- Hronika
- Kolumne
-
Radio
- Izdvajamo
-
Emisije
- Dokumentarni program
- Pop top
- Europuls
- Zrno po zrno
- Radio ordinacija
- Kulturna panorama
- Zelena priča
- Epoleta
- +382
- Spona
- Svijet jednakih šansi
- Matica
- Život po mjeri čovjeka
- Link
- Izokrenuti svijet
- Koracima mladih
- Moja profesija je...
- Sportski program
- Kulturno-umjetnički program
- Muzički program
- Koracima prošlosti
- Naučno-obrazovni program
- RCG
- R98
- Programska šema
- Trofej Radija Crne Gore
- Frekvencije
- Radio drama
Ditari
28. 11. 2025.
00:00 >> 19:10
Ditari 28.11.2025
Ditarin e përgatiti Marash Dedvukaj
Në një operacion të Departamentit Special të Policisë arrestohet Ish-oficeri i policisë Milorad Miqko Zhizhiq
Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Shtetit, oficerët e Departamentit Special të Policisë arrestuan ish-ndihmësdrejtorin e Administratës së Policisë, Dejan Knezheviq, dhe ish-oficerin e policisë Milorad Miqko Zhizhiq. Sipas informacionit të "Vijesti", Zhizhiq, ish-kreu i Departamentit për Shtypjen e Krimeve të Rënda në Sektorin për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, oficerët e policisë i kontrolluan apartamentin në lagjen e Qytetit të Podgoricës, si dhe "golf 8", të cilin ai e përdor. Knezheviq ishte arrestua gjithashtu edhe në vitin 2023, dhe në Gjykatën e Lartë të Podgoricës ai u akuzua për shpërdorim detyre, si pjesë e një karteli droge të policisë. Zhizhiq u pezullua nga puna në gusht, me vendim të Ministrit të Punëve të Brendshme dhe me popozim të Drejtorit të Administratës së Policisë. Më pas u shpjegua se vendimi i pezullimit iu dha atij për shkak të shqetësimeve të sigurisë. Në qershor të vitit 2019, Zhizhiq u emërua kreu i Departamentit më të rëndësishëm në Sektorin për Luftën kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SBPOKK), i cili atëherë drejtohej nga i akuzuari Zoran Lazoviq. Ky Departament u shpërbë në prill të vitit 2023, me vendim të koordinatorit të atëhershëm dhe kreut të Departamentit Special të Policisë (SPO), Predrag Shukoviq.
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, shpalli thirrje publike për zgjedhjen e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, shpalli thirrje publike për zgjedhjen e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese, njoftoi kabineti i tij. Thuhet se ftesa publike do të publikohet në Gazetën Zyrtare dhe do të jetë e disponueshme në median e shkruar Dan, Vijesti dhe Pobjeda, si dhe në faqen e internetit të Presidentit të Malit të Zi. Shtohet se afati i fundit për aplikimin e kandidatëve është 15 ditë nga dita e shpalljes së thirrjes publike. "Ne ftojmë juristë të shquar, të cilët plotësojnë kushtet e përcaktuara nga Kushtetuta e Malit të Zi dhe Ligji për Gjykatën Kushtetuese, të aplikojnë për ftesën dhe të kontribuojnë në përzgjedhjen e kandidatit më të mirë", thuhet në njoftim.
Armenko, shpresoj që ky institucion të funksionojë për një periudhë të gjatë pa u penguar nga procesi i zgjedhjes së gjyqtarëve të rinj
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Snezhana Armenko tha se shpreson që ky institucion të funksionojë për një periudhë të gjatë pa u penguar nga procesi i zgjedhjes së gjyqtarëve të rinj. Ajo priti sot gjyqtarin e sapozgjedhur Jovan Jovanoviq dhe i uroi atij një punë të suksesshme si gjyqtar."Është shumë domethënëse që Gjykata Kushtetuese mori një gjyqtar tjetër, gjë që krijoi kushtet për të vendosur për çështje të caktuara", theksoi Armenko. Ajo shpreson që përbërja e Gjykatës Kushtetuese të përfundojë së shpejti dhe që gjykata të punojë për një periudhë të gjatë pa u penguar nga procesi i zgjedhjes së gjyqtarëve të rinj", përfundoi Armenko.
Andrea Podhraski - Gjykata Supreme e Malit të Zi ka aftësi të jashtëzakonshme organizative dhe arrin rezultate mbresëllënëse
Gjykata Supreme e Malit të Zi ka aftësi të jashtëzakonshme organizative dhe arrin rezultate mbresëllënëse që tashmë përmbushin kërkesat e Bashkimit Evropian (BE), tha gjyqtarja e Gjykatës Supreme të Saksonisë në Gjermani, Andrea Podhraski. Gjatë një vizite pune tre-ditore në Gjykatën Supreme të Malit të Zi, ajo u takua me drejtuesit e Departamenteve Administrative, Civile dhe Penale, përfaqësues të kabinetit, zyrës së regjistrimit dhe këshilltarë, duke shkëmbyer informacione dhe përvoja me qëllim përmirësimin e bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar. Në takimin me Kryetaren e Gjykatës Supreme, Valentina Pavliçiq, u arrit në përfundimin se mënyra se si funksionojnë gjykatat në të dy vendet ndryshon, por se procese të shumta që zbatohen në gjykatat malazeze mund të shërbejnë si praktikë e mirë në Gjermani. "Bashkëbiseduesit ranë dakord se ligjet që lidhen me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe rregulloret që lidhen me përshpejtimin e procedurave gjyqësore, kanë sfida specifike që nuk rrjedhin nga sistemi, por nga procesi i transformimit të tyre në mënyrë që të harmonizohen me legjislacionin evropian", thanë ata në deklaratë.
Gordana Siljanovska-Davkova, tha se një hap përpara për Malin e Zi është një hap përpara për të gjithë rajonin
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, tha se një hap përpara për Malin e Zi është një hap përpara për të gjithë rajonin. Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, është takua sot në Cetinë me homologen e tij maqedonase, e cila ndodhet në vizitën e saj të dytë në Mal të Zi, gjë që edhe një herë konfirmon, siç thonë, marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore dhe aleate midis dy vendeve. "Fokusi i takimit ishte integrimi evropian dhe përmirësimi i bashkëpunimit midis dy vendeve", thanë ata në njoftim. Siljanovska-Davkova vlerësoi përparimin e Malit të Zi në rrugën evropiane, duke theksuar se një hap përpara për Malin e Zi është një hap përpara për të gjithë rajonin. Millatoviq tha se Mali i Zi është fuqimisht i përkushtuar ndaj bashkëpunimit të fqinjësisë së mirë si një nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme dhe se është i kënaqur me çdo përparim të fqinjëve në rrugën evropiane. "E ardhmja evropiane dhe stabiliteti rajonal u vlerësuan si një qëllim i përbashkët i dy vendeve", theksuan ata në njoftim.
Gjykata e Apelit e Malit të Zi konfirmoi vendimin e Ilija Bojiq për tentativë vrasjeje të rëndë dhe hodhi poshtë ankesat e Prokurorisë së Lartë të Shtetit
Gjykata e Apelit e Malit të Zi konfirmoi vendimin e Ilija Bojiq për tentativë vrasjeje të rëndë dhe hodhi poshtë ankesat e Prokurorisë së Lartë të Shtetit dhe të mbrojtjes, njoftoi institucioni. Në njoftim thuhet se pas seancës, trupi gjykues i Gjykatës së Apelit i hodhi poshtë si të pabaza ankesat e paraqitura kundër vendimit të Gjykatës së Lartë në Podgoricë të datës 19 maj 2025. "Me vendimin e Gjykatës së Lartë në Podgoricë, i akuzuari Ilija Bojiq u shpall fajtor për veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë dhe u dënua me tre vjet burg, duke përfshirë edhe kohën që kaloi në paraburgim", deklaron Gjykata e Apelit. Gjykata vlerësoi se vendimi i shkallës së parë nuk përmbante shkelje të rëndësishme të procedurës penale që u theksuan në ankesë. "Vendimi i shkallës së parë nuk përmban shkelje të rëndësishme të dispozitave të procedurës penale, as shkelje të tjera që kjo gjykatë i shqyrton ex officio", thuhet në deklaratë.
Sot në Cetinë u mbajt Akademia Solemne e Kryqit të Kuq të Malit të Zi
Akademia Solemne e Kryqit të Kuq të Malit të Zi u mbajt sot në Cetinë, me rastin e 150-vjetorit të ekzistencës së kësaj organizate ndërkombëtare humanitare. Kryetari i Kryqit të Kuq të Malit të Zi, Mitar Vuçkoviq, tha se sot, me krenari po festojmë jubileun e madh në Cetinë, vendin ku filloi gjithçka. "Të dhënat historike dëshmojnë se në gusht të vitit 1875 në Mal të Zi, u krijua Komiteti për Ndihmë Qytetarëve të Vuajtur të Hercegovinës, me shtatë anëtarë, të kryesuar nga Mitropoliti Ilarion. Menjëherë pas themelimit të tij, Komiteti u dërgoi një ftesë mjekëve të huaj që të vinin në Mal të Zi dhe të organizonin spitale në Grahovë, në Zhupë të Nikshiqit, Drobnjaci, Shavnik dhe Andrijevicë. Prandaj, ne festojmë ditën e humanizmit, solidaritetit dhe ndihmës vetëmohuese për ata që kanë më shumë nevojë, i kujtojmë vetes të kaluarën dhe historinë e pasur dhe të ndritshme, për të cilën me të drejtë mund të krenohemi si vendi ku u themelua organizata e parë e Kryqit të Kuq në Ballkan, dhe e cila, me ratifikimin e Konventës së Gjenevës për të Plagosurit më 29 nëntor 1875, u bë anëtari i 22-të i Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe", tha Vuçkoviq.
Millatoviq, e dekoroi sot Kryqin e Kuq të Malit të Zi me Urdhrin e Flamurit të Malit të Zi, shkalla e parë
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, e dekoroi sot Kryqin e Kuq të Malit të Zi me Urdhrin e Flamurit të Malit të Zi, shkalla e parë. Ai foli sot në Cetinë me rastin e festimit të 150 vjetorit të Kryqit të Kuq të Malit të Zi, duke theksuar se "forca e shtetit matet duke u kujdesur për ata që kanë më shumë nevojë për ndihmë", duke thënë se "askush nuk duhet të lihet vetëm në telashe". Ai kujtoi se për një shekull e gjysmë, Kryqi i Kuq ka qenë aty ku ka qenë më së vështiri - në epidemi, përmbytje, zjarre dhe tërmete, njoftoi kabineti i Millatoviqit. Siç u njoftua, Presidenti i Shtetit dekoroi Kryqin e Kuq të Malit të Zi në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij historik, duke theksuar se çmimi "nuk është vetëm një simbol i mirënjohjes së shtetit, por edhe njohje e organizatës që ishte një mbështetje morale për shoqërinë tonë në momentet më të vështira".
Në Vlorë është mbajtë ceremonia shtetërore e Ditës së Pavarësisë
Në Vlorë është mbajtë ceremonia shtetërore e Ditës së Pavarësisë. Para Monumentit të Pavarësisë, u mbajtën ritualet zyrtare që shënojnë 113-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Në ceremoninë e organizuar pranë sheshit historik, personalitetet shtetërore vendosën kurora me lule në nder të themeluesve të shtetit shqiptar. Aktiviteti u shoqërua me ekzekutimin solemn të Himnit Kombëtar. Të pranishëm në këtë aktivitet zyrtar ishin figurat më të larta të institucioneve shqiptare dhe të Kosovës, mes tyre, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj; Kryeministri Edi Rama; Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi; Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani; Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu; Kryebashkiakja e Vlorës; Brunilda Mersini, etj,. Në vijim të programit zyrtar të Ditës së Flamurit, janë mbajtur homazhe edhe te varri i Ismail Bej Vlorës, udhëheqësit të aktit historik të 28 nëntorit 1912. Përfaqësuesit e institucioneve shtetërore po nderojnë figurën e tij dhe rolin e tij në krijimin e shtetit shqiptar. Ceremonitë në Vlorë për Ditën e Pavarësisë kanë vijua gjatë gjithë ditës me aktivitete kulturore, pritje zyrtare dhe homazhe të tjera për figurat që kontribuuan në pavarësinë e vendit.
Presidenti amerikan Donald Trump ka uruar Kreun e shtetit shqiptar Bajram Begaj për Ditën e Pavarësisë
Presidenti amerikan Donald Trump ka uruar Kreun e shtetit shqiptar Bajram Begaj për Ditën e Pavarësisë. Lajmin e ka bërë me dije vetë presidenti Begaj me anë të një postimi në rrjetin social X. Begaj përsërit përkushtimin e Shqipërisë për të punuar me SHBA-të mbi prioritetet e përbashkëta. Begaj garanton se Shqipëria gjithmonë ka qëndruar dhe do të qëndrojë gjithmonë përkrah Shteteve të Bashkuara. “Ndihem i nderuar t’u përcjell përshëndetjet e Presidentit Trump shqiptarëve për Ditën e Pavarësisë. Faleminderit SHBA, dhe faleminderit Donald Trump për mesazhet e ngrohta dhe pozitive në këtë ditë të rëndësishme. Shqipëria mbetet e përkushtuar për të punuar me Shtetet e Bashkuara mbi prioritetet tona të përbashkëta. Shqipëria gjithmonë ka qëndruar dhe do të qëndrojë gjithmonë përkrah Shteteve të Bashkuara. Zoti i bekoftë kombet dhe popujt tanë”, ka shkruar Begaj.
Udhëheqësit urojnë Shqipërinë për 113-vjetorin e pavarësisë
Udhëheqësit politikë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, por edhe në Shtetet e Bashkuara, kanë uruar për 113-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, uroi shqiptarët për Ditën e Flamurit. “Nga Kruja e Skënderbeut, te Vlora e Ismail Qemalit dhe Prekazi i Jasharajve, historia jonë është shkruar me gjak, guxim dhe besim. Sot, Kosova e Shqipëria ecin krah për krah: dy shtete, një komb, dy flamuj, një zemër”, shkroi ajo në Facebook. Osmani po qëndron në Shqipëri ku po merr pjesë në ceremonitë zyrtare për shënimin e 113-vjetorit të pavarësisë. Ndërkaq, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, kujtoi se më 28 nëntor të vitit 1443 në Krujë ishte ngritur flamuri Kuq e Zi i Kastriotëve dhe më 1912 u ngrit në Vlorë, kur u shpall pavarësia e Shqipërisë. “Natyrisht, si komb evropian, sytë i kemi të kthyer kah e ardhmja, kah një Nëntor i Tretë, që duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona, punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm. Ky Nëntor i Tretë, edhe nëse nuk do të bjerë në këtë ditë, edhe nëse nuk do të jetë muaj i nëntorit, ne mund ta pagëzojmë që sot si 28 Nëntori ynë i Tretë. Atëherë amaneti i të gjithë atdhetarëve shqiptarë, të gjallë e të vdekur, do të përmbushet. Urojmë që kjo ditë të vijë sa më shpejt”, shkroi ai në rrjetet sociale. Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, në urimin e tij për 28 Nëntor, tha se në sot kur kërcënimet për paqen dhe sigurinë po rriten, Prishtina dhe Tirana duhet të qëndrojnë pranë njëra-tjetrës “për të mbrojtur vlerat, identitetin dhe ëndrrën e përbashkët të kombit”.
Marco Rubio uroi 28 nëntorin
Ndërkaq, kryediplomati amerikan, Marco Rubio, në urimin e tij për ditën e pavarësisë, tha se dy vendet kanë një partneritet të fortë. “Ndërsa shënojmë këtë ditë të veçantë, mezi presim të zgjerojmë bashkëpunimin tonë në fushën e sigurisë, lidhjet ekonomike dhe miqësinë e qëndrueshme me Shqipërinë”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio. Urime për Ditën e Flamurit Kombëtar Shqiptar kanë bërë edhe politikanë nga Maqedonia e Veriut, sikurse Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut, por edhe kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
Arrin në 128 numri i viktimave nga zjarri në Hong Kong
Numri i viktimave nga zjarri më i madh në dekada në Hong Kong ka arritur në të paktën 128 persona, teksa autoritetet njoftuan për përfundimin e operacioneve për fikjen e zjarrit. Sipas autoriteteve, afër 200 persona konsiderohen të zhdukur dhe familjarët e tyre po i kërkojnë ata nëpër spitalet e qytetit. Flakët u përhapën me shpejtësi në kompleksin e banesave Wang Fuk Court në distriktin Tai Po, duke u shpërndarë nëpër tetë ndërtesat e larta. Pas më shumë se 40 orësh djegieje, zjarri u “shua kryesisht” në orën 10:18 të mëngjesit, sipas kohës lokale, më 28 nëntor, njoftuan zjarrfikësit të cilët thanë se kanë përfunduar operacionet. Autoritetet në Hong Kong po hetojnë se çfarë e shkaktoi zjarrin, përfshirë edhe ekzaminimin e skelave prej bambuje dhe rrjetës plastike që mbështillte kompleksin, si pjesë e një rinovimi të madh. Shumë persona vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur, megjithëse numri i saktë i të zhdukurve nuk dihet pasi të dhënat nuk janë përditësuar që nga mëngjesi i së enjtes. Autoritetet njoftuan sot se më shumë se 50 persona vazhdonin të ishin të shtruar në spital, me 12 në gjendje kritike dhe 28 në gjendje serioze. Ky ishte zjarri më vdekjeprurës në Hong Kong që nga viti 1948, kur një shpërthim, që u pasua nga një zjarr, vrau të paktën 135 persona.
Hetuesit ukrainas kundër korrupsionit kryejnë kontrolle në zyrën e shefit të stafit të Zelenskyt
Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës (NABU) dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar Kundër Korrupsionit (SAPO) kanë kryer kontrolle në zyrën e shefit të stafit të Presidencës, Andriy Yermak, njoftoi NABU më 28 nëntor. “Veprimet hetimore janë autorizuar dhe po kryhen si pjesë e hetimit. Detajet do të publikohen më vonë”, u tha në njoftim. Një korrespondent i medias ukrainase, Ukrayinska Pravda, duke raportuar nga vendi i ngjarjes publikoi fotografi të punëtorëve të agjencisë kundër korrupsionit duke hyrë në qarkun qeveritar në Kiev, por nuk dha detaje të tjera. Natyra e kontrolleve dhe statusi aktual i shefit të stafit të presidentit, Volodymyr Zelensky, aktualisht nuk dihen. Zyra e Yermakut ka konfirmuar se po bashkëpunojnë plotësisht me hetuesit. “Sot, NABU dhe SAPO po kryejnë veprime procedurale në shtëpinë time. Hetuesit nuk po përballen me asnjë vështirësi. Atyre u është dhënë qasje e plotë në banesën time dhe avokatët e mi janë në vendngjarje duke ndërvepruar me zyrtarët e zbatimit të ligjit. Sa më përket mua, unë kam ofruar bashkëpunim të plotë”, shkroi Yermak në Telegram. Yermak konsiderohet se është një nga zyrtarët më të fuqishëm në Ukrainë dhe ai udhëhoqi delegacionin ukrainas gjatë bisedimeve me Shtetet e Bashkuara në Gjenevë javën e kaluar lidhur me mundësinë e arritjes së një ujdie për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Vdes një anëtare e Gardës Kombëtare pas të shtënave në Uashington
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se një nga dy anëtarët e Gardës Kombëtare, që u qëlluan afër Shtëpisë së Bardhë, ka vdekur. “Ajo u sulmua egërsisht, ajo ka vdekur”, tha Trump për një grua 20-vjeçare që shërbente në Gardën Kombëtare të Virxhinias Perëndimore. Të mërkurën pasdite, dy anëtarë të Gardës Kombëtare që po patrullonin afër një stacioni metroje, jo larg Shtëpisë së Bardhë, u sulmuan me armë zjarri. Trump tha se anëtari tjetër i gardës, një burrë 24 vjeç, po lufton për jetë. Ndihmësshefi i Policisë në Uashington, Jeffrey Carroll, tha se i vetmi i dyshuar për të shtënat u neutralizua nga anëtarë të tjerë të Gardës Kombëtare, është arrestuar dhe është dërguar në spital për trajtim mjekësor. Avokatja për Qarkun e Kolombias, Jeanine Pirro, tha se sulmuesi i dyshuar është një 29-vjeçar me shtetësi afgane që jetonte në shtetin e Uashingtonit. Ai raportohet se kishte udhëtuar për në kryeqytetin amerikan ku kreu sulmin. I dyshuari ka përdorur pistoletë gjatë sulmit dhe përballet me 15 vjet burgim për ngjarjen, tha Pirro. Ajo tha se ende nuk është i qartë motivi i sulmit. Trump i ka cilësuar të shtënat si “akt të terrorit”.
Trump paralajmëron operacione tokësore kundër trafikantëve venezuelas të drogës
Shtetet e Bashkuara “shumë shpejt” do të ndërmarrin veprime tokësore ndaj trafikantëve të dyshuar të drogës nga Venezuela, tha presidenti amerikan, Donald Trump. “Ndoshta e keni vërejtur se njerëzit nuk po duan që të dërgojnë dërgesa përmes detit dhe ne do të nisim që t’i ndalim ata nga toka. Toka është më e lehtë, por ne do të nisim shumë shpejt”, tha Trump teksa po fliste sot përmes video-lidhjes me anëtarët e shërbimit ushtarak amerikan. Ende nuk ka një reagim nga Venezuela për këtë njoftim të udhëheqësit amerikan. Administrata Trump ka qenë duke peshuar opsione të lidhura me Venezuelën për të luftuar atë që e ka paraqitur si rolin e Nicolas Maduros në furnizimin me droga të paligjshme që kanë vrarë amerikanë. Maduro ka mohuar se ka ndonjë lidhje me trafikun e paligjshëm të drogës. Forcat amerikane në rajon deri tani janë përqendruar në operacione kundër narkotikëve, edhe pse fuqia e grumbulluar ushtarake është shumë më e madhe se ajo që nevojitet për këto operacione. Trupat amerikane kanë kryer të paktën 21 sulme ndaj anijeve të dyshuara për trafikim të drogës në Karaibe dhe në Oqeanin Paqësor që nga shtatori, duke vrarë të paktën 83 persona. Raportimet për një veprim të ri janë shtuar javët e fundit, pasi ushtria amerikane dislokoi trupa në Karaibeve në kohën e përkeqësimit të raporteve mes SHBA-së dhe Venezuelës.
Nesër mot i ngjashëm me të sotmin
Sot në Mal të Zi mban mot kryesisht i vranët dhe pa të reshura. Frynë erë e mesme deri e fortë e vende vende shumë e fortë nga drejtimi i veriut. Temperaturat në orën 13: Tivar 16 gradë, H. Novi e Budvë 15, Podgoricë e Ulqin 12, Nikshiq 9, Cetinë 8, Shavnik 4, Plluzhinë, B. Pole e Guci 3, Beranë e Andrievicë 2, Kollashin, Plevle e Rozhajë 1, Petnicë -1 dhe Zhablak -2 gradë.
Për nesër pritet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe pa të reshura. Do të fryjë erë e dobët deri e mesme nga drejtimet e jugut dhe juglindjes. Temperatura e mëngjesit do të sillet prej – 5 deri në 10 kurse më e larat e ditës prej – 1 deri në 15 gc.
Коментари0
Остави коментар