Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема
MNE Play
MNE Play

Подешавaња

Умањи / Увећај

Изаберите тему

Основна тема
Црно/бијела тема
Инверзна тема

Ditari

06. 11. 2025. 00:00 >> 20:01

Ditari 06.11.2025

Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj

GJELOSHAJ: QEVERIA KA RIFILLUAR AKSIONIN E ÇMIMEVE TË KUFIZUARA

Qeveria ka rifilluar aksionin e çmimeve të kufizuara, i cili do të përfshijë 800 deri në 900 artikuj, me ulje çmimesh deri në 20 për qind. Aksioni fillon tetë ditë pas publikimit në Fletoren Zyrtare dhe zgjat deri më 1 mars të vitit të ardhshëm. Si ndryshim kryesor përfshihet edhe kufizimi i çmimit të peletit në 250 euro për tregtim me shumicë, ndërsa në 270 euro me pakicë. Zëvendëskryeministri Nik Gjeloshaj tha se aksioni do të përfshijë qindra artikuj në markete, përjashtuar frutat dhe perimet, për të mos dëmtuar prodhuesit vendas. Ministri i Bujqësisë, Vlladimir Jokoviq paralajmëroi se në rast mungese peleti për tregun e brendshëm, do të ndalohet eksporti. Ai theksoi se rritja e çmimit të peletit lidhet me sezonin dhe kërkesën e shtuar.

BEÇIQ: VETINGU NË SEKTORIN E SIGURISË NUK DO TË KETË KUPTIM NËSE NJË GJË E TILLË NUK BËHET EDHE NË GJYQËSOR

Zbatimi i vetingut dhe pastrimi i sistemit nga korrupsioni dhe krimi është procesi më i rëndësishëm për të ardhmen e shoqërisë në Mal të Zi, deklaroi në Parlament zëvendëskryeministri, Aleksa Beçiq. Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, Beçiq tha se vetingu në sektorin e sigurisë nuk do të ketë kuptim nëse një gjë e tillë nuk bëhet edhe në gjyqësor. Sipas tij, ditë më parë, janë bërë shumë hile dhe manipulime në lidhje me arrestimin e qytetarëve turq dhe incidentet në Zabjello. Beçiq pretendon se policia veproi plotësisht në mënyrë profesionale dhe se disa po përpiqet ta etiketojnë sektorin e sigurisë, vetëm nga frika e vetingut dhe hapjes së temave të errëta që e ngarkojnë Malin e Zi. Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit në lidhje me Ligjin për të Huajt, Beçiq tha se është kundërshtar i madh i gjeneralizimit në Mal të Zi dhe se autoriteteve shtetërore kompetente nuk u intereson se kush si e ka emrin. "Ligji do të jetë i njëjtë për të gjithë", u shpreh Beçiq.

SHTYHET SEANCA GJYQËSORE LIDHUR ME PADINË E ISH-PRESIDENTIT TË MALIT TË ZI MILLO GJUKANOVIQ KUNDËR APK-SË

Seanca gjyqësore lidhur me padinë e ish-Presidentit të Malit të Zi Millo Gjukanoviq kundër Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit u shty për shkak se të dyja palët kërkuan qasje në shkresat e lëndës nga Gjykata ekonomike. Në seancën e fundit, avokatja e Gjukanoviqit, motra e tij Ana Gjukanoviq, kërkoi marrjen e këtyre shkresave, e cila shpjegoi se në çështjen në Gjykatën ekonomike, ku Atlas Banka dhe pronari i saj Dushko Knezheviq ishin paditur, ekziston dokumentacion mbi të cilin Gjukanoviq e bazoi padinë e tij kundër Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit. Seanca tjetër është caktuar për më 12 dhjetor.

OTASHEVIQ, SI ZYRTAR PUBLIK, NUK KISHTE SHKELUR LIGJIN PËR PARANDALIMIN E KORRUPSIONIT

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit konstatoi se drejtori ekzekutiv i Radiotelevizionit Podgorica, Vlladimir Otasheviq, si zyrtar publik, nuk kishte shkelur Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit. Sipas Agjencisë ai gjatë kryerjes së detyrës së tij publike nuk ishte i përfshirë në realizimin e serialit "Gjurmët e pushtetit", i cili u transmetua në Televizionin e Malit të Zi. Kujtojmë se Drejtori i Qendrës Mediale, Goran Gjuroviq, më parë i paraqiti një iniciativë Këshillit të Radiotelevizionit Podgorica për shkarkimin e Otasheviqit, duke pretenduar se kishte konflikt interesi.

GJYKATA SUPREME KA FILLUAR HARTIMIN E UDHËZIMEVE PËR VENDOSJEN E SANKSIONEVE PENALE NË RASTET E KRIMIT TË RËNDË DHE TË ORGANIZUAR

Takimi i parë i Grupit të Punës për Zhvillimin e Udhëzimeve për Vendosjen e Sanksioneve Penale në Rastet e Krimit të Rëndë dhe të Organizuar u mbajt në Gjykatën Supreme të Malit të Zi, njoftoi institucioni.

"Formimi i këtij grupi pune përfaqëson një hap të rëndësishëm në përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara në dokumentet dhe raportet strategjike kombëtare të Komisionit Evropian, të cilat theksojnë nevojën për të përmirësuar politikën penale dhe zbatimin konsistent të parimit të proporcionalitetit dhe praktikës penale dekurajuese, veçanërisht në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave", tha gjykata. Deklarata thotë se qëllimi i hartimit të Udhëzimeve është forcimi i transparencës, besimit dhe integritetit të gjyqësorit, si dhe sigurimi i zbatimit uniform të ligjit dhe sigurisë ligjore për qytetarët.

Kryetarja e Gjykatës Supreme të Malit të Zi, Valentina Pavlliciq, theksoi se formimi i këtij Grupi Punues përfaqëson një hap kyç përpara në forcimin e llogaridhënies dhe integritetit të gjyqësorit.

Grupi Punues duhet të hartojë dhe t'ia paraqesë Udhëzimet Kryetarit të Gjykatës Supreme të Malit të Zi jo më vonë se mesi i marsit 2026, me qëllim përmbushjen e detyrimit nga Planet e Veprimit për Kapitujt 23 dhe 24, afati i të cilave është fillimi i prillit 2026.

KONATAR: KOMPENSONI TË GJITHË PUNONJËSIT E TË GJITHA KOMPANIVE QË FALIMENTUAN

Deputeti i Lëvizjes Qytetare URA, Millosh Konatar, njoftoi se ky  subjekti politik ka paraqitur një propozim për një Ligj për Kompensimin e Ish-Punonjësve që Punuan në Kompanitë Shtetërore që Falimentuan. Ai tha se presin mbështetje nga Qeveria dhe Parlamenti për këtë çështje.

"Ligji është vazhdim i dy akteve që u miratuan në Parlamentin e Malit të Zi. Tani është në tryezë një projektligj dhe thelbi është që të gjithë, nga kompanitë që falimentuan, duhet të kompensohen, pavarësisht nga industria në të cilën punonin", tha Konatar në një konferencë për shtyp.

Ai shtoi se padrejtësia duhet të korrigjohet.

"Do të ishte më mirë nëse do ta kishim miratuar ligjin në vitin 2021, për të gjithë, dhe jo vetëm për metalpunuesit dhe minatorët", theksoi ai.

Kompensimi do të arrinte në 12,000 euro për punëtor.

KL: MENDIM POZITIV MBI PROJEKTLIGJIN PËR NDRYSHIMET NË LIGJIN PËR STATUSIN E PASARDHËSVE TË DINASTISË PETROVIQ NJEGOSH

Komisioni Legjislativ dha mendim pozitiv mbi Projektligjin për Ndryshimet në Ligjin për Statusin e Pasardhësve të Dinastisë Petroviq Njegosh. Me amendamentet e paraqitura nga deputetët e Lëvizjes Evropa Tani, kërkohet ndër të tjera, që fjala "e dhunshme" të fshihet nga akti në formulimin për aneksimin e shtetit nga viti 1918. Propozimi u mbështet nga deputetët e Lëvizjes Evropa tani, Demokracia e Re serbe dhe Demokratët, ndërsa deputetët e Partisë Boshnjake dhe Forumit Shqiptar abstenuan.

NË MAL TË ZI DITË ZIE PËR SHKAK TË TRAGJEDISË NË AZILIN E PLEQVE NË TUZLLA

Mali i Zi ka shpallur për sot ditë zie për shkak të tragjedisë në azilin e pleqve në Tuzlla. Numri i viktimave të zjarrit, që parmbrëmë përfshiu Shtëpinë e pleqve, është rritur në 12. Kryetari i komunës së Tuzllës, Zijad Llugaviq, tha se midis të lënduarve ka punonjës të azilit, policë, zjarrfikës dhe infermier. Shkaku i zjarrit ende është i panjohur.

 

MEDOJEVIQ: TRANZICIONI I QËNDRUESHËM I GJELBËR ËSHTË NJË NGA PRIORITETET KRYESORE NË RRUGËN DREJT BE-SË

Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Energjisë dhe Minierave, Matija Medojeviq, zhvilloi një takim me Zëvendësministrin për Konkurrueshmërinë e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdul Lutah, dhe të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së Emirateve të Bashkuara Arabe në Mal të Zi, Yusuf Almazrouei.

Në takim morën pjesë edhe Zorana Sekuliq, Drejtoreshë e Përgjithshme në Detyrë e Drejtorisë për Naftë dhe Gaz në Ministrinë e Energjisë dhe Minierave, si dhe Ivana Smolloviq, Shefe e Kabinetit në Ministrinë e Energjisë dhe Minierave.

Në një bisedë të hapur, Medojeviq e informoi Lutah rreth rezultateve të Ministrisë së Energjisë dhe Minierave deri më sot, si dhe prioriteteve për periudhën e ardhshme që lidhen me sigurimin e një të ardhmeje të qëndrueshme energjetike për Malin e Zi përmes zhvillimit të burimeve të rinovueshme të energjisë dhe uljes së varësisë nga lëndët djegëse fosile.

"Ne presim që Mali i Zi të bëhet anëtar i plotë i BE-së deri në vitin 2028, dhe në këtë rrugë, një tranzicion i gjelbër i drejtë dhe i qëndrueshëm është një nga prioritetet tona kryesore", theksoi Medojeviq.

Medojeviq theksoi rëndësinë e veçantë të ndërtimit të një kabllo të dytë ndërlidhës nëndetësor me Italinë dhe lidhjes së tregut malazez të energjisë elektrike me atë evropian.

“Lutah përshëndeti përpjekjet e Ministrisë së Energjisë dhe Minierave në përmirësimin e sektorit të energjisë, duke theksuar se ka hapësirë ​​të mjaftueshme për shkëmbimin e njohurive, ekspertizës dhe praktikave më të mira, si dhe gatishmërinë e Emirateve të Bashkuara Arabe për të vazhduar investimet në projekte të zhvillimit të energjisë në të ardhmen”, tha ministria.

PROKURORIA SPECIALE E KOSOVËS MIRËPRET RAPORTIN E PROGRESIT TË KOMISIONIT EVROPIAN PËR KËTË VITIN

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës mirëpret Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2025, i cili vlerëson lartë punën në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë. Raporti thekson përmirësimin e vazhdueshëm në gjykimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, me rritje të vendimeve përfundimtare dhe shqiptim të dënimeve. Vlerësohet gjithashtu ngritja e aktakuzave për krime lufte në përputhje me standardet ndërkombëtare, thuhet në komunikatë. Prokuroria Speciale thotë se mbetet e përkushtuar në zbatimin e rekomandimeve dhe forcimin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit.

KOSOVË: PROTESTUAN PUNËTORËT TË RTK-SË

Dhjetëra punëtorë të Radiotelevizionit të Kosovës kanë protestuar sot para ndërtesës së televizionit shtetëror, për shkak vonesës së pagave, duke paralajmëruar grevë nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.

Në protestën e organizuar nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së, punonjësit mbajtën pankarta me mbishkrimin “Punëtorët e RTK-së – jo viktima të krizës”, “Gazetarë pa pagesë, demokraci pa zë”, dhe “RTK nuk hesht edhe në errësirë”. Më shumë se 700 punonjës të transmetuesit publik nuk e kanë marrë pagën e nëntorit, për shkak se RTK-së nuk i është ndarë pjesa e dytë e buxhetit për këtë vit.

Buxheti vjetor i RTK-së kap vlerën e 8.9 milionë eurove.

Gazetari dhe përfaqësuesi i sindikatës, Gëzim Bimbashi, u bëri thirrje Kuvendit të Kosovës, Qeverisë në detyrë dhe menaxhmentit të RTK-së të punojnë për ta kaluar buxhetin për televizionin shtetëror.

SALI BERISHA KA FOLUR JASHTË KU PO ZHVILLOHEJ PROTESTA KUNDËR PROJEKTLIGJIT PËR BARAZINË LIGJORE

Pak para se t’i drejtohej Kuvendit, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka folur jashtë ku po zhvillohej protesta kundër projektligjit për barazinë ligjore, i cili do të diskutohet sot në parlament. Ai ka reaguar pas deklaratës së ambasadorit të Bashkimit Europian Silvio Gonzato, i cili bëri thirrje për miratimin e këtij projektligji. “Respektojmë orientimin seksual të gjithsecilit”-tha Berisha, por ky ligj sipas tij është kundër familjes. Aktivistë dhe përfaqësues nga shoqëria civile protestuan sot një përpara Parlamentit të Shqipërisë kundër Projektligjit për barazinë gjinore. Pak përpara nisjes së seancës plenare në Kuvend, ku në rend dite sot parashikohen edhe diskutime mbi këtë projektligj, qytetarë dhe aktivistë të thirrur nga “Koalicioni Shqiptar pro Familjes dhe Jetës” u mblodhën para Kuvendit për ta kundërshtuar duke u bërë thirrje deputetëve që mos ta votojnë.

POLONIA DO T’I STËRVITË USHTARAKISHT RRETH 400.000 NJERËZ NË VITIN 2026

Polonia do ta fillojë këtë muaj zbatimin e një programi të ri për stërvitje ushtarake, si pjesë e një plani më të gjerë për t’i stërvitur rreth 400.000 njerëz në vitin 2026, njoftoi të enjten Ministria e Mbrojtjes. E nxitur prej pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Polonia tani shpenzon për mbrojtjen më shumë nga prodhimi i brendshëm bruto se çdo anëtar tjetër i NATO-s. Ajo tani ka ushtrinë e tretë më të madhe në aleancë. Programi “Në Gatishmëri” do të jetë vullnetar dhe i hapur për të gjithë qytetarët, nga nxënësit e shkollave, tek të rriturit e punësuar, kompanitë dhe të moshuarit.

BE-JA HAP FONDET E MBROJTJES PËR UKRAINËN

Kompanitë ukrainase do të mund të marrin pjesë në projektet e kërkimit dhe zhvillimit të mbrojtjes të financuara nga Bashkimi Europian, pas një marrëveshjeje të përkohshme të arritur mes negociatorëve të vendeve anëtare të BE-së dhe Parlamentit Europian, njoftoi mbrëmë presidenca daneze e Këshillit të BE-së. Marrëveshja e re lidh Ukrainën me Fondin Europian të Mbrojtjes, që synon të forcojë konkurrueshmërinë, efikasitetin dhe inovacionin e sektorit të mbrojtjes në BE. Ky fond ka një buxhet prej rreth 9,5 miliardë eurosh për periudhën 2021–2027.

SHBA PEZULLON 10% TË FLUTURIMEVE PAS KRIZËS SË QEVERISË

Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, njoftoi të mërkurën se do të urdhërojë ulje me 10% të fluturimeve në 40 aeroportet kryesore të Shteteve të Bashkuara, për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë e trafikut ajror, ndërsa mbyllja e qeverisë federale ka hyrë në ditën e saj të 36-të – më e gjata në historinë e vendit. Plani i ri, që hyn në fuqi brenda pak ditësh, detyron linjat ajrore të bëjnë shkurtime të menjëhershme në oraret e tyre. Pasagjerët kanë mbingarkuar linjat e ndihmës së kompanive me ankesa dhe pasiguri për udhëtimet në ditët e ardhshme.

UDHËHEQËSIT BOTËRORË MBLIDHEN NË BRAZIL PËRPARA KONFERENCËS PËR KLIMËN COP30

Përpara fillimit zyrtar të Konferencës vjetore të OKB-së për Ndryshimet Klimatike, dhjetëra udhëheqës botërorë do të takohen sot dhe nesër, në Belém të Brazilit, për të diskutuar masat urgjente për të frenuar ngrohjen globale. Udhëheqësit evropianë që marrin pjesë përfshijnë kancelarin gjerman, Friedrich Merz, presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kryeministrin britanik, Keir Starmer, së bashku me zyrtarë të lartë nga Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara. Mikpritësit brazilianë shpresojnë që samiti t’i japë vrull konferencës dyjavore të njohur si COP30, e cila zyrtarisht fillon të hënën me dhjetëra mijëra pjesëmarrës nga rreth 200 vende.

TAJFUNI KALMAEGI GODET VIETNAMIN PASI VRAU TË PAKTËN 140 PERSONA NË FILIPINE

Tajfuni kalmaegi ka goditur pjesën qendrore të Vietnamit sot, duke detyruar mijëra banorë që të evakuohen nga zona nëpër të cilën do të kalojë një nga ciklonet më vdekjeprurëse në botë këtë vit. Gjatë kësaj jave, kalmaegi shkaktoi dëme të mëdha në Filipine, duke lënë të vdekur të paktën 140 persona, teksa 127 të tjerë konsiderohen të zhdukur pas përmbytjeve që u shkaktuan nga stuhia. Tajfuni goditi Vietnamin me erëra që arritën deri në 149 kilometra në orë, tha ministria e mjedisit. “era është aq e fortë sa asgjë nuk i bën ballë”, tha për afp-në banori i Vietnamit Vu van hao, 48 vjeç.

NESËR, MOT ME VRANËSIRA TË NDRYSHUESHME DHE ME INTERVALE ME DIELL, NË DISA VENDE JANË TË MUNDSHME RESHJE TË DOBËTA TË SHIUT

Në Mal të Zi ka mbajtur mot kryesisht me diell. Frynë erë e dobët deri mesatare  e drejtimeve të ndryshme. Temperaturat e shënuara në orën 13: Budvë 22, Ulqin 21, Tivar 20,Podgoricë e Herceg Novi 19, Cetinë 17, Nikshiq 16, Plluzhinë 14, Plevle 13, Shavnik 12, Petnjicë 11, Beranë e Zhablak 10, Kollashin 9 dhe në Rozhajë 7 gradë.

Nesër pritet të mbajë mot me vranësira të ndryshueshme dhe me intervale me diell, por në disa vende janë të mundshme reshje të dobëta të shiut. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare e drejtimeve të ndryshueshme. Temperatura e mëngjesit nga -1 deri në 11, kurse më e larta e ditës nga 8 deri në 20 gradë.

Пратите нас на

Коментари0

Остави коментар

Остави коментар

Правила коментарисања садржаја Портала РТЦГВише
Поштујући начело демократичности, као и право грађана да слободно и критички износе мишљење о појавама, процесима, догађајима и личностима, у циљу развијања културе јавног дијалога, на Порталу нијесу дозвољени коментари који вријеђају достојанство личности или садрже пријетње, говор мржње, непровјерене оптужбе, као и расистичке поруке. Нијесу дозвољени ни коментари којима се нарушава национална, вјерска и родна равноправност или подстиче мржња према ЛГБТ популацији. Неће бити објављени ни коментари писани великим словима и обимни "copy/paste" садрзаји књига и публикација.Задржавамо право краћења коментара. Мање

Да бисте коментарисали вијести под вашим именом

Улогујте се