në rend të ditës së kësaj seance është edhe njohja me përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë dhe aktivitetet e mëtejshme të Këshillit, thuhet në njoftim nga Kuvendi.

Policia Speciale ka arrestuar disa persona për kontrabandë droge

Njësia speciale e policisë me urdhër të Prokurorisë speciale të shtetit, ka arrestuar sot paradite disa persona për krijimin e organizatës kriminale dhe kontrabandës me drogë. Njësia speciale policore ka kryer veprime për mbledhjen e provave ndaj disa personave në Tivar, Tivat dhe Kotor. Prokuroria speciale ka njoftuar se Njësia speciale e policisë po kryen veprime të menjëhershme hetimore ndaj disa personave në këto qytete, për shkak të ekzistimit të dyshimeve të bazuara se kanë kryer vepra penale të krijimit të organizatës kriminale dhe të prodhimit, mbajtjes dhe shpërndarjes së paautorizuar të drogave narkotike, si dhe po ndërmerren masa dhe veprime për privimin e tyre nga liria. Pas përfundimit të veprimeve hetimore dhe marrjes në pyetje të personave të arrestuar si të dyshuar, Prokuroria do të njoftojë opinionin për rezultatet e tyre dhe për vendimin lidhur me vazhdimin e procedurës.

Millatoviq: Mali i Zi është udhëheqës në rrugën drejt Bashkimit Evropian

Presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq deklaroi në një takim me liderët e rajonit në kuadër të samitit të procesit Brdo- Brijoni në Durrës, se po diskutohet për bashkëpunimin fqinjësor dhe të ardhmen evropiane të vendit. “Mali i Zi është udhëheqës në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe jam i bindur se do të bëhet shteti i 28-të anëtar deri në vitin 2028”, tha Millatoviq. “Shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të punojnë së bashku, në frymën e bashkëpunimit dhe besimit të ndërsjellë. Vetëm në këtë mënyrë mund ta përshpejtojmë rrugën tonë drejt Evropës dhe të sigurojmë stabilitetin e Ballkanit”, deklaroi Millatoviq. Takimi u përqendrua në të ardhmen evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, posaçërisht në Planin e Rritjes së BE-së për rajonin. Samiti u zhvillua në një moment kyç për Ballkanin Perëndimor, ku përveç temës së integrimit evropian, u trajtuan edhe çështje që lidhen me forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ruajtjen e stabilitetit politik në rajon.

Shumica e bindur për zgjedhjen e gjyqtarëve më të mirë, opozita skeptike

Për të mërkurën është caktuar mbledhja e Këshillit kushtetues, në të cilën deputetët pritet të votojnë për kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës kushtetuese. Shumica parlamentare thonë se do të arrijnë të zgjedhin më të mirët dhe se nuk do të ketë opstrukcione nga opozita, kurse opozita konsideron se ekziston mundësia që, edhe nëse zgjidhen, të mos jenë më të mirët për shkak të presionit të partnerëve ndërkombëtarë, sepse po zgjidhen me nxitim. Se ekziston presion nga partnerët ndërkombëtarë për ta përmbyllur zgjedhjen e gjyqtarëve në afat sa më të shpejtë kohor mendon deputeti Nikolla Zirojeviq nga Socialdemokratët, kurse ministrja e çështjeve evropiane, Majda Gorçeviq, ka deklaruar se dy nga tre gjyqtarët e Gjykatës kushtetuese do të votohen para ardhjes së kryetares von der Llajen në Podgoricë.

Dëgjim kontrollues edhe i zëvendëskryeministrit Nik Gjeloshaj; Mugosha: inflacion shumë i lartë në Mal të Zi

Sot mbahet seanca dëgjimore kontrolluese e nënkryetarit të Qeverisë për politikën ekonomike, Nik Gjeloshaj në temën, Inflacioni në Mal të Zi dhe efektet në standardin e jetesës së qytetarëve. Shefi i klubit të deputetëve të Socialdemokratëve, Boris Mugosha deklaroi se inflacioni në Mal të Zi është më shumë se dy herë më i lartë sesa në vendet e Bashkimit Evropian, të cilat përdorin euron dhe se realiteti është se autoritetet nuk po ndërmarrin masa të përshtatshme për këtë çështje. Mugosha përkujtoi se në fund të muajit mars, me nismën e tij, ishte mbajtur seanca dëgjimore në Kuvend me autoritetet përkatëse rreth çmimeve në zinxhirët tregtarë, ku si Këshill për ekonomi, financa dhe buxhet kishin propozuar në mënyrë unanime masa konkrete në drejtim të mbrojtjes së standardit të qytetarëve dhe zgjidhjes sistematike të problemit të çmimeve të larta.

Jakshiq- Stojanoviq: Së shpejti kallëzime të reja penale për diplomat e rreme

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit e Malit të Zi deri më tani ka dorëzuar mbi 100 kallëzime penale për dyshime mbi diplomat e rreme, dhe në javët në vijim pritet të dorëzohen padi të reja, ka njoftuar ministrja Angjella Jakshiq- Stojanoviq. Qeveria e Malit të Zi deri më tani ka pezulluar përkohësisht njohjen e diplomave nga shtatë institucione të arsimit të lartë nga Bosnja Hercegovina, si dhe nga Sokollaci e Tutini. “Pres që në periudhën e ardhshme të pezullohet njohja edhe nga institucione të tjera arsimore, sepse përmes ndryshimeve ligjore kemi krijuar më në fund një kornizë ligjore për të reaguar në mënyrë efikase”, theksoi Jakshiq- Stojanoviq.

Samiti i Bërdo-Brijonit; Begaj dhe Musar: Të përshpejtohet zgjerimi, rrit sigurinë. Millanoviq: BE të forcojë rolin e vet

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka deklaruar se bashkëpunimi rajonal mbetet instrumenti kryesor për integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian. Në fjalën në samit, presidenti Begaj u shpreh se së bashku me Slloveninë dhe Kroacinë, si bashkëkryesuese të presidencës së procesit Bërdo-Brijoni, vlerësojnë forcimin e rolit të kësaj platforme si një mekanizëm i rëndësishëm rajonal. Ai theksoi se aspirata e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE nuk është vetëm objektiv politik, por një mision kombëtar. Takimi u përqendrua në të ardhmen evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, posaçërisht në Planin e Rritjes së BE-së për rajonin. Sa i përket Planit të Rritjes së BE-së, një paketë prej 6 miliardë eurosh e miratuar më 2023, të gjitha vendet e rajonit i kanë pranuar mjetet e para. Në përfundim të Samitit të Bërdo-Brijunit, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, së bashku me presidenten e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, dhe presidentin e Kroacisë, Zoran Millanoviq, zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp ku ata diskutuan sfidat gjeopolitike dhe ekonomike që po përballet rajoni dhe rëndësinë e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Begaj theksoi se Shqipëria mbetet e angazhuar për përshpejtimin e procesit të integrimit në BE, duke e konsideruar këtë si një mundësi për zhvillim të qëndrueshëm dhe ruajtje të sigurisë. Procesi i Bërdo-Brijonit është një nismë rajonale e iniciuar nga Sllovenia dhe Kroacia dhe pjesë janë dhe shtete të tjera nga Ballkani.

Osmani: Vuçiqi iu drejtua Samitit me ofendime e arrogancë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani deklaroi se ka kërkuar mbështetjen e Sllovenisë dhe Kroacisë si dy vende anëtare në BE, që të rrisin më shumë mbështetjen e të jenë zëri  i Kosovës në institucionet e Bashkimit Evropian. Osmani shprehu rezervat e saj edhe mbi sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, për të cilat theksoi se askush prej shteteve anëtare nuk jep arsye të forta se përse vijojnë të mbeten në fuqi. Gjatë samitit, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani deklaroi se presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq u ankua edhe për marrëveshjen në fushën e mbrojtjes që Kosova, Shqipëria dhe Kroacia kanë arritur në mars të këtij viti. “Aleanca tona janë aleanca mbrojtëse për të na mbrojtur nga rreziqet që na vijnë nga të tjerët. Për Kosovën, rreziku na vjen nga Serbia kështu që ne do të vazhdojmë ta fuqizojmë ushtrinë tonë”, tha Osmani. Presidentja kosovare u ndal te presidenti serb, duke e akuzuar atë për ofendime dhe tentativa për pengimin e procesit ndërsa Vuçiq nënvizoi se rruga evropiane është një rrugë strategjike për rajonin.

KQZ do të vendosë kamera regjistruese në çdo vendvotim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Prishtinë ka bërë të ditur se do të vendosë kamera regjistruese në çdo vendvotim në Kosovë në zgjedhjet komunale të cilat do të mbahen me 12 tetor. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Vallmir Elezi, duke shtuar se kamerat do të përdoren jo vetëm në vendvotime, por edhe në të gjitha hapësirat ku zhvillohet procesi i numërimit të votave. Elezi tha se vendosja e kamerave regjistruese brenda vendvotimit bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit zgjedhor të procesit të votimit dhe numërimit të fletëvotimeve në vendvotim. Procesi zgjedhor do të zhvillohet në 948 qendra votimi me gjithsej 2 mijë  vendvotime. Në garë do të jenë gjithsej 5 mijë e 626 kandidatë, prej të cilëve 206 për kryetarë komunash dhe të tjerët për vende në kuvendet komunale. Pas një periudhe katërvjeçare në të cilën Lista Serbe bojkotoi institucionet lokale në veri të Kosovës, kjo parti është rikthyer në garën zgjedhore

Kryeministri francez jep dorëheqjen pak orë pas krijimit të qeverisë së re

Kryeministri i ri i Francës, Sebastien Lekorn, ka dhënë dorëheqje, vetëm 14 orë pasi e kishte emëruar kabinetin e tij të ri, pasi aleatët dhe kundërshtarët e kërcënuan se do ta rrëzonin Qeverinë e tij. Dorëheqja e tij e shpejtë ishte e papritur, duke e thelluar edhe më tej krizën politike në Francë. Partia e ekstremit të djathtë, Tubimi Kombëtar, kërkoi menjëherë nga presidenti Emanuell Makron të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ai këmbënguli se kishte punuar për javë të tëra për të krijuar një rrugë të qëndrueshme midis partnerëve socialë, sindikatave dhe politikanëve nga i gjithë spektri. Ai theksoi se premtimi i tij për të mos miratuar legjislacionin pa një votim parlamentar ishte një ndryshim i madh nga vitet e kaluara dhe duhet të kishte qenë mjaftueshëm domethënës që politikanët e opozitës ta kishin mbështetur atë.Pas konsultimeve disajavore me parti nga i gjithë spektri politik, Lekorn, i cili është aleat i ngushtë i Makronit, kishte emëruar dje ministrat e tij, dhe ata pritej të mbanin sot mbledhjen e parë të kabinetit. Vendimi i Macronit për të thirrur zgjedhje të parakohshme parlamentare vitin e kaluar e thelloi edhe më shumë krizën, duke prodhuar një Parlament edhe më të ndarë.

Zelensky: Rusia po rrit sulmet ndaj Ukrainës, bota hesht. Putini po tallet me Perëndimin

Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zellenski, në fjalimin e tij e kritikoi Perëndimin për mungesë reagimi teksa Ukraina perëndimore dhe rajone të tjera po përpiqen ta rimarrin veten nga një sërë sulmesh ajrore ruse që vranë të paktën pesë njerëz. Zelensky u ankua se “çdo” raketë dhe dron i lëshuar nga Kremlini “përmban pjesë me të cilat Rusia furnizohet ende” nga vendet perëndimore dhe vende të tjera, duke përmendur kompani nga Shtetet e Bashkuara, Kina, Tajvani, Britania, Gjermania, Zvicra, Japonia, Koreja e Jugut dhe Holanda. “Fatkeqësisht, nuk ka pasur asnjë reagim të denjë e të fortë nga bota ndaj të gjithë kësaj që po ndodh; ndaj rritjes së vazhdueshme të sulmeve”, tha Zellenski. Presidenti ukrainas theksoi se Rusia ka refuzuar të gjitha propozimet për të ndalur luftën apo edhe për të pezulluar sulmet dhe tani po synon hapur infrastrukturën civile dhe të gazit për të destabilizuar Ukrainën para dimrit. Përndryshe më pare presidenti rus Vlladimir Putin ka deklaruar se dërgimi i raketave me rreze të gjatë veprimi të quajtura “Tomahawk” në Ukrainë do të shkatërronte “marrëdhëniet midis Moskës dhe Uashingtonit”. Presidenti rus argumentoi se përdorimi i raketave Tomahawk pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të personelit ushtarak amerikan është “i pamundur, ” dhe do të shënonte një fazë krejtësisht të re, cilësisht të re të përshkallëzimit, “përfshirë në Rusi-SHBA”. Ndërsa zyrtarët ukrainas njoftuan se të paktën pesë persona u vranë dhe 16 të tjerë u plagosën në një sulm ajror rus gjatë natës në rajonin perëndimor Lviv dhe atë juglindor Zaporizhzhia.

Hamasi dhe Izraeli takohen në Egjipt, Tramp: Izraeli pranon ‘tërheqjen fillestare’

Negociuesit izraelitë dhe ata të Hamasit kanë arritur në Egjipt, ku do të diskutohet rreth çështjeve të pazgjidhura të planit 20-pikësh të presidentit amerikan Donalld Tramp për ndaljen e luftimeve. Tel Avivi ka thënë se është i gatshëm të ndalon luftën në rast që Hamasi i pranon kushtet ndërsa vet kryeministri i Izraelit Benjamin Netanjahu ka deklaruar se beson që të gjitha pengjet që ende mbahen në rripin e gazës do të lirohen "brenda pak ditëve". Ministria e Jashtme egjiptiane njoftoi se Kairo do të presë bisedimet indirekte, me shpresën se takimi do të çojë në përfundimin e luftës dhe do të avancojë planin e paqes. Në bisedime pritet të marrin pjesë edhe i dërguari i SHBA-së në Lindjen e Mesme, Steve Witkoff dhe Jared Kushner. Ndërkohë nga Rripi i Gazës njoftohet se operacionet e ushtrisë izraelite po vazhdojnë pa ndërprerje. Kurse Shtëpia e Bardhë publikoi një hartë që tregon fazat e tërheqjes së trupave izraelite nga Gaza sipas planit të paqes të Tramp. Vlerësimet e hershme tregojnë se nëse plani ndjek hartën e publikuar nga Shtëpia e Bardhë, tërheqja fillestare do ta linte Gazën rreth 55% të pushtuar nga forcat izraelite. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se nuk ka nevojë për ndryshime të mëdha në planin e tij për t’i dhënë fund luftës në Gazë, pasi sipas tij, të dyja palët Izraeli dhe Hamasi kanë rënë pothuajse dakord me propozimin. Kurse Organizata Hjuman Rajt Voç u bëri thirrje sot qeverive të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të mbrojtur të drejtat e popullit palestinez në Rripin e Gazës, pa pritur zbatimin e një plani të armëpushimit.

Çmimi Nobel në Mjekësi u jepet tre shkencëtarëve

Asambleja e Çmimit Nobel ka nderuar për vitin 2025, Mari Brunkow, Fred Ramsdell dhe Shimon Sakaguçi me Çmimin Nobel në Fiziologji ose Mjekësi. Ata u vlerësuan për zbulimet e tyre në lidhje me tolerancën imunitare periferike, duke identifikuar qelizat T- rregullatore. Këto zbulime kanë hapur rrugën për trajtime të reja mjekësore, me shpresën për të trajtuar sëmundjet autoimune, përmirësuar trajtimin e kancerit dhe për të parandaluar ndërlikimet pas transplanteve të qelizave. "Ata zbuluan se si mbahet nën kontroll sistemi imunitar. Sistemi imunitar i fuqishëm i trupit duhet të rregullohet, përndryshe mund të sulmojë organet tona", thuhet mes tjerash në njoftim Asambleja e Çmimit Nobel në Institutin Karolinska. Viti i kaluar, çmimin e ndanë amerikanët Victor Ambros dhe Gary Ruvkun për zbulimin e microRNA-së. Shpalljet e Nobel-it do të vazhdojnë  nesër me çmimin në Fizikë ,  të mërkurë në Kimi dhe  të enjten në Letërsi.  Çmimi Nobel për Paqen do të shpallet të premten, ndërsa Çmimi Memorial Nobel në Ekonomi më 13 tetor. Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së Alfred Nobel, themeluesit të çmimeve. Nobel ishte një industrialist i pasur suedez dhe shpikës i dinamitit, i cili vdiq në vitin 1896.

Nga mesnata benzina më lirë

Para motit edhe një informatë. Prej sonte në mesnatë benzina do të kushtojë dy cent më pak, ndërsa çmimet e eurodizelit dhe vajit për ngrohje do të mbeten të pandryshuara, njoftoi Ministria e Energjetikës. Kështu në litër eurosuper 95 do të kushtojë 1.42 euro në 15 ditët e ardhshme, ndërsa eurosuper 98 do të jetë 1.45 euro. Çmimi i euro-dizelit do të mbetet 1.34 euro. Ndryshimet e fundit në çmimet e karburanteve ndodhën më 23 shtator, kur eurosuper 95 u rrit me një cent.

Moti: në jug intervale me diell, në veri reshje të dobëta, deri në 21 gradë

Në Mal të Zi sot po mban mot me vranësira të ndryshueshme deri krejt i vranët, vende vende me reshje të shiut, kryesisht në veri. Fryn erë e mesme deri e fortë, vende vende shumë e fortë nga drejtimet e veriut. Temperaturat në orën 14 u shënuan: në Budvë 22 gradë, Herceg Novi 20, Ulqin 19, Tivar 18, Podgoricë 17, Cetinë 14, Nikshiq 13, Beranë 9, Kollashin, Bijello Pole e Plevle 8, Rozhajë 5 dhe në Zhablak 3 gradë.

Për nesër në jug dhe pjesët qendrore paralajmërohet të mbajë mot me vranësira të ndryshueshme dhe intervale me diell, ndërsa në veri kryesisht i vranët dhe me reshje të përkohshme të shiut.  Do të fryjë erë e mesme deri e fortë, vende vende shumë e forta nga drejtimet e veriut. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 2 deri në 15 kurse më e  larta e ditës prej 4 deri në 21 gradë ceslius.a

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се