- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Muzički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
07. 10. 2025.
00:00 >> 17:10
Ditari 07.10.2025
Ditarin e përgatiti, Violeta Gjokaj
BB: RAPORTI I FUNDIT KA RRITUR PARASHIKIMIN PËR RRITJEN E EKONOMISË SË MALIT TË ZI PËR KËTË VIT NË 3.3 PËR QIND
Banka Botërore në Raportin më të fundit ka rritur parashikimin për rritjen e ekonomisë së Malit të Zi për këtë vit në 3.3 për qind. Kjo është 0.3 pikë më shumë krahasuar me parashikimet në pranverë, kur ishte vlerësuar një rritje prej 3 për qind. Në Raportin e fundit ekonomik për Ballkanin Perëndimor, Banka Botërore pret që ekonomia e Malit të Zi të rritet me 3.2 për qind në vitin e ardhshëm dhe në vitin 2027, që paraqet përmirësim prej 0.3 dhe 0.2 pikë në përqindje krahasuar me parashikimet e mëparshme. Në Raport poashtu thuhet se rritja ekonomike e Malit të Zi pas një rimëkëmbjeje të fuqishme, po ngec pak dhe pritet që Bruto prodhimtaria e brendshme të rritet nga 3.2 për qind që ishte në vitin e kaluar, në 3.3 për qind këtë vit. Përndryshe, përfshirja e Malit të Zi në Zonën Unike të Pagesave në Euro e njohur si SEPA, pritet të forcojë integrimin financiar, të ulë shpenzimet e transaksioneve dhe të rrisë besimin e investitorëve, kanë thënë nga Banka Botërore.
MALI I ZI PREJ TË HËNËS ËSHTË BËRË PJESË E ZONËS SË UNIKE TË PAGESAVE NË EURO
Fillimi i funksionimit të sistemit SEPA në Mal të Zi paraqet një nga përfitimet kryesore të procesit të negociatave dhe Planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor, në pjesën e forcimit të integrimit ekonomik me tregun e vetëm të Bashkimit Evropian, njoftoi Ministrja e çështjeve evropiane, Maida Gorçeviq.
Sipas saj, SEPA është dëshmi se procesi i pranimit në BE nuk është abstrakt, por sjell përfitime konkrete për qytetarët. Kurse ministri i financave Novica Vukoviq deklaroi se deri në fund të këtij viti do të mbyllet Kapitulli 4, Liria e lëvizjes së kapitalit. Ministri Vukoviq tha se kanë punuar dy vite për të hyrë në SEPA, në mënyrë që qytetarët të mund të kryejnë transaksione pa pengesa. Për të qenë pjesë e sistemit SEPA, Mali i Zi, siç tha ministri Vukoviq, ka pasur për detyrë të përmbushë të gjitha kriteret e Kapitullit 4. Nga Banka Qendrore e Malit të Zi kanë bërë të ditur se Mali i Zi prej të hënës është bërë pjesë e Zonës së unike të pagesave në euro- SEPA.
DREJTORIA TATIMORE REALIZOI 1.2 MILIARDË EURO TË ARDHURA NË NËNTË MUAJT E KËTIJ VITI
Drejtoria tatimore ka realizuar 1.2 miliardë euro të ardhura në nëntë muajt e këtij viti, që është mbi shtatë milionë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, është bërë e ditur nga kjo drejtori. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024, është realizuar rritje prej 7.1 milionë euro, që vërteton trend të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm të rritjes të ardhurave buxhetore, thuhet në njoftimin e Drejtorisë tatimore. Sipas njoftimit të tyre, nga TVSH-ja, për periudhën nga janari deri më 30 shtator, janë paguar 434.3 milionë euro, që është 78 milionë ose 22 për qind më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Këto rezultate dëshmojnë për përkushtimin e fortë të Drejtorisë tatimore për të investuar në mënyrë të vazhdueshme në përpjekjet për të rritur sa më shumë të ardhurat buxhetore dhe stabilitetin fiskal afatgjatë, përmes aktiviteteve të fokusuara në rritjen e shkallës së pagesës së detyrimeve tatimore dhe mbikëqyrjen inspektuese, thuhet në njoftim nga Drejtoria tatimore.
IBRAHIMOVIQ NË TAKIMIN E MINISTRAVE TË JASHTËM TË PROCESIT TË BERLINIT
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, do të marrë pjesë në Takimin e Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet më 8 dhe 9 tetor në Belfast. Siç u tha nga Ministria e Punëve të Jashtme, fokusi i bisedimeve do të jetë shqyrtimi i rezultateve të arritura dhe përcaktimi i fushave të reja të bashkëpunimit në kuadër të procesit që inkurajon integrimin evropian dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal. "Takimi ministror në Belfast do të jetë një mundësi për të shkëmbyer pikëpamje mbi një përgjigje të përbashkët ndaj sfidave aktuale në sferat ekonomike, të sigurisë dhe sociale, për të promovuar aktivitete që kontribuojnë në lidhshmërinë rajonale dhe për të afirmuar vendin tonë si një pjesëmarrës aktiv në Procesin e Berlinit dhe një lider në rrugën drejt anëtarësimit në BE", thanë ata në një deklaratë.
PREDRAG BOSHKOVIQ DO TË MBROHET NGA LIRIA
Ish-Ministri i mbrojtjes e ish-deputet i Partisë Demokratike të Socialistëve, Predrag Boshkoviq detyrohet të paraqitet periodikisht në polici. Predrag Boshkoviq u lejua të mbrohej nga liria pasi gjyqtari hetues i Gjykatës së Lartë të Podgoricës dyshohet se nuk e pranoi propozimin e Prokurorisë Speciale të Shtetit për të urdhëruar paraburgimin e tij, u informua Vijesti."Gjykatësi hetues i Gjykatës së Lartë në Podgoricë nuk urdhëroi paraburgimin për Predrag Boshkoviqin pas seancës dëgjimore. U caktua një masë mbikëqyrjeje, një detyrim për t'u paraqitur periodikisht në Drejtorinë e Policisë", tha për Vijesti Ivana Vukmiroviq, një këshilltare e pavarur për marrëdhëniet me publikun në Gjykatën e Lartë në Podgoricë. Boshkoviq u soll më herët sot për t'u marrë në pyetje nga gjyqtari hetues i Gjykatës së Lartë i cili po vendoste mbi propozimin e prokurorëve specialë për të dërguar ish-Ministrin e Mbrojtjes në Burgun hetues në Spuzh. Ish-zyrtari i Partisë Demokratike të Socialistëve u arrestua dje në aeroportin e Podgoricës me dyshimin se ishte anëtar i grupit të krimit të organizuar të Aleksandar Mijajloviq, i cili, ndër të tjera, ndikoi në vullnetin zgjedhor të qytetarëve, keqpërdori pozitën zyrtar dhe zbuloi informacione sekrete.
NASTIQ ËSHTË SHKARKUAR PËRKOHËSISHT NGA DETYRA
Prokurorja e Shtetit në Prokurorinë e Lartë të Shtetit në Podgoricë, Andrijana Nastiq, është shkarkuar përkohësisht nga detyra për shkak se kundër saj është ngritur procedurë penale për një veprim që e bën atë të padenjë për të kryer atë funksion, njoftoi Këshilli Prokurorial. Nastiq u ndalua të premten me dyshimin se ishte pjesë e grupit kriminal të biznesmenit Aleksandar Mijajloviq, dhe pasi u mor në pyetje nga gjyqtari hetues i Gjykatës së Lartë në Podgoricë, pasaporta e saj u konfiskua. Këshilli Prokurorial njoftoi se në seancën e sotme u mor një vendim për shkarkimin e përkohshëm të Nastiq nga detyra.
DËGJIMI KONSULTATIV I KANDIDATËVE PËR ZGJEDHJEN E DY ANËTARËVE TË KËSHILLIT PROKURORIAL
Në mbledhjen e Këshillit për sistemin politik, drejtësi dhe administratë, në rend të ditës ishte dëgjimi konsultativ i kandidatëve për zgjedhjen e dy anëtarëve të Këshillit prokurorial nga radhët e juristëve eminent që nuk janë avokatë, përmbaruesit publik në Tivar, Vesellin Shqepanoviq dhe sekretarit në Fakultetin e shkencave politike, Sekulle Raiçeviq. Në rend të ditës së mbledhjes së sotme është edhe dëgjimi konsultativ nga radhët e avokatëve, Sanja Radulloviq. Kryesuesi i Këshillit kuvendor, Vlladisllav Bojoviq bëri të ditur se për anëtar të Këshillit prokurorial nuk është paraqitur asnjë kandidat nga sektori i OJQ. “Jemi të befasuar sepse prisnim aplikime,” tha Bojoviq.
7 TETORI DITA E USHTRISË SË MALIT TË ZI: KURORË LULESH NË PËRMENDOREN NË TUGJEMIL
Sot, me ceremoni të gardës së nderit të Ushtrisë së Malit të Zi, janë vendosur kurorë lulesh në përmendoren në Tugjemil, për të shënuar 7 tetorin, Ditën e Ushtrisë së Malit të Zi. “Mali i Zi mbetet i përkushtuar në zbatimin e reformave dhe aktiviteteve për arritjen e prioriteteve të politikës së jashtme”, tha ministri i Mbrojtjes Dragan Krapoviq. Me këtë rast, Krapoviq tha se Ministria e mbrojtjes kontribuon aktivisht në përmirësimin e sistemit nacional të mbrojtjes, si dhe në sigurinë kolektive në kuadër të aleancës së NATO-s. Në kontekstin e integrimeve evropiane, Krapoviq shprehu bindjen se Mali i Zi do të jetë anëtarja e radhës e Bashkimit Evropian dhe informoi për bashkëpunimin në kuadër të dimensionit mbrojtës dhe mekanizmave në dispozicion për vendet kandidate të BE-së.
MUJOVIQ: NËSE KËSHILLTARËT E PPD -SË DALIN NGA PUSHTETI LOKAL, DO TË KËRKOJË QË TË TËRHIQEN EDHE NGA PUSHTETI QENDROR
Nëse këshilltarët e Partisë Popullore Demokratike dalin nga pushteti lokal, kryetari i Podgoricës, Sasha Mujovi do të kërkojë që të tërhiqen edhe nga pushteti qendror, përkatësisht nga Qeveria e Malit të Zi. Mujoviq, duke iu përgjigjur pyetjes së shefit të klubit të këshilltarëve të Partisë Demokratike të Socialistëve në kryeqytet, Andrija Kllikovac, se a do të kërkojë si njeriu i dytë i Lëvizjes Evropa Tani që Partia Popullore Demokratike të largohet nga Qeveria, u shpreh se përgjigjja e tij do të jetë e qartë. Përndryshe sot në Gollubovc, këshilltarët e Kuvendit të Zetës miratuan njëzëri Vendimin për shpalljen e referendumit komunal lidhur me ndërtimin e Kolektorit në Botun.
MINISTRIA E JASHTME SHQIPTARE SHPREH KEQARDHJEN PËR PËRPJEKJEN E SERBISË PËR TË RIKTHYER “HIJET E SË SHKUARËS”
Ministria për Evropën dhe Punë të jashtme e Shqipërisë ka reaguar ndaj deklaratës së Ministrisë së jashtme të Serbisë, që akuzon institucionet e Kosovës “për persekutimin e serbëve” dhe shpërndarjen e “retorikës luftënxitëse”. Ministria e jashtme shqiptare shpreh keqardhjen për përpjekjen e Serbisë për të rikthyer “hijet e së shkuarës” dhe thekson se deklaratat e bëra janë të pabaza dhe të mbështetura në raporte të diskredituara, si ai i Dik Martit, për të cilin autoritetet ndërkombëtare dhe vendase kanë dëshmuar se janë pa prova të vërteta. Ata kanë hedhur poshtë përpjekjet për të ndryshuar rolet e viktimës dhe agresorit, duke theksuar se e vërteta e ngjarjeve të vitit 1999 është e njohur dhe nuk mund të rishkruhet përmes retorikës.
KURTI E AKUZON SERBINË SE PO NDËRHYN NË ZGJEDHJET LOKALE NË KOSOVË
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar Serbinë sot se po ndërhyn në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë duke bërë premtime për vende pune dhe përfitime financiare. Kurti tha se veprimet e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe të aktorëve të tjerë serbë, shtetërorë dhe joshtetërorë, “nuk mund të cilësohen ndryshe përveçse ndërhyrje në procesin e zgjedhjeve lokale të tetorit në Kosovë”.Kurti e tha këtë gjatë një mbledhjeje të Qeverisë në detyrë, ku kabineti i tij ndau nga 100 euro për studentët e vendit për fillimin e vitit të ri akademik.Ai i bëri thirrje Bashkimit Evropian ta dënojë ndërhyrjen e Beogradit në zgjedhjet e Kosovës dhe ta sanksionojë Serbinë për këtë.Vuçiq tha për televizionin Pink në Serbi në fundjavë se “ne do t’i hapim 400 vende të reja pune në strukturën e kujdesit shëndetësor në Kosovë dhe 400 familje”.Kurti theksoi se ndërhyrjet në zgjedhjet e shteteve të tjera janë ndërhyrje në formë të cenimit të demokracisë dhe sovranitetit të atij shteti”. Serbia u akuzua edhe për ndërhyrje në zgjedhjet e përgjithshme të shkurtit, dhe misioni vëzhgues i BE-së tha asokohe se Serbia kishte ndërhyrë në zgjedhje përmes trysnisë ndaj votuesve serbë në Kosovë.
SPECIALJA UA VAZHDON PARABURGIMIN THAÇIT DHE DISA TË TJERËVE
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj ish kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçit dhe disa të tjerëve, të cilët së bashku me Hajredin Kuçin akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Në vendimet e ndara, gjyqtarja e procedurës paraprake, Marijori Masellot ka thënë se ekziston dyshimi i bazuar se katër të akuzuarit kanë kryer krime që bien në juridiksionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
URSULLA VON DER LLEJEN, BËRI THIRRJE PËR UNITET
Shefja e Bashkimit Evropian, Ursulla von der Llejen, bëri thirrje për unitet, ndërsa paralajmëroi ligjvënësit se votat e besimit me të cilat ajo përballet këtë javë në Parlamentin Evropian ishin në favor të armiqve të bllokut. “E vërteta është se kundërshtarët tanë jo vetëm që janë të gatshëm të shfrytëzojnë çdo përçarje por ata po i nxisin këto”, tha shefja e Komisionit Evropian në seancën e parlamentit, në Strasbur. Më pak se tre muaj pasi i mbijetoi një sfide të ngjashme, dy mocionet e mosbesimit kundër saj, nuk kanë pothuajse asnjë shans për ta rrëzuar kur nesër të hidhen në votim.
FRANCA NË KRIZË TË RE POLITIKE, PAS DORËHEQJES SË KRYEMINISTRIT LECORNU
Franca po përballet me kaos të mëtejshëm politik pasi kryeministri i fundit i vendit, Sebastien Lekorn dha dorëheqje pas vetëm 26 ditësh në detyrë. Disa orë pas dorëheqjes, Lekorn pranoi një kërkesë nga presidenti francez Emanuell Makron për të punuar mbi një plan për "stabilitetin për vendin". Kjo kthesë e papritur kulmoi një ditë trazirash politike që pa aksionet të binin ndjeshëm në bursën e Parisit mes shqetësimeve mbi aftësinë e partive politike për të përballuar problemet ekonomike të vendit. Disa parti tani po kërkojnë zgjedhje të parakohshme dhe disa po bëjnë thirrje që Makron të largohet.
GUTERRES BËN THIRRJE PËR LIRIMIN E MENJËHERSHËM DHE PA KUSHTE TË PENGJEVE
Shefi i OKB-së, Antonio Guterres, ka bërë thirrje për një lirim të menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve izraelite të mbetura të mbajtura robër nga Hamasi në Gaza. Në një deklaratë për rrjetin social ‘X’, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka thënë se mënyra për të nderuar kujtimin e viktimave të sulmeve të 7 tetorit është duke punuar drejt "një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme". Një paqe e tillë do t'i shihte izraelitët, palestinezët dhe të tjerët në rajon "të jetonin krah për krah në siguri, dinjitet dhe respekt të ndërsjellë", ka shtuar Guterres. Ndërsa thekson planin e paqes të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Gazën, Guterres ka thënë se ai "paraqet një mundësi që duhet shfrytëzuar për t'i dhënë fund këtij konflikti tragjik". "Një armëpushim i përhershëm dhe një proces politik i besueshëm janë thelbësorë për të parandaluar gjakderdhje të mëtejshme dhe për të hapur rrugën për paqe”, ka shkruar ai.
NISEN BISEDIMET E TËRTHORTA MES IZRAELIT DHE HAMASIT
Para dy ditësh nisen bisedimet e tërthorta mes Izraelit dhe Hamasit në qytetin turistik egjiptian, me ndërmjetës që lëviznin mes delegacioneve. Siç njoftojnë mediat, diskutimet u përqendruan në “përgatitjen e kushteve fillestare” për një shkëmbim pengjesh dhe të burgosurish. Presidenti amerikan Donalld Tramp u bëri thirrje negociatorëve të “lëvizin shpejt” për t’i dhënë fund luftës në Gazë, ku po vazhdojnë sulmet ajrore izraelite. Megjithëse të dyja palët e kanë mirëpritur propozimin e Tramp, arritja e një marrëveshjeje për hollësitë e tij pritet të jetë një detyrë tejet e vështirë.
NESËR MOT I NDRYSHUESHEM
Në pjesët jugore të Malit të Zi mban mot kryesisht me diell, vende-vende me vranësira të pakta deri mesatare. Në veri me vranësira mesatare deri plotësisht i vranët, vende-vende me reshje të dobëta të shiut. Frynë erë, vende- vende mesatare deri shumë e fortë nga drejtimet e veriut. Temperaturat e shënuara në orën 14: Tivar, Herceg Novi e Budvë 21, Ulqin 20, Podgoricë 19, Cetinë 15, Nikshiq 14, Bijello Pole e Andrievicë 11, Beranë e Shavnik 10, Kollashin e Plevle 9, Guci e Plluzhinë 8, Petnjicë e Rozhajë 7 dhe në Zhablak 3 gradë. Për nesër në jug dhe pjesët qendrore meteorologët paralajmërojnë se do të mbajë mot me vranësira të ndryshueshme dhe me intervale të gjata me diell, në veri deri krejt i vranët dhe me reshje të mundshme të shiut. Do të fryjë erë mesatare deri e fortë, vende- vende shumë e fortë, nga drejtimet e veriut, pas dite dhe në mbrëmje më e dobët. Temperatura e mëngjesit do të jetë prej 3 deri në 15, kurse më e larta e ditës prej 6 deri në 22 gradë celsius.
Коментари0
Остави коментар